Në përkujtim të viganit orakull të UÇK-së, heroit të kombit Shkëlzen Haradinaj, lavdia e të cilit nuk shuhet kurrë/
Shkruan: Faton Mehmetaj/
Katërmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 16 prill, tamam si në legjenda ra heroikisht komandanti i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Shkëlzen Haradinaj, Komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës heroike 131 ”Jusuf Gërvalla”: Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të gjithë nga Gllogjani. Ata ranë dëshmorë në njërën ndër betejat më të rrepta e më heroike në malet e Maznikut, kur u luftua për jetë a vdekje në mbrojtje të mijëra civilëve shqiptarë, të strehuar në malet e Duboçakës.Komandanti Shkëlzen Haradinaj, është njëra ndër figurat më emblematike të UÇK-së. Ishte bir i vërtetë i polenit shqiptar, i cili u shqua për trimëri të ashpër, burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt e krenari raciale, për qëndresë titanike dhe për rënien më të lavdishme për Atdhe, që e ka ruajtur me fanatizëm gjer më sot jeta shqiptare. Është njëri nga burrat më të çmuar të kombit tonë, i cili e zuri këtë vend me madhështinë që kishte, me vetëmohimin dhe me përkushtimin e pafund ndaj çështjes kombëtare. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, Shkëlzeni asnjëherë nuk u largua nga lufta. Dhimbjen e ktheu në forcë e forcën në veprim deri në fund. Ishte dhe mbeti njëri ndër komandantët më të suksesshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte figurë shumëplanëshe, me potencial të fuqishëm shpirtëror, filozofik e kulturor. Ishte një drejtues i përgatitur, i aftë në organizim e në veprime luftarake.
Shkëlzeni e ndërlidhi me sukses periudhën e gjatë të ilegalitetit në radhët e UÇK-së me periudhën e veprimit frontal, duke korrur suksese në të gjitha betejat. Që nga Beteja e parë frontale më 24 Mars 1998 në Gllogjan e deri në rënien e lavdishme, pothuajse të gjitha betejat që u zhvilluan në Zonën Operative të Dukagjinit, mbajnë emrin e Shkëlzenit, i cili ishte nderi dhe krenaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është heroi tipik i Lahutës së Malcisë, protagonist i denjë i shumë veprave letrare e historike, që bashkë me shokë e ndryshuan historinë.
Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars të vitit 1970, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit. Rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare e dalluar brez pas brezi në luftë për liri, sidomos që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej, duke marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet dhe kryengritjet për liri e çlirim kombëtar.
Shkëlzeni është fëmija i dytë i prindërve Hilmi Haradinaj e Ruke Brahimaj-Haradinaj, të cilët kushtrimit të luftës iu përgjigjën familjarisht. Shtëpia e tyre në Gllogjan ishte njëra ndër bazat më të hershme e më të fuqishme të UÇK-së në mbarë Kosovën. Si rrallëherë në histori kjo familje luftës për liri ia dha katër gjeneralë dhe dy heronj të kombit: Luanin dhe Shkëlzenin. Djali i pestë i familjes, Enveri, njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, i dalluar në shumë fronte në luftës, i plagosur rëndë në betejën e 9 gushtit 1998 në luftimet e zhvilluara në Gramaçel, u vra pas luftës, më 15 prill 2005.
Dëshmori i kombit Shkëlzen Haradinaj shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Irzniq me sukses të shkëlqyeshëm. Gjatë gjithë jetës u shqua për edukatë të shëndoshë dhe sjellje shembullore në familje e në shoqëri. Është njëri ndër luftëtarët më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëherësh njëra ndër figurat qendrore të kësaj lufte, si gjatë veprimtarisë ilegale si pas shpërthimit të luftës frontale. Si njëri ndër komandantët më të shquar luftarakë të UÇK-së gjatë gjithë kohës u shqua për virtytet më të larta njerëzore që e karakterizojnë kombin shqiptar, për trimëri, urtësi e burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt, krenari raciale e qëndresë titanike.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhua aktivisht që në fillim të vitit 1993, krahas të vëllait Luanit, i cili ishte njëra ndër shtyllat kulminante të UÇK-së në Kosovë. Gjatë veprimtarisë ilegale në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vepruar me emrat e luftës “Skifteri” dhe “Xeni”. Këso kohe kishte lidhshmëri të punës profesionale me vëllezërit e tij Luan e Ramush Haradinaj, dajën e tij Lahi Brahimaj, Zahir Pajazitin, Adrian Krasniqin, Rexhep Selimin, Mujë Krasniqin, Sylejman Selimin, Hashim Thaçin, Naser Brahimajn, Kadri Veselin e shokë të tjerë, duke patur një bashkëveprim të fuqishëm me nënzonën e Drenicës, të Llapit, të Pashtrikut etj., ku shpeshherë ka qëndruar e vepruar me detyra lufte, sidomos në Nënzonën e Drenicës.
Në kuadër të Njësitit të UÇK-së së Dukagjinit ka bashkëvepruar ngushtë me të vëllanë Dautin, djalin e axhës Bujarin, Gazmend Mehmetajn (Rrudhanin), tani dëshmor i kombit, të vëllanë më të madh Ramushin, Muhamet Avdijajn etj., duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si në furnizimin me armë, në zgjerimin e radhëve të UÇK-së dhe në kryerjen e aksioneve të shumta guerile. Është karakteristike se Shkëlzeni gjithë veprimtarinë e tij luftarake për më së gjashtë vjet radhazi pandërprerë e zhvilloi në Kosovë dhe për lirinë e saj. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, asnjëherë nuk pranoi të largohej nga Kosova. Me plagë të pashëruara kthehej në krye të detyrës, madje edhe në vijat e para të frontit.
Një kohë të gjatë Shkëlzeni ka bashkëvepruar ngushtë edhe me Mujë Krasniqin – Kapuçin, të cilin e donte dhe e çmonte sikur ta kishte vëlla. Muja gjatë periudhës së ilegalitetit shpesh herë rrinte me javë të tëra në familjen e Shkëlzenit, veçanërisht pas rënies së Luanit. Bashkë luftonin e bashkë këndonin. Shkëlzenit e Mujës bashkë u jehonte pushka e kënga kushtrim.
Shkëlzeni me bashkëluftëtarët e vet gjatë periudhës së ilegalitetit kreu një varg aksionesh kundër patrullave të ushtrisë jugosllave përgjatë brezit kufitar Kosovë – Shqipëri nga drejtimi i Hulajve etj., në periudhën 1995-1998; mori pjesë në sulmet e ndërmarra kundër bazës së policisë serbe në Baballoç dhe në sulmet e ndërmarra disa herë radhazi kundër stacionit famëkeq të policisë serbe në Irzniq të Deçanit, ku duhet veçuar sulmin e datës 29 gusht 1995, kur u vranë dy policë serbë dhe u plagosën 4 të tjerë, pastaj atë të datës 24 gusht 1997, të datës 12 shtator 1997 dhe 27 nëntor 1997, me ç’rast vriten disa policë serbë.
Rënia heroike e të vëllait Luanit, në krye të detyrës në kufirin shqiptaro-shqiptar, më 6 maj 1997, nuk e ligështoi, përkundrazi bëri që të luftojë edhe më me vendosmëri. I bindur se liria nuk fitohet pa gjak, Shkëlzeni e shtoi dukshëm aktivitetin e vet në luftë për liri.
Në këtë periudhë, Shkëlzeni pati një rol të veçantë në bartjen dhe në furnizimin me teknikë luftarake të njësiteve të UÇK-së në gjithë Kosovën, dhe në përcjelljen e ushtarëve të furnizimit për në Shqipëri dhe anasjelltas.
Shkëlzeni gjithnjë u ka prirë shokëve, duke zhvilluar një veprimtari të gjithanshme. Janë të rralla aksionet guerile, patrullimet në rajonin e Dukagjinit, por më vonë edhe betejat frontale, në të cilat nuk ka marrë pjesë. Me të marrë vesh për sulmin e forcave serbe të ndërmarrë kundër komandant Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz të Drenicës, në mars të vitit 1998, Shkëlzen Haradinaj me shokë që vepronin në Nënzonën e Dukagjinit, vetëm brenda një nate kanë kryer mbi 22 aksione të armatosura kundër bazave ushtarake, policore e paramilitare serbe në rajonin e Dukagjinit.
Shkëlzeni ishte një luftëtar i devotshëm, që aktivisht veproi në të gjitha etapat e zhvillimit të UÇK-së, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në ballë të luftës. Ai u kalit në luftë, duke i arritur majat më të larta të organizimit luftarak të Zonës Operative të Dukagjinit, që shkëlqeu në të gjitha përballjet me forcat pushtuese serbe.
Dëshmori Shkëlzen Haradinaj në Betejën Heroike të 24 marsit 1998, në Gllogjan, u dallua si organizator e luftëtar i shkëlqyer përkrah vëllezërve Ramushit, Dautit, Enverit, djalit të axhës Bujarit e luftëtarëve të tjerë si dëshmorëve Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, të cilët patën fatin e madh të jenë dëshmorët e parë të lirisë, të rënë në luftë frontale në Zonën e Dukagjinit. Në këtë betejë të lavdishme në të cilën morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë të Shkëlzenit, babai Hilmiu, vëllai Frashëri, motra Mejremja e bashkëluftëtarë të tjerë, forcave serbe iu shkaktuan dëme të mëdha në njerëz e në teknikë lufte, duke i detyruar të tërhiqen me turp pa i realizuar synimet e tyre shfarosëse. Vetëm Shkëlzeni atë ditë kishte shkatërruar dy blinda të forcave serbe, njërën afër shtëpisë së tij e tjetrën tek Ura e Zallit që gjendet në mes të fshatit.
Pasi që komandanti Ramush Haradinaj, ishte plagosur rëndë në Betejën e 24 marsit, për një kohë Shkëlzeni drejtoi organizimin e mëtutjeshëm të luftës, duke bërë zgjerimin e vijave frontale fillimisht në fshatrat përreth Gllogjanit, për të përfshirë brenda një kohe të shkurtër pothuajse gjithë Rrafshin e Dukagjinit, duke bërë rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe duke i përmbushur kërkesat për armatimin e domosdoshëm.
Pas Betejës së 24 marsit, së pari u sulmua vija e frontit në Baballoç e në Gramaçel, më 21 prill, sulm ky që paraqet fillimin e operacioneve të pandërprera frontale të ushtrisë dhe të policisë serbe në Dukagjin. Në Baballoç Shkëlzen Haradinaj organizoi një qëndresë të pashembullt bashkë me bashkëluftëtarët Maliq Ndrecaj, Ilir Faniqi, Naser Morina, Lulzim Morina, Ajet Potera, Fazliun nga Podujeva, Bekim Birinxhikun, Ramiz Batushën (dëshmor), Zenun Matajn (dëshmor), etj. Në luftimet e zhvilluara në Baballoç, më 28 prill 1998, Shkëlzeni u plagos rëndë në nofullën e majtë dhe në kraharor, për çka i duhet një kohë bukur e gjatë për t’u shëruar pjesërisht. Por edhe në këtë gjendje, Shkëlzeni ishte në krye të detyrës, duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e punëve në Shtabin Operativ të Rrafshit të Dukagjinit (SHORRD) me qendër në Gllogjan.
Pas luftimeve të rrepta gjatë ofensivës serbe të ndërmarrë në fund të muajit korrik dhe në fillimin e muajit gusht 1998, kundër pozicioneve të luftës në gjithë rajonin e Dukagjinit, në kohën kur bijtë më të mirë po luftonin që nga Smolica në Junik, në Gllogjan e Shqiponjë, më 9 gusht 1998, pas plagosjes së vëllezërve Enverit tepër rëndë dhe Dautit më lehtë në frontin e Gramaçelit, kur forcat serbe po i afroheshin Shtabit në Gllogjan, Shkëlzeni, si heronjtë e legjendave shtrëngon plagët dhe gjendet në ballë të frontit.
Se Shkëlzen Haradinaj, ishte i pathyeshëm para pengesave e vështirësive të çfarëdo natyre dhe se ishte përcaktuar me njëmendësi për të luftuar e për ta fituar lirinë e popullit të vet me çdo kusht, tregon edhe fakti se Shkëlzeni ishte faktori vendimtar për përballimin e pasojave të ofensivës së shtatorit 1998. Ai ishte këmbëngulës për të qëndruar e luftuar në Kosovë, edhe pas kësaj goditje të rëndë se përndryshe “edhe po të kthehemi me njëqind mijë djem dhe ta çlirojmë Kosovën, ikja nga Kosova do të na shënohet tradhti për tërë jetën”, do të shprehej ai para bashkëluftëtarëve në Broliq.
Me t’u bërë riorganizimi i Komandës së Zonës, në muajin shtator, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Shkëlzen Haradinajn e emëroi Ndihmëskomandant për Mbrojtjen Territoriale të ZOD-it, i cili i kreu me sukses të lartë të gjitha detyrat e ngarkuara si inspektimin e pozicioneve luftarake, rregullimin e tyre, përgatitjen e zjarrit dhe planit luftarak. Për riorganizimin e radhëve të UÇK-së, zgjerimin e territoreve të kontrolluara nga UÇK-ja dhe organizimin e qëndresës së pathyeshme në të gjitha vijat e frontit, padyshim se meritat më të mëdha i ka Shkëlzeni.
Ndërkaq, në fillim të muajit nëntor, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Shkëlzen Haradinajn e emëron Ndihmëskomandant për Operacione Luftarake të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, detyrë kjo që e kreu me nder e përgjegjësi të lartë deri në rënien heroike.
Komandant Shkëlzeni ishte njeri i veprimit e jo i fjalëve të mëdha. Ishte njeri i organizimit, por edhe i aksioneve konkrete, duke marrë pjesë personalisht edhe në aksionet e kryera në prapavijë të armikut. Në njërën nga këto aksione të kryera në prapavijë të armikut, më 18 nëntor 1998, në magjistralen Deçan-Gjakovë, në rrugën e Dujakës, ku u vranë gjashtë policë serbë, Shkëlzeni u plagos sërish.
Komandant Shkëlzeni u shqua në betejën e zhvilluar në Gllogjan, më 17 dhjetor 1998, ku falë gjeturisë së tij, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me luftë të armatosur arritën të çajnë rrethimin dhe të ripozicionohen në Ratish.
Vijat e frontit në Ratish të Epërm e në Dashinoc, nën drejtimin e komandant Shkëlzenit me bashkëluftëtarët e tij të Brigadave 131 “Jusuf Gërvalla” dhe 134 “Bedri Shala” etj., do të bëhen digë e pakalueshme dhe varr për forcat pushtuese serbe, që tani e tutje deri në përfundim të luftës kurrë nuk do të thyhen nga armiku. Për nëntë ditë me radhë, në acarin e janarit, prej datës 9 deri më 18 janar 1999, luftëtarët e lirisë qëndruan stoikisht, duke i thyer keq forcat serbe, dhe duke i detyruar të kthehen prapa. Në këtë betejë, Shkëlzeni sërish mori plagë të reja.
U shqua edhe në Betejën e Pozharit, të zhvilluar prej datës 27 mars deri më 2 prill 1999, me ç’rast forcat serbe që deri atëherë gjendeshin të stacionuara në Lumbardh e në Pozhar i detyruan të tërhiqen në drejtim të Deçanit. Në këtë përballje të lavdishme forcat serbe patën dhjetëra të vrarë, në mesin e tyre edhe disa oficerë të lartë si dhe dëme të konsiderueshme në teknikë lufte.
Shkëlzen Haradinaj gjatë ditëve të prillit qëndroi në ballë të frontit edhe në Gërgoc e Kralan. Më 5 prill, drejtoi operacionin për tërheqjen e më se dyzet luftëtarëve të plagosur në drejtim të Istogut. Edhe pse kolona dy herë ndeshet me forcat armike (në afërsi të Kotradiqit dhe në magjistralen Pejë – Mitrovicë), pararoja e drejtuar nga Shkëlzeni me bashkëluftëtarët Dautin, Bujarin, Fatmirin, Agimin, Burimin, Luanin, Shpendin, Selmon Lajçin etj., arrijnë që t’i eliminojnë ato dhe të vazhdojnë rrugën, duke e kryer me sukses këtë operacion. Edhe në komunën e Istogut, në Vrellë, Ruhot, Saradran etj., Shkëlzeni ndihmoi organizimin dhe përforcimin e vijave të frontit.
Më 15 prill, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me të cilët zakonisht ka qëndruar e luftuar Shkëlzen Haradinaj, për shkak të përgjegjësisë që e ka pasur brigada, kthehen dhe vendosen në rrethinat e Maznikut. Rrethimi i hekurt vazhdonte në të katër anët. Vetëm një ditë më vonë, në Malet e Maznikut, në një betejë të ashpër, të zhvilluan gjoks për gjoks e dhëmbë për dhëmbë me forcat serbe, në mbrojtje të popullatës civile, që ishte e strehuar në grykën e Duboçakës, në malet ndërmjet Zhebelit dhe Maznikut, komandanti Shkëlzen Haradinaj bie heroikisht në Altarin e Atdheut bashkë me bashkëluftëtarët Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj. Luftimet ishin tepër të rrepta dhe zhvilloheshin në afërsi dy-tri metra. Forcat serbe edhe kësaj radhe patën dhjetëra të vrarë. Disa herë radhazi Shkëlzeni me shokë edhe bombat arrin t’ua kthejë prapa. Deri në kupë të qiellit jehonte kënga dhe kushtrimi i këtyre trimave të lirisë. Shkëlzenin me fortësinë e shkëmbit, me madhështinë e bjeshkës e qëndresën vigane, nuk e rrëzoi plumbi që e mori në gjoks. Ai ashtu i plagosur e likuidon edhe një armik dhe dikur një plumb e merr në ballë. Shkëlzeni me shokë dha jetën e tij, por shpëtoi mijëra jetë të fëmijëve, grave e pleqve, jetë njerëzve të popullit të vet, të cilët falë tyre i shpëtuan masakrës.
Rënia e Shkëlzen Haradinajt, që kishte bërë gjashtë vjet luftë të pakompromis, që kishte kaluar dhjetëra beteja të njëpasnjëshme, ishte humbje e tepër e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar. Bashkëluftëtarët nuk e kishin besuar kurrë se mund të vritej Shkëlzeni. Rënia e tij ishte kushtrim për ta çuar luftën deri në fund, gjë që vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e bënë realitet. Më shumë se katërqind mërgimtarë që deri atëherë gjendeshin në mërgim, me të dëgjuar për rënien e komandant Shkëlzenit, u nisën drejt luftës në Kosovë, shumica prej tyre luftuan e vepruan në frontin e Koshares.
Shkëlzeni bashkë me Fatmirin fillimisht u varrosën me nderime ushtarake në Malet e Maznikut. Të nesërmen atyre iu bashkua edhe Hasimi, ndërkaq trupi i Luanit të plagosur, pushoi te Stanet e Gllogjanit në Bjeshkë të Strellcit, deri më 24 gusht 1999, kur këta dëshmorë, bashkë me shumë dëshmorë të tjerë në ditë lirie u rivarrosën në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.
Batalioni Gardist i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, që u formua pas rënies së Shkëlzenit, me nder e krenari e mbajti emrin e Shkëlzen Haradinajt. Edhe Batakioni Gardist i Zonës së Tretë të Mbrojtjes së TMK-së me nder e mbajti emrin e tij. Emrin e heroit Shkëlzen Haradinaj, sot e mbajnë sheshet e rrugët anekënd Kosovës e Shqipërisë. Në qendër të Pejës, qëndron krenar busti i heroit, bashkë me lapidarin me emrat e të gjithë dëshmorëve të komunës së Pejës, aty në Sheshin “Shkëlzen Haradinaj”.
Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë ia ndau gradën gjeneral kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është dekoruar me urdhrin e Hero i Kombit.