Nga Fadil LUSHI/
Ne, në kuadër të këtij shkrimi, do të ndërtojmë një paragraf që u dedikohet shtëpiakeve greke dhe turke, në veçanti atyre që banojnë në apartamentet pa ashensor, por që në hyrje të ndërtesës kanë “bakallin dhe bakalleshën paksa të moshuar”. Ata që i kanë vizituar banoret e këtyre hapësirave dhe që i njohin për së afërmi, thonë se e kanë paksa të theksuar “dembellëkun mediteran”(!?). Dhe, përkundër këtij “dembellëku”, ato janë shtëpiake të mira dhe të vyeshme…, kujdesen për të tjerët dhe nuk u hyjnë në “gjynah”. Ato në të gdhirë të çdo “sabahu”, gjegjësisht çdo mëngjes, përdorin shportën prej thuprash dhe me litar. Fillimisht në shportën prej thuprash fusin listën e produkteve që u nevojiten si dhe monedhat dhe e lëshojnë para derës së “bakallit”, kurse ky i fundit e “kryen” porosinë dhe ua kthen shportën shtëpiakeve…, “kusurin e mban për vete”(!?).
E gjithë kjo shportë e shtëpiakeve greke dhe turke (e cila tre herë në ditë lëviz poshtë e lartë) më krijon përshtypjen se i përngjan atij tranzicioni politik shqiptar të stërzgjatur, të sikletshëm, të bezdisshëm, atij ndërkalimi makiavelist, atij tranzicioni që nuk kurohet dot kollaj, atij tranzicioni që për kryefjalë ka krimin e organizuar, atij tranzicioni ku mezi mbijetojnë “axhaminjtë e moshuar”(!?). Kjo shportë me litar më ngjan me atë tranzicionin e vakive a meseleve të zeza, tranzicionin a ndërkalimin e skandaleve politike, atë ndërkalimin e vjedhjeve, atë ndërkalimin e antiligjeve, atë tranzicionin “futje hundë” në privatësinë e qytetarit, politikanit, atë ndërkalimin e fishekzjarrëve, bombave dhe tritoleve “të kurdisura”, atë tranzicionin e domateve, “patateve, specave, domateve, patëllxhanëve, trangujve dhe lakrave” të kalbura që kultivohen në Maqedoninë Lindore, atë “tranzicionin e ajrit të ndotur të Tetovës”, atë tranzicionin e “kallashit” nga Kosova dhe të tjerave “xharie” të ardhura nga Shqipëria, Serbia, Ukraina dhe Bullgaria, këtu në fshatrat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore (!?). Është një tranzicion grotesk dhe dramatik…, ku qeni nuk njeh të zotin, ku jetojnë njerëz të hutuar dhe të çorientuar në kohë dhe hapësirë, ku prindërit nuk kanë “haber” se kah “degdisin” fëmijët e tyre, ku mësuesi nuk shqetësohet hiç fare për sintaksën e shqipes së denigruar. Është një ndërkalim të cilit i mungojnë shembuj korrektë karshi autoritetit të qytetarit dhe shtetit…, është një tranzicion i mbushur plot e përplot me shembuj që llafosin atë kaptinën e zbehtë të pushtetmbajtësve…, është një tranzicion që njerëzve më shumë u solli “zullume”, sesa ndryshime pozitive…, është një ndërkalim tejet i stërlodhur nga “vend-numëro!?”…,një tranzicion ku njerëzit kur nuk kanë çka të bëjnë, atëherë “prodhojnë cinikun, fodullin, inatçorin, folk-patriotin, doktorin e dijes së blerë dhe thashethemexhiun provincial”…, një ndërkalimi që i mungon dritarja…, që i mungon ajo dera dalëse, që i mungon edhe ajo “…, vrima e fundit e kavallit“. Ky tranzicion a ndërkalim, qoftë ai të jetë politik, ekonomik, kulturor e tjerë, kështu siç frymon, të duket si ajo baxhoja vjeshtake e braktisur nga ana e barinjve me pagë(!?).
Në kuadër të këtij tranzicioni do të “lindë” edhe fenomeni i përgjimeve a survejimeve (pavarësisht se ato janë të brendshme a të jashtme), në të cilin do të përfshihet gjithsecili shtetas, pavarësisht funksionit që bart, pavarësisht se është figurë publike apo diç tjetër. Toptan do të goditen në mënyrë idiotike pavarësisht se çështja e privatësisë i takon drejtësisë, pavarësisht se përgjimi “është jashtë normave bazë të së drejtës”. Do të përgjohet edhe lidershipi i partisë politike dhe, kur ai do të jetë në shënjestër, atëherë në këtë proces do të përfshihet edhe elektorati bashkë me votën e tij të lirë respektivisht deliberative. Do të përgjohen edhe ca përfaqësues të “miletit pa brekë” (siç do të thotë Mitrush Ku-teli), të cilët në këto “vakte e pa vakte” (mëtojnë) t’ia kthejnë fjalën titullarit të “hyqymetit-qeverisë dhe dovletit-shtetit!?”…, do të përgjohen edhe ata njerëz të cilët kur duan t’i shqetësojnë “shtrigat e fqinjëve”, aq shumë do të bërtasin e ulërasin, sa që s’do t’u mbetet “takat” t’i mbajnë pordhat, erërat e të cilave do të kundërmojnë “gjithë mëhallën e haxhi babës!”.
Në gjithë këtë “proces përgjimi” që hetohet në mëhallët e vilajeteve të Gadishullit Ilirik në veçanti në Republikën e Maqedonisë…, vihen në shënjestër edhe titullarët e rendeve të privilegjuara, titullarët e Akademisë së Shkencave e të Arteve, nuk do të lihen mënjanë as titullarët e bashkësive fetare, as “kodoshët”, as njerëzit që punojnë në Ministrinë e Punëve Botore, as ata njerëz anonimë apo ata që kanë mbetur pa “nam e nishan”, as titullarët gjegjësisht pronarët e “livadheve të pakositura shqiptare”, as njerëzit që u është bërë mendja havele, as “titullarët a pronarët e mejhaneve, nuk do të kursehen as titullarët e berberhaneve, as të kumarhaneve gjegjësisht kazinove politike të Shkupit, as të hamameve orientale e ca edhe aksidentale(!?)”, as të shoqatave joqeveritare, të cilat ashtu “padrejtësisht fusin hundë” në punët e pushtetarëve, në punët e “kryeshefave të kuzhinave ku zihet çorbë e thartë”, në punët e ca “qebaptoreve të Bit Pazarit”. Në këtë ndërkalim “bozë” nga përgjimi nuk do të kursehet as politikëbërja e partive politike të mëhallëve tona, një politikëbërje që kalon momente të vështira, të padefinuara, nuk do të kursehen as politikanët sidomos ata a ato, të cil(a)ët me hir a pa hir ndërtojnë një kapitull të ri krize të brendshme, një recidivizëm të rrezikshëm, një kapitull pa perspektivë…, do të përgjohen edhe ata që “vetëndihen shehërli, katundarë, intelektualë a edhe…”
Njohësit e mirë të teorisë së demokracisë thonë se shteti e ka për detyrë dhe me ligj ta mbrojë privatësinë e gjithsecilit…, dhe lëre që nuk e bën këtë, ai me përgjime “futet në jetën private dhe kur ti, unë dhe ai, nuk do ta vëmë gishtin mbi fajtorin, atëherë neve na mbetet të hamë këmbët tona, hajt të mos themi të hamë…(!?)”. Të gjithë ata që janë përgjuar, çuditërisht kanë një reagim të zbehtë, mospërfillës dhe mbase pak të vonuar…, ca të tjerë fare nuk bëjnë përpjekje që ta kundërshtojnë këtë pisllëk…, ndërkaq ai “inatçori i paplakur politik gjegjësisht ideatori i përgjimeve ka heshtje vrastare”.
Se bomba e z. Zaev shpërtheu krejt rastësisht…, se sa është e gjatë lista e njerëzve të përgjuar, mbetet për t’u parë, se përgjimet do t’i quash incident, budallaki, zallamahi dhe, në instancë të fundit, edhe veprim prej “axhamie” nuk është me rëndësi, me rëndësi është pyetja se ç’i duhej këtij shteti “ky azganllëk, ky luks i tepërt dhe perandorak(!??)”. Nëse ne nuk kemi të drejtë në këtë kundërshtim, atëherë neve na mbetet që t’u “dalim zot qenve dhe zagarëve endacakë të beut”, të cilët “padrejtësisht” mëtojnë t’i quajnë edhe si “lavire bulevardesh(!?)”.
P.S. Rroftë mbretëria e arsyes…, poshtë mbretëria e errësirës!