• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kam nëntëqind e dhjetë lekë jepjani nanës

August 10, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298Nga Ilir Levonja/

1) Më 10 gusht 1988, pra si sot e tridhjetë vite më parë, ekzekutohej në publik një poet. Ashtu siç ndodh rëndom në diktaturë, herët në mesnatë, por trupi do të lihej aty deri nga paradreka. Ashtu nderur…, duhej ta shikonte njerëzia. Kam patur edhe unë fatin e mbrapshtë një herë, të shoh në qytetin tim të varur në litar, në një nga anekset e stadiumit, një qytetar, një djalë të ri… i cili në sherr e sipër një sherr banal provincial, i fyer për atë që fqinjët i kishin bërë familjes së tij, të atit, të kryente një krim. Gjithsesi, nuk kishte gjë më të shpifur të shikoje njeriun të nderur në litar. Por ndodh të aplikohet një dënim i tillë edhe në demokraci. Në ato muajt e parë të saj, në Fier qershorin e vitit 1992, ku ekzekutohen publikisht dy vëllezër për të ashtuqujturën masakra e Libofshës. Gjithsesi janë raste krej të ndryshme. Por ky i poetit Havzi Nela është thjesht për mendimin ndryshe, për fjalën e lirë, poezinë. Dhe nga ana tjetër, faqja jonë e zezë e një kohe turpi. Një kohe që akoma nuk pranon të pastrohet, por si mushka, shkund supet, shtyhet, ecën dhe flet për demokraci. Në fakt e gjitha është një hipokrizi sociale, një nga ato metoda kaq të stazhionuara tashmë të cilat ne i përdorim me kollajllëk, themi ajo ishte koha, regjimi, ato ishin ligjet. Madje demokracia është një mburojë nën pretekstin e të drejtave të njeriut dhe fjalës së lirë. Kësisoj tërësia e këtyre sejmenëve, në këtë lëmoshë sociale, arritën të drejtojnë dhe akoma qeverisin vendin, sikur asgjë anormale të mos kish ndodhur. Sikur çdo vrasje, çdo ekzekutim, çdo burgosje, të qe konform kohës që bota e përparuar e kish braktisur një shekull më parë. Mjaft të përmendim rastin e Fehmi Avdiut, Gramoz Ruçit a kryeministrit aktual Edi Rama. Kjo mjafton për të kuptuar se diktatura qeveris dhe se me elementë të saj demokracia është një anije horizonti. 

2) Pse e them dhe përdor shpesh këtë, që rasti Havzi Nelës është faqja jonë e zezë. Mjaft të lexosh deponimet e tia përpara hetuesve ose në gjyqe etj. Qartësinë e mendimeve të tia në lidhje me sistemin dhe sugjerimet për metoda më efikase në ekonomi, arsim, mjekësi, art e shkencë… nuk janë mendime të armikut, armiku nuk është i tillë. Janë sugjerime të thëna çiltër dhe që ai u mëshon po çiltër aq sa duhet ta ketë zili edhe individi i sotshëm i kësaj demokracie me paralizë faciale që po aplikon shoqëria e jonë. Armiku nuk është i tillë, nuk ka se si të jetë kur thotë, që, ”përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë, se atje është përdorur forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte pregatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë është kolektivizimi dhe nuk kishte kushte ekonomike për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mund të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e njerëzit humbasin kohë duke udhëtuar”. Fjalët e Havzi Nelës mbi vendin, gjendjen ekonomike, fshatarin, shoqërinë. Janë thjesht një sugjerim, një mendim ndryshe, nuk janë krim. Nuk është armik ai që e do e vendin si perëndimi. Nuk është armik ai poet që e do rininë me shumë liri, hapësirë e lëvizje. Me më shumë rryma mode dhe trajtim ushqimor normal si bota. Nuk se si të jetë. Megjithatë ne e vramë Havzi Nelën. E varëm me nxitim herët, dhe e mbuluam në një gropë shtylle betoni sikur të mos ishte qenie njerëzore. 

Ne vramë sikur të ishte kancer, sëmundje ngjitëse dhe aplikuam me qejfin më të madh metodat e karantinave mjeksore si në rastet e epidemisë. Kolerës etj. 

3) Nuk e di se çfarë është bërë në këtë 30-të vjetor në Kukës. Por mbaj mend se para disa kohëve u vendos një shtatore diku në qytetin e tij. Megjithëse shumë pak… Shoh se në disa webe të djathta postohen foto të tia prej të burgosuri kohe, ca vargje etj. Si ato metoda shterpe, sa për të kaluar radhën. Metoda përdoruese, siç qe edhe rasti i çadrës së Bashës me gruan e tij të lodhur hallesh. Pastaj Basha ia zgjidhi, duke marrë ca karrige të shëmtuara postesh ministrore ne republikën e tij të re. Një aleancë e shkëlqyer për të rivarur rishtas Havziun e mendieve të çiltra. Një alenancë majasëlli me një pinjoll nga xhelatët e Havziut. Për ta rivarur rishtas Havziun dhe amanen e tij, familjarët. Ashtu sikur ndodh në plot faqe personale me ca dedikime kortezie, edhe kjo një metodë tashmë bajate aq sa ndjesia sociale është vetëm një indinjatë në letër. Por unë sugjeroj se faqja jonë e zezë, rasti Havzi Nelës duhet të interpretohet në çdo skenë publike, auditor Tiranë, Prishtine, Podogoricë, Shkup etj…, se ne ”modernët” merremi aq shumë me Godonë e Irlandës, sa harrojmë këto të zezat tona, më të zeza se absurdi ishullor.

Kemi nevojë të ballafaqohemi me kohën, të ballafaqojmë njerëzit, sistemet, se ndryshe nuk bëjmë demokraci. Kemi nevojë tu rrëfehemi brezave, t’ua heqim petët lakrorit. Ndryshe nuk kemi si hartojmë ligje të drejta. Nuk kemi si rrisim kuadro të dobishme për vendin. Në fund të fundit, për këto të drejta të munguara tonat, u var në litar poeti Havzi Nela. Për asgjë më shumë. Nuk bëri krim ordiner. Nuk dënoi kënd, nuk hodhi në erë me tritol pallate me letra fallco. Nuk bëri lojra politike a marrëveshje deti, kufijsh, me fqinjët… foli për përmasimin dhe standarte të tjera në ekonominë e vendit. Foli për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Kaq… A nuk skuqeni kur e mendoni?

4) Nuk e di pse ka një politikë të shpërndarë, ndofta është e qëllimtë sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe, kjo metoda e shtatoreve. Kjo përkujtesa e pjesëshme dhe vatra vatra. 

Jo vetëm për Havziun por edhe të tjerë duhet medoemos të ketë një institucion të përmasave piramidë, a teatër a kishë…, për gjithë viktimat e diktaturës. Këtë kishin kërkuar, këtë që po jetojmë sot, demokracinë. Duhet medoemos … përpara se të prishim, përpara se të lypim partneritet dhe lëmosha sa majtas djathtas, le të ngrejmë institucionin e memories me përmasa të tilla. Mundësisht në sheshet më të mëdha, më publike tu tregojmë brezave se ja çfarë bëm, ja si e bëm,, ja si rropëm të gjallë njëlri-tjetrin. Bëjeni se ta dini do të na ulet kriminilateti ndjeshëm, do na ulen të gjitha mbrapshtitë. E më pas do fitojmë ndjenjën e dhimbsurisë. Dhe dhimbusira të çon veç tek dashuria dhe respekti për shoqi-shoqin. Të bën të mendohesh katër herë se kë voton. Se vota nuk shitet për një thes miell etj. Përse u var Havziu? Ja sepse tha këto fjalë….

”Përsa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera, këtë e them se njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë të madhe si televizor, automobila e sende të tjera e bëjnë një jetë me të vërtetë luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës” Ja për këto fjalë u var në litar. A nuk flet edhe Edi Rama sot për këto. A nuk premton se do t’i bëj… dhe nuk i bën. I bukuri Havzi nuk kishte as vulë, as pushtet, sepse nuk dinte të vriste. Por kishte vetëm guximin, fjalën dhe për ato u vra…

Filed Under: Opinion Tagged With: Havzi nela, Ilir Levoja, nena

Havzi Nela, poeti i varur në litar, “kthehet” në Kukës në Bronz

June 12, 2018 by dgreca

Busti i poetit martir Havzi Nela vendoset në gjimnazin”Havzi Nela” te Kukësit/

1 Havzi Nela bust

TIRANË, 12 qershor/ – 30 vjet pasi u var barbarisht nga Regjimi Komunist, Havzi Nela, mësuesi e poeti i fjalës së lirë, rikthehet në Kukes, në bronz.Busti i tij u vendos para shkollës së mesme me të njëjtin emër.Busti i poetit martir Havzi Nela, vepër e skulptorit kuksian Ilmi Hoxha u vendos sot në gjimnazin që mban emrin e tij në qytetin e Kukësit. Në ceremoninë e përurimit të bustit të organizuar nga bashkia e Kukësit ishin të pranishëm deputetë, prefekti i qarkut Zenel Kuçana, familjarë, qytetarë, etj.Kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, theksoi se “falë sakrificës së tij sublime, falë guximit e krenarisë së tij, Kukësi është në hartën e botës si qytet i poetit të varur.
Përditë e më shumë Havzi Nela do të bëhet krenari për njerëzit që jetojnë në këtë qytet, për gjimnazistët që do të dalin nga gjimnazi i Kukësit që mban emrin e tij”, nënvizoi Shehu.Sipas tij, Kukësi tashmë përveçse qytet i qëndresës së madhe të 1912, qytet i mikpritjes së madhe dhe kandidat për Nobel në 1999, është edhe qytet i poetit të varur në litar në emër të lirisë, të fjalës së lirë.Havzi Nela lindi më 24 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit Kukës. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në rrethin e lindjes, në një varfëri të tejskajshme për të vazhduar më vonë Institutin në Shkodër ku përjashtohet, pasi ai kundërshtonte politikat e kohës.Pas viteve të tëra burgime, internime e madje edhe disa dënime me vdekje, më 10 gusht 1988 poeti dhe mësuesi disident Havzi Nela u var në sheshin kryesor të Kukësit.
Havzi Nelës i është akorduar titulli “Martir i Demokracise” dhe “Nderi i Kombit”….

THANE PER POETIN:

Shukri Nela: Havzi Nelën për mua si vëlla e kam ende të gjallë. 

Debati për vendosjen e bustit të Havzi Nelës ka kohë që ka lindur, por u bë i mund vetëm tani falëmbështetjes së Bashkisë së Kukësit

Bryebashkiaku Bashkim Shehu tha se, falë guximit dhe sakrificës së tij sublime, Kukësi është në hartën e botës si qytet i poetit të varur në emër të lirisë.

Shehu: Bota ke qytete poetësh të pushkatuar, të vdekur burgjeve, të masakruar, por Kukësi është poeti i poetit të varur Havzi Nela.Busti i Havzi Nelës është vepër e skulptorit Ilmi Hoxha, ndërsa ceremonia bëri bashkë familjarë të poetit, banorë të kukës dhe përfaqësues të partisë Demokratike.

Havzi Nela u burgos në vitin 1967 për shkak se kundërshtoi kolektivizimin dhe ndalimin e besimit fetar, ndërsa u ridënua disa herë derisa në vitin 1988, me 10 gusht, e varën në litar.

Havzi Nela do të mbahet mend edhe si i dënuari i fundit me vdekje i regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa la pas si trashëgimi një numër poezitë dhe letrat nga burgu.

Havzi Nelës i është akorduar titulli “Martir i Demokracise” dhe “Nderi i Kombit”. Duke filluar nga 10 gushti 2018, do të jetë e rindërtuar shtëpia e Havzi Nelës në Kollovoz dhe do të bëhet shtëpi muze e vizitueshme nga cilido.

 

***

KUJTESA- 1988/Letra e ankuese Havzi Nelës për Gjykatën e Lartë: Kërkoj drejtësi-

LETRA1

Nga Kastriot Dervishi

Në sistemin e drejtësisë komuniste, në jo pak raste hasen mbiemra hetuesish, prokurorësh apo gjyqtarësh si: Helmi, Speci, Bandilli, etj. Pas dhënies së vendimit të shkallës së parë, Havzi Nela iu drejtua Gjykatës së Lartë. Kërkesa është dinjitoze, pa elemente të tjera që njeriu edhe mund t’i bëjë në kushtet e humbjes së jetës.

Me vendimin nr.85, datë 16.7.1988 Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Fehmi Abdiu (kryetar, relator) dhe Fatmira Laskaj e Lili Robo (anëtarë), duke pasur pranë prokurorin Skënder Breca, la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Ankesa ka këtë përmbajtje:Ankim – Penal kundër vendimit të Gjykatës Popullore të Rrethit Kukës për veprat terrorizëm, arratisje jashtë shtetit të mbetur në fazën e përgatitjes, armëmbajtje pa leje në bazë të neneve 50/1, 31/a, 47/gj dhe 11 e 31/a, 2245 e 31/a jam dënuar me vdekje në litar.

Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë Tiranë.

Unë jam gjykuar nga Gjykata e Rrethit Kukës për veprat: terrorizëm, arratisje jashtë shtetit të mbetur në fazën e përgatitjes, armëmbajtje pa leje. Në bazë të neneve 50/1

dhe 31/a, 47/gj dhe 11 e 31/a, 224 e 31/a, jam dënuar me vdekje në litar. Unë nuk jam dakord me vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës për këto arsye: Kur kam ikur nga vendi i internimit nuk jam nisur për t’u arratisur, por për të vrarë veten. Nga ana e Gjykatës jam rënduar më tepër se sa kam bërë faj. Deponimet e dëshmitarëve nuk janë të vërteta, pjesërisht, qoftë për tradhti ndaj atdheut, qoftë për tentativë për vrasje për policin. Thëniet e Islam Gurit, që është operativ i zonës, sikur i kam thënë se do të arratisem, nuk janë të vërteta.

Unë për qëllim për me vra policin nuk kam pasur, por në tronditje e sipër, duke tentuar të vras veten, kam shtjerë pa adresë dhe kam qenë ulur. Kam bërë vetëm një shkrepje dhe jo siç del në seancën gjyqësore, sepse herën e dytë nuk ka punuar revolveri, sepse nuk sillej mulliri. E përsëris edhe një herë, se nga vendi i internimit kam ikur sepse doja të vrisja

veten dhe, para se të kryeja këtë veprim doja që të takoja nënën. Unë i kërkoj Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të më japë drejtësinë që më takon.

Ankuesi

Havzi Nela

 

Filed Under: Politike Tagged With: busti ne Kukes, Havzi nela

GJIGANDI HAVZI NELA DHE LILIPUTËT QË NDEROJNE KOMUNISTIN ANTIONO GRAMSHI

August 9, 2017 by dgreca

H.-Nela-196229 vite ma pare ekzekutohej me varje ne litar poeti Havzi NELA/

2-besim-ndregjoni-300x200

Nga Besim NDREGJONI/Sot mbushen 29 vite, që regjimi komunist do të denonte me varje poetin disident , martirin e lirisë , birin e Kollovozit të Kukësit Havzi Nela. Shqipëria atdheu i tij i dashur që i kushtoi  jetën e tijë në mbrotje të lirisë dhe dashurisë njerzore do ta përcillte këtë denim mesjetar me trishtim të madh. Këtë denim makabër varja me litar europa e kishte hequr nga legjislacioni që në vitet 30. Kurse Shqipëria nën drejtimin e diktaturës komuniste praktikonte këtë lloj denimi per ti bërë karrshillek europës së lindjes që po shembte muret ideologjike e sunduese te komunizmit duke paraqitur bilancin e tirshtueshem me mbi 6000 të vrare nga diktatura komuniste enveriste. Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht, në këto 27 vite e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria, jashte  politikës , është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij,  janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën  çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë.  Në qytetin e Kukësi i  kanë vënë emrin e tij nje shkolle gjimnazi. Presidenti, e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Të propozuar nga Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve  Politikë. Gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me  nderimin e  poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë.  poetin që shkruante nga katakombet komuniste, në burgun e Spaçit 1974 për “Frymën e Helsinkit”. Atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet,  për poetin që vargjet i shkruante qelive,  duke sfiduar xhelatët e  diktaturës , për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tone. Vetëm shteti ynë e ka  të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e  fyen  kujtimin e tij duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës. Këto ditë Ministrja e Kulturës Kumbaro doli para mediave e qeshur e gezuar për një projekt madhor për të nderuar tek institucjoni që drejton memorializimin e veprimtarisë komuniste të shtetasit Italian Antiono Gramshit. Në qoftëse ky shtetas i huaj kishte dhënë një kontribut për shqiptarët dhe Shqiperine do të ishim dakortë që ta nderonim veprimtarinë e tijë. Dihet që Antiono Gramshi ka zhvilluar veprimtarinë komuniste në shtetin e tij Itali, dihet se ideollogjia komuniste shkatrroi mijera jetesh europian ku u instalua. Dihet se ne shqiptarve ideologjia e komunizmit na shkatroi si kombe, duke mbushur token shqiptare me varre të pafajshme vetem se keta shqiptar deshën lirine dhe urrenin ideollogjinë  e krimit, ideologjinë e Antiono Gramshit. Qeveria e rilindjes në këtë 29 vjetor të ekzekutimit përbuz gjikandin e lirisë së shqiptarve poetin Havzi Nela dhe nderon komunistin Antiono Gramshi. Ky është shteti rilindas  që nderon ideollogët vrasës të Havzi Nelës. Zonja Ministre kush ta jep të drejtën ty që taksat e familjeve të martireve të lirisë ti përdorish për të nderuar ideologjinë vrastare të komunizmit. Për të nderuar ata që me ideologjinë e tyre varën poetin. Antiono Gramshin le ta nderoi shteti i  tije Italia. Ministria ku ju drejtoni është e shqiptarve, dhe aty në at vend duhet vendosur busti i poetit Havzi Nela që me martirizimin e jetës, me gjakun e pafajshëm që derdhi për liri të krijoj dhe ty mundesinë që të bahshe minister.

Fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët në Shqipërinë tone. Liliputët e trashgminisë komuniste nderojnë komunistin Antiono Gramshin dhe përbuzin poetin e lirisë Havzi Nela. Nderimi  nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm.  Ismail Kadareja bën një sugjerim  ne 20 vjetorin e varjes poetit..”Poeti është  në  botë e  amshuar, por shoqeria shqiptare  a është e qete.” Në rrugëtimin tone  drejt përparimit dhe Europës, është  shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandiente “frymën e Helsinkit” kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin. Pikërisht , politika  shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë e mban peng të verteten e krimit komuniste.  Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet. “Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës, Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist enverist  shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me  Havziun, Trifonin, Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Dhe ngelemi jashte Europes se ajo nuk na pranon me vrasesit e poeteve por me matirizimin e poeteve. Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët. Dhe vargjet e poetit sot tingllojne fuqishem për shoqërinë;

Ma mire i vdekur e me nder, Se me më sundue, Një derr beterr

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Antonio Gramshi, gjigandi, Havzi nela, liliputet komuniste

Ne perkujtim te nje pervjetori- Havzi Nela

August 9, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të mësonte dhe nuk e linin për të mësuar, që kishte dëshirë të punonte dhe nuk e linin për të punuar, që kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar.

Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas 11 vjetësh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosi dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek,  në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar pjesëmarrës.

Megjithatë vargjet e tij mbijetuan. Ato vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

            Kur të mësoni se kam vdekë,

            Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

            A e dini çfarë kam hjekë,

            Unë, poeti zemërzjarrtë?

            Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-

            Kur t’kërkoni me ma gjetë,

            Thoni: – Ai urreu mizorin! –

            Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!

Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Havzi nela, Ne perkujtim te, nje pervjetori, reshat kripa

NË MINISTRINË E KULTURËS PËRBALLË FOTOS SË POETIT HAVZI NELA – FOTOT E ATYRE QË E VARËN POETIN

August 12, 2013 by dgreca

*Të kujtosh është e lehtë për ata që kanë memorie, të harrosh është e vështirë, për ata që kanë një zemër./
*Intervistë me z. BESIM NDREGJONI, President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pyetje: Zoti Ndregjoni sot ju kujtuat 25 vjetorin e varjes nga diktatura të poetit Havzi Nela, ky aktivitet ishte organizuar nga Ministria e Kulturës?
BESIM NDREGJONI: Pyetja e juaj me kujton thenien: …! |Gabriel Garcìa Màrquez| Të kujtosh është e lehtë për ata që kanë memorie, të harrosh është e vështirë, për ata që kanë një zemër.
Sot mbushen 25 vite qe ne qytetin e Kukesit diktatura komuniste do te ekzekutonte ne nje denim mesjetar, varje ne litar, Poetin disident, trimin zemerzjarrte, paqedashesin, martirin e lirise Havzi Nela… Nje denim qe kontinenti yne Europa e kishte hequr qe ne vitet 30… por diktatori i fundit komunist Ramiz Alia do ta vinte ne zbatim ne nje kohe kur sistemet komuniste po binin nje nga nje mbas shembjes se murit te Berlinit.
Ky akt i përbindshëm, i pashoq në llojin e tij, ndodhte në Shqipërinë e martirizuar vetëm një vit para përmbysjes së komunizmit në Evropën Lindore! Kujtimi ndaj Poetit disident per mua dhe shtresen qe perfaqesoj eshte obligim dhe detyrim moral per te kryer ndaj vepres heroike te tij, nderim dhe homazh.
Fatkeqesisht Ministria e Kultures vetem ka qene pjesëmarrëse dhe aspak kontribuese ne kete ceremoni… Ky aktivitet eshte bere nga une personalisht pa ndihmen e askujt!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, pra shteti demokratik nuk organizoi asnjë lloj aktiviteti me rastin e 25 vjetorit të varjes së poetit?
BESIM NDREGJONI: Jo, shtetit demokratik shqiptar ne kete 25 vjetor nuk beri asnjë aktivitet ne kujtim te Havzi Neles. Por dhe kur i kam kremtuar 20 vjetorin e varjes ne litar, ne 10 gushtin e vitit 2008, qe ishin te ftuar Presidenti, Kryeparlamentarja, Kryeministri dhe ish Ministri Xhaferi, ata nuk muaren pjese dhe nuk dhane asnje kontribut ne kujtim te ketij heroi te fjales se lire… Vetem Kadareja dergoi nje mesazh shumë domethënës, dhe në mbyllje kujtonte: “Poeti i varun eshte i qete ne boten e amshuar, por shoqeria a e ka qetësinë e duhur!”
Gjate 23 viteve shteti dhe pushteti, te ashtuquajtur demokratik e kanë permendur Havzi Nelen vetem kur iu ka interesuar per lufte politike dhe aspak per vepren madhore qe kreu ndaj shoqerise duke sfiduar diktaturen.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, në aktivitet merrnin pjesë edhe bashkëshortja e poetit, Lavdie Nela dhe i vëllai. Si familje e një martiri, a kanë përfituar të paktën mbështetjen e shtetit demokratik?
BESIM NDREGJONI: Regjimi diktatorial ka kryer denim makaber, siç është varja ne litar e poetit Havzi Nela e qindra krime monstruoze ndaj familjeve qe e kundershtuan ate regjim… Sigurisht qe kjo pjese e shoqerise nuk e kundershtoi diktaturen qe nje dite te demshperbleheshin per kundershtite e tyre, por per idealet e lirise dhe vuajtjet e sakrificat.Bashkeshortja e Havzi Neles, qe ka vuajtur vetë burg politik bashkë me poetin qe ne moshen 18 vjeçare, apo vellai i tij, apo nipi i tij nuk kanë perfituar asgje nga pushteti “demokratik”. Në ceremonine e 25 vjetorit me thjeshtesine qe e karakterizon bashkeshorten e poetit, Lavdie Nelen, ne fjalen e saj protestoi ndaj shtetit, ndaj politikes, duke iu drejtuar drejtuesve te ketij shteti e duke deklaruar se keta shtetare gjate 23 viteve e lanë pa pune, pa strehe, dhe bustin e Havzi Neles akoma dhe sot mbas 23 vitesh nuk e kanë vendosur në Kukes… Revolta e saj ishte e natyrshme, demshperblimin e burgut nuk e perfiton se ligjevenesi Ilir Rusmali dhe banda e tij e PD pretendonin se poeti Hero Havzi Nela është dënuar për vepër terroriste, dhe ne baze te ketij ligji ata nuk perfitojne as demshperblimin e te burgosurve politike, me gjithe kerkesat dhe protestat e vazhdueshme tonat ndaj ketij ligji diskriminues klasor qe behet gjoja ne emer te demokracise ne vendin tone. Kam njoftime se keto dite ne ikje e kanë kaluar dhe kete ngerç per demshperblimin. Lavdia foli me pasion ndaj padrejtësive qe i kanë bere te ashtuquajturit demokratë te cilëve ajo iu jepte voten. Ky eshte realiteti i mbeshtetjes se shtetit te ashtuquajtur demokratike ndaj familjes se martirit!
Pyetje: Ndoqa kronikën e aktivitetit tuaj në televizor, dhe pashë se si shkrimtari Agim Musta, i cili ka qenë i burgosur politik për 13 vite gjatë diktaturës shprehu indinjatën e tij se takimi për poetin e varur nga diktatura bëhej në Ministrinë e Kulturës, në muret e të cilës qëndrojnë të varur fotografitë e ekzekutorëve të regjimit komunist, kupola e diktaturës, si Ramiz Alia e Manush Myftiu, të them të drejtën, ky fakt m’u duk shumë rrënqethës, çfarë mendimi keni?
BESIM NDREGJONI: Po eshte e vertete, zoti Musta eshte jo vetëm nje figure e shquar e të përndjekurve politike, por dhe nje studjues i mirfillte ndaj krimeve te komunizmit, nje mik dhe nje historian qe gezon respektin e shumices se shqiptareve qe u perndoqen nga diktatura.
Foton e Havzi Neles e kisha vene ne krye te auditorit te akademise perkujtimores. Ne fund te salles të Ministrisë të Kulturës, ne nje stende te madhe ishin te gjithe ministrat e diktatures qe kishin drejtuar kulturen komuniste si Bedri Spahiu, diktatori Ramiz Alia, Kryetari i komision internimeve xhelati Manush Myftiu… dhe perballja ne salle e fotove ishte kriminelet qe varen poetin dhe heroi i lirise me bukurine tij e pamjen fisnike qe erresonte figurat e krimineleve komuniste.
Perballe fotos se poetit Hero qendronte fotoja e krimineleve vrases, ç’ kontraste hipokrizie te politikes postkomuniste e ashtuquajtur demokratike ne Shqiperi… Kjo tregon se e ashtuquajtura politike postkomuniste eshte vazhdimesi e pushteti diktatorial.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, a jeni dakord me Ministrin e Kulturës, i cili është edhe vetë një ish-i burgosur politik, që shteti demokratik të tregojë humanizëm ndaj diktatorëve dhe kriminelëve, të cilët kanë persekutuar elitën e kulturës shqiptare ?
BESIM NDREGJONI: Realisht nuk eshte faji i Ministrit 2 mujor te Kultures ish i denuar politike poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti… Jo se Zhiti eshte dakort me ato foto, por nuk kishte fuqine qe t’i hiqte ata foto. Ai u be Minister per te fituar votat e te perndjekurve per PD, se ishin zgjedhjet paralamentare te 23 qershorit. Po te mos ishin zgjedhjet ai do te ishte nje nepunes i dobet i lene mbasdore ne Ministrine e Jashtme, siç e paten lene per 23 vite. Perkundrazi dua te shtoj se zoti Zhiti ka dhene nje kontribut te madh ne letersine shqiptare me veprat e tij, duke sfiduar letersine e realizmit socialiste. Ai dhe dje tha ne i sfidojme kriminelet jo me foto te vena por me moralin tone ndaj krimeve te tyre. Por fotografite e Ministrave kriminele komuniste jane ne çdo Ministri. Paskal Milo kur ishte Minister deshi te vinte edhe fotografine e diktatorit ne Ministrine e Jashtme. Por protestat tona e detyruan qe ta hiqte. Duhet te kuptojme dhe te jemi te vetedijtshem se kjo klase politike nuk eshte antikomuniste por vazhdimesi e diktatures dhe ka 23 vite qe e ruan statukone komuniste te padenuar..
Pyetje: Zoti Ndregjoni, ju jeni President i Unionit Mbarëkombetar të Integrimit të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, si ndihen të përndjekurit sot 23 vite pas rrëzimit të diktaturës?
BESIM NDREGJONI: Me lejoni t’iu jap bilancin tragjik te diktatures komuniste ne Shqiperi per 45 vite:
Te pushkatuar me dhe pa gjyqe 5577 burra dhe 450 gra
Te burgosur politike 26.000 burra e 7367 gra
Kanë vdekur ne burgje 1065 burra e gra
Kanë humbur aftesite mendore nga torturat 408 burra e gra
Internuar per motive politke 50.000 familje qe nga mosha 1 vjeç e deri ne moshen 90 vjeçare
Kanë vdekur ne internim 7022 qe nga femija nje mujorëshe sepse e jëma nuk kishe gji ua ushqente e deri tek plaku 90 vjeçar. E perserita kete bilanc tragjik ne intervisten me ju se dhe ju jeni pjese e ketij persekutimi. Po si ndihen te perndjekurit mbas 23 vitesh mbas rrezimit te diktatures do ta percaktoj me tri fjale: Trishtim, zhgenjim, shprese… Trishtim, se ne te perndjekurit politike shqiptare i besuam ne vitet 90 partise të parë opozitare PD dhe lidershipit te saje zotit Berisha e cila mori persiper te kryente misionin antikomunist. Kjo parti dhe ky lidership jo vetem qe nuk e kreu por e sabotoi ate ne menyre permanente, duke perdorur lojen e Kim Filbit, shaje komunizmin çdo dite, dhe pasuroje ne menyre marramendëse ate. Kjo PD shkatërroi te djathten, dhe forcoi ekonomikisht te majten. Nuk i denoi krimet e komunizmit, perkundrazi sot kriminelet dhe pinjollët e tyre krenohen me krimet qe kanë bere, dhe perbuzet viktima. Sot diktatori qe vari Havzi Nelen nderohet si President jo si diktator vrases, kurse Lavdia, bashkeshortja e Havziut, perbuzet nga keta politikanë qe e quajne veten antikomuniste. Ish superstruktura e komunizmit sot njihet si pronare qe u pasurua nga pushteti i Berishes, kurse pronaret e vertete quhen ish pronare. Nuk hapi dosjet, perdori ne menyre te ligë heshtjen ndaj viktimave te komunizmit. Po te ishte realizuar misioni antikomunist sot shoqeria shqiptare do te ishte e qete, pa konflikte, pa krime dhe do te ecte e sigurte drejt vendeve te demokracive europiane.
Zhgenjim. Kur beson dhe ajo force politike që t’i beson te tradheton. E voton per 23 vite rrjesht dhe ai te merr voten dhe qeveris me te majtet. Si mos me te kapë zhgenjimi kur shikon se si “antikomunisti” Berisha e filloi pluralizmin politike me studentet e dhjetorit dhe antikomunistet ish te perndjekur politike nga regjimi dhe gjate gjithë qeverisjeve te tij e ai qeverisi me Skender Gjimushin, Lufter Xhuvelin, djemte e bllokut me LSI dhe mbylli karieren e tij politike me Kastriot Islamin. Pra asnje dite qeverisje ai nuk i beri me antikomunistet, por vetem me ata qe i promovoi diktatori Ramiz Alia.. Shpresa.
Ne te perndjekurve politike shpresa na ka mbajtur gjalle gjate 45 viteve te diktatures, dhe i mbijetuam asaj diktaturës. Moren persiper trashgimtaret e diktatures qe te na sfidonin ne kohe paqje me pushtet dhe prape po deshtojne.. pra shpresa jone nuk mund te mposhtet nga horrat komunista qe jane shperndare neper partitë politike. Ne do te fitojme se ndjekim rrugen e drites se lirise, ata do te humbin se ndjekin rrugen e errësires komuniste.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, politika ju ka lënë në mëshirë të fatit. Vjeshtën që shkoi një grup të përndjekurisht organizuan një grevë urie, e cila u nëpërkëmb nga institucionet, tani çfarë planesh keni?
BESIM NDREGJONI: Plani i Katovices qe e ndertoi Gorbaçovi me shume se Shqiperi nuk u zbatua kerkund ne vendet e Europes Juglindore, pra komunistet qe muaren persiper kete mision sot mbas 23 vitesh ata e shkatërruan pluralizmin politik duke e bere monopol te tyre..Kjo u pa dhe ne greven e urise qe bënë nje grup te perndjekurish politike per te drejtat e tyre. PD dhe zoti Berisha çdo dite hidhni mllefe ndaj te drejtes se tyre, kurse PS tregonte se po i ndihmonte. Kjo ishte aventura politike e ketyre dy forcave politike qe ndryshojne vetem nga emri se ideologjine e kanë te perbashket.. Edhe sot mbas nje viti nuk e kuptoi se perse Berisha luftonte nje grup njerzish te cilët nuk donin t’ja rrezonin qeverine, perkundrazi kerkonin te dialogonin me te. Dhe pergjigja e tij ishte: ata jane instrumente te PS. Shtronja pyetjen: po ne cilin vend demokratik opozita nuk ndihmon shtresa te caktuara sociale kundra qeverisjes. Megjithëse hipokrizia e PS u duk ne parlament kur u kerkua te mbahej nje minute heshtje per Lirak Bejkon dhe ajo veproi si PD duke mos e mbajtur heshtjen per BEJKON qe u dogj per te drejtat e tij e te shtreses qe perfaqesonte… Vetem Deputetet e PD duartrokitnin vdekjen e Bejkos se per djalin e Bilbil Klosit, Ardianin mbajtën zi. Kjo ishte urrejtja klasore e kesaj klase politike ndaj ish te perndjekurve politike kundershtare te regjimit komunist.
Plani i jone eshte te detyrojme këta qe kanë marre pergjegjesine e qeverisjes dhe jane trashgimtare te partisë komuniste te denojne krime e komunizmit. Kete jua kerkojme ligjerisht ne baze te Kushtetus se vendit dhe konventave nderkombetare. Denimi i krimeve te komunizmit eshte imperativ i kohes dhe nuk bëjme më leshime. Te hapen dosjet pa perjashtim. Te kthehen pronat pronareve, te integrohen familjet e perndjekura nga regjimi komunist si ne administrate shterore edhe ne institucionet e tjera kushtetuese të shtetit shqiptar. Asnjë të drejte ligjore të te perndjekurve politike nuk do ta lejojmë më qe te çohet ne kalendat greke por të zbatohen menjëhere, qe nga demshperblimi e deri tek trajtim social per ate qe jane ne nevoje e nuk kanë patur mundesi të krijojnë as familje. Do t’i kerkojme qeverise, shtetit shqiptar krijimin e institucioneve ne sherbim te rehabilitimit te perndjekurve dhe jo institucione ne sherbim te politikave!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, të përndjekurit e Shqipërisë janë të ndarë e përçarë. Janë disa organizata, ku krerët fitojnë privilegje nga politika duke i tradhëtuar idealet dhe vuajtjet e të përndjekurve, çfarë planesh keni ?
BESIM NDREGJONI: Fatkeqësisht Misioni Antikomunist qe u sabotua nga Berisha ishte qe e djathta, e ne veçanti te perndjekurit te ishin ne shume organizata te perçara. Kjo ndodhte, pa u lodhur shume për t’u kuptuar, se ishte nje shtresë e lodhur dhe e rraskapitur nga diktatura, të cilën i ashtuquajturi pushteti demokratik, përdori edhe urine ndaj tyre duke i lene pa pune. Jo me larg se nje muaj, para zgjedhjeve te 23 qershorit, ata i hoqen nga puna te gjithe femijët tane qe kishin fituar statusin me konkurs per te punuar ne administrate. Dhe ne mes atyre dhjetëra ish te perndjekur qe u hoqen nga puna nga PD ishte dhe vajza ime, që e kishte fituar vendin e punes ne Ministrine e Brendshme me konkurs, e cila gezon disa trajtime europiane dhe eshte me dy fakultete. E gjithe kjo reprezalje ndaj nesh ishte urrejtja qe kishte lidershipi i PD ndaj atyre qe e kritikonin per problemet e te perndjekurve. Ne PD eshte futur fryma e urrejtjes ndaj atyre antikomunisteve qe nuk i shkonin mbas avazit te Bersishes.
Planet jane te shumta, por ne do t’i detyrojme keta politikanë, se ka marrë fund koha e heshtjes dhe shurdhememecerisë së tyre ndaj shtresës të goditur nga diktatura komuniste dhe se ata nuk mund te mposhtin klasen antikomuniste. Nga goja e viktimave bota mbare do te mesojë gjithçka qe ngjau ne Shqiperi per gjysem shekulli  diktaturë dhe per 23 vite heshtjeje në postdiktaturë ndaj nesh.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, organizata që drejtoni ju, vjet mori një nismë shumë interesante, duke organizuar një ekspozitë me fotot e martirëve të vrarë nga diktatura, mbetur pa varr. Ekspozitën a e vizitoi ndonjë politikan ?
BESIM NDREGJONI: Ekspozita, të cilën e organizova me rastin e 100 vjetorit të pavaresise kushtuar 4500 te pushkatuarve me gjyqe dhe pa gjyqe ishte nje mesazh per shoqerine dhe ne veçanti per politiken..qe te kene idene e sakte te lartësisë morale te viktimes.. dhe degradimit te plote shnjerzor te xhelatit, e cila shkon paralele me indiferencën e tyre.. Ata sot nuk kanë një varr.. Kjo fotoekspozite tregonte se ndaj atyre njerëzve diktatura komuniste kishte kryer genocid dhe ato fotografi të atyre burrave dhe grave që sot nuk e kanë një varr ku të afërmit dhe populli t’u çojë nga një tufë lule ua hiqnin maskën politikës të ditës të këtyre 23 vite tranzicion. Do të vijë një ditë që shqiptaret e vertete do ta kuptojne rolin qendror te rezistences anti-komuniste, kur të shkruhet historia nga historianë, që bëjnë punën si shkencëtarë dhe që nuk janë shërbëtorë të politikës. Cili politikan do ta vizitonte ? Ajo fotoekspozite ishte 10 metra larg Kuvendit te Shqiperise dhe selise se Qeverise. Por nqs ndonje deputet apo zyrtar i lartë i shtetit do ta vizitonte, do te ndeshkohej nga udheheqesi i partisë. Shkrimtari i shquar Ismail kadare dërgoi telegram sepse nuk kishte mundësi të vinte. Adem Demaçi, Mandela i Kosovës erdhi dhe e vizitoi, edhe mijra shqiptarë, por politika jo.
Unë gjate këtyre 23 viteve kam punuar dhe ne gjetjen e eshtrave me familjaret e viktimave te komunizmit, dhe nje pjese i kemi gjetur… Te tjerat jo…
Pyetje: Zoti Ndregjoni, Shqipëria vendi që ka përjetuar një nga diktaturat më të egra staliniste, nuk ka asnjë muzeum të krimeve. Kush e ka fajin për këtë, dhe si do t’ja bëni, jemi komb pa kujtesë?
BESIM NDREGJONI: Kjo ka qene strategjia e PD dhe e Berishes qe krimet komuniste te futen ne harresë. Berisha krimet e komunizmit i permendte vetem kur donte te luftonte PS me retorikë. Por nuk lejoi as nuk dha asnje lloj ndihme per t’i memorizuar keto krime. Diskutohet ne letra te behet nje muze ne Spaç, dhe ate nuk e bejne e kanë vetem ne letra. Por une kam qene disa here ne Berlin ne konferencat qe organizonin gjermanet per të kujtuar krimet e komunizmit.. Ata kishin bere Ministrine e Brendshme muze te krimeve te komunizmit, m’u ne mes te Berlinit… Kurse ne Shqiperi dhe nje pllake qe vura ne sheshin Skenderbej, e hoqi Lul Basha se i prishte imazhin qendres… Ne kemi vene vetëm pllaka perkujtomore ne shume vende te Shqiperise, por keta jane bere vetem me financat tona familjare aspak nga shteti… Tirana, kryeqyteti i vendit me te persekutuar stalinist ne Europe nuk ka nje muze, por eshte luftuar qe te zhduken ato vende ku jane bere dhe gjyqe kundra antikomunisteve. Keshtu u prish ish kinemaja 17 Nentori ku u denuan ajka e elites shqiptare nga diktatura komuniste. Ne qe kemi bilancin me te madh te krimit komunist stalinist ne Europe per fryme, sot nuk kemi asnje muze per ta pasqyruar por perkundrazi harresa perdoret per ta fshire krimet e komunizmit… Te harrosh te kaluaren do te thote mos ndertosh dot te ardhmen. Nje nder pikat kryesore te organizates sone eshte dhe ngritja urgjente e nje muzeu ne Tirane te krimit komunist. Per kete do t’iu drejtohemi te gjithe bashkatdhetareve tane ne te gjithe boten qe te japin ndihmen e tyre! Komb pa kujtese nuk ka.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, po të ishte gjallë sot Havzi Nela, si i burgosur politik, si mendoni se do të reagonte ndaj kësaj indiference kriminale të shtetit ?
BESIM NDREGJONI: Ja si i drejtohet poeti Hero Havzi Nela trupit gjykues ne sallen e gjygjit:
“Une i kam vu vetes per detyre te ruej nderin dhe dinjitetin tim si njeri, te ruej pastertine e shpirtit dhe te zemres dhe fytyren te paperlyeme, ashtu si dje jasht, edhe sot ketu mbrenda, te rroj dhe te vdes si njeri.”
Besoi se me dekleraten e tij ne sallen e gjyqit tregon se çfarë reagimi do te kishte heroi i fjales se lire kunder indiferences kriminale te ketij shteti!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, ju ndërmorët inisiativën për dekorimin e martirit Havzi Nela nga Presidenti i Republikës.
BESIM NDREGJONI: Ishte viti 2008, viti i 20 vjetorit te varjes ne litar te Havzi Neles. Mora te dhena se çfarë dekorimi kishte poeti hero, dhe ai kishte nje medalje dhene nga ish Presidenti Berisha “Martir i Demokracise”ne vitin 1992… I bera kerkese Presidentit Bamir Topi për dekorimin e kater personaliteteve te vrare nga diktatura dhe kërkova që ky dekorim te behej me 10 maj Dita Kombetare e Drejtësise Shqiptare… Këto personalitete ishin:
1. Havzi Nela, poet i varur nga diktatura ne gusht te 1988 ne Kukes
2.Vilson Blloshmi, poet i pushkatuar nga diktatura ne korrik 1977 ne Librazhd.
3. Genc Leka, poet i pushkatuar nga diktatura ne korrik 1977 ne Librazhd.
4. Myzafer Pipa, publicist dhe Avokati i Pater Anton Harapit e elites kombetare, i vrare ne hetusi me tortura ne Shkoder ne vitin 1946.
Dhe Presidenti i dekoroi të katërt me medaljen e larte ”NDERI I KOMBIT”. Dhe sot ndihem krenar qe këto personalitete te letrave shqipte por dhe te qendreses antikomuniste morën nderimin qe iu takonte.
Faleminderit.
Elida Buçpapaj: Faleminderit ju i nderuari Besim Ndregjoni për këtë intervistë kaq të fortë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Havzi nela, Ndregjoni

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT