• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISA BOLETINI,”GJENERALI I KRYENGRITJEVE MBARËSHQIPTARE

June 9, 2015 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/
Kryetrimi shqiptar, “Heroi i Popullit” Isa Boletini ka thënë: “Njëqind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin e Atdheun tim!”/
Lumenj gjaku u derdhën nga populli trim e liridashës shqiptar, deri sa u kurorëzua akti i madh historik i 28 Nëntorit 1912, kur Shqipëria u shpall shtet i lirë dhe i pavarur. Në ballë të sa e sa kryengritjeve masive të shqiptarëve, kundër pushtuesve otomanë, qendruan shumë trima të ditur e luftëtarë. Me armë e me penë, me guxim e dituri, ata nuk kursyen asgjë, që të realizohej ideali ynë i lartë kombëtar.
Kur kujtojmë figurat e shquara të Kombit tonë, menjëherë mendja na shkon edhe te biri i thjeshtë i Boletinit të Shalës, në Mitrovicë të Kosovës, Isa Boletini ose, siç e thërrisnin malësorët “Isa Begi”, për të shprehur kështu nderimin dhe respektin e veçantë për të.
x x x
Lindi më 15 janar 1864, në një familje me tradita atdhetare. Kushtrimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për luftë kundër armikut, çoi në këmbë edhe Isën 17-vjeçar.Kudo, u dallua shpejt për trimëri dhe guxim, zgjuarësi e urtësi. Armiku pushtues e shprehu urrejtjen e madhe për të edhe kur i dogji kullën e tij, gjashtë herë dhe gjashtë herë e rindërtoi. Nuk u mposht ndaj përndjekjeve e presioneve dhe gjurmimeve, që i bëheshin nga pushtuesit gjakatarë. Ka mbetur në kujtesën e brezave shprehja e tij e njohur: “Unë jam mirë, kur asht mirë Shqipnia”. Ndërsa nuk e zinte gjumi, kur shihte padrejtësitë dhe synimet grabitqare të otomanëve pushtues dhe të monarkive shoviniste fqinje.
Në fillim të shekullit të kaluar, Isa Boletini u vu në krye të Malësisë së Shalës dhe bashkë me Idriz Seferin u dallua në udhëheqje të kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Veçanërisht, spikati trimëria e luftëtarëve shqiptarë në grykat e Kaçanikut e Cerralevës. Shumë domethënës është epiteti, që i vuri shtypi i kohës, i cili e quajti Isa Boletinin: “Gjenerali i kryengritjeve shqiptare”.
Ai udhëhoqi me trimëri luftëtarët shqiptarë edhe për të kundërshtuar synimet anaksioniste të shteteve shoviniste fqinje serbo-malazeze etj., që kërkonin t’i copëtonin trojet shqiptare. Qëllimi i lartë, që i vuri vetes, e afroi atë me atdhetarë të shquar e udhëheqës popullorë, ndër të cilët ishte dhe Ismail Qemal Vlora. Biri trim i Kosovës, Isa Boletini ishte në mbështetje të Kuvendit të Vlorëss e përkrah tij dhe delegatëve të tjerë shqiptarë, si: Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Vehbi Agolli, Babë Dudë Karbunara, Nikollë Kaçorri, Dervish Hima, Rexhep Mitriovica, Myfit Libohova, Jani Minga, Bedri Pejani, Ilias Vrioni, Dhimitër Zografi etj.. Njëzëri, ata nënshkruan Aktin e madh historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe valvitën lart Flamurin tonë Kombëtar, pas 500 vjet robërie, nën sundimin otoman. Prijësi i betejave legjendare kundër pushtuesve armiq, Isa Boletini, në krye të mbi 300 luftëtarëve të armatosur kosovarë, u bë mburojë e çeliktë për zhvillimin dhe suksesin e atij Kuvendi të madh historik. Ndër të tjerët, aty mori pjesë aktive dhe “Mësuesi i Popullit” Sali Gjukë Dukagjini, delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë. Shtypi i kohës e përshkruante kështu ndihmesën, që ky dha, në ato ditë:
“Vetë Ismail Qemali, kur e pa të ndezur, duke folur për rëndësinë e asaj nate, e afroi afër dhe e puthi në të dyja faqet, me lotë ndër sy. Sali Gjuka kishte ndërgjegje me të vërtetë kombëtare. Kur ky pa se delegatët e Korçës mungonin në atë mbledhje, e qau fatin e zi të atij qyteti dhe propozoi që të zgjidheshin delegatë të tjerë, duke qenë se Korça ishte e pushtuar prej armikut”.
x x x
Isa Boletini është i njohur edhe për udhëtimin, që bëri më 1913, nëpër disa shtete të Europës, për të mbrojtur me çdo kusht të drejtat legjitime tëë popullit shqiptar, të cilat donin t’i nëpërkëmbnin armiqtë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.
Shovinistët serbomëdhenj kërkonin ta largonin trimin atdhetar nga rruga e tij e luftës për të drejtat kombëtare. Prandaj u përpoqën, me dinakëri e me të holla, i propozuan poste e detyra, që ta afronin të bashkëpunonte me pushtuesit e rinj ose, të paktën, të hiqte dorë nga lufta e tij e vendosur. Por Isa Boletini trashëgonte cilësitë më të mira të shqiptarit, si krenarinë, besën e burrërinë etj. Prandaj, i përçmoi të gjitha ofertat e përpjekjet e armiqve dhe, si kurdoherë, mbeti luftëtar i papërkulur, i vendosur deri në fund, që populli shqiptar të ishte i lirë dhe i pavarur. Ai i qëndroi besnik idealit të tij, betimit që kishte bërë një herë: “Unë, njëqind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!”

Pasi ushtritë austro-hungareze pushtuan Cetinën, Isa Boletini kaloi në Podgoricë. Gjenerali gjakatar, Vashoviqi bëri plane për të organizuar një kurth. E lajmëroi të shkonte tek ai, por Isa e mori vesh qëllimin e vërtetë e djallëzor dhe nuk u bind. Në këto rrethana, forcat malazeze organizuan një pritë tjetër, në befasi. Ndërkaq, I.Boletini qëlloi me kobure, duke dhënë kështu sinjalin e luftës. Beteja ishte e përgjakshme dhe ai qëndroi si u ka hije trimave, deri sa u nda përgjithnjë nga jeta. Pranë mbetën dhe djemtë e tij, nipat e disa bashkëluftëtarë. Aty, te Ura e Ribnicës, përherë u çimentuan themelet e një lapidari trimërie e burrërie, në shërbim të çështjes së madhe mbarëkombëtare. Kjo ngjau më 23 janar të vitit 1916.
x x x
Tashmë, është e njohur një histori, nga jeta e këtij kryetrimi shqiptar, që po e ripërsëritim më poshtë. Më 1913, atdhetarët Ismail Qemali e Isa Boletini shkuan bashkë në Londër, përfaqësues të denjë të popullit tonë. Aty do të takonin kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve, për t’i shprehur protestën e vendosur ndaj padrejtësive të mëdha, që po i bëheshin Shqipërisë. Gjithashtu, do t’i çonin atij betimin solemn dhe të njëzëshëm të mbarë shqiptarëve, se ata ishin të vendosur deri në fund për t’i bashkuar trojet tona amtare, të cilat na i kishin lënë të parët tanë trashëgim, brez pas brezi.
Ishte një rregull i caktuar që, para se të hynin në zyrën e sër Eduard Greit, duhej t’i lenin armët në garderobë. Këtë kërkesë ia përsëritën edhe rojet Isa Boletinit, i cili veproi po ashtu: la koburën në garderobën e duhur. Pas bisedimeve zyrtare, Grei iu drejtua Isës me të qeshur: “Më në fund, zotëri Boletini, atë që nuk e kanë bërë dot pashallarët turq, e bëmë ne, në Londër!” Kreshniku i Kosovës martire e mori vesh mirë se diplomati europian e kishte fjalën që, gjoja, ata e paskëshin çarmatosur!? Ndërkaq, Isa Boletini e shikoi drejt e në sy ministrin e lartë dhe, po me buzëqeshjen dhe krenarinë e ligjeshme të shqiptarit, trim e të zgjuar, të paçarmatosur kurrë, iu përgjigj shkurt e prerë: “Jo, besa, kurrë, as në Londër!” Aty për aty, nga gjiri nxori një kobure tjetër, me fishekët në gojë…
Marrim, kështu, nga jeta heroike e këtij luftëtari të shquar të lirisë e Pavarësisë, mesazhin e madh që ka përcjellur historia për shqiptarët: Ata kurrë nuk do të durojnë t’i shtypin, t’i çarmatosin as t’i nënshtrojnë armiqtë, sado të fortë e dinakë të jenë. Shqiptarët “e bëjnë dekën si me le”, kur i thërret zëri i tokës amtare, kur rrezikohen seriozisht liria dhe pavarësia e tyre. Për këtë gjë, flasin qartë sakrificat e shumta, që provoi në luftën kundër pushtuesve serbë, deri sa u çlirua, populli martir i Kosovës, vendlindja e kryetrimit Isa Boletini, “gjeneralit të kryengritjeve shqiptare”. Gjeneralë të tillë të shquar, si Adem Jashari me bashkëluftëtarët, bënë që andej të largohen të mundur pushtuesit serbë dhe Kosova të hyjë e sigurtë në rrugën e lirisë dhe pavarësisë, që e meriton.
Tiranë, më 9 qershor 2015
Shënim:
Megjithëse nuk jam poet, figura e ndritur e Isa Boletinit më ka frymëzuar që, kohë më pare, t’i shkruaja pak radhë, në vjershën, që po e paraqes më poshtë…Ju falënderoj për mirëkuptimin!

DY KOBURET E ISË BOLETINIT…
Kur Isa para Lordit Grei qendronte
dhe misërin kokoshka e bëri,
anglezi shumë gjëra mendonte
e me “dredhinë” u ngazëllye i tëri:

“Këtu nuk lejohet, zotëri, me armë,
prandaj hiqe shpejt koburen nga brezi!”
Ndërsa, sakaq, Isa diku atë e vari,
por në kokë një mendim i erdhi.

Ai një kobure tjetër me vete kishte marrë.
“Ja, u çarmatose sot,o trimi Isë!”-
foli Lordi me qesëndi dhe në sy e vështroi,
se si do të vepronte bir’ i Shqipërisë.

Pa iu dridhur qerpiku Isës-burrë,
nga xhepi nxori koburen, të re flakë:
“Mua nuk më çarmatosë kush, kurrë!”,
tha ai, si t’i kish rënë Lordit shuplakë!

Filed Under: Histori Tagged With: gjenerali mbareshqiptar, Isa Boletini, Murat Gecaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT