Ne Foto: Shqiptaret gjate Luftes se Pare Boterore, ne radhet e ushtrise Austrohungareze. Foto e publikuar nga Revista “Perparimi”, New York, Qershor 1916. Fotografia ka kete nenshkrim:” Vetedashes shqiptare, bashkeleftojne me Austro Germanet, kundra serbeve. /
PARIS, 6 shkurt /ATSH-AFP/ – Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik 1914 dhe zgjati deri më 11 nëntor 1918. Konflikti i parë i madh botëror i shekullit XX, “Lufta e Madhe”, që mobilizoi 70 milionë ushtarë nga të gjitha kontinentet, shkaktoi vdekjen e 10 milionë personave, plagosjen e 20 milionë të tjerëve dhe rënien e katër perandorive (ruse, austro-hungareze, gjermane dhe otomane).
Më poshtë vijojnë datat më të rëndësishme të kësaj lufte:
1914
28 qershor – Vritet në Sarajevë trashëgimtari i fronit të Austro-Hungarisë, Franc Ferdinandi i Habsburgëve, nga një student nacionalist, i serbëve të Bosnjes, Gavrilo Princip.
28 korrik – Lojërat e aleancave mes fuqive të mëdha do të trondisin krejtësisht botën me një konflikt të paprecendetë. Austro-Hungaria i shpall luftë Serbisë. Në datën 30 korrik mobilizohet Rusia e cila do që të mbrojë Serbinë, të cilën e ka aleate strategjike.
1 gusht – Gjermania dhe Franca dekretojnë mobilizimin e përgjithshëm. Gjermania i shpall luftë Rusisë.
3 gusht – Gjermania i shpall luftë Francës. Trupat gjermane pushtojnë Belgjikën që kishte shpallur neutralitet.
4 gusht – Britania e madhe i shpall luftë Gjermanisë.
19-24 gusht – “Beteja e Kufijve”, në kufirin franko-belg në veri dhe atë franko-gjerman në lindje, trupat franceze dështojnë dhe tërhiqen me 200 kilometra për t’u riorganizuar në Marne. Data 24 gusht do të jetë dita kur trupat franceze humbasin më shumë njerëz gjatë gjithë luftës, rreth 27 mijë.
23 gusht – Japonia i shpall luftë Gjermanisë.
26-30 gusht – Beteja e Tanenbergut, gjenerali gjerman Hindenburg rrethon trupat ruse, që kishin sulmuar më 17 gusht, më herët se sa kishte parashikuar Berlini, në frontin e Prusisë Lindore.
6-9 shtator – Beteja e Marnesë, ku një kundërofensivë franko-britanike bllokoi avancimin e Gjermanisë vetëm 40 kilometra larg Parisit duke i shtyrë drejt veriut. Rreth një milion ushtarë aleatë përballen me 800 mijë gjermanë. Gjatë luftimeve pati rreth 500 mijë të vdekur dhe të plagosur.
Shtator-Nëntor – Në frontin lindor është duke u zhvilluar “gara për detin”, mes trupave franko-britanike dhe atyre gjermane, të cilat përpiqen që të rrethojnë njëra tjetrën, në 17 nëntor luftimet u kryen në Detin e Veriut. Fronti që tashmë shtrihej deri në kufirin zviceran, nuk do të ndryshojë më deri në pranverë të vitit 1918. Fillon lufta e transheve, që kishte si synim mbrojtjen e kufijve lindorë dhe jugorë. Ky lloj luftimi do të zgjasë gjatë gjithë konfliktit.
1 nëntor – Perandoria Otomane hyri në luftë në krahë të Perandorive të Qendrës, pasi frenoi anvancimin e trupave ruse dhe e izoloi atë.
1915
18 mars-dhjetor – Fillon një ofensivë detare dhe tokësore e Aleatëve në Dardanele, që kishte për synim lirmin e ngushticës dhe goditjen në zemër të Perandorisë Otomane, por doli një dështim i plotë. Më 25 prill, trupa angleze, neozelandeze, australiane dhe franceze zbarkuan në gadishullin Galipoli por u bllokuan nga forcat turke. Ato do të evakuohen përfundimisht në janar të vitit 1915. Gjatë këtij operacioni humbën jetën 180 mijë aleatë, mes të cilëve 30 mijë francezë ndërsa nga pala tjetër, 66 mijë turq. Fronti jugor do të mbetet i bllokuar deri në vjeshtën e vitit 1917.
22 prill – Gjermanët fillojnë sulmin e parë me gaz toksik kundër trupave franceze dhe kanadeze pranë Ypres në Belgjikë.
24 prill – Arrestohen dhe masakrohen më shumë se 2 000 armenë në Konstandinopojë. Ky është fillimi i gjenocidit armen në Perandorinë Otomane që do të marrë jetën e 1,5 milionë personave deri në vitin 1917, por 250 mijë deri në 500 mijë sipas Turqisë.
7 maj – Fundoset transatlantiku britanik ”Lusitania”, në brigjet e Irlandës nga një nëndetëse gjermane ku u mbytën 1 198 persona, mes të cilëve 128 amerikanë, veprim ky që tronditi demokracitë perëndimore.
23 maj – Italia hyn në luftë përkrahë Aleatëve
5 tetor – Zbarkonjnë trupa aleate në Selanik. Hyn në luftë Bullgaria përkrahë Gjermanisë.
1916
21 shkurt – Fillon beteja e Verdunit me një ofensivë gjermane që thyen linjat franceze. Trupat franceze nëpërmjet luftimeve të përgjakshme që zgjatën deri në qershor, arritën të mbajnë nën kontroll sulmin gjerman. Të paktën 300 mijë ushtarë francezë dhe gjermanë vdiqën në “ferrin e Verdunit”, që simbolizon në kujtimet e francezëve heroizmin e “poilus” (quanin francezët në mënyrë informale trupat ushtarake tokësore).
9 mars – Marrëveshjet “Sykes-Picot” vendosin në Lindjen e Afërt zonat e influencës franceze dhe angleze.
7 qershor – Fillon revolta arabe kundër Perandorisë Otomane, e nxitur nga britanikët dhe kryesisht nga i famshmi “Lorenci i Arabisë”.
1 korrik – Fillon beteja e Sommesë, më e përgjakshmja e Luftës së I Botërore, ku më shumë se tre milionë trupa përballen deri në 18 nëntor. Më 15 shtator, britanikët përdorën për herë të parë tanket. 1,2 milionë trupa vdiqën, u plagosën dhe u shpallën të humbur gjatë kësaj beteje, e shenjtëruar në Britaninë e Madhe por edhe në Gjermani.
1917
1 shkurt – Fillon lufta nëndetare me përparësi të Gjeramanisë, kjo solli edhe prishjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në.
8-15 mars – Revolucioni Rus (i quajtur edhe “Revolucioni i Shkurtit” sipas kalendareve Julianë që përdoreshin në atë kohë në Rusi). Rrëzohet dinastia e Romanovëve dhe cari NiKolla II abdikon.
6 prill – SHBA-ja hyn në luftë kundër Gjermanisë pasi kjo e fundit fundosi shumë anije amerikane në oqeanin Atlantik.
16 prill-9 maj – Dështim i thellë i një ofensive franceze në “Rrugën e Zonjave”, në frontin e Shampanjës, ku humbën jetën me mijëra ushtarë vetëm në pak ditë. Manifestime të ndryshme filluan në radhët e ushtarëve francezë. Edhe ushtritë e vendeve të tjera do të goditen gjithashtu nga manifestime dhe pakënaqësi gjatë gjithë vitit.
5-6 nëntor – Revolucioni i dytë rus (“Revolucioni i Tetorit”) sjell Leninin dhe komunistët bolshevikë në pushtet.
9 dhjetor – Britanikët hyjnë në Jerusalem, një muaj përpara deklaratës së Balfurit, ku Britania e Madhe deklaroi se ishte pro krijimit të një vatre për popullin izraelit në Palestinë.
15 dhjetor – Nënshkruhet një amnisti në Brest-Litovsk mes Rusisë dhe Perandorive të Bllokut. Rusia më pas do të shtyjë nënshkrimin e Traktatit të Paqes që parashikohej më 3 mars 1918, pasi Gjermania kishte hyrë në thellësi të territoreve ruse.
1918
8 janar – SHBA-ja shpall hyrjen në luftë me një deklaratë të njohur si “Katërmbëdhjetë Pikat”, që do të shërbejë si bazë për traktatet e pasluftës. Ndërhyrja ushtarake amerikane, që do të fillojë në pranverë, do të jetë vendimtare për t’i dhënë fund luftës.
21 mars – Gjermanët lëshojnë sulmin e parë të një serie prej katër ofensivash, në frontin perëndimor, me shpresën që të arrijnin fitoren pëpara se trupat amerikane të zbarkonin. Ata arritën të thyejnë frontin për herë të parë që prej vitit 1914, duke kërcënuar sërisht Parisin. Francezët dhe britanikët u tërhoqën por arritën të rezistojnë.
15 korrik – Kundërofensivë fitimtare e Aleatëve në Villers-Cotterêts, ku mbështetja e trupave amerikane dhe përdorimi i tanKeve shtynë trupat gjermane përtej Marnesë, këtu fillon një tërheqje e Gjermanisë pa kthim, që përfundon me nënshkrimin e armëpushimit. Trupat aleate avancuan gjithashtu edhe në Ballkan dhe në frontin lindor.
Shtator-Nëntor – Bie një pandemi gripi e quajtur “gripi spanjoll” që do të shkaktojë vdekjen e më shumë se 20 milionë personave në të gjithë Evropën brenda dy viteve.
30 tetor – Perandoria Otomane kërkon një armëpushim, që do të ndiqet më 3 nëntor nga Austro-Hungaria.
9 nëntor – Perandori Vilhelmi II abdikon. Filluan manifestime të fuqishme në Berlin.
11 nëntor – Aleatët fitojnë. Armëpushimi me Gjermaninë u nënshkrua në një vagon, në Rethondes, dhe hyri në fuqi në orën 11:00. (materiali u mor nga ATSH)
SEDËRHOLLA E HISTORISË
(Prizreni që s’pret/
Shkruan: Rexhep KASUMAJ/ Berlin/
1.
Një qytet i lashtë ka sedër të hollë. Prekja e saj mallkon. Veçanërisht e rëndë është nëma kur mbi fytyrën e tij ka përftuar shumë lot, gjak e dhimbje njerëzore. Prizreni është njëri prej tyre, qytet i ndjeshmërisë, krenisë e kujtesës historike. Dhe ai gatitet sërish, si kryehershëm, të presë e ndijojë krerë të epërm shqiptarë. Por, konformohet vallë plotësisht caksynimi i këtyre që vijnë tani (anëtarë qeverish të të dy vëndeve), në madhështinë e historisë që ky qytet e ka për zemër? Apo do mbetet stoli e simbolikës së tij?
Dikur, aty patën zbritur misionarë kombi nga e gjithë hartografia etnike, për të përskajuar mëvehtësinë unike të tokave të Arbërit, ndërkohë që tani pararendësit e tyre latojnë një bashkëpunim mes dy shtetesh (njërit sovran, po të këputur nga bijtë e vet dhe një tjetri të gjysmëndaluar e brejtur nga çdo anë) në hapsinë ende të coptuar nacionale. Është mot tjetër, njëmend, por megjithatë një paralele shpaloset idhshëm mbi rrethnajën dhe protagonistët e saj. Ata kishin sakrificën – kurse këta veç përfitimet, ata kishin çiltërinë dëshmidhënëse – e këta kanë meskinërinë fuqimarrëse, mandej, ndërsa ata shkrinin pasurinë për idealet – këta shkrijnë idealet e shkërmoqura për pasurinë përrallore, ata jepnin vizion e shpresë – këta ravijëzojnë ëndërr e të ardhme, ata, tutje, nuk agjitonin askurrë fetë – këta, fatmjerisht, i shpërdorin për resurse pushtetare, po, në fakt, religjioni i tyre i vërtetë është religjioni i arrogancës bestiale të parasë, ata, së mbrami, nuk kishin vokacionin negativ të krahinarizmit provincial – e këta janë, përfundimisht, flamurtarë të paemancipuar të feudëve të tyre politikë.
Rrjedhimisht, ka pësuar mort klinik vetë ideja e lirisë. Dekadenca e saj gërryen e gropos themelet e qenies nacionale. Shteti e kultura janë antagonistë. Kur shteti, e pra dhe fuqia militare, shtohet, aherë zvetnohet kultura e tij. Ndaj, gjemanët janë mërzitur me shpirtin, sepse shteti gllabëron gjithçka të bukur shpirtërore. A ka libra të mirë në Gjermani? Po, Bizmarku, u thoshte Niçe me qesëndi miqëve të penës jashtë Atdheut! Poashtu dhe ndërsjelltas, kur kultura flakëron, shteti tashmë është i tërhequr në bedenat e vet modest. Kështu mendonte ai, por me sa duket, ka dhe një gjëndje të midisme, si në truallin verior të shqiptarëve: kur të dy bashkë, shteti e kultura, katandisen keq!
2.
Natyrisht, konteksti ka konstelacion e shenjëzim të rinuar. Po dhe trashëgimi të vjetër, poashtu. Shqiptarët, vegjëlia e tyre, kanë bërë tutje ndër vite. Kanë zhvilluar prapë luftëra dhe kanë kapur kurora triumfesh. Por, ndonëse lëvizën më shumë drejt interesit jetik shqiptar në fundshekull, janë gjithnjë sallonet e errëta të rezonit shtetëror, që, tash si atëherë, bëjnë të jetë akoma e trishtuar ëndrra e Burrave të shquar të Lidhjes.
A do arrijë, prandaj, ky samit i lartë guvernash të vete përtej shakullimës zhurmore të tij (Fondi i Luginës, që për dallim nga ai serbian për veriun, e ka të pasigurtë legjitimimin ndërkombëtar, pastaj Arsimi, komplementariteti ekonomik…) apo, s’do të begatojë veçse simbolikën e qytetit kujtestar? Për të pasur një paravlerësim, duhet parë se ç’objektiv është vënë përpara në këtë fillimmijëveçar të ri! Bëhet me dije se aty, në përmbyllje, do të dokumentohet një partneritet strategjik mes dy landesh shqiptare. Rëndësore, pa dyshim. Po a ngjan, ndërkaq, i denjë ky fill për ti dhënë atij përmasën e veçanësisë? Pak vështirë! Pse? Sepse strategjike janë cilësuar, pokështu, dhe raportet me shtetet e turkut e grekut. Madje, me tension emfatik e besim ardhmërie. Ku do të qëndronte, që këtej, përveç përbashkësisë plenare, e ndryshmja e relatave strategjike me Kosovën? Do të donim që prapa termit formal të diplomacisë mbarëshqiptare, të drunjtë e ngurruese, të ngjizet një marrëdhënie speciale si embrion vlere paralajmëtare. Porse, i mësuar me zhgënjimet e të vetëve dhe përbetimet e të huajve, Prizreni s’pret shumë. Ndoshta pritja e tij i përket një kohe tjetër. Një kohe që vjen. Me flijim e heronjë të rinj.
R.Kasumaj, Berlin, janar 2014
Gjakova- aty ku thyhen lindja e perëndimi
Sipas Willimsit, është tragjedi tej çdo përfytyrimi që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të katandiset në këtë gjendje, e cila meriton të quhet skandali i qytetërimit europian. “Nuk është për t’u çuditur që pushtuesi otoman ndalonte çfarëdolloj gërmimesh në tokën shqiptare, që të mund t’i kujtonin popullit lavdinë e tij të dikurshme”. (Xhorxh Fred Uilliams)
Shkruan: Fahir XHARRA/ Gjakove/
“O zot,mos lejo që në kohë të sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme ta humb durimin dhe guximin, e mbi të gjitha mos lejo ta humb drejtpeshimin”- i thoshte vetes At Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) i Gjakovës, në shënimet e tij.
Jemi në Gjakovën e vitit 1747, ishte muaji mars, një mars i bukur por që paralajmëronte diçka të kobshme. ”Lëvizjet e shpeshtuara të ushtrisë turke që bëheshin atyre ditëve dhe netëve nga Gjakova, e drejt nga Qafa e Prushit i kishin ra në sy gjithkujt, por që të gjithë ia kishin dronë ndonjë të ligeje që mund të përgatitej. E sigurt ishte që Porta lart, qëllimisht kishte zgjedhur hapësirën e Gjakovës, Malësinë së saj, Shkodrën e deri në det për të treguar qëllimet e saj dhe sajimin e një “tampon zoneje” të tmerrit, ngase përherë aty ishin thyer lindja dhe perëndimi në paraqitjen e fuqisë së tyre”… shkruante Gjon Nikollë Kazazi në fletorët e tij të asaj kohe, të cilat na i zbardhi Jusuf Buxhovi më 1982.
“ … Druaj, vëlla, se sërish do të na bjerë mbi kokë fatkeqësia e kufirit të ndarjes së dy botërave… O zot, mos lejo që në kohë të sprovave të mëdha dhe të jashtëzakonshme ta humb durimin dhe guximin, e mbi të gjitha mos lejo ta humb drejtpeshimin…”- i thoshte vetes At Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) i Gjakovës, në shënimet e tij.
“Me keqardhje“ të thellë – thoshte Kajmekami i Gjakovës, ju lajmëroj se në Gjakovë ka shpërthyer sëmundja e rrezikshme e murtajës. Ishte, më 28 mars 1747… ( Murtaja anglisht plague, turqisht veba. Forma më e shpeshtë nga Xenopsylla cheopsis e murtajës, vjen pas një pickimi të morrit të minjve. Ajo së pari i sulmon dhe i zhduk minjtë, dhe me mbytjen e tyre, e vazhdon te njeriu. Pas një inkubacioni njëjavor sëmundja shfaqet ashpër dhe mbjell vdekje. Kjo është murtaja Bubonike.) …Dhe qyteti i Gjakovës, që nga Pashtriku, deri te brenda Drinit, nga Nënshkëlzeni e deri te Lumbardhi i Deçanit, shpallej karantinë.
“…Unë, Gjon Nikollë Kazazi i biri i Pjetrit, dëshmoj për mënxyrën që na ka rënë mbi kokë dhe rrezikun të mbesim të shkëputur nga bota… Ky kërcënim lidhet me shfaqjen e murtajës për të cilën thuhet se është midis nesh, sado që ajo ende nuk është dëshmuar…(inkubacioni i pritur vazhdon f.xh.)… por shumëçka që këtu lidhet me sëmundjen, lë për të dyshuar se ajo është pjellë e ligësisë së robit….”
Pra, sëmundja ishte sjellë kastile që nga viset e largëta të Lindjes me të sëmurë, të shoqëruar me përcjellje po nga ata që e kanë derdhur sëmundjen. Kjo ishte pjesë e një loje të rrezikshme që bëhej me qëllime të caktuara nga zyrat që merreshin me shkatërrimin apo zhvendosjen e popujve, aty ku binte kufiri në mes të dy botërave.
“Çudë, për besë – fliste populli, çudë e madhe.
Flitet e përflitet për këtë të zezë sëmundje e kurrkund nuk hetohet”.. Kurse në të njëjtën kohë Kajmekami kërcënohej: ”Ata që dyshojnë në sëmundjen, janë armiq të Perandorisë dhe të gjithë ata që e hapin fjalën se nuk ka sëmundje dënohen pamëshirshëm” (?) Pritej me padurim dhe me imtësi të planifikuar të shfaqej sëmundja.
“Otomanët, meqenëse nuk arritën të krijojnë ‘njeriun e ri’ në këtë anë, i cili do të ishte i së ardhmes dhe si i tillë nuk do të kishte mendim të vetin, nuk do të kishte të kaluar, me një energji të pashtershme një ditë sjelljet e tij të mos shfaqeshin si pjesë e veprimit dhe e të menduarit sipas urdhërave”, Murtaja ishte pjellë e strategjisë. “Tek e fundit, sëmundje ka pasur dhe gjithmonë do të ketë, pse t`ua vejmë veshin gjithaq kur ato vijnë nga i madhi që mendon për të gjitha?“ e qetësonte Kajmekami parinë e Gjakovës, në marsin e vitit 1747.
“Por, koha e duhur eci dhe sëmundja u shfaq, sëmundja nuk erdhi nga zoti por nga robi, sëmundja u shfaq sipas rendit të paraparë dhe e dinin mirë ata rrjedhën e saj”- vazhdon tutje Gjon Nikollë Kazazi në shënimet e tij. Pastaj Gjakova do të bëhej varri më i madhi në botë ku dhjetëra e mijëra të dënuar me vdekje të futeshin në të.
Qytetarët habiteshin që sëmundja paraqitej në mënyrë të përzgjedhur (selektive) nëpër mëhallë të qytetit. Kishte, vallë hile edhe aty?… Sigurisht që po,hile edhe hile të mëdha
Sëmundja përhapej dhe fikej, falë gjeturisë së kundërveprimit të qetë që në të vërtetë ngërthente kundërvënien më të ashpër, jo me infrastrukturë ushtarake por me mospërfillje të urdhërave të pushtuesit.
Prurja e plakava nga Malësia që i përdornin dregëzat e nxjerra nga hunda e të sëmurit që pastaj me anë të grrithjes në lëkurën e dorës dhe fërkimit me gjakun që shfaqet, i futnin të sëmurit kundërmikrobin në trup dhe kështu i bëhej ballë sëmundjes. Plakat grrithëse ishin shpërndarë në katundet e Malësisë dhe Rekës dhe kudo i kishin grithur të sëmurët.
“Pushtuesit e dinin mirë që krahas shkombëtarizimit, asimilimit dhe shuarjes së popujve të padëgjueshëm të prekin edhe qendrat nervore ku rrënohej intelekti i tyre dhe shkaktohen çrregullime mendore dhe shpirtërore që barten brez pas brezi…”,
“Ndodhi të së djeshmes që kanë ndodhur në të nesërmen e sotme…”
Variola në Gjakovë! “Ndodhi të së djeshmes që kanë ndodhur në të nesërmen e sotme…”
Viti 1972,kur Kosova dhe posaqërisht Gjakova e pësuan një izolim të madh. Një izolim të imponuar nga një sëmundje ngjitëse vdekje prurëse Lija ( Variola Vera) .Nga një sëmundje e cila (ishte pjesë e një loje të rrezikshme që bëhej me qëllime të caktuara nga zyrat që merreshin me shkatërrimin apo zhvendosjen e popujve, aty ku binte kufiri në mes të dy botërave)
Epidemija počela u Đakovici ( Epidemia filloi në Gjakovë) ,. Pse mu në Gjakovë ?
E tëra filloi në Kosovë, kur shqiptari , Ibrahim Hoti nga Gjakova, kthehej nga haxhillëku prej Mekës- i kujtohet prof.dr. Svetomir Samargjiçit, atëherë mjek i ri ( S media ,10.03.2012) ,sot profeso i epidemiologjisë ne Fakultetin e Mjeksisë në Mitrovicë)…
. Eksperti më i madh në botë i Variola Veres , Donald Henderson vjen në vizitë.
Maj 1972- Mbaron epidemia, të infektuar 175 vetë dhe 35 të vdekur. ( Telegraf,18.03,12)
”Ibrahim Hoti dhe 12 haxhinj të tjerë ishin edhe 5 ditë tjera në Irak . Edhepse e dinin që atje ka raste të Varioles.Kur u kthye nga Qabja i kishte do shenja të sëmundjes , edhe pse dy muaj më herët ishte vakcinuar. Nuk dihe se sa njerëz janë infektuar nga ai (S Media)”
Profesori Samargjiç thoshte se në muaj e ardhshëm u zvoglua ndjeshëm numri i të sëmurëve,dhe shteti e dha urdhërin që të ndërprite shtetrrethimi për Gjakovën për shkak se afrohej sezoni turistik. Kroacija bënte presion të madh ,që të mos përhapej lajmi në Europë, për shkak të turizmit bregdetar kroat. Ne nuk e dinim kanë përfunduar me komplikime ,por pastaj filloi dyshimi se mos po luanin me ne.( ”meqenëse nuk arritën të krijojnë ‘njeriun e ri’ në këtë anë, i cili do të ishte i së ardhmes dhe si i tillë nuk do të kishte mendim të vetin, nuk do të kishte të kaluar, me një energji të pashtershme një ditë sjelljet e tij të mos shfaqeshin si pjesë e veprimit dhe e të menduarit sipas urdhërave” fxh)
Si filloj sulmi i tretë? . (“Por, koha e duhur eci dhe sëmundja u shfaq, sëmundja nuk erdhi nga zoti por nga robi, sëmundja u shfaq sipas rendit të paraparë dhe e dinin mirë ata rrjedhën e saj” fxh).Prezantimi i rasteve të helmimit të foshnjave 3 vjeçare nga entet parashkollore në qytetin e Gjakovës, e detyroi atë të ndërroj qëndrimin duke deklaruar: “Më duhet të sajoj diçka”!.“
Helmimet nëGjakovë me gazra toksike nga ana e qeverisë Jugosllave, doktrinës serbe, ndodhën në pranverën e vitit 1990 ku u helmuan me mijëra të rinj, kryesisht nxënës e në mesin e tyre kishte edhe foshnje në entët parashkollore. Fillimisht në Gjakovë.Qeveria jugosllave asokohe doli me kumtesë zyrtare se në Kosovë nuk pati helmim, por e gjithë kjo ishte: “Një inskenim i përgatitur nga separatistët shqiptarë”. Të helmuarit u quajtën aktorë të Kanës! Mjekët serb thyen rëndë kodeksin dhe Betimin e Hipokratit, duke refuzuar mjekimin e të helmuarve shqiptarë. Si reagim ndaj këtijë raporti, në Zagreb, në muajin qershor të vitit 1990, u mbajt simpoziumi me emër: “Kosova sprovë e ndërgjegjes mjekësore” Organiztor Dr. Besnik Bardhi ,Gjakovë). Në atë simpozium morën pjesë shumë ekspertë të mjekësisë nga mbarë Jugosllavia. Gjatë punimeve të këtij simpoziumi dolën në pah shumë fakte që tregonin se në fakt në Kosovë është kryer një helmim masiv i rinisë shkollore.
Argumenti më bindës në këtë simpozium padyshim, ishte publikimi i substancës kimike Dimetil phosphoditionat, e izoluar në mostrat e urinës nga të helmuarit e Kosovës, nga ana e Franjo Pllavshiqit, toksikolog dhe biokimist nga Zagrebi. Këtyre zbulimeve duhet shtuar edhe deklarimin e mjekut francez Benedetti, i cili tha: “Në Kosovë pati helmime. Në Kosovë, gjatë pranverës, me qëllim janë helmuar 3000 nxënës me gaz deri tani të pa identifikuar”[citim i duhur]. Ky mjek gjatë qëndrimit në Kosovë kishte pohuar se ka zbuluar molekula klororganike gjatë analizave që i bëri në dy laborator të Parisit nga mostrat e gjakut të fëmijëve të helmuar nga Kosova. Sipas tij, “ky krim është bërë nga agjentët e Beogradit, me siguri agjentët ushtarak “ (,Floart,2000)… Druaj, vëlla, se sërish do të na bjerë mbi kokë fatkeqësia e kufirit të ndarjes së dy botërave…
Gjakova Themelimi dhe zhvillimi i qytetit
Gjakova shtrihet në arterien kryesore të Dukagjinit, ndërmjet qyteteve Prizren – Pejë, e që nga të cilat ka një largësi 37,3 km, përkatësisht 36 km. Qysh në kohën e lashtë nëpër këtë venbanim kalonte pjesët e rrugës Via de Zenta, që ishte një ndër rrugët kryesore të Ballaknit. Kjo rrugë filllon nga Shën Gjini në Detin Adriatik, vazhdon nëpër luginën e Drinit të Bardhë në drejtim të Prizrenit dhe shkon në lindje nëpër Kosovë, Nish, Sofje për të përfunduar në Konstandinopojë. Gjakova shtrihet në bregun e majtë të Erenikut, në platonë neogjene, në të anët e përroit Krena dhe në lindje të pllajës së Çabratit, me një lartësi mesatare detare prej 365 metra. Ajo gjendet ndërmjet gjerësisë gjeografike 42,22 shkallë dhe gjatësisë gjeografike 20.26 shkallë. Në drejtim të këtij qyteti gravitojnë katundet e afërta të fushë-gropës së Gjakovës dhe të rrëzës së saj.
Gjakova me rrethinën e saj në kohën që e kemi në shqyrtim, përfshinte një territor shumë më të gjërë sesa ka sot. Kështu, në pjesën veriore shkonte deri te fshati Isniq, duke i përfshirë edhe Rekën e Madhe dhe Rekën e Keqe, në lindje kapte Dushkajën, në jug një pjesë të mirë të Hasit dhe në perëndim tërë Malësinë e Gjakovës deri te Malësia e Shkodrës. Kjo sipërfaqe kaq e gjërë ishte jo vetëm e pasur, por edhe e banuar dendur me popullsi e cila sipas shumë udhëpërshkruesve, diplomatëve dhe shkencëtarëve të kohës, ishte e shëndoshë, e pashme, e zhdërvjellët, trime dhe liridashëse. Këto elemente ia kanë shtuar rëndësinë qytetit dhe e kanë bërë atë një qendër me rëndësi ekonomike e politike, të njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë Perandërinë Osmane. Në këtë hapësirë, sipas të dhënave që dalin – nga hulumtimet tona, përfshihen vetë qyteti me këto tërësi rajonale: Gjakova me fshatrat e afërta përreth, Reka e Madhe dhe Reka e Keqe, Malësia e Gjakovës, Hasi dhe Dushkaja. Secili nga këto rajone kishte një numër të caktuar fshatrash.
Edhe pse në Gjakovë dhe rrethinën e saj deri më sot nuk janë bërë gjurmime arkeologjike, megjithatë, janë gjetur mbeturina të kulturës materiale antike. Në anën e majtë të Drinit të Bardhë, te Gradisha, ndodhen gjurmët e një vendbanimi nga periudha ilire.Të dhënat e pakta flasin se kjo trevë ka qenë e banuar në kohën e vjetër, natyrisht me ilirë (dardanë), ndërsa elementi romak ka qenë i vendosur në postkomanda. Gjakova si vendbanim me këtë emër (edhe pse besohet se ka egzistuar edhe më herët) përmendet për herë të parë në vitit 1348 dhe bënte pjesë në ziametin e Deçanit së bashku me Rugovën.
Histori: Çfarë ka ndodhur më 30 tetor?
1961 – “për shkak të shkeljeve të porosive të Leninit, trupi i Stalinit vendoset në një varr të thjeshtë”/
Nga Astrit LULUSHI*/
1885 – Lindi Ezra Weston Loomis Pound – poet amerikan, kritik i lëvizjes moderniste; kërkonte kthim në vlerat klasike në saktësi, qartësi, ekonomi të gjuhës. Punimet më të njohura të tij përfshijnë “Ripostes” dhe “Cantos” të pa përfunduara. Ezra Pound ishte amerikan i mërguar; në Londër e Paris në fillim të shekullit të 20-të, ku punoi si redaktor i disa revistave letrare amerikane dhe ndihmoi për të zbuluar e popullarizuart shkrimtarë si TS Eliot, James Joyce, Robert Frost, Ernest Hemingway; “Ezra mbron miqtë kur sulmohen; rri zgjuar gjithë natën me ta kur pretendojnë se janë duke vdekur; heq nga kokat e tyre idenë për të vrarë veten; merr përsipër shpenzimet spitalore; nxit botuesit për të marrë librat e tyre”, ka shkruar Hemingway për Ezrën. I revoltuar nga vrasjet e shumta në Luftën e Parë Boterore, midis dy luftrave Ezra Pound, hebre, përqafon fashizmin e Benito Musolinit dhe shpreh mbështetje për Adolf Hitlerin; ai bëhet folës radioje me pagesë nga qeveria fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore për qindra transmetime kundër Shteteve të Bashkuara. Më 1945, Ezra arrestohet për tradhti nga forcat amerikane në Itali; u mbajt në paraburgim në një fushim ushtarak amerikan në Pisa, ku 25 ditë i kaloi jashtë në natyrë në një kafaz të ngushtë, me shufra hekuri. Kjo i shkaktoi një krizë nervore; mjeku e shpall të paaftë mendërisht për të dalë në gjyq dhe dërgohet në spitalin psikiatrik St Elizabeths në Uashington, DC, ku mbahet për 13 vjet si pacient dhe i burgosur. Në paraburgim në Pisa, Ezra shkroi pjesën e Cantos, e njohur si “Pisan Cantos”, për të cilat, më 1949, Biblioteka e Kongresit e nderoi me Çmimin Bollingen, duke shkaktuar polemika të shumta. Ezra doli nga spitali në vitin 1958 dhe u kthye në Itali, ku jetoi deri sa vdiq më 1972. Pikëpamjet politike bënë që puna e Ezras të mbetej në hije. Ernest Hemingway, megjithatë shkroi se “vepra më e mirë e tij – Cantos – do të qëndrojë për aq kohë sa ekziston letërsia”.
Nga Ezra Pound
– “Imoralitet”
(shqipërim)
“Këndo për dashuri e plogështi,
Çdo gjë tjetër është pa vlerë
Në shumë vende kam qenë
Mes njerëzve s’pashë gjë tjetër.
Do t’ pranoja më mirë ëmbëlsi
Lulesh zije të vyshkura.
Sesa të bëj punë të mëdha
që njerëzit të më dallonin.”
1938 – Orson Welles transmeton në radio pjesën e dramatizuar Lufta e Botëve, nga libri H. G. Wellsit, duke shkaktuar një valë paniku mes audiencës, e cila mendoi se pjesa që luhej ishte emision lajmesh ku spikeri thoshte se planeti po sulmohet nga jashtëtokësorët.
1953 – Lufta e Ftohtë: Presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower miraton zyrtarisht dokumentin tepër sekret të Këshillit të Sigurisë Kombëtare , ku urdhërohet që arsenali amerikan i armëve bërthamore duhet të ruhet dhe të zgjerohet për t’iu kundërvënë kërcënimit komunist .
1961 – Sovjeti suprem i Bashkimit Sovjetik vendosi se për shkak të “shkeljeve të porosive të Leninit”, trupi i Joseph Stalinit të hiqet nga vendi i nderit brenda mauzoleut të Leninit dhe të vendoset në një varr të thjeshtë pranë murit të Kremlinit.
1993 -Vdiq në Londër Peter Kemp – ushtar, shkrimtar dhe gazetar. Kemp u arsimua në Cambridge. Si konservator e monarkist i alarmuar nga përhapja e komunizmit dhe në vitet 1930 ndërpret studimet e shkon në Spanjë, ku u bashkua me forcat nacionaliste spanjolle. Gjate luftës se dytë botërore, Kemp merr pjesë në operacionet speciale britanike ne Shqiperi e Kosovë. Më 1956, ai u ndodh në Hungari dhe raportoi si gazetar mbi revolucionin hungarez dhe shtypjen që i bënë tanket sovjetike; Kemp ndihmoi shumë studentë hungarezë për të ikur në Austri, duke i shpëtuar ata nga vdekja e sigurt. Peter Kemp ishte i pranishëm në Kongon Belge gjatë trazirave që çuan në pavarësinë e Zairese; ai mbuloi revolucionet në Amerikën Qendrore dhe Jugore si korrespondent i jashtëm për revista a gazeta britanike. Libri i tij i parë ‘Mine was Trouble’ përshkruan përvojat në Luftën Civile të Spanjës. Libri tjetër, ‘No Colours or Crest’ tregon përvojat gjatë kohës së luftës së dytë botërore kryesisht në Shqipëri, Më 1990, 3 vjet para se të vdiste, Peter Kemp Kemp përfundoi edhe autobiografinë me titull ‘The Thorns of Memory’.
Mendim i ditës
“Letërsia është lajm që mbetet lajm”.
Ezra Pound
(Kortezi:VOA)
Histori: Çfarë ka ndodhur më 25 tetor?
Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej dekadash në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri para vitit 2010/
Nga Astrit LULUSHI/
1400 – Geoffrey Chaucer vdiq në Londër në moshën 57 vjeçare; i njohur si Ati i letërsisë angleze; poeti më i madh i anglishtes së mesjetës; i pari i varrosur në Këndin e Poetëve në Westminster Abbey. Sa ishte gjallë, Chauser fitoi famë si; shkrimtar, alkimist, filozof, astronom; ishte edhe nëpunës civil, shërbyes publik, burokrat, oborrtar, diplomat. Ndër veprat e tij të shumta, më e njohura është Përralla të Kanterbërit (Canterbury Tales). Chaucer është figurë e rëndësishme në zhvillimin e legjitimitetit të anglishtes, kur gjuhët mbizotëruese letrare në Angli ishin frëngjisht e latinisht. Fjalët e para anglisht të provuara në perdorim vijnë nga Chauceri (pasi ai është i pari që i ka lënë me shkrim) – Ato janë rreth dy mijë fjalë; kjo nuk do të thotë se Chauseri ishte i parI që i futi ato në anglisht; por se për herë të parë janë gjetur në dorëshkrimet e tij; nisur nga kjo, shkencëtarët filologë nxjerrin se disa prej këtyre fjalëve kanë qenë në të folurën e përditëshme në shekullin e 14-të (sidomos në Londër), por edhe në pjesë të tjera të Evropës. Shumë nga fjalët në dorëshkrimet e Chaucerit të shekullit të 14-të, përdoren edhe sot: accident, agree, border, box, desk, digestion, dishonest, examination, finally, flute, funeral, galaxy, horizon, observe, session, superstitious, theatre, universe, vacation, vulgar, etj, janë disa prej tyre.
1881 – Lindi Pablo Pikaso, piktor dhe skulptor spanjoll (vd.1973). Pikaso, Henri Matisse dhe Marcel Duchamp konsiderohen si tre artistët të cilët me mënyrat e tyre orgjinale në artet plastike në dekadat e para të shekullit të 20-të, janë përgjegjës për zhvillime të rëndësishme në pikturë, skulpturë dhe artin e qeramikës. Pikaso ishte jashtëzakonisht pjellor në artin e tij. Numri i përgjithshëm i veprave që ai ka prodhuar arrijnë në rreth 50-mijë. Punimet e Pablo Pikasos janë ekspozuar prej kohësh në shumë vende nëpër botë, por kurrë në Shqipëri, para vitit 2010, kur pikturat e tij u bënë pjesë e një ekspozite në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Koleksioni prej 71 veprash, (me vlerë prej 26 milionë dollarësh), përveç Pikasos, kishte punime në kanvas nga artistë të tillë si; Paul Klee, Renee Magritte, Marc Chagall, Piet Mondrian, Francis Bacon, Anthony van Dyck, dhe Guido Reni, Andy Warhol etj. Këto piktura, pronë e koleksionistit Italian Francesko Martani, u ekspozuan në Shqipëri, më 2010, në kuadër të veprimtarive kulturore gjatë muajit të miqësisë italo – shqiptare.
1971 -Kombet e Bashkuara anëtarësojnë Republikën Popullore të Kinës dhe përjashtojnë Republikën e Kinës (Taivanin). Rezoluta e paraqitur nga Shqipëria, u mbështet nga shumica e vendeve komuniste, përfshi Bashkimin Sovjetik dhe vende të paangazhuara si India, së bashku me disa vende të Evropës Perëndimore, përfshi Britaninë dhe Francën, më vonë edhe Shtetet e Bashkuara.
2004 – Fidel Kastro, shpall se duke filluar nga 8 nëntori, në Kubë do të ndaloheshin transaksionet me dollarë – në dyqane do të pranoheshin vetëm pesot kubaneze. Kjo masë, tha presidenti kuban, është në përgjigje të politikave të ashpra amerikane ndaj këtij ishullit, dhe nuk do të prekë monedhat e tjera të huaja si euron, dollarin kanadez dhe sterlinën angleze.
Mendim ditës
“Fajtori mendon se gjithçka që flitet ka të bëjë me të.”
Geoffrey Chaucer