Grupi i Vajzave të Tërbaçit/
Nga MSc. Albert Habazaj, studiues i etnologjisë dhe folkorit/
Folkori femëror po e pasuron dhe e zbukuron hijshëm folkorin tradicional, me zbatimin e normave të traditës, si dhe duke mbajtur mirë parasysh parimet specifike, ato “ligjet” e pashkruara, që e bëjnë folkorin lloj të veçantë artistik. Folkori femëror po rishfaqet guximshëm, mes sfidash, ballafaqimesh e konkurencash, por edhe mes miqësirash, qokash e hatëresh. Turbullohet folkori nëpër llagëmet e “turbofolkut” ende. Dhe përsëri shfaqet i vërtetë, i qartë në dritë të diellit dhe në furtuna të vetëtimave. Veçse një gjë nuk e kuptojnë si duhet apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë si duhet shkruesit e mëdhenj e me kollare të shkrimeve të rënda e me goxha vëllim për folkorin, specialistët e jurive, vlerësuesit e notavënësit e krijimtarisë folkorike në tërësi dhe të këngës labe në kuptimin më të ngushtë të këtij punimi. Krijimi folkorik i këngës labe, sikurse folkori shqiptar apo dhe folkori i popujve të tjerë, mik ka ka vetëm natyralitetin dhe origjinalitetin e tekstit të poezisë popullore, muzikën, instrumentet (kur dhe ku përdoren, si tejtëhu), vallëzimin popullor (vallen), krahas veshjes, mjedisit, kohës dhe hapësirës së praktikimit. Ka mik vetëm nivelin artistik, cilësinë e lartë, shndërrimin në krijimtari folkorike nëpërmjet qarkullimit folkorik të një bashkësie të caktuar, jetës që bën në komunitet, pëlqimit apo shpërfilljes nga banorët dhe asgjë tjetër. Një nga figurat më të njohura të folkoristikës shqiptare sot, prof. dr. Agron Xhagolli përmend veçoritë e folkorit, ato “ligjet” e pashkruara të magjisë hyjnore, të cilat na rrëmbejnë në gjirin e Mbretësisë së Këngës labe, ndër të cilat, profesori përmend: “karakterin e tij sinkretik (të folkorit- shën. im: AH); përhapjen gojore; improvizimin; prirjen ndaj së bukurës, sublimes; lidhjen e së bukurës me të dobishmen; pasqyrimin e atypëratyshëm apo menjëherë pas ndodhjes apo shfaqjes së dukurive të ndryshme; zgjidhjen e çështjeve të shtruara nga pozita e bashkësisë apo të komunitetit; kontrastin e prerë; dinamizmin estetik; përgjithësimin tipologjik; parimin e zbukurimit; koncizitetin; simbolimin nga pozitat e bashkësisë etj.”. (Xhagolli, Agron, “Etnologjia dhe folklori shqiptar”, Vlorë, “Triptik”, 2017, f.17). Folkori, në rrjedhat e kohës, pëson ndryshime, deri edhe transformime, por asnjëherë nuk mund të shkëputet prej traditës, kritereve të krijimit e të funksionimit të vetë folkorit. Edhe kënga labe. Në vitet 1970 mbahet mend grupi i vajzave të Dhërmiut, (sot bashkia Himarë, qarku Vlorë) që u mirëprit si një dukuri e re folkorike në rang kombëtar. Po në atë kohë u paraqit në hapësirat lokale të Mesaplikut e Lumit të Vlorës edhe Grupi i Vajzave të Tërbaçit (sot bashkia Himarë, qarku Vlorë). Sot, mbi bazën e traditës së Grupit të vjetër të Vajzave të Tërbaçit shfaqet Grupi i Ri i Vajzave të Tërbaçit, si një risi cilësore e polifonisë labe.
Tërbaci, historia, kënga. Tërbaçi i Labërisë ka emër të mirë në histori për liri, dituri e kulturë. Krahas burrave të shquar në rrjedhat e kohës, fshati ynë, që duket si fole shqiponjash mbi luginë të Mesaplikut, me kontributin e gruas dhe vajzës tërbaçiote në luftërat për pavarësi, liri, emancipim shoqëror, dinjitet dhe përparim, i ka dhënë kujtesës kombëtare thesare të çmuara. Miro Tëbaçja me histori fluturon në këngë dhe legjenda. Trimëresha e Tërbaçit, Legjenda Miro u rrit bonjake, pa nënë e pa babë, dhe, siç e këndon kënga “hasmit pashallarë,/ i vranë vëllanë”, pabesisht e padrejtësisht. Kështu realiteti shndërrohet në legjendë … Miro Tëbaçja ngrihet si heroinë popullore, që doli nga gjiri i këtij fshati, u vesh e u ngjesh si djalë dhe ormisi (vrau) pashain e Beratit, sepse tërbaçiotët s’mund të duronin më t’i jepnin haraçe hordhive barbare gjatë pushtimit feudal ushtarak të Perandorisë së vjetër osmane.
Siç ka bërë emër në histori, Tërbaçi ka emër të lartë dhe në folkorin shqiptar me vallen dhe këngën hijerëndë labe tërbaçiote. Falë birit të fshatit tonë, dragoit të këngës labe, Kujtim Micit të paharruar, më 1966 u krijua i organizuar e i strukturuar grupi polifonik i Tërbaçit, që më vonë u quajt nga të tjerët dhe specialistët Grupi i Madh i Tërbaçit. Ky grup u ngrit mbi bazën e traditës së të parëve, ardhur si stafetë e bukur e trashëgimisë shpirtërore me vargje e melodi karakteristike vendore, që përhapej gojë më gojë nëpër gëzime, dasma e ceremoni familjare.
Kjo majë folkorike nga Grupi i Madh i Tërbaçit u arrit falë tre elementëve të veçantë të Kujtim Micit: talentit të jashtëzakonshëm krijues, dhuntisë së rrallë organizative dhe autoritetit të padiskutueshëm me të gjitha grupmoshat. Ishte vetëm 29 vjeç kur filloi atë punë kulturore titanike në Tërbaç. Kujtim Mici ishte mësues i spikatur, drejtori më jetëgjatë i shkollës 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç dhe drejtuesi i vetëm, regjisori, krijuesi i teksteve – perla të gurrës popullore. Ai konceptoi, projektoi dhe realizoi punën e grupeve sipas sistemit zinxhir. Krijoi grupin e burrave për këngë e për valle, grupin e grave, grupin miks, grupin e fatosave dhe të pionierëve të shkollës, siç quhej atëhere dhe, më vonë, grupin e famshëm të vajzave të shkollës së mesme të Bratit, (nga që në Tërbaç nuk pati gjimnaz). Këto grupe funksioninin paralelisht, pa ndërprerje avktiviteti në fshat, në lokalitet, në zonë, në rreth, nëpër festa, ceremoni e festivale, funsiononin si një ansambël i mrekullueshëm ylberor, saqë dhe krijuan stilin tërbaçiot të këngës labe. Tashmë, folkori i mirëfilltë tërbaçiot ngrihet në stadin e folkorit të kultivuar mbi shtratin e traditës, duke i freskuar karakteristikat lokale e duke i pasuruar ato me elementë të rinj. Në këngën polifonike labe të Tërbaçit, sidomos me të pakapshmin Sinan I. Hoxha, ashtu sikurse në këngën e Himarës së meteorit Neço Muka e bilbilit Dhimitër Varfi apo smokthinjoçen qazimademçe, që na e sjell me shkëlqim të qartë Hysen Ruka, dallon tejdukshëm karakeri etnoveçues, po aq sa karakteri etnopërbashkues si pjesë e së tërës folkorike.
Dy fjalë për grupin e grave dhe vajzave. Siç e shprehëm, se ashtu ka funksionuar rregullisht, krahas grupit të burrave, u ngrit dhe grupi grave, po në vitin 1966. Personalisht i mbaj mend edhe fillimet e këngës grarishte tërbaçiote, që të organizuara e të regjistruara në Radio Tirana nisën me njësinë folkorike “Tërbaçi, gur’ e përrallë, ma-ja-ve…”, që ia merrte me aq ëmbëlsi, shtruar e qetë, grarishte, ish – mësuesja e mirë Hatixhe Hodo (dtl. 1937, me arsim të mesëm pedagogjik), bijë nga Radhima, nuse në Tërbaç, ia thyente Edie Muho (dtl. 1938, me arsim 7 vjeçar, kthyese e grupit), ia hidhte Farì Skëndaj (dtl. 1936, me arsim 7 vjeçar) dhe ia mbushnin (mbanin iso) disa gra të tjera. Të tria, këto që u përmenda emrin kanë qenë zërat kryesorë të këngës dhe sot janë më moshë të tretë, gëzojnë respekt nga fshati, fëmijët, nipërit e mbesat. Shumë këngëtare të tjera të këtij grupi janë larguar nga jeta. (Qofshin përjetë të paharruara dhe të kujtuara nga brezat e pasëm!) Krahas këtij grupi më të vjetër, krijuesi ngriti dhe një grup me vajza të reja, ku spikatën, sidomos në vitet 1968 – 1972 vajzat e Tërbaçit: Dashuri Hodo (Mehmetaj), Afërdita Demo (Nevraj), Natasha Hoxha (Rrapoj), e paharruara Besie Hodo (Mehmetaj), Lumturi Hodo (Habazaj), Fatbardha Lushaj (Lulaj), Velide Shirokaj, Fatbardha Barjami (Kapo), Bukuroshe Abazi (Ramohito), Pestrova Mehmeti (Abazi), Ferzilete Barjami, Shpresa Abazi (Gjondeda), Nazo Dautaj (Ribaj), Shpresa Kapo (Çelaj) etj., nga të cilat, disa ishin angazhuar qysh me grupin e nxënësve e të tjera, shpesh herë e në vijimësi, këndonin edhe me grupin miks. Shpresa Kapo dallohej (që me grupin e fëmijëve në Gryka) dhe në krye të valles, si më e gjata në trup e grupit elegant dhe hedhëse me ngjyra të pastra e të ngrohta e këngëve të Nazos. Si tekste, drejtuesi u jepte së pari ato të traditës, të krijuara nga Xhebro Gjika, Hamdi Hodo, Sinan Gjondeda, Sinan Mullahu, Puçe Veliko apo pa autorësi (autorë anonimë). U kënduan po ashtu tekste të Kujtim Micit, i cili i ngriti shumë artistikisht si poezi dhe melodi. Grupi i vajzave i ka sjellë stilit Tërbaçiot përherë nota të freskëta e të bukura në këngë. Marrëset kryesore të grupit kanë qenë:
- Natasha Hoxha (Rrapoj) me këngët “Dëshmorët e fshatit tonë – Dola në saba’ pa dirë” (teksti Xh. Gjika), “Le t’ja thot’ labi në Jugë” (teksti K. Mici), dhe “Këngë për dëshmoren bonjake Anife Kiçaj” (teksti H. Hodo). Mbahet mend (janë dhe çertifikatat përkatëse si dëshmi) që me këngën “Le t’ja thot’ labi në Jugë” grupi i Tërbaçit fitoi çmmin e parë në Festivalin Krahinor në Brataj, ku u vlerësua edhe marrësja. Nuk këndoi shumë vite me grupin, pasi u largua nga Tërbaçi (martesa puna, largësia, pamundësia).
- Dashuri Hodo (Mehmetaj), ka qenë një marrëse me zë të qartë, të lirshëm, që rridhte vrullshëm, sidomos me këngën “Ç’i gjet’ zakonet që pamë” (teksti K. Mici, 1967), e cila pati jehonë për vitet kur u këndua, u përhap, u pëlqye, u regjistrua në Radio Tirana dhe transmentohej shpesh, sepse dhe motivi i saj qe lufta kundër mbeturinave dhe zakoneve prapanike të kohës së kaluar. Kjo njësi folkorike me ritëm recitativ i dha hov këngës së Tërbaçit. Dashuria jeton në Tërbaç. Janë si familje këngëtarë, (megjithëse në Tërbaç dhe gurët këndojnë labçe).
- Afërdita Demo (Nevraj), marrëse nga më të vjetrat e grupit të Tërbaçit, e cila dallohej për shqiptimin e kumbueshëm të fjalëve në melodi, sidomos në këngën “Ju, bijt’ e Tërbaçit plak” (teksti K. Mici), që harmonizohej aq mirë me mbushjen (ison) në krahët e notave liriko-epike të këngës aq të dashur për ne. Dhe Afërdita, sikurse Natasha pak vite bëri me grupin, për arsye se u largua nga fshati.
- Bukuroshe Habazaj (Ramohito) (dtl.: 30.11.1953-) u angazhua me grupin në vitet 1971-1973. Ka marrë pjesë në veprimtari të dendura artistike – kulturore në një kohë të shkurtër të aktivizimit të saj me grupin e më gjerë. Në qershor 1973 ishte marrëse e këngës “Flet Halimi, është i gjallë”, me tekst të mësuesit krijues, të paharruarit Zaim Hoxha. Gjatë viteve, që punoi në vendlindje, ishte mësues Zaimi që krijoi këngën shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, figurë demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ rri, po nuk i rrihet…” janë disa vargje thurur nga mësues Zaimi për grupin e shkollës, që kishte ngritur drejtor Kujtimi dhe mësuesi kujtestar, mësues Rexhepi me ne, e, kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë dhe bënim prova me këtë tekst, me marrëse Nazon, për të cilën do të flasim në vijim. Bukuroshja ka qenë heqëse vallesh deri dhe prezantuese e festivalit zonal dhe në shkallë rrethi, (falë timbrit të kulluar të zërit), që u zhvillua në Sheshin e Flamurit, qershor 1973 si pararendës përgatitor për Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës të tetorit 1973. Për shkak se u martua, në gusht të atij viti, u shkëput nga grupi dhe shkoi në Shijak me familjen që krijoi.
- Fatbardha Barjami (Kapo), ka qenë një nga marrëset e dalluara të grupit, me rrënjë e degë kënge. U shqua sidomos si prijëse e valles dhe marrëse e valles mikse të kënduar: “Hidhe vallen, Shqipëri” (teksti K. Mici). Kishte një zë melodioz, të fortë, të ëmbël, të lirshëm, që e zotëronte grupin dhe e nderonte këngën. Nuk lëvizi nga fshati, por për arsye të angazhimit me punët e pushtetit dhe drejtimit të komunës, nuk mund të vijonte shumë vite me grupin miks apo atë të grave të fshatit.
- Ferzilete Barjami, motra e Bardhës, i dha një impuls lirik të veçantë këngës tërbaçiote. U dallua si marrëse e dashur, me zë trëndeline, sidomos për këngët me motive baritore të dashurisë. Janë të shumta këngët e Ferziletes, ku, ndër të tjera, do të veçonim ato me dy marrës: djalë-vajzë, ku ajo bën rolin e vajzës si marrëse tërësisht tek këngët e Kujtim Micit, si tek: “Dil çoban nga tënda!”, apo tek e famshmja “Bujkesh’, më shkele meranë…” etj., etj. Pati jetëgjatësi me grupin e Tërbaçit, por duke u martuar në Tiranë, vetvetiu do të ndodhte shkëputja.
- Nazo Dautaj (Diana Ribaj) (25.06.1960-) dhe vajzat e Mesaplikut. Qysh në vitet 1967 – 1970, krijuesi zbuloi, përgatiti, inkurajoi dhe realizoi një marrëse fenomenale, bonjaken shembullore Nazo Dautaj (Ribaj), e cila shkëlqeu si marrëse dhe tronditi Festivalin e Tretë Kombëtar të Gjirokastrës më 1978 me këngën lapidare si tekst, melodi dhe interpretim “Gjurmë të kuqe latë mbi borë” – himn për Brigadën e Pestë Sulmuese Heroinë e Popullit. Zëri i Nazos magjepsi krijues, kompozitorë, orkestrantë e muzikantë. Ajo s’qe këngë. Ajo qe simfoni labe. Ajo s’qe simfoni. Qe një operë epiko-lirike. Dhe Nazua qe vetëm 17 vjeç, kur filloi provat me këtë këngë. 18 në Festival. Kalamake. Po aq ishin dhe gjashtë vajzat e tjera. Adoleshente. E pabesueshme, kur e kujton sot dhe e krahason me çupat e kohës që jemi. Çfarë kanë patur në grykë ato vajza që ndezën atë zjarr folkorik të paparë në Kalanë e Gjirokastrës?! Një forcë tronditëse, një interpretim mjeshtëror nga grupi i vajzave të shkollës së Bratit apo i vajzave të Mesaplikut, si u quajt e mori nam atëherë. Një ndërthurje e rregullt dhe e këndshme e shumë tingujve magjikë, ngjyrave ylberore, etj., krijuan atë tërësi të harmonishme të “Shamikuqes Bramyshnjë lëndinë”. Grupi i vajzave kishte 7 veta; katër nga Tërbaçi dhe pikërisht Nazua – marrëse e talentuar, Shpresa Kapo (Çelaj), një hedhëse e përsosur, Vangjelina Gjini (Deda) dhe Shazie Hoxha (Shyti), që mbushnin këngën me iso, së bashku me Dilore Ballën (Arshiaj) nga Gjormi dhe Baire Hasanin nga Lezhani. Khtyese e këtij grupi simpatik vajzash gjimnaziste ishte Fedirete Sulçaj nga Mesapliku. Dhe ku nuk dhanë shfaqje ato thëllëza mali?! Në Vlorë, në Gjirokastër, në Libohovë, në Përmet, te Ura e Përmetit, në Sarandë, në Delvinë…Dhe u pritën si princesha.
Një visar të ri për folkorin tonë solli me zërin e saj brilant Nazua me këngën liriko-elegjiake “Mal’ i Çikës kokën uli”, 1979. Tekstit të viganit Kujtim Mici, zëri i marrëses Nazo Dautaj i dha dinjitet dhe emocion artistik sfidues. Karakterit sinkretik të këngës labe të Tërbaçit i dha krenari. Fjalë e muzikë e interpretim në këtë perlë folkorike ishin në një unitet me të vërtetë harmonik. Pak vite bëri në Tërbaç Nazua, pas mbarimit të shkollës së mesme dhe, detyrimisht, u ndërpre veprimtaria folkorike e saj. Sot jeton në Athinë me bashkëshortin e dashur e fisnik Besnik Ribaj dhe gëzojnë dy fëmijë: një djalë e një vajzë. Takimi rastësor me të, të mërkurën e 3 gushtit 2016, ndërsa bëheshin prova me grupin e grave të Tërbaçit, qe një mrekulli (falë rastësisë që u kthye për pak ditë pushime në Vlorë me familjen dhe mundësisë e takimit që na krijoi Shpresa Kapo Çelaj, shoqja e saj më e ngushtë e fëmijërisë, që në klasë të parë, shoqe e shkollës fillore në Gryka, e tetëvjeçares në Fshat, e së mesmes në Brataj; të pandara në këngë). Kujtuam atë shoqëri aq të pastër, sinqerisht të padjallëzuar e vëllazërore në kuptimin më ideal të fjalës. Kujtuam vitet e lavdishme të këngës. Shpresa, Nazua dhe unë kemi qenë shokë klase nga klasa e parë në Gryka (1967) deri sa mbaruam klasën e tetë sipër në Fshat (1974-’75). Shpresa vazhdoi shoqërinë me Nazon dhe në shkollën e mesme në Brataj. Në tetëvjeçare në klasë me ne qe dhe Hava Çelaj Muçaj, me të cilën ato vijuan udhëtimin në Brataj të tria, ndërsa unë shkova në Tiranë me bursë në gjimnazin ushtarak (ish-Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” (1975-’79) … Qysh në 8 vjeçare, po ravijëzohej profili folkorik i Nazos si marrëse absolute. Më kujtohet kur krijuesi thuri këngën baladeske “Të lutem, o nënë e dashur!” – kushtuar dëshmorit të fshatit Riza Salati, ndërtuar në formën e dialogut midis nënës dhe djalit. Një këngë e bërë me shumë ndjenjë, dashuri e dhembshuri, ndërtuar me ritëm recitativ, me metrikë 8 rrokëshe dhe rimë të kryqëzuar ab ab. Viti 1973. Kemi qenë në klasë të shtatë. Nazua ia mirrte këngës në rolin e nënës, gruas së dëshmorit, ndërsa, në rolin e djalit, ia merrja unë, Albert Habazaj. Largimi nga fshati, që 15 vjeç me shkollë e detyra larg vendlindjes, për kohën nuk mund të më rikthente më me atë grup fantastik, që s’ribëhet më…Nazua mbeti e paarritshme në interpretim, falë zërit të saj, që sikur vinte nga hyjnitë në tokë; po ashtu falë dhe natyrës së saj serioze, thjeshtësisë e karakterit të fortë. Disa e quajnë Vaçe Zela e këngës së Tërbaçit, disa i thonë Inva Mula e këngës labe e disa i flasin Ermonela Jaho e stilit tërbaçiot. Nazua i dëgjon qetë, qesh ëmbël, se e kupton që ia thonë me respekt e dashamirësi njerëzit këto vlerësime, veçse ua kthen: “U faleminderit, po, këtyre hënave, nga jemi ne, sikur nuk i mbamë dot peshat që s’i ngrëmë dot apo që s’na përkasin. Si thoni?-Sikur u kërkon miratimin me qortim për ato fjalë që të sajve, u dalin nga shpirti. -Unë jam Nazua. Thjesht. Më mjafton kaq. Ju e dini që si kam qejf ato superlativat vend e pa vend. Apo na e heq dera euforinë!… Jeni shumë të mirë! Hajt’ të këndojmë tani, se ndaj erdha t’u takoj, se më kish’marrë malli për këngë!…
Grupi i fatosave të Tërbaçit. Qysh në klasë të tretë, Nazua spikati si marrëse e rrallë e këngës labe të Tërbaçit dhe s’iu nda më asaj. Ishte pikërisht viti 1969. Kujtim Mici krijoi grupin e parë të fatosave të Tërbaçit, me 10 vogëlushë të klasës së tretë, që ishim: Nazo Dauti-marrëse, Krenar Mehmeti-kthyes, Shpresa Kapo-hedhëse, në mbushje (iso) Sulote Kapo, Liri Gaçe, Donika Rroko, Vangjelina Gjini, Kaçandon Çane, Farudin Gjondeda dhe unë, shkruesi i këtyre radhëve, Albert Habazaj. Duke kërkuar në arkivin personal, gjej disa fletë të zvedhura, shkruar me laps, që mezi lexohen. Për të qenë i vërtetë, unë po e plotësoj këtë shkrim, me shënimet ashtu siç i kam shkruar, pa ua tjetërsuar kuptimin, sepse ashtu ka qenë e vërteta e jetuar. (Unë s’di e s’mund të gënjej, sepse jam përdorues i penës dhe jo shpërdorues i saj). Po shkëpus nga shënimet e vjetra pjesën ku shkruaj për grupin e parë të fatosave të Tërbaçit, si quhej atëherë: “Kishim grupin miks, grupin e pleqve, grupin karakteristik të burrave, të valleve, grupin e vajzave dhe grupin më simpatik, atë të fatosave [janë 8 rreshta që nuk e dalloj qarët shkrimin] Grupi i fatosave doli në skenë për herë të parë me këngën: “Do këndoj xhaxhi Enverit/ dhe nënës Parti/ për të mirat që na sollën/ ne, brezit të ri/ nëpër kopshte na mësojnë,/ sa jemi fëmi/ dhe në shkolla na dërgojnë/ ne për dituri./ Tani që jemi fatosa/ lule na ke ti,/ kur të rritemi dhe pak,/ ushtar’ në kufi,/ Shqipëris’ i dalim zot,/ kemi zjarr në gji”. Me këtë këngë u bëmë të njohur në Festivalin Zonal të Vranishtit. Më vonë morëm jehonë me këngë të tjera, kur dhamë shumë shfaqje përpara sheshit të Flamurit dhe në sallën e kinoklubit “Perlat Rexhepi”. Kënga e fatosave të Tërbaçit dukej sikur hidhte tufa-tufa në sallë luleborë, lulëkuqe e luleshqerre. Çiltërsia fëminore ndërthyrej me ëmbëlsinë e zërave dhe jepte një kombinim të bukur melodioz që të mbushte me emocion. Dhjetë veta kishte në fillim grupi i fatosave, 6 vajza e 4 djem, [Ky grup shënohet si i pari i këtij formati në Tërbaç (shën. im, i sotëm – AH)]: Nazua, që ia merrte këngës si cicërimë biblili, Krenari, që kur ia kthente kumbonte si trokje buzë shpatit, Shpresa që e dridhte zërin aq bukur e me ndjenjë, Sulotja, Liria, Donika, Vangjelina, Kaçandoni, Farudini dhe Alberti, që bënin iso. Inçizuan dhe në radio disa këngë, si “Zemrën shkëmb e ballin lart”, marrës Alberti, kthyes Krenari, hedhëse Pesa; apo “Gjirokastra heroike”, “Zëra po ushtojnë”, “Kjo kalaja jonë e fortë” etj., marrëse e të cilave ishte Nazua, thyes Kruqi e hedhëse Pesa …
Tani ata janë rritur, disa këndojnë me grupin e fshatit, të tjerë janë nëpër shkolla, ku mësojnë për agromonë, mjekë, oficerë, naftëtarë, për t’i shërbyer Atdheut në çdo skaj. Gjatë pushimeve të verës mblidhen për vit, kujtojnë fëmijërinë e çiltër e ja thonë këngës në hije, te lisi i Bilbilave, si i thonë fshatarët vendit me hije të freskët ku mblidhen artistët amatorë të Tërbaçit. Nazua është marrëse e grupit polifonik dhe zërin e saj e dëgjojmë shpesh në këngët e grupit “Unë shaminë e zezë e preva shqiponjë”, “Gjurmë të kuqe latë mbi borë” apo në këngën “Kemi një shok më pak, po një amanet më shumë”, kushtuar kujtimit të ndritur të shokut Hysni Kapo. Pasardhësit e grupit të parë të fatosave e kanë çuar më tej traditën. Ata janë valltarë të mrekullueshëm, porsi baballarët. Ja, Mireli, që e heq vallen sikur është burrë serioz e duke dredhur shaminë; pasohet nga Beni, Dashamiri, Andi, Genci, Tori, Arbiri …, serbesë e me sytë që u shkrepin çika stërralli …”. Siç e shpreha më sipër, paragrafët vendosur në thonjëza janë shkëputur nga shënimet e mia me titull: “Këngë që gurgullojnë si gurrë mali”, dhjetor 1979, f. 9-11. Lehtë vihet re atmosfera romantike dhe me ngjyra politike, por ashtu është shkruar në ato faqe, s’mund t’i ndryshoj. Vërehet po ashtu, se poeti i madh liriko-epiko i vargjeve të skalitura për tekstet e këngëve të mëdha të Tërbaçit të madh kishte, tek-tuk, edhe tekste me përmbajtje politike, disa nga të cilat, qëlloi që i kemi kënduar dhe ne, fëmijët, ndër të të cilat, duhet pranuar se kishin edhe tekste të rëndomta, artistikisht të dobëta dhe jashtë botës fëminore, me mjete jo të natyrës së popullit, që denatyralizimin e folkorit kanë finale, sepse janë folkorizma. Mund të themi dhe s’mund të themi: “Ashtu ishte koha. Ashtu kërkohej”. Ashtu bëhej. Lum, kush ruante raportet dhe nuk shkarravitej, aq më keq ekstremisht, si ca të patalentuar, që sot mohojnë ç’kanë shkruar e kënduar dhe na dalin të persekutuar e flasin si pasnesër apo, si i thonë ndryshe, kuvendojnë si kaposhi majë plehut. Mos gënje, qerrata! Është e neveritshme gënjeshtra, sido që të jetë puna, sido që ta keshë patur hallin. Aq më tepër sot, që diktatura iku, vate… Apo i ha hija e saj ca e ca. (Kthehemi në tekst, se mërzita veten, jo më ju, lexues të respektuar, prandaj më falni).
- Grupi i sotëm i grave të Tërbaçit që ne pëlqejmë ta quajmë dhe ato ashtu kanë dëshirë t’u flasim me emrin e thjeshtë, të bukur, historik dhe simbolik: Grupi i Vajzave të Tërbaçit (ish-vajzat e viteve 1975-’80)… Ikën kohëra, erdhën kohëra. Rrodhën vitet. “Turbull lumi, turbull-o” thotë një këngë e vjetër. Jeta na vjen si det me lule dhe furtunë. U venit grupi i vajzave, iu harrua emri. Dhe Dragoi i këngës së Tërbaçit u plagos, u sëmur, ra, iku. Por, ai ka qenë. Bëri emër, na dha dhe na la emër. Dhe ne kemi qenë dikur dikush. Bëmë emër. Tërbaçi na lindi, na mësoi, na inkurajoi, na pëlqeu, na vlerësoi dhe na nderoi. Ndodhën ato që ndodhën e që ne i dimë mirë, por s’është e nevojshme të dalin matanë qafës së Shënmitrit, se mërziten e na qortojnë të parët. Të qajmë gjithë jetën, atëhere? Jo! Për nder të Tërbaçit, për paharrim të Kujtim Micit, për dinjitetin tonë do ta ringremë grupin, se s’bën! – Kështu thanë gratë e Tërbaçit, të cilat u organizuan në këtë grup të veçantë, që ka një simbolikë të madhe. Ato janë shoqe që nga fëmijëria, në përgjithësi të ditëlindjes Gjashtëdhjetë. Janë nëna të nderuara, janë bërë dhe gjyshe të lumtura. Po kush janë këto zonja tërbaçiote, kush janë këto strëmbesa të Miro Tërbaçes, që sikurse Ajo me jatagan, këto me këngë po ia bëjnë forra dhe shënojnë emrin në historinë kulturore të fshatit e hapësirave tutje? Ato janë 9 zonja të respektuara, familjare të rregullta, që kontribuojnë vullnetarisht për vendlindjen dhe pikërisht: Shpresa Kapo (Çelaj), (02.03.1960-), Baftie Dautaj (Xhelili), (07.03.1963-), Hava Çelaj (Muçaj), (02.02.1960-), Shpresa Habazaj (Gjondeda), (25.03.1959-), Lavdie Goxho (Xhaka), (30.11.1958-), Liljana Rrapi (Kapo), (07.08.1961-), Evgjeni Habilaj (Seferi), (01.10. 1964-), Vangjelina Gjini (Deda), (-.-.1960-) dhe Margarita Kapo (Habilaj), (03.10.1965-). Shtatë janë bija Tërbaçi, nga të cilat pesë janë martuar po në Tërbaç (dy Shpresat, Lavdia, Vangjua dhe Rita) dhe tri në fqinjë, (Havaja në Brataj, Baftua në Lapardha, Gjena në Gjorm, ndërsa Liljana, bijë Gorishti, është nuse në Tërbaç). Fillimgushti 2016 është edhe ditëlindja e këtij grupi. Më datat 2, 3 gusht e në vijim, mbasditeve u mblodhën, u organizuan e nisën provat mbasditeve, duke sakrifikuar nga koha e tyre, e familjes, e nipërve dhe mbesave për të përmbushur një misioni shumë fisnik. Me mundësitë e tyre, ende pa mbështetje financiare, këto gra dinjitoze, sedërtare dhe nëna tërbaçote të nderuara u paraqitën për herë të parë me një buqetë me lule këngësh në Festën e Fshatit, në takimin e brezave, të shtunën e 20 gushtit 2016, vetëm me grupin e tyre të pagëzuar “Grupi i Vajzave të Tërbaçit”. Dhe synojnë që “Ditë më të mira paskëtaj të vinë” për promovimin, prezantimin, përhapjen dhe dobinë e këtyre visareve për komunitetin në hapësirë dhe nëpërmjet videoklipeve. Në repertorin e tyre ka këngë tërbaçote të stilit grarisht, ku ndihet se kontakton me një art të lashtë të traditës, po ashtu kërkesat e tyre janë për risi me tekste dhe melodi, të përshatshme dhe të pranuara nga banorët e trevës. Kanë krijuar një grup korret, kompakt, të mirëkuptueshëm, që të japin përshtypjen se janë nëntë motra. Baftua është marrëse. Dhe Liljana. Kthyese Rita, hedhëse Shpresa Kapo. Shpresa bën dhe marrësen. Grupi që mban këngën, që e mbush në vijën e duhur melodike me iso, me Havanë, Shpresa Gjondedën, Lavdien, Vangjelinën e Evgjeninë bën, jep e përhap një jehonë harmonike të konsoliduar. Kanë këngë për Tërbaçin, për sintesën e tij historike, që vjen si himn për folenë e shqiponjave, siç e quajmë ne vendlindjen, një këngë mallëngjimi, homazh për Kujtim Micin e paharruar. Këto zonja fisnike, shoqe dhe motra të mia, kërkuan këshillim me mua, Albert Habazajn, autorin i këtij shkrimi, për t’u organizuar si grup polifonik i grave të Tërbaçit. Unë i ndihmoj aq sa mund dhe bashkarisht kërkojmë të realizojmë të duhurën, se ka kohë që humbi. Kërkojmë ta realizojmë dhe për respekt të kujtimit të paharruar të Kujtim Micit të madh të Tërbaçit. Në repertorin e zgjedhur ka këngë të vjetra, por bazën e përbëjnë këngët e Kujtim Micit. Në festën e Tërbaçit u paraqitën me këto tri këngë: “Himni i Tërbaçit”, marrëse Liljana Kapo, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Shpresa Çelaj, teksti Albert Habazaj; “Elegji për dragoin e këngës”, marrëse Baftie Xhelili, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Shpresa Çelaj, teksti Albert Habazaj; dhe “Tërbaçi ynë”, marrëse Shpresa Çelaj, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Baftie Dauti, teksti Kujtim Mici. Në vijim, Grupi i Vajzave të Tërbaçit u plotësua me aktivizimin e dy zërave të fuqishëm Vitore Shiroka (Vera), bijë dhe nuse në Tërbaç dhe Floreta Caca (Lutaj), bijë nga Tërbaçi, nuse në Lapardha. Premton një ndihmesë të çmuar në tekste dhe në vijën melodike mjeshtri i këngës labe, Pelivan Barjamaj, monument i gjallë i lirikës dhe epikës poppullore me aromë trëndeline. Baza folkorike e “Grupit të Vajzave të Tërbaçit” janë meloditë e pasura të gurrës tërbaçiote dhe tekstet e fuqishme të Dragoit të këngës labe, të paharruarit Kujtim Mici. E veçantë është kënga e tij aq mbresëlënëse “Nënat tona shqiptare, nëna moj!”, të cilën këto gra të nderuara e kanë kënduar qysh kur ishin vajza të reja, 40 vjet më parë. Po ashtu, ka dhe këngë të ndryshme lirike, këngë të lindjes, nina-nana (ninulla), këngë zbavitëse, me motive nga puna e përditshme, të përvajshme, këngë festash, ritmike, me ritëm gazmor, shoqërore, dashurore, dasme, gëzimtare, këngë të jetës. Duan të vijojnë gjurmët artistike të Nazos dhe ta nderojnë, sa të kenë zë e shpirt, Kujtimin e Kujtim Micit të pavdekshëm.