Nga Sonia Memoci/
Në muajin Maj (2014), u prezantua roman “Kryqi i harresës” i shkrimtares shqiptare Flutura Acka i përkthyer në gjuhën holandeze. Për lexuesin shqiptar ky libër është botuar në vitin (2003)
Ndodh rrallë që letërsia shqiptare të përkthehet në gjuhën Hollandeze. Roman i dytë i shkrimtares shqiptare Flutura Acka (1966), është botuar fillimisht në vitin 2004, dhe është përkthyer nga Roel Schuyt.
Tema e romanit është gjakëmarrja dhe një marrëdhënie Holandeze-Shqiptare. Në Shqipëri Flutura Acka njihet si një autore e shquar letrare. Roman i saj satirik (e pesta) (2013) “Kukullat nuk kanë atdhe”.
Një ndër dy gazetat më të mëdha të përditshme të Holandës “De Volkskrant” botoi gjithashtu një shkrim për romanin e Flutura Ackës, “Kryqi i harreses” i cili vlerësohet me nota të larta.
Nga pesë yje të mundshem Flutura Acka merr katër yje, për stilin e saj poetik dhe ndërtimin e historisë mes Shqipërisë-Holandës.
Përkthyesi Roel Schuyt
Roel Schuyt ka lindur në vitin 1948 në Amsterdam, ku ai ka studiuar Spinoza Liceut vizitoi dhe sllave gjuhët dhe letërsitë.
Si gjuhë kryesore ai studioi gjuhën Ruse. Njeh dhe flet disa gjuhë të ndyshme Ballkanike, Serbo-Kroate, Bullgare, Rumune, Maqedonse e atë Shqiptare. Në vitin 1990 ai u diplomua nga Universiteti në Leiden në tezën sllave.
Roel Schuyt ka përkthyer në gjuhën Shqipe -Hollandeze dhe shkrime të shkrimtarve të ndryshëm shqiptar si, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Xhevahir Spahiu, Eqrem Basha, Ardian Klosi, Helena Gushi-Kadare.
Përmbajtja e Romanit “Kryqi i harresës”
Për shkak të një fluturimi ajror të mbyllur, një shkrimtare e re gjendet në mes të një historie tronditëse që ngjet mes Shqipërisë dhe Holandës. Rikthimi i një gjaku gjashtëdhjetëvjeçar, një fëmijë dëshmitar dhe peng i tij, një djalë i ri me dilemat e emigrimit, një dashuri e fuqishme, por e dyzuar, një tjetër burrë fatkeq nën hije paranojash, një e huaj në udhëkryqet shqiptare, një familje, një qytet e më gjerë në “grackën” e Kanunit të Lekë Dukagjinit, si njerëz me fatin e varur te befasia – plazmojnë bashkë jetën në një libër të vetëm. Fatalitet, rikthimi përmbysës i së shkuarës, kërcënimi nga barbaria, shpresë diabolike, marrëzi dashurore, seks, udhëtime të prera, besë, mosbesim, gjak që përzjen personazhe të tërë, dy botë që përplasen herë pa u pajtuar, herë duke u tretur në një. Autorja sjell në këtë roman një kryq harrese, me qëllimin për të trokitur dhe zgjuar kujtesën kolektive shqiptare
“Loja” me Kanunin
Marrja përsipër e një teme të tillë “burrash”, nuk ka qenë aq e lehtë për autoren. Situata të çuditshme dhe absurde, të prekshme, që janë aq afër, që i dimë, por i harrojmë, të kujtojnë që e keqja nuk fle asnjë sekondë. Më shumë se me vetë Kanunin e Lekë Dukagjinit, një nga dashuritë e saj të hershme, siç thotë ajo diku, autorja parapëlqen të merret me hijen e tij. Kanuni është aty i plotë në pjesën e tij që ajo vendos të përdorë, mbase që nga “urëzat” e citimeve të tij, që ajo përdor shpesh. E parë në sy të tillë vëzhgues, ajo parapëlqen të shkojë më tej, të prekë hijen e tij, të zhbrilojë nëpër të, si nëpër një truall që ndjell vdekje, më shumë se vetë Kanuni. Subjekti është i thjeshtë për t’u thënë me pak fjalë, por i vështirë për të krijuar konceptin e një proze thjeshtë narrative. Qënia dëshmitar në një vrasje kanuni, të një njeriu të çfarëdoshëm, aq më shumë, të një fëmije, dhe përzierja me të, për analistët e Kanunit do të ishte e pavend. Por Açka as ka ndërmend të hyjë në këto ujëra. Ndjehet një tjetër shqetësim, i skajshëm dhe i frikshëm. Shpërdorimi i Kanunit, shënimi i të keqes mbi të keqen, shkatërrimi i kodeve, që edhe të rikthyer qartë, prapë mbajnë erë primitivizëm. Një frikë nga barbaria që sjell kjo shprishje, duket që e shqetëson autoren, që i qartëson situatat absurde me njerëz që mbajnë peshë gati paragonale. Edhe “negativët”, nuk mund të jenë negativë për të, përderisa janë pjesë e një qytetërimi që herët ka ditur t’i bëjë gjërat e zakonshme, jo fenomene të zakonshme, por sublime.
Erotika në vepër
Shpesh është pyetur: a dinë femrat të shkruajnë bukur? Po, më tej akoma: a dinë femrat të shkruajnë bukur për erotikën? Një hap sado i vogël këtu, shpie në vulgaritet. Por Açka, mban një ekuilibër të qartë. Erotika është art te “Kryqi i harresës”. Guximi është qartësi poetike, poetika vetë është arma që e bën të sigurtë rrëfimin e saj, edhe kur është në nuanca të tilla delikate. Açka “nuk ka turp” për gjëra që të tjerë përpiqen të fshihen, jeta për të e ka në të njëjtën kohë, në njëjtën lartësi dhe me të njëjtën peshë: vrasjen dhe seksin, lotin dhe vallen, gjëmën dhe dehjen. Poezia e ka ndihmuar gjithmonë. Po të mos ishte një vepër e tillë që lexohet me një frymë, do të ishte patjetër një poezi e gjatë, fati i së cilës tani nuk dihet më. Është shkrirë dhe është pjesë e këtij libri. Skenat në libër janë pak, por mjaf për të kompensuar atë ngarkesë që ka vetë ngjarja. Në radhët e skenave të tilla, ti mbetesh si lexues i zënë në befasinë mes së vërtetës së thënë jo troç, dhe së vërtetës që është aty e palëkundshme. Lakonika dhe sensi i masës, loja me nëntekset dhe harmonia mes fjalës dhe imazhit që të jep ajo, i bëjnë skenat erotike të këtij libri mbresuese.
Paralelet njerëzore dhe ato psikologjike
Personazhi emigrant Gjergj Nika, duhet t’i ketë kushtuar shtrenjtë rrëfimit të saj. Lëvizjet e tij skajore në hapësirë dhe ende më skajore në mendim, e bëjnë një nga personazhet më të admirueshëm të librit.
Mergrimi, lëvizjet e brendshme, aq problematike të viteve të fundit, janë nëpër urëkalimet e “Kryqit të harresës”. Duket gati-gati që akuzon. Ajo flet për ikje të vogla, që bëjnë një ikje të madhe, flet për zbrazje sporadike, për t’i vënë emrin e përveçëm një ikjeje të madhe. I kujt është faji?
Të huajt në Shqipëri, lidhjet me ta, është paralele tjetër e librit. Sjellja e një personazhi të huaj, që sillet në mënyrë krejt të çuditshme, e bën Açkën jo pak të keqkuptuar me lexuesin. Por ajo e le shtegun e hapur, lexuesi vetë të vendosë për fatin e personazhit të saj, nëse do t’i dojë ose jo shqiptarët. Ajo nuk do t’i japë nga dashuria e saj e lindur personazhit të huaj, nuk e bën këtë me një kokëfortësi, duke i dhënë një vertikale analizës së këtij personazhi me një mbyllje të beftë.
Femra si pjesë me dinjitet superan. Ky është një roman emancipues. Tek ky roman femra është në kufijtë e të paprekshmes. Çdo grua që do ta lexonte këtë roman do ta ndjente këtë, do ta ndjente veten më mirë dhe më të mbrojtur.
Të gjitha këto paralele njerëzore përshkohen nga vertikalet psikologjike që i veshin analizat e personazheve. Açka në këtë libër i dominon situatat dhe personazhet e saj nuk janë jetimë, ajo është pjesë e lojës së tyre, qoftë dhe me një frazë të vetme.
Cila është shkrimtarja Flutura Açka
E lindur në qytetin e bukur të Elbasanit (1966). Njihet si poeteshë, shkrimtare ,botuese.
E diplomuar për Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës më (1988) e më vonë për Gjuhë-Letërsi më (2001) në Universitetin e Elbasanit.
Punoi si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpi botuese. Më (2001), bashkë me të shoqin e saj Holandez, krijoi shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë.
Poezia e saj i theu shpejt muret e krahinore. Libri i parë “Tri vjeshta larg” i botuar më (1993) do të paralajmëronte një krijuese “të befasishme”.
Vijnë me radhë librat poetikë “Mure vetmie” (1995), “Festë me ankthin” (1997) ky libër i siguroi autores dy vlerësime ndërkombëtare.
Merr çmimin ndërkombëtar “Lira e Strugës”, në vitin (1997) në Netët e Poezisë Strugane.
Më (1998), atëherë kur vetë poetët e kishin të vështirë të hynin në Kosovë, Flutura Açka hyn me vëllimin e zgjedhur dhe prezantuar nga e mirënjohura Flora Brovina dhe të titulluar “Kënga e Aretuzës”.
Në vitin (1998), zgjidhet si një nga trembëdhjetë (13) poetët më të mirë Evropianë në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli-Europa në Itali për gjeneratën e re.
Romani i saj “Kukullat nuk kanë atdhe”, botim i “ Librave Skanderbeg” Tiranë, vlerësohet në panair me çmimin e romanit më të mirë.
Kritika në gjithë këto vite u mor gjatë, duke e lakuar shpesh emrin e saj si të një talenti Edhe romani i shkurtër “Vetmi gruaje” i vitit (2001) dhe i ribotuar tri herë, tërhoqi vëmendjen e lexuesit e kritikës.
Pas tij publikoi vëllimin poetik “Kurth i diellit”, një libër ambicioz dhe në njëfarë mënyre përcaktues në stilin e saj poetik, dhe romanin e saj të dytë “Kryqi i harresës”.
Në vitin 2009 mori çmimin “Serembe”, me romanin “Kryqi i harresës”.
Si brenda dhe jashtë vendit proza e saj po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje te lexuesve.
Shumë libra të saj janë botuar në gjuhë të ndryshme të huaja, Francë, Itali, Greqi, Rumani, Gjermani, SHBA, Maqedoni, Bullgari, Hollandë.
Romani i saj i parë “Vetmi gruaje”, është përkthyer dhe botuar në gjuhën bullgare. Dhe tani (2014) “Kryqi i harresës” përkthehet në gjuhën Hollandeze.