• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kamillafi i “Hirësisë” si gozhda e Nastradinit

June 11, 2014 by dgreca

*Atdheu s’është vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve./
*Të kthejmë sytë nga e kaluara e mundimshme dhe padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë./
*Pësimi për këdo, për politikën apo individët, duhet të shërbejë si mësim./
* A do të rishikohen dhe ndëshkohen ndonjëherë fajtorët për krimet makabre që u janë bërë shqiptarëve?/
*Të pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije shkencore për ku do të aplikosh./
*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të jemi ndonjëherë shtet i së drejtës që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, do të pasqyrojë identitetin kombëtar?/
*Po nuk u shkul gozhda e Nastradinit nga trualli ynë, ne do të vuajmë/
Shkruan:Vilhelme Vrana Haxhiraj/
*Atdheu s’është vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve.
Shqipëria është vendi im, vendi yt dhe i të gjithë atyre që lindën në këtë tokë të shenjtë…Këtu në këto troje lindën të parët tanë, në këtë tokë që rënkon nga padrejtësitë. Balta është sanksionuar në pronë me gjak e djersë dhe e përjetësuar nga bëmat e banorëve autoktonë, që gradualisht i shndërruan ato në histori kreshnikësh. Po këtu…,në këtë tokë lindën edhe të parët e 4-5 familjeve që themeluan qytezën e Kaninës të cilën po e marrë për model, si të vetmen qendër që vazhdon jetën në po ato themele prej 3000 vjetësh. Ashtu si banorët legjitim të kësaj qyteze, sa e sa kështjella, sot të shndërruara në rrënoja u ndërtuan si qytete apo krahina dhe morën emrin e atyre që hodhën themelet për herë të parë. Them me plot gojën se nuk ka pëllëmbë hapësire të populluar të kombit tonë që të mos ketë banorin e saj që e themeloi si qendër banimi, birin legjitim të tokës mëmë, të cilin e lindi dhe e rriti vlagu i saj. Ndaj vendlindja është po aq e dhembshur sa vetë jeta. Shqiptarët janë vëllezër të një gjaku pellazg, që i bashkon një racë, një gjuhë unikale, gjuha shqipe. Janë bijtë e këtij trualli që kanë siguruar vazhdimësinë e zakoneve apo dokeve ilire, pasardhës ose trashëgimtarë të të cilëve jemi ne. Për këtë ne jemi krenar. Veçse ne si shqiptarë a e kemi bërë detyrën ndaj tij? A ndihen shqiptarët përgjegjës për ndodhitë e shëmtuara në kohëra? Për shkaktarët këto janë “pa të keq”, “të padëmshme”, madje “rastësi”, kurse për atdhetarët e vërtetë janë incidente dhe provokime të qëllimshme? Le të shohim…
*Të kthejmë sytë nga e kaluara e mundimshme dhe padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë.
Krenaria për vendlindjen është legjitimitet i atij që e vlerëson si dhe sa duhet vendin e tij. Që të ndihesh krenar për mëmëdhenë, duhet ta barazosh e ta vlerësosh atë me dritën e syve dhe me jetën. Nëse çdo qytetar duke nisur që nga ai më i thjeshti e deri tek ai që shorti, apo fati e ndoshta aftësitë e veçanta e vunë apo e ngjitën në sferat më të larta të pushtetit, të cilësdo fushë, po t’i referohet sadopak historisë, duke i kthyer sytë herëpashere pas në të kaluarën e mundimshme të të parëve, jam e bindur se ka për të ndjerë mall të shprehur në dhembje. Veçse ai që harron se si ka arritur majat, është bukëshkalur, mosmirënjohës i mundit, i djersës dhe i gjakut të etërve. Natyrisht njeriu ndryshon, rritet, madhohet si individualitet, krijon personalitetin e tij dhe si më largpamës, ecën më përpara se paraardhësit e tij. Por gjithmonë njeriu është me vlerë, kur është mirënjohës i asaj që i ofruan të parët, e trashëgoi dhe diti ta përvetësojë atë e ta verë në shërbim të vetes ose të mbarëvajtjes kombëtare. Është e pranueshme se kur ke bërë maksimumin e të mundshmes tënde për kombin, ke bërë më të mirën për familjen dhe për të ardhmen e fëmijëve. Pasi familja është atdheu i vogël, ndaj vendlindja është e shtrenjtë dhe e shenjtë. Po a i justifilojnë shqiptarët vlerat e pamohueshme të këtij trualli? Nëse po, atëherë ne nuk do të ishim në këtë udhëkryq të madh, ku na ka vërvitur fati ynë i keq dhe i pamerituar. Po kalon gati një çerek shekulli e një tranzicion i paparë, ku galopon korrupsioni, baret nëpër rrugë papunësia, të ngërdheshet krimineli, kapardiset trafikanti, mburret tutori i prostitucionit.
Sa e hidhur është kur të nxjerrë gjuhën e këlthet si zot vatani shovinisti i kishës greke dhe asaj serbe, i cili duke na përqeshur thotë “Kosova është zemra e Serbisë”. Me këto fenomene që fatkeqësisht është molepsur shoqëria, e cila s’di ta ndajë shapin nga sheqeri dhe disa e quajnë “fat të madh praninë e këtyre të ashtuquajtur apostuj a të dërguar të Zotit”, shqiptari i sinqertë vë duart në kokë dhe këlthet:” Përse ndodh ky absurditet? Si e pranojnë këtë fyerje e cënim dinjiteti e identiteti kombëtar vallë? Nga ç’baltë janë gatuar këta njerëz mendjemykur e shpirtkalbur që pranojnë “Apologjinë e Djallit? Turp, turp për gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë dhe janë të lumtur që një klerik i huaj drejton kishën shqiptare dhe meshën e mban në gjuhën greke! O Zot, çfarë mban mbi tokë. Janullatosit po i bie shëpia e tij dhe kërkon të ngrejë shtëpinë tonë…Kjo është Shqipëria e paradokseve. Pse ia lëndoni kockat Nolit dhe Visarion Xhuvanit? Atë kohë kur Shqipëria nuk ishte ende shtet dhe ata jo vetëm themeluan Kishën Autoqefale Shqiptare më 1922, por nuk pranuan vartësinë e saj nga kisha greke, kundërshtuan Patriarkanën e Kostandinopojës dhe shërbesat fetare bëheshin në gjuhën shqipe.”
*Pësimi për këdo duhet të shërbejë si mësim:
Fjala e urtë thotë: “Kush pëson ..mëson.” Mjafton që ta mbajmë “vath në vesh” këtë thënie, sepse gjatë jetës njeriu në çdo pozitë shtetërore apo private qoftë, ndodh që edhe rrëzohet, porse gjatë rënies mëson se si të ringrihet. Nëse kjo arrihet duke u bazuar në fuqitë fizike dhe mendore të qenies së tij, atëherë ai duhet të falenderojë formimin e tij individual i cili varet nga shumë faktorë. Së pari që të ringrihesh, duhet mbështetur në dijet e në forcat vetjake, në përvojën e të parëve, ku përfshihet edukata që ke marrë, kultura e trashëguar mbi të cilën kultivohet formimi kulturor në bazë të dijeve shkencore të përvetësuara gjatë arsimimit dhe gjatë shkollës më të përsosur që është jeta, si mësonjtorja më e madhe. Gjithashtu i rrëzuari e gjen veten, duke mos mohuar arritjet e kujtdo e në veçanti të të gjithë atyre që pranojnë sfidën dhe që ndërtuan atë që më pas gjejnë brezat e rinj. Sundimet e gjata shekullore dhe padrejtësitë e më të mëdhenjëve, qofshin vendas apo të huaj, qoftë shteti ynë apo shtetet e huaj, e lanë vendin tonë në kuotat e niveleve mesjetare të zhvillimit në çdo fushë. Kjo prapambetje që na çoi në regres. Ndaj për të ecur vendi përpara, duhej të ishte dhe është detyrë primare e pushtetit shqiptar të çdo kohe dhe ngjyre politike,që duhet të gjejë arsyet e prapambetjes dhe mos realizimeve, sepse pësimi bëhet mësim.
Është thënë e thuhet se në diktaturë ne ishim “vendi simbol shembulli e modeli’, ‘Fanar ndriçues në Evropë”. Me një ekonomi të hiperbolizuar në mënyrë fiktive, përballë varfërisë materiale dhe mendore, si ka mundësi që mendjet e mykura vazhdojnë ta besojnë nivelin e lartë jetik të asaj kohe? Ishte pikërisht kjo farsë që e çoi ekonominë në zero në fundin e viteve 80-të. Kjo ishte gjendja e vendit me të cilën u përballën proceset demokratike…ku sundonte zija e bukës, papunësia, 80%-shi përfshiu gjithë shqiptarët, mugesa e elektricitetit, rrugët plot njerëz të hallakatur, që pa asnjë dritë shprese nisën një rrugë të panjohur, atë të kurbetit, atë rrugë plagërëndë të shqiptarëve e nisur shekuj më parë. Dikur detyroheshin të mërgonin nga frika e pushtuesit, kurse më 1990 morën arratinë nga diktatura që i kishte izoluar e i kishte mbajtur ngërthyer si miun në çark, nga varfëria dhe urrejtja gjysmë shekullore që i kishte ndarë në njerëz të partisë dhe në armiq të betuar të saj, hasëm të njëri-tjetrit. Në këto kushte sfidat ishin të pamundura për vendin tonë të varfër.
*Të pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije të plota shkencore për aty ku do të aplikosh.
Përballja e demokracisë sonë të brishtë në kushte të tilla e me një prapambetje skandaloze, krahas me vendet e zhvilluara, kërkonte dhe kërkon aftësi maksimale nga pikpamja profesionale, intelektuale e organizative, njohjen e të rejave të shkencës botërore, kërkon njohjen e stadeve të zhvillimit tërësor dhe rrugët nëpër të cilat kanë kaluar demokracitë e avancuara Perëndimore. Dihet se edhe në këto vende bëhen gabime, por ama kanë ndërtuar shtete. Individi dhe aq më tepër ata që drejtojnë institucionet e të gjitha niveleve të pushtetit, kurrë nuk duhet ta anashkalojnë, ta shpërfillin përvojën e të tjerëve që e kanë përftuar nga koha dhe duke e përsosur atë, fitojnë përvoja të reja dhe i venë në shërbim të jetës. Në mënyrë të tillë duke kërkuar më shumë nga vetja, duke e mohuar së paku për një legjislaturë etjen për t’u pasuruar me urdhër të peshkut, secili është në gjendje të pranojë konkurencën. Janë këto arsyet që demokracitë e zhvilluara, vetëm me arsimim, me punë e në konkurim me më të mirët, i kanë shndërruar shtetet e tyre në vende të mundësive dhe sfidave.
*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të jemi ndonjëherë shtet i së drejtës që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, do të pasqyrojë identitetin kombëtar?
Lind pyetja : “Pse nuk u realizua kjo gjë dikur…atëherë kur bota na shihte me kërshëri ngaqë i rezistonim izolimit të kopshtit zoologjik, duke na i prerë të gjitha burimet jetike?”
Në këto vite postkomuniste vazhdimisht është dhënë përgjigja se fajin e kishte koha, apo sistemi diktaturë komuniste. Kjo është mëse e vërtetë.
Dihet se vendi ynë edhe në çdo periudhë historike të shkuar apo të tashme, me sisteme dhe qeverisje politiko-ekonomik të ndryshme, ka krijuar shtratin e vetë administrimtiv- institucional, si në politikë, në ekonomi, drejtësi, arsim, kulturë, diplomaci etje. Ç’ndodhi vallë me vendin tonë? Le ta shohim…
Fatet e rrjedhave politiko-historike të Shqipërisë kanë nisur herët. Si vend ballkanik fati ynë nuk ka qenë i shkëputur nga fatet e fqinjëve tanë jugor dhe verior. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Greqisë, qysh më 1830 lindën pretendimet e shovinistëve grekë për Vorio Epirin, me idenë e Greqisë së Madhe. Po ta vëresh me kujdes rrjedhën e fakteve apo ngjarjeve historike në marrëdhëniet ndërfqinjësore dypalëshe, ata kanë vepruar si mola që grryen drurin gati për dy shekuj. E nxorën kollën me Çamërinë ndërsa më pas…do ta shohim se ç’po ndodh.
Kurse fati i cungimit të trungut shqiptar nisi me Traktatin e Shën Stefanit, vazhdoi në Paris dhe u vendos në Londër. Më e dhembshmja ishte se, pa praninë e Shqipërisë, jepej dënimi kapital i saj, duke ia vënë trupinë në gijotinë, ia prenë gjymtyrët pamëshirë dhe e lanë vetëm trungcung. Asnjë përfaqësues shqiptar nuk ndodhej në Konferencën e Ambsadorëve. Cila ishte drejtësia që u ndoq ndaj Shqipërisë që u dënua në mungesë? Përse duhej t’i ndanin vëllezërit e një race, e një gjuhe e një gjaku? Mbi ç’bazë janë mbështetur, cili ligj ndërkombëtar i jep përparësi pushtuesit, kriminelit, xhelatit dhe i mohon të drejtat legjitime të pafajit? Këto pyetje janë për politikanët e së tashmes, si dhe për ata që kanë qeverisur. Ky problem i pazgjidhur, që ka ngelur pa përgjigjen e atdhetarëve, si dhe vendosja e Janullatosit në krye të Kishës ortodokse shqiptare janë ngulur në trupin e sakatosur të Shqipërisë si gozhda e Nastradinit.
*I kujt ishte faji i vallë? I Shqipërisë së vogël dhe pa përkrahje, apo i Fuqive të Mëdha që e nxorën në ankand, duke plotësuar oreksin e shovinistëve grykës të pangopur?
Ende pa mbaruar mirë Lufta e Dytë Botërore, Greqia gllabëroi Çamërinë, duke vrarë, masakruar dhe përndjekur banorët e saj autoktonë shqiptarë. Një pjesë e tyre emigroi drejt trungut Amë dhe një pjesë drejt Turqisë.
Në veri serbët të vendosur vonë në Evropën jugëlindore, kanë pasur synimin për supremaci në gadishullin e Ballkanit. Pengesa kryesore për shtrirjen e sundimit të tyre kanë qenë shqiptarët autoktonë.
Duke pasur përkrahjen e rusëve dhe ndonjë fuqie tjetër, si internacionalistët francez apo shovinizmi grek aprovuar nga organizmat evropiane e ato ndërkombëtare, më 1948 nën juridiksionin e Jugosllavisë, futën Kosovën dardano-shqiptare, si dhe trevat shqiptare të Malit të Zi e të Maqedonisë . Ndaj tyre u ndoq një politikë shfarosëse e si pasojë mbi një milion shqiptarë morën rrugën e mërgimit drejt Turqisë, shteteve të Evropës dhe Amerikës. Si i zbatuan këto dy shtete (Greqi-Serbi) të drejtat e njeriut, si moscënimin e të drejtave ndërshtetërore apo ruajtjen e integritetit dhe fqinjësisë së mirë?! Kjo vlen të analizohet dhe të gjykohet nga organizmat më të larta ndërkombëtare. Këto shtete kryen krim ndaj një kombi, Shqipërrisë dhe shqiptarëve. Po si reagoi vallë qeveria shqiptare nën drejtimin e PKSH, që e kishte të sanksinuar me ligj paktin e moscënimit teritorial dhe kufitar të trojeve amtare? Bëri një sy qorr dhe një vesh të shurdhët, vetëm të mos u ndërpriteshin mësimet marksiste- leniniste që jepte Moska dhe Beogradi. Ndoshta për ta nuk ishte Shqipëri, as Kosova, as Çamëria, as Malësia e Madhe, as Uliqini e Tivari, as Hoti e Gruda, as Shkupi, as Tetova e Gostivari…Për shtetin komunist shqiptar mjaftonte që të mos prisheshin me mësuesët e shkollës së të paudhit(Djallit), e punë e madhe se ndiqej gjenocid ndaj tyre, pasi ajo shfaroste fisnikët dhe intelektualët,palcën dhe trurin e kombit. Heshtja e Qeverisë komuniste shqiptare tregonte se ishte katërcipërisht e kënaqur me vendimet antishqiptare të Konferencës së Londrës. Kurse gjenocidi që u ndoq nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të tregohet me fjalë. Ndaj, para se Serbia të futet në BE, duhet hapur një “Nuremberg”, sepse duke parë raportin mes numrit të popullsisë dhe të viktimave nga gjenocidi sllav dhe ai grek, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm, ndaj të cilit duhet mbajtur qëndrim prej organeve më të larta të drejtësisë evropiane dhe nd/kombëtare. A do të rishikohen dhe ndëshkohen fajtorët ballkanik ndonjëherë për krimet makabre që u kanë bërë shqiptarëve. Kjo e drejtë vendoset vetëm me kërkesë dhe këmbëngulje të shqiptarëve, duke i vënë para përgjegjësisë autoritetet e drejtësisë evropiane.
* A e ka bërë faktor parësor politika shqiptare këtë?
I mençuri ka thënë: “Po s’qau fëmija, nuk i jep gji e ëma…” Që të ulemi në një tryezë me të tjerët e që të na pranojë në gjirin e saj, BE na ka vënë kushte. Këto detyra unë i vlerësoj, pasi janë tregues integrimi të shtetit shqiptar nëse realizohen, por mjerisht jemi larg. Po ne nuk kemi të drejtë të vëmë kushte dhe të kërkojmë drejtësi për krimet ndaj shqiparëve? Përse na kanë vrarë, na kanë mohuar, na kanë shkatërruar apo vjedhur truallin e pasurinë me të padrejtë? Pse trajtohen disa shtete si bijë nëne dhe disa si fëmijët e njerkës?
Ligji kombëtar apo nd/kombëtar është i barabartë për të gjithë, si për të madhin dhe për të voglin dhe kur ai zbatohet njëlloj për gjithë shtetet apo individët vetëm atëherë ka barazi. Pikërisht këtu hynë edhe diferencimi racial edhe gjinor. Ndaj shteti mban në çdo kohë përgjegjësitë e veta si për vendimet e gabuara të së shkuarës dhe për padrejtësitë e së tashmes. Duke qenë e paaftë, e papërgatitur, e mbytur në gabime e korrupsion, politika shqiptare ul kokën para së vërtetës. Ndaj Shqipëria nuk po del dot nga udhëkryqi që e ka futur në kolaps.
* Duke qenë kaq të paskrupullt, a u lejohet të shfajësohen në këtë mënyrë sot pas gati një çerek shekulli?!
Si mund të na njohë bota të drejtat tona kombëtare, kur politika jonë ka heshtur, hesht, apo kujtohet si kofini pas të vjelit, sidomos për probleme madhore që cënojnë identitetin dhe autoritetin kombëtar? Për fat të keq asnjë nga qeveritë e këtyre 70 viteve të fundit, jo të kërkojë drejtësi për trevat shqiptare, por nuk ka bërë asnjë kërkesë të drejtë institucionale, për trojet dhe për shtetasit e vetë. Po marrë një rast…
Cila qeveri u kujtua të sjellë hirin e mbi 800 shqiptarëve që u dogjën në krematorët e Aushvicit dhe Mat’hauzenit, të quajtur viktima(nga 1260 të internuar). Vetëm në Vlorë arrestimi i fundit nga nazizmi ka qenë i (48) dyzetë e tetë vlonjatëve më 14 gusht 1944, nga të cilët vetëm dy(2) u kthyen. Disa u shpallën dëshmorë të atdheut, kurse të tjerët jo vetëm u dogjën, por u quajtën viktima lufte nga PKSH (më vonë PPSh). Diktatura bëri krim, që edhe mes të vdekurve zbatoi luftën e klasave, duke i ndarë në dëshmorë dhe viktima. Kurse qeveritë e tranzicionit nuk e kanë vënë ujin në zjarr për të vendosur në vend identitetin kombëtar të këtyre shqiptarëve që kanë ngelur pa atdhe. Ndërkohë vendosin autoritetin e shtetit. Edhe qeveritë e vendeve pushtuese, shkaktar të luftrave dhe mjerimit të popujve të pafajë, erdhën e i morën eshtrat e ushtarëve të tyre, kurse ne…bijët legjitim të këtij trualli i nxorëm të jashtëligjshëm. Fqinjët tanë që na duan të pjekur shfrytëzojnë pikërisht dobësitë e politikës shqiptare e të gjitha ngjyrave që ende nuk po e gjen shtratin e vetë.
Me ndryshimet e kushtëzuara të sistemit soc-politik që ndodhën në vendin tonë më 1990, shqiptarët duhet të ishin të vendosur të ndiqnin përvojën më të përparuar botërore. Në këtë mënyrë do të realizonin ëndrrën shumëshekullore të shqiptarëve që ndihen përgjegjës si atdhetar, të Rilindasve dhe intelektualëve të shquar të të gjitha kohërave, që nuk i kanë munguar kurrë Shqipërisë. Bota që ka ditur të japë vlerat e duhura, emrat e shumë prej tyre i ka përjetësuar pasi janë shkruar me shkronja të arta, në enciklopedi, në memoriet e shteteve, nëpër biblioteka, nëpër katedra e universitete, në akademi shkencash, ushtarake, arti, filozofie apo mjekësie, në objekte arkitekture, në vende të shenjta etje… Këta elitar, krenarë për origjinën e tyre, punuan dhe lanë mesazhe të panumërt. Amaneti i tyre i fundit për brezat ishte për Atdheun që lindi, u formua e mori emër në Evropë, ta bënin Shqipëri Evropiane. Nuk ka dyshim që vendi ynë është shtet i Evropës, por ata donin që në vendin e tyre të bëhej jetë evropiane (perëndimore).
Pak rreshta më sipër i quajta “ndryshime të kushtëzuara” dhe nuk kam as më të voglin dyshim. Tek ne varfëria materiale, mendore e pakënaqësia në vitet 80, kishin arritur kulmin, por pjekuria ndërgjegjësore kombëtare nuk ishte në lartësinë e duhur që t’i përgjigjej asaj që po ndodhte në Evropë, por ishte dhe është për të dëshiruar. Ndaj shoqëria shqiptare nuk ishte në gjendje të bënte ndryshimet e duhura.
Që të sjellësh përmbysje sistemi shoqëror pa luftë, do të thotë që gjithë atdhetarët ose pjesa dërrmuese e komunitetit shqiptar është zhveshur nga mendësitë e të shkuarës komuniste dhe është mëse e bindur se e ka përgatitur veten se ndryshimi rrënjësor është i vetmi shpëtim kombëtar. Si njerëzit edhe shtetet nuk jetojnë dot vetëm. Shembulli më i mirë për këtë, që na hodhi në greminë ishte Shqipëria komuniste. Kemi nevojë për marrdhënie miqësore, aleanca diplomatike, ekonomike, kulturore mes fqinjëve, apo me ShBA e largët. Miku ka vendin e mikut, por jo ta bëjmë zot shtëpie, siç ndodhi duke vënë Janullatosin në krye të Kishës Ortodokse shqiptare. Në zhvillimin ekonomik të vendit kanë shumë rëndësi investuesit e huaj, por duke respektuar disa kritere të domosdoshme. Kufiri shqiptar u shndërrua si një han pa zot, ku më lirisht hynin e dilnin të huajt sesa vendasit. Që të bëhet një takim i krerëve të ortodoksisë në Tiranë, ku patriarku serb shfaqi lirisht shovinizmin serbomadh ndaj Kosovës duke e quajtur “zemra e Serbisë”, është diplomacia, qeveria dhe politike shqiptare që aprovon. Kurse përfaqësuesit e shtetit dhe politikës shqiptare e dhanë përgjigjen vonë. A nuk kishte dijeni qeveria se do të bëhej një takim për përurimin e kishës? Si mund të hyjë e të dalë në Shqipëri, si në shtëpinë e tij sa herë dhe kur të dojë antishqiptari, shovinisti Gejxh, i cili jo vetëm i ka shfaqur pretendimet e tij mbi Vorio Epirin, por i mbron me fanatizëm. Ne i kemi hapur portat e Atdheut në katër kanata për të huajt. Po cili shtet na i ka hapur portat dhe na fton të hyjmë brenda me tolerancë rregullash?! Këto gabime nga padija apo nga dashamirësia për miqtë e vendit, me kohë shndërrohen në faje të pariparueshme.
Ballafaqimi 24 orë në ditë me dhunën, mungesën e edukatës, fjalorin e rëndomtë mes grupeve parlamentare, krijon një psikozë të rëndë sociale? Shqiptarëve që i mbajnë sytë nga politika, nuk u interesojnë skena të tilla vulgarizmi, sepse u shuhet çdo shpresë për të nesërmen. As si shembull pozitiv edukimi për brezin e ri nuk shërben grindja mes parlamentarve. Atëherë kujt i intereson vallë? Vetëm atyre që duan ta shikojnë vendin tonë në anarshi e të përçarë, se kështu penetrojnë kollaj. Ndaj nuk mund të shfajësohen sot pas gati një çerek shekulli.

Pas vitit 1990 filluan thirrjet e duam Shqipërinë demokratike, e duam Shqipërinë si Evropa, apo si e gjithë bota.
Për t’ia dalë mbanë e të arritur stadet jetike të vendeve të zhvilluara, kërkoheshin kllëqe nga politika shqiptare, që ishte me ekonomi të pakonsoliduar, pa përvojë, pa ekspertët e duhur,por e mbarsur me idetë marksiste dhe me metodat e vjetëruara. Për çudi brenda natës ndërruan ngjyrë dhe ide sipas programimit të Katovicës, ku Gorbaçovi mblodhi kryetarët e shteteve të ish kampit të lindjes. Mes tyre ishte edhe Ramiz Alia, i cili ndoqi zbatimin e udhëzimeve pikë për pikë. Menjëherë u ndanë sferat e influencës mes besnikëve të të PPSh-s. U dhanë udhëzimet dhe programet dhe ata nga të kuq u bënë blu, rozë, të gjelbër apo vjolë…Dhe që nga ai çast për ata nisi historia e kombit.
Askush nuk mund t’i mohojë ndryshimet e këtyre viteve, por ne duhet të kishim ecur përpara me galop, pasi Shqipëria çshtë vendi i resurseve, veçse të dish t’i shfrytëzosh me nikoqirllëk dhe mençuri. Sot Vlora duhet të ishte në majën e kurbës së fitimeve nga turizmi, por çfarë do ta tërheq turistin e huaj apo vendas:mungesa e organizim- menaxhimit të vlerave turistike të saj apo infrastruktura? Po a lejon i kudogjenduri Janullatos që në Shqipëri të lulëzojë turizmi? Duhet pyetur…
Të gjithë shqiptarët u bënë me diploma e tituj shkencor. Të gjithë duan të jenë të parët dhe vetëm të udhëheqin.Po token djerrë të lënë shkretë kush do ta punojë?! ”Unë Zot dhe ti Zot…,”kopenë” kush e kullot?!”
Egoizmin e shfrenuar të shqiptarëve, si mendësi e së shkuarës, e shfrytëzojnë përmes një apologjie ”Apostujt“e djallëzuar, që qëndrojnë në vendin tonë si gozhda e Nastradinit.
Ndaj duhet shkulur kjo gozhdë, që shqiptarët të marrin frymë lirisht, si zotër vatani, si në besimet fetare, ashtu edhe në fushat e tjera. Kjo është detyrë primare e politikës. Tek e fundit vendin e drejtojnë shqiptarët dhe jo shovinistët e kishës greke që qëndrojnë gati për aneksimin e detit, të Krahinës Autoktone të Shqipërisë Jugore, janë aty enkas për dhunimin e varrezave shqiptare, për të shuar emrin e Rilindasve duke shndërruar në Kishë QK Përmet që mban emrin e vëllezërve Frashëri. Janë të parët që mbërrijnë në Himarë për çdo ndodhi a incident. Janë të parët akuzues për shkeljen e të drejtave të minoritetit.Natyrisht shovinistët greko-serb shijnë si kali në lëmë, kur dëgjojnë ish krerë të Qeverisë shqiptarë që shprehen :”Edhe Himara, edhe Tropoja janë shqiptare?!” Pra kur e vënë në dyshim ish krerët e Qeverisë,i pangopuri dhe lakmitari aq kërkon. I jep gishtin të merr dorën. Ndaj duhet vendosur kufiri te thana,-thotë vlonjati i mirë.

*Lidhur me sa ndodh, mos vallë të persekutuarit janë fare pa faj? Jo…
Nuk di kush i mënjanon këta mjeran nga këto kërkesa kombëtare tejet alarmante dhe i përdorin të gjorët duke i shtyrë të futen në grevë?! Të persekutuarit duhet ta kenë të qartë se, përderisa nuk vlerësohen për aftësitë që kanë, qëndrojnë pa punë, shihen si segmenti më i keq i kombit e janë të parët që u mohohet profesioni, me urrejtje dhe hakmarrje pa arsye ndaj tyre, kështu nuk mund të ndërtohet demokracia e vërtetë. Po bëjë një pyetje: Sa të persekutuar janë zgjedhur apo emëruar këto vite tranzicioni në Qeveri, në KLD, apo si diplomatë? Sa aksionerë nga ish të burgosurit ka nëpër miniera, ku u ranë brinjët, dhanë edhe jetën? Përjashtoj vetëm ata të persekutuar apo pseudo të persekutuar që kanë qenë lidhur me sigurimin e shtetit apo prindërit e tyre i kanë shërbyer të huajit, të cilëve u kanë besuar ndonjë post të lartë shtetëror apo në fushën diplomatike. Më vjen keq që abuzohet me ata syleshë dhe naiv, që mashtrohen lehtë. Pastaj këto gënjeshtra e mashtrime hyjnë në histori si zbatim programi i një force të caktuar politike. Në raste të tilla ata rivriten dhe u rihapen plagët e vuajtjeve. Unë nuk e besoj kurrë se persekutori dhe xhelati vë shenjën e barazimit me viktimën. Ata që ishin dje, drejtojnë sot, veç ndërruan kostum, tesrën, terminologjinë dhe janë më bashkëkohor se perëndimorët. E duan demokracinë, por me marksizmin në gji. Këtë e dëshmon më së miri, që politkanët e majtë kërkojnë me çdo kusht të rivendosin lidhjet e dikurshme me mëmën Rusi. Sipas tyre këtu nis historia…
*Për fat të keq, pa përjashtim, çdo qeveri e re, përfaqësuese e forcës politike fituese në zgjedhjet elektorale, mes deklaratash mediatike, përligj se rrota e historisë nis rrokullisjen me fillimin e qeverisjes së saj.
Është e pafalshme për cilindo që shprehet në këtë mënyrë, pasi historia nis me fillimin e jetës së një komuniteti. Se ç’peshë ka dhe çfarë vlere ka secila Qeveri, treguesi më i mirë është koha, e cila pohon progres pozitiv mbarëkombëtarë apo pëson regres negativ nëse i ka shërbyer vetëm pakicës. Autoriteti i një pushteti rritet kur realizon mangësitë e pushtetarëve paraardhës, jo me fjalë dhe fyerje, por me veprime, me paanshmëri dhe drejtësi. Shovinizmi kurrë nuk do që në Shqipëri të shkojë prona te pronari legjitim. Nuk u pëlqen asnjëherë integrimi i të përndjekurve politikë. Iu erren sytë nëse minimizohet korrupsioni. Sepse realizimi i këtyre kërkesave fuqizon kombin dhe shpejton integrimin. Ndaj kërkohet shumë punë për pasurimin ndërgjegjësor kombëtar dhe kulturë demokratike e të gjithë shqiptarëve. Vetëm kështu përballohet e keqja që na ka lidhur këmbë e duar dhe ne pa frikë mund të ecim drejt zhvillimit kombëtar.

Filed Under: ESSE Tagged With: e Nastradinit, Haxhiraj, Kamillafi i “Hirësisë”, si gozhda, Vilhelme Vranari

Arsyeja është pasqyrë e ndërgjegjes (Nevetes) së kujtdo

October 28, 2013 by dgreca

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

“…Veprimi pa arsye nuk të çon askund.

Është njëlloj si, kur të eturin e çon në

100 çezma dhe nuk i jep një pikë ujë.

Jeta pa arsye, ngjet me një udhëtim rreth

planetit pa orientim, pasi mungon busulla...”

Arsyeja është thirrja që ndërgjegjja i bën logjikës, për të arritur një pikësynim, apo për realizime sa më të avancuara të jetës. Nëse arsyeja i përgjigjet kësaj thirrjeje, atëherë vepron logjika e ftohtë dhe e fortë dhe cilido di të udhëtojë drejt zgjidhjes së çdo enigme.

Veprimi pa arsye nuk të çon askund. Është njëlloj si, kur të eturin e çon në 100 çezma dhe nuk i jep një pikë ujë. Jeta pa arsye, ngjet me një udhëtim rreth planetit pa orientim, pasi mungon busulla.

Kur mungon arsyeja, mendimi është si pema e tharë që nuk jep fruta, pasi njeriu është pa asnjë synim në rrugëtimin e tij të gjatë që e ka emrin jetë. Nëse në një mendje gjendet një arsye e fortë dhe bindëse, gjithsesi ajo nuk është e aftë të bëjë asgjë, kur individit i mungon talenti dhe pasioni. Duhet të theksoj se arsyeja është individuale, është vetjake siç është liria e shpirtit, liria vetjake, së cilës i përgjigjet vetëm “Njëmendësia”. Kjo e fundit vepron sipas aftësisë mendore, shpirtërore, fizike dhe mbështetet në talentin, pasionin dhe vullnetin me të cilat është pajisur individi.Që arsyeja të veprojë siç duhet, veç atyre cilësive të lartpërmendura, nevojitet kurajo dhe guxim për të vepruar.

Duke kujtuar thënien e një poeti, piktori dhe filozofi Libanez, Khalil Gibran(Jubrān Khalīl Jubrān- që lindi më 6/12/ 1883 dhe vdiq 10 /4 /1931 në New York), se: “Arsyeja dhe pasioni janë timoni dhe vela e shpirtit tonë lundrues…”,po vazhdoj…
Jeta e njeriut i ngjan lundrimit të një detari, në kohë dhe mot të ndryshëm, anija e të cilit vozit në ujëra të qeta, të turbullta apo të trazuara nga stuhitë. Sipas Khalil Gibran, arsyeja është timoni i anijes, kurse pasioni është vela që ecën në drejtim të erës ose kundër saj. Ç’ndodh me njeriun vallë gjatë këtij lundrimi të gjatë e të vështirë në thellësi apo në cekëtina, sipas rrymës apo kundër saj? Si formohet ky njeri? Ç’shkallë personaliteti dhe nga se karakterizohet individualiteti i tij?
Arsyeja, talenti dhe pasioni përbëjnë një trinom i cili jep rezultat e diuhura, kur janë krijuar kushtet dhe janë të gjitha mundësitë për njohjen e botës. Arsyeja jashtë realitetit është si një hambar i zbrazët. Ndaj si bazë e aryes shërben njohja, jo si termë filozofik, por përmes saj arrihet tek realja nëpërmjet të të prekurit të shqisave dhe të menduarit.

* Më parë duhet të dimë se deri ku mund të arrijë njohja, gjë që varet nga vullneti për ta arritur në një konkluzion. Veçanërisht duhet të dimë se a është e aftë apo në gjendje “Njëmendësia”(Nevetja) të arrijë kufirin e njohjes së botës dhe të zbulojë se sa vërtetësi ka në këtë njohje? Nëse në njohjen e botës mungon e vërteta, atëherë në të gjitha shkencat do të sundojë subjektivja.

* Po kështu nuk mund të ketë letërsi dhe kulturë që t’i përgjigjet realitetit nëse nuk ekziston liria vetjake e të menduarit. Theksoj se kjo liri fitohet kur e njeh botën dhe një nga kushtet e kësaj njohjeje është përvoja jetike, që ndryshe, ose shkencërisht quhet empirizëm.

*Ato që e bëjnë individin ta njohë botën deri në qelizë, janë shqisat, përmes të cilave krijohen ndjesitë për të shprehur atë që njohe dhe çfarë ndjen gjatë njohjes. Kjo quhet “Përvoja Ndijore” (sensuale), që është burim i pazëvendësueshëm i njohjes. Kjo është mëse e vërtetë. Bota reale nuk mund të njihet pa njohjen e jashtme të saj, nëse nuk shihet, nuk preket, nuk dëgjohet ,nuk shijohet dhe nuk nuhatet.

*Por për ta njohur botën dhe vetveten, njeriut i duhet edhe përvoja e brendshme, ndjesitë e individit(sensualiteti) lidhur me atë çka ndodh brenda qenies së tij. Duke u nisur nga këto ndjesi që pëcillen nga gjymtyrët apo nga gjendja e brendshme shpirtërore, njeriu reflekton përmes ndërgjegjes.

*Disa filozofë(Platoni, Lajbnici, Dekarti, Spinoza etje) thonë: “Arsyeja është i vetmi burim kryesor i njohjes së botës.” Pa arsye nuk mund të kuptohet se cila është themelore në jetë. Pa veprimin e mendjes apo arsyes nuk mund ketë as shkencë, as art, as letërsi, as kulturë dhe as zhvillim tërësor të njerëzimit. Kjo shkallë e njohjes quhet Racionalizëm. 

Duke e lidhur me artin apo letërsinë, them se nuk ka art të mirëfilltë, të shkallës sipërore kur mungon përvoja jetike dhe njohja e thellë e botës. Nëse vendosim përballë dy autorë letrarë të shquar, për realizimin e një drame letrare me temë të njëjtë nga genocidi i diktaturës komuniste edhe në rolet të jenë aktorë nga shtresa të ndryshme sociale. Autorët të jenë me prejardhje të ndryshme shoqërore, pavarësisht se tema do të jetë zgjedhja e tyre, sipas mendimit tuaj, cila prej tyre do të jetë më e arrirë?

Jam e bindur se autori që e ka provuar dhembjen deri në palcë, do të nxjerrë një vepër të përkryer, madje madhore, sepse nuk mbështet në hamendësime, por në njohjen e realitetit, i prekur fiszikisht dhe shpirtërisht nga ai. Jo më kot është thënë:”Arti, letërsia burojnë prej dhembjes, por pa lënë në harresë lumturinë.”Veçse arti që buron nga dhembja është tronditës, të bënë të mendohesh dhe të mbash qëndrim kritik ndaj problemeve që shkaktojnë dhembje dhe vuajtje. Kurse ai që buron nga lumturia është si limonada me akull në verën e nxehtë. Iku vapa , akulli shkrin dhe ky lloj arti apo letërsie harrohet. Ndërsa ai që ka në qendër tragjedinë e një kombi, lë vragë dhe nuk harrohet. Ky art shërben si udhërrëfyes i njereiut pozitiv, që e do ndryshimin dhe zhvillimin e kombit.

*Duke e parë në mënyrë kritike njohjen që vjen si bashkëpunim i shqisave me mendjen. Njohja fillon me shqisat por formën e saj të plotë e jep mendja, e cila formëson materialin e shqisave që paraqitet në një kaos të vërtetë. Për këtë shoshitje formuese, Kanti si pëfaqësues i Kriticizmit thotë:“Mendja është ligjëdhënëse e Natyrës”.Janë njerëz ata që formësojnë ligjet. Ligjëvënësit, a nuk nisen nga arsyeja që njeriu të njoh ligjin, ta respektojë e ta zbatojë atë, që njerëzit të jenë të barabartë para tij dhe duke u mbështetur në kushtetutë janë të prirur të kërkojnë drejtësi. Përsëri është Arsyeja ajo, që ekzekutuesit e ligjshmërisë i shkelin ato për inetersin vetjak. Shohim se  mendja ndërton dhe prapë ajo shkatërron atë që ngriti vetë.

  *Njohja e vërtetë, njohja e Njëmendësisë, është e mundur vetëm përmes intuitës. Ky proces ndjesish të qëndrueshme(permanente) që nuk spjegohen nga logjika dhe arsyeja humane (por janë aftësi irracionale të njeriut), quhet intuitivizëm. Sipas tij vetëm intuita është në gjendje të njohë dhe të dallojë atë që është kryesore apo më thelbësore për jetën. Pikërisht të nisur nga intuita si bazë njohjeje, shumë autorë veprash e marrin tematikën nga eposi antik, për mos t’i lejuar vetes hapësira kritike.

*Për mundësinë e njohjes së botës ekzistojnë dy pikëpamje po aq të skajshme si: dogmatizmi (besimi në të shkuarën dhe kundërshtim i të resë) dhe skepticizmi :pavendosmëri (luhatje në përcaktimin e njohjes). Këto sot janë nga dukuritë më jetike. Lidhur me dogmatizmin dhe skepticizmin si pikëpamje që pengojnë zhvillimin përmes njohjes së realitetit, shohim se politika e çdo ngjyre, apo njerëzit që udhëheqin kulturën, institucionet e saj, janë gati të hyjnizojnë çdo vepër të së shkuarës, të vlerësojnë dhe mitizojnë shkrimtarët, regjisorët, aktorët që kanë vdekur, vetëm e vetëm për të mos i pasur si ferra nëpër këmbë krijuesit e rinj që japin vlera bashkëkohore.

Lind pyetja:Mos vallë Arsyeja apo Mosarsyeja e shndërrojnë njeriun në dogmatik, skeptik apo realist? Njeriu e zgjedh vetë rrugën për arritjen e qëllimit. Sipas përzgjedhjes dhe zgjidhjes së formimit ndërgjegjësor, gjithmonë vepron arsyeja, e cila nuk është e përkohëshme, as rastësore. Arsyeja mund të jetë e varfër ,por asnjëherë luks fasade, por ajo vepron sipas kushteve, faktorëve në të cilat kalon jeta e individit. Janë pikërisht këto dukuri që ndikojnë në formimin individual të tij. Mbështetur në këndvështrimin individual ndaj botës, problemeve sociale të cilitdo, vepron arsyeja. Nuk është erosi i vetmi ndijim që të burojë art nga shpirti i poetit. Tek një individ që ka lindur me dhunti, duke jetuar me problemet, dramat dhe tragjeditë, nis e vepron arsyeja. Pra bota që e rrethon, me të gjitha dukuritë dhe fenomenet e saj, ndikon në “Njëmendësinë”, në njohjen e “Nevetes”. Nëse arrin të njohësh veten, ke arritur shkallën më të lertë të të menduarit. Mendimi apo arsyeja e këtij njeriu vepron krahas ligjeve të natyrës dhe kurrë krahas kushteve që vënë politikat apo qeveritë. Ato shkojnë e vijnë, kurse njeriu me intuitën e tij, duke vënë përballë dy të kundërtat e arsyes, formëson karakterin e tij, i cili shprehet në të gjitha fushat ku ai vepron si: art, letërsi, shkencë, ekonomi, kinematografi , drejtësi etje.

Atëherë arrijmë në përfundimin se duhet Logjika që të njohim format dhe parimet e të menduarit real dhe të vërtetë. “Logjika është mjeti për të hyrë në studimin e shkencave, në art dhe në fushat krijuese. (Aristotel)”

Shkenca filozofike, që merret me studimin e mundësisë, vëllimit, të vërtetësisë e të kritereve të njohjes së botës, sendeve dhe dukurive të ndryshme, është Gnoseologjia. Duhet studiuar kjo shkencë që të njohim botën dhe veten, gjithmonë përmes arsyes.

Arsyeja është pasqyrë e ndërgjegjes (Nevetes) e cila kur arrin shkallën më të lartë të të menduarit, mendimin e avancuar, ka krijuar Mbinjeriun apo Gjeniun. Pra si pasojë e Arsyes, roli i “Njëmendësisë”,është sa i avancuar në formimin e njeriut “Njeri” dhe po aq i vyer në dhënien e vlerave reale kombëtare. Nga Arsyeja varet formimi i karakterit të njeriut dhe se çfarë është në gjendje ai të krijojë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Haxhiraj, ndergjegja, Vilhelme Vranari

GËZUAR SHQIPËRI, 100 VJET PAVARËSI KOMBËTARE!

November 14, 2012 by dgreca

Ismail Qemali Arkitekt i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

 Të gjithë shqiptarët në fillim të shekullit XX, shpresonin se kishte ardhur koha që Shqipëria të ishte e Pavarur, pas 5 shekuj robëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, grindjet mes principatave nuk e favorizonin kurrë njohjen e Shqipërisë si komb. Patriotët e Rilindjes Shqiptare dhe Arbëreshe kishin punuar për ta përgatitur opinionin për domosdoshmërinë e shkëputjes nga Turqia. Këtë mision e mori në dorë njeriu që e njihte mirë Turqinë dhe politikën e saj.

Ismail Qemali si diplomat, i pajisur me kulturë të gjerë, njohës i disa gjuhëve, shfrytëzoi rrethanat e kohës. *Pozita gjeografike e Shqipërisë si nyje në Mesdhe;*shtrirja nga Danubi në Gjirin e Artës, nga Vardari në brigjet e dy deteve;*kushtet fiziko- gjeogrfike, (vend malor i alternuar me fusha, ultësira dhe kodra), ndikuan në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditës, jo vetëm si dëshmi e etnisë pellazgo-iliro-arbëre, por faktorë që ndihmuan për Pavarësinë. *Bashkëjetesa e tri besimeve fetare ka ruajtur etninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve, faktorë që i shfrytëzoi I. Qemali, i cili vuri në plan të parë *çështjen kombëtare, që evitoi *përçarjet mes shqiptarëve. *Vrasja e gjyshit të tij nga sulltani, bëri që ai të ishte shumë i matur në kërkesat ndaj P. Lartë. Për këtë arsye fillimisht kërkoi* Autonominë e Shqipërisë.

Si përkthyes i zoti, ai bëri karrierë politike. Qysh në moshë të re emërohet,*Guvernator i Varnës (Bullgari), ku jo më kot priti Perandorin Franc Jozef. Pas internimit në Azi të Vogël, shkon *Kryetar i Komisionit N/kombëtar në Danub. Më vonë *Kryetar i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin turk, ku zhvilloi biseda mbi gjendjen aktuale të P. Osmane dhe zgjedhën e shteteve nën sundimin e saj. Këto takime apo poste titullare, ai i shfrytëzoi për çështjen kombëtare. *Analiza e tij mbi gjëndjen e Perandorisë në Egjipt, mbi çështjen e Kretës dhe luftën ruso-turke, e pavlerësuar nga sulltani, bëri që Porta e Lartë të pësonte disfatë. *Porse pasojat ranë mbi shtetet evropiane nën sundimin e Turqisë. Veçse kjo *analizë social-politike e I. Qemalit, i ngjante projektit të një arkitekti për të ngritur një ngrehinë të shndërruar në gërmadhë nga shekujt. Pra u bë përvoja parësore e Ismail Qemalit për të synuar drejt shpalljes së Pavarësisë kombëtare. *Posti i Ministrit të Jashtëm, që e dëmtonte çështjen shqiptare, u refuzua nga I. Qemali. *Njohja me rrethet përparimtare të Evropës e me personalitetet e shquara politike të kohës, e favorizonin për të bërë prezent problemin kombëtar në opinion botëror. Pas Mit’hat Pashës,*Kryetar i Partisë liberale turke u bë I. Qemali. Në një intervistë në Giornale d’Italia) më 23 qershor 1909, Ismail Qemali thekson: “Liberalët e Europës Perëndimore ngjajnë me trashëgimtarët e një pasurie të madhe, që shqetësohen për t’u kënaqur me të ardhurat e grumbulluara nga pararendësit e tyre. Nëse në Perëndim liberalizmi është etiketë e një partie për të marrë pushtetin; në Lindje mjafton mendimi liberal që të ngjallen dyshime të cilat sjellin të këqija të mëdha.” *Kjo analizë i vlente për të nesërmen e afërt të vendit dhe ishte një afirmim diplomatik i tij në botën evropiane.

Ardhjen e turqëve të rinj ai e quan *anarki të rëndë që vjen nga lart, e cila është më e rrezikshme dhe më e dëmshme se ajo që vjen nga poshtë. Ndërsa *komitetin “Bashkim e Përparim” të xhonturqve e quan shtet brenda shtetit, që imponon vullnetin e tij, shtyp liritë e njeriut dhe i kundërvihet kushtetutës. *Politika e tyre e detyroi atë të ndërtojë platformën e qeverisjes së Shqipërisë.”*Kushtetuta nuk është qëllimi, por mjeti për zhvillim dhe përparim.”- thekson Ismail Qemali. Ndërkohë Sulltani e emëroi Guvernator në Tripolitani. Ai nuhati rrezikun dhe kërkoi strehim politik në ambasadën angleze, e cila e nisi në Athinë. Menjëherë nisi fushatën diplomatike nëpër oborret e Europës, me ftesën e bërë nga shqiptarët e Australisë që aktualisht ndodheshin (në Athinë). Që arkitekti të ndërtonte ngrehinën e shqiptarëve, i duhej lënda e parë, e cila ishte *mbështetja e Fuqive të Mëdha evropiane. Menjëherë nisi *maratonën nëpër oborret e Evropës dhe nuk harroi të publikonte situatën politike të kohës. Udhëtimin e nisi me vende ku *çështja shqiptare njihej mirë, si me Romën, Siçilinë e Kalabrinë, ku *shfrytëzoi mosmarrëveshjet Austri- Itali për influencën e secilës në Shqipëri. Ismail Qemali frenoi disi përpjekjet për epërsi ndaj Shqipërisë si: të Austrisë, Greqisë, Italisë e Serbisë. *Me shkathtësinë e tij, ai shfrytëzoi situatat  ose më mirë grindjet politike mes shteteve evropiane dhe të secilit në veçanti. Më pas shkoi në Gjenevë, Bruksel, ku takoi Faik Konicën për të reklamuar çështjen kombëtare në gazetën e drejtuar prej tij, “Albania”. Botimi i gazetës së tij (I.Qemalit) me titull “Shpëtimi i Shqipërisë”, në gjuhë shqipe, greke dhe turke, u përdor për të ringjallur ndjenjën kombëtare te shqiptarët në botë.  Me nuhatje shfrytëzoi vdekjen e mbretëreshës Viktoria të Anglisë dhe shkoi në Londër për ngushëllim, ku u takua me personalitete të politikës botërore. Shkoi në Egjipt, ku kishte shumë shqiptarë. Sulltani, për hesape të vjetra, e dënoi me vdekje në mungesë. Ai shfrytëzoi me *mençuri dobësimin e P. Osmane, për shkak të kryengritjeve, sidomos në Ballkan, të cilat ai diti t’i shfrytëzojë me maturi. *Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit 1878, e copëzonin Shqipërinë, gjë që nuk ishte në favor të terrenit që po përgatiste I.Qemali.

Në çastin fatlum, këtij burri të mençur iu desh të *shfytëzojë ndarjen e turqve të rinj më 1908. Ndaj për I. Qemalin *shpallja e kushtetutës do të ishte faza e parë për Autonomi. *Përvoja diplomatike dhe vizitat nëpër oborret e Europës, bën që ai u mbështet në 2 Fuqi të Mëdha: Austro-Hungari dhe Itali, të cilat për qëllimet e tyre, ishin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia. Bisedimet me qarqet e lëvizjes përparimtare në Athinë, Romë,Vjenë, Paris, Londër, Kajro, Bukuresht dhe me shqiptarët jashtë vendit, bënë të ndryshonte opinioni i Europës për shqiptarët, të cilët i konsideronin pa ideale kombëtare.

*Hartimi i Memorandumit të Gërçës nga I. Qemali dhe Hasan Prishtina, me 12 kërkesa, sipas të cilave të 4 vilajetet shqiptare të kishin autonomi administrative për çastin, nën vartësinë e Xhonturqëve, pati rëndësi: *Nisën kryengritjet e Malësisë së Madhe me Dedë Gjo Lulin, dhe *kryengritjet e përgjithëshme 1909-1911. *Arkitekti i shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemali si largpamës dhe vazhdues i programit të Rilindasëve, e dinte se rruga e nisur, donte mbështetjen e ndërkombëtarëve, para të cilëve doli me këto kërkesa:*1- Kushtetutë dhe Autonomi administrative për popujt e ndryshëm të P.Osmane; *2- Shqipëria të ketë 2-3 apo 4 vilajete me krahina shqiptare. *3- Hapja e shkollave shqipe dhe shpërndadja e librave në gjuhë amtare në çdo trevë ku flitet shqip..*4- Gjuhë zyrtare të ishte shqipja. *5- Të krijohej policia, postë telegrafa, *marrëdhënie diplomatike me Perëndimin dhe fqinjësia e mirë. *Kërkesa për autonomi dhe jo Pavarësi, përputhej me kushtet ekonomike, si ide përparimtare për kohën. Ai kërkoi *organizimin e shtetit me frymë europiane. Në Nicë të Francës *më 19 shkurt 1912 ai doli me idenë e Pavarësisë. Ambasadori italian Tommasso Tittoni njoftoi se në Nicë po mbahet një kongres sekret, me praninë e I. Qemalit. Ai shprehet:”Një fis që kërcënohet nga serbët e grekët, është fis i vjetër ilir i shqiptarëve, që ruan e do të ruajë traditën dhe identitetin e lashtë kombëtar”.

I. Qemali më 5 Nëntor 1912 u takua me shqiptarët e Bukureshtit, ku dolën me një Rezolutë. Por kjo varej nga Fuqitë e Mëdha. Në Vjenë, gjeti mbështetjen e Berchtold dhe ambasadorit Avarna. Më 20 /XI /1912 nga Trieste niset për Shqipëri. Ditën që Skënderbeu  ngriti flamurinnë Krujë, edhe Ismail Qemali më 28 -XI- 1912 ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë në Vlorë. Shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë u mirëprit nga Italia, Austria dhe Rumania. Kurse Serbia nuk e njohu aktin madhor që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Stambolli heshti, kurse Greqia dhe Mali i Zi, synonin copëzimin e Shqipërisë. Formimi i Qeverisë së Vlorës me Kryeministër I.smail Qemalin, me anëtarë kabineti nga të gjitha trojet shqiptare dhe me përfaqësues nga tri besimet fetare, ishte akti final i njohjes së Shqipërisë si komb i pavarur. U mbushën 100 vjet nga shpallja e pavarësisë së cunguar të shqiptarëve, dhe kombi ynë përsëri ka mjaft probleme , të cilat po ia lemë kohës t’i zgjidhë!

Shqiptarë, kudo që jeni, Ju uroj :”Gëzuar 100 vjet Pavarësi Kombëtare!”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 100 vjet, Haxhiraj, pavaresi, Vilhelme, Vranari

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT