David Gjeçaj, ish folës i Radio Vatikanit (seksioni shqip) për 30 vjet, prift katolik i lindur në Theth:«Ne e çmojmë atdheun kur nuk e kemi më!» /
Nga Xhevair LLESHI/
«Dheu im s’ka ma mimikë, po maskë. Asnjë gjest nuk ban, veç thrret ndihmë, e shpesh i qëllon të tradhtojë çdo gja, madje edhe një emocion çfardo. Dheu im rri kokulun, i zhytun në dëshprimin e tij dhe vetëm pret. Pret sa duket të ngjajn’ hata të mëdha, më të mdha se ai vet, që detyrimisht duhet të marrin ngut në të përpjetat e thepisuna. Dheu im hesht nën akull, ndonëse bërtet si fmijë i vogël sa ka n’kokë; e ka qejf, po qejf të madh ama të baj nji piskamë ziet dhe doemos t’bjer në sy. Më thoshte dikush se atdheu im vdes për të mbajtur vesh, për të përgjuar si miu. Jo, jo nga ato kush foli e çfarë tha. Por ka thagma të tjera që ngrenë peshë të madhe. Ja, i shikon artistët që, rrinë kokrra-kokrra dhe s’bëhen dot bashkë? Ama secili me vete sajon një skenë dhe ban sikur merret me diç të randsishme! Edhe atdheu im kshtu vepron, ban sikur merret me politikë të madhe, hiqet si fuqi ushtarake, s’e çmon popullin e tij, nuk sheh ma tej se hunda e vet, teshtin dhe mallkon. Dheu im lundron mbi humbje. Jo, atdheu im nuk çjerret, nuk thrret ma, nuk jep urdhna, nuk zemrohet, ha dhe pi si i babëzitun, ngre ndonjë kurth të vogël dhe pret diçka t’madhe, t’ia japin thelën e mikut të randësishëm. Asgja, asgja fare, nuk ndodh me atdheun tim. Ia ka xanë sytë e mira, ka qeverinë nëpër kambë, e mban, e ruan, e rruan, e qeth, e tall nëpër dhambë, e ysht t’bahet gjak dhe t’fitojë kot së koti famë. Dhe fama fitohet edhe nga hidhësi. Për shembull shkopinjt’ e gomës të jenë prej hillsi dhe ai që rrihet të jetë lakuriq… Dheu im shan shumë, qan shumë, nuk zgjedh kurrë ma t’mirën, i pëlqen të flejë me të zakonshmen, zhytet në botën e vet të mbrendshme, mediton pak, pi duhan dhe mendohet për të djeshmen. Me një fjalë shikon prapa n’vend që të shohë përpara. Se ka nëpër kambë qeverinë!…
Dheu im nuk i kupton fare urdhnat nga lart, edhe telefonat nuk i ngre kurrë, edhe ulet e ngrihet sipas qejfit, knon pa tingull, ngashren, dhe mban n’dorë lahutën dhe fyellin. Kot. Punën e bëjnë ata nën tokë. Me ta fitohet famë e jo llafe. Dheu im ka mobilizim revolucionar në shkallën ma t’naltë, funebre dhe sublime, pa madhshti, si kurdo. Dheu im i ka komunistët n’ballë, i mbron t’besuemit dhe punon kokë më kokë. Dheu im merret me njerëzit që kanë në kokë lakra e jo tru. Dheu im ashtë vet dhe ka të tjerë nën mbikëqyrje. Dheut tim nuk i vdesin kurrë udhëheqësit. Dheu im i dashtun ka vetëm ditëlindje. Dheu im është vigjilent: të gjithë ia fusin dhe ai nuk ia fut dot askujt, pra ashtë impotent. Të pish ujë si dhallë edhe fyti bëhet i tejdukshëm! Dheu im di të sillet, di ç’flet, po edhe kur s’thotë asgja, merret me fytyrën e botës, me gjestet e saj! Jemi a s’jemi, si thoni?
Dheu im nuk del nga shtëpia, rri heshtas por jo pa fjalë, se fjalët kot, kur grin sallatë, i ka në majë të gjuhës. Dheu im e ka qepur edhe kur ia fut kot në tym dhe i duket sikur thotë diçka. Dheu im ashtë i hutuem, krejt i tronditur. Ai vetëm sa lë të lirë frymëmarrjen e nxituar dhe gjithnjë mundohet të bajë zhurmë, zë vend diku dhe kthen kokën për ta parë botën nga dritarja. Dheu im knon nëpër festat tona të pakta bashkë me zogjtë kangtarë dhe gjithnjë me hare të patregueme. Por atdheu im ashtë me fat, udhton vetë me satelit dhe ç’sehir që ban: bota i duket sa një gogël dhe aty Shqipnia ka humbur fare… Dheu im…
Dheu im s’e ka mendjen fare te njerëzit, ban mbledhje të pafundme, pret asgjanë dhe tret fjalët e udhëheqësit. Ka telashe atdheu, tregon kujdes të jashtëzakonshëm për pudrën dhe plehun kimik, se dheu im s’ka bajga, edhe fekale ka pak, domethanë jo aq sa duhej të kishte. Veçse mos harroni: dheu im rruhet çdo ditë dhe nuk paguan taksa, sheh telin e korrentit dhe ngrin nga pabesia e drejtuesve. Pastaj ka shpikur spiunat. Çdo shtëpi ka ma shumë spiunë se sa njerëz. Gjithë rrugës atdheu im i dashur, ecën në kambë dhe kollitet, por nuk qet gjak. Gjysma e së keqes. Po, mëmëdheu kujton dhe shkruan, nuk harron ngjarje të kohëve t’para. Dheu im gjithnji ka nostalgji për luftnat, malet, skërkat dhe bokrrimat, urinë dhe vllavrasjen. Atdheu im vdes për njiçik atmosfenë t’randë. O Zot, sa e vret mendjen për kët. Dhe shplodhet nëpër gurore, nga Tomori në Veleçik. Dheu im çan gurë me varé. Nuk i len ato të shkreta vese… Ngordh për të fshehur diçka, dhe fle natën me vasha si zanat, me vashat yje. Dheu im do të vdesë nga bukuria, keni për t’ia digjue krismën. Ngaset atdheu im. Mban qen, zogj, rrit lule, bën ndonji pordhë dhe e mban barkun me dorë… Dheu im psherëtin. Ka ditë qi nuk flet ma, ashtë mbyllun n’kullën e ngujimit, ashtë mbyllun në vetvete dhe çdo gja i lexohet qartë: vuajtje i shihen në ftyrë. Dal në Shkodër dhe ndigjoj atdheun tim që thoshte pa da: Tek ne kan’ metun vetëm vajzat ma t’bukura, ma t’bukurat fare! Duhet t’më besoni njerëz. Jam besnik i dheut tim… Vuaj dhe unë… Mirmbeçi!…»