• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ KASTRIOT SKENDERBEU, I PËRGJITHMONËSHMI I FISIT SHQIPTAR

January 14, 2018 by dgreca

  1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Kështu e pat cilësuar Fatosin e Kombit Shqiptar, Papa Pali i VI me rastin e ceremonive që janë zhvilluar në Romë në vitin 1968, në kujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Kremtimet me këtë rast zgjatën plot katër ditë në Romë dhe në Vatikan, ku udhëheqsi i atëherëshëm i Kishës Katolike Papa Pali i VI priti pasardhësit e Skenderbeut në qytetin e përjetshëm, shqiptarë mërgimtarë nga Evropa, Amerika dhe më gjërë.  Papa VI

Ne Foto Papa Pali I VI/Ndërkohë që viti 2018 është shpallur nga qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës, por edhe nga Kisha Katolike në trevat shqiptare dhe në diasporë si viti i Gjergj Kastriotit Skendërbe, kanë filluar tashmë përgatitjet për të shënuar 17 Janarin si ditën kur ndërroi jetë Heroi i kombit Shqiptar, ndërsa janë në plan të zhvillohen programe të ndryshme kulturore, akademiko-shkencore dhe ceremoni të ndryshme, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë, gjatë gjithë këtij viti.  Këtu në Shtetet e Bashkuara kanë filluar përgatitjet dhe janë njoftuar disa kremtime fillestare për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi historike, ku shqiptarët pa dallim feje a krahine, ashtu siç janë bashkuar gjithëherë për raste të tilla, do të bashkohen edhe kësaj radhe për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes, këtë javë dhe gjatë gjithë këtij viti.

Ishte pikërisht, 50-vjetë më parë që diaspora shqiptare qe bashkuar në Romë dhe në Vatikan për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Kryetrimit të Kombit shqiptar dhe të verpimtarisë së tij epike. Me ndihmën e Vatikanit dhe Papa Palit të VI, të Arbëreshëve dhe të diasporës shqiptare të njohur në Romë në atë kohë, përfshirë Profesor Ernest Koliqin dhe të tjerë, shqiptarët mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, me arbëreshët e Italisë — të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan ( me përjashtim të përfaqësimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës)  – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e tyre duke nderuar Fatosin e tyre të Madh.    500-vjetori i Vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe ishte gjithashtu një rast që vuri në dukje respektin e Vatikanit për Heroin e Shqipztarëve dhe për kombin shqiptar në përgjithësi.

Papa Pali i VI, i cili luajti në rol të rëndësishëm në ceremoninë e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, është njëri prej papëve që nuk njihet aq mirë ndër shqiptarët, pasi jetoi dhe veproi gjatë luftës së ftohtë kur feja ishte e ndaluar me ligj në Shqipëri ndërkohë ishte edhe kulmi i vrasjeve, përndjekjeve dhe i persekutimeve të klerit katolik në Shqipëri, në një kohë kur Shqipëria komuniste ishte shpallur, “shteti i parë ateist në botë”dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës e quante Vatikanin si “qëndrën e obskurantizmit botëror”.   Megjithkëtë, besimi i Papa Palit VI në vlerat, në traditat dhe vetitë cilësuese të shqiptarëve, si dhe respekti i tij ndaj historisë së shqiptarëve dhe vuajtjeve të tyre në përgjithësi, e sidomos respekti i tij ndaj Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit – Skendërbe, u tregua me pritjen entuziaste që ai u bëri shqiptarëve në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit kombëtar të shqiptarëve.Shqiptarët kishin shkuar në Romë për të festuar 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit nga të gjitha anët e botës, përveç Shqipërisë komuniste.  Kishin vajtur atje arbëreshët e Italisë, shqiptarë nga Kosova, mërgimtarë nga Evropa dhe Australia dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Organizata Pan-shqiptare Vatra ishte e pranishme në krye të një delegacioni shqiptaro-amerikanësh, që i printe i ndjeri Anthony Athanas.  Ishin këto festime e kujtime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan më 1968, ku mërgimtarët e ri të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20 u bashkuan me arbëreshët që ishin detyruar të largoheshin nga trojet e tyre nga otomanët, pesë shekuj më parë. U bashkuan në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth heroit të tyre kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikurë dhe si duhet të jetë edhe sot – të bashkuar ashtu siç i do Gjergj Kastrioti Skenderbe.  Revista Shëjzat e botuesit Ernest Koliqi, në një përshkrim të gjatë të festimeve, shkruante se emëri i Shqipërisë dhe i Fatosit të saj Gjergj Kastrioti -Skënderbeu gjatë festimeve të 500-vjetorit, bëri jehonë anë e mbanë botës, si asnjë herë më parë, falë kryesisht edhe fjalimit që mbajti me atë rast para shqiptarëve të mbledhur në Vatikan, Papa Pali i VI dhe i cili u transmetua anë e mbanë botës.  Në fjalimin e shpërndarë nga media ndërkombëtare e kohës, Papa Pali i VI iu drejtua shqiptarëve të pranishëm dhe “gjakut të shprishur”, të përhapur anë e mbanë botës, me këto fjalë:

 “Bijë fort të dashur Shqiptarë,

Po ju sjellim një mirëseardhje të veçantë në këtë ditë që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skanderbeg, fatosit tuaj të emërit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, të cilën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj atnore.

Ne ju shohim me kënaqsi, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonëshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë (fjalë këto që Papa Pali i VI i tha në gjuhën shqipe).

Fatosi Skandërbeg ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive: ai ua ka lënë si trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë s’i dolën fjale.  Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në roje trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim.

                          Dhe nëqoftse se historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka premtuar që ju, me të gjitha të mirat e gjakut tuaj të shprishur, (edhe këto fjalë Papa Pali i VI i tha në shqip) me veprimtarinë e gjallë që e kini në shpirt dhe me njohuri të fituara, u bëtë urë miqësishë e bashkpunimesh, dhe në këtë mënyrë jeni bërë para-ardhësit e ekumenizmit modern.

Urimi ynë në këtë rast pra për ju, për të gjithë Shqiptarët, të jetë që vuajtja të shoqërohet gjithmonë nga shpirti i juaj kreshnik që kini trashëguar nga të Parët tuaj.  Uroj që kjo trashëgimi të japë mundësi dhe meritim, që të jeni element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme.

Këso dore do të rindërtohet testamenti i Skandërbegut dhe Atdheu i juaj do të shkëlqejë me meritime të reja, Atdheu i juaj, të cilin na e kemi aq fort për zemër dhe që e bekojmë me dashuri atënore.”

Shqiptarët e shpërndarë në të gjitha anët e botës së lirë kishin shkuar në Romë për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbe — i cili në 500-vjetorin e vdekjes i mblodhi ata ashtu siç i pat bashkuar princat shqiptarë më 1444, kundër armikut të përbashkët.  Ata kishin vajtur aty gjithashtu për tu takuar me Papën, për të dëgjuar fjalët e tija përshëndetse dhe tepër miqësore ndaj kombit shqiptar, për të marrë bekimin e tij dhe që shqiptarët pa dallim feje a krahine — për të treguar njëkohësisht ndjenjat dhe respektin e popullit shqiptar ndaj Selisë Apostolike, megjith propagandën komuniste anti-Vatikanit që në atë kohë kishte arritur kulmin.

Fjalimi i Papa Palit të VI para grupit të shqiptarëve të mbledhur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbe në Romë, ku ai i deklaroi botës, cilësitë dhe vetitë dalluese të kombit shqiptar, besën, nderin e burrërinë, fjalë këto që ai i tha në gjuhën shqipe – janë dëshmi e historisë së ndjenjave të respektit dhe miqësisë midis Vatikanit dhe kombit shqiptar, ç’prej kohës së Skënderbeut.

Deklaratat e Papa Palit VI me rastin e 500-vjeotirt të vdekjes së Skënderbeut 50-vjetë më parë dhe të papëve të tjerë gjatë historisë, mund të jenë bërë në periudha të ndryshme historike, por në thelb, përmbëjnë vazhdimësinë e marrëdhënieve miqësore si dhe kujdesin, dashurinë dhe respektin e Vatikanit për kombin shqiptar dhe për mirëqenjen e tij në hapësirat e veta gjeografiko-historike, por reflektojnë gjithashtu edhe respektin që kombi shqiptar ka pasur dhe vazhdon të ketë për Papët e Romës, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Gjergj Kastriot Skënderbeu/, I FISIT SHQIPTAR, I PËRGJITHMONËSHMI

DITELINDJA E HEROIT KOMBETAR

January 15, 2015 by dgreca

Në pritje të 610 vjetorit të lindjes së Heroit Kombtar Gjergj Kastriot Skënderbeut (1405- 2015)/
“Fama e dhëndërrit (Skënderbeut) zbehu madhështinë e vjehrri(Gjergj Arianiti”/
Nga Vilhelme Vranari/
Gjatë këtij viti mbushen 610 vjet nga dita e lindjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilin e kujtojmë me veneracion, pasi i siguroi vendit lirinë për një çerek shekulli dhe ndaloi dyndjen e islamizmit në Evropën kristiane. Ndaj, kur flitet për këtë hero në mjediset e Evropës Perëndimore, edhe ata krenohen me të duke e quajtur heroin e tyre. Ndoshta duke nisur që nga vitet 30 të shekullit XV , me fitoret e njëpasnjëshme të Gjergj Arianitit, dhe deri në vdekjen e Skënderbeut, ka qenë një nga periudhat më të ndritura historike të Shqipërisë për të cilën ia vlen të mburremi para botës.
Gjergj Kastrioti i biri i princ Gjonit Kastriotit, zot i Krujës dhe Matit, lindi më 1405. Ishte koha kur Perandoria Osmane zgjeroi pushtimet e veta në Ballkan dhe Europë, duke i këthyer në vasalë gjithë princërit që i nënshtroheshin. Gjergji, pinjoll i një familjeje të madhe feudale, ishte djali i vogël mes 4 djemëve të Gjon Kastriotit. Për fat të keq, nuk ka të dhëna të sakta pët fëmijërinë dhe rininë e tij. Historia e tij është bazuar te Marin Barleti. Po me kohë figura e tij është plotësuar nga biblioteka e Stambollit dhe më pas nga historiografia botërore, sidomos nga arkivat e Vatikanit. Gjithmonë sipas Barletit, i ati duke qënë vasal i Portës së Lartë, sulltani ia mori peng djemtë. Fillimisht nën kujdesin e Sulltan Mehmetit të – I-rë dhe më pas Muratit të- II-të, Gjergji hyri dhe u edukua në radhët e “Iç-Ogllanëve”, i cili qysh në moshë të re u shqua për aftësi të rralla luftarake në beteja të ndryshme. Duke përvetësuar mësimet e Islamit ai u quajt “Skënderbej”, emër të cilin e mbajti gjithë jetën dhe me të u bë i njohur në botë. Por i edukuar nga vëllezërit më të mëdhenj me dashurinë për vendlindjen, ai mësoi gjuhën shqipe dhe nuk e harroi kurrë atdheun e tij. Gjeti kohën dhe shfrytëzoi betejën me Janosh Huniadin e Hungarisë, ku duke ia lënë fitoren atij, Skënderbeu me 300 luftëtarë shqiptar, pa përjashtim pengje të Turqisë, u kthye në Shqipëri. Pas fitoreve të para të viteve 1443-44, me thirrjen e Kuvendit të Lezhës më 2/3/1444, i mbështetur nga Gjergj Arianiti dhe princërit e tjerë, u krijua ushtria me në krye Skënderbeun. U aprovua një platformë lufte e cila pati sukses. Skënderbeu u dallua si strateg i zoti . Kjo gjë bëri që me një ushtri të vogël duke përdorur taktikën e befasinë në mësymje, ndaj një ushtrie të madhe në numër dhe të armatosur rëndë, i siguroi
vendit fitoren për 25 vjet radhë. Një influencë të madhe në këtë drejtim pati martesa e tij me të bijën e Gjergj Arianitit, Donikën, e cila u shqua për maturi dhe si një këshilltare e zonja. Aftësitë dhe taktika luftarake që përdori bëri që kështjellat shqiptare njëra pas tjetrës të bien në duart e uahtrisë së Skënderbeut. Fama e tij i kaloi kufijtë e atdheut. Pati përkrahjen e Papës së Romës, Napolit, Raguzës. Megjithë intrigat e Republikës së Venedikut dhe Serbisë, ai përsëri korri fitore. Kjo e bëri që ai ta kthejë atë në “Mit” dhe bëmat e tij në “Legjenda”. Skënderbeu ka vlera të mëdha kombëtare. Është heroi që i siguroi vendit lirinë për çerek shekulli dhe shpëtoi krishtërimin europian nga asimilimi islamik, duke i treguar botës se ishte krenar për gjakun e tij shqiptar. Pikërisht për këtë duke filluar që nga kronikani turk, Evlia Çelebiu, kronikani shqiptar Marin Barleti, Rilindasi Naim Frashëri, Fan Noli, që janë pasuar nga autorë apo studiues të mirfilltë francezë, italianë, gjermanë, austriak dhe sa e sa të tjerë, këtij miti, këtij heroi me përmasa kontinentale, iu kushtuan shumë vepra( rreth 1500 vepra i kushtohen trimërisë së Gjergj Kastriotit), si në poezi dhe në prozë duke e kthyer atë në një nga figurat më të ndritura të Europës për kohën. Bustet e tij i gjen në Shqipëri, në Kosovë, në Romë, Kalabri etje. Armët e Skënderbeut i gjejmë aty ku mbahen reliket më të vyera të Europës, në muzeun historik, në Belvedere të Vienës. Në Romë pallati ku ka pasur rezidencën Skënderbeu gjatë kohës që ishte në Itali, është shndërruar në muze. Aq jehonë patën fitoret e tij sa vetëm pas 11 vjetësh turqit ripushtuan të fundit kështjellën e Shkodrës(më 1479). Studiuesit janë shprehur: “ Fama e dhëndërrit , zbehu madhështinë e vjehrrit. Skënderbeu vdiq në moshën 63 vjeçare më 17 janar 1468, në Lezhë, në kohën kur kishte thirrur kuvendin e dytë të
shqiptarëve , që kishte si qëllim çlirimin e plotë të trojeve shqiptare.
Ku konsistojnë vlerat e tij?
*Pas mbretërisë së Arbërit, Skënderbeu njihet si burri i vendosur që krijoi shtetin e parë dhe bashkoi shqiptarët e përçarë.
*Gjatë sundimit të tij u shuan mosmarrëvesjet dhe përçarjet e principatave shqiptare nga jugu në veri.
*Për herë të parë Shqipëria mbrohet si një komb( sepse e njohur ishte bërë me luftrat romake më pas me Rugjina Balshën, me Kryengritjet e famshme të Gjergj Arianiatit, që për famën e tyre, e quajtën “Madhështori”
*Fitoret e Skënderbeut treguan se Shqipëria ka pasur zot dhe përherë ka mbrojtur të drejtat e saj kombëtare për liri.
*Një vlerë kontinentale është quajtur suksesi i luftës së Gjegj Kastriotit, pasi ndaloi islamizmin e Evropës kristiane. Duke kujtuar me nderim këta burra të shquar, si Skënderbeun dhe I. Qemalin dhe gra të shquara si Rugjina Balsha, Donika Kastrioti, Nënë Tereza etje…, politika e sotme shqiptare, e majtë apo e djathtë, duhet të ketë parasysh, se bashkimi kombëtar bëhet kur i lë pas mëritë, mllefet dhe hakmarrjet. Kur sajohen pretekste të kota, që pengojnë zhvillimin dhe integrimin e tij në familjen e madhe europiane, është e kotë që përmënden këto figura të ndritura të kombit, pasi u hidhet baltë dhe nëpërklmben vlerat e tyre kombëtare të pallogaritura. Grindjet dhe pengesat për të ecur përpara kombi ynë i vuajtur, janë turp dhe fyerje për këta njerëz të shquar që përdorën mençurinë, forcën e gykimit , madje edhe jetën për Shqipërinë, kundër të huajve. Përderisa ky komb u mbijetoi kohërave, tregon se ne kemi forca për të qenë pjesë e pandashme e familjes europiane me të drejta të barabarta, gjë që varet nga vullneti i politikës shqiptare, synimet dhe bashkëveprimet ndërpartiake, të cilat janë me bollëk në Shqipëri.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjergj Kastriot Skënderbeu/, Vilhelme Vranari

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT