Refleksione Psikologjike të Inteligjences nën Diktaturë/Kujtime dhe analizë psikologjike/
Nga Prof. Dr. Hazbi Shehu -New York (Ne fotografi Koco Plaku i pushkatuar)/
Në fillim të vitit 1974 u dënua Ing. Gjeolog Nuredin Skrapari, nga sektori i naftës me 15 vjet burg, për axhitacion e propagandë. Nga mbarimi i këtij viti, një grup i përbërë prej Ing. Gjeologësh, drejtues të Institutit Gjeologjik të Kërkimeve për Naftë e Gaz etj; u dënuan si sabotatorë dhe armiq. Konkretisht ata ishin: K. Plaku, M. Gjikopulli, me pushkatim; B. Alia (drejtor i Institutit), P. Murataj, Th. Nasto, Dh. Stefa, L. Nashi (drejtor i përgjithshëm), etj, me 23 deri 25 vjet. Disa muaj më vonë, K. Rama u dënua me 15 vjet burg me të njëjtin motivacion si sabotator dhe armik; sepse nuk ishte dakord me planifikimin e metrazhit të puseve të kërkimit për naftë të miratuar nga udhëheqja e partisë; ndërsa shokët e grupit të tij u përjashtuan nga instituti dhe i dërguan punëtorë. Në vitin 1986 u sajua një grup tjetër sabotatorësh dhe armiqsh, përsëri në Institutin Gjeologjik. Ky grup përbëhej nga P. Xhaxhka (drejtor i Institutit), E. Veizi (N/drejtor), Ing. Gjeolog M. Arapi, Ing. Gjeofizik P. Sadushi, etj dhe u dënuan me 23 deri 25 vjet burg.
Këtu po paraqes disa nga faktet e jetuara, sepse kam punuar gjithë jetën në këtë Institut; nga themelimi e deri në mbylljen e tij (1965-2005). Këta kolegë, përveç izolimit nga familja, shoqëria dhe puna i nënshtroheshin dhe torturave trupore dhe mendore në burg. Me ardhjen e demokracisë, inxhinierët e pafajshëm dolën nga burgu. Tani ata ishin të lirë, por të shkatërruar fizikisht dhe moralisht. Sot shumica e tyre nuk ndodhen në mes të të gjallëve. Në burg ata ndjenin një vuajtje edhe më të tmerrshme se ajo e goditjeve fizike: kujtimi i familjeve, sidomos i fëmijëve të vegjël të lënë në mëshirën e fatit, gërryente dhe e rëndonte shumë ndërgjegjen e brëndshme të tyre. Askush nuk guxonte t’i ndihmonte këto familje, sepse do të quheshin armiq. Çfarë faj kishin fëmijët e vegjël në lulëzim, të mbeteshin rrugëve, pa ushqim, pa shkollë dhe pa të ardhme. Ngacmimi i ndjenjave shpirtërore, si rrjedhojë i vuajtjeve famijare, e kryesisht i fëmijëve mund ta transformojë trurin nga gjendja normale në fazën e c’mendurisë. Frazat e përdorura nga hetuesit “Pranoni fajet tuaja, që familjet të mos preken”, ishin shumë më të forta, më therrëse dhe më ngacmuese sesa goditjet me shkop mbi trupin e tyre. Dashuria e djalit për një vajzë ose vice-versa edhe mund të shuhet një dite; ndërsa dashuria e prindërve për fëmijët nuk vdes. Vetëm kur të pushojë së rrahuri zemra e prindërit, atëhere nuk do të dëgjohen më fjalët e ëmbla për fëmijët. Sikur të besohej tek një jetë pas vdekjes me siguri ajo dashuri do t’i ringjallte prindërit.
Edhe kur kolegët e mi që ndodheshin në burg firmosnin fajet e pa kryera; thëniet e hetuesve “Tani familjet tuaja jetojnë në kushte normale” e ngacmonin më shumë trurin e tyre. Kjo vinte sepse ata nuk u besonin fjalëve të hetuesve. Të gjithë intelektualët Ing. që u burgosën, nuk kaluan në vetvrasje, si gjatë kohës në burg, as kur dolën nga burgu. Kjo tregon për forcën e tyre shpirtërore të lartë dhe optimiste. Ata luftuan të bashkuar në burg, me shpresën, për të fituar mbi padrejtësitë. Si rrjedhojë fituan të drejtat, për të jetuar të lirë në demokraci.
Kolegu im Ing. Tomi Kristo, megjithëse i lirë në shoqëri, vuante shpirtërisht. Atë e detyroi regjimi diktatorial që duke shfrytëzuar gjendjen psikike të tij momentale, të firmoste një material të përpunuar nga hetuesia për të dënuar kolegët. Kjo ishte në kundërshtim me ndërgjegjen e Tomit. Menjëherë pas këtij veprimi ai filloi të diskutonte me ndërgjegjen e tij “Pse e bëra?! A jam unë njeri me të vërtetë?!” Llogjika në gjëndje normale i thoshte “Nuk ke qenë në gjendje të mirë mendore; në atë çast nuk ekzistoje si njeri i vërtetë?!” Gradualisht, ndërgjegja e pastër e ndershmërisë, godiste me gjithë fuqinë e saj, trurin e Tomit. Në kushte kur truri i punonte normalisht, ai vendosi që para se ti dorëzohej fundit fatal, të kryente detyrat e tij njerëzore. Nisur nga ndërgjegja e lartë dhe e paarritshme, i kërkoi të fejuarës ta fali duke i thenë “E dashur, të dua dhe do të dua përgjithmonë, sepse ti je pastërtia e ndërgjegjes më të lartë. Je bukuria e një jete të vërtetë, të ndershme, të cilën unë nuk e meritoj. Po të kërkoj të më dënosh si njeri jo i denjë për ty. Ti je trëndafili më i bukur që unë zgjodha në kopshtin e luleve, por detyrohem ta prish fejesën tonë. Këtë e bëj sepse nuk dua dhe nuk më pëlqen që djalli të bashkëjetojë me një ëngjëll si ti. Lamtumirë dhe të uroj fat në jetë!” Ajo duke qarë i thotë “Tomi çfarë po thua!? Unë vetëm me ty e kam lidhur jetën.” Por Tomi e përqafoi dhe u largua.
Pranverat do të vijnë njera pas tjetrës dhe lulet do të çelin, por njerëz si Tomi Kristo, për mos thenë nuk ka, rrallë do të vijnë. Goditjet e ndërgjegjes, si rrjedhojë e vuajtjeve shpirtërore shkaktojnë sëmundje të rrezikshme, që nga ndonjëherë të çojnë dhe në vetëvrasje. Rastin e firmosjes nga Tomi të materialit për të dënuar kolegët unë e shpjegoj me gjendjen jo normale mendore momentale të tij.
Unë i dënoj vetvrasjet, se ato shprehin dobësi, humbjen e optimizmit për jetën. Jetën ta ka dhenë tjetër kush dhe ti je i detyruar të jetosh; pavarësisht nga vështirësitë. Vetëvrasjen e kolegut dhe mikut tim Tomi Kristo e konsideroj therrori, sepse shpreh gjendjen shpirtërore dhe ndershmërinë e një njeriu të vërtetë, ideal.
Inxhinierët gjeolog të Institutit Gjeologjik të Naftës u burgosën si sabotatorë dhe armiq. A qëndrojnë këto akuza?!
Sabotimi në projektimin e puseve për kërkimin dhe zbulimin e vendburimeve të naftës dhe gazit nga kolegët e mi të burgosur ishte i pamundur sepse:
1) Në grupin për projektimin e puseve zgjidheshin specialistët më të aftë në profesion dhe me përvojë. Ky grup punonte për një kohë të gjatë në mbledhjen dhe përgatitjen e materialit gjeologo-gjeofizik. Pas një studimi të thellë dhe diskutimi në grupin e punës nxirreshin konkluzionet për perspektivën e rajonit. Kur rajoni konsiderohej perspektivë; zgjidhej vendi i përshtatshëm për projektimin e pusit dhe thellësia përkatëse. Ky konkuzion i grupit do të diskutohej në kabinetin e projektimit. Nëse kabineti e aprovonte propozimin e grupit të punës; atëhere materiali kalonte për diskutim dhe aprovim në Këshillin Shkencor të Institutit. Pas aprovimit nga Këshilli Shkencor, materiali dërgohej për diskututim në K/shkencor të Ministrisë. Kur materiali aprovohej nga Ministria fillonte shpimi i pusit. Pra, dhe sikur K. Plaku, M. Gjikopulli, etj, të projektonin puse me qëllim sabotimi, nuk do ta lejonin specialistët e tjerë të Kabinetit, K/shkencor të Institutit, dhe të Ministrisë. Pra sabotimi ka qenë i pamundur. Këtë e kuptonte dhe udhëheqja e lartë e partisë; prandaj ata që ta besonte populli, dënuan jo vetëm autorët por dhe drejtuesit e Institutit dhe të Ministrisë si grup armiqësor.
2) Jo vetëm unë, por të gjithë punonjësit e Institutit Gjeologjik e dinë mirë se ata nuk ishin armiq. L. Nashi, B. Alia, P. Murataj, Th. Nasto, etj ishin komunista dhe familjet e tyre të lidhura me partinë që në fillim. Nga qëndrimi i tyre në punë dhe shoqëri dukej qartë vendosmëria në mbrojtje të regjimit komunist.
3) Ishin njerëz të kulturuar dhe të edukuar.
4) Ata ishin jo vetëm specialistë të aftë, por dhe të apasionuar pas profesionit të gjeologut dhe gjeofizikut. Si mundet një njeri i dashuruar me profesionin e tij, ta denegrojë, ta poshtërojë zanatin e vetë?!
5) Unë kam qënë bashkautor me ta në punë, në terren, në përpunimin e materialit dhe në projektimin e puseve. Ata diskutonin me llogjikë të fortë prej specialisti, duke analizuar të gjithë faktorët pozitivë dhe negativë të materialit për projektimin e puseve.
6) Ata punuan me devotshmëri dhe ndershmëri në detyrën për projektimin e puseve që lidheshin me djersën e popullit.
7) Ata janë bashkautorë në zbulimet e vendburimeve të naftës dhe gazit që po shfrytëzohen sot.
8) Të gjithë punonjësit e Institutit Gjeologjik, por dhe ata që kanë punuar në sektorin e naftës, janë të bindur se inxhinierët e burgosur kanë punuar me pasion dhe ndershmëri dhe nuk kanë sabotuar.
Shënim: Qeveria Shqiptare po vendos shitjen e nëntokës për vendburimet e naftës dhe të gazit. Këta që drejtojnë sot nuk kanë punuar asnjë ditë në sektorin e naftës. Ata duhet të zbatojnë Kushtetutën e Shqipërisë. Zbulimi i vendburimeve të naftës dhe gazit ka kërkuar djersë dhe gjak nga inxhinierët dhe shkencëtarët e Institutit Gjeologjik. Megjithate as këta autorë të zbulimit të vendburimeve të naftës, shkencëtarë apo inxhinierë, që mbetën dhe të varfër; nuk kanë të drejtë t’i shesin burimet e naftës të kësaj nëntoke. Nëntoka dhe gjithë toka Shqiptare i përket vetëm Kombit dhe popullit Shqiptar.
Unë që po shkruaj, jam autor i zbulimit të disa vendburimeve të naftës e gazit: si V.B. Marinëz-Bubullimë-Kolonjë, Cakran, etj. Megjithate më vjen turp të mendoj për të shitur burimet nëntoksore të naftës, të Kombit tonë.
Ata që firmosin për të shitur pasurinë e Kombit dhe të popullit Shqiptar do të përgjigjen para tij një ditë.
Me respekt
Prof. Dr. Hazbi Shehu Tetor, 2012