• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DHURATA 12 MILJE DET GREKËVE (PO A THUA SA TOKË?!?)!

February 3, 2018 by dgreca

Ismail bardhi3NGA Prof. Dr. ISMAIL BARDHI/

Po e filloj këtë shkrim me një përsëritje të asaj që mjaft është shkruar dhe diskutuar nëpër revistat e mëparshme: çka është duke ndodhur me mendjen shqiptare, me politikën shqiptare, me kulturën shqiptare, gjegjësisht me tokën/trojet shqiptare dhe shprehjet e pyetjet si: “toka jonë”, “vendi ynë”, “kultura jonë”, “ku po vemë?” e “çka po ndodh?” Ndër ato që më pëlqeu në këto revista dhe që po i përmend këtu janë një titull artikulli: “Jashtë nga Vlora grekët” si dhe një pasus nga shkrimi me titull “Idealista pa ideal” te revista “Hylli i Dritës”, nr. 10, viti 1936, ku zhvillohet një bisedë kësisoj: “Kallzojnë për knjaz Nikollen e Malit të Zi, se tue ndejë ‘i ditë me nji mik të vetin, paska rá bisedimi mbi politikë. Shka asht politika? – e pyetka miku knjazin. Tue pas ngurrue aj në të përgjigjun, më lên, t’a kallzoj, Madhni, i thânka miku: Politikë don me thanë, po të rrejsh ti, un me duertrokitje të brohoris: Të lumët! E po rrêjta un, të më burgosish si fajtuer, pá pasë të drejtë të lypi arsye…” Dhe për të satën herë edhe në kohën tonë vetëm përsëriten vendimet vdekjeprurëse për ne shqiptarët, dhe atë nga vetë krerët shqiptarë. Ne nuk kemi mundësi këtu t’i radhisim të gjitha, sepse me siguri do të mbushej një libër i tërë me dobësitë, tradhtitë, shkatërrimet, harresën etj.

Këto ditë lexova se kryeministri i Greqisë, Cipras, ka mbetur i kënaqur me bisedat që ka pasur me “krerët” shqiptarë. Si fjalë më tingëlloi mirë, por një shok më tha: mos shpejto, lexo pak më thellë, shiko se për çfarë bëhet fjalë. E çka të shoh: një vijë detare prej 12 miljesh i dhurohet Greqisë nga Kryeministri (të mos flasim për pikat e tjera që diskutohen pas dyerve të mbyllura), kurse Presidenti i shtetit na jep gajret duke thënë: “flini të qetë dhe mos u brengosni, se unë do të veproj sipas Kushtetutës”. Çka duhet kuptuar nga kjo? Vetëm një gjë: ne nuk kemi shtet! Edhe i tillë siç është, është më i pambrojturi nga të huajt. Për një çast m’u rikthye trishtimi i së kaluarës sonë: komunizmi i paparë si fizikisht ashtu edhe metafizikisht; pastaj 1990-ta kur ne u futëm nëpër një rrugë në demokraci, në kohën kur gjithë bota “dilte” prej saj; faktikisht ne hymë nga dalja. Pastaj, nuk kaloi shumë kohë dhe ndodhi ’97-a, kur u vodh, u shkatërrua dhe u dogj shteti. Sa për t’ua përkujtuar: hairin më të madh atyre ndodhive ia panë Greqia, Serbia dhe Maqedonia. Këtu nuk e kam fjalën për shitjen e binarëve të hekurudhave, gëzhojave të predhave, por të vetë armatimit që e blenë qyl, e për çka shumë shqiptarë u dënuan me pretekst të shitblerjes së armëve dhe “terrorizmit”. Me sa më kujtohet asokohe nga burgu u arratis ish-kryeministri Fatos Nano, i burgosur si kriminel, që u rikthye në pushtet sërish si kryeministër?!

Kur i kemi parasysh të gjitha këto, me siguri kjo shitblerje e territorit tokësor dhe detar të Shqipërisë duket si “hiçgjë”. Askush në botë, as vendet e Afrikës nuk e marrin si shembull këtë shtet si shtet, përpos “krerëve” kosovarë, që duket se me mish e me shpirt mundohen t’i ngjajnë në këtë aspekt “nënës” Shqipëri, se edhe ata kanë ca patate të nxehta në dorë (p.sh. demarkacioni me Malin e Zi). Që t’i largohem radhitjes së këtyre informacioneve fatale për ne, nuk kam mundësi të flas, përpos asaj fushe metafizike që tregon dhe thërret në kujdes të veçantë.

Këtë shkrim që e bëj mund ta emëroj vetëm si të përgjegjshëm, sepse ne me sa duket nuk jemi në pozitën që të zgjedhim mes dy të mirave, por vetëm mes të ligave. Kjo përgjegjësi nënkupton pasoja me ndikim të gjerë dhe atë pasoja që mund të jenë të drejtpërdrejta. Faktikisht, del se ne jemi në “luftë”, sepse akoma nuk është shfuqizuar ky ligj te njëri nga shtetet fqinje. Ne jemi sy më sy me realitetin e vrazhdë ndaj shkrimi im është vetëm rezultat i atij realiteti, e jo i prirjeve, përcaktimeve ose qëllimeve personale.

Këtu, në këtë çast, duke pasur parasysh rrethanat, kemi të bëjmë me vetëdijen dhe ndërgjegjen e mundshme të popullit tonë. Secili nga ne tani është edhe diçka më shumë se ç’është me vetveten, të pandarë në atë që jemi, qoftë me vullnetin tonë, qoftë me pashmangshmërinë historike që i ka rënë si hise këtij brezi. Në këtë hapësirë me ne janë të gjithë të gjallët dhe të vdekurit tanë. Ne jemi si në “Ditën e Gjykimit”, me atë dallim që llogarinë ia japim vetes dhe atyre që do të na trashëgojnë – të bashkuar nga udhëkryqi i vrazhdë historik; të barabartë në brengat që na pllakosin, pa ndasi rajonale dhe partiake, pa kurrfarë rivaliteti dhe paramendimesh kundërshtare, të vënë nën një dhe të vetmin emërues me atë mënyrën se si kemi lindur dhe si kemi vdekur.

Asgjë më nuk do të jetë siç ka qenë, si duket duhet nisur gjithçka nga fillimi: pastër dhe qartë si vetë natyra, pa dyfytyrësi. Shqiptarët janë mbase i vetmi popull europian me udhëheqje poltrone anacionale politike (nuk them “nacionaliste” se të gjithë shtiren si të tillë). Ne shqiptarët jemi historikisht të keqtrajtuar në këto hapësira, më të gjera se Shqipëria e sotme – ushtarakisht, ekonomikisht dhe kulturorisht, dhe atë ndoshta më shumë nga vetë “ne” sesa nga te tjerët. Edhe pse gjatë gati një shekulli të fundit jemi margjinalizuar si popull politik, fizikisht dhe ekonomikisht në mënyrë sistematike dhe josistematike të shkatërruar, kulturorisht të përçmuar, fetarisht të satanizuar si relikt aziatik-islamik, ne jemi i vetmi popull në hapësirat europiane me institucione (a)nacionale, me presion të pushtetit ndaj inteligjencies fetare dhe të përbotshme, me zhytje joshëse në europizimin e mjegulluar që është si purgator për përcaktimet e ardhshme kombëtare.

Kjo rrjedhë e trazuar historike është njëri nga shkaqet që tek populli shqiptar mund të hasen të gjitha llojet e skajshmërive. Askund nuk kam hasur njerëz aq të prekshëm zemërbutë, naivë dhe të përkushtuar, pafundësisht vetëflijues, të gatshëm për çdo lloj sakrifice personale dhe kolektive, dhe askund individë dhe grupe të tilla absolutisht zemërngushtë, pafundësisht egoistë, të korruptueshëm, politikisht baltakë dhe, mbi të gjitha, të fiksuar pas nënçmimit të gjithçkaje personale, emrit personal, fesë, zakoneve, të kaluarës. Nuk gjej kurrfarë justifikimi për këtë. Kështu, jemi pa një program të qartë politik, pa udhëheqje të vërtetë politike, pa respektim të mjaftueshëm të autoriteteve fetare dhe kulturore, pa sens për çdo lloj organizimi harmonik. Në regresionin e përgjithshëm shtetëror dhe shoqëror, të shkaktuar nga zhvillimet e parashikueshme historike në Ballkan, te populli ynë u zhvilluan ato veti shkatërrimtare që nga brenda e tresin trupin e vet dhe shpirtin e vet…

Ne nuk kemi dhënë pretekst për atë që na bëhet. Ne as grekëve, as serbëve, as maqedonasve me të cilët jetojmë, me të cilët kemi jetuar, nuk u kemi dhënë kurrfarë preteksti për atë që i kanë bërë dhe dëshirojnë t’i bëjnë  popullit tonë të (pa)mbrojtur. Krimet e tyre janë rezultat i veprimeve të planifikuara (Kosova, Vorio-Epiri…). Për këtë kemi një varg mësimesh nga e kaluara e afërt dhe e largët, por ato mësime i kemi harruar në shpirtmirësinë tonë naive dhe në neglizhencën tonë politike, e çka e kemi madje të ndaluar ta kujtojmë, e lëre më ta mësojmë. Së paku kjo duhet të na shërbejë për vetëdijësim dhe plotësim politik e kulturor, natyrisht edhe shtetëror.

Zbatimin e programeve hegjemoniste nuk do të mund ta pengonte çfarëdo sjellje jona ndryshe. Nëse këtë nuk e kuptojmë menjëherë dhe në mënyrën e duhur, atëherë i bashkohemi agresorëve dhe pohimeve të tyre për fajin tonë apo ndarjen e fajit. Është koha që edhe një herë të themi se ky është një lloj lufte “kryqëzatash/holokausti” modern dhe se faji ynë është kolektiv. Nuk do të them se në këtë mësymje ne kemi vepruar të organizuar, nuk do të them se gjithçka duhej të ishte ashtu siç është, por rrjedha kryesore e ngjarjeve do të shkonte ashtu siç shkoi. Kjo nuk është një luftë emocionale, grindëse mes fqinjëve. Ajo ka qenë, dhe vazhdon të jetë, realizim fizik i planeve politike shumëvjeçare: e paskrupullt, e pamëshirshme dhe radikale. Më e dhimbshmja në gjithë këtë është se ne i ndihmojmë gjendjes së këtillë.

Makineritë propagandistike e fqinjëve, që është e kuptueshme, e njohin këtë përjashtueshmëri dhe fobi antiislame europiane, ndaj e frikësojnë botën me fenë tonë, dhe virtytet tona të njohura, dhe nga ekspertë objektivë të vlerësuara, i paraqesin si rrezik. Në të vërtetë, Europa nuk i vlerëson format multikulturore dhe multifetare të bashkësisë dhe mënyrën tonë të bashkëjetesës. Ajo atë e përjeton më shumë me habi sesa me mirëkuptim. Ata kështu “mendojnë”, por problemi është se ne vetë si mendojmë?!

Ne u besonim përrallave që na janë rrëfyer qëllimisht. Ne nuk jemi “zemërngushtë“, por është e qartë se ata përreth nesh dëshirojnë të na mësojnë se si duhet të jemi. Disa nga ato mësime duhet t’i pranojmë për të qenë të kuptueshëm. Sulmet anti-kombëtare, anti-fetare ndaj shqiptarëve nga e majta dhe e djathta, me urrejtje e bëjnë të dyshimtë këtë pastërtinë tonë shpirtërore dhe me gjurmë të përgjakur fshijnë gjithçka që kemi prekur me shputat tona dhe që e kemi materializuar shpirtërisht. Sepse, ne nuk jemi kurrfarë populli qiellor, por tokësor, i kësaj toke.

Në krahasim me të tjerët ne gjithmonë kemi qenë të matur, modestë, të sjellshëm, miqësorë dhe të kujdesshëm, mirëpo gjithmonë kjo është vlerësuar si dobësi e jona, e jo si zemërgjerësi e qenies sonë. Ne jemi vlerësuar jo sipas asaj që jemi dhe çfarë ofrojmë në bashkëjetesën me të tjerët, por sipas kutit matës, cilësive dhe moralit të vlerësuesit. Ky, fatkeqësisht, nuk është kurrfarë ngushëllimi. E liga nuk kërkon lavdërim, por dehjen e entuziazmit të çmendur. Ne i kemi pranuar të gjitha bukuritë që na janë ofruar, iu besonim përrallave që janë rrëfyer qëllimisht, e falnim ligësinë dhe shëmtinë që na bëheshin, shtrinim duart e pastra në “ardhmërinë e largët”… E gjithë ajo ishte një mashtrim i paramenduar dhe i ulët. E gjithë ajo tani na tall me cinizëm në fytyrën e gjakosur, jo pa kënaqësi maniake të kriminelit. Tani jemi këtu ku jemi dhe atje ku nuk jemi: me viktimat, gurëvarret e freskëta, rrënojat, monumentet e shembura, nënat dhe motrat e përdhunuara, me dhimbjen. Këtë ligësi kurrë nuk duhet ta harrojmë. Kjo e ligë ndaj popullit tonë dhe trojeve tona është formësuar asisoj dhe në mënyrë aq shprehëse sa me të ky qytetërim do të merret si me një shkak tmerrues shtjellimi shkencor dhe artistik që mund t’i sjellë Njerëzimit aq shumë dobi përvoje, sa neve që na ka sjellë dëm.

Për t’u prezantuar dhe dëshmuar se kush jemi, çdo forcë fizike dhe metafizike duhet bashkuar, dhe duhet kuptuar serioziteti i kohës, duhen krijuar mundësitë për një zhvillim më të fortë, më të plotësuar dhe më racional, që do të mund ta mbrojë vetveten ashtu siç duhet. Kjo nuk bëhet me abuzimet e institucioneve të shtetit, të cilat janë bërë “domosdoshmëri” tek ne. Për fat të keq, në këtë lojë marrin pjesë edhe figurat “fetare”, siç pamë para disa ditësh kur Sulejman Rexhepi dekorohet me urdhrin kalorësiak të Skënderbeut nga Ilir Meta. Edhe dekoruesi edhe i dekoruari bëjnë abuzim institucional të shqiptarëve. “I madhi” tallet me shtetin, e ky tjetri në vend që ta merrte dekoratën, duhej t’i thoshte: ju akoma dyshoni për kufijtë e shtetit, e i dhuroni territor dikujt, ndaj si mund të jepni dekorata shtetërore?!

E gjithë kjo që u tha më sipër, pa marrë parasysh “komandantëve” të shumtë dhe “trima” që i terrorizojnë fqinjët dhe që vriten me njëri-tjetrin pandërprerë, ma përkujtuan thënien nga viti 1997 të ministrit të brendshëm të Maqedonisë, i cili në pyetjen e një gazetari se a mendon se Maqedonia është e kërcënuar nga Shqipëria, përgjigjja e këtij ishte se ajo nuk ka mundësi t’i ruajë kufijtë e vet, e lëre me të kërcënojë dikë tjetër. E sot, e shohim se ajo që thoshin serbët kur i nisën luftërat që e shkatërruan ish-Jugosllavinë se: “aty ku ka edhe një varr serb është tokë serbe”, tani si duket po e vazhdojnë grekët.

 

Ismail Bardhi

 

31 janar 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Dhurate 1 2 mile, grekeve, Prof.Ismail Bardhi

Shqiptari Hasan Tahsin Mesarea, gjenerali që u dhuroj grekëve Selanikun

July 19, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA*/
Selaniku është kryeqendra e Greqisë së Veriut. Unë jetova dhe punova rreth 12 vite në këtë qytet. Gjatë qëndrimit tim u mora dhe me studimet historike që lidheshin me jetën politike-shoqërore të shqiptarëve që nga koha e perandorisë osmane e deri më sot. Kështu, në Selanik ka jetuar disa vite Ismail Qemali Vlora, mbreti Ahmet Zogu qëndroi pak muaj mbas largimit nga Shqipëria në vitin 1939. Në qytetin e Selanikut është vrarë ish-kryeministri i Shqipërisë, Hasan Prishtina, më 12 gusht 1933. Gjatë kohës së kryengritjes së turqve të rinj (Xhonturqit) në Korrik-Gusht të vitit 1908, Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno, qëndruan disa ditë në Selanik. Në vitin 1916, në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquar Themistokli Gërmenjin. Bashkësia shqiptare në Selanik ka pasur edhe varrezat e saja në lagjen e sotme Triandhria. Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik në kohën e Perandorisë Osmane. Këto varrezat u shkatërruar nga qeveria greke në vitin 1983. Eshtrat e mijëra të vdekurve u zhdukën, përveç disa të cilat i tërhoqën familjarët e tyre që jetonin ende në Selanik atë vit.
Me Selanikun lidhet një ngjarje shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe Greqinë, është ajo e 26 Tetor 1912, komandanti turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha Mesarea (1845-1918) ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha pasi ua dhurojë grekëve Selanikun u largua në fillim për në Francë e më pas në Zvicër, vdiq në vitin 1918, në Lozanë, aty edhe u varros për herë të parë. Në vitin 1937, Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesarea. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983, përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat qëndruan 23 vite. Toka ku gjendej varrezat e shqiptarëve në Selanik u ndërtuan pallate, rrugë e një pjesë mbeti lulishte dhe njihet me emrin Parku Triandhria.
Më 2006, eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për tu rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij, Qenanit në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis gjeneral Mesaresë dhe komandantit të ushtrisë greke, Kostandinit nga 25-26 Tetori 1912.
Hasan Tahsin Pashë Mesarea kishte 7 fëmijë, prej të cilëve vetëm 3 jetuan, dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij, Qemal Mesarea ka qenë ambasador i Shqipërisë në Athinë më 1933-1934. Ai u martua me një greke dhe vdiq në vitin 1968. Vajza e vetme u martua në Turqi. Kurse djali tjetër i Hasan Tahsin Pashës, quhej Qenan Mesarea (1889-1965). Gjenerali Hasan Mesarea ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i trupave osmane në Jemen, Siri, Irak, Qipro, Kretë dhe në Selanik. Gjatë kohës që ka shërbyer në Kretë ai lidhi miqësi me Venizelon, i cili pas dhurimit pa luftë qytetin e Selanikut e ndihmojë më vonë familjen Mesarea që të largohej për në Francë dhe të fitonte shtetësinë greke. Hasan Tahsi Mesarea i përket ajkës së shqiptarëve që kanë studiuar në shkollën e mesme Zosimea të Janinës. Siç dihet këtë gjimnaz kanë ndjekur mësimet Konstadin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hoxhë Hasan Tahsimi, Ali Asllani, Abedin Pash Dino, Naim dhe Sami Frashëri, Sali Nivica, Aleksandër Xhuvani, etj.
Historia e Hasan Tahsin Mesarea është një nga historitë e shumta të ushtarakëve shqiptar që i kanë shërbyer ushtrive të huaja. Rrugëtimi i Hasan Tahsin Mesaresë nisi në vitin 1845, në fshatin Mesarea, në Jugun e Shqipërisë (Mesare ndodhet në rrethin e Kolonjës) dhe përfundoi më 2006, në Veriun e Greqisë, në qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Mesarea ishte një ushtarak vizionar i cili shpëtoj jetët e mijëra qytetarëve të kombësive të ndryshme që jetonin në qytetin e Selanikut. Akti i tij për dhurimin me paqe të këtij qyteti tregon shpirtin human të një njeriut i cili i takon nderi më i madh për shpëtimin e Selanikut nga shkatërrimi nën grykat e topave. Historianët grek çlirim e Selanikut ja dedikojnë komandanti të ushtrisë greke Konstandin apo Venizelosit, por këto merita janë të pavlera përpara aktit human të gjeneralit Mesaresë i cili preferoj më mirë dorëzimin me nder se sa të derdhej gjaku lum. Në çastin e dhurimit të Selanikut, gjeneral Mesarea kishte 26.000 ushtar nën komandë dhe preferoj më mirë tu shpëtonte jetën se sa të vriteshin.
Dorëzimi i Selanikut nga gjenerali turk me kombësi shqiptare
Pas luftimeve të gjata midis forcave turke dhe forcave të ushtrisë greke në Greqinë e Veriut u arrit armëpushimi. Gjenerali turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha, në 26 Tetor 1912, kishte firmosur dhurimin e qytetit grekëve dhe po përgatitej të largohej bashkë me ushtrinë për në Turqi. Më 27 Tetor, të dërguarit e krye-gjeneralit të ushtrisë bullgare Teodorov, duke mbajtur flamurin e bardhë u takuan me gjeneral Hasan Tahsin. Bullgarët përfaqësoheshin nga një kolonel, dy oficerë dhe kapiteni Standov që më pas u bë ambasador i Bullgarisë në Paris. Gjatë bisedës kapiten Standovi shprehu befasinë dhe pakënaqësinë për dorëzimin e Selanikut grekëve, pasi siç tha ai ushtria bullgare kishte hyrë duke luftuar disa herë në Selanik. Prandaj gëzonte të drejtën që të marrë në dorëzim në emër të naltmadhnisë së tij Carit të Bullgarisë. Por gjeneral Hasan Tahsini u kujtoi bullgarëve që ushtria turke kishte pasur kundërshtar lufte për Selanikun vetëm ushtrinë greke. Koloneli kryetar i përfaqësueses bullgare mbas këtyre fjalëve u përgjigj me tërbim se para pak orëve ushtria bullgare kishte luftuar kundra ushtrisë turke në rrethinat e Selanikut. Prandaj duhej të përgatitej menjëherë një shkresë e posaçme, sipas të cilës qyteti i Selanikut u dorëzohej ushtrisë bullgare. Ndonëse tashmë i mundur, gjenerali Hasan Tahsin Pasha me kryelartësi tha – JO. Atëherë me diplomaci ndërhyri kapiten Standovi për të qetësuar përshtypjen e keqe që kishte lënë koloneli bullgar duke thënë që mbas një përgjigje pozitive për bullgarët Hasan Tahsin Pasha do të vlerësohej nga krye-gjenerali Todorov dhe ushtria e tij. Pas dy orë bisedime pa bindur gjeneral Tahsinin, kapiten Standovi shprehu dëshirë të bisedonte vetëm për vetëm me djalin e gjeneralit, adjutantin Qenan Mesarea. Pasi kaluan në një sallë veçmas zoti Standovi nxori nga çanta e tij një çek të një banke Londineze me një shumë marramendëse, që ia dha adjutant Mesarea duke pëshpëritur se çeku ishte shpërblimi për një firmë të thjeshtë të babait të tij. Në atë çast Qenan Mesarea mbeti i hutuar dhe u kthye në zyrë duke refuzuar shpërblimin. Pasi dështuan kërcënimet dhe shpërblimet e ndryshme, përfaqësuesit bullgarë kërkuan që gjeneral Hasan Tahsin Pasha t’u jepte një kopje të protokollit të dorëzimit të Selanikut forcave të ushtrisë greke. Pasi morën kopjen e protokollit të dorëzimit të qytetit të Selanikut forcave greke, përfaqësuesit e ushtrisë bullgare u larguan për të mos u kthyer më kurrë.
*Historian

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, dorezoi Selanikun, grekeve, Shqiptari, Tasin Masarea

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT