Flet nipi i Osman Balit, njeriut që akuzohet për vrasjen e Avni Rustemit/
Ne Foto: I dyti majtas Osman Bali, ne qender Gani Topi i vellai Esat Pashes. Foto Eskluzive e vitit 1897, gjate luftes se Selanikut/
Është nipi i Osman Balit, djali i vajzës së njeriut më të afërt të Esat pashë Toptanit, i cili në një rrëfim për “Metropol” tregon për ngjarjen më të bujshme që u bë shkas për fillimin e kryengritjes së qershorit nga Fan Noli dhe përkrahësit: vrasja e Avni Rustemit. Aga tregon se pas vrasjes së Esatit në vitin 1920 ka qenë pikërisht Ahmet Zogu që në negociata, që kanë zgjatur prej dy javësh në sarajet e Balit në Baldushk të Tiranës, që i ka kërkuar t’ia falje jetën Avni Rustemit. Pse Ahmet Zogu iu lut Osman balit që t’i kursejë jetën njërit prej kundërshtarëve më të mëdhenj të tij? Çfarë i tha Osman Bali atentatorit Isuf Reçi. Roli i Rauf Ficos, ministër i Jashtëm i asaj kohe, dhe kunatit të tij në pagesën që iu bë Avni Rustemit për të qenë thjesht një mbulesë e atentatorit të vërtetë në hotelin “Kontinetal” në Paris. Në fund Halit Aga rrëfen dhe për vrasjen që iu atribua Myslym Pezës, por që në të vërtetë ishte tjetërkush.
– Zoti Aga, kush ishte Osman Bali dhe cilat ishin lidhjet e tij me Esat pashë Toptanin deri kur që këtë të fundit e vranë?
– Osman Bali ka lindur në 1863 në Elbasan. Fëmijërinë e ka kaluar në Tiranë dhe në sarajet e tij në Baldushk, të trashëguara nga i ati. Është shkolluar bashkë me Esat pashën në të gjitha nivelet, me të cilin kishin dhe lidhje gjaku nga e ëma. Njëkohësisht periudhën e shërbimeve ushtarake dhe xhandarmërisë i kanë kaluar po bashkë në shumë vilajete pjesë të perandorisë së kohës. Si bashkëluftëtarë të luftës 30-ditëshe të drejtuar nga Gani bej Toptani, i vëllai i Esatit. Organizatori kryesor i vrasjes së sadrazemit turk ose kryeministri i Turqisë së asaj kohe në urën e Gallatës, por në fakt në këtë atentat u vra i biri i tij. Por organizator i këtij ishte Esat pashë Toptani. Në shumë qytete të Perandorisë Osmane ka qenë në detyrën e bimbashit ose komandat i xhandarmërisë deri në luftën e Shkodrës, ku ishte një nga drejtuesit kryesorë të forcave regife, ose vullnetare, dhe organizator i saj nga fillimi deri në kryerjen e detyrës.
– Osman Bali akuzohet si një ndër atentatatorët kryesorë të Avni Rustemit, i cili mendohet se ka vrarë Esat pashën në Paris. Para se të kalojmë këtu, sipas atyre çka keni dëgjuar nga të afërmit tuaj, mund të na bëni një përshkrim të Avni Rustemit, pra cili ishte ky personazh kaq i mitizuar, sidomos në kohën e komunizmit?
– Avni Rustemi ishte një person anonim, që nuk e njihte askush, jo vetëm në Tiranë, por as në zonën e tij në Libohovë. Unë nuk mund të hyjë me saktësi në emra të përveçëm se si ai arriti deri këtu nga një provincial injorant. Nga një bisedë që kam pasur me Tomorr Alikon, i cili për tipa si Avni Rustemi shprehet se në atë zonë u thërrisnn “opingar”, dhe realisht kështu ishte. Por grupet revolucionare, ku u përfshi edhe Avniu, ishin shumë aktive. Këtë unë e mbështes në programin e qeverisë së Esat pashës në vitin 1914 në Durrës, ku një ndër pikat e programit të qeverisë ishte shpërndarja e grupeve revolucionare, sepse dihet që xhonturqit ishin revolucionarët që donin të shkatërronin shtetin. Lidhur me vrasjen e Esat pashës nga ky person anonim, me ç’kam dëgjuar, është paguar nga kunati i Rauf Ficos për të vrarë Esat pashën, por në fakt nuk e ka vrarë ky.
– Po kush e vrau?
– Në dijeninë time, e ka vrarë shefi i policisë së Parisit, Fransua Laskia. Dhe kjo jo paarsye. Periudha 1912-1920 ka qenë shumë decizive për kufijtë e Shqipërisë dhe fuqitë fituese, Antanta, e cila fitoi luftën, për të tërhequr Italinë në grupin e vet, i premtoi kryesisht pjesën e Vlorës deri në Durrës Italisë për ta pasur në pjesën e vet. Dhe Esati nuk ishte dakord, pasi ishte fitues i Luftës së Parë Botërore dhe miratimi nga politika provinciale e Tiranës bëri që të kryhej kjo vrasje. Ruajtën momentin që Osman Bali u kthye nga Parisi për të marrë pjesë në kongresin e Lushnjës. Sepse po të mos jepte mbështetjen Esart pashë Toptani, kongresi nuk mund të zhvillohej, pasi në atë kohë në vend vepronin vetëm forcat e Esat pashë Toptanit.
– Po Roli i Avni i Rustemit cili ishte në këtë atentat?
– Avni Rustemi ishte thjesht një kukull, i cili mori përsipër atentatin. Dhe për këtë u pagua nga personi që unë thashë më lart. Nuk u provua kurrë që Esatin e kish vrarë Avni Rustemi dhe nga gjykatat franceze nuk u dënua, ndërkohë që kodi penal i atij vendi vrasjen e dënonte me vdekje asokohe. Fjalët për protesta të shqiptarëve emigrantë e të tjera si këto kanë qenë vetëm pallavra komunistësh.
– Si e priti Osman Bali vrasjen e Esat pashës?
– Osman Bali realisht kishte të gjithë ushtrinë me vete dhe njihej si drejtues pas Esat pashës. Pa u vrarë Esat pasha rrethoi Tiranën dhe i çon ultimatumin parlamentit që ose të presin të vijë Esat pasha, ose të largohen nga Tirana. Sepse duhet pranuar që parlamenti i asaj kohe ishte i vetëshpallur, pasi s’kishte dalë nga një proces i rregullt zgjedhor. Me fjalën e Qazim Koculit dhe Mehdi Frashërit pranohet ultimatumi dhe formohet një komision për të shkuar dhe për ta marrë Esat Pashën në Paris. Kur ky komision shkon në Paris për të marrë Esat Pashën, ndodh vrasja e tij. Pas vrasjes së Esat pashës Osman Bali tërhiqet dhe mbledh forcat për të sulmuar Tiranën dhe ikën në Baldushk në sarajet e veta. Atje shkon ministri i brendshëm, Ahmet Zogu, dhe i thotë tekstualisht: “Preferon të jemi në pushtet apo të vijnë bolshevikët?” Osman Bali pranon që të jenë këta në pushtet dhe kur Ahmet Zogu po largohej, i thotë: “Kam dhe një kërkesë… Tosku (Avni Rustemi të mos preket.” Përgjigjja ishte e prerë se kjo nuk pranohet, por pas shumë bisedimesh, për rreth dy javë në shtëpinë e Osman Balit, ky i fundit i thotë fjalë për fjalë: “Deri ditën që ti të jesh në pushtet, nuk i ndodh gjë. Ditën që ti të largohesh, ai nuk do të jetojë më. Dhe kështu ndodhi. Më 23 mars 1924 Ahmet Zogu plagoset nga Beqir Valteri, i paguar nga kundërshtarët e tij. Vetë Avni Rustemi ikën në Itali dhe rregullon një vizë amerikane në konsullatën e Tiranës për të ikur në Amerikë. Osman Bali informohet që Avni Rustemi po mbërrinte në Tiranë nga Italia, ku ishte fshehur, ngarkon Isuf Reçin që ta kryejë këtë detyrë. Ishte një burrë Tiranas, i vjetër besnik i tij.
– Pse Isuf Reçin kur ai mund ta vriste vetë?
– Fjalët që Osman Bali i tha Isuf Redçit ishin: “Unë do shkoj në Elbasan të vras Aqif pashë Elbasanin (që ishte kushëriri i tij dhe i Esat pashës, pjesë e komplotit për të vrarë Esat pashën në Paris). Nesër dua që të mbarosh punë me Avni Rustemin, pasi unë nuk e ndyj koburen me të. Sepse pasha kërkon pashë dhe jo rrjepacakë.” Pa shkuar në Elabsan, Aqif pashës i shkon fjala se “po vjen Osman Bali të të vrasë”. Aqif pasha largohet dhe Osman Bali nuk e gjen. Kur po pinte kafe në Elabsan, i tregojnë për vrasjen e Avni Rustemit në Tiranë.
– Thonë që është vrarë pas shpine Avni Rustemi, si është e vërteta?
– Absolutisht jo. Unë kam folur me Xhlelal Casllin, që në atë kohë ishte nja 14 vjeç, tashmë ka vdekur. E priti tërë ditën dhe kur e pa, e kapi për krahu dhe i tha: “Bëji Selam Esat pashës!” dhe e qëllon në brinjën e djathtë.
– Po Osman Bali e dinte se nuk e ka vrarë Avni Rustemi Esatin, pse duhej ta vriste?
– Sepse ky, pasi e pa që s’po e ngacmonte kush, filloi të shiste mend sa andej-këndej, madje e bënë dhe deputet në zonën e Kukësit, që atëherë i përkiste Kosovës, sepse në Libohovë nuk e votonte njeri, pasi e dinin kush ishte. Një gjë është interesante: spas nipit të Xhemal Kusit, mësues në atë kohë, por që kishte njohje me Avni Rustemin, më ka treguar këtë dialog që ka bërë me Avni Rustemin: “I fortë dole, o Avni, si e vrave Esatin në mes të Parisit?” Avni Rustemi i kthehet dhe i thotë: “Xhemal efendi, s’e kam vrarë unë” dhe Xhemali këtë deklaratë ia kërkon me shkrim. Avni Rustemi ia jep me firmë. Këtë letër Xhemali e fut në dorëshkrimin e tij dhe rreth vitit 1988-1989 ia dorëzon Androkli Kostallarit. Androkliu i thotë se kjo s’mund të botohej, por e fut në arkiv. Më gjatë unë s’e di se çfarë është bërë me atë dokument.
– Po nga përkrahësit e Avni Rustemit si u prit vrasja e tij?
– Më pas ata e shfrytëzuan këtë vrasje për të bërë revolucionin e qershorit të vitit 1924. Por kam dëgjuar se dhe vetë hirësia e tij Fan Noli ka festuar për vrasjen e Avni Rustemit, një njeri i mërzitshëm dhe i paditur, siç e përshkruan dhe Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij. Kjo shërbeu si pikënisje për të ardhur në pushtet kundërshtarët e Zogut.
– Tani dalim pak te vrasja e Osman Balit. Thonë se e ka vrarë e Myzlim Peza, madje ka dhe një këngë për këtë qëllim?
– Vrasja e Osman Balit nuk është një vrasje e rastësishme, për hasmëri apo për pazare kuajsh, siç thuhet në këngë. Është në kuadër të vrasjeve të mbështetësve të Esat pashës. Unë nuk di të them sot se kush ka paguar, por di që s’e ka vrarë Myslim Peza. Sipas dijenisë sime, janë mobilizuar më shumë se 30 persona për vrasjen e Osman Balit, në atë kohë 63 vjeç. E ka vrarë Osman Tafizi me pushkë mbrapa koke. Myslim Peza vetëm e mori përsipër, por nuk e kreu dot, sepse nuk arriti as ta nxjerrë revolen, madje u ka thirrur njerëzve në pritë: “Kujdes, se do vrisni njëri-tjetrin!”. Këto janë fjalët e Xhemal Kasës, prezent në ngjare, djali i tezes së tij, që më pas ka punuar në shtëpinë e Myslim Pezës si bahçevan. Por këto çështje daja im, Ismail Bali, i ka mbyllur që në vitin 1943.
Kujtimet e Eqerem bej Vlorës
Avni Rustemi ishte një kriminel dhe karagjoz. Me vrasjen e tij drejtësia u vu në vend
Ahmet Zogu e dinte cilët ishin organizatorët. Ai pajtoi një njeri në Tiranë që kishte marrë prej vitesh me qira një mulli bloje nga Esat pasha (njëherësh edhe vetë Esatist i njohur), i cili qëlloi me revolver dhe plagosi rëndë Avni Rrustemin, vrasësin e Esat pashë Toptanit dhe nxitësin kryesor të atentatit kundër Zogut. I plagosuri vdiq dy ditë më vonë në spitalin e Tiranës. Ky kishte qenë një akt i shkëlqyer hakmarrjeje, që jo vetëm përputhej me rregullat e kodit të vendetës shqiptare, por bënte edhe një shërbim tjetër: pajtonte dy rryma politike: esatizmin dhe ahmetizmin, deri atëherë të ndara. Por vrasja e Avni Rrustemit ishte njëherësh edhe shkëndija që ndezi flakadan zjarrin, deri atëherë të mbuluar, të urrejtjes së vjetër disavjeçare midis krahut demokratik dhe atij aristokratik. Urrejtja, si një udhëkryq, ndante Shqipërinë osmano-feudalo-myslimane nga ajo nacionalo-socialisto-demokratike. E në rrethanat ekzistuese ky zhvillim do të çonte pashmangësish në vendosjen e një diktature, që do të zgjaste 15 vjet. Në mbrëmjen e po asaj dite unë me Myfit bej Libohovën i bëmë një vizitë në shtëpi Ahmet Zogut. Me gjithë njëfarë temperature, Zogu e kishte marrë tashmë veten nga shoku i pësuar. Sipas zakonit të keq shqiptar, në dhomën e të sëmurit hynin e dilnin me qindra vizitorë, pa dashur t’ia dinë nëse ky interes i pëlqen apo e bezdis të sëmurin. Piheshin pa mbarim cigare dhe kafe, ndërkohë që i sëmuri, për të mos e humbur burrërinë në sytë e botës, jo vetëm që duhej t’i priste buzagaz, por edhe t’u jepte muhabet. Dhe Ahmet Zogu i përmbushte në mënyrë të shkëlqyer këto kërkesa të etiketës shqiptare. Asnjë fjalë e keqe për atentatorin dhe për nxitësit e tij nuk doli nga buzët e tij, asnjë emër nuk u përmend. Por pikërisht kjo shpërfillje në dukje ishte ogur më i keq për organizatorët e atentatit dhe për pasojat e aktit të tyre. Mua më erdhi edhe një herë në majë të hundës nga rrengjet që ofronte politika shqiptare. Mora leje, me kokën time, dhe u nisa për në Vlorë. Por pas disa ditësh doli që kisha rënë nga shiu në breshër. Ajo që po luhej në Vlorë ishte doemos vetëm refleksi i asaj që po ndodhte në Tiranë, por e mjaftueshme, megjithatë, për të çmendur një njeri normal. Si pasojë e manipulimeve të Partisë Demokratike, në Tiranë po bëheshin gjashtë javë pa arritur të formohej një qeveri. Si kërpudha të helmuara në një moçal shpërthenin intrigat e grupeve dhe të partive: dora e “kuqe” dhe “e zezë”, organizata “Bashkimi” dhe shoqata të tjera revolucionare, anarkike, e më të shumtën qesharake, që mbillnin vetëm kaos. Këshilli i Regjencës dhe shumica e Asamblesë gjatë një periudhe qetësie relative, u përpoqën të kalojnë kandidaturën e Iljaz bej Vrionit për kryeministër. Por “dora e zezë” (intelektualë të dështuar, nëpunës dhe oficerë të politizuar) e kërcënonte me vdekje kandidatin në rast se ai merrte në kabinetin e tij Ahmet Zogun. Rruga ishte bërë kështu gjykatës për fatet e vendit. Partitë “demokratike” kishin zgjedhur për zgjidhje hakmarrjen për vrasjen e Avni Rrustemit. Ata kërkonin që nga vrasja e një sektaristi ekstravagant të përligjnin një revolucion shoqëror dhe në këtë anarki të përgjithshme ata shpresonin, më në fund, që të fitonin një pushtet të pakufizuar. Kjo quhej asokohe demokraci në Shqipëri! Më së fundi, më 30 mars 1924, Këshilli i Regjencës ngarkoi Shefqet bej Vërlacin me krijimin e qeverisë së re. Misioni i tij ishte të përpiqej për vëllazërimin e rrymave të ndryshme politike dhe për rivendosjen e rendit dhe të idesë së shtetit: një dëshirë e devotshme, por thuajse e parealizueshme. Dhe meqenëse Shefqet Vërlaci mbahej si vjehrri i ardhshëm i Zogut, rryma demokrate u zemërua jo pak. Ajo u përpoq me të gjitha mënyrat që ta bënte qesharak programin e tij dhe ta vinte në lojë në sytë e popullit kabinetin e tij. Po kur pas dy javësh “demokratëve” iu ofruan dy poste në atë kabinet (Luigj Gurakuqi nga Shkodra për financat dhe doktor Fahriu nga Kosova, për arsimin), ata jo vetëm që I pranuan sakaq postet, por që në mbledhjen më të parë të Asamblesë, kënduan këngë lavdërimi për qeverinë dhe për qëllimet e larta, pa interes vetjak dhe atdhetare të Shefqet Vërlacit. Asnjëherë më shumë se në këtë pranverë të vitit 1924 papjekuria, egoizmi i skajshëm dhe intrigat e gjithëmbarshme nuk kanë luajtur rol më të mjerë në Shqipëri. Këto mbrapshti paralizuan gjithë aparatin shtetëror dhe kabinetit Vërlaci nuk i mbetej tjetër veçse nga mëngjesi në darkë të përpiqej për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë. Gjatë këtyre ditëve ndodhi diçka që i nxehu edhe më tepër gjakrat. Një bandë kusarësh vrau dhe grabiti në pyllin e Mamurrasit dy amerikanë të pakujdesshëm. Askush nuk e dinte se cilët ishin fajtorët, ndaj edhe nuk mund të orientoheshin. Demokratët e shfrytëzuan sakaq këtë ngjarje fatkeqe duke e akuzuar Zogun se ai i kishte vrarë amerikanët për t’i dhënë një provë botës se vetëm ai është në gjendje të vendosë qetësinë dhe rendin në Shqipëri. Natyrisht, një shpifje e tillë e ulët nuk do të kishte merituar as vëmendjen më të vogël, nëse më vonë (gusht 1924), pasi Partia Demokratike kishte marrë pushtetin, të mos inskenohej një proces gjyqësor i mirëfilltë, me dëshmitarë të rremë e më the të thashë, i cili fajësoi për këtë vrasje Ahmet Zogun.
Një komedi e ngjashme ishte edhe ceremonia e nderimit para arkivolit të hapur të Avni Rrustemit në spitalin e Tiranës. Të gjithë ata që e quanin veten “popull” dhe “demokratë” kaluan përpara arkivolit të këtij karagjozi kriminel të cilin donin, me doemos, ta ngrinin në piedestalin e heroit kombëtar dhe të martirit. Me radhë, udhëheqësit e Partisë Demokratike ngjiteshin pranë arkivolit dhe zbraznin rrëketë e fjalëve të tyre, pa dashur t’ia dinë se për popullin këto poza janë krejt të huaja, sepse ato shkelin zakonet dhe kuptimin e tij për dinjitetin njerëzor. Kjo shfaqje u zhvillua për një javë të tërë në Tiranë dhe pastaj në Vlorë, për gazin e gjithë kalamajve. Gjithë kjo shfaqje hipokrite ndiqte vetëm një qëllim: të ngrinte peshë zemrat e njerëzve dhe nga trazira e përgjithshme, të fitonte kapital politik. Në këtë vazhdë befas, Partia Demokratike vendosi ta transportojë të vdekurin në Vlorë, ta varrosë në një lëndinë të vogël trekëndëshe para barakës së teatrit dhe kinemasë në kryqëzimin e rrugës Skelë-Kaninë-Vlorë dhe përmbi të, të ngrejë një përmendore. Me qëllim gjoja, që ta përjetësojë. Në të vërtetë, pas tre muajsh grumbulli i dheut dukej krejt i lënë pas dore, ndërsa pas tre vjetësh ishte zhdukur fare Me vjegë se po përcjellin trupin vdekatar të atdhetarit të madh, shumë politikanë të mirëfilltë dhe asish të improvizuar u vunë në lëvizje nga Tirana dhe përmbytën Vlorën, si një luzmë karkalecash9Kortezi-Presha Jone)