“I lumi ti o zogu i malit, që se dron Memin e Smajlit”.shprehje malaziase/
Nga Klajd Kapinova/
Kanë kaluar disa dekada nga dita e pushkatimit të trimit Prekë Calit, piramidës së gjallë të sinorëve arbërore, u përbalt nga historia dhe fletushkat komuniste sot. Në afërsi të Lezhës (jo larg Shkodrës), në katundin Kukël (Mali i Jushit), në një shtëpi të thjeshtë malësore më 29 korrik të vitit 1878, babait Pjetër e nënës kreshnike Rudes, u lindi fëmija i parë “familjari bujar, piramida e kufirit shqiptar, krenarie e Kelmendit dhe e Malësisë së Madhe, atdhetari i zjarrtë, Martiri i Demokracisë: Prekë Pjetri (Cali) Hasanaj.”[1]
Këtu u lind tribuni i Malësisë, një nga udhëheqësit më të shquar të mbrojtjes së trojeve stërgjyshore ilire. Kjo Derë kreshnike e pamposhtur, ishte gjithnjë e mbrujtur me tradita patriotike e atdhetare, që kishin lënë gjurmë të thella, gjatë gjithë kohës, me kontributin në dobi të çështjes nacionale. Familja e re Cali (Hasanaj – Selmanaj), në kullën tre katëshe të ndërtuar në Vermosh vitin 1920, kishin pasur një vajzë e tre djem. I pari ishte Preka, Toma, që nuk e pati jetën e gjatë, mbasi si fëmijë u mbyt tek po lahej në ujërAtë e ëmbla të lumit fushor Buna. Një tjetër fatkeqësi, rëndon familjen Cali, në moshën 21 – vjeçare, djali i tretë, me armë zjarri aksidentalisht humbet jetën. Motra e vetme e Prenkës, Lula, u martua kur u rrit në Rapsh të Hotit me Syn (Gjelosh) Mashin.
Formimi i tij fillon natyrshëm në rrjedhen e jetës, nëpërmjet njohjes dhe respektimit të tabuve, të kodit moral të pashkruar të paraardhësve, që kishin krijuar atë traditë të mrekullueshme, në odat e burrave mes bjeshkëve të Malësisë.
Studiuesi Dr. Luigj Martini, në monografinë “Prek Cali, Kelmendi dhe kelmendasit” (Shkodër, 2005), ndër të tjera vlerëson: “Padyshim, ndikimi i odave të burrave qe vendimtare. Aty pleqnoheshin ngjarjet, gjykoheshin njerëzit, glorifikohej nderi, besa, burrnia, atdhedashuria, feja, fisnikëria dhe dënoheshin me shpërfillje të kundërtat. Aty, në prehërin e atyre burrave fisnikë Prek Cali, krijoi në vetvete një mendim të prerë për fenë si një e pandarë e jetës së malësorëve, e do të vijë duke e kristalizuar dhe përforcuar akoma më tepër gjatë jetës, sa në raste të veçanta do t’i përkushtohej. Qysh herët, u miqësua me normAtë e kanunit të malëve. Në mënyrë intuitive, dalloi që ato përmbajnë në vetvete, një farë paanësie dhe ishin të domosdoshme, për të patur një rregull relativ në mes të malësorëve. Dalloi, që ky kod i pashkruar, është në harmoni të përkthyer me ekzistencën e vetë malësorëve. E ndoshta nga kjo, më vonë spikati si një nga mbrojtësit më të flaktë të tij.”[2]
Prekë Cali, ka qenë fis i parë vojvodë në Selcë nga 12 lagjet e këtij vendi, duke pasur edhe kryet e vendit në Kelmend. Bjeshkët e fisit, duke qenë e kufizuar me Kuçin (trevë ilire) sot si pjesë e Malit të Zi, përherë u takonte barra më e rëndë në mbrojtje të tokave të të parëve.
Kësisoj, të parët e fisit, sikurse ishin trimat e anashkaluar në histori, si: Memi i Smajlit[3], Turk Isufi, Ujk Isufi, axha (ungji) i Prekë Calit Ucë Turku (vojvodë i Selcës), Dedë Shabani, Dul Doshi e djali i tij i pashëm Kir Duli, Nikë Turku, Gjokë Nikë Selmani, Marash Mark Selmani etj., gjithnjë janë përleshur flakë për flakë në istikame, kundër synimeve shoviniste të kuçasve malazias, duke qenë në vijën e parë të frontit në luftimet mbrojtëse.
Shovinistët grabiqarë malazias, me përkrahjen e këlyshëve (kryesisht diplomacisë franceze) të ulkonjës së Perandorisë Ruse, kërkonin të gllabëronin tokat arbërore Vermoshin, Vuklin e Nikçin, sëbashku me bjeshkët e tyre të përmendura…
Me sa kujtojnë të moçmit malësorë të Kelmendit, Memi i Smajlit, ka qenë një trim i vërtetë, i cili, ka arritur t’u kallë tmerrin shkjeve, sepse çdo veprim a plaçkitje, që ata bënin në trojet tona, ai u kundërpërgjigjej, duke i dëmtuar edhe më shumë. Kur shkjetë guxonin të punonin në tokat tona, të pushtuar nga ata kishin vertetë një frikë të madhe.
Në një rast të tillë, Memi i Smajlit, kishte marrë me pushkën e vet në shenjë shkjaun dhe sipër tij këndonte një zog. Në moment shkjau i thotë: “I lumi ti o zogu i malit, që se dron Memin e Smajlit.” Në atë çast, Memi, del nga vendi (pozicioni), ku kishte marrë shenjë e i thotë shkjaut: “Kjosh falë për sot, por mos më shkel ma në tokë shqiptare.” Ky epitaf në varg, që ruan në vetvete një histori të vërtetë, është mësuar e përcjellë gojë më gojë në oda e kuvende burrash, në malet e Krahinës së Kelmendit e gjetkë.
Prenka nga shtati ishte shumë i gjatë e i pashëm. Ata që e kanë njohur nga afër thonë, se kishte shpatulla shumë të gjëra, kraharor të zhvilluar, trup vigan plot enërgji, fisnik në shpirt, i matur në fjalë e veprime, gojëtar i pashoq, në kuvende e oda burrash.
Pushkën e kishte një shok të pandarë, që nuk e hiqte asnjëherë nga dora. I pëlqente të vishej me rrobat tradicionale të malësorit: çakshirë, xhamadan, jelek e kapic të bardhë mbi flokë, alltinë turke dhjetëshe të veshur me argjend në brez e një grumbull vargjesh me material argjendi.
Tek ai, spikatën virtytet pozitive tradicionale të malësorëve, të cilat, i reflektoi në marrëdhëniet e përditshme me miq e shokë. Deri në moshën 30 – vjeçare, i urti kelmendas Cali, asnjëherë nuk synonte të dilte përpara vojvodëve e krerëve të tjerë, që ishin më të moshuar se ai. Kjo ishte një edukatë e vlerë fisnike e malësorëve tanë, e transmetuar brez mbas brezi në oda e kuvende burrash.
Ishte zemërbutë e i afër për miq e dashmirë të vet dhe të atdheut. Luan i vërtetë në fushën e betejës. Gjithmonë i pari, aty ku ishte fronti më i vështirë, aty ku dërdhej gjaku i flamurit e trojeve të shenjta. Flamuri nacional, liria e trojet arbërore, ishin qëllimi i jetës së tij.
Ishin kohë të vështira e mbijetese për Atdheun. Grabiqarët e shteteve të Evropës, me harta ndër duar, vështronin të pangopshëm trupin e rrudhosur të vendit të shqiponjave. Mes bjeshkëve të thepisura, përpara u doli piramida e kufirit Prekë Cali.
Se kemi kufirin këtu me Malin e Zi, – foli rreptë ai.
Këtu, këtu – çirrej para Komisionit përfaqësuesi i Malit të Zi.
Këtu janë Bjeshkët e Kuçit, – këmbëngulte malaziasi.
Jooooo Bjeshkët e Kuçit, – ushtoi zëri i trimit të pamposhtur Prekë Calit. Ata janë Bjeshkët e Kuqe dhe duhet ta dini të gjithë, se emnin e morën nga gjaku ynë në luftrat mbrojtëse të malësorëve arbërorë.
Për të shuar tonet e nxehta të bisedës, ndërhyri me ironi njëri nga antarët e Komisionit Ndërnacional.
Lëvizni ju gurin, vendoseni atje ku mbaron toka e juaj, – iu drejtua me gishtin tregues përfaqsuesi i huaj.
Prekë Cali, vuri pushkën krahëqafë, u përkul pak para truallit të vet, rroku gurin e larë ndër shekuj me gjak trimash, dhe me duart e forta të një ariu, e ngjeshi pranë gjoksit e me një lëvizje rrufe e kaloi mbi shpatullat e gjëra. Si një dragua, nisi të ecë përgjatë kufirit, si ushtar besnik i atdheut të vet. Në ecjen e atij trimi arbëror, zgjerohej frymarrja e malësive tona, të plagosur rëndë nga padrejtësisë e Evropës. Tokat shqiptare në Malësi, sërisht folën gjuhën e arbërit, falë bijve të denjë të herojve mitik…
Pikërisht këtyre burrave të mëdhenj ua thurte poeti nacional Fishta, vargjet në kryeveprën “Lahuta e Malcis”:
“Jo, po a s’desht djalli Shqypni?
Jo, po a s’desht hasmi Shqyptar?
Qe pra sot po ka Shqypni,
Qe pra sot po ka shqyptar…”
Prekë Cali, ishte kundër copëtimit të trojeve, nuk pranoi të shitet për para në dëm të trojeve arbërore si disa të tjerë. Me këmnguljen e tij të padiskutueshme në mbrojtje të kufijve shqiptarë, ndikoi mjaft, që Shqipëria të mbetet në kufijt e sotëm. Komisioni i caktimit të kufijve ndërnacional, nuk u tregua i saktë në përcaktimin e trojeve arbërore.
Lidhur me kufirin e Kelmendit nga Fuqitë e Mëdha, u përcaktua territori i Kelmendit. Me këtë shprehje, shkruan publicisti kelmendas Rush Dragu (1961), në librin “Kelmendi …dritë, hije…” (2001), lihej shteg për t’u abuzuar me atë përcaktim të pasaktë, mbasi nuk përcaktohej saktë se nga kalohej vija e kufirit, e sidomos në Vermosh. Vështirësia rritej akoma më shumë nga konfiguracioni i thyer i relievit në këtë vend.[4] Pas këtij vendimi, Serbia mbeti pa dalje në bregdet, kurse Krajl Nikolla i detyruar iku në Itali.
Bashkëkohësi Marash Mali, kujton: “Ucë Turku, bisedonte shumë herësh në veçanti me Prekën. Ai kishte krijuar përshtypjen, se kishte shumë cilësi, pothuaj të rralla, që e naltësonin dhe nderonin përsonin e tij në të ardhmen, sidomos për çashtjet patriotike, por asnjiherë nuk ia thonte këto.”
Ai, ishte i martuar dy herë, me gruan e parë Dranen jetoj shumë pak, sepse ajo vdiq e re, nga sëmundja më e përhapur e kohës në Malësi, që ishte tuberkolozi, duke i lënë një vajzë të vetme Agen në moshën 4 vjeç. Kurse nga martesa e dytë me Pashke Prekën, nuk pati fëmijë. Pashka, vinte nga dera e patriotit e luftëtarit të shquar Gjekë Selcës.
Mbas pushkatimit të kryetrimit kelmendas, u detyrua të braktisë kullën në Vermosh, të cilën e përvetësoi pa të drejtë regjimi, për nevoja të veta ushtarake. Pashka, mundi të gjente strehim në shtëpinë e malësorit Dak Lucit, gruaja e të cilit, Gjystja, ishte mbesa e Prekë Calit, ku, qëndroj për shumë vite deri sa mbylli sytë në vitet ’60.
Në Konferencën e Londrës të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha të Evropës, vendosën arbitrarisht kufijtë mes pjesës veriore të Shqipërisë e shteteve kufitare: Mali i Zi (Malësia) e Serbisë (Dardania). Nga data 10 tetor 1912 – 22 prill 1913, kryeqyteti i Ilirisë Shkodra (Scodra) po jetonte për 7 muaj nën breshërinë e armëve 45.000 serbo – malaziase, që e kishin rrethuar dhe këronin dorëzimin e saj Mbretërisë së Cetinës.
Ishte koha që sapo kishte përfunduar Lufta Ballkanike e vitit 1912 – 1913. Shtatë konsullatat e huaja me përsonelin e tyre qëndruar dhe ndihmuan me sa mundën popullisinë vendase, që ishte në prag të katastrofës së zhdukjes nga topat, armët dhe uria. Këtu do të spikasë trimëria dhe vendosmëria e pashembullt e komandantit turkHasan Riza Pashës[5] (General), sikurse shkruan Horstense von Zambaur (gruaja e Konsullit të Perandorisë Austro – Hyngarisë në Shkodër Adolf Ritter v. Zambaur), e cila në kujtimet e saj të botuar në Berlin në vitin 1914, shkruan për shpalljen e rëndëishme që kishte nxjerrë Valiu i Shkodrës, që u bë epiqendra e ngjarjeve e fatit të Shkodrës: “një shpallje e vendosur në mur, nënshkruar nga Hasan Riza Pasha…njofton banorët e Shkodrës, se ai që shprehet për dorëzimin e qytetit, do të varet…”[6]
Marash Mali (1921)[7], i moshuar me banim në Florida (USA), sërisht kujton vendosmërinë e Prekës për çështjen e kufijve, duke iu drejtuar Komisionit, që kishte dalë në terren e po verifikonte kufijtë: “…Shtetet e Mëdha dhe ambasadorët e tyne, Komisioni Qendror i Kufijve edhe deri Gjykata e Hagës, na i ka njoftë si toka shqiptare. Ju si amanetqarë të Misionit, që keni marrë përsipër verifikimin jeni tue e shpërdorue. Ato zhgarravina në hartë nuk i njofim. Me ne, nuk ka mujtë me luejtë as ushtria e Sulltanit turk. Këto troje i kemi larë me gjak, gjatë gjithë shekujve, kundra atyne që deshtën të na i marrin. Edhe sot luftarët e Kelmendit, janë gadi të vdesin për trojet e veta, ashtu si dikur të parët e tyne. Prandaj ndigjoni fjalët që po ju them: Mos kërkoni të luani me kufijtë tanë, që janë aprovue se është tokë shqiptare, përndryshe…Mendohuni mirë se atë majë nuk e kaloni lehtë!
Njeni nga të Komisionit tha:
“Zotni Cali, për pak çaste Komisioni don me bisedue mes vedi.”
Ata u larguan në nji anë dhe nuk qëndruan shumë. Meqenëse i kuptuan intrigat e përfaqësuesve malazias (jugosllavë), vendimin e morën shpejt. Kur u kthyen njeni prej delegatëve iu drejtue Prekës, duke i folur:
– “Zotni Cali, Komisioni, vendosi që ju bashkë me shokët që ju shoqërojnë t’i prini Komisionit, duke e shkel terrirorin tuej që keni mbas me fqinjët.”
Mjerisht Brada e Vezirit mbeti jashtë kufijve, se ishte tepër në thellësi të territorit malazias. Ajo ishte pronë e shkrelasit Gjon Nikë Sykut, njeni nga familjet e njohuna shkrelase me banim në Breg të Matës. Ai çdo verë dilte në atë bjeshkë me kopenë e madhe të bagëtive, me autorizim të autoriteteve malazeze.”
Duke parë me kujdes dinamikën e ecurisë së ngjarjeve të ngjeshura historike, shohim se asokohe, çështja e Kelmendit në tërësi e Vermoshit në veçanti, ishte një problem themelor i qarqeve zyrtare të Shqipërisë. Kështu me datën 23 shtator 1923, në orën 16 e 30 minuta, populli i Shkodrës, mbas një mitingu të madh proteste për Vermoshin, bëri edhe një shpresë drejtuar Shoqërisë së Nacioneve në Gjenevë, Konferencës së Ambasadorëve në Paris.[8]
Emri me veprën e tij mbushur me atdhedashuni, u bë simbol qëndrese, për malësorët, që e mbështetën dhe e deshtën me gjithë zemër. Popullariteti i Prekë Calit, ishte i padiskutueshëm. Ja disa pasazhe përshkrimi, të kryetrimit azgan:
“Bile, ai qe i vetmi malësor, që u bë i njohur deri në selitë e krajlive evropiane. Ndue Gjon Smajli, një plak shumë i vjetër kelmendas, i cili, në vitet shtatëdhjetë ishte akoma i gjallë, kishte qenë njeriu më i afërt i Prenkë Calit në veprimtarinë e tij për çështjen e kufijve veriorë.
Ai më pati folur edhe për një dokument identiteti të Prenkë Calit, të firmosur dhe vulosur nga shtatë krajla. Sipas dokumentit, Prenkë Cali konsiderohej njeriu i paprekshëm nga shtatë krajlitë. Një lloj imuniteti i veçantë, që zor ta ketë pasur ndonjë shqiptar tjetër. Mbase ishte pikërisht ky imunitet, tek i cili, besonte Prenkë Cali, që e shtyu të dorëzohej i gjallë, pas dështimit të Kryengritjes së Kelmendit.”[9]
E Preka, lëshoi kushtrimin ndër malësorë, se “gjallë a vdekun” tokat shqiptare si amanet brezash, do t’i ruaj përmes tytës së ngrohtë të pushkës.[10] Malësia në mote, ka mbrojtur trojet me dinjitet e krenari nacionale.
Vendasit ndër shekuj, kanë shkruar historinë me gjak arbëror, me një betim solem të quajtur tabe, që do të thotë besëlidhje e qëndrueshme, me moton: “Besa e Zotit, është besa e burrave, për Nder – Atdhe – Besë e Fe”. “Lidhja e Shkodrës”, e organizuar mes maleve më 13 maj 1944, erdhi si imperativ i kohës, kundërpesh e çerdheve me gretha të frontit komunist, që ishin krijuar (si kërpudhat mbas shiut), për të ardhur në pushtet me krime e mashtrime ideologjike. E gjithë programi konkret nga fraza e parë deri tek e fundit, përshkruante vendosmërinë luftës ndaj komunizmit si terror i zi, nami i së cilës po përhapej si epidemi, tek synonte të trokiste drejt Veriut të Shqipërisë.
Pjetër Smajlaj, sjellë nga kujtesa episode me detaje interesante, që i ka rrëfyer babai Kolë me miq, që kanë bujtur shpesh në familjen bujare. Preka, gjithnjë ishte i veshur me kostumin popullor tradicional të Kelmendit, me ornamentet të qendisura me kujdes nga vendasit.
Ai, asnjëherë nuk e ndante nga brezi koburen e argjentë, që ia kishte dhuruar Mbreti Ahmet Zogu I. E pinte shumë duhanin e fortë të Sheldisë me çibuk. Mendimi i tij visar, përparimtarë e i guximshëm, dallohet për mprehtësi e logjikë të shëndosh në bashkëbisedimet me të huajt e bashkëatdhetarët e çdo krahine të Shqipërisë.
Ai me Malësi, ka zbatuar me ndërgjegje normAtë ligjore kanunore, që buronin mirëfilli nga kanuni i Lekë Dukagjinit (1446 – 1481). Kanuni, mori emrin e Lekës si Princ i Veriut të Shqipërisë. Ai ishte mik i Gjergj Kastriotit, rival dhe zot i zonave të kufizuara me Kryetrimin e Krujës, që mbas vdekjes së Gjergjit, për 10 vjet (1467 – 1477), rifilloj luftën kundër ushtrisë së Perandorisë turke. Ky ligj (kanun), është një kompleks parimesh, ligjesh, normash, zakonesh, me të cilat, rajoni malor, është vetëqeverisur gjatë, në epokën kur turqit zotëronin drejpërdrejt pjesën tjetër të Shqipërisë. Për zbatimin e tyre, ka vendosur populli i krahinës…
Preka, ishte e mbeti më i dëgjuari e i respektuari në kohën e vet në viset e Veriut. Për fat të mirë, sot flitet e shkruhet me respekt nga autorët e rinj, që me dokumente autentike po venisin helmin e historisë deformuesve të kohës së absurdit totalitar. Kjo për më tepër, duket në stimën e lartë, që shfaqin kelmendasit dhe në tërësi e gjithë Veriu i Shqipërisë, shqiptarët në Mal të Zi e Dardania martire etj.
Ai interesohej për ekonominë familjare të luftëtarëve të vet, i ndihmonte me gjithçka, ushqime, veshje, kafshë për të punuar tokën, duke patur një zemër të madhe, për ata njerëz në nevojë dhe shpirt të pastër fisniku për malësorët e pambrojtur. Me në krye vetë Prekë Calin, banorët kelmendas, ishin të detyruar të bënin roje në kufi, në bjeshkët e në stanet e verës, mbasi binin pre e vjedhjeve, plaçkitjeve dhe dhunimeve sllave.[11]
Kelmendi, shkruan studiuesi e publicisti malësor Ndue Bacaj, në gazetën nacionale “Shqipëria etnike” (Shkodër, 2004), nuk është shkelur nga asnjë këmbë italiani apo gjermani. Treva e lavdishme, nuk ka arritur të pushtohet asnjëherë nga ushtritë e huaja.
“Prenkë Cali, ka kundërshtuar vendimet e qeverive të mëdha, që kanë qenë në dëm të Shqipërisë e trojeve tona. Ishte Prenkë Cali, që në vazhdën e personaliteteve parandëse të shquara të Atdheut, siç ishin: Imz. Luigj Bumçi, Atë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjedja, që kishin apeluar zyrtarisht në Lidhjen e Kombeve, duke kundërshtuar vendimin e marrë prej tyre, që kufiri i vendosur nga Bishti i Krajës, Ura e Përroit të Thatë, Qafa e Grishajve, Thana Binoke në Shkrel, Qafa e Terthores të zhvendoset dhe fitoi kufirin e sotëm ekzistues me Malin e Zi. Prandaj, 820 partizanë sllavo – serb, sulmuan kështjellën e tij në Vermosh, tre muaj para se të “çlirohej” Shqipëria. Ai u tërhoq nga Vermoshi e u vendos me shtabin e tij në Vukël. Serbo-sllavët, u larguan pa kryet e Prenkë Calit, por të fituar nga ana e tjetër, sepse dy brigada shqiptare të shtetit amë luftonin gjoja për “çlirimin” e Kosovës.”[12]
Me ardhjen në pushtet të monarkistëve të Mbretit Ahmet Zogu, ai herë mbas here bënte kërkesa dhe proteston pranë Qeverisë, për të ngritur zërin për Vermoshin e tërë Malësinë, pranë organizatave ndërnacionale. Duhet pohuar, se Prekë Cali, asokohe ishte në krye të kelmendasve, për të ruajtur qetësinë dhe integritetin territorial të Kelmendit.
Sërisht, ai i bën presion sëbashku me patriotë të tjerë Ahmet Zogut, i cili, detyrohet t’a ndërnacionalizojë çështjen e Vermoshit dhe për këtë ka meritë të veçantë kryeprijësi i Kelmendit. Në janar të vitit 1925, Zogu iu drejtua Konferencës së Ambasadorëve, me kërkesën, që çështja e përcaktimit të kufijve arbëroro-jugosllav në Vermosh të zgjidhej pa vonesë, mbasi kështu mund të konsideroheshin të zbatuara praktikisht vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913.
Më 8 shkurt 1925 Qeveria Shqiptare, vendosi që në Vermosh të dërgohej një Komision i kryesuar nga zoti Mehdi Bej Frashëri, për të parë në vend problemin e kufirit shtetëror në fshatin Vermosh. Mbretëria Jugosllave, shtrojnë para arbërorëve, se çështja e Shën Naumit dhe e Vermoshit, mund të diskutohen e zgjidhen veç e veç, duke bërë ratifikim (njohje) të kufijve dhe kompensim të tokave në shkembim.
Një gjë e tillë, të ndikuar dhe nga presioni vendas Qeveria e Ahmet Zogut e pranoi. Më 21 shkurt 1925, Qeveria Shqiptare, njoftoi jugosllavët, se Shën Naumi e Vermoshi, do të shikohen e trajtohen si një e vetme, siç ishte dhe Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve.[13]
Në këtë situatë, përplaset Prekë Cali me Ahmet Zogun, mbasi ishte përkrahës i forcave të opozitës asokohe.Mbas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, qeveria monarkiste, selektoi kundërshtarët politikë, Prenkën me disa të tjerë, i internuan për 4 vjet, në burgun e kalasë së Gjirokastrës.
Duhet pohuar, se Prekë Cali, asokohe ishte në krye të kelmendasve, për të ruajtur qetësinë dhe integritetin territorial të Kelmendit. Sërisht, ai i bën presion sëbashku me patriotë të tjerë Ahmet Zogut, i cili detyrohet t’a ndërnacionalizojë çështjen e Vermoshit dhe për këtë ka meritë të veçantë kryeprijësi i Kelmendit.
“Lirimi i Prenkës, nuk ishte i rëndomtë. Qytetarët e Gjirokastrës, në sheshin e qytetit e përgëzuan me urime e ngrohtësi njerëzore, si të parakalonte një mbret. Preka, përmes gazetave, që e kishin intervistuar, falënderon për së tepërmi qytetarët e Gjirokastrës. Ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin fashist dhe prej ditëve të para të pushtimit u vu në anën e forcave nacionaliste. Ishte kundërshtar dinjitoz edhe i komunizmit.” (Lajçaj, f. 70)
Kur situata u qetësua dhe gjakrAtë e urretjes midis shqiptarëve ranë në qetësi, Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu I (1895 – 1961), rishikoj përsonalisht me kujdes vendimin e dënimit ndaj figurës së shquar të Prekë Calit.
Ndonëse me vonesë, Mbreti e kuptoj, se nuk ishte ashtu sikurse i kishin thënë, mbasi kelmendasi me trima, kishte luftuar për çështjen nacionale të trojeve të Veriut. Mbreti u tregua fisnik, tek e liroi dhe ftoi në rezidencën e tij në Tiranë, për t’u takuar miqësisht. Qysh kur dy burrat e njohur i shtrenguan dorën njeri tjetrit, Mbreti Zogu I, i kërkoi ndjesë, duke i thënë se:
“ – Të kam internue, se kam pas të dhana, se ju jeni marrë me politikë dhe je kundër meje. A asht e vërtet kjo?
Jo, iu përgjigj Prenka, vetëm me politikë as nuk jam marrë as nuk merrem!
Po kundër meje a je? – ia ndërpreu Zogu I.
Vetë nuk jam kundër teje dhe nuk kam kenë kundër shqiptarëve. Unë kam luftue e do të vijoi me luftue vetëm kundër atyne, që duan të na marrin trojet tona. Vetë jam vetëm shqiptar e për Shqipnin nuk më dhimbset jeta.”
Mbas bisedës së përzemërt e me sinqeritet, në shej patriotizmi e miqësie të re, Mbreti i Shqiptarëve Zogu I, e bëri Prenkë Calin Kapiten Rezervë. Kreu i fronit mbretëror, i dhuroi heroit kelmendas nataganin me dorezë të bardhëme nënshkrimin: “Ahmet Zogu I”.
Mbreti i arbërorëve asokohe Ahmet Zogu, bëri amnisti (falje) dhe ofroi në oborrin e vet kundërshtarët politikë, duke u ofruar paqe dhe bashkëpunim me ta për çështje të larta ndaj Atdheut. Kësisoj Preka, deri më 7 prill 1939, kur trupat fashiste italiane të Benito Musolinit sulmuan vendin tonë, ka shërbyer në komandat e Mbretit, duke drejtuar xhardanmarinë për trevën e Malësisë. Gjatë pushtimit të Arbërisë, kjoftë nga Italia fashiste (1939 – 1942) apo Gjermania naziste (1943 – 1944), kelmendasi Cali, nuk ka bashkëpunuar me pushtuesin as nënshkruar pakte marrëveshje apo bashkëpunimi me ta.
Të gjithë akuzat të bëra në drejtim të tij, nga rregjimi i Enver Hoxhës (1941 – 1990) janë të pathemelta e pa argumenta. Dokumenti i vetëm, i nënshkruar nga ana e tij në këto vite, është ai që i përket vjeshtës së vitit 1924 nga krerët e Arbërisë së Veriut, në të cilin, thuhet për të bërë një rezistencë të armatosur, për mosvendosjen e rregjimit komunist, me të mbatuar Lufta e Dytë Botërore, të cilën, e ka nënshkruar dhe vetë Prekë Cali.
Ai tek komunizmi, shihte bashkëpunëtorin me armikun e përjetshëm të tij sllavizmin, me të cilin, nuk kishte bërë paqe kurrë, kishte humbur rininë e burrërinë në luftë me malazias e serb dhe tashti në pleqëri, nuk mund të bënte krushqi, me më të egrin armik kelmendas.[14]
Preka me kelmendas, kishin një motiv më shumë e arsye, pse kishin dalë në fushë të mejdanit, për jetë a vdekje, sepse nuk donin, që tokat e tyre, të ishin pjesë e Perandorisë Sllave; nuk donin, që fëmijët të merrnin emra sllav, zakone e tradita të pushtuesit; nuk donin, që të harronin varret e të parëve të larë me lumenj gjaku trimash.
Gjithsesi, shqiptarët etnik nuk donin asgjë, që ishte dhuratë e verbër e pushtuesve sllav. Përsonaliteti i tij imponues, ndikonte tek bashkëluftëtarët e tij dhe tek të gjithë malësorët e Kelmendit. Ai me zgjuarësi, arriti të kombinojë programin e Besëlidhjes së Malësisë me detyrën e tij shtetërore si komandant i vullnetarëve të Plavës, Gucisë dhe Kelmendit.
Edhe kur këta erdhën në pushtet, ai, nuk e ndërpret luftën në të mirë të popullit, duke iu kundërvu me armë në dorë satanait pa fe, atdhe, ide e shthurje morale, sa që shpesh thuhej, se gratë partizane ishin në përdorim kolektiv…
Prof. Sami Repishti, në librin “Nën hijen e Rozafës” (Narrative e jetueme), “Onufri”, Tiranë, 2004), mbasi përshkruan ekzekutimet kolektive në qytetin e Shkodrës, vijon:
“Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetënor, i mbështetun mbi forcën e hekurt të zjarrit, ashtu sikurse kisha dyshue dy vjetët e fundit. Fjalime pambarim, parulla të përsërituna, arrestime masive, “djallëzimi” i kundërshtarit, që paraqitej dhe trajtohej si “anmik” e, kërkesa revolucionare për luftë pa mëshirë. Ekzekutimi publik ishte përfundimi logjik!
Nuk ishte vetëm akti i ekzekutimit të “bashkëpunëtorëve”, që tronditi qytetin. Ishte mënyra e këtij ekzekutimi, që tregonte nji mospërfillje për shtetin ligjor e që praktikisht, ishte edhe nji mospërfillje për ndjenjat e qytetarëve. Gjithçka ishte e llogaritun me krijue atmosferën e frikës, e me përgatit terrenin psikologjik për terrorin masiv që planifikohej. Kundërshtimet e vazhdueshme që ballafaqoi “pushteti i ri”, sidomos zonat malore, sëbashku me nji ftohje të popullsisë qytetare nga manifestimet publike e të organizueme prej qeveritarëve të rij, mjaftuen me bind udhëheqjen qendrore në Tiranë, që të deklarohet “gjendja e jashtëzakonshme” për qytetin e rrethet e Shkodrës. Çdo ditë, në shtyllat telefonike e ditoret e dyqaneve, vendoseshin lista të gjata burgu për “bashkëpunim” me “armiqtë e popullit”…
Çdo ditë përgatitej nji “shfaqje” publike, për diskreditimin e “anmiqve të popullit”. Nji ditë janari, kaloi me zhurmë, nji grup malësorësh të lidhun me pranga e litarë, krah për krah, ndërsa rreth e rrotull tyne, grupe të rijsh e gra histerike, përsëritshin në kor: “Plumbin ballit! Plumbin ballit! Vdekje trathtarëve! Vdekje trathtarëve!”
Të arrestuemt, burra të gjatë, përfaqsues të denjë të racës ilire, që u ruejt për shekuj në naltsin e Alpave të Veriut, shikojshin me çudi këtë komendi funebre, turmAtë e mbledhuna në të dy anët e bulevardit, të heshtuna, të habituna, të frikësueme. Frika e ushtrueme nga partizanët, po jepte frytet e saj të para: nji popullsi e tanë zhvishej nga guximi qytetar tradicional!
Sereniteti i fytyrës së viktimave, të lidhuna e të përbuzuna, që drejtoheshin kah vdekja e sigurt, nuk mund të ishte pasqyra e nji ndërgjegjje të keqe… Përkundrazi! Në zemër të tyne, ata duhet të kenë ndie vetën, si viktima të nji ndëshkimi të padrejtë. Vetëm ideja e viktizimit, e pafajnisë, lejon nji serinitet të këtillë.
Gjatë gjithë ekzistencës së tyne, këta malësorë të Kelmendit, kishin pranue si qëllim të jetës, ashtu si të parët e tyne, rolin e ruejtjes së kufijve të Vermoshit nga sulmet malazeze, për shekuj me radhë. Historia ishte dëshmitare! Çdo lëvizje e veprimtari politike, ishte shikue e përcaktue, në termAtë e këtij qëndrimi atdhetar të padiskutueshëm.”[15]
Studiuesi malësor Marash Kolë Mali, ish – burgosur politik në kohën e diktaturës në Shqipëri, në librin e fundit shkruar në Florida: “Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare” (2003), rikujton:
“U ba nji Mbledhje e madhe me krenet e Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Kolonel Mulo Bajraktarit, i cili, ishte komandant i vullnetarëve të Malësisë asokohe edhe për malet andej kufinit. I deleguem i ardhun prej Shkodre ishte Ndoc Çoba, ish politikan dhe n/Kryetar i parlamentit Shqiptar. I ftum ishte edhe i deleguemi i partizanve i quajtun Ramadan Reçi, të cilët, qendrën e tyne e kishin në Reç (mbi Koplik të Sipërm, shënimi im K. K.). Çun Junuzi (bashkëthemelues i P.K.Sh., më 8 nëntor 1941, shënimi im K. K.), asokohe si komunist punonte ilegalisht, e me qendër ishte në Aliaj të Kastratit.
Mbasi folën Mul Deli Bajraktari[16] e i deleguemi i Shkodrës Ndoc Çoba (Ministër i Financave më 1920, Delegatë në Kongresin e Durrësit, më 1918, të Lushnjës më 1920, shënimi im K. K.), fjalën e mori Ramadan Reçi: “Ju po e shifni se dy okupatorët italo – gjerman, pra Boshti (Berlin – Tokio – Romë, shënimi im K. K.) po e humb luftën. Ne nuk duhet të kemi tjetër mbështetje e as lidhje me ta, për arsye, se fituesit e tjerë aleat, nuk duhet të na gjejnë të mbështetun me të humbunit, mbasi vetëm pasoja të këqija do të kemi. A nuk do të ishte ma mirë që ne, për hirë të vendit e popullit tonë t’u mbështetemi që tani fituesve? Unë them se po!”[17].
Ndërsa Çun Jonuzi, tha: “Malësia e Madhe ka nji Besëlidhje, që asnji parti dhe as aktivitet politik të mos zhvillohet në këtë krahinë. E pse atëherë bahet kjo mbledhje këtu në territorin e Kastratit, për të na lanë ne sherrin tek dera e shtëpisë?!” Mul Delija, e kapi për krahu dhe e largoi Çunin nga mbledhja, e cila, po përfundonte pa asnji vendim.
I fundi, që e mori fjalën ishte Prenka, i cili, me nji za të naltë e të shqerrun tha: “Ai djaloshi i Reçit, foli e deshti me na tregue, se kush e humbi dhe kush e fitoi luftën. Ky tjetri kastratas, u ankue se me këtë mbledhje, i paskena prue sherrin te dera e shtëpisë.
Kjo nuk asht e vërtet, mbasi sherri i popullit tonë janë vetëm komunistët, që kanë zanë vend këtu afër. Mua më duket, se sikur po rrimë duarkryq ose në gjumë, pa marrë asnji vendim. Prandaj, po u baj thirrje të bashkohemi dhe të dëbojmë këta, sa nuk asht vonë prej andej, e nëqoftse ndonjenit nuk i pëlqen kështu, vetë me djemtë e Kelmendit, do t’ia tres farën, e do t’i dëboj prej Rranxave të Malësisë!…” (Mali, f. 340).
Preka, sëbashku me trimat, në të cilin bënte pjesë i riu 27 – vjeçar Mirash Fran Rrukaj (1918 – 1945), kur morën vesh, se një batalion me ushtarë partizanë, Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1944, kishte kaluar Rapshën e Hotit, e po synonte të futej në drejtim të Lugjeve të Kelmendit, kryetrimi me parinë e vendit e luftëtarët, kishte zënë pritAtë në grykat e dy luginave mbi Urë të Tamarës.
Ai më parë, u çoi fjalë partizanëve, se: “Na nuk dona vllavrasje, shkoni ka keni ardh, se s’keni rrugë këtej.” Mirëpo komandanti nuk mori asgjë parasysh dhe filloi ofensiven. Për shumë kohë gjamët e pushkëve ushtonin. Kelmendasit me armë thyen ofensiven e madhe partizane. Komandanti, që kishte disa spijuna vendali, u mundue me çdo mjet trathtie t’i binde malsorët të dorzoheshin, por ata ishin në shtëpinë e tyne dhe kështu luftimet vijuan pandërpremje. Partizanët, në panik filluen me pa, se Kelmendi nuk u dorëzonte pa vdek të gjithë. Atëherë, ai kërcnonte partizanët, se kushdo që do të tërhiqet asht dezertor e dihej se çfarë e priste…”, kujton i arratisuri nga burgu i Tiranës (1952), shkodrani me banim në Florida Kolec Pikolini, në librin me kujtime: “Rregjimi i hienave”[18]
Kryepatrioti shqiptar, ishte informuar me saktësi nga rojet besnike të Major Llesh Marashit, të cilët kishin zbuluar batalionin partizan, duke marshuar nga Lugina e Shkrelit me armë e municion drejt Kelmendit. Atdhetari trim Major Llesh Marashi, urdhëron Kolë Nikë Prelën (Marçinaj) t’i bie kumbonëve të Kishës.
Sipas urdhërit (të firmosur nga vrasësi profesionist “hero i popullit” Shefqet Peçi), që mori Komanda e Brigadës I (nga Shtabi i Korparatës III), Batalioni I, u nis në drejtim të Kelmendit. Batalioni, vendoset në formacion luftarak e vazhdon të tërhiqet në drejtim tjetër nga rruga, që të çonte në Vermosh, përmes Kishës së Kastratit.
Qendrestarët vendas kundërkomunistë sulmuan batalionin, e arritën t’a shpartallonin për disa orë, duke e çarmatosur. Armët dhe municionin e kapur i dërguan në shtabin e Prenkë Calit. Komunistët shumë të alarmuar nisin drejt Malësisë njësi të tjera partizane, duke bërë rrethimin e të gjithë krahinës.
Ndërkohë në Vermosh, kish hyrë si në tokën e vet “OZNA Brigada”, e cila edhe më parë shquhej për shovinizmin e pashoq, ndaj viseve shqiptare nën administrimin jugosllav. Qëllimi i saj kryesor, ishte të ngjallte armiqësi, përçarje e konflikte mes malësorëve. Në veprimtarinë e saj, spikAtë propaganda e egër ndaj Prenkë Calit, i cili, kishte fituar autoritetin e padiskutushëm të prijësit popullor, legjendar, patriot e të respektuar dhe të deklaruar si kundërsllav. (Dr. Martini, f. 212)
Prekë Cali, bashkë me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme të katundit Vukël. Sigurisht, mbas prijësit të tyre shkuan shumë luftëtarë malësorë trima, që nuk e njihnin frikën e vdekje, e, kur, bëhej fjalë për mbrojtje të vatrave të tyre, vdekja iu duk si me le. Burrat e malit, ndonëse me diversitet mendimesh, dhanë fjalën për të luftuar e ruajtur trojet e tyre të pastra nga idetë komuniste, që me atë intuitën e tyre të hollë i konsideronin të papranueshme për moralin e tyre. Ata nuk ishin të vetëm, mbasi mbrojtja e nderit të Kelmendit, ishte dhe në gjakun e bijave të tij, se jo më të burrave, që nuk u tutej syri.
Prita e Calit, e kishte treguar vetën, se ishte e pathyeshme dhe e pamposhtun para trathtarëve partizanë, që luftonin për “ideale” boshe proletare të ideologjisë komuniste në Shqipëri dhe interesAtë e sllavëve megallomanë. Për partizanët, qëndresa e fortë e Prekës me shokë ishte e paramenduar.
Si gjithmonë nga komunistët, duhej kërkuar rruga e trathtisë. Dhe ajo u gjet. Askush nga drejtuesit e brigadave partizane, nuk e njihte rrugën e hyrjes në Kelmend nga tokat tona të Gusisë, ku, ishin përforcuar me forcat komuniste të J. B. Titos, i cili, me disa shovinistë sllav e malazias, që drejtonin disa brigada partizane të tyre.
Ato kishin mundur të hyjnë para partizanëve shqiptarë, për të siguruar pushtimin e tyre menjëherë mbas ikjes së forcave gjermane, mbasi gjatë gjithë asaj kohe, që nga viti 1941, ata shqiptarë, kishin fituar të drejtën të quhen “tokë shqiptare”[19], një diçka e papranushme nga Jugosllavia komuniste. Kjo rrugë e panjohur nga Mehmet Shehu (1913 – 1981), u tregua me përpikmëri asokohe nga ndonjë trathtar shqiptar, që koha do t’a zbuloj emrin dhe veprën e tij.
Forcat e Batalionit të Ndjekjes, bashkë me forcat e Poskomandës së Bajzës, që e kishin marrë informacionin, donin ta shtypnin kryengritjen pa filluar ajo, ndaj mësyne drejt Grishës, më 23 janar 1945, për të arrestuar Luket Marashin dhe krerët e tjerë të kryengritjes.
Malësorët, u sulmuan befasisht mbas shpine e u ndodhën papritmas para plumbit të forcave, që hynë nga Ura e Tamarës. U vranë shumë burra, u dogjën kulla, u plaçkitën bagëti e mall i pafarë nga partizanët e uritun për gjak e pasuni dhe, shumë djelmë të rinjë u mbajtën peng, të lidhur këmbësh e duarsh, për të mos u bashkuar me forcat e Prenkë Calit.
Gjoja për të shuar gjakderdhjen e vëllavrasjen, u kërkua ndihma e fratit Atë David Pici, që të ndërmerrte një takim me Prekë Calin, në shpellën, ku, ishte i ngujuar me trimtë e tij. Kjo bëhej mbas shtatë ditë përpjekjeje pa rezultat nga forcat partizane, për të thye trimërinë e Kelmendit. Frati shkoj tek Preka e i pritun si burrat i parashtroi kërkesAtë e komunistëve për dorëzim…
Megjithëse i priti të derguarit nga katundi i tij, qëndrimin kundërsllav e ka shprehur: “Unë nuk jam për t’u derdh gjak shqiptari. Unë nuk jam për t’u vra vllau me vlla. Ai qi ka marr kalanë ai sundon. Por, unë nuk lidhi besë me ata, qi bajn krushqi me anmikun tonë të perjetshëm, me serb e malazias, të cillët gjatë gjith kohnave, Native American kanë vra e plaçkit, e sot nuk mund të ulem në nji sofer me hanger buk e gja me ta.”[20]
Frati i tregoi Prekës për reprezaljet, që brigadat partizane po kryenin në popullsinë e pambrojtur të Kelmendit, por për Prekën fjala “dorëzim në duart e Serbit”, nuk zinte vend. Kur Preka kuptoj, se rruga e vetme me dalë nga shpella është “vdekja e të gjithëve” me armë në dorë, ai kërkoj nxjerrjen e një djali të ri 15 – vjeçar Maç Luca, që me vrasjen e tij (për Prekën) ishte shfarosja e atij fisi.
Ky kusht nuk u pranua nga komunistët. Preka pranoi “dorëzimin”, edhe pse e dinte se e pret vdekja, mbasi ai e njihte “besën e serbit”, por për bajraktarin shuarja e një fisi për shkakun e tij, i dukej paburrëri dhe poshtërsi. Kjo dhe vetëm kjo e detyroi atë me ra në dorën e trathtarëve të atdheut, Atdhe, për të cilin luftoi për dekada të tëra.
Vetësakrifikimi për hirë të mikut, malësori e ka pasë gjithmonë për nder. Pafajsia e 15 pasuesve të tij besnik, i jepte një shpresë të vogël për shpëtimin e ndonjerit prej atyre djemve të nënave kreshnike, që ishin të ngujuar me te dhe për te.
Nuk duhet harruar, se kjo nodhte, kur gjysma e Evropës vazhdonte luftën kundër nazizmit. Pra, për Veriun e Shqipërisë, ky ishte ballabaqimi i parë me “çlirimtarët komunistë”, mbasi Jugu , kishte kohë që e kishte provuar “besën e tyre”.
Rasti i Prekë Calit, u bë një mësim edhe për klerikët e tjerë, të cilët, me stoicizëm pranuan vdekjen me nder më parë se trathtinë me turp, si: Dom Nikollë Gazulli (1894 – 1946), Dom Luigj Pici (1907 – 1946), Dom Mark Xhani (1909 – 1945) etj. Një rrugë kësisoj Mehmet Shehu e kërkoj edhe për Dom Zef Oroshin, por, për fat të mirë Dom Zefi kishte kaluar kufirin tre ditë më parë, se të arrinte për t’u prerë në besë nga të shiturit tek komunistët…
Pseudoshkrimtarët e studiuesit shqiptarë të kohës komuniste dhe sot në gazetAtë “Zëri i Popullit” (Sh. Tomorri, “Vrasësit mizorë të popullit Preng Cali dhe Llesh Marashi, TV PD i paraqet si patriotë”, #286, dt. 12.10.1995, N. Mazini, “Prengë Cali ka vrarë 53 partizanë”, Tiranë, 9.12.1995), “Kushtrim Brezash” (Një grup ish – partizanësh të Brigadës I Sulmuese, Tiranë, dt. 23.2.1994, f. 6., po atje Y. Partizani, “Preng Cali dhe Llesh Marashi janë kriminelë me damkë, O Uran Butka!”, dt.12.10.1995, f. 4), duke ecur mbas idhullit të përbindshëm kriminelit mostër Enver Hoxha, janë përpjekur gjithnjë të përulin dinjitetin e dëshmorit të trojeve etnike shqiptare dhe vlerave të pastra të demokracisë perëndimore.
Ndër më të zellshmit, është vetë Enver Hoxha, i cili, në librin e tij “Vitet e Vegjelisë”, shkarkon fjalorin e tij me të pavërteta për Prekë Calin: “Në atë kohë në Gjirokastër, Zogu kishte internuar një bajraktar, që quhej Preng Cali, një burrë i dukur, i gjatë që rrinte kurdoherë i veshur me rroba kombëtare malësore të qëndisura, me kobure të argjenta me zinxhir të varur në qafë, me çibukë prej sermi etj. Këtë bajraktar reaksionar, që u lidh me fashizmin dhe ngriti pushkën në Kelmend kundër partizanëve, ne e kapëm dhe e pushkatuam. Kështu pra nga ky feudal trathtar s’ngelën veçse portretet e profesor Marshandit.”[21]
Përfaqësuesi e historishkruesi komunist, ushtaraku Ndriçim Plasari, në librin: “Shpresë për popullin, tmerr për armikun”, kushtuar luftës vëllavrasëse të Brigadës I – rë Sulmuese, duke i ndjekur luftimet nga shtëpia e vet, pranon rezistencën e fortë të malësorëve dhe dështimin e forcave “popullore”, kur shkruan:
“… Kolona i kishte kthyer shpinën Brojës dhe pararoja porsa kishte shkelur mbi Urën e Tamarës, kur plasi pushka dhe çfarë pushke. Qëllonin nga kodra mbi urë, qëllonin nga Broja, qëllonin edhe nga Bardhaj. Batalioni kishte hyrë në një kazan të zjarrtë.
Armiqtë qenë njoftuar për ardhjen e një reparti partizan në Kelmend, kishin llogaritur forcën e tij prej afro 300 vetësh, kishin llogaritur edhe rrethnat e tjera në dobi të tyre dhe qysh herët, në mëngjesin e 15 janarit kishin zënë pritë këndej dhe andej përroit, me qëllim të caktuar, ta godisnin dhe ta asgjësonin batalionin tonë.
Një goditje e tillë partizanëve u ra krejt papritur. U krijua një gjendje kaq e vështirë sa më s’bëhet. S’kishte tjetër rrugëdalje, veçse të qëndrohej me çdo mënyrë në vend, duke kundërvepruar me të gjitha forcat. Ndihmë e shpejtë s’mund të pritej as nga një anë. Forcat e tjera të brigadës ndodheshin dy ditë larg, në Shkodër. Batalioni s’kishte ndërlidhje me radio.
Reaksionarët kishin zënë vend nëpër shkëmbinjtë dhe që andej villnin zjarr kundër luftëtarëve tonë të rrethuar plotësisht. Partizanët përdornin për mbrojtje çdo send të rastit, shkëmb, gropë dru. Që andej qëllonin në drejtim të qerdheve të zjarrit armik. Sulmi për të çarë rrethimin ditën ishte i pamundur. Edhe lëvizja më e vogël kontrollohej nga reaksionarët… Ishin vrarë komandanti i batalionit, Fejzi Micoli, dhe një numër luftëtarësh…
Në të vërtetë bajraktarët trathtarë Preng Cali e Llesh Marashi me shokë kishin grumbulluar rreth vetes 300-400 burra të armatosur dhe përpiqeshin të shtonin gjithnjë e më shumë forcAtë e tyre. Ata kishin marrë lidhje me misionin ushtarak anglez në Shqipëri, i cili qe treguar i gatshëm t’u jepte çdo ndihmë dhe përkrahje. Aeroplanët anglezë i kishin furnizuar mbeturinat e reaksionit me armë, municione dhe veshmbathje. Me ndihmën e anglezëve trathtarët kishin hartuar planin e një kryengritjeje kundërrevolucionare. Do të sulmonin dhe të merrnin Shkodrën me Koplikun…”[22]
Në këto rrethana, plasi kushtrimi në Grishaj. Vullkan u bë shtëpia e Luket Marashit, që ishte një potencial i madh bese e burrërie në Malësi. Forcat kryengritëse, u gjenden përballë forcave ndëshkimore të Sigurimit e të Ushtrisë, që sulmonin në ballë të gjerë.
Praktikisht, lufta kishte filluar para kohe, pra, në mëngjesin e datës 24 janar. Në përpjekje u vra Pjetër Gjoka, i cili, në krye të 40 burrave të Shkrelit, zbriti si ortek bore në poskomandën e Dedajt, e mori ate dhe, duke kaluar nëpër Zagore, i drejtohet vertik Bajzës. Grishajt e kishin zmbrapsur sulmin e ishin hedhur në kundërsulm.
Në ballë printe oficeri i ri Zef Toma, që ra duke luftuar trimërisht. Atë natë luftimesh, do të binte edhe Lulash Cuku. Gjaku i tij do të shenjtërorente besën e do të nxirrte kushtrimin. U plagosën Pjetër Gjokë Hoti, që vdiq mbas disa ditësh. U plagos nga forcat komuniste toger Gjosh Nikaj.
Luftëtarët e rezistencës kundërkomuniste, me në krye Major Llesh Marashin, u mblodhën në oborrin e Kishës së Bajzës, ku, frati Atë Ciril Cani (1875 – 1953) rreh kumbonën e Kishës e i lutet Zotit, që bijtë e Malësisë, të fitojnë kundër pjellës së djallit bolshevik. Kryengritësit sulmuan drejt Koplikut, nën drejtimin e Llesh Marashit. Mbas luftimesh të ashpra, ata morën postkomandën dhe spitalin dhe më mbas krejt qytetin. Kontribut të veçantë dha familja e Shaban Binakut. Mësymja vazhdoi deri në Hanin e Dedë Zefit. Të ndaluarit, u liruan të gjithë, mbasi iu morën armët. (Butka, f. 19)
“Po në të njajtën kohë edhe me bekimin e famullitarit të Shkrelit, Dom Nikollë Gazullit, Kolë Nikë Prela Marçinaj (Çekdedaj – Bzhete), u bien kumbonve për me mobilizue Shkrelin për në luftë. Kështu burrat e Shkrelit, u nisën për t’u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik.”[23]
Partizanët nga ana e tjetër, nuk e mendonin, se do të hasnin në rezistencë aq të fortë, prandaj po vinin të qetë. Kur filloj pushka, këta nuk kishin nga të shkonin, sepse ishin të izoluar në shtigjet e ngritura dhe nuk kishte forcë ushtrie t’i shkatërronte pozicionet mbrojtëse të malësorëve, që ishin fortifikimet natyrore shumë të sigurta.
Nuk vonoi shumë, e në drejtim të Malësisë së Madhe, filluan veprimet ushtarake. Brigada e Parë Sulmuese, mori urdhërin luftarak, t’a spastronte atë nga reaksionarët e brendshëm. Të tillë konsideroheshin të gjithë ata, që kishin bindje të kundërta me komunistët. Në mëngjesin e datës 12 janar 1945, Komanda e Brigadës së Parë Sulmuese, nisi në drejtim të Kelmendit Batalionin e Parë.
Një batalion i sprovuar në përpjekje, i përbërë pothuajse tërësisht nga partizanë të ardhur nga jugu i Shqipërisë, që kësaj here nuk dinin ku shkonin. Nuk njihnin terrenin. Nuk njihnin psikologjinë e vendasve dhe, as me kë do të luftonin, sepse në Kelmend, nuk kishte pasur, as nuk kishte pushtues. (Dr. Martini, f. 224)
Malësorët, kishin epërsi ndaj partizanëve, sepse sëpari, bënin një luftë mbrojtëse dhe njihnin shumë mirë vendin e tyre, ku, gjatë luftimeve u vranë, plagosën dhe ranë në lumë shumë partizanë.
“Prenkë Cali bashkë me me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme mbi fshatin Vukël, që u mbiquajt Shpella e Prenkë Calit, Mark Luka, dëshmon: “Na, ketë shpellë e zgjodhëm për me ba qëndresën e fundit, me e la vedin e me vdek per së mbari. Për shtatë ditë rresht, gryka e shpellës nuk ka pushue as natë as ditë prej plumbave e zjarrit të mitrolozave.
Komunistët vendosën me na marrë me uri e me pabesi. Na u dorëzuem me një kusht, që të mos dhunoheshim. Por komunistët nuk e mbajtën fjalën e dhanë dhe as besimin e Fratit. Kur na çuen në shtabin e Batalionit në Rrapsh të Hotit, Mehmet Shehu, u ndodh ballë për ballë me Prenkën:
– E, Prekë Cali, – i tha Mehmeti, – të pat ardhur dita t’a mbyllësh historinë tënde me shkronja ari, po të bëheshe me ne! Pse bëre kështu?
– Zotni, – iu përgjigj Prenkë Cali, – faji bie mbi ju, se ju u batë aleat me anmikun shekullor tonin, me Serbin.” (Butka, f. 16)
Ky ishte shpiegimi i vetëm i kundërshtimit të tyne (malësorëve) me armë, të “brigadave partizane” shqiptaro – malaziase, në vjetin 1944 – 1945. Ky ishte shpiegimi i vetëm, që ata iu “dorëzuen vllazënve tanë”, autoriteteve ushtarake shqiptare, si dhe naiviteti i përgjegjeve të tyne para Gjykatës Ushtarake, që nuk kuptonte, e si rrjedhim, i trajtonte si “trathtarë”!
Pse nuk kishin ndihmue “Lëvizjen Nacional – Çlirimtare?” Sepse ishte e lidhun me serbët e malaziasit, anmiqt tonë shekullorë. Pse kishin rrokë armët kundër “brigadave tona?” Sepse bashkëpunojshin me brigadAtë serbe e malaziase, e nuk u kishim besën. Pse i nënshtroheshin influencës së klerit katolik? Sepse ata kanë qenë gjithmonë me ne, në të mirë e në të keq…!
Madhështia e malsorit të çiltër shqiptar, ngrihej para Gjykatës, si monument, që dëshmonte vogëlsinë e mendjemëdhenjve komunistë, në pozitën e gjykatësit. Epërsia morale e qëndrimit të viktimës, ishte i qartë edhe para tragjedisë, që përgatitej pa turp, nga nji udhëheqje servile e interesave të huaja, nji udhëheqje e degjenerueme nga epshi për pushtet të pakufi.
E gjithë seanca e gjyqit, sidomos me ata të moshës së kalueme, u përshkue nga nji vijë kombëtare, parimore, e drejtë, e malësorëve të thjeshtë, në përleshje me vijën politike të lëvizjes internacionale, që imponohej me gjak mbi popullsinë që e përbuzte.
Pyetjet e egra kërcënuese merrshin përgjegjen e thjeshtë e të njerëzishme të malësorëve, të bindun në drejtësinë e kauzës së tyne. Edhe kur u dha dënimi me vdekje, ata nuk u tronditën, megjithëse nuk arrijshin me kuptue, si mund të dënohet nga shqiptari, nji shqiptar, që ka mbrojt tokën shqiptare brez mbas brezi.
Shikojshin rreth e rrotull, sikur pritshin që “populli i Shkodrës” të thonte diçka për ata, për të kaluemen e tyne, për pafajsinë e tyne. Shkodranët, që njihshin mirë historinë e tyne, u befasuen nga britmAtë histerike në sallë, të publikut të zgjedhun, që shpërthyen, si me urdhën, kundër “kriminelëve”, tue kërkue me kambëngulje ekzekutimin e tyne, sa ma parë.
Populli i Shkodrës ishte përçudnue… ose strukë në shtëpi, i frikësuem deri në palc. “Shkodrës i kishte vdekë ora!” Ishte pasqyra e nji përmbysjeje të plotë politike, si rrjedhim i ngurtëzimit të ngadalshëm moral, që kishte pësue shoqnia shqiptare, sidomos gjatë vjetve të luftës…!
Ekzekutimet, me gjyq e pa gjyq, bashkë me viktimën, vritshin edhe vetë idenë e “revolucionit çlirimtar”, idenë e lirisë dhe premtimin për nji botë ma të mirë, që do të sillte revolucioni. Ekzekutimet, e njollosën “revolucionin”, e nxinë imazhin e tij, e asgjesuen atë. Sepse, zemrat dhe shpirtët e shumicës së heshtun, filluen të kalbëzohen, bashkë me kufomat që shtriheshin pa jetë nëpër rrugët e katundit, në sheshet e qytetit, në poligonët e qitjes ushtarake e të ekzekutimit.
Kudo të shihte syni kufoma, të mbulueme e të pambulueme, gjithëherë aty para syve të të gjithëve, si përmendore kokëforta, për ata që ende jetojshin, e tregojshin sa i randë ishte çmimi i krimit e sa i boshatisun ishte koncepti i nji revolucioni pa mëshirë e pa zemërgjanësi! (Prof. Repishti, f. 105)
Prometeu i çështjes nacionale Prekë Cali dhe besniku deri në fund Mirash Fran Rrukaj (1818 – 1945), e dinin se mbas kësaj që ndodhi, brigadat partizane do të dyndeshin nga Rapsha e Hotit dhe Kelmendi, si dhe nga krahu tjetër i Gusisë, ku, kishin përkrahjen e vëllezërve siamez sllav. Në këto kushte, nacionalistët morën udhën e arratisë. Hienat e pangopshëm komunist, u lëshuan nga të dy krahët mbi krahinë.
Mehmet Shehu, me brigadën e vet ndeshkuese të inkuizicionit kundërmalësorë e kundërkatolikë, vendoset në fushim në fushën e Rapshës. Malësorët, prisnin gjëmen e madhe në shtëpitë e tyre. Nuk kishte informacion, se kush e kishte radhën: Kelmendi apo Kastrati.
Në natën e 1 janarit 1945, kryexhelati terrorist Mehmet Shehu një mbetje e kolonëve turq (që u vendosën në kohën e pushtimit të gjatë turk në disa vise të Shqipërisë, shënimi im K. K.), si bir kleriku muhamedan, e përgjaku Kelmendin. Me urretjen patologjike të trashëguar nga koha e pushtimit turk, sulmi i paramenduar prej hienave ishte i befasishëm.
Nga Gryka e Grabomit dy toga me ushtarë “druzhe Tito” (shoku J. B. Tito) sllavoserbo – malazias (në kohën kur u vendos komunizmi në Mal të Zi, president ishte miku i Enver Hoxhës malaziasi Blazho Jovanoviq, shënimi im K. K.), marshuan drejt Kelmendit. Ata hapën zjarr tek Ura e Tamarës mbi popullatën e pambrojtur, me synime të pastra spastruese pa mëshirë.
Brigadat e Ndjekjes, të drejtuar nga kriminelët Mehmet Shehu e Fejzi Micoli, e forcat e Sigurimit të stacionuar në 26 kampet e burgjeve, hetuesisë, torturave etj., në Qarkun e Shkodrës, të mbështetur nga Ushtria Jugosllave, më 15 janar 1945 përfundimisht pushtojnë Vuklin.
Sikurse pritej, menjëherë bishAtë partizane, iu vërsulën luftëtarëve malësorë, i lidhën dhe ushtruan dhunë mbi ta. Si në kohën e skllevërve, i lidhën me konop njëri mbas tjetrit, duke i shtyrë. Ata mezi lëviznin, nga mundimet me ditët e tëra pa gjumë. Të gjithë mbas i hypën në një kamion e shpejt i nisën për Shkodër. Njësitë partizane, që i shoqëronin ishin të vogla, mbasi pjesa më e madhe qëndruan aty, për të filluar terrorin në Kelmend.
Ata që janë dëshmitarë të kësaj mizorie të pashembullt, e kanë parë me sy e provuar mbi shpinën e vuajtur torturat, që asnjëherë s’mund t’i parashikonte mendja e njeriut. Të gjithë të plagosurit e arrestuar, i lidhën mbas kalit dhe ashtu nën torturë, ata pothuajse ishin në prag të vdekjes së sigurtë.