24 ORËT E FUNDIT TË BETEJËS KUNDËR COVID -19/
– GJËRAT PO LËVIZIN PËR MIRË NË NEW YORK…./
– Guvernatori Cuomo pohoi se të dhënat e fundit tregojnë se New Yorku, epiqendra e krizës në Shtetet e Bashkuara, ka kaluar fazën më të keqe të krizës dhe po shkon drejt stabilizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor./
Nga Dalip Greca
Andrew Cuomo, Guvernatori i New Yorkut, që është një nga zërat kryesor në betejën kundër Koronavirusin do të takohet me Presidentin Trump të martën pasdite në Shtëpinë e Bardhë.
Njoftimi tashmë është bërë publik gjatë së Hënës dhe e kanë pohuar të dy palët.
Presidenti Trump e njoftoi takimin në konferencën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin. Stafi i Gov.Cuomo konfirmoi udhëtimin menjëherë pas atij njoftimi.
Presidenti tha se “gjëra të mira” po ndodhin në New York.
“Unë mendoj se guvernatori do të na shohë nesër, ai po vjen në zyrën ovale nesër pasdite. Andrew do të vijë me disa nga njerëzit e tij. Ne mezi po e presim atë”, tha Trump.
Presidenti nuk ka sqaruar rreth pikave të bisedimeve gjatë këtij takimi, por natyrisht që merret me mend se biseda do të vërtitet rreth COVID-19 dhe rihapjen e New Yorkut, informimi mbi rezultatet e studimit për eksperimentimin e ilaçit të malaries hidroksilkorin që është përdorur për të trajtuar pacientët e infektuar nga COVID-19 në 20 spitale të New Yorkut, pa harruar kërkesën për fonde federale, për punonjësit e vijës së parë, si dhe fondet për testimet. Marrdhëniet e Guvernatori me presidenti nuk kanë ecur përherë si në vaj, ata kanë shkëmbyer replika publikisht, që nga fillimi i krizës së koronavirusit, por edhe kanë lëshuar përkundrejt njeri tjetrin.
Ka pasur dhe momente, ku secili ka përcjellë lavdërime për punën e tjetrit. Javën e kaluar, Cuomo i ofroi degën e ullirit Presidentit, duke thënë në një intervistë në radioprogramin “Howard Stern Show”- se Presidenti Trump i kishte plotësuar të gjitha kërkesat e shtetit, që ai i kishte dërguar.
Por ata u përplasën kur presidenti Trump tha se “autoriteti i tij si president është total” mbi rihapjet e shtetit. Cuomo ishte ndër ata që e kundërshtoi zhurmshëm, duke shpërthyer në media komente kundër deklaratës së presidentit, duke thënë se Amerika kishte një president, jo një mbret.
Po ashtu Cuomo dhe Trump janë përplasur kohët e fundit duke pasë mospajtime edhe për testimet dhe fondet.
Në këtë klimë do të jenë përballë njeri-tjetrit të Martën pasdite në zyrën ovale të shtëpisë së Bardhë.
***
Beteja kundër COVID-19 vazhdon. Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe gjatë 20 prillit shënuan tregues që e mbajnë në vend të parë si për të infektuarit e rinj për 24 orëshin e fundit, ashtu edhe për numrin e të vdekurëve gjatë së Hënës, por optimizmi dhe presioni për zhbllokimin e ekonomisë janë në rritje.
Gjatë ditës së Hënë u raportuan rreth 28 mijë e 123 të infektuar të rinj në të gjithë Amerikën, rreth 3 mijë më shumë se të dielën, duke e rritur shifrën e përgjthshme në 792 mijë e 759, ndërsa të vdekurit në 24 orët e fundit shënuan rreth 300 pacientë më shumë; u raportuan 1,883, nga1,539 të dielën.Në fund të ditës së Hënë shifra totale e të vdekurëve u fiksua në 42 mijë e 514.
New Yorku si shtet raportoi gjatë ditës së hënë 4 mijë e 879 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e të infektuarëve në rang shteti në 252 mijë e 94. Në 24 orshin fundit e humbën betejën me koronavirusin 631 njujorkezë(edhe pse guvernatori dha në konferencën me gazetarët në mesditë një shifër nën 500), duke e rritur numrin e përgjitshëm të jetëve të humbura në 18 mijë e 929.
New Jersey raportoi 3 mijë e 505 të infektuar të rinj, ndërsa të infektuarit në total janë 88 mijë e 806, ndërsa numri i viktimave të Hënën u raportua 175, në total ky shtet ka humbur 4 mijë e 377 jetë njerëzore në luftë me COVID-19.
Guvernatori Phil Murphy tha të Hënën se numri i të shtruarëve në spitalet e shtetit të tij për mjekimin e pacientëve të infektuar nga COVID-19 kanë prirjen e tyre rënëse dhe se ai po mendon që të planifikonte njoftimin në ditët e ardhshme për rihapjen e bizneseve dhe shkollave, në vartësi të standarteve përmes shifrave.
Sidoqoftë, Murphy paralajmëroi se rihapja shumë shpejt do të rrezikonte një goditje tjetër nga virusi i padukshëm.
“Ne do të marrim vendime bazuar në fakte, kështu që nuk do të përjetojmë një valë të dytë bumerangu,” tha Murphy gjatë një konference të Hënën.
Në vend të tretë në radhën e shteteve më të infektuar vazhdon të qëndrojë Massachusetts me 39 mijë e 914(gjatë ditës së Hënë u raportuan 1 mijë e 566 të infektuar të rinj), ndërsa numri i viktimave shkoi në 1 mijë 809(103 pacienët vdiqën të Hënën). Pannsylvania, me 1 mijë e 180 të infektuarit ditor, u ngjit në vendin e katër të shteteve me 33 mijë e 914 të infektuar, ndërsa numri i viktimave me 111 të vdekurit e së Hënës shkoi në 1 mijë e 348. Në vendin e pestë renditet Kalifornia me 33 mijë e 914 të infektuar(1 mijë e 947 gjatë 24 orshit të fundit), numri i viktimave, së bashku me 48 të vdekurit e ditës së Hënë, shkoi në 1 mijë e 208. Michigani, shteti që në fillim të prillit renditej i treti, tash ka kaluar në vend të gjashtë, duke i përmiërsuar ndjeshëm shifrat: Me 576 të infektuarit e raportuar të hënën, tash ka 32 mijë të infektuar, por për numrine viktimave ky shtet qëndron në vend të tretë me 2 mijë e 468 viktima; gjatë ditës së Hënë humbën jetën 77 pacientë.
Illinoisi raportoi 59 jetë të humbura në 24 orët e fundit, Florida 49, Louisiana 32, Connecticut 204, Georgia 94, Meriland 96, Ohio 27, Virginia 23, North Carolina 18, Mississippi 10, etj.
***
Ndërkohë që presioni nga Shtëpia e Bardhë vjen në rritje për hapjen e ekonomisë, protestat në disa shtete po e stimulojnë më shumë zhbllokimin e ekonomisë. Rënia drastike e çmimit të naftës të hënën është treguesi i qartë i nëvojës për të vënë në lëvizje ekonominë. Ndërkohë që protestat kanë vazhduar edhe të hënën në disa shtete, përfshi dhe Uashingtonin, Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo thotë se nuk ka nevojë për protesta, ato nuk bindin askënd, përballë rrezikut për jetët që mund të humbin nga shkujdesja dhe hapja e menjëhershme.
Duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë konferencës së përditshme me gazetarët të hënën ai tha se e kuptonte pse disa njerëz po protestonin kundër bllokimeve të vendosura për të frenuar shpërthimin e koronavirusit, por kufizimet duhen sepse parandalojnë shpërthimet e mëtejshme të COVID-19.Cuomo foli pasi protestuesit u mblodhën në disa shtete të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund izolimit dhe urdhrave të qëndrimit në shtëpi, që ekspertët thonë se janë thelbësorë për ngadalësimin e përhapjes së virusit, por ekonomia ka ndalur në vend.Ajo ka nevojë për rihapje, për lëvizje.
Cuomo gjatë komunikimit të përditshëm me gazetarët, të hënën, sërish ngriti zërin për fonde federale për stafet e spitaleve, oficerët e policisë dhe punonjësit e tjerë të vijës së pare. Ai përsëriti lutjen për fonde federale për të rritur testimin e virusit.
Guvernatori tha gjithashtu se 20 spitale në shtetin e New Yorkut, që kanë përdorur ilaçin malaries, hidroksilkorin për të trajtuar COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi, do t’i dërgonin rezultatet e studimeve të tyre në Washington të Hënën.
Cuomo u tha gazetarëve se numri i të shtruarëve në spitale po ulet. Ai informoi se të Hënën në spitale e New Yorkut ndodheshin 16 mijë e 103 pacientë, nga 16 mijë e 213 që ishin një ditë më parë.
Ai shprehu mendimin se të dhënat e fundit tregojnë se New Yorku, epiqendra e krizës në Shtetet e Bashkuara, kishte kaluar fazën më të keqe të krizës dhe po ecën drejt stabilizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor.