Delegacioni i qeverisë së Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri Nikola Gruevski ku nuk ka qenë i pranishëm asnjë ministër shqiptarë në SHBA ka zhvilluar takime edhe me disa biznesmenë shqiptaro- amerikan nga Maqedonia, por këto takime kanë qenë larg vëmendjes së mediave të diasporës shqiptare dhe korrespodentëve të mediave shqiptare.
Korrespodenti i agjencisë INA nga Nju Jorku raporton se nuk dihen arsyet se përse Gruevski ka zhvilluar këto takime me biznesmenë shqiptarë nga Nju Jorku dhe Çikago dhe cilat kanë qenë pikat e diskutimit. Ndërsa edhe nga ana e biznesmenëve nuk bëhet e ditur se çfarë është diskutuar në këto takime të ndara pa praninë e mediave dhe jashtë protokollit zyrtar.
Kryeministri Nikola Gruevski e ka vlerësuar të suksesshme vizitën e tij në SHBA, duke theksuar se janë shpalosur të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për investimeve e kompanive të njohura amerikane në Maqedoni.
“Vizituam katër qytete të mëdha të rëndësishme, Nju-Jorkun, Çikagon, Los Anxhelosin dhe Las Vegasin dhe takime me mjaft kompani: Në prezantimet kishte shumë të pranishëm, i madh ishte interesi, u parashtruan shumë pyetje dhe u realizuan shumë kontakte personale. Disa kompani tashmë paralajmëruan ardhjen në Maqedoni disa njoftuan se do të investojnë në Maqedoni”, deklaroi Gruevski.
Në kuadër të kësaj vizite në kuadër të delegacionit qeveritar ishin vetëm ministrat e kabinetit qeveritar nga radhët e VMRO-DPMNE dhe nuk ishte ministri pa portofolio apo investime, Visar Fida apo ndonjë zyrtar i lartë i Agjencisë për Investime të Huaja, e cila i takon BDI-së. (Beqir SINA/INA)
Kryeministri Rama: Të implementohet marrëveshja e Ohrit. Gruevski hesht
2014 është viti i parë,vigjiljen e te cilit rajoni i Ballkani Perëndimor e pret në paqe, andaj ta shfrytëzojmë si hapësire per zhvillim. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama pas takimit që pati me homologun e tij maqedonas Nikolla Gruevski. Duke folur për incidentet e fundit ndëretnike në Shkup, Rama tha se Qeveria shqiptare po ndjek me shqetësim të gjithë këto momente të shfaqjes së intolerancës dhe dhunës së natyrës ndëretnike, ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
“Ndjekim me shqetesim kur shfaqet intolerance dhe dhune nderetnike, kemi bere thirrje te vazhdueshme per maturi dhe vetedije se suksesi i perbashket eshte mbarevajtja e marredhenieve nderetnike. Bashkerisht do ndertojme te ardhmen. Shqiptaret jane pjese shtetformues ne Republiken e Maqedonise. Jemi te interesuar te implementohet marreveshja e OHRIT. Paqja në rajon ka hyrë në një proces të ri me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë dhe kjo është një dritare e re e mundësive për zhvillim rajonal.2014 është viti i pare,vigjiljen e te cilit e presim ne paqe. E ardhmja e rajonit është ne BE. Tashmë rajoni jonë ka mundësinë ta shfrytezoje paqen si hapësire per zhvillim” tha Rama.
Nga ana tjetër Kryeministri maqedonas ka preferuar të anashkalojë Marrëveshjen e Ohrit, duke u mjaftuar me deklaratën se marrëdhëniet ndëretnike janë stabile dhe se ato po ngriten vazhdimisht përmes një debati. Ndërkaq ai theksoi mbështetjen e Maqedonisë në integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe që të dyja vendet të kenë përparim në planin e evrointegrimeve.
“Bashkërisht vlerësuam se ka kontinuitet të bashkëpunimit dypalësh, për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, rrugor dhe hekurudhor dhe projekte në fushën e energjetikës. Jemi në fazën e nisjes për autostradën e Korridorit 8 dhe jemi të përkushtuar që të kemi kemi lidhje rrugore sa më të mirë me Shqipërinë”, theksoi Gruevski, duke shtuar se Maqedonia mbetet e angazhuar në përparimin e marrëdhënieve midis dyja vendeve në frymën e mirëkuptimit dhe miqësisë së mirë.