Së shpejti del nga botimi vepra: “Gjeneza e familjes Mrijaj ndër shekuj” (Kujtime, New York, 2015) e publicistit Tomë Mrijaj/
Nga Leonora Laçi/
“Rrno për me tregue” – ka thënë i madhi At Zef Pllumi O.F.M., në kolanën e tij. Edhe publicisti, studiuesi e autori i disa veprave monografike, Tomë Mrijaj i përket studiuesve, që preferojnë të “rrnojnë për me tregue”.
Historia e popullit s’mund të gjendet vetëm nëpër arkiva, por ajo mund të mësohet edhe nga ata, që e kanë përjetuar, dhe janë dëshmitarë apo bashkëkohës të saj. Sot, rëndësia e kujtimeve po bëhet referencë në studime të ndryshme historike.
Unë kisha fatin në fillim të lexoj me endje dorëshkrimin: “Gjeneza e familjes Mrijaj ndër shekuj” (Kujtime), ku brenda tij janë të mpleksura dhimbjet dhe gëzimet, vuajtjet e një femre (Mrija) dhe sakrificat e saj, aftësitë e burrave të familjes për të marrë poste shtetërore e për t’i bërë ballë shtypjes osmane, sllave, etj.
Që në fillim, më duhet të pohoj, se libri është ndërtuar me argumente historike, përmes një mjeshtërie artistike dhe stili të këndshëm tërheqës, ç’ka e bën lexuesin të futet dhe përjetoi thellë ngjarjet e tij, për të mos u shkëputur deri në përfundim të plotë.
Kujtimet, nuk janë veç një rrefim apo monografi familjare, që i intereson vetëm familjes Mrijaj (për të cilën flitet), por ka shumë faktime historike, që i interesojnë historianëve dhe studiuesve. Këtu njeri pas tjetrit, përmenden figura të shquara të kombit dhe nacionalizmit shqiptarë, emra të mëdhenj, si: Kapidanët e Mirditës, Preng Bibë Doda, Marka Gjoni, Gjoni i Marka Gjonit, Ndue Gjon Marku; klerikët, laikët dhe politikanët e kohës, si: Pader Engjëll Palaj O.F.M., Pader Pashk Prelaj O.F.M., Pader Marjan Prelaj O.F.M., Pader Tomë Xhaja O.F.M., Dom Pjetër Berisha, Dr. Mons Zef Oroshi, Dom Anton Kçira, Prof. Ernest Koliqi, Kolë Bibë Mirakaj, Prof. Rexhep Krasniqi, Kolonel Xhemal Laçi, Prof. Zef Nekaj, Ismet Ukë Sadik Berisha, e të tjerë, që kanë kontribuar në çaste vendimtare të historisë, duke mbetur pjesë e pandashme e saj.
Ngjarjet përcillen njëra pas tjetrës në hapësirë dhe kohë të ndryshme, që përfshin thuajse një periudhë dyqind vjeçare. Levizjet apo migrimet e brendshme (nga fshati në fshat dhe nga qyteti në qytet), ndër dekada të familjes nga një vend në tjetrin, na paraqiten të sistemuara dhe mjaft të qarta.
Përshkrimi me detaje i Lugut të Drinit, vendlindjes së autorit mbart në vete emocionet e mergimtarit, ndjenjat e tij, dhimbjet e thella dhe gëzimet, që shprehen përmes rreshtave, ku heroi kryesor (autori) shpesh përjeton nostalgji për token, që la pas pa dëshirë, ku dihet se qënia larg atdheut i bën kurbetqarët, poet e romancier më të zot.
Rëndësia e veprës, qëndron tek aftësia e kujtesës së studiuesit të mirënjohur Mrijaj, që ka sistemuar copëzat e kujtimeve, duke na i paraqitur në një vepër voluminoze, por mjaft të thjeshtë në stilin e saj. Impresioni më i fortë për nga rendësia historike ishte veprimtaria e stërgjyshit të autorit Nikollë Mrijaj (1838-1907), ku jep detaje për ngjarje të ndryshme të kohës. Autori, shkruan: “Familja Mrijaj nga martesa e Nikollës, me të bijën e Gjok Markut, u lidhën edhe kumbaritë në mes dy familjeve Mrijaj dhe Zef Markut Gjolleshaj, që vijojnë edhe sot me kumbaritë e ndërsjellta.
Dy kumbarët, i lidh një miqësi e hershme, në luftra e beteja të njohura kundërosmane. Më konkretisht, po citoi pjesëmarrjen e tyre historike në “Lidhjen e Prizrenit” (1878), përkrah Kapidanit të Mirditës Preng Bibë Dodës. Këta dy personalitete të kohës ishin miq të pandashëm deri në vdekje.”
Ndërsa dy pasardhësit e tjerë të familjes, që kontribuan në postin e Kryetarit të Komunës së Zllakuqanit, ishin Pren Nikollë Mrijaj (1889-1923) dhe Nikollë Pren Mrijaj (1911-1999), babë e bir. Pren Nikollë Mrijaj i arsimuar në Austri, solli në vendlindje bagazhin e tij intelektual dhe iu përkushtua me vullnet dhe vetëmohim të plotë postit që drejtonte.
Tallazet e fillim shekullit XX, u përcollën me vëmendje dhe nga Kryetari i Komunës së Zllakuqanit, që përdori të gjithë njohurit e tij dhe diplomacinë të marrë në auditorët e shkollave prestigjioze të Perëndimit, për të zgjidhur hallet dhe problemet e popullatës.
Bashkëpunimi me klerin katolik ishte i ngushtë, siç ishte ai me aktivistin e palodhur atdhetar të Rilindjes Kombëtare në Kosovë, meshtarin Pader Engjëll Palaj O.F.M., që vepronte në Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan apo meshtarët e tjerë franceskanë, që shërbyen gjatë atyre vitëve në të njëjtën kishë, siç ishin vëllezërit shkodranë: Pader Pashk Prela O.F.M. dhe Pader Marjan Prela O.F.M.
Gjatë pushtimit sllav, në vitet 1918-1919 Lugu i Drinit dhe mbarë territoret Shqiptare të Lindjes (Kosova) pësuan plaçkitje dhe djegie të shtëpive, duke i detyruar të shpërnguleshin banorët e këtyre krahinave. Prenë Nikollë Mrijaj si Kryetari i Komunës, kryesoj delegacionin lugdrinas, për të informuar direkt diplomatet e huaj për situatën. Këta përfaqësues të krahinës, zhvilluan bisedime informuese me Konsullatat në Shkodër, të cilat ishin kthyer në qendra të shërbimeve konsullore. Ata i shpjeguan situatën e rëndë, që po përjetonte Lugu i Drinit, ato ditë të dhimbshme nga largimi biblik i popullatës nga shtëpitë dhe pronat e të parëve të tyre.
Hartimi me shkrim i një informacioni të hollësishëm nga qarqet e larta kishtare, mbi gjendjen aktuale dhe bisedat e drejtpërdrejtë të bëra nga vetë kryesuesi i delegacionit lugdrinas kryetari Mrijaj, ndikoi në ndërprerjen e këtij terrori të pashembullt – shkruan publicisti Tomë Mrijaj. Kjo ishte një fitore dhe sukses i madh, falë meritës së klerit katolik vendas dhe delegacionit lugdrinas, që veproi urgjentisht për zgjidhjen e çështjes së mprehtë shqiptare. Prenë Nikollë Mrijaj, ka mbajtur gjithnjë lidhje të ngushta miqësie dhe bashkëpunimi me Kapidanin e Mirditës Marka Gjonin dhe Zef Ndocin. Këto lidhje shumëshekullore miqësie dhe bashkëpunimi, për çështjen kombëtare, Preni i Ri, i vijoi pandërprerje, duke i qëndruar besnik rrugës shembullore të të atit… Ai fatkeqsisht u nda nga jeta në moshë të re 33-vjeçare. Rrugën e tij do e vazhdoj i biri, që për koiçidencë dhe ky do e vazhdoj atë, që i ati e la përgjysëm, detyrën e lartë të Kryetarit të Komunës së Zllakuqanit.
Kështu në moshën 20-vjeçare, pas tetë vitesh të kalimit në amëshim të babait të tij Prenit, detyrën zyrtare e vazhdon i biri Nikollë Mrijaj, duke qenë një ndër më të rinjtë, në drejtim të Komunës së Zllakuqanit. I ati e kishte përgatitur të birin për këtë detyrë, duke i mësuar sekretet e punës me popullin, se si duhet të sillej, komunikonte dhe të respektonte përherë votën e sovranit, shqetësimet, brengat dhe gëzimet e bashkëfshatarave të tij. Tashmë jeta e kishte pjekur para kohe, duke e burrëruar dhe fisnikëruar në shpirt, gjithnjë këtë njeri zemërbujar- shkruhet në veprën e studiuesit Tomë Mrijaj.
Një figurë e rëndsishme e kohës ishte Nikollë Mrijaj, i cili, jetoj gjatë viteve 1911-1999. Këto vite ishin shumë të vështira, nën një pushtim të egër sllav. Ai arriti që falë aftësive të tij të jetë një flamurtar dhe krah për shqiptarët, duke mos pranuar të bëhet asnjëherë vegël e të huajve. Në momentet vendimtare, Nikolla vatrën e tij familjare e kthei në streh atdhedashurie, për luftëtarët nacioanlistë të lirisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Falë zgjuarsisë, urtësisë, aftësive intelektuale dhe zotësisë, për t’i zgjidhur me durim dhe kujdes hallet dhe shqetësimet e banorëve, ku, ai punoi me përkushtim, autori kujton se – gjatë jetës së tij, punoi si nëpunës në disa komuna, si: Zllakuqan, Gurrakoc, Istog (Burimi) dhe Klinë. Pushtuesin sllavë e pau gjithmonë me urrejtje dhe nuk pranoi nënshtrimin. Gjatë gjithë kohës do të binte në sy revoltimi i tij e i banorëve të Lugut të Drinit, ku më vonë arriti kulmin e kundërshtimit deri në takimin me Kryeministrin Dr. Vllatko Maçek.
Në veprën e citur, shkruhet: “Sipas një shkrimi të gazetës “Politika” e Beogradit, të vitit 1939, shënohet, se një delegacion shqiptar nga Lugu i Drinit, të kryesuar nga Patër Tomë Xhaja, sëbashku, me babain tim Nikollë Mrijaj, Adem Dushin (i cili, ishte deputet në Parlamentin e ish Jugosllavisë), Llesh Gjon Lleshi, Ukë Sahiti, Ukë Paloka, Mark Duhani, Mark Përgjoka dhe Mark Laska, u takuan në Beograd me Kryeministrin Dr. Vllatko Maçek. Ky delegacion, kishte ngritur zërin e protestës, kundër kolonizimit serb e malazias në këto treva dhe për reformën e përfolur agrare”.
Në kujtimet interesante të autorit për të atin, është një takim mjaft i rëndësishëm në Tiranë me Ministrin e Arsimit shkrimtarin e shquar Prof. Ernest Koliqin, citoj: “Nga fundi i vitit 1940, një delegacion nga Lugu i Drinit, i kryesuar nga Nikollë Mrijaj, me mikun e tij të pandashëm në idealet kombëtare (aktivisti dhe patrioti i palodhur, ish kryetar i Komunës së Zllakuqanit) Adem Dushi, me disa bashkëvendas të tjerë, si: Llesh Gjon Lleshi, Mark Duhani, Zef Cub Përnoka, Mark Përgjoka, etj., u gjenden në Tiranë, në zyrën e Ministrit të Arsimit shkrimtarit Prof. Ernest Koliqit, ku, kërkuan gjatë bashkëbisedimit, që t’u dërgojnë sa më shpejt, që të jetë e mundur në Kosovë arsimtarë, për të mësuar shkrim e këndim, mbasi politika sllavizuese e Beogradit, për ç’kombëtarizimin e vendasve autokton ishte shumë e madhe. Pas këtij takimi shumë të rëndësishëm, menjëherë Prof. Ernest Koliqi, në cilësinë e Ministrit të Kulturës dhe Arsimit, dërgoi Akademik Prof. Rexhep Krasniqin, Mati Logoreci, Prof. Ahmet Gashi, sëbashku me shumë profesorë dhe arsimtarë të tjerë nga qyteti i Shkodrës dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë, që iu përgjigjen njëzëri thirrjes kombëtare të Ministrit”.
Në kujtimet e familjes Mrijaj, ruhet i freskët dhe ardhja e trimëreshës shkodrane Marie Shllaku, që u strehua në shtëpin e Nikollë Mrijaj. Në kujtimet histoike, ndër të tjera lexojmë: “Duke qenë se, babai punonte në administratë të pushtetit lokal, askush nuk mund të dyshonte, se në shtëpinë e tij, ai mbante heroinën Marie Shllaku, një antikomuniste të përbetuar, të regjimit kolonial sllavokomunist serb dhe atë shqiptarë të vendlindjes. Një ditë kujtonte gjyshja ime, miku i shtëpisë Lekë Marleku, një burrë besnik e solli Marien nga malet e Dollcit (Lugu i Drinit), të veshur me teshat e nuses në shtëpinë tone”.
Shprehja: “Dardha bie nën dardh”, vlen shumë në këtë rast, sepse nga kjo familje atdhetare, që punoi me përkushtim për çështjen kombëtare, do lindte dhe autori i veprës aktivisti i komunitetit të madh shqiptaro-amerikanë për shumë dekada studiuesi Tomë Mrijaj, që është i biri i Nikollë Mrijajt, i cili, me perkushtim shembullor po e vazhdon rrugën e paraardhësve të tij.
Tomë Mrijaj, është autori i veprës së lartëpërmendur e i shumë monografive (jetëshkrimeve) të tjera kushtuar personaliteteve të ndryshme, që kontribuon në çështjen e Kosovës në Amerikën e largët, duke vazhduar nën frymën paqsore rugoviane.
Mrijaj me familje në New York, nuk i harroi asnjëherë rrënjet e tij të prejardhjes. Ai kishte fatin e lumtur të kishte këshilluesit më të mirë, që iu bënë dhe miqët më të shtrenjtë. Të tillë ishin: Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku, Dr. Mons Zef Oroshi, Kolonel Xhemal Laçi, Dom Anton Kçira, Akademik Rexhep Krasniqi e të tjerë figura të rendësishme të nacionalizmit shqiptar.
Publicisti dhe studiuesi Tomë Mrijaj, ka botuar disa vepra me shumë vlera historike, dhe si aktivist i palodhur ka marrë pjesë në simpoziume shkencore, duke shkruar me dhjetra shkrime publiçistike, të botuara në shumë organe të shtypit të ditës dhe në librat me karakter shkencorë historik.
Veprat e studiuesit shqiptaro-amerikanë Mrijaj janë:
1 “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”, monografi, botuar në Shkodër, 2002.
2. “Lidhja e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha”, monografi, Nju Jork , 2002.
3. “Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës”, monografi, botuar në Nju Jork , 2004.
4. “Ngjarje dhe portrete historike”, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare, botuar në Prishtinë, 2004.
5. “Mons. Dr. Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e atdhe”, jetëshkrim, Nju Jork , 2009.
6. “Gjeneza e familjes Mrijaj ndër shekuj” (Kujtime), 2015
Ai ka në dorëshkrim disa vepra të tjera, që shumë shpejtë do të shohin dritën e botimit.
Dhe sëfundi, në mbarim të temës, shtoj shkurtimisht se kush është intelektuali Tomë Mrijaj, atdhetari tashmë i sprovuar si aktivist i palodhur për çështjen kombëtare, i cili është gjithnjë i ngarkuar me detyra të rëndsishme në dobi të komunitetit dhe çështjes mbarëshqiptare.
Kështu në vitin 1978, zgjidhet anëtar i Kryesisë së Federatës Panshqiptare “VATRA” në Boston, për 12 vite me radhë. Dy vjet më vonë më 1980, zgjidhet kryetar i degës së Queens Nju Jork. Në vitin 1982, në Kongresin III, të “Lidhjes së Prizrenit” (1962), u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm në mërgim, detyrë që vijon ta mbajë edhe sot. Po ashtu, në vitin 1997-1998, zgjidhet Kryetar i Shoqatës Kulturore “Rozafat”, pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në NY dhe anëtar i Këshillit të Kishës. Ndërsa në vitin 2002, ai zgjidhet n/Kryetar i Shoqatës të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, dega Nju Jork. Që nga krijimi i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikanë, është anëtar i saj.
Mrijaj, ka qenë një përkrahës i denjë i nacionalizmit, dhe inisiator i idesë së mirëpritur, që të shkruhet historia e figurave të përbaltura nga komunizmi. Ai gjithnjë pa u lodhur, ka qënë promotor i realizimit me sukses të shumë simpoziumeve shkencore, që po realizon pa ndërprerje Shoqata Mbarëkombëtare “Trojet e Arbrit”, ku rreth saj mblidhen intelektual nga mbarë trojet etnike.
Zoti Mrijaj, është një mbështetës i përhershëm i Shoqatës, duke kontribuar në të gjitha format. Shoqata në fjalë, ka arritur të botoj kumtesat e simpoziumeve të përvitshme në 12 vëllime.
Unë, pata fatin e mirë ta njoh personalisht intelektualin Tomë Mrijajn, siç pata nderin të njoh shumë miq të tij, si: të ndjerin Prof. Dr Mentor Qukun, pjesëtarët të Derës së Kapidanit të Mirditës Gjonmarku, studiuesin dhe miken e mirë Fatbardha Mulleti Saraçin, personalitetin e diasporës shqiptare ne SHBA klerikun dhe atdhetarin e shquar Dom Anton Kçirën, Eugjen Merliken, Gjovalin Çuni, Willy Kamsi, Prof. Dr. Muhamet Shatrin, Mr.sc. Nue Oroshin, Prof. Dr. Riza Sadikun, etj.
Njohja me zotin Mrijaj ishte në rrethana të çuditshme. Kështu para disa viteve, kur po punoja për hartimin e temës së diplomës universitare, për figurën e nacionalistit Kolonel Xhemal Laçi (që ështe xhaxhai i babait tim, ku studiuesi Tomë Mrijaj kishte shkruar Parathënien në veprën e Mustafa Kruja Merlika: “Kuvend Letrash me Miqtë – Kruja – Gjomarku – Nekaj”), përmes shkrimit mësova se autori Mrijaj ishte mik shumë i mirë e i besueshëm i Kolonel Laçit në SHBA.
Qysh në atë kohë, mora kontakt me publiçistin Mrijaj, për të marrë me tepër informacion sesi e kishte njohur Kolonel Xhemal Laçin, për të cilin ai mu përgjigj pa përtes dhe më ndihmoi me material dhe kështu mbetëm miq mes njëri- tjetrit.
Tek figura e aktivistit të palodhur të çështjes kombëtare Tomë Mrijaj gjeta personalitetin, intelektualin e shkrimtarin, me një diapazon të gjërë, që njeh shumë mirë kulturën Perëndimore dhe ruan ende me fanatizëm traditat e vendlindjes…