Nga Frank Shkreli/
Media të ndryshme botërore, përfshirë edhe ato shqiptare, kanë shpërndarë një lajm gjatë ditëve të fundit të pa konfirmuar nga Vatikani, se Papa Françesku do të vizitojë Kosovën gjatë vitit 2016. Natyrisht se një vizitë e tillë në Kosovë nga udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike do të ishte një lajm i mirë për një vizitë që do të ishte historike për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar. Besoj se ky lajm për një vizitë të mundshme të Papës në Kosovë, gjatë vitit që posa filloi, është një lajm i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose aleancash dhe qendrimesh politike.
Mirëpo, lajmi i gëzueshëm mbi një vizitë të mundshme të Papa Françeskut në Kosovë, megjithëse i pa vërtetuar zytarisht, u pasua pothuaj menjëherë nga një lajm tjetër në mediat e Kosovës, një lajm që është njëkohësisht aq i keq sa ishte edhe i papritur kur të merret parasyshë harmonia fetare midis shqiptarëve gjatë shekujve, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe në diasporë. Nëse ky lajm i keq dhe i hidhur ka të bëjë me vizitën e mundshme të Papës në Kosovë ose jo këtë vit, kjo mbetet për tu parë. Por sido të ta merrësh, ky ishte një lajm që që nuk ishim mësuar të dëgjonim dhe i cili sipas shumë komenteve në portale të ndryshme, shikohet dhe po komentohet si një përpjekje për të goditur rëndë harmoninë fetare shekullore me të cilën shqiptarët janë treguar dhe tregohen edhe sot krenarë para botës. Konsiderohet si një lajm i keq ky i cili, sipas shumë reagimeve në portale të ndryshme, turbulloi shpirtërat dhe shkaktoi dhëmbje të madhe dhe tronditje shqetësuese në radhët e shqiptarëve vullnet mirë të të gjitha feve pa dallim dhe kudo.
Bëhet fjalë për një lajm të turbullt i ditës së shtunë nga Kosova, i cili sipas mediave është konfirmuar edhe nga Policia e Republikës së Kosovës në Prizren e cila njoftoi se ka filluar bërjen e hetimeve për kapjen e keqbërësit ose keqbërësve. Fjala është për prishjen e disa varrezave të komunitetit katolik shqiptar në fshatin Romajë të Hasit, Komunë e Prizrenit. Ndërsa kanë filluar hetimet, Policia e Kosovës nuk bëri ndonjë koment mbi arsyen e mundshme të prishjes së varrezave katolike, ndërkohë që deklaroi se deri tani nuk ka as të dyshuar.
Prifti katolik Don Ndue Ballabani, përgjegjës për ato varreza, është shprehur për gazetën Express se varrezat e banorëve Dedaj të Romajës kanë qenë objekt sulmesh edhe më parë, por sipas tij, nuk e kanë bërë të madhe këtë çështje, siç duket në përpjekje për të ruajtur harmoninë dhe marrëdhënjet ndërfetare të asaj zone. Don Ballabani ka deklaruar se “Çdo gjë që ka të bëjë me kryqin është demoluar” në varrezat e Romajës, të cilat sipas tij “janë 200 vjetë të vjetëra”, citohet t’i ketë thënë ai gazetës Express dhe shprehet se ka uzdajë se organet e drejtësisë do ta zbardhin këtë rast dhe që ata që kryen këtë vepër penale, të kapen dhe të marrin dënimin e meritueshëm nga drejtësia.
Autoritetet e Republikës së Kosovës e dënuan menjëherë dhe ashpër dëmtimin e varrezave. Në reagimin e qeverisë së Kosovssës thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Ndër reagimet e tjera të para ndaj prishjes së varrezave të shqiptarëve katolikë në fshatin Romajë, ishte edhe komenti që bëri Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Z. Ramush Haradinaj në faqen e tij Facebook i cili e karakterizoi prishjen e varrezave katolike në Romajë si, “një akt qyqan dhe si një përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë”. Ish-Kryeminsitri i Republikës së Kosovës e dënoi ashpër këtë akt dhe kërkoi nga “Organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”, shtoi ai. Ramush Haradinaj shkruan se, “Varrezat janë objekte të shënjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. Prandaj nuk do të lejojmë askend që të na i rrezikojë këto vlera”. Z. Haradinaj shprehet se dëshiron të besoj se ky është një akt kriminel dhe keqbërsish ordiner, por përfundoi ai reagimin e tij duke thënë se “Pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”.
Në pritje të zbardhjes se këtij rasti të shëmtuar nga Policia e Republikës së Kosovës dhe pa dashur të arrijë në ndonjë konkluzion pa pasur fakte mbi motivin dhe mbi identitetin e personave që kanë kryer këtë akt të shëmtuar — akte të tilla si ky i javës që kaloi dhe herë të tjera më parë në fshatin Romajë të Hasit të Komunës së Prizrenit, janë shënja të këqia dhe përbëjnë sulme që godisin drejtë për drejtë mu në zemër të bashkjetës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, të cilët deri më sot ishin shembëll për botën në këto marrëdhënje.
Në interesin e kujt është që të mbytet harmonia fetare shekullore midis shqiptarëve dhe të zhduket respekti që shqiptarët kanë gëzuar dhe kultivuar gjatë historisë me njëri tjetrin? Ata që me akte të tilla — siç është prishja e varrezave katolike në Romajë të Hasit — dëshirojnë dhe shpresojnë të mbjellin urrejtje midis shqiptarëve në baza fetare, nuk besoj se do t’ia dalin, por ata duhet të izolohen dhe të luftohen na shoqëria sa më parë që të jetë e mundur, para se të jetë tepër vonë.
Sant Egidio per Harmonine Fetare ne Tirane
4 mijë klerikë sot në Tiranë – Toleranca fetare dhe dialogu, kryefjalë e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen/
Në një kohë kur shumë vende të botës janë përfshirë nga luftra, janë goditur nga terrorizmi dhe po vuajnë plagën e emigracionit, përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri kanë përcjellë mesazhe paqeje. “Në Shqipëri është e mundur të jetohet në vëllazëri. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është fakt historik”, thanë përfqësues të besimeve të ndryshme.
Në prag të nisjes së eventit për paqen në botë, përfaqësuesit e komunititet të Sant Egidios kanë prezantuar programin 3-ditor dhe kanë theksuar rëndësinë e dialogut për paqen, i cili është më i vështirë, por edhe e vetmja rrugë për njerëzimin. Alberto Quatrucci, Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit të Sant Egidios, u shpreh: “Nuk mund të mos kujtojmë emigracionin e viteve ’90 në Shqipëri. Ta shikoje me pozitivitet atëherë, ishte të dilje kundër rrymës, por ai emigracion ka sjellë zhvillim në Itali dhe Shqipëri. Tani po përballemi me një formë tjetër emigracioni në Europë dhe ky takim në Shqipëri do të tregojë angazhimin e komuniteteve fetare për t’iu përgjigjur sfidës së emigracionit, që mund të jetë edhe një sfidë zhvillimi”.Ndërkohë, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, deklaroi: “Nëpërmjet dialogut, ne mund të harrojmë konfliktet. Rajoni i Ballkanit, edhe falë kontributit të madh të politikës shqiptare është sot një ambient më i paqtë dhe që mendon më tepër për zhvillimin sesa për luftën”. Pasditen e së dielës, 6 shtator, nisin aktivitetet për Lutjen e Paqes, të cilat do të zgjasin deri të martën pasdite, kur do të inaugurohet edhe Parku i Paqes, vend ku do të mbillet në mënyrë simbolike pemë ulliri.
4 mijë klerikë sot në Tiranë – Toleranca fetare dhe dialogu, kryefjalë e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen/
Për tri ditë rresht, Tirana do kthehet në kryeqytetin e gjithë botës besimtare, si vendi i paqes dhe harmonisë fetare. Paqja, toleranca fetare dhe dialogu do të jenë kryefjala e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që nis sot pasdite në Tiranë dhe do të vijojë edhe në datat 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan.Ky event i rëndësishëm organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.Një ditë para takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi është shprehur se organizimi po shkon drejt përfundimit. Gjatë inspektimit të përgatitjeve i shoqëruar dhe nga përfaqësuesi i komunitetit Sant’Egidio, Klosi tha se ky do të jetë një takim historik për Shqipërinë.“Jemi në momentet e fundit të përgatitjes, nesër në orën 5 kemi ceremoninë inagurative të eventit. Është një ceremoni për të cilën kemi emocione dhe streset e fundit pasi janë shumë të ftuar. Shumë prej tyre personalitete VIP të cilët do të kërkojnë vëmendjen e nevojshme”, u shpreh Klosi.
Ministri i Mirëqenies Social u kërkoi qytetarëve ta mirëkuptojnë për trafikun që do krijohet në Tiranë, sidomos ditën e martë ku do të zhvillohet marshimi i paqes, pranë Piramidës.
“Ajo që ne i kërkojmë qytetarëve shqiptarë është që të shprehin konsensin e tyre dhe mirëkuptimin për problemet e trafikut ditën e nesërme mbasdite në zonën ku do të zhvillohet aktiviteti por ditën e martë që do të jetë një ditë më e madhe publike ku qytetarë nga e gjithë shqipëria do vijnë të marin pjesë në marshimin e paqes. Është një marshim shumë interesant i cili do të zhvillohet në sheshet kryesorë të qytetit Tiranës dhe do të jenë përfaqësues nga kleri lartë nga e gjithë bota”, tha ministri.
Në aktivitetin “Lutja e Paqes 2015” janë ftuar të marrin pjesë rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine.
Po ashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.
Në Lutjen për Paqe 2015 janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Europian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi, etj.
Ceremonia e Inaugurimit do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, pas së cilës ndjek dita e dytë me panele të ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare.
Përmes dialogut dhe promovimit të paqes i kundërvihemi dhunës me propozime konkrete dhe të realizueshme, tematika e të cilave do të diskutohet në panelet e organizuara me rastin e këtij eventi. Propozimet konkrete do të jenë për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë.
Propozimet konkrete do të vijnë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia. Aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”. Dita e tretë do të shpallë Apelin për Paqen në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.
Kosova, harmoni ndërfetare vlerash të krijuara ndër shekuj nga populli
-Kryeministri Mustafa shtroi darë iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës/
PRISHTINË, 11 Korrik-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, shtroi të premten iftar për drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, të udhëhequr nga Myftiu Naim Tërnava.
Kryeministri Mustafa, i uroi mirëseardhje mysafirëve, dhe shprehu respektin e kujdesin e institucioneve të Kosovës për komunitetin mysliman dhe të gjitha komunitetet fetare në Republikën e Kosovës.
Duke folur për vlerat që përfaqëson muaji i shenjtë i Ramazanit dhe agjërimi gjatë këtij muaji, kryeministri Mustafa theksoi se kjo është periudhë e reflektimit dhe e përkushtimit për vlerat e humanizmit, solidaritetit, paqes e tolerancës.
Kryeministri Mustafa veçoi harmoninë ndërfetare në Republikën e Kosovës, si një prej karakteristikave të shoqërisë kosovare dhe vlerave të krijuara ndër shekuj nga populli i Kosovës./B.J/
HARMONIA FETARE, MESAZHI I SHQIPTAREVE PER KOMBET E TJERA
Shqiptarët janë në komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.”
Kryeministri Berisha dha një pritje koktej me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, me përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Në pritje ishin të pranishëm drejtuesit e bashkësive fetare në vend: Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Fitor Muça, Zëvendskryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare nga Kosova dhe Mali i Zi.
Fjala e Kryeministrit Berisha në pritje.
“Është një rast i veçantë për mua të përulem me nderimin më të thellë para veprës së ndritur të këtyre burrave, të cilët me përkushtimin e tyre, me vetëmohimin e tyre, me besimin e tyre të pakufishëm tek Zoti dhe në shërbim të tij, kanë bërë që shqiptarët të festojnë sot, krenarë para Zotit, Krishtlindjet, një nga ngjarjet më të mëdha të njerëzimit të të gjitha kohërave, lindjen e burrit dhe Hyjit, i cili me mendimin, me trashëgiminë, por edhe me sakrificën e tij sublime në shërbim të Zotit dhe të njeriut, ndikoi aq fuqishëm në moralin njerëzor, në moralin e qytetërimit perëndimor.
Ndaj dhe urimin e parë e kam për ju, mirënjohjen më të thellë për veprën tuaj të ndritur, e kam për të gjithë besimtarët të krishterë shqiptarë dhe të gjithë besimtarët e Zotit në Shqipëri, besimtarët ortodoksë, katolikë, myslimanë dhe të gjithë ata që i luten Zotit dhe i besojnë atij, iu uroj Krishtlindjet gëzuar! Uroj nga zemra që t’i festojmë ato gjithnjë e më mirë.
Këto krishtlindje i festojmë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, i kremtojmë gjithashtu pas një rilindje të vërtetet të besimeve fetare, të cilat u rrënuan nga një ideologji çnjerëzorë. I kremtojmë të lirë dhe unë jam i bindur se ka shumë arsye që të besojmë që Krishtlindjet e tjera do të na gjejnë më mirë, më të bashkuar, më të begatë, më të sigurt dhe më përpara në projektin tonë të madh të bashkimit njëri me tjetrin, të bashkimit me Europën, të ndërtimit të Shqipërisë Europiane.
Një përshëndetje të përzemërt dua t’u jap ambasadorëve, duke filluar së pari me Nuncin Apostolik, përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë dhe të Atit të Shenjtë në Shqipëri, këtij Aleati të përjetshëm të shqiptarëve, mbështetësit të vendosur të çështjeve të drejta të tyre. Ju uroj ju shkëlqesi ambasadorë, familjeve tuaja, kombeve tuaja, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Uroj prosperitet, paqe, stabilitet dhe të ardhme gjithnjë e më të ndritur për kombet tuaja të mëdha, mirëkuptim, paqe dhe harmoni për të gjithë.
Ky vit i lëshon vendin një viti tjetër të madh në historinë e njerëzimit, vitit të ediktit të Milanos, në të cilin dy perandorë, – rastësi apo jo, le ta gjykojnë historianët – dekretuan së bashku lirinë fetare. Edikti i Milanos është një nga aktet më të mëdha në historinë e njerëzimit, pas lindjes dhe ringjalljes së Krishtit. Ky akt i hapi rrugën paqes, mirëkuptimit, respektit reciprok, të njerëzve me besime të ndryshme dhe iu dha qytetarëve lirinë të përzgjedhin besimin që duan.
Shqiptarët në këtë horizont janë një komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Një komb, të cilit linja e Teodosit i ra në të gjithë gjatësinë e tij. Kisha u nda, por kombi mbeti unik. Më vonë sërish linja të tjera ranë mbi të, tani jo linja e Teodosit, por linjat e Huntingtonit, përsëri kombi mbetet unik. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.
Ndaj le të përpiqemi së bashku ta shndërrojmë 2013, në një vit harmonie, paqeje, mirëkuptimi me njëri-tjetrin, me fqinjët, me vende të tjera.
Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Ju falënderoj me mirënjohje që erdhët sot, këtu, dhe më dhatë mundësinë të uroj secilin prej jush. Gëzuar!”
…