Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA shpreh shqetesimin e thellë për gjendjen në të cilën ndodhet Lugina e Preshevës në përgjithësi dhe Medvegja në mënyrë të veçantë.
Para pakë ditësh erdhën në New York nga Fully i Zvicrës, përfaqësuesat e Shoqatës Humanitare Medvegja të cilët, krahas me monografinë e Shoqatës “30 vjet në shërbim të Kombit”, ku pasqyrohet bukur historia e veprimtarisë kombëtare të kësaj shoqate dhe e cila u promovue në Monroe College, sollën edhe brengën e madhe të vendlindjes.
Gjendja e vështirë ekonomike, politika diskriminuese e qeverisë së Beogradit dhe mungesa e sigurisë, janë faktorë të vazhdueshëm që shtërngojnë shqiptarët të largohen nga trojet e veta.Mohimi i të drejtavet njerzore të shqiptarëvet nga ana e organevet qeveritare, ushtrohet në mënyrë sistematike, pa frikë se do të japin dikujë llogari. Kontrolli i fortë policor mbi gjithçka hyn ose del nga zonat e banueme me shqiptarë, bahet me qellim për t’a mbajtë popullsinë gjithënji nën presion dhe në gjendje frike. Pritja disa orëshe në kalimin kufitar në mes Kosovë e Medvegjes asht e pajustifikueshme, por bahet me qellim.
Vizitorët lëshuen alarmin se në Medvegje kanë mbetë vetëm pak qinda shqiptarë, edhe ata në gjendje vorfnie dhe të pa sigurtë.
Përpjekjet e bashkatdhetarëvet që jetojnë jashtë për t’u ndimue, dikujë që të mos largohet dhe dikujë tjetër të këthehet në vendlindje, si dhe përpjekjet e përfaqësuesavet shqiptarë në vend, nuk mjaftojnë me përmirësue gjendjen dhe me ndalë zbrazjen e vendbanimevet shqiptare. Prandej duhet nji përkrahje ma e madhe nga të dy shtetet shqiptare.
Kosova duhet të kërkojë nga Serbia, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të gjitha ato të drejta dhe privilegje që i jep minoritetit serb në Kosovë. Ky asht nji obligim të cilit udhëheqja e Kosovës nuk mund t’i bajë lak, por duhet ta zbatojë me kambëngulje gjatë bisedimevet me Beogradin.
Të dy qeveritë duhet t’a marrin me seriozitetin ma të madh mprojtjen e të drejtave të shqiptarëvet që jetojnë në shtetet per rreth, si dhe kujdesjen për shpëtimin e tokavet shqiptare nga shpopullzimi. Udhëheqsat shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm se ketë e kanë për detyrë dhe historia ka për t’i gjykue!
5 mars 2015