• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sigurimi, dosjet, urdhërdhënësit dhe urdhërzbatuesit…

August 30, 2021 by s p

Nga Rexhep Shahu /

Ata qe urdheronin te tjeret te firmosnin, nuk kane dosje. Ata qe u urdheruan nen presion te firmosnin, kane dosje. Urdherdhenesit qe jane punetoret e sigurimit krenohen si heroj dhe ecin me kokat lart, urdherzbatuesit qe jane bashkepunetoret e sigurimit ecin me kryet ulur dhe u tremben ende urdherdhenesve dhe nuk guxojne te rrefejne. Asgje tjeter – vetem te rrefejne urdherzbatuesit, kaq i duhet shoqerise tone i dashur Havzi, asgje me shume. Qe te binden edhe me herojte, ata prej hekuri e shkembi se viktimat nuk jane fajtore, ose nuk kane faj me shume se xhelatet, se viktimat kane vetem fajin e te qenit viktime…Lufta e peshtire vazhdon te behet kunder bashkepunetoreve te sigurimit te shtetit nga punetoret e sigurimit, nga politika, nga qeveria e nga shoqeria e paemancipuar ne teresi. Ka nje eufori nje dalldi ne luften kunder bashkepunetoreve qe ne fund te fundit jane viktima. Por shoqeria vazhdon te jete e peshtire ne kete aspekt, eshte me te fortin kunder te dobetit, eshte me punetoret e sigurimit kunder bashkepunetoreve te sigurimit. Njerzit shpesh ose me sakte, gjithmone ndeshkojne te dobetit dhe i masin me kutin tend Havzi. Por me kutin tend eshte e padrejte te maten njerzit. Ti i kishe bere te gjitha llogarite dhe kishe pune vetem me vdekjen. Ti nuk llogarisje askend e asgje, nuk perkuleshe e thyheshe per asgje e askend. Por nuk ka bere mekat ai qe kur ia kane kujtuar femijet, eshte dorezuar, ai qe kur ia kane sjelle vajzen te kercenuar eshte dorezuar… Sot Havzi po bejne kerdine me kercenime me dosje kur ne fakt dosjet kane me pak se asgje themelore e thelbesore per jeten tone, dosjet jane pistoleta me uje, apo pistoleta kauçuku ne dore te politikes por nuk, kane te bejne asgje me njerzit e zakonshem e te lire te ketij vendi. Sot Havzi nje krim i ri kercenon rendshem kete vend – bandat e OJQ-ve te ndryshme e shoqatave te ndryshme qe lepijne eshtra te vdekurish e kercenojne me gjoba per dosje te perndjekur politike ose pasardhes te tyre, banda te mirefillta ngritur si rrjete merimangazh te zeza ne emer te mbrojtjes se te drejtave te te perndjekurve, varrosin perdite te perndjekurit, kauzen e tyre, kerkeseat e tyre, bejne biznes te peshtire. Te perndjekurit reale nuk bejne pjese, nuk u bejne fresk banditeve te tille, seksereve te tille te pushtetit e partive, ata jane fisnike dhe mbreterojne ne heshtje ne mbreterine e tyre pa lepire asgje, pa kerkuar meshire, pa u lute shemtueshem. Nje grup tjeter te perndjekurisht, qe permenda me lart, qe tallen prej urdherdhenesve te tyre, qe drejtohen nga urdherdhenesa e bij a nipa urdherdhenesish, kane mbetur ne mes, as andej as kendej, Nje grup tjeter ndjehen me keq sot se nen diktature, pasi atehere kane qene me te paekspozuar e me te mbrojtur per shkak te ligesive qe benin. I dashur Havzi, do ta vazhdopjme kete teme, por jo sonte…(Fragment nga libri im”Bisede e perfytyruar me Havzi Nelen”)

Filed Under: ESSE Tagged With: Havzi nela, Rexhep Shahu, Sigurimi-Dosjet

33 VITE NGA EKZEKUTIMI I POETIT HAVZI NELA

August 10, 2021 by s p

Rrëfimi dramatik i Visar Zhitit: Si e varën në litar poetin Havzi Nela… (rd.al)/

VISAR ZHITI/

Poeti martir Havzi Nelaj erdhi sërish në qytetin e lindjes, tani në bronz, besnik i vetes dhe i të gjithëve ne. Me një rrëzëllim të mynxyrshëm si të fitimtarëve moralë, që kanë gjithçka, edhe jetën. Bustin e tij e realizoi skulptori Hilmi Hoxha, miku im kur isha mësues në Kukës, në një fshat të largët. Afër piedestalit me bustin e Havziut tonë, më arrestuan dhe mua dhe më dënuan 10 vjet burg për poezitë e mia.

Dhe do ta njihja Havziun në burgun e Spaçit, teksa shtynim vagonë në ferr. Më nëpërmendet heshtja e tij e mençur dhe ajo pak buzëqeshje, që kishte një si dritë të përtejme në terret e nëndheshme. Si një peng mall po sjell një pjesë nga burgologjia ime “Ferri i çarë” dhe fjalët e gruas së tij si një porosi e rrallë shpirti.

VARJA E FUNDIT
Kam lajm nga Havzi Nelaj. Ashtu, si është? Ka shkruar më poezi atje në Kukës(burg)? Pasi u lirua nga burgu e çuan në internim, në Arrën. Ç’emër, si arnat, si leckat e shpirtit. Ç’vështrim që kishe, të gjerë dhe ëndërrues. Heshtje. S’kisha ndeshur heshtje më rroposëse se tënden. Flisje pak. Pse kemi folur aq pak? Sa keq më vjen tani! Dhe në trup ishe i paktë, me kokën të anuar në njërin sup. Ah, si të varurit! Fytyrë e butë, me një ëmbëlsi trishtane. Ike pa leje nga internimi…

Po ti ishe arratisur një herë, kishin frikë prej teje. Kishe dhe një revole, s’dihej ku e gjete, që, në rast rrethimi, të vrisje veten… Dhe ashtu ndodhi, të rrethuan në shtëpinë e dajës, herët në mëngjes. Po flije, kur të zgjuan. Pe policët… qëllove me revole për të vrarë veten. Ta kapën dorën dhe plagose njërin nga rrethuesit në gojë. Arma ngeci. Vjetërane. T’u hodhën përsipër. Dhe të çuan në gjyq për të të dënuar për herë të katërt, po në atë ngrehinë ku isha dënuar edhe unë, i njëjti prokuror egërshan dhe i kafshët. Për herë të parë ishe dënuar poshtë, në Kukësin e vjetër, të mbytur tashmë nga ujërat e Drinit, në sallën e shfaqjeve të shtëpisë së kulturës.

Havzi Nela me kostum popullor
Havzi Nela me kostum popullor
Dramë e vërtetë. Ti, mësuesi i urtë, sapo kishe mbaruar universitetin me mundime dhe guxove e dole kundër prishjeve të tempujve të fesë, ishe për veshjet e bukura popullore, nuk duhen hequr me zor, ç’janë këto kooperativa, the, nuk kolektivizohen shpirtrat. Populli është i sëmurë, shtove. Dhe po të ndiqnin si kundërshtar. Bashkë më tët shoqe u arratisët. Në piramidën e kufirit le një letër “Lamtumirë, Atdhe i dashtun…”. Në Prizren të mbyllën në një hotel. Do të na shërbesh ne, të thanë, bëhu polic. Jam mësues, u the, dhe poet, e kam parim të jetës.

Por bëhesh dhe i vdekjes, të thanë. Dhe ju kthyen. Dhe ju dënuan. Ty 15 vjet burg, tët shoqe 10. Të dy 25 vjet. Dhe të ridënuan edhe me 8 vjet të tjerë, prapë si kundërshtar politik. I besoj Zotit, i the hetuesit, liri ka në Perëndim, i the prapë, në Amerikë, Francë, Suedi, Gjermani… Ku u njohëm ne, miku im, që avitesh midis qiellit dhe tokës, i ëndërrt, në Spaç apo në Qafë-Bar? Në errësirë, nën dhé. Shtynim vagonë si skllevër. Se ç’më the për poezinë. Me kryet mënjanë, dhembshurisht, si të varurit. Dhe unë të thashë se ç’është një që ka mbiemrin tënd, ai e pati librin tim dhe… nga i njëjti fshat jemi, fis… S’e dija që ti kishe shkruar poezi për të drejtat e njeriut, për Helsinkin, ishe i pari që e përmendje, kur nuk lejohej, në të gjithë poezinë shqipe.

Fryma e Helsinkit u derdh porsi era,

na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera…

Kishe shkruar dhe në burgun e Burrelit, madje një roman “Bota e bardhë”, po ku është, s’gjendet? Në birucat e Rrëshenit ke bërë poezi me mend, po edhe unë. Dhe për Kanunin se ç’thamë një ditë, se mos ishte ditë, makth, tmerr, të dhashë një libër, më duket. Ja që edhe prilli thyhet, buzëqeshe hidhur. Po pse kemi folur aq pak bashkë? Pse? Dhe u liruam në të njëjtin dimër, ti në dhjetor, unë mbas pak, në janar. Po ajo borë e ftohtë, po ajo diktaturë.

Ti u ktheve në Kukësin tënd, nise të ndërtoje një shtëpi, por të internuan, të çuan andej ku nuk duhej të rrije as me bishat, kështu the, kurse unë shkova prapë në Lushnjë, mbartja tulla si i dënuar, pa asnjë të drejtë tjetër. Dhe të çuan në bankën e të akuzuarve për herë të katërt e të fundit. Ku ishte jot shoqe? Të erdhi nga pas kudo. Të ulën atje ku kam qenë ulur dhe unë. E pe Kukësin e Ri? A ishte shpirti i qytetit apo qe mbytur me të vjetrin? Ndoshta po ato pranga kam pasur edhe unë ndër duar, se si shtrëngohen, ka një vidhë të trashë, i vënë dhe një dry të madh si dyerve të birucave. Në cilën ishe ti, në birucat andej, te 9-a isha unë në fillim.

Dhe të dënuan shpejt e shpejt. Me vdekje. Me varje. Te agjencia e autobusëve ngritën trekëmbëshin, gati afër qendrës së qytetit, ku isha arrestuar edhe unë. Sa herë kisha pritur aty për të ikur larg, në fshatin ku më kishin caktuar mësues. Ja dhe fusha me drurë molle anash dhe më tej mali me emrin Pikëllim. Mjegull si andej. Fantazma ime avitet që të shikojë. Fantazma jote… zhduket. Gjithçka u krye natën. Pas mesnate. Gusht, zagushi mbytëse. Ca yj të mëdhenj binin mbi qytet si kokrra misri, dora e Zotit i hidhte mbi rrugët dhe tarracat.

Të sollën te vendi, heshturazi. Si hajdutë. Ah, sa i varfër ishe, me rroba të vjetra. Si të hipën në trekëmbësh? Kush ta vuri litarin në fyt? Çfarë the? Asnjë dëshmi. Një lëkundje e fortë lart-poshtë. Terratisje. Ra mali mbi agjencinë e autobusëve, i theu drurët e mollëve anash, dritaret, u shtrembëruan, gulçe, qyteti përpëlitej në litarin e varur në qiell, u këput qielli, njëra këpucë preku Gjykatën dhe tjetra Komitetin e Partisë, po lëkundej nata, i mbylli sytë përgjithmonë, kokëmënjanë, ashtu si ti, po shuhej… Zbardhi fytyra e të varurit në të gjitha rrugët. Dhe u thirrën njerëzit për ta parë. Ishin shpërndarë ftesa.

O Zot! Si në gjyqin tim. Midis tokës dhe qiellit ai, i varuri. Lëkundej lehtë, pikëllueshëm. Me kokën mënjanë. Symbyllur. Me qerpikët e zinj si zi e përjetshme. Herë shkonte paksa në të ardhmen, pastaj në të shkuarën, shpatë e drejtë e ngulur tej e tej mbi këdo, nga kryet te këmbët, e pamundur ta shoh, hiqeni. Ora 11 e paradites digjte si pishtar. Një thikë e ashpër preu litarin. Trupi i Havzi Nelës ra përtokë në fund të trekëmbëshit. Pak fare trup i kishte mbetur, ndërsa shpirti i kishte ikur lart. Me përbuzje të shenjtë. Kufomën e çuan te lavazhet e Policisë. E flakën në një qoshe. Afër mesnatës e ngritën si një deng. Në një gropë çfarëdo e mbuluan me dhé, gati si më këmbë, ashtu si në varje. Qafa ishte rrjepur. Përsipër hodhën ca shkurre, që të mos kuptohej asgjë. S’duhet të ishte më as i vdekur. Një vit më vonë do të binte Muri i Berlinit.

FORCA E BUZËQESHJES
Po buzëqeshja jote e hidhur ku kishte mbetur? E gjeta, ishte te jot shoqe. Ajo buzëqeshte si ti, për ty prapë. Kaq shumë njëlloj, mallëngjyeshëm, si drita e syve. Do të desha të tregoja si u dashuruam, më tha ajo. Ashtu? Jo për vuajtjet dhe dënimet? Se të gjithë ne flasim si na burgosën, si na vranë, si na hodhën dhé përsipër, si endemi si fantazma, kurse ajo, grua e heshtur, e bukur ende, me hiret e moshës së vonë, dinjitoze, ka vendosur të tregojë se si u dashuruan. Atje në Veri, maleve. E pabesueshme. Vetëm kjo ka rëndësi, më shumë se sa burgjet dhe vdekja. Kur të fillojmë të flasim për dashurinë, atëherë kemi fituar…

Burimi : Rd.al

Filed Under: Featured Tagged With: Havzi nela, Poeti Martir, Visar Zhiti

POETI HAVZI NELA SI ZGJIM I NDËRGJEGJËS MORALE KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE NË SHQIPËRI

August 14, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI-

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg 32 vite më parë, kur në Shqipëri ishte ende regjimi komunist u var në litar një poet se mbronte për fjalën e lirë dhe për pikëpamjet e tija perëndimore, pro-amerikane dhe pro-evropiane.  Havzi Nela, poeti disident dhe autori i mijëra vargjeve u vra për shkak të krijimtarisë së tij.  Me rastin e 32-vjetorit të varjes, bashkëshortja e tij, Lavdie Nela vendos lule, me lot në sy, në bustin e martirit të demokracisë, ngritur në qytetin e Kukësit pranë gjimnazit të qytetit që mban emrin e tij.  Ajo kërkon nga enti i ri i drejtësisë, hapjen e dosjes së bashkshortit dhe zbardhjen e plotë të saj, raportoi gazeta Telegraf e Tiranës.

Vrasja e tij në litar me urdhër të drejëtsisë komuniste enveriste, u shpreh ajo me këtë rast, ”Më vrau shpirtin, më plagosi zemrën, më nxiu jetën, më prishi lumturinë, më preu ëndrrën, më prishi shpresën, më tmerroi rininë sepse populli i Kukësit meriton të jetojë në liri, se sot diktatura është në të gjitha qytetet e Shqipërisë, si në vitin ’67, kur u arratisëm”, citohet të jetë shprehur Lavdie Nela, bashkshortja e Havzi Nelës, me rastin e 32 vjetorit të vrasjes së bashkshortit të saj në litar. 

Sa për informacion për lexuesit që ndoshta nuk kanë shumë njohuri për vrasjen makabër të këtij poeti të pafajajshëm në muajt e fundit të regjimit komunist shqiptar.  Shkurtimisht, ishte data 10 gusht 1988, ora 02:00 të mëngjesit kur poeti Havzi Nela mbylli sytë përgjithmonë pasi u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit, pas miratimit përfundimtar të dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, të drejtuar nga Ramiz Alia.

Havzi Nela, pas një kalvari vuajtjesh dhe internimesh në kampet famëkeqe të komunizmit, sipas të dhënave botuar në gazetën Telegraf, dy ditë më parë, u mbyll në burgjet e Burrelit dhe Spaçit e me pas më 10 gusht 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit me akuzën e tradhtisë së lartë ndaj atdheut.  Poeti Nela ka qenë gjithmonë kundër diktaturës dhe nuk u pajtua kurrë me komunizmin.  Pikërisht, komunizmi me të cilin nuk pajtohej Havzi Nela, ishte regjimi që ia mori jetën atij dhe mijëra të tjerëve – një regjim që sipas Kryeministrit aktual të Shqipërisë, Edi Rama – ishte “në anën e duhur të historisë”.

Dua tu kujtoj atyre, që edhe sot e konsiderojnë Ramiz Alinë si të moderuar, se ishte regjimi komunist hoxhist i Ramiz Alisë ai që vari në litar një poet se mendonte ndryshe, jo në vitin 1945 ose 1955, ose 1965 – por vetëm 14 muaj para se të shembej Muri i Berlinit, atëherë kur komunizmi po jepte shpirt në pjesën tjetër të Evropës.  Mënyrë më barbare nuk besoj të ketë për t’i marrë jetën një njeriu se varja në konop, të një njeriu të pafajshëm, e sidomos një poeti, në kontinentin e Evropës në fund të shekullit XX. Por, për fat të keq, siç ka shkruar edhe Ismail Kadare për Shqipërinë e asaj kohe, “Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve.  Shqipëria, në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare.”  Megjthkëtë, shumë veta, edhe sot 30-vjetë pas rënjes zyrtare të komunizmit, për këto krime monstruoze ia lenë fajin, “kohës”, ashtu ishte “koha”, thonë.  Justifikojnë edhe varjen e një poeti me “kohën”, sikur të ishim duke folur për mesjetën e jo për fundin e shekullit 20, në kontinentin e qytetëruar të njerëzimit – “kohën”, kur dënimet me vdekje në Shqipëri vendoseshin nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të drejtuar nga Ramiz Alia. 

Jo se vrasja në litar e Havzi Nelës ishte i vetmi akt barbar gjatë pothuaj 50-vjet komunizëm.  Mijëra kundërshtarë politikë të regjimit komunist u vranë në Shqipëri, me plumb e me litar,vdiqën në kampe të përqëndrimit dhe u vranë në kufi duke u arratisur nga “parajsa” e Enver Hoxhës — individë dhe personalitete ndër më të njohura politike, kulturore dhe fetare të kombit shqiptar.  Por vrasja e Havzi Nelës ishte — siç është shprehur Ismail Kadare, në një artikull vitin e kaluar — një akt dëshpërimi nga ana e një regjimi kriminal e të pa penduar: “Rendi komunist i egërsuar nga shënjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën.  Një mesazh frikësimi dhe tmerri.  Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar”, ka shkruar Kadare në shkurtë të vitit të kaluar, me rastin e ditëlindje së poetit Nela, (20-Shkurt, 1934).

Ismail Kadare është shprehur se Poeti Havzi Nela “është një kambanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.  Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë.  Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdo lloj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske.  Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar.  Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku pushojnë. Është shoqëria shqiptare, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë”, ka shkruar Kadare vitin që kaloi.

Duhet të luftojnë të gjithë ashtuqë ushtima morale e kambanës së Havzi Nelës të dëgjohet nga të gjithë — nga autoritetet shqiptare, po se po, por edhe nga ndërkombëtarët në Tiranë, të cilët thonë se po punojnë për të vendosur drejtësi në vend.  Shqipëria ka nevojë për një zgjim moral, nga të gjithë që po përpiqen të kontribojnë në këtë drejtim. 

Me rastin e 32-vjetorit të varjes së Havzi Nelës, bashkshortja e Havzi Nelës, Lavdije Nela kërkoi nga SPAK hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke shtuar se gjatë 32 viteve të kaluara, asnjë ent drejtësie as qeveri nuk ka bërë asgjë për të zbardhur vrasjen e të dashurit të saj dhe për të çuar para drejtësisë, përgjegjësit që dhanë urdhër për varjen e poetit të pafajshëm. 

 “Mjerimi s’don mëshirë” ka thënë Migjeni.  As Lavdije Nela nuk kërkon mëshirë as lotë krokodili për humbjen e saj të madhe, por këmbëngulë për drejtësi nga entet shqiptare të drejtësisë por edhe nga komuniteti ndërkombëtar në Tiranë!  Drejtësi për bashkshortin e saj Havzi Nelën, për familjen e saj dhe për të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri. 

Fatkeqësisht, e kam thenë shpesh dhe do vazhdoj ta them se Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të gëzojnë drejtësi të vërtetë për derisa ai vend nuk përballet me të kaluarën e saj dhe me krimet e regjimit komunist, si dhe per derisa nuk pastron nga politika dhe nga organet e drejtësisë — përfshir entin e ri SPAK– zyrtarët që kanë marrë pjesë — drejt për drejt, ose tërthorazi — në ato krime dhe në mbajtjën në pushtet të atij regjimi të pashpirt.  Havzi Nela dhe mijëra viktima të komunizmit –të cilët edhe 30-vjet post-komunizëm kërkojnë drejtësi –nuk ishin të tepërt për Kombin shqiptar as për njerëzimin.

Të nderuar përfaqësues të diplomacive perëndimore në Tiranë: Unë nuk jam në favor që fëmija ta pësoj për mëkatet e prindërve (pasi ashtu vepronte regjimi i Enver Hoxhës), por dukjet dhe shfaqjet e jashtme (appearances) kanë shumë rëndësi për kredibilitetin e një organi sidomos të drejtësisë, në emërime dhe në vendime me rëndësi, siç janë emërimet e fundit në entin e ri të drejtësisë, SPAK.  Jam i sigurt se kini dëgjuar tanimë ankesat dhe shqetësimet në popull dhe në media për disa prej emërimeve në atë ent të rëndësishëm si dhe për të kaluarën e disa prej personave të emëruar — shqetësime që me të drejtë venë në pyetje kredibilitetin e këtij enti të ri dhe punës që do të kryej në të ardhmen  — ent ky i cili nga disa krahasohet me FBI-në amerikane.  Ju lutem pushoni nga ky krahasim se i jepni një emër shumë të keq FBI-së amerikane, duke e krahasuar me Spakun. 

Më vjen keq të them, por jam i bindur se – bazuar në përvojën e historisë 30-vjeçare “post-komuniste”, as autoritetet politike shqiptare as SPAK-u nuk janë të disponuar të dëgjojnë thirrjen e Lavdie Nelës për hetime në lidhje me varjen barbare të bashkshortit të saj të jetës dhe as që e kanë ndër mend të përballen me ose të hetojnë krimet e regjimit komunist në Shqipëri, ashtu siç ka bërë Evropa ish-komuniste.  Andaj, nuk është aspak e rastit që brenda dhe jashtë Shqipërisë se sistemi i ri nuk është asgjë tjetër veçse një relikt i sistemit të vjetër. 

Për fat të keq, edhe unë jam i detyruar të shpreh (me Migjenin) dëshpërimin tim prej 30-vjetësh tashti, se “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e më thellë”, se — me SPAK-un ose pa SPAK-un — pa një përballje serioze të atdheut tonë Shqipërisë me të kaluarën komuniste, ai vend do të mbetet një “njollë e zezë në hartën e kontinentit” evropian – pjesë e një bote autoritare jo perëndimore — ashtu siç ishte edhe në vitin 1988, kur u varë në litar Poeti Havzi Nela.  Në këtë përvjetor, 32 -vjet pas dënimit me vdekje në litar, Havzi dhe mijëra viktima të tjera të komunizmit — nga amshimi — presin për një zgjim moral kombëtar dhe ndërkombëtar në Shqipërinë post-komuniste dhe kërkojnë sot që të dëgjohet zëri dhe zemra e plagosur e Lavdie Nelës dhe mijëra bashkshorteve, nënave dhe bijave, anë e mbanë Shqipërisë!  Deri kur durim e shpresë!?

“Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja, duhen meritue.” (O, Liri, O Vdekje, Havzi Nela)

Frank Shkreli 

O LIRI, O VDEKJE –Nga HAVZI NELA 

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh
kurrë serbes,
Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due te vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Havzi nela, Kombetare

HAVZI NELA SI NJË DASHURI TRAGJIKE

August 10, 2020 by dgreca

-Ripublikohet me rastin e 32 vjetorit të vdekjes-

NGA VISAR ZHITI-

Poeti martir, Havzi Nelaj, erdhi sërisht në qytetin e Lindjes, tani në bronz, besnik i vetes dhe i të gjithëve ne. Me një rezëllim të mynxyrshëm si të fitimtarëve moralë, që kanë gjithçka, edhe jetën. Bustin e tij e realizoj skulptori Hilmi Hoxha, mik im kur isha mësues në Kukës, në një fshat të largët. Afër  piedestalit me bustin e Havziut tonë më arrestuan dhe mua dhe më dënuan 10 vjet burg për poezitë e mia. Dhe do ta njihja Havziun në burgun e Spaçit, teksa shtynim vagona në ferr. Më nëpërmendet heshtja e tij e mënçur dhe ajo pak buzëqeshje, që kishte një si dritë të përtejme në terret e nëndheshme.                            

Si një peng mall po sjell një pjesë nga burgologjia ime “Ferri i çarë” dhe fjalët e gruas së tij si një porosi e rrallë shpirti.

      Varja e fundit

Kam lajm nga Havzi Nelaj.                                                                            

Ashtu, si është? Ka shkruar më poezi atje në Kukës(burg)? Pasi u lirua nga burgu e çuan në internim, në Arrën.                                                                                 

Ç’emër, si arnat, si leckat e shpirtit.                                                                         

Ç’vështrim që kishe, të gjerë dhe ëndërrues. Heshtje. S’kisha ndeshur heshtje më rroposëse se tënden. Flisje pak. Pse kemi folur aq pak? Sa keq më vjen tani! Dhe në trup ishe i paktë, me kokën të anuar në njërin sup. Ah, si të varurit! Fytyrë e butë, me një ëmbëlsi trishtane.                                                      

Ike pa leje nga internimi…

Po ti ishe arratisur një herë, kishin frikë prej teje. Kishe dhe një revole, s’dihej ku e gjete, që, në rast rrethimi, të vrisje veten… Dhe ashtu ndodhi, të rrethuan në shtëpinë e dajës, herët në mëngjes. Po flije, kur të zgjuan. Pe policët… Qëllove me revole për të vrarë veten. Ta kapën dorën dhe plagose njërin nga rrethuesit në gojë. Arma ngeci. Vjetërane. T’u hodhën përsipër. Dhe të çuan në gjyq për të të dënuar për herë të katërt, po në atë ngrehinë ku isha dënuar edhe unë, i njëjti prokuror egërshan dhe i kafshët.                   

Për herë të parë ishe dënuar poshtë, në Kukësin e vjetër, të mbytur tashmë nga ujërat e Drinit, në sallën e shfaqjeve të shtëpisë së kulturës. Dramë e vërtetë. Ti, mësuesi i urtë, sapo kishe mbaruar universitetin me mundime dhe guxove e dole kundër prishjeve të tempujve të fesë, ishe për veshjet e bukura popullore, nuk duhen hequr me zor, ç’janë këto kooperativa, the, nuk kolektivizohen shpirtrat. Populli është i sëmurë, shtove. Dhe po të ndiqnin si kundërshtar.                                     

Bashkë më tët shoqe u arratisët. Në piramidën e kufirit le një letër “Lamtumirë, Atdhe i dashtun…” Në Prizren të mbyllën në një hotel. Do të na shërbesh ne, të thanë, bëhu polic. Jam mësues, u the, dhe poet, e kam parim të jetës. Por bëhesh dhe i vdekjes, të thanë. Dhe ju kthyen. Dhe ju dënuan. Ty 15 vjet burg, tët shoqe 10. Të dy 25 vjet. Dhe të ridënuan edhe me 8 vjet të tjerë, prapë si kundërshtar politik. I besoj Zotit, i the hetuesit, liri ka në Perëndim, i the prapë, në Amerikë, Francë, Suedi, Gjermani…

Ku u njohëm ne, miku im, që avitesh midis qiellit dhe tokës, i ëndërrt, në Spaç apo në Qafë-Bar? Në errësirë, nën dhé. Shtynim vagonë si skllevër. Seç më the për poezinë. Me kryet mënjanë, dhembshurisht, si të varurit. Dhe unë të thashë se ç’është një që ka mbiemrin tënd, ai e pati librin tim dhe… nga i njëjti fshat jemi, fis… S’e dija që ti kishe shkruar poezi për të drejtat e njeriut, për Helsinkin, ishe i pari që e përmendje, kur nuk lejohej, në të gjithë poezinë shqipe.

             Fryma e Helsinkit u derdh porsi era,

             na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera…

Kishe shkruar dhe në burgun e Burrelit, madje një roman “Bota e bardhë”, po ku është, s’gjendet? Në birucat e Rrëshenit ke bërë poezi me mend, po edhe unë. Dhe për Kanunin se ç’thamë një ditë, se mos ishte ditë, makth, tmerr, të dhashë një libër, më duket. Ja që edhe prilli thyhet, buzëqeshe hidhur. Po pse kemi folur aq pak bashkë? Pse?

Dhe u liruam në të njëjtin dimër, ti në dhjetor, unë mbas pak, në janar. Po ajo borë e ftohtë, po ajo diktaturë. Ti u ktheve në Kukësin tënd, nise të ndërtoje një shtëpi, por të internuan, të çuan andej ku nuk duhej të rrije as me bishat, kështu the, kurse unë shkova prapë në Lushnjë, mbartja tulla si i dënuar, pa asnjë të drejtë tjetër.                                                                                        

Dhe të çuan në bankën e të akuzuarve për herë të katërt e të fundit. Ku ishte jot shoqe? Të erdhi nga pas kudo. Të ulën atje ku kam qenë ulur dhe unë. E pe Kukësin e Ri? A ishte shpirti i qytetit apo qe mbytur me të vjetrin? Ndoshta po ato pranga kam pasur edhe unë ndër duar, se si shtrëngohen, ka një vidhë të trashë, i vënë dhe një dryn të madh si dyerve të birucave. Në cilën ishe ti, në birucat andej, te 9-a isha unë në fillim. Dhe të dënuan shpejt e shpejt. Me vdekje. Me varje.                                                                                                

  Te agjencia e autobusëve ngritën trekëmbëshin, gati afër qendrës së qytetit, ku isha arrestuar edhe unë. Sa herë kisha pritur aty për të ikur larg, në fshatin ku më kishin caktuar mësues. Ja dhe fusha me drurë molle anash dhe më tej mali me emrin Pikëllimë. Mjegull si andej. Fantazma ime avitet që të shikojë. Fantazma jote… zhduket.                                                                         

Gjithçka u krye natën. Pas mesnate. Gusht, zagushi mbytëse. Ca yj të mëdhenj binin mbi qytet si kokrra misri, dora e Zotit i hidhte mbi rrugët dhe tarracat.                                                                                                               

Të sollën te vendi, heshturazi. Si hajdutë. Ah, sa i varfër ishe, me rroba të vjetra. Si të hipën në trekëmbësh? Kush ta vuri litarin në fyt? Çfarë the? Asnjë dëshmi.                                                                                                    

Një lëkundje e fortë lart-poshtë. Terratisje. Ra mali mbi agjencinë e autobusëve, i theu drurët e mollëve anash, dritaret, u shtrembëruan, gulçe, qyteti përpëlitej në litarin e varur në qiell, u këput qielli, njëra këpucë preku gjykatën dhe tjetra komitetin e partisë, po lëkundej nata, i mbylli sytë përgjithmonë, kokëmënjanë, ashtu si ti, po shuhej…                                                  

Zbardhi fytyra e të varurit në të gjitha rrugët. Dhe u thirrën njerëzit për ta parë. Ishin shpërndarë ftesa. O Zot! Si në gjyqin tim.                                                

Midis tokës dhe qiellit ai, i varuri. Lëkundej lehtë, pikëllueshëm. Me kokën mënjanë. Symbyllur. Me qerpikët e zinj si zi e përjetshme. Herë shkonte paksa në të ardhmen, pastaj në të shkuarën, shpatë e drejtë e ngulur tej e tej mbi këdo, nga kryet te këmbët, e pamundur ta shoh, hiqeni.                                                

Ora 11 e paradites digjte si pishtar. Një thikë e ashpër preu litarin. Trupi i Havzi Nelës ra përtokë në fund të trekëmbëshit. Pak fare trup i kishte mbetur, ndërsa shpirti i kishte ikur lart. Me përbuzje të shenjtë.                                                        

Kufomën e çuan te lavazhet e policisë. E flakën në një qoshe. Afër mesnatës e ngritën si një deng. Në një gropë çfarëdo e mbuluan me dhé, gati si më këmbë, ashtu si në varje. Qafa ishte rrjepur. Përsipër hodhën ca shkurre, që të mos kuptohej asgjë. S’duhet të ishte më as i vdekur.                                         

Një vit më vonë do të binte Muri i Berlinit.                                                                                                                                                                                          

FORCA E BUZËQESHJES

Po buzëqeshja jote e hidhur ku kishte mbetur? E gjeta, ishte te jot shoqe. Ajo buzëqeshte si ti, për ty prapë. Kaq shumë njëlloj, mallëngjyeshëm, si drita e syve.                                                                                                                  

Do të desha të tregoja si u dashuruam, më tha ajo.                                                 

Ashtu? Jo për vuajtjet dhe dënimet? Se të gjithë ne flasim si na burgosën, si na vranë, si na hodhën dhé përsipër, si endemi si fantazma, kurse ajo, grua e heshtur, e bukur ende, me hiret e moshës së vonë, dinjitoze, ka vendosur të tregojë se si u dashuruan. Atje në Veri, maleve. E pabesueshme. Vetëm kjo ka rëndësi, më shumë se sa burgjet dhe vdekja.                                                       

Kur të fillojmë të flasim për dashurinë, atëherë kemi fituar…

Filed Under: Politike Tagged With: Dashuri tragjike, Havzi nela, Visar Zhiti

Kam nëntëqind e dhjetë lekë jepjani nanës

August 10, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298Nga Ilir Levonja/

1) Më 10 gusht 1988, pra si sot e tridhjetë vite më parë, ekzekutohej në publik një poet. Ashtu siç ndodh rëndom në diktaturë, herët në mesnatë, por trupi do të lihej aty deri nga paradreka. Ashtu nderur…, duhej ta shikonte njerëzia. Kam patur edhe unë fatin e mbrapshtë një herë, të shoh në qytetin tim të varur në litar, në një nga anekset e stadiumit, një qytetar, një djalë të ri… i cili në sherr e sipër një sherr banal provincial, i fyer për atë që fqinjët i kishin bërë familjes së tij, të atit, të kryente një krim. Gjithsesi, nuk kishte gjë më të shpifur të shikoje njeriun të nderur në litar. Por ndodh të aplikohet një dënim i tillë edhe në demokraci. Në ato muajt e parë të saj, në Fier qershorin e vitit 1992, ku ekzekutohen publikisht dy vëllezër për të ashtuqujturën masakra e Libofshës. Gjithsesi janë raste krej të ndryshme. Por ky i poetit Havzi Nela është thjesht për mendimin ndryshe, për fjalën e lirë, poezinë. Dhe nga ana tjetër, faqja jonë e zezë e një kohe turpi. Një kohe që akoma nuk pranon të pastrohet, por si mushka, shkund supet, shtyhet, ecën dhe flet për demokraci. Në fakt e gjitha është një hipokrizi sociale, një nga ato metoda kaq të stazhionuara tashmë të cilat ne i përdorim me kollajllëk, themi ajo ishte koha, regjimi, ato ishin ligjet. Madje demokracia është një mburojë nën pretekstin e të drejtave të njeriut dhe fjalës së lirë. Kësisoj tërësia e këtyre sejmenëve, në këtë lëmoshë sociale, arritën të drejtojnë dhe akoma qeverisin vendin, sikur asgjë anormale të mos kish ndodhur. Sikur çdo vrasje, çdo ekzekutim, çdo burgosje, të qe konform kohës që bota e përparuar e kish braktisur një shekull më parë. Mjaft të përmendim rastin e Fehmi Avdiut, Gramoz Ruçit a kryeministrit aktual Edi Rama. Kjo mjafton për të kuptuar se diktatura qeveris dhe se me elementë të saj demokracia është një anije horizonti. 

2) Pse e them dhe përdor shpesh këtë, që rasti Havzi Nelës është faqja jonë e zezë. Mjaft të lexosh deponimet e tia përpara hetuesve ose në gjyqe etj. Qartësinë e mendimeve të tia në lidhje me sistemin dhe sugjerimet për metoda më efikase në ekonomi, arsim, mjekësi, art e shkencë… nuk janë mendime të armikut, armiku nuk është i tillë. Janë sugjerime të thëna çiltër dhe që ai u mëshon po çiltër aq sa duhet ta ketë zili edhe individi i sotshëm i kësaj demokracie me paralizë faciale që po aplikon shoqëria e jonë. Armiku nuk është i tillë, nuk ka se si të jetë kur thotë, që, ”përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë, se atje është përdorur forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte pregatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë është kolektivizimi dhe nuk kishte kushte ekonomike për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mund të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e njerëzit humbasin kohë duke udhëtuar”. Fjalët e Havzi Nelës mbi vendin, gjendjen ekonomike, fshatarin, shoqërinë. Janë thjesht një sugjerim, një mendim ndryshe, nuk janë krim. Nuk është armik ai që e do e vendin si perëndimi. Nuk është armik ai poet që e do rininë me shumë liri, hapësirë e lëvizje. Me më shumë rryma mode dhe trajtim ushqimor normal si bota. Nuk se si të jetë. Megjithatë ne e vramë Havzi Nelën. E varëm me nxitim herët, dhe e mbuluam në një gropë shtylle betoni sikur të mos ishte qenie njerëzore. 

Ne vramë sikur të ishte kancer, sëmundje ngjitëse dhe aplikuam me qejfin më të madh metodat e karantinave mjeksore si në rastet e epidemisë. Kolerës etj. 

3) Nuk e di se çfarë është bërë në këtë 30-të vjetor në Kukës. Por mbaj mend se para disa kohëve u vendos një shtatore diku në qytetin e tij. Megjithëse shumë pak… Shoh se në disa webe të djathta postohen foto të tia prej të burgosuri kohe, ca vargje etj. Si ato metoda shterpe, sa për të kaluar radhën. Metoda përdoruese, siç qe edhe rasti i çadrës së Bashës me gruan e tij të lodhur hallesh. Pastaj Basha ia zgjidhi, duke marrë ca karrige të shëmtuara postesh ministrore ne republikën e tij të re. Një aleancë e shkëlqyer për të rivarur rishtas Havziun e mendieve të çiltra. Një alenancë majasëlli me një pinjoll nga xhelatët e Havziut. Për ta rivarur rishtas Havziun dhe amanen e tij, familjarët. Ashtu sikur ndodh në plot faqe personale me ca dedikime kortezie, edhe kjo një metodë tashmë bajate aq sa ndjesia sociale është vetëm një indinjatë në letër. Por unë sugjeroj se faqja jonë e zezë, rasti Havzi Nelës duhet të interpretohet në çdo skenë publike, auditor Tiranë, Prishtine, Podogoricë, Shkup etj…, se ne ”modernët” merremi aq shumë me Godonë e Irlandës, sa harrojmë këto të zezat tona, më të zeza se absurdi ishullor.

Kemi nevojë të ballafaqohemi me kohën, të ballafaqojmë njerëzit, sistemet, se ndryshe nuk bëjmë demokraci. Kemi nevojë tu rrëfehemi brezave, t’ua heqim petët lakrorit. Ndryshe nuk kemi si hartojmë ligje të drejta. Nuk kemi si rrisim kuadro të dobishme për vendin. Në fund të fundit, për këto të drejta të munguara tonat, u var në litar poeti Havzi Nela. Për asgjë më shumë. Nuk bëri krim ordiner. Nuk dënoi kënd, nuk hodhi në erë me tritol pallate me letra fallco. Nuk bëri lojra politike a marrëveshje deti, kufijsh, me fqinjët… foli për përmasimin dhe standarte të tjera në ekonominë e vendit. Foli për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Kaq… A nuk skuqeni kur e mendoni?

4) Nuk e di pse ka një politikë të shpërndarë, ndofta është e qëllimtë sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe, kjo metoda e shtatoreve. Kjo përkujtesa e pjesëshme dhe vatra vatra. 

Jo vetëm për Havziun por edhe të tjerë duhet medoemos të ketë një institucion të përmasave piramidë, a teatër a kishë…, për gjithë viktimat e diktaturës. Këtë kishin kërkuar, këtë që po jetojmë sot, demokracinë. Duhet medoemos … përpara se të prishim, përpara se të lypim partneritet dhe lëmosha sa majtas djathtas, le të ngrejmë institucionin e memories me përmasa të tilla. Mundësisht në sheshet më të mëdha, më publike tu tregojmë brezave se ja çfarë bëm, ja si e bëm,, ja si rropëm të gjallë njëlri-tjetrin. Bëjeni se ta dini do të na ulet kriminilateti ndjeshëm, do na ulen të gjitha mbrapshtitë. E më pas do fitojmë ndjenjën e dhimbsurisë. Dhe dhimbusira të çon veç tek dashuria dhe respekti për shoqi-shoqin. Të bën të mendohesh katër herë se kë voton. Se vota nuk shitet për një thes miell etj. Përse u var Havziu? Ja sepse tha këto fjalë….

”Përsa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera, këtë e them se njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë të madhe si televizor, automobila e sende të tjera e bëjnë një jetë me të vërtetë luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës” Ja për këto fjalë u var në litar. A nuk flet edhe Edi Rama sot për këto. A nuk premton se do t’i bëj… dhe nuk i bën. I bukuri Havzi nuk kishte as vulë, as pushtet, sepse nuk dinte të vriste. Por kishte vetëm guximin, fjalën dhe për ato u vra…

Filed Under: Opinion Tagged With: Havzi nela, Ilir Levoja, nena

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Havzi Nela, 34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë
  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT