• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË SHTËPINË E KAFSHËVE

January 6, 2014 by dgreca

( Mështjerrë zeza me të zeza/ me një mëzat rri në shtrat/

Herë pi bozë herë limonadë/ e ditët ikin krejt pa datë!…)
fragmente nga libri i Nebih Bunjakut, „Një samit për simit“/

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund, Gjermani/

Letërsisë së humorit dhe të satirës në Kosovë, iu shtua edhe një libër me vlera të mirëfillta artistike, “Një samit për simit”, shkruar nga poeti, Nebih Bunjaku. Ky libër i munguar i humorit, satirës, dhe sarkazmës është një dhuratë e shkëlqyer për adhuruesit e saj. Mirëpo, për ata që qeshin pak e rrjedhshëm, libri “Një samit për simit” është një mik shumë i nderuar. Personazhet  në  këtë  libër ,  nuk janë njërëz, por figura, ndjenja që duken, dhimbje që  fshihen. Në  këtë  libër poetik, kinema e „kafshëve të papërgjegjshme“, janë gënjeshtrat, mashtrimet, dhe anarkia e përvetësimeve të gjërave. Gjuha e figurshme në „Samit“ është e pasur, e qartë, e saktë dhe fshikulluese. Liria nën dehjen e „kafshëve“ kurrë s´ është  e  mirëfilltë, sepse, degjëneron  shumë  nga të qënit e dëshiruar. Shoqëritë me disa pushtete, jo rrall formatojnë anarki nga më shpërbërëset. Populli di të mësojë si të  jetë i përgjegjshëm, por, nuk di si të mësohet injoranti, thashethemxhiu, zgarraveqi. Prandaj, shkruan autori, nuk është vështirë të bëhesh gomar, as ndihmës i fallexhiut në një pazar hamallësh, se gjuha e gomarit është gomerishtja. Sa herë dëgjoj gjuhën derrërrisht, edhe  derrat  edhe  gomerët, ankohen, se  s´u  bënë  synet, se stina u iku krejt në internet, etj, e tjerë.

Libri, „Një samit për një simit“, është një vepër e ardh artistikisht. Për kafshët e pyllit, është normale shkruan Nebih Bunjaku, të jenë  kafshërore, ku shumë  prej  tyre  në  këtë botë llapin me pangopësinë më të madhe, kafshatën e tjetrit. Mbushet sheshi deputetë/ në kryesi zgjedhen vetë/ lakmon derri dhe ariu/ lakmon macja edhe miu!.. Këto dhe vargje të tjera dëshmojnë për një libër të mirëfilltë dhe me spec të kohës .

Poezia e Nebi Bunjakut, në librin „Një samit për simit“, fshikullon guximshëm instinktin banal dhe anarkinë. Janë plot gabimet dhe replikat kundërthënëse që flasin gomerët. Kafshët e poemës në librin “Një samit për simit”  bëjnë  luftën  e  barkut  dhe  mishërave të  ndezur. Në  këtë  poemë  me  kafshë  e zhgabonja  të  pranishëm në  koalicion janë: derri, ariu, ujku, macja, dhelpra, gomari dhe minoritetet e tjera të kandrrave. Mirëpo, hiç më pak të angazhuar nuk mbesin as parlamenti dhe as deputetët  e  pyllit, moderatorët e mashtrimit, arixheshat me defa dhe qeniet e ftohta si gjarpëri dhe miu i gjirizeve.

Libri “Një samit për simit” është një libër artistikisht dhe estetikisht i realizuar bukur. Sepse në këtë libër fshikullues për veset e shoqerisë sonë, jo rrallë, gomari reciton gomarin, qeni lexon qenin, ndërsa ariu përqesh ariun… Frymëzimi i pulsit poetik: hëna, dielli, deti, mbrëmja, gratë janë figura anësore që rrezatojnë fuqishëm brënda poemës. Në këtë botë me plot trazira janë shumëzuar , zgërlaqët, keqbërësit e padukshëm, intrigantët , të fajshmit e pushtetit. Nuk kam prova se gomari ka hequr dorë mga gomarllëku, thotë autori, sepse gomarët në kohën tonë janë shtuar shumë. Andaj, „kujdes i dashuri gomar“! I tërë ky ahur është shtëpia e kafshëve, shtëpia ku zhgrryhet i dehuri.

Në librin “Një samit për simit” ka shumë për të lexuar për veset e shoqërisë sonë. Me të rrëxuar e me të shtrirë nuk bëhemi të qytetëruar. Me këmbët poshtë e lart, dhe më të poshtëruar të çasteve, nuk jetohet mirë. Baltërat e bodrumeve mbysin edhe cilësinë e kafshëve. Këto dhe peizazhe të tjera të poemës janë mesazhe që autori ia parashtron realitetit tonë. Do bëjmë teatër, ama teatër!.. që edhe ëndrrat të zihen me ëndrrën. Mbrëmë kam fjetur mirë, se në ëndërr  gjeta para dhe një femër të bukur.

Të qeshurat në „Samit“ jo rrallë  pikojnë dhimbje. Në fragmentin ; /Buçet himni nis kuvendi/ s´ka rëndësi cili është rendi/ kryesore të zihet vendi/ jo vendimet që nxjerr samiti/ po fitimet që lakmon fyti…Janë shpërthime cilësore të poetit, për ata që korruptojnë të vetët dhe popullin e tyre. Nëse kjo vepër lexohet ashtu si duhet, libri, “Një samit për simit” është vepra më e realizuar  artistikisht e kësaj gjinie në letërsinë tonë të bukur. Libri „Një samit për simit“, ka  një  gjetje  të  shkëlqyer  poetike, ku brenda personazheve, derri, miu dhe gomari, bëjnë  teatrin  e  të  pandehurve. Në libër, shihen qytete të  tëra të mbushura me  arixhesha, dhe me  gjithëfarë  thashethemxhinjë, të kafeneve të kafshëve të pyllit.

Etja  për  pushtet  nuk  ka  të  shuar, nga kafshët e poemës; / një gërdallë sikur në përrallë / për një pelë djeg një mëhallë…/ këto dhe vargje të tjera tregojnë satirën e mprehtë të shkrimtarit, Nebih Bunjaku, Nebih Bunjaku është nga Poliçka e Dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë, të mesmen në Gjilan, kurse studimet në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike. Fillimisht punoi në shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, Komuna e Mrdvegjës, pastaj në gjimnazin e Dardanës, në shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore të Banullës – Gllogofcit, në gjimnazin e Lypjanit, në shkollën teknike të Kastriotit. Ndërsa, prej vitit 1993 punoi në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Një mandat ishte drejtor i këtij gjimnazi. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i “Pegasit” të Gjirokastrës për Prishtinë, si dhe Sekretar i përgjithshëm i Unionit të Shkrimtarëve dhe të Kritikëve Shqiptarë të Kosovës. Nebih Bunjaku është autor i 6 librave me poezi; 1.Dalje nga balada (1994) 2. Gramatikë zemre (2004) 3. Terapia e dashurisë (2005) 4. Një samit për një simit (2007) 5. Prushimë buzësh (2008) 6. Zemra nuk ka dimër (2009). Sukses autorit dhe shëndet!.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjermani, Ne shtepine e Kafsheve, Nebi Bunjaku, Rrustem Geci

NE FESTOJMË BUKUR…

December 26, 2013 by dgreca

Shkruan: Neki Lulaj/Gjermani/

Gjithnjë e më shumë  ne prinderit dhe aktivistët po përpiqemi që gjeneratave të reja që po rritën e shkollohën jashtë trungut të Atdheut t’ua misherojmë në shpirt  festat kombëtare e shtetërore  pasi që janë festa  gjithëkombëtare ku i bashkon të gjithë shqiptarët.Kështu ishte në shumë qytete të Gjermanisë, në  Mannheim, në Pforzheim  por edhe në Bolzano të Italisë ku festa e flamurit u shënua me shumë aktivitete kulturo-artistike,programe muzikore, skeqe, recitime, programe folklorike dhe ndarje mirënjohje e shpërblimesh si dhe surpriza tjera  të fundvitit.

Shoqata Kulturore Shqiptare “Arbëria”ne Pforzheim  të Gjermanisë  për qytetarët shqiptar që jetojnë ne qytetet për rreth saj organizoi kremtimin e ditës së Flamurit Kombëtar  dhe përvjetorin e 101 të Pavarësisë së Shtetit tonë amë

Në një sallë te mbushur me qytetar shqiptar të moshave të ndryeshme  në kohën e paraparë nën tingujt  e Himnit të flamurit filloi manifestimi kulturor dhe me pasë para  bashkëkombasve  në foltore doli zt. Gjevdet Nikqi,aktivist i cili  në emër të këshillit organizativ përshëndeti të pranishmit nga Stuttgarti Hafiz Gagicën në mungesë dhe zt.Can Tahiri antarë i këshillit organizativ ne mungesë  Nezir Fejzen ish aktivist i LDK së,nga Lidhja  e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë  në Gjermani zt Neki Lulaj, nenkrytar dhe zt. Muhamet Luma nënkryetar, pastaj përshendeti Shoqatën e gruas “Nermin Vlora”znj. Afërdita Xheladini ,shoqatën shqiptare  “Nënë Tereza “nga Heilbroni  me zt. Abaz Ymerin,pastaj përshendeti donatorët  Povataj Kraftfarzeug Handel  zt. Arsim Povataj si dhe AZ Gartenbau zt Arsim Zeqiraj  Pforzheim si dhe zt . Agim Pajazitin Trockenbau.

Në vijim të fjalës  së rastit  zt.Gjevdet Nikqi, mes tjerash shtoi;

Shqiptaret janë ata që e mbajnë simbolin kombëtar në zemër e në shpirt edhe kur janë të lirë edhe kur janë të robëruar shqiptarët janë ata që kanë një flamur me simbolet me kuptimplote;me ngjyrën e kuqe të flamurit simbolizohet gjaku i derdhur gjatë historisë për të mos lejuar që ai të mposhtet në  fushat e betejës në mbrojtje të lirisë dhe zi që simbolizon zinë për ata që u flijuan nën shtizën e flamurit..

Shqiptarët e kanë lidhur dy herë historinë e flamurit me historinë e pavarësisë; 1).Me 28 nëntor 1443 kur Skënderbeu e ngriti flamurin në bedenët e kalasë së Krujës për të ia këthyer Shqiperisë pavarësinë dhe lirinë e rrëmbyer nga turqit dhe 2). Me 28 nëntor 1912 kur Ismail Qemaili,e ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur pavarësinë  e shtetit shqiptar nga sundimi i egër i Perandorisë Osmane.Vetëm të shqiptaret dita e flamurit dhe dita e pavarësisë janë të lidhura njëra me tjetrën si mishi me kocka e tani jemi në pritje të një 28 nëntori të tretë dhe të fundit kur dotë bashkohën të gjitha trojet etnike shqiptare nën një ombrellë që sërish ta marrim atë  që na kanë shkëputur e grabitur padrejtësisht të tjerët,atë që na e kanë copëtuar barbarisht barbaret.

Pavarësia kombëtare as një populli nuk i ka zbritur nga qielli,  për pavarësi është derdhur lum gjaku,ajo ka një histori të shenjët dhe një kapitull të ndritur.E gjatë dhe e mundimshme ishtë rruga e shenjët e pavarësisë.

Rrugëtimi i gjatë nëpër shekuj kapërcej nëpër revoltat e mundimshme duke e flakur sundimin e huaj shumë lëvizje dhe kryengritje të përgjakshme  por kurrë nuk u dorëzuam sepse nuk pati forcë mbinatyrore qe të na i shuaj dëshirat dhe shpresat tona për shtet. Edhe Lidhja e Prizrenit 1878 ishte revoltë kundër coptimit të tokave shqiptare dhe sundimit të huaj ,ishte revoltë për të na njohur fqinjët dhe fuqitë e mëdha europiane.Ajo nxori në shesh një të vërtetë të madhe  se mbrenda perandorisë osmane ekziston edhe një popull që ka një histori, një traditë,dhe një kompleks territorial të veçantë nga osmanët,prandaj ka edhe të drejtën e pa tjetërsueshme që të jetojë e pavarur si shumë popuj tjerë të Ballkanit dhe të Evropës.Prizreni e shtroi edhe një herë çështjën  e fatit dhe të ardhmës së atdheut dhe këtë e nguliti ne mendjën dhe shpirtin e gjithë atyre patriotëve që e ndien vetën shqiptarë.

Turqia me 1912 i ngjante një të sëmuri kanceoroid të cilët i numëroheshin minutat dhe sekondat dhe shqiptarët siç thot Sami Frashëri “Kishin frikë mos kjo kulshedër e vjetër  dhe e amortizuar t’i zejë brenda dhe ti zhdukë bashkë me vetëvetën.”

Pikërisht në këto momente u pa së Levizjës Kombëtare i duheshin sa udhëheqës të strategjisë ushtarake aq edhe udhëheqës të strategjisë diplomatike  dhe dolën njerëz energjik  patriot dhe diplomatë të sprovuar si: Ismail Qemaili,Luigj Gurakuqi ,Hasan Prishtina, Isa Boletini  e shumë të tjerë.

Ata njëzëri  ju përgjigjën thirrjës se atdheut,kështu me 25 nëntor Ismail Qemaili i shoqëruar nga delegatët e Tiranës,Elbasanit,Durrësit,Lushnjës,Krujës,Kosovës, Dibrës,Ohrit,Strugës arritën në Vlorë.

Pra me 28 nëntor 1912 ishte  dita e madhe e shenjëtrisë kombëtare dhe kurorëzimi i përpjekjëve 500 vjeçare të popullit shqiptarë i patriotëve dhe martirëve të të gjitha kohëve që u kurorëzua me punën e palodhshme të plakut të Vlorës Ismail Qemailit. Kështu tha në  fund të referatit të tij zt Gjevdet Nikqi.

Dhe me pastaj ftoj  poetin Neki Lulajn, nënkryetarin e Lidhjës së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani që ta marrë fjalën,Lulaj me një përshendetje  të shkurtër uroi 101 vjetorin e shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë 135 vjetorin e Lidhjës së Prizrenit.105 vjetori  i Kongresit të Alfabetit shqip të Manastirit dhe 5 vjetori i Shpalljës së Shtetit të Republikës së Kosovës .E në vazhdim  për bashkëkombasit  lexoi vargjet e një poezie:

Në festë

Po liroi një orgazem shpirti

Kjo festë flamuri

Po me vjen si vetëtimë

Po ikë si erë me stuhi

Po i le të gjalla shpirt muzash

Vargjët po i hedhë këtu

Për ti shpëtuar nga harresa

E pamëshirësisë

 

Po mbledhë shkarpa xinash

Në pyell

Po i xibërroj  në heshtje

Me mund

Po i xërmoj nga mali

Në këtë xëx nate

Po i ndriqoi sytë pa dritë

Po i ndezë shpirtat e pavdeksisë

Droj po xugitëm me dikend

 

Po liroi orgazem shpirti

Jam bërë krejtë xurxull

Kur kujtoi baballarët e kombit tim

Duke marshuar shtigjeve

Në lak të pusive  nga xhavejat

Që përpiqëshin të na mbulojnë

Me xhiblik e ferexhe

I mundëm me 28 nëntor

Ditën e mëvetësisë

Neki Lulaj

 

Në vazhdim të programit  në foltore doli poeti Muhamat Luma ,i cili lexoi poezinë;

Me kodin

Në grykë më shtërngon n’grykë

Damarët e shkëmbit

Përçojnë të dhënat  e gjenit

Unë shëndrrohëm në lum

Ku endërrat behën zhgëndrra

Lisat na bejnë roje

Fisnikëria e  fisnikërisë

Toka ime e artë toka ime e zjarrët

Zemërhapur na merr në gji

Në djepin e binjakëzimit

Përlotur gëzimit

Këndon  mallëngjyer

Dashuri për vaj

Ninulla e saj

Muhamet Luma

Në vazhdim e nxenësja  Lirijeta Bajrami , me disa recitime të poezive nga poetet e traditës vërtet i dha sharmë të veçantë kësaj mbrëmje festive, për t’i liruar ne vazhdim vendin  Muzikës të melosit popullor të shoqëruar nga  zëri i ëmbël i kengëtarit zt.Mehdi Gjocaj dhe kengëtarës znj. Syzanë Jashanica  të përcjellur nga tingujt e DJ  të riut simpatik  zt, Edonis Gjocaj,për të vazhduar festa e gëzimit deri në orët e hershme të mengjësit.Me këto përshtypje të shkëlqyeshme të një manifestimi dinitoz u ndamë nga Shoqata Kulturore “Arbëria “ e Pforzheimit të Gjermanisë.

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjermani, ne festojme bukur, neki Lulaj, Pforzheim, Shoqeria"Arberia"

NË SHTATË VJETORIN E THEMELIMIT TË LSHAKSH NË GJERMANI …!

December 24, 2013 by dgreca

Intervistë me shkas me Kryetarin e Lidhjes se Krijuesve ne Mergate, Z. Hasan QYQALLA/
Gjeografia e artistëve të diasporës së re shqiptare përfshinë shumë vende të botës dhe me krijimtarinë e tyre mund të përmbledhim shumë vepra të shkruara me vepra të bukura arti.Në këtë tablo,sot po flasim për Lidhjen e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve shqiptarë në Gjermani,e cila në këtë ndërrim motmotesh është stolisur me një gjerdan të ndritshëm aktivitetesh kulturore dhe kombëtare.Krijuesit tanë jetën e tyre në mërgatë e nisën atyre viteve të nëntëdhjeta,ku më shumë se çdo gjë iu mungonte liria,atdheu, e në ato kohë stuhirash dhe ëndrrash të mëdha e nisën artin e tyre,i cili shpërtheu fuqishëm,në te shkëlqeu arti i atdhe -dashurisë i përkushtimit kombëtar, u bë këmbanë e lirisë që zgjoi ngritëjen e vetëdijes tek mërgimtarët për një qëllim të shenjtë. Këta njerëz të talentuar në art,zhvilluan prirëjet e veta në vendet ku u vendosën,ku përmes artit me përkushtim kombëtar,fjala e tyre e shkruar mori brum të fortë artistik,këmbanë e lirisë për të bashkuar veprimtarët mërgimtarë.Krijuesit tanë në Gjermani u organizuan në format që iu dha mundësia,në shoqata,klube,bashkësi,por shtatë vjet më parë aktivitetin e tyre e bashkuan duke themeluar Lidhjen e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve shqiptarë në Gjermani(LSHAKSH)
Lidhja e Shkrimtarëve Aristëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani(LSHAKSH),daton nga dhjetori i vitit 2006.Shumë nga ne mendojnë se iu është dhënë një emërtim sa i gjatë,por ajo u themelua si një dritaree kulturës shqiptare,në vatrat e Europës dhe më gjërë.U emërtua Lidhja e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar,nga se angazhohet të i tuboi rreth një sofre të përbashkët:Shkrimtarët,poetët,artistët, krijuesit e të gjitha zhanreve,piktorë,aktorë,gazetarë,këngëtarë,ku secili do të ketë mundësinë,të jep kontributin e vet,në afirmimin e krijimtarisë së tij,para sofrës së madhe të Europës dhe më gjërë,ku padrejt- ësisht nga dhuna e pushtetit sërb,u shpërndanë shumë shqiptarë në Europë dhe botë.Ne kemi ndier këtë përgjegjësi dhe nevojë për prezantimin e denjë të kulturës sonë,e cila duhet të jetë urë lidhëse me atdheun:Kontribut në themelimin e kësaj Lidhje kanë dhënë një varg krijuesish të njohur si:Martin Çuni,Hasan Qyqalla,Pal Sokoli,Avni Bellaina,Gonxhe Letmi-Begisholli,Seveme Fetiqi,Mentor Thaçi, Muhamet Luma,Liman Zogaj,Fran Tanushi,Neki Lulaj,Asllan Dibrani,e shumë,shumë krijues tjerë,të cilët nuk mund të i përmendim të gjithë në këtë shkrim të shkurtër.Në këtë fundviti të përvjetorit të shtatë të themelimit të LSH AKSH në Gjermani,do të bisedojmë për punën madhore të LSHAKSH në këta përvjetor me ish kryetarin e kësaj lidhje,si dhe kryetarin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptar në Mërgim,zotëriun Hasan Qyqalla.Hasan Qyqalla shquhet ndër krijuesit aktivi cili veq intelegjencës që ka,ka dëshmuar me vepër në organizimet e LSHAKSH,se është gjithmonë aty ku e kërkon gjuha,kultura,arsimi,miqësia,ku e kërkon nderi i kombit dhe atdheut,andaj u zgjodh me pëlqimin njëzëri të mbarë LSHAKSH.LSHAKSH,përveq që ka shtruar sofrën kombëtare të dijes,kulturës,traditës e artit,në mes trojeve të Europës,ka mbajtur gjallë dhe sukseshëm bashkëpunimin edhe me krijuesit e hapësirës mbarëshqiptare në Kosovë,Shqipëri e gjetiu.Para se të nisim bisedën me këtë veprimtarë të madh,të ju njohim me një biografi të shkurtër të tij:

Hasan QYQALLA u lind më 8 janar 1961 në Bardh të Madh, komuna e Fushë Kosovës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ndërsa studimet në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Me shkrime merret që nga viti 1976, kur botoi poezin e parë në revistën “Shëndeti”! Ka botuar në shumë gazeta e revista të kohës. Herë pas here ka bashkëpunuar edhe me mediat vizuale. Që nga viti 1993 jeton dhe vepron në Brol, afër Bonit në Gjermani. Gjer më tani ka botuar dhjetëra vepra, si: ”Dua të vdes shqip” botuar nga “Spektri” , Prishtinë 2004; “Robi i Lirisë” botuar nga “Mërgimi A&B”, Biblioteka “Salloni poetik” Tiranë-Prishtinë-Gjenevë 2007,; “Prekja e ëndrrës”  botuar në “Globus R”,  Tiranë 2009, “Arkeologji e shpirtit” botuar nga “Shkëndija”, Prishtinë, “Meshari modern”, “Buzëqeshje e trishtë” të dyja botuar nga “ADA”, Tiranë, Antologjinë 100 poet, 100 poezi, “Një shekull dritë”, etj…, si dhe ka dy përmbledhje në shtyp, dhe një roman. Veprimtaria e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani është mjaft e ngjeshur dhe e begatë. Organizuam shumë promovime titujsh e autorë të rinjë letrar, pastaj organizuam hapje ekspozitash nëpër qytete të ndryshme. Manifestime poetike që u bënë tradicionale, si p.sh. Takimet ”Azem Shkreli”, ”Pavarësia e Kosovës”, pa harruar ”100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës”, nxjerrjen në dritë të revistës ”Muza Shqiptare”, botime të përbashkëta me krijues, etj… gjer tek Antologjia ”Trinom i Lirisë”, që botuam në 30-vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gervallës dhe Kadri Zekës… Projekti ynë për t’ardhmen është bërë, ndërkaq e para është Regjistrimi i Shtëpisë sonë botuese, karshi kërkesave të nevojshme dhe ristrukturimi i krijuesve në nivel të mërgatës shqiptare për Europë…

Z. Qyqalla,shtatë vite punë me artistët në mërgim, kurorëzim i shumë sukseseve, ka kohë që ju jeni në ballë të këtyre nismave, padyshim se ka mund dhe sakrifica,vështërsi që kërkojnë punë me përkushtim, ju i keni përjetuar gjitha këto nën lëkurën tuaj dhe ia keni dalur me shumë sukses: Çfarë mund të na thoni për këtë,ku e gjetët tërë atë vullnet dhe energji?

H. Qyqalla: Fillimisht më lejoni t’ju FALENDEROJ që jam i përzgjedhuri juaj pikërisht në vigjjiljen e Festave të këtij fundviti. Tani, më kujtuat një thënje nga Robert F. Kendi i cili thot: “vetëm ata që kanë guxim të humbasin shumë nga vetja e tyre, të tillët, padyshim edhe fitojnë shumë”! Me këtë moto, nuk dua t’i atribuoj vetes sime, por kryekëput artit, si kryefjalë, si bërthamë e ne krijuesve në mërgatën tonë gjithandej. Kjo nënkupton se kemi të bëjmë me një strukturë sentimentale e të kristaltë të shoqërisë tonë, gjë që rezulton me ndihmesën dhe kontributin e çdo njërit veç e veç. Prandaj, edhe hapërimi ishte i përbashkët, drejt shtrirjes gjeografike, drejt parametrave të rinjë  në horizont ishte vërtet sfid, por ngazëllyese karshi suksesit gjithësesi.
LSHAKSH,shënoi kthesa në zgjërimin e kulturës sonë.Tubimet e krijuesëve tanë,qëllimin e vet më fisnik e kishin afrimin e të rinjëve tanë të mërguar në këtë sofër të përbashkët artistike, stërvitjen e tyre për njohuri më të gjëra rreth kulturës, letërsisë, artit, traditës. Ky ishte dhe mbetët qëllimi më i shenjtë, të rinjët tanë të mërguar nëpër vende Europiane,të ndihen të pajisur me gjitha njohuritë shqiptare,të artit,traditës dhe kulturës tonë kombëtare. Organizimet e aktiviteteve, tubonin rreth vetës dashamirë të të gjitha zhanreve tö artit, të fjalës së shkruar, recitatorëve të rinjë, këngëtarëve e valltarëve, shkrimtarëve e poetöve të njohur, ju keni bashkëpunuar edhe me krijuesit tanë nëpër Europë: A keni vërejtur edhe në vendet tjera praninë e të rinjëve në masë,sikur në LSHAKSH?
H. Qyqalla: Parimisht arti ëshëe pjesë e jetës së çdo njeriu, pa dallim moshe a gjinie. Sipas retrovizualitetit të përditshmërisë dominon muzika si më e preferuara nga gjinitë tjera të artit, por që fare pak ngel prapa veçmas poezia. Segmenti ynë i dëshirueshëm është, që rinia jonë, pra brezi i tret siç njihet ndryshe, veç muzikës moderne, t’i qaset edhe vlerave të kulturës sonë, mendoj në muzikën, vallen, letërsinë,…etj. Këtë përballje me këtë armatë të tërë, besoj e kemi sfiduar dukshëm ne favor të kombëtares. Mbase, masovizimi i kësaj gjenerate reflekton jo vetem përcjellje pasive të vlerave tona të ndritshme kombëtare por janë edhe kultivues, gjithnjë kundruall prirjeve dhe pasionit të tyre. Padyshim edhe në vendet tjera duket një intensifikim më i theksuar por këtu në shtetin Gjerman, besoj se jemi për mburrje nëse shtrojmë paralelizmat. Megjithatë, kujtoj forma më e preferuar dhe më e frytëdhënëse, do ishte të vazhdojë bashkërendimi i aktiviteteve mes LSHAKSH dhe shkollave me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Të organizohen aktivitete të  nduarndurta, pse jo edhe të bollshme, që statistikat të jenë ende më të favorshme e të dobishme për gjeneratat e reja. Të rritesh paralelisht me dy gjuhë, me dy kultura besoj, do të thot shtohen frekuencat e intelegjecisë apo më konkretisht dyfishohet ajo.
-Atë botë kur u themelua LSHAKSH, sikur tek krijuesit dukej pak dritë në horizont, llogariteshin kushtet e vështira të punës, pa ndonjë qendër ku LSHAKSH do të zhvillonte aktivitetin e kësaj Lidhje Krijuesish të njihet edhe hapësira jonë kombëtare dhe mërgimtarët tanë nëpër botë, si ia dolët të arrini të gjitha këto?
H. Qyqalla: Çdo fillim është i vështirë dhe përcjell me peripeti të vazhdueshme, kur kihen parasysh kushtet e rrethanat në të cilat veprojmë. Është vetem vullneti i çeliktë e i pathyeshëm i krijuesit, që nuk heziton të çaj shtigjet apo të trasoj trotuare te reja. Apo t’i referohem këtu fjalës së urtë kineze, se “betejën e fillon vetëm Ai që është këmbngulës ta fitoj ate”! Nisë nga sipërfaqja e shtetit Gjerman që ka shtrirje shumë të gjërë, vërtet kemi vështërsi, pastaj nuk kemi një lokacion të adresuar, pa harruar edhe ate se arti mund të krijohet edhe nga banesa…etj., ne ia dolëm që jo vetëm të organizohemi, por aktivitet tona kanë kanë pasë intenzitet të shtuar, volum (pjesëmarrës) por edhe vlera artistike. Mos të harrojmë se “çelësi” i aktiviteteve është Leku…! Sa për ilustrim do përmend Manifestimin tradicional poetik “Pavarësia e Kosovës” në Koblenz, me krijues të mërgatës sonë, pesë vite me rradhë, të gjitha shpenzimet i kemi bartë privatisht, kuptohet me disa sponzorime, si Z. Gani Krasniqi, Z. Ramiz Muharremi, Ilir Krasniqi, Sami Hyseni, Shoqatës “Stublla”, përkatësisht Z. Nikollë Xhoni,…etj. Takimet tradicionale “Azem Shkreli”, që organizohen me përkrahjen e mbështetjen e vet Familjes Shkreli, Takimet përkujtimore për vllëzërit Gërvalla e Kadri Zeka, në Heidelberg e Ludwigsburg, pastaj edhe promovimet e titujve e autorëve të rinjë, me mjete vetanake, me shtrirje në tërë Gjermanin. Ndërkaq vitet e fundit, kemi një bashkëpunim të knaqshëm me Ministrinë e Diasporës, e  cila edhe na ka përkrahur e subvencionuar disa nga projektet tona dhe ato të përbashkëta.Këtu do Falenderoja publikisht Ministrin e Diasporës Z. Ibrahim Makolli, për mbështetjen dhe përkrahjen që na ofron. Megjithatë prioritet i prioriteteve do t’ishte sikur të siguronim një lokacion për ngritjen e një Qendre Kulturore Shqiptare, kuptohet me subvencione nga tre Qeveritë tona (Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë).
-Krijuesit e Lidhjes suaj kanë bërë një veprimtari të vrullshme, kanë begatuar letërsinë tonë me tituj të ndryshëm, keni organizuar promovime në mërgatë e atdhe, a do të na i përshkruani disa sosh?
H. Qyqalla: E kam thënë edhe më parë se çdo mërgimtar është një kapitull më vete, gjersa krijuesi (mërgimtar) është një roman i pambarim. Prandaj, pajtohem plotësisht me konstatimin tuaj kur thoni se krijimtaria në mërgim është begati e letërsisë sonë, apo vazhdimësi e periudhës së lulëzimit të Rilindjes sonë kombëtare. Narracioni shtjellohet nga shumë prizma, të shtyrë nga rrethana e faktor ku jetojnë e veprojnë, pastaj përshkruhet nga emocionaliteti i shprehjes, thellësia e burimit komunikativ, herë herë kontraverziv brenda vet – vetes, varësisht nga situatat e trajtimit, nga këndvështrimi i përkushtimit të ndjenjës së mallit e krenarisë, dhembjes e mrekullisë, të bukurës dhe të shëmtuarës,…etj. E apostrofuara është sinqeriteti i shprehjes, pa glorifikime dhe hiperbolizime të stërmadhuara, veç mishërimit me Lirinë, Heroin, Etninë, Dheun përkatsisht  Tokën At – Mëmë. Kujtoj se, jo vetëm ka nevojë të shpalosen këto vlera të krijuesve të mërgatës sonë, por është imperativ i kohës lidhja shpirtërore, komunikimi magjik perms vargjeve, këmbimi i ndërsjellë kreativ me krijuesit nga trojet etnike. Prandaj erdhëm deri te kjo ide e organizimit të Takimeve poetike – letrare ku gjetëm gjuhën e përbashkët institucionale me M.D. e cila bëri përgatitjet teknike. Këtu, shfrytëzoj nga rasti të përshëndes, veç Ministrit Z. Makolli (i cili na mbështeti dhe kontribuoj në mbarëvajtjen), edhe Shefen e Kabinetit të Ministris së Diasporës, Z. Ardita Kika, Këshilltaren Z. Shukrie Ramadani, Prof. Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi, ligjëruese në USHT si dhe poete nga Maqedonia,…etj. Nga ky Takim (më 5 gusht 2013, në Hotelin “Sirius” në Prishtinë), bazuar në vullnetin e shumë Shoqatave simotra dhe krijuesve individual ardhë jo vetëm nga Europa por nga Amerika, Kanadaja e Zelanda e Re, nxorrëm një DEKLARATË të përbashkët, drejt organizimit e intensifikimit të përbashkët nën një kulm. Më pastaj vazhduam aktivitetin me prezantimet tona në Prishtinë, Deçan, Junik, Rrëshen e Vushtrri ku u pritëm ngohtësisht, që shfrytëzoj nga rasti të përshëndes organizatorët dhe koordinatorët përzemërsisht.
Padyshim se letërsia është në shërbim të kombit, këtë e keni dëshmuar edhe në shënimet kombëtare ku janë vërejtur kryevepra të mëdha: _A do të na i numëronit disa nga këto shënime dhe përshtypëjet tuaja?
H. Qyqalla: Unë e kam thënë dhe qëndroj pranë thënjes se “Arti i prinë politikës (ndërkombëtarisht qëndron kjo që them)”, apo “aty ku flet Arti, politika heshtë”. Prandaj kulminative është afrimi dhe kooperimi me strukturat simotra të artit në përgjithësi, gjersa politikat aktuale kombëtare ende nuk kanë një platformë të qart. Bile, më vjen keq ta them publikisht, por edhe kombëtarja shitet për interesa të ngushta përsonale, klanore e partiake. Ndërkaq krijuesi (artisti) e sfidon të ultën, të shëmtuarën, antikombëtaren; politika përpiqet edhe ta nxjerrë si heroizëm. Derisa sa arti shkrinë çdo gjë nga vetja për interesa kombëtare të jet në shërbim të Atdheut,  politika (e politikajë të pandërgjegjshëm) përpiqen të përfitojnë edhe nga fatkeqësia e Atdheut. Fundja, a ke dëgjuar ndonjëherë se një Krijues arti, ka trathëtuar Atdheun apo interesat kombëtare…!? E shihini ndryshimin ku është mes artit dhe politikës e theksuar veçanërisht tek mentalitetit i bashkëkombasëve tanë, që reflektim i hapur duket edhe klasa e sotme aktuale politike, jo vetëm politikat aktuale udhëheqëse Institucionale, por edhe ato opozitare! Model të njejtë por në rrethana më specifike është Shteti amë i Shqipërisë, pastaj mos të flasim për katandisjen kombëtare në Iliridë (Maqedoni)! Gjersa gjuha është shpirti i kombit, Krijuesi është brumi i kombit…!

Zotëri Qyqalla, ju jeni ndër veprimtarët më të dëshmuar të organizimeve, keni lidhur ura miqësie me aktivitetet e përbashkëta me mërgimtarët tanë në mbarë botën, si dhe krijues nga hapësira kombëtare, por edhe me kulturat e popujve ku mërgimtarët tanë janë të vendosur: Sa ishte e vështirë kjo?
H. Qyqalla: Nuk thuhet kot se “uji që nuk lëvizë edhe nuk pihet”! Kushtimisht e them, përkundër arritjeve moderne teknologjike të njohjes dhe komunikimit masiv me njrzë është e domosdoshme edhe lëvizja, afriaa, këmbimi i përvojave dhe mundësive si e ulja në bisedime sy më sy. Me këtë dua të them se çdo takim me krijuesit e mërgatës në mjediset ku isha, si p.sh. në Suedi, Austri, etj., ka qenë një përjetim i veçantë. Të jesh mesin e bashkëkombasëve krijues, intelektual, pedagog, do të thotë të jesh në vatrën e ngrohtë e të përzemërt kombetare vëllazërore. Dhe, kështu lindi edhe ideja e afrisë e bashkëpunimit e intensifikimit të aktiviteteve të përbashkëta, mbase pse jo edhe nën një pullaz të përbashkët. Ju bindëm filozofisë së përvojës nga më të ndriturit e letrave shqipe të kohës, Fan Nolit dhe Faik Konicës, pa pretendime identifikimi të përsonaliteteve të tyre, por të (mos)përvojës së tyre. Nuk thuhet së koti se “të urtët mësojnë nga gabimet e tjerëve”, apo jo!?
Muajin që lam pas, në Koblenz të Gjermanisë, u themelua Kuvendi i krijuesve të mërgatës mbarëshqiptare nga i cili doli Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), ku kryetar u zgjodhët ju, për çka ju përgëzojmë; Ne mendojmë se inicues kryesor ishit ju dhe LSHAKSH, që bashkëpunuat me gjithë krijuesit në mbarë mërgatën. Keni përpiluar programin dhe statusin e saj dhe e keni miratuar. Tani po hyjmë për në vitin 2014, :A do të na shpjegoni pak për misionin që ka LKSHM, për këtë vit, pra vitin 2014?
H. Qyqalla: Atëher më lejoni edhe mua që në fillim t’ju Falenderoj për urimin tuaj. Dëshiroj edhe njëherë publikisht që përmes kësaj interviste (të parë si Kryetar i LKSHM), të falenderoj nga zemra gjithë delegatët, përfaqësuesit, krijuesit individual, si dhe Përsonalitet tona Qeveritare e Diplomatike si MeD, Z. Ibrahim Makolli, Diplomatët e Konsulatës në Frankfurt, Z. Fatmire Musliu, Z. Milazim Vllasaliu, Z. Besnik Miftaraj,… pastaj veprimtarin e çështjes kombëtare Z. Adem Demaçi, Deputeten në Parlamentin e Kosovës dhe Kryetaren e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Z. Flora Brovina, Pedagogen në Universitaetin e Tetovës dhe poeten e nderuar Z. Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi, Z. Dr. Murat Gecaj nga Tirana (i cili për shkaqe shëndetësore nuk mundi fizikisht të jet mesin tonë),…etj! Gjithnjë falë bashkëpunimit dhe kontributit të çdo njërit veç e veç, do apostrofoja gadishmërinë e Z. Hysen Ibrahimi, Z. Osman Ahmetgjekaj (Suedi), Z. Anton Marku e Z. Besim Xhelili (Austri), Z. Besnik Camaj (Zvicër), Z. Arqile Gjata (Greqi),  dhe ndihmën e këshillimet e Z. Musa Jupolli e Z. Fakete Rexha (Francë), Z. Rita Saliu (ShBA), Z. Silva Terrnava (Zeland e Re), Z. Drita Nikoliqi – Binaj (Vojvodinë), Z. Shenida Bilalli (Kroaci), Z. Imri Trena e Z. Ismet Jonuzi (Norvegji), Z. Sadie Bejtullahu – Kryeziu (Britani e Madhe), Z. Valdete Berisha (Benelux), si edhe Dan Kosumi, Ragip Dragusha, Hazir Mehmeti, Martin Çuni, Seveme Fetiqi, Fran Tanushi, Mentor Thaqi, Muhamet Luma, Gonxhe Letmi – Begisholli, Shaban Cakolli, Pal Sokoli, Saranda Iseni, Sylë Bajrami, Avni Bellaina, Neki Lulaj, Sadete Zhitia, Hamza Halabaku,…etj.
Falë bashkëveprimit të frytshëm arritëm të përpilojmë STATUTIN dhe RREGULLOREN E PUNËS të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në mërgatë. Gjithashtu, planifikuam që Takimi i rradhes të mbahet prap në Koblenz, në Mitingun poetik pranveror, pastaj në Suedi në Sesionin e tret shkencor, gjatë pushimeve verore në trojet tona etnike (ende nuk jemi përcaktuar për daten e saktë dhe vendin), dhe në vigjilje të Festave të Nëntorit do të takohemi në Austri ose Zvicër. Prioritet i veçantë do të jet regjistrimi dhe zyrtarizimi i Asociacionit tonë, pastaj nxjerrja e një Reviste 3 – 4 mujore,…etj! Shpresojmë në vazhdimësinë e bashkëpunimit institusional dhe mbështetjen e tyre padyshim. Dëshhira e vullneti egziston, por materja dikton!
Kohë më parë është emërua Ministria e Diasporës, prej atëhere ministri Z. Ibrahim Makolli, iu është përgjigjur gjitha aktiviteteve të LSHAKSH, gjithnjë i pranishëm, na ka përkrahur moralisht e materialisht, çka për krijuesit tanë është shumë domethënëse. Duke llogaritur sukseset e krijuesve, në kushtet e vështira të punës që bëjnë me forcat vetanake; A ka shenja se Ministria e Diasporës mund të hedh ndonjë hap, në mbështetje materiale?
H. Qyqalla: Tani, me sa kujtoj unë e përmendëm edhe më lartë përkrahjen dhe  mbështetjen institucionale nga ana e MD, dhe përsonalisht Z. Ibrahim Makolli. E veçanta do ishte sikur të arrinim sa më parë të siguronim një lokacion, ku veç hapsirës për kultur, art e letërsi, pse mos të shfrytëzohej edhe ndonjë aneks i saj për perfaqësi Diplomatike apo Konsulore, mbase kërkesat për rregullimin e dokumentacionit të mërgitarëve dita ditës po shtohet. Prandaj, kujtoj hapja e një Qendre Kulturore diku në Dyseldorf (apo rrethinë), do kishte interes e funkcion të shumfishtë. Padyshim republika Nordrheinwestfalen është më numrin më të madh të të banorëve dhe ndër më të zhvilluarat gjithnjë edhe falë konfiguracionit që ka. Gjithashtu, sipas statistikave vendore këtu është edhe përqendrimi i mërgatës shqiptare. Natyrisht, nga kjoj Republikë bashkëkombasit tonë duhet të udhëtojnë për një dokument gjer në Frankfurt apo Berlin. Ndaj, kujtoj se është imperativ funkcional hapja e një Qendre të tillë në këtë mjedis, më tepër se vetëm dëshirë. Kërkesën tonë ia kemi drejtuar edhe Ministrit Z. Makolli, i cili e ka përkrahë dhe besoj në realizimin e shpejtë të synimeve tona.Këto dëshmi kujtoj mjaftojnë për bashkëpunimin e ndersjellë që kemi, me gjasa që të ketë shtrirje edhe më tej.
Pas zgjedhëjes suaj kryetar në LKSHM, si dhe disa ndihmësve tuaj nga kryesia, në LSHAKSH, është bërë zëvendsimi me kryesues të rinjë: Çfarë është mendimi juaj; keni bërë zgjedhje të cilat mund të ndjekin hapin, që LSHAKSH, të mos zbehë aktivitetin e saj, kur dihet se LSHKSH dhe LKSHM, duhet të jenë mishërisht të lidhura në mbarëvajtejen e aktiviteteve?
H. Qyqalla: Tani nuk dua të paragjykoj e parafrazoj. Më parë dua të shpresoj e besoj në angazhimin vetmohues, siç pretendojmë edhe në fushën e krijimtarisë sonë. Kujtoj që çdo freskim sjell energji të reja, kreativitet të ri, punë të frytshme, e cila mund të jetë shumë efektive në formën ekipore. Këto aftësi ogranizative e afirmative, sikur edhe pararendësi ynë Z. Martin Çuni, i posedon edhe i sapozgjedhuri Kryetar i LSHAKSH në Gjermani Z. Pal Sokoli (ndryshe edhe bashkëthemelues i LSHAKSH). Është një krijues, veprimtarë shumë dinamik dhe plot energji. E përgëzoj dhe uroj Z. Pal Sokoli, me dëshirën të qëndrojmë, siç thoni edhe ju, të mishëruar në binarët e artit, të koordinuar e akorduar mirë drejt artikulimit tonë më të zëshëm.Kjo është dhe mbetet motoja jonë e suksesit dhe modalitetit edhe për segmentet tjera të organizmave jo vetëm në mërgatë por edhe në trojet etnike.
Jemi në prag të festave, ku edhe pak ditë po nisim vitin e ri 2014, ne ju urojmë festën dhe ju dëshirojmë shëndet e shumë suksese: Cila do të ishte porosia juaj për krijuesit për vitin që po hyjmë?
H. Qyqalla: Krejt për fund krijuesve ju dëshiroj frymëzime e krijime të begata shpirtërore, letrare e artistike, të arrijnë suksese deri në piedestal. Të ruajmë kontinuitetin prej krijuesi, me porosinë e Piktorit tonë të mirënjohur me përmasa ndërkombëtare, Z. Gjelosh Gjokaj, kur thot se në pikturë nuk gjen (ka) hapsirë “ngjyra e zezë”!
Andaj n’emër të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, n’emër të Kryesisë dhe n’emrin tim përsonal uroj gjithë bashkëkombasit, krijuesit në mërgatë FESTEN E KRISHTLINDJES DHE VITI I RI…1 GËZUAR 2014…! Shpirtëbardhësi e gjaku = Identiteti ynë kombëtar…!
Z.Hasan Qyqalla, ju falemnderojmë shumë për gatishmërinë dhe kohën që ndatë me ne,për të na njohur me punën e madhe të LSHAKSH në Gjermani,si dhe ju dëshirojmë shëndet e shumë të mbara.
H. Qyqalla: Ishta knaqësi për mua…! Ju lutem shumë.
Intrvistoi:Shaban Cakolli

Filed Under: Interviste Tagged With: Gjermani, i LSHAKSH, ne shtate vjetorin, Themelimi

VLORË MOJ E BUKUR VLORË!

November 28, 2013 by dgreca

SHKRUAN: ANGJELINA  KRASNIQI/ GJERMANI/

– Kombit në 101 vjetor -/

 

Vlorë moj flakëz e ndezur,/

Me flamurë mijra qirinj,/

Përmbi kuaj trimash hedhur,/

101 vjet janë më të rinj./

 

Kalërojnë shpate e brigje,/

Nga Kosova për në Vlorë./

101 vjet kërkuan shtigje,/

Të të vinë krushq me kurorë./

 

Nuk u vonuan si dikur,

Nga Kosova këta delegatë.

Përmbi shkëmb e përmbi gur,

U dëgjohet troku i artë.

 

Ata që 101 vjet më parë,

Nuk e morën se s’ua dhanë.

Sot keputën dhe litarë,

Zëmrën – Vlorë, nënën Tiranë.

 

101 vjet porsi lumënjtë,

Rrodhi gjaku, rrodhi jeta.

Me të urtë dhe me të sertë,

Herë me pushkë dhe trompeta…

 

Ismail bej, dil pranë detit,

Sepse Isa plot me shokë,

Nuk i ndal pushka e dovletit,

Për këto troje, për këtë tokë.

 

Si më parë …JO…këtë radhë,

Pa vonesë, mbi shkëmb e gur.

Kosova vjen dy ditë më parë,

Veshur e tëra me flamur…

 

Isai është krushku i parë,

Kosovën e bie për nuse,

Me nur dhe liri të larë,

Nëpër mijra burime e puse.

 

Veshur ka bjeshkën e lartë,

Në trup shtatin gjelberimin,

101 vite që po i mbart,

Kërkoi dhe gjeti agimin…

 

Prisni tani krushq të tjerë,

Mali Zi, dhe Maqedonia,

Prisni flladin me pranverë,

Që percjell dhe Çameria…

 

Ndizni vallen, me xhuplete,

Fustanella dëborë të bardhë,

Pavarsisë ti japim fletë,

Se dita e pritur ka ardhë…

 

Shrehe pushkën Ismail,

Nxirr flamurin të valvitet,

Në ballkon si dikur dil, s

Si qendroke, si të pritet ?…

 

Nënë ballkonin si një kodër,

Është derdhur tërë kombi,

Kjo shtëpi zemër e vogël,

Rreh, e dëgjon gjithe globi…

 

Ejjjjjjjjjjjj, vëllezer, motra, nëna,

Të shperndarë nëpër botë,

Qeshni, të dëgjohet kënga,

Sa me e madhe dhe e plotë…

 

Brohoritja nëpër vite,

Përqafim, puthjet e urimit,

Do sjellin si sot një dite,

Festën e madhe të gëzimit…

 

Mos i ndalni meloditë

Deri në ditën e bashkimit…

 

Gjermani…2013

 

 

AMANETI I BABËS

 

Amanetin që kur linda,

E mbaj mbi supe, pasaportë.

Kur u rrita, dhe vetë u binda,

Kur vrapova dhe nëpër botë.

 

Bashkë me puthjet shpesh im atë,

Bashkë me ledhet, bekimurimin,

Kur hëna përkundej gjeth i artë,

Më kërkonte edhe bekimin…

 

“Bijë, do rritesh, por kur linde,

Fytyrën e kishe nga Tirana,

Për të parë shqipen u grinde,

Kështu, më tha, atëherë nana…

 

Prandaj amanet prej zemre,

Kur si zog në Krujë të shkosh,

Bashkë me tingujt e një kënge,

Edhe betimin tim ta çosh…

 

Atje, pranë kalasë së lashtë,

Në ato gurë, dhe në ato mure,

Që një gjuhë flasim, të gjith’ bashkë,

Pimë ujë në një burim kulture…

 

Rozafën, Ne, kur e ndërtonim,

Si një kult dhe si një vepër,

Ata që s’na donin na e rrëzonin,

Veç armiqtë, dhe askush tjetër…

 

Nga lart na kafshonte Sllavi,

Nga jugu çirrej, lehte Greku,

Kërkonin për ne jetë skllavi,

Pak të gjallë, shumë të vdekur…

 

Porse malet janë të larta,

Por një mal është më i lartë,

Aty ku qëndroi shpata,

U ngrit dhe histori e lashtë…

 

Puthe, bijë, Ti monumentin,

Gjergj Kastriotin mbi kalë,

Me buzë ta lësh amanetin,

Puthje që të jepja mbi ballë…

 

Puthe përkrenaren prej dhie,

Që vjen në pervjetoret tona,

Na e bien dhuratë prej historie,

Atë, që përjetësisht është jona”…

 

***

Amanetin se tret toka,

Trupin tim nuk e ha dheu,

Mora krah mbi male e flota,

Shkova vetë te Skëndërbeu…

 

Putha krahun, putha dorën,

Putha shpatën që firmosi,

Putha më në fund kurorën,

Që firmë mbi kombin vendosi…

 

Nuk di përse u ndjeva e lehtë,

Krahë – puthje, zëmërmadhe,

Shpirti vuri fletë, dhe retë

I pushtova, dhe jam krenare…

 

E pashë amanetin e babës,

Pashë dhe te nënës dëshira,

Pashë sytë e bukur të Drinvalës,

U bë e imja tërë gjithësia…

 

Krujë, o qytet i bekuar,

Bashkojë vëllezrit dhe trojet,

Dora jote u ka munguar,

Të rrjedhë liria si krojet…

 

Të pimë bashkë e të kuptojmë,

Sepse veç një burim, kemi,

Në të ardhmen të ndërtojmë,

Një Rozafë, një shtet të jemi…

 

Le të lehi Serbi e Greku,

Të mos e njohi Dardaninë,

Ujku don plumb prej dyfeku,

Në kokë, në zemër dhe në brinjë…

 

Ç’far vlerë ka, a të njeh kush,

Dardani, truall i Ilirisë,

Ti shqipe në mal e në fushë,

Je vetë e zonja e shtëpisë…

 

Eja Pejani, dhe ti Berat,

Thoni me fjalë guri – gërma,

Lashtësinë që mbi sup mbart,

Kur dëshmitare ishte vetëm hëna…

 

Më jep pak strrall nga yti gur,

Më jep pak baltë me gjak përzier,

Që botës t’ja jap, të shohë kultur’,

Të pastër, të lashtë e të përkryer…

 

Më jep një puthje, sikur im atë,

Ta marr prej teje, malin e detin,

Të rend me ditë, fluturoj me natë.

Në varr babës t’ja çoj amanetin…

 

Ti them, se shqipet sot nëpër botë,

Po bëjnë një çerdhe, të madhe, të fortë…

Krujë…2012

 

Filed Under: Featured Tagged With: Angjelina Krasniqi, Gjermani

Ne SOFREN e DIELLIT, Neki Lulaj-Gjermani dhe Julia GJIKA/SHBA

October 8, 2013 by dgreca

Neki LULAJ/

AJO/

Baronesha në të njejtën kohë puthë dy burra/

E ata ia shtrijnë dorën e akullt njëri-tjetrit/

Zhavorr e gurë në shpirtë mes rrugëve e mbi trotuar/

N’tokën tonë me shekuj jetohet si në geto hijenash të huaja/

 

Gënjështarët e shekullit gjakatarët dhelpërakë i përkëdhelin/

E neve na krehin e ngrehin me duart e ariut heshtak/

Në tokën tonë sheshe e ndërtesa janë qëndisur me afishe/

Por dhe me flamuj kriminelësh nga shteti i huaj ardhëcak/

 

Ajo mbronë drejtësinë genjështrën e ankesën e të fortit

E ne të viktimizuarit jemi  xhama të thyer mbi sokak

Kaldrëmeve të jetës që të mbijetojmë në tokën tonë

Me shekuj e mbjellë me eshtra të gjallësh e ujitur me lotë e gjak

 

Kancelaritë e Europës dinake i fshehin krimet gjenocidiane

E ngjallin shtrigën që ka ngordhë kaherë për të bërë verem

Që ta zbrazë më kot legjenin e llumit të shpirtit satanik

Mbi ne që jemi autoktonë në tokën tonë dem babadem

 

ERA

 

Era fërshëllen mbi parmakët e vjetra të dritares

E unë hesht me Migjenin e heshtur që sodis vetminë

Me tymin e duhanit dhe dritën e zbehtë të kandilit

Shoh borëbardhën mbi akull mbi supe një farkim të hollë

Duke ikur pyllit të vjetër për ta shuar etjen e gjetur qetësinë

 

Fjeta në shtratin e Mbretëreshës së Akullit të mpirë

Fjolla të kristalta të dëborës m’u shkrinë mbi fytyrë

Eca gjatë pa pushuar mbi pasqyrën e akullit të ngrirë

Thinjat e flokëve mbi kokën time po ma kujtojnë rininë

Era shpërndau fluska bore krijoi një mesazh dimri të thyer

 

NJE JETË MBI TROTUAR

Asnjë varg sonte nuk ma ofroi mua dashurinë…

Vargjet m’thanë në heshtje: Ne ikëm se jemi trupa pa varre

Toka e Bogdanit ku i ka eshtrat që i mbetën mbi trotuare

Të parët mbëltuan prush me vravashka nën lapidare

Kodoshët e Stambollit me ne patën bërë hajgare…

Sa pëllëmbë trupi ngelën pa plagë bjeshka ime

Sa fërkem toke mbetën pa na u vaditë në gjakë e lot e vajë

Sa palë tespihë u këputën në vagëllimat e mëngjesit

E po shumë të gjatë e patëm heshtjen e vagëlluar

Zinxhirët e robërisë ia këputëm vetëvetes duke i besuar

 

DRITARE PREJ LETRE

 

Në dhomën time

Parmakët e dritareve janë prej verri

Të qepura me gazeta të vjetra

Ca të tjera me thasë letre

Jam në osmozë

I gjatë sa një konop jete

Ma do shtati një shtrat prej druri

E për jastëk një gurë vendlindjeje

Do fier e do kashtë me kleka prej bjeshke

Ortek stuhie jam në tokën time

 

Parmakët thashë janë dru verri

Që kurrë nuk i kalbë lagështia

Mes plasave të murit të lashtë

Gojëhapurit e huaj fishkëllejnë

Avulli nga dihatja e kolla s’del jashtë

Jam në osmozë

I gjatë sa një konop jete

Por të ftohtit hynë brenda moj trime

Se nga letra janë dritaret e mia

Ortek dëbore jam në tokën time

 

KOMBI

 

Kombi është foshnjë që pinë qumësht në gjirin e Nënës

Kombi është dritë hije e Horizontit hieroglif i shkruar në ballin e Babës

Kombi është është trup i përforcuar me tabane durimi nga ilirianët

Kombi është  gurë mulliri që sillet meteor i pashuar në Atdheun tonë

Kombi është bukë misri me shtatë kore e pjekur nën saç mbi çerep

 

Kombi me dëshmorë e heronj është krenaria ku buron liria vetë

Kombi është hartë antike e gavruar në pushkën e gjyshit testament

Kombi është gjaku im që nuk falet as dje as sot e as përjetë

Kombi është qerpiku i shqiponjës që i shton bukurinë Atdheut

Kombi është syri i rrallë i bukurisë që të lind e të bën mbret

 

Kombi është trup i ritur mes furtunave e thikave të kohës sime

Kombi është trung lisi me degë e gjemba dhe pipa që riten mbi lumë

Kombi është gjaku djersa malli sakrifica puna ndera e dashuria ime

Për komb e Atdhe jap gjakun dhe jetën e çdo gjë tjetër i lumi unë

 

GJYMTËT

 

Pas syve të territ të gjymtët çirreshin

Gërmonin në thellësi deri te burimi i lotit

Kodoshët me lëkurë njeriu e pamje ariu

Mbi pasqyrën e shpirtit e luginave të ballit

Djersa vërshonte mbi ngushticën e Otrantit

 

Muret e ballit plot vija e stome dhe presa

Vërshonin djersët e mundimit si prrockat në vjeshtë

Gurë mbi gjoks e kurora dafinash mbi krahë

Qeshnin të gjymtët e zgërdheheshin kodoshët

Të farmakosurit e egër të mundurit nga ndjenjat pa arësye

 

Shtigjeve të gardhiqeve çirrem si oshënar

Nga këtu e thërras dritën që ta pushtojë terrin

Të na shkrijë këtë akull të vuajtjeve e tmerrin

E ta sjellin gëzimin ngazëllimin këngën e verën

 

(Vushtrri, prill 1981)

 

JULIA GJIKA

 

PER TE LENE NJE EMER

 

Fushat jane dritaret e pranveres

Fushat jane shume me teper

se kopshtet me trendafila te veres.

Fushat jane mbrekullia e botes

lulezimi ne shekuj i duarve njerezore.

Era, qe kreh floket e fushave te blerta

dhe shperthen bocen e bardhe te pambukut

shetit e vallzon me grunjerat e verdha,

e lire, ne liri te vertete, ne liri pa hile fushave.

Fushat mbajne koken lart nga drita

Fjongot e diellit mbeshtjellin endrrat.

Per te lene nje emer Njeriu e filloi nga fushat

e ndoqi Paqja dhe Bolleku.

Me pare kishte zgjedhur Faren

qe te kendonin fushat

dhe te mos I turperonte korrja.

Per te lene nje emer

Njeriu sfidoi castin ironik

per te mos I zene syri njeres te zemeruar.

Qe grinden me leckat e trupit

per te mos ndeshur fytyra te pikelluara,

prinder qe heqin te zite e ullirit nga bijte.

Njeriu vizaton me ngjyra pikante tablone e jetes

e jep rendesi estetikes, e kerkon koha.

Njeriu i zgjedhur , sidoqofte,

per te lene nje emer

ka perpara luften vdekjeprurese

Te te mbeshtjelle Flamuri i Kombit s’eshte e lehte

Pas fush betejash si ne Vaterlo.

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gjermani, Julia Gjika, neki Lulaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT