Nga Arben Muka/
Rindezja e debatit për lustracionin në Shqipëri po komentohet në mënyra të ndryshme. Dy projektligjeve të paraqitura në parlament i është bashkuar dhe një Apel i rreth 100 personaliteteve të njohur europianë.
“Shtëpisë së gjetheve”, një ndërtesë e fillimit të viteve ’30 në qendër të Tiranës, realisht i mungojnë këto ditë gjethet. Jo vetëm sepse jemi në stinën e antigjelbërimit, por dhe nga vendimi më i fundit i autoriteteve zyrtare për ta “nxjerrë në dritë” godinën. Kjo shtëpi misterioze që ka shërbyer për oficerët NS në Luftën e Dytë Botërore dhe për Sigurimin famëkeq të Shtetit në kohën e diktaturës komuniste, ka hyrë në procedurat e shdërrimit në muze, në zbulim të destinacionit dhe funksionimit të saj si një qendër e sofistikuar e përgjimeve, në aplikimin e “çimkave” regjistruese për mendimet dhe gjykimet e atyre që mendonin ndryshe nga infrastruktura e sistemit totalitar. “Shtëpia me gjethe” ishte laboratori dhe baza e të dhënave e regjimit paranojak, përmes të cilave përpunoheshin dhe stiseshin akuza dhe skema monstruoze për ndëshkime, përndjekje, eleminime të kundështarëve politikë dhe ideologjikë. Ministria e Kulturës kërkon që në mes të Tiranës të ndezë një projektor transparence për të shkuarën e errët, duke ju sjellë vizitorëve vendas dhe të huaj copëza nga realiteti i izolimit dhe përçudnimit të vlerave njerëzore.
E vërteta me qartësi, si mundësi shërimi
Ky projekt nuk ka shkaktuar vetëm kërshëri, por dhe ka rikthyer debatin e hershëm mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në ambjentet e parlamentit janë depozituar dy versione projektligji për mënyrën e hapjes së dosjeve të policisë sekrete. Por së fundmi ka nisur të qarkullojë dhe një peticion në formën e Apelit për parlamentin për hapjen e plotë të dosjeve të diktaturës komuniste, i mbështetur nga një grup prej rreth 100 personalitetesh të shquara nga vendet europiane, shkrimtarë, anëtarë parlamentesh, politikanë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile, medias etj. Shkrimtari dhe publicisti Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, duke prezantuar thelbin e Apelit thekson se mijëra viktima të ekzektuara, qindra mijëra të internuar, të dënuar politikë, familjarë e të afërm, të cilëve iu rrënua jeta, duan drejtësi, nuk duan mëshirë, nuk duan zbukurim të së shkuarës.
“Ata nuk duan ta ndajnë në klasa shoqërinë, e të helmojnë bashkëjetesën siç vepruan përgjegjësit e regjimit komunist. Përkundrazi, kujtimi ndaj tyre duhet të sjellë paqen e brendshme, qëllimi është pajtimi… Viktimat e diktaturës nuk i përkasin asnjë partie, ato janë përmendore kujtimi e të gjithë Shqipërisë. Ka mundësi që leximi i një dosjeje personale mund të ngjajë me dhimbjen e një plage, mund të trondisë, por e vërteta me qartësinë që sjell është një mundësi shërimi”.
Përdorimi i dosjeve nga politika
Dorian Koçi, nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar, mendon se vonesa për hapjen e dosjeve në Shqipëri është nga shkaku se elita politike që ishte protagoniste e tranzicionit lidhej me shumë fije me të shkuarën. Duke shkuar më tej këtij vlerësimi, ai arsyeton se loja jo e ndershme politike për të qendruar me çdo kusht në pushtet apo në krye të partive të mëdha politike, e shndërroi hapjen e dosjeve në një mekanizëm kontrollues prej nga mund të përfitohej dhe shantazhohej cilido i përfshirë në to. “Të gjithë vendet e ish Lindjes e zgjidhën problemin me të shkuarën që në fillimet e tranzicionit kurse këtu ky problem u hiperbolizua se do të sillte probleme të mëdha në shoqëri. Përdorimi i dosjeve për politikat e çastit u ka mohuar shqiptarëve çastin e tyre historik për t’u ndarë njëherë e mirë me të kaluarën”, thotë Koçi për Deutsche Welle-n.
Në të njëjtën linjë është dhe gazetari Arben Vata, sipas të cilit dosjet nuk janë përdorur prej palëve në skenën politike për të sulmuar kundërshtarët. Madje dhe për t’u mbajtur gojën mbyllur ish-bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit famëkeq të diktaturës, thotë ai për Deutsche Welle-n. “Dosjet janë përdorur si mjet i luftës politike dhe mjafton të përmendim këtu komisionet për verifikimin e dosjeve përpara zgjedhjeve në vitet ’96 dhe ‘97. Mendoj se nuk ka pasur asnjëherë seriozitet për çështjen e dosjeve, siç nuk ka pasur seriozitet për shumë levizje e reforma sociale, fatkeqësisht”.
Shkrimtari dhe publicisti Lazër Stani para disa muajsh ishte bashkëideator në ngritjen e muzeut të parë virtual dedikuar jetës së tmerrshme nën diktaturën hoxhiste në Shqipëri, mbi krimet, dënimet, ekzekutimet, persekutimet dhe ferrin e burgjeve dhe vendinternimeve. Sipas tij, përfaqësuesit e popullit dhe politikanët që kanë sunduar në këto 24 vite, asnjëherë nuk shprehën vullnet për t’u ndarë njëherë e mirë nga komunizmi, si një e keqe katastrofike që mbi të gjitha dhunon liritë e individit, poshtëron dhe shkatërron përsonalitetin njerëzor, ushqen urrejtjen në vend të dashurisë, mizorinë në vend të mëshirës, padrejtësinë në vend të drejtësisë. Sundimtarëve të rinj postkomunistë, të të gjithë krahëve, në një farë mënyre, u ka pëlqyer modeli komunist i sundimit, shprehet për Deutsche Welle-n Lazër Stani.
Jo vullnet për transparence të krimeve të komunizmit
“Ky model mbështetej në kriminalizimin e individëve dhe shndërrimin e tyre ne qenie depërsonalizuara, krejtësisht të varura nga makina shtetërore. Mëkatarët e djeshëm, ishin shërbëtorët më të devotshëm të sundimtarëve të rinj, mjafton që mëkatet e tyre të fshiheshin, krimet të mos hetoheshin, po veç të demaskohehsin më fjalë gazetash, e fjalimesh populiste. Ndërkaq zërat e vetmuar të intelektualëve, të përfaqësuesve të shoqërisë civile, por edhe nisma ligjore deputetesh të caktuar, gjithnjë kanë dështuar, sepse vullneti për të bërë transparencën e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve, asnjëherë nuk arriti të shndërrohej në maxhorancë në institucionet vendimmarrëse.”
Stani është skeptik për përpjekjet aktuale në trajtimin e problemit të dosjeve. Pasi, sipas tij, nuk artikulohet ende qartë nëse hapja e dosjeve do të shoqërohet me një dënim të qartë të krimeve të komunizmit dhe me një çlirim të institucioneve të vendit dhe të politikës, nga ata individë që kanë shërbyer në hierarkinë e diktaturës. Kurse gazetari Arben Vata bën asociim me sekuencat e filmit të njohur shqiptar, “Vdekja e kalit”, ku një ish i burgosur politik takon ish persekutorin e tij, njeriun që e denoncoi dhe e futi në burg pa asnjë arsye. Persekutori, tashmë deputet, i thotë të burgosurit të veshur keq që “nëse ke nevoje, ti e di, unë të ndihmoj. Të kaluarës nuk kemi ç’ti bëjmë. Ashtu ishte regjimi…!”.
“Mjaftojnë këto sekuenca dhe lotët e aktorit që luan ish të burgosurin, për të kuptuar lojën që bën politika shqiptare me dosjet. Në gjithë këto vite, dy palët kanë pastruar dosjet e veta ndërsa risjellin në skenë debatin për dosjet sipas interesit të tyre. Sigurisht edhe për të shmangur vëmendjen ndaj problemeve të mëdha të ditës si kriminaliteti, pasiguria e jetës, korrupsioni qeveritar, papunësia, varfëria, etj.”
Nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi shpreson se këtë herë ekziston dëshira dhe vullneti për t’a çuar përpara procesin e hapjes së dosjeve. “Largimi nga politika i një sërë protoganistësh të ndrrimit të pushtetit në fillim të viteve ’90 e bën më të lehtë këtë proces dhe sigurisht duke u bazuar në përvojën më të mirë të vendeve ish komuniste mund të hartohet një ligj që hedh dritë më shumë për të shkuarën, sqaron të tashmen dhe sigurisht i hap udhë së nesërmes”.
Gjermania, shembulli për raportin mes demokracisë me të shkuarën
Duke promovuar projektin e shndërrimit në muze të “Shtëpisë më gjethe”, kryeministri Edi Rama ka përmendur rastin e Gjermanisë në mënyrën se si e ka menaxhuar problemin e dosjeve. Ai ka vlerësuar procesin si një ballafaqim i hapur, i drejtpërdrejtë dhe pa frikë për të shkuarën. “Nëse Gjermania është sot një vend shembull për raportin e vet me demokracinë dhe me të shkuarën dhe nëse Gjermania arriti të bëjë një proces të shkëlqyer transparence në raport me komunizmin, kjo erdhi edhe si rezultat i faktit se Gjermania përbën një shembull unikal në historinë e njerëzimit për mënyrën sesi u përball me fajësinë e Luftës së Dytë Botërore”.
Njëri prej organizatorëve të Apelit për parlamentin shqiptar në lidhje me çështjen e hapjes së dosjeve, ish-deputeti Mark Marku, thotë për Deutsche Welle-n se ligjvënësit në Shqipëri e kanë të kollajtë vendimarrjen. “Nuk ka nevojë për asnjë autorësi shqiptare në hartimin e një ligji të ri, por le të miratohet dhe zbatohet ligji gjerman për lustracionin. Është një gjë e provuar, që ka dhënë rezultat të pakontestueshëm, ndaj thjesht deputetët le të miratojnë atë.”(DW)