• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CAKRANIT DUHET T`I KTHEHET IDENTITETI I HARRUAR

April 6, 2014 by dgreca

Një kujtesë për ministrin e kulturës, për institucionet që merren me trashëgimninë, por dhe për ata që dëshirojnë të ndihmojnë në zbulimet arkeologjike/

Nga Halil Bregasi/*

Nisur nga programi elektoral i PS si dhe porositë e vazhdueshme të Kryeministrit z. Edi Rama, për trashëgimin kulturore, fjalët e tij në Berat dhe në Grupin Parlamentar, kanë bërë dhe vazhdojnë të na zgjuajn edhe neve, jo vetëm mua, por shumë intelektual cakranjot, për të bërë diçka, që ato porosi e premtime, të gjejnë zbatim në zonën e Cakranit.

Zona e Cakranit ka peshën dhe vendin e vet në historinë e Mallakastrës, por dhe në atë të Shqipërisë. Është një zonë me popullsi të dëndur qysh në kohët më të lashta dhe vazhdon të jetë e tillë. Ka qenë dhe është zona lidhëse midis qyteteve të: Beratit, Tepelenës, Fierit dhe Vlorës. Si e tillë ka përjetuar pushtimet dhe luftrat më të egra të zhvilluara qysh në kohët e vjetra, por që i ka rezistuar vazhdimisht  zhdukjes dhe largimit nga vendbanimi. Ka merituar emrin “Zonë Martire”, ku gjurmët e këtyre pushtimeve, megjithëse të zhdukura, ekzistojnë dhe mund të shikohen edhe sot, sidomos për periudhat deri në mesjetë.

Cakrani i qytetërimeve të hershme, me një vazhdimësi jete për mbi 6000 vjeçare, sot nuk njihet si i tillë, as nga vendasit, e jo më nga institucionet shtetërore, pa diskutuar këtu për turistët vendas e të huaj.

Jo vetëm unë, por të gjithë intelektualët cakranjotë, do ndjeheshin mirë, në se do të njihej kjo histori e Cakranit, sepse, ajo tregon autoktoninë e banorëve të vjetër, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, tregon etnitetin prehistorik të tyre.

Pse Cakrani sot, nuk njihet si vendi i kulturës neolitike, i periudhës paraurbane, apo i qytetërimeve në periudha të ndryshme të historisë? Kush pengon dhe si duhet rregulluar kjo “padrejtësi”? A mundet të ndryshoi kjo situatë? Këto dhe shumë pyetje të tilla dalin, por pyetja që nuk do ketë përgjigje është: kujt i intereson që kjo histori të mos njihet?

Kush është historia e periudhave të vjetra të Cakranit?

Për të qenë më i qartë për këtë problem, po përsërisë më poshtë, disa të dhëna mbi zbulimet arkeologjike të bëra në shekullin e kaluar, duke u përpjekur të sqarojë çfarë duhet bërë, sa më shpejtë, që të ndryshoi kjo situatë.

Zona e Cakranit, gjithmonë sipas meje, më duket se është nga të paktat zona në trojet shqiptare, ku jeta ka vazhduar pa ndërprerje, të paktën që nga periudha e neolitit e deri më sot dhe që mund të kishte një park arkeologjik të kompletuar, ku kushdo mund të gjente një histori lashtësie të mjaftueshme, aq sa duhej të ndjehej krenar që ishte bir i kësaj zone kaq të vjetër e të re. Në se do ishte ruajtur ashtu siç duhej, sot do kishim një park arkeologjik shumë të vizituar nga  turistë vendas e të huaj, nga i cili do të nxirreshin përfitime ekonomike të mjaftueshme për të përballuar nevojat për mirëmbajtjen e objekteve, por dhe  diçka do të tepronte. Po saktësoi disa të dhëna sipas periudhave:

   I. – Periudha historike e neolitit:

Në vitet 1969 – 1970 u ndërmorën kërkime në vendbanimin e Cakranit, i cili është i pari stacion i neolitit të mesëm që zbulohet në territorin shqiptar.

Në Thikëz u zbuluan dy horizonte banesash. Horizonti i parë është në thellësinë 2 – 2.20 m. Dyshemeja ka një sipërfaqe 21 m. katrorë e në mesin e saj ndodhet një vatër me sipërfaqe 2.5 m. katrorë Horizonti i dytë, banesa, u gjet në thellësinë 1.60 m, me sipërfaqe 24 m. katrorë, dyshemeja e bërë me argjil të ngjeshur e të pjekur. Në mes vatra prej 3 m. katrorë.

Banesa e parë në jep të drejtën të mendojmë se ajo ka qenë e futur e gjitha në tokë dhe çatia ka qenë mbi sipërfaqen e tokës. Me kalimin e kohës muret e banesave kanë

qenë pjesërisht të futura në tokë dhe pjesërisht mbi sipërfaqen e tokës, siç është horizonti i dytë.

Veglat e punës

Në vendbanimin e Cakranit veglat fillestare të hershme të punës janë bërë prej guri, kocke, briri. Veglat prej stralli janë përfaqësuar me shumicë, pas tyre vijnë ato prej guri e më pak ato prej kocke e briri.

Në veglat e gjetura ka thika, shpuese, kruese, maja shigjetash të formave e madhësive të ndryshme.

Qeramika

Në përcaktimin e tipareve të kulturës në vendbanimin prehistorik të Cakranit, interes të madh paraqet qeramika, e cila përbën pjesën më të madhe dhe më të larmishme të kulturës materiale. Punimi duket që është bërë i tëri me dorë. Dallohen dhe mund të rindërtohen këto tipa enësh:

– Kupat. Që paraqiten në shumë variante dhe kanë patur përdorim të gjerë. Ato nuk janë shumë të thella, ndryshojnë midis tyre nga përmasat. Diametri i tyre lëviz nga 14 cm deri në 28 cm.

– Tasat, që hasen në dy variante. Tasa të thellë me trung konik, me diametër 14 – 19 cm, si dhe tasa të thellë me parete gjysmësferikë nga brenda. Këto forma ngjajnë me ato të Dalmacisë e të Etalesë në Greqi.Janë gjetur dhe disa enë të tjera, prej të cilave disa me vegje.

  Zbukurimet

Në qeramikën e Cakranit ka disa lloje zbukurimesh. Çdo lloj zbukurimi i hasur në enët e gjetura përbën tipar dallues të kulturës neolitike të Cakranit.

Në zbukurimet duhen përmendur dhe disa sende të bëra prej kocke e guacke, që janë përdorur si stoli, ndoshta tek gratë. Është një unazë prej kocke, një guackë e shpuar që të varet dhe më i bukuri një peshk, bishti i të cilit është modeluar shumë mirë.

Interesante është që me thika prej stralli, njeriu (artist) i asaj kohe, të arrijë të bëjë gjëra të tilla.

Po ku janë vallë këto zbukurime? A i dinë vendasit këto pasuri të tyre? A e njohin nxënësit e shkollave të zonës këtë histori të lashtësisë?.

Në Cakran sot nuk ka një muzeum, ku mund e duhej të ishin paraqitur këto vlera e shumë të tjera që do i themi më posht, apo që nuk do arrijmë t’i përmendim  këtu. Kishte dikur një muzeum, ndoshta i politizuar, por që  mund të përshtatej me kohën dhe të ekspozoheshin pasuritë materiale të zbulimeve arkeologjike të kryera e që po kryhen. Në vendbanimin e neolitit të mesëm, siç thotë Prof. Dr. Muzafer Korkuti në raportin e mbajtur në Konferencën e 2 arkeologjike shqiptare, u mblodhën 12 mijë copa qeramike, mbi 500 kocka që vërtetonin ekzistencën e kafshëve shtëpijake. Nga këto, mjaftonin 12 apo 14 copa qeramike, nga dy për çdo lloj zbukurimi, që të ekspozoheshin për t’i parë njerëzit. Por jo vetëm kaq. Ato dy horizonte banesash, (dy gropa), mund të ruheshin ashtu siç ishin të zbuluara nga arkeologët, të cilët u lodhën me muaj duke punuar nën diellin përvëlues të asaj toke të zezë, por arritën ti gjejnë themelet e autoktonisë së banorëve të kësaj zone, dhe sot të vizitoheshin, të paktën nga nxënësit e shkollave, pse jo dhe nga turistët që do të vijnë patjetër.

II -Periudha historike e bronxit:

Edhe në këtë periudhë historike, në zonën e Cakranit ka patur jetë. Dëshmi e saj, janë gjetjet e objekteve prej bronxi dhe dëshmive të tjera. Kështu në “Thikëz”, pra ne vendbanimin e neolitit të mesëm, janë gjetur thika prej bronxi, gjë që është një tregues i vazhdimsisë së jetën në atë vendbanim. Të kësaj periudhe janë edhe tumat (varrezat tumulare) si ajo e Gorishovës, shumë e dëmtuar kjo, tek çezma e korombretit në fushë, dhe ajo e Patosit, ku janë gjetur 76 varre, 62 prej të cilëve i takojnë periudhës së bronxit të vonë e të tjerët të më vonshëm.Por gjetja më interesante e kësaj periudhe është shpata dhe heshta prej bronxi. Ato u gjetën rastësisht, duke hapur një gropë për vendosjen e një shtylle elektrike, në lagjen Dalipaj të fshatit Varibop. Shpata e dëmtuar në majë, ku i mungon një pjesë, është ruajtur në gjatësinë 84 cm., është me dorezë në forëm briri, ose në trajtë kryqi, me gjatësi 9 cm e të gjerë 2 cm. Doreza dhe kurrizi që përshkon fletën janë ruajtur shumë mirë, kurse fleta ka vende të dëmtuara. Kurrizi i fletës është zbukuruar me tre vija të holla që e përshkojnë atë në tërë gjatësinë. Sipas përcaktimit të arkeologëve ajo është e tipit mikenase dhe i takon periudhës së bronxit të vonë, shek XII para Krishtit. Maja e heshtës, është e tipit fletëgjerë me tun prizmatik tetëfaqësh. Fleta ruhet në gjatësinë 8.2 cm dhe e gjerë 6.2 cm. Megjithëse armë prej bronxi janë gjetur në fshatrat e Lushnjes, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, por maja e heshtës së Varibopit përbën një variant të ri.

III.- Periudhat e mëvonshme

Në fshatin Cakran, janë edhe dy vendbanime ilire, por që sot për sot nuk vizitohen nga askush, pavarësisht të dhënave shumë të vlefshme që ato paraqesin për historinë e kësaj zone.

I pari është vendbanimi paraurban i Qytezës, në Mashkiezë. Siç duket dhe në foton që paraqesim, është një kodër në faqe të malit të Cakranit, maja e së cilës ka qenë e rrethuar me mure guri, në një sipërfaqe rreth 0.3 ha, brenda së cilës ka patur banesa, por qyteza ka qenë e vendosur jashtë kalasë, në pjerrësinë e kodrës, ku janë zbuluar banesa të vendosura në tarraca të hapura posaçërisht, deri në pjerrësinë 50 gradë.

Vendbanimi i rrethuar me mure guri, paraqet interes për faktin se aty, në fushën e ndërtimit, kemi tre periudha ndërtimore: periudha arkaike, ajo helenistike dhe periudha mesjetare. Është kjo një dëshmi e ekzistencës për një periudhë shumë shekullore të këtij vendbanimi. Po në fushën e ndërtimit, është si e veçantë edhe ndryshimi që ka ndodhur në zhvillimin e fortifikimeve ilire duke u shkëputur nga format planimetrike të ndërtimit dhe duke shkuar drejt zbatimit të  forma gjeometrike në planimetri, sidomos të kthesave me kënd të drejtë etj. Arkeologët që kanë punuar për zbulimin e këtij vendbanimi gjatë viteve 1970 e më vonë, kanë saktësuar se një trakt i murit rrethues në anën perëndimore të tij, me një gjatësi 57 m. e gjerësi mbi dy metra, është ndërtuar në shek.VII para Krishtit  Në vazhdim të tij, është muri me gjerësi rreth 1.80 m, që ka teknik ndërtimi më të përparuar dhe është klasifikuar si i shekujve V –II para erës së re. Ndërsa gjëndet aty edhe një pjesë muri e ndërtuar me gurë të vegjël e me llaç, që i takon periudhës së Mesjetës.

Qeramika e fazës protoqytetare e këtij vendbanimi zhvillohet në tre faza (nivele), që përkojnë me periudhat e ndërtimit.

Në qytezë u gjetën monedha e sasi të mëdha drithërash e frutash të karbonizuara që vërtetojnë ekzistencën dhe zhvillimin e kësaj qendre deri në mesjetë, në shek. XIII – XIV, kur mendohet se mund të jetë shkatërruar. Monedhat e gjetura janë prej argjendi, të prera nga Duka i Athinës, Gijom I Rosh, gjatë viteve 1280 – 1287, i Akesë në vitet 1297 – 1301 dhe i Bohemundit VII të Antiokisë gjatë sundimit të tij në kontenë e Triportit në vitet 1274 – 1287.

Ky vendbanim mendohet se mund të jetë shkatërruar në gjysmën e parë të shek. II p.e.r., që lidhet me luftrat iliro – romake. Në mesjetë ka gjallëruar përsëri, apo ka patur një zhvillim te tillë që është bërë e njohur dhe jashtë zonës së krahinës duke patur lidhje deri në Athinë. Kështu del se ky vendbanim ka qenë një qendër e madhe tregëtare e shkëmbimi.

Sot ky vendbanim i rëndësishëm po shkon drejt zhdukjes, si pasojë e indiferencës së pushtetit vendor të Cakranit. Muret prej guri janë dëmtuar duke u marrë për thermelet ose muret e shtëpive që ndërtohen. Vendbanimi ka patur një hyrje nga ana veriore, por që nuk duket, mbasi është mbuluar nga ferrat e shkurret e tjera. Dikur ishte vend pelegrinazhi për nxënësit e shkollës së Cakranit, por që mund të frekuentohej dhe nga nxënësit e shkollave të zonës.

Në vazhdim të jetës qytetare në Cakran, është qyteti në faqen e malit në lartësitë deri 520 m., ku mendohet se ka ekzistuar një qytet i rëndësishëm. Të dhënat e para për ekzistencën e tij i dha arkeologu austriak Camillo Praschniker, gjatë pushtimit austrohungarez të zonës në vitet 1915 – 1918. Më vonë, janë bërë ekspedita informative aty dhe ka të dhëna të bollshme që vërtetojnë ekzistencën e qytetit, por, për mungesë infrastrukture, gërmimet aty nuk filluan kurrë në shkallë të gjerë. Megjithse, në kohën e lulëzimit të kooperativës bujqësore të Cakranit, deri afër e përbri këtij qyteti, u arrit të bëhej një rrugë për qerret e tërhequra nga qetë, ku u zbulua dhe u mblodh një thesar monedhash deri mbi 3 mijë copë, por askush nuk mendoi që kjo rrugë të rregullohej që aty të shkonin mjete si makinat. Në vitin 2009, u ndërmorrë një iniciativë nga Instituti i Arkeologjisë Tiranë, me temën: “Rikthim në Gurëzezë”, dhe u bisedua për hapjen e rrugës automobilistike, përsëri, nga pushteti vendor nuk u realizua bërja e rrugës. Më në fund, erdhi një kryetar komune, djalë i Cakranit dhe arriti ta hapë rrugën për të shkuar deri në majë të malit të Cakranit, Vladimir Korçari quhet, dhe kjo qe si një frymëmarrje lehtësuese për arkeologët e studjuesit, por vetëm kaq. Është një rrugë që mund të shfrytëzohet vetëm në verë. U bënë disa gërmime gjatë një viti, dhe për mungesë fondesh nuk vazhdoi puna.  Qyteti është emërtuar “Gurëzezë”, mbasi në atë faqe mali, janë dy gur të mëdhenj që dalin si gjokset e një nëne e që janë formuar nga rërat bituminoze, pra janë të zes. Në fakt emri i qytetit nuk dihet.

Qysh nga zbulimet e para e deri më sot, atje dihen se ka patur rreth 20 furra qeramike e tjegullash, që sipas arkeologëve datojnë në shekujt IV – II p.e.r., ashtu siç dihet për ekzistencën e një bazilike, që u hulumtua në vitin 2010 dhe disa stera uji.

Është një qytet që në kulmin e zhvillimit të tij, ka qenë rrethuar me një mur 2100 m gjatësi e sipërfaqe rreth 23 ha. Mendohet se ka qenë rezidenca e mbretit Monun që sundoi  tokat nga Drini në Vjosë në vitet 280 – 290 p.e.r., një thesar monedhash me prerje të këtij mbreti janë gjetur në fshatin Kreshpan, bri fshatit Cakran

Zbulimi i këtij qyteti ka rëndësi edhe për faktin se, në këtë zonë kërkohen qyetet Bragul, Eugen, Domastion, të cilët lidhen me historinë e lashtë të ilirëve, por dhe ekzistencën e qytetërimeve para helene, gjatë kësaj periudhe deri në mesjetë. Këto qytete kanë qenë të lidhura me Bylisin, Apoloninë, por dhe me qytetërime të largëta deri në Athinë, Korinth etje. Me këto zbulime vërtetohet autoktonia e banorëve të kësaj zone dhe nuk u lihet shteg fjalëve për ekzistencën e popujve me kombësi të tjera të ardhur deri këtu.

Thirrje u bëjë edhe institucioneve përgjegjëse si dhe intelektualëve cakranjot, për të ndërmarrë hapat e duhura që aty të punohet për zbulimin e kësaj kulture historike. Por mbi të gjithë këta që përmenda, përgjegjësia duhet kërkuar tek institucioni kryesorë, që duhet të koordinojnë punën dhe fondet e duhura për këtë problem shumë të rëndësishëm për ne e për historinë tonë.

Normalisht shtrohet pyetja: sa lekë duhen që atje të vazhdojnë gërmimet e zbulimet? Unë nuk jam kopetent për këtë, por nga bisedat private të bëra me arkeologë shifra të habit! Le të merren specialistët me llogaritjet, por meqënëse afron përpilimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, mendoj se diçka duhet parashikuar edhe për Cakranin. Me aq sa di unë, shuma nuk duhet të jetë e madhe.

Sa më shumë aq më mirë, por jo më pakë se 500 mijë lekë në vit deri një milionë lekë, në mënyrë që të punoj një grup i kompletuar gjatë periudhës së verës, ndoshta edhe po kaq për restaurimin e dëmtimeve, sidomos në Qyterzë.

A nuk është habi të thuhet se kaq lekë nuk gjënden nga Ministria e Kulturës, apo nga Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera që merren me trashëgiminë.?

Po kështu edhe për ndërtimin e një muzeumi fillestar. Them fillestar, sepse ai mund të zgjerohet, zmadhohet, pasurohet, në të ardhmen, në vartësi të nevojave, por edhe fondet do të jenë më të mundëshme.

Rëndësi duhet t`i kushtohet dhe rregullimit të asaj rruge që të shpie në Gurëzezë. Ajo duhe zgjeruar, shtruar me çakëll, mundësisht dhe me rërë bituminoze

Këto fonde  mund të jepen nga Komuna, nga qendra arkeologjhike e Fierit, apo nga MK, ndoshta dhe nga donatorë privatë, por këto burime duhet që të jenë në qendër të vëmendjes së atij që është përfaqësues i popullit aty, i cili duhet t`i gjej e t`i ndjekë deri në harxhimin e tyre vetëm për destinacionin e caktuar, e jo të vidhen andej-këtej.

I bindur që diçka do të bëhet e do të gjëndet zgjidhja e duhur, shpreh respektin e konsideratat e mia maksimale, për të gjithë ata që do ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi.

* Halil Bregasi/Redaktor i Revistës “Cakrani”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: CAKRANIT DUHET T`I KTHEHET IDENTITETI, Halil Bregasi, I HARRUAR

E VEÇANTA E BUKUR E KUPTIMPLOTE NË NJË LIBËR ME VLERË

March 26, 2014 by dgreca

 Nga MSc. Albert HABAZAJ*)/ kritik letrar/

Kam vite që e njoh Halil Bregasin dhe e respektoj si qytetar korrekt e serioz. Pak herë jemi takuar e përshëndetur në veprimtari atdhetare e kulturore apo edhe në ndonjë festë a ditëlindje. Para ca kohësh Halili, më ftoi për 76 vjetorin e lindjes, në një ceremoni me miq të afërt, por unë nuk munda të shkoja për arsye pune. Në mungesë e falënderova për respektin dhe e urova me shpirt.

Interesant! Që në takimin e parë me të, krijova përshtypjen se Halil Bregasi është njeri me kulturë, qytetar i mirë, i urtë dhe porsi ajo pema e pjekur ngarkuar me fruta, ai është i mbudhur me humanizëm dhe dashuri njerëzore.

Për mua, dr. Asqeri Llanaj dhe Halil Bregasi janë Cakrani në Vlorë, janë simbol i asaj treve të zjarrtë atdhetarie e kulture, janë bërthama e asaj energjie diellore që shpërthen mirësi dhe nderim për historinë, për jetën , patjetër dhe për të nesërmen.

Kush nuk e njeh doktor Asqeriun në Vlorë? Dentist i zoti, veprimtar i spikatur, shkrimtar i përkushtuar, Ndërsa Halili është njeriu me shpirt artisti deri më sot, se nesër…Nesër do ta kuptoni vetë, lexues të nderuar, ç’vlera të tjera ka, pasi ta lexoni këtë libër jetësor mjaft mresëlënës.Mendimi im klasifikon thellësinë e brendisë psikologjike e krijuese të këtij njeriu të veçantë në dukje e të bukur në thelb. Nuk  mund t’i kuptoja të ndarë doktorin dhe Halilin; ata i shoh e i konceptoj vetëm së bashku, s’kanë kuptim veç e veç, plotësojnë njeri-tjetrin në veprimtaritë shoqërore-atdhetare. Ata më duken si vëllezër siamezë, në kuptimin më të mirë të fjalës dhe sa herë i shikoj të dy, më kujtojnë ato vargjet e famshme të Majakovskit…!

Në një shkrim të botuar në revistën serioze “Cakrani”, doktorin e kam quajtur trurin e shoqatës “Cakrani”, ndërsa shpirtin si motor i ndezur- Halil Bregasin.

Dhe tani, mendimi im për këtë njeri kërkon gjetje për klasifikim në brendinë krijuese të tij:

Halili më dorëzoi një material për ta parë.

-Vlen për t’u bërë libër, apo kam harxhuar fletët kot-, më tha

E lexova me respekt dhe me vëmendje materialin. Nis me një fllad lirik, me një udhëtim në tren.Thjeshtë, rrjedhshëm, natyrshëm, bukur. Nuk u bezdisa gjatë leximit, përkundrazi u ndjeva këndshëm. Ndoshta ngaqë udhëtimi në vetvete është shpalosje kënaqësishë romantike për njeriun, apo pse jo edhe Halili ka qenë shumë i kujdesshëm për ta vendosur fjalën, fjalinë e shprehjen atje ku duhet. Ndoshta siç thotë dhe vetë: “ Të tregosh, duhet të keshë parë dhe dëgjuar. Të shkruash atë që di, është shumë e vështirë. Të përshkruash atë që tregon, është edhe më e vështirë. Të gjtha këto përjetohen në punë e atij që shkruan”.

Ndoshta në Pogradec ai u fut në tempullin e Pegasit e takoi frymën e bekuar të Kutelit e Lasgushit. Që në fillim të leximit krijova ndjesinë se do të shpalosja faqe interesante, do të shijoja të gjitha ngjyrat e jetës të brezit bashkëkohës të autorit dhe rrethanave e se nuk do të shikoja vetëm bardhë e zi këtë ngastër toke, ku mbillet jetë.

Dhe nuk u zhgënjeva. Pashë një jetë të veçantë, të bukur në dukje, tërheqëse në skalitjen e botës së brendshme të personazheve që plotësojnë galerinë e librit dhe origjinale në trajtimin artistik e ndjesor të lëndës. Egziston e bukura. Është një thënie e lashtë , e urtë greke: “Nuk është e nevojshme të pishë një fuçi me verë, mjafton një gllënjkëz të kuptosh çfarë shije ka vera”.Është mëse e vërtetë kjo përvojë jetësore, prandaj edhe unë mund t’i them lexuesit të respektuar: Për të bërë vlerësimin kritik të librit të Halilit mjafton të hedhësh syrin e mendjes në  një fragment kudo që ndalon dora dhe kupton se ke të bësh me një njeri që krijimin e ka në gen, se ke të bësh me një krijues me kulturë. Unë kapa këtë copëz nga shkrimi i tij : … “kodra e qytezës K është si një trëndafil në mesin e një lëndine të gjelbëruar nga bari…”. Një krahasim i thjeshtë, i bukur, si një fllad që buron natyrshëm ndër figurat stilistike që prodhon mendimi krijues i autorit H. Bregasi, të përcjell rryma të elektrizuara me art e shije estetike të këndshme, romantike, për të zbukuruar jetën, për të zbutur konfliktet, në funksion të mirësisë njerëzore.

Personazhe si Aleksi, Vasili, Maria, Abdullai, Engjëllushja, xha Isufi etj. më duket sikur i njoh, sikur diku i kam parë. Në fakt unë nuk i njoh, por pena sqimatare e Halilit i ka skalitur aq vërtetësorë, saqë më duken realë, sikur jemi takuar, grindur e pajtuar, sikur kemi pirë së bashku e jemi gëzuar. Por përveç se te libri i Halilit nuk jemi parë ndonjëherë.E kjo është një vlerë e brendshme që autori H. Bregasi ka ditur ta menaxhojë si nikoqir i mirë i fjalës, i situatave e ngjarjeve ku shpalos karakteret dhe botën e pasur që mbartin psikologjikisht dhe shpirtërisht personazhet simpatikë që ai krijuar. E kjo është vlerë për autorin. Dhe ai meriton përgëzime. Ky libër, përveç vlerave artistike e njohëse, ka ndërkohë një kod moral që duhet respektuar për të ndërtuar çerdhen e ngrohtë familjare, ku lulëzon respekti për veten, për familjen, për dinjitetin moral e dituror, për mirënjohjen ndaj mësuesëve, për përuljen para bibliotekës si para Zotit. Mesazhe të larta humane po përçon me librin e tij ‘‘Tri dasma në një’’autori Halil Bregasi. Këto mesazhe janë ajo frymë e pastër që kthjellohet nga tre degë të gjelbëra e të shëndetshme: besimi, shpresa e dashuria e trungut të fuqishëm familjar: Aleksandër – Ëngjëllushe, me rrënjë të thella e të pashkulshme nga asnjë tramundanë, sepse Abdullai me Margaritën janë magjia shëruese dhe magma e shëndetit të bukur  që mban çdo çift shkëlqimplotë si margaritar. Ata nuk kanë as më të voglin kompleksitet fetar, e ky fakt ka shumë vlera qytetare, se harmonia është një pasuri e madhe, e pazvendësueshme për njeriun, që të zbukuron dhe të zgjat jetën.

Autori nuk përdor asnjë mjet artificial në dramën e rrëfimit. Përmbajtja zhvillohet lirisht, në mënyrë të natyrshme  nga vetë thelbi i jetës që vizaton, sipas ligjeve të pandryshueshme të domosdoshmërisë. Pasi përfundova “Tri dasma në një ”, mu kujtua një thënie e V.G.Belinskit: “Ai nuk ka ideale në kuptimin e zakonshëm të fjalës: njerëzit e tij janë njerëz të vërtetë, ashtu siç janë, siç mund të jenë”.

Me përulje të sinqertë ndaj penës së Halilit, se me zbardhëllim të ndritshëm, na paraqet tre linja, tre pamje, tre konflikte, një çift që do të mbjellë pranverën e jetës së çiltër, i them lexuesit: do të ndjesh kënaqësi gjatë leximit. Sinqerisht edhe një herë e përgëzoj Halilin për këtë libër me vlera njohëse, edukative, morale, shoqërisht i domosdoshëm, sidomos sot. Figurat letrare i përdor me kursim dhe në vendin e duhur, atëherë kur kërkohet, që lexuesi ta shijojë librin e tij si një bukë e ngrohtë gruri .Nuk kemi figura qiellore, por është pikërisht aq sheqer stilistik, i ngjyer në shpirtin e tij, që  ëmbëlson lexuesin serioz dhe sot. Personazhi i Aleksit është krijuar me ngjyra arti e lëng jete dhe arrin të marrë admirimin tonë. Më shkon ndërmend të heq paralele midis Aleksandrit dhe … po, më mirë të mos ndikoj te lexuesi; të gjykojë vetë ai se me kë ngjan simpatiku Aleks. Libri “Tri dasma në një” i autorit Halil Bregasi, plotësohet  me vëllimin e dytë me titullin e pjesës: “Guri –  i rëndë në vend të vetë”. Në këtë libër, të sapodalë nga botimi, ravijëzohen dhe kthjellohen mesazhet letrare, njerëzore dhe filozofike, sepse është bërë universale thënia e bukur e poetit të madh hungarez, 26 vjeçarit Sándor PETÖFI (01. 10. 1823 – 31. 07. 1849): “Për dashurinë jap jetën, për Adheun jap dashurinë” dhe funksionon me fisnikëri qytetare.

Vlorë, 26. 03. 2014

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, dr. Asqeri Llanaj, Halil Bregasi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT