Nga Prof. Kolec Topalli/
Pakkush e ka ditur se Mustafa Kruja kishte hartuar një studim analitik për njërën nga veprat monumentale të gjuhës shqipe, “Fjalorin Latinisht-Shqip” të Frano Bardhit . Madje, të paktë janë ata që e kanë njohur kontributin e këtij dijetari në fushë të gjuhësisë. Arsyeja e vetme për këtë është mveshja e tërë jetës kulturore shqiptare me petka politike në regjimin e kaluar diktatorial të 50 vjetëve të shkuara. Në rastin e këtij dijetari pjesëmarrja në jetën politike qe pengesë për ta bërë të njohur dhe për të vlerësuar veprimtarinë e tij shkencore në fushë të gjuhësisë, duke pasur vepra dhe emri i tij për një gjysmë shekulli fatin e Nikollë Gazullit të pushkatuar, të Selman Rizës, Tahir Dizdarit, Myqerem Janinës, Frano Illisë e Vexhi Buharasë të burgosur, të Martin Camajt, Arshi Pipës e Namik Resulit të arratisur, e shumë lëvruesve të tjerë të gjuhës, që u lanë në harresë, u ndoqën e u persekutuan duke mbetur vepra e tyre e panjohur, për të vetmen arsye se u gjykuan si të padëshiruar politikisht për regjimin e diktaturës komuniste. Prandaj sot kemi nevojë për kontributin e tyre. Kemi nevojë për njerëzit që kanë punuar për zhvillimin e shkencës e të kulturës, veprat e të cilëve u mohuan ose u shformuan duke ngritur në vend të tyre idhujt e rremë të diktaturës, që kanë jetë aq sa mund të mbahet në këmbë vetë diktatura. Kjo politikë, që u ndoq nga shteti totalitar për një gjysmë shekulli, e varfëroi shkencën e kulturën shqiptare, i hoqi asaj një pjesë të traditës e të bashkëkohësisë. Në një kohë kur shkenca jonë kishte nevojë për të gjithë, zbatimi i luftës së klasave në fushën e shkencës e të kulturës, i ndau krijuesit në kampe armiqësore.
Duke ua lënë historianëve të paanshëm të gjykojnë për aspektin politik të Mustafa Krujës, le ta analizojmë atë për kontributin që ka dhënë në fushën e gjuhësisë, duke u përpjekur të hedhim pak dritë mbi veprën e tij të errësuar nga vitet, e të pluhurosur nga harresa e qëllimshme. Një analizë e tillë do të kërkonte shqyrtimin e çdogjëje që ka shkruar ky dijetar për gjuhën shqipe, duke përfshirë edhe aktivitetin e tij për krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Në pamundësi ta bëjmë këtë brenda një kumtese, do të përqendrohemi në studimin e tij për njërin nga monumentet më të lashta e më të vyera të gjuhës e të kulturës sonë, Fjalorin Latinisht-Shqip të Frano Bardhit.
T’i studiojmë veprat e shkrimtarëve të vjetër me frymën e gjuhës letrare aktuale, për dobinë që kanë ato për të sotmen, dhe të marrim prej tyre gjithçka pozitive që mund t’i shërbejë gjuhës shqipe. Ky është mesazhi që na jep Mustafa Kruja në studimin e tij analitik për Fjalorin e Bardhit, vlerat e të cilit mund të shqyrtohen në shumë këndvështrime: për pasurinë leksikore dhe elementet e prozodisë, për strukturën morfologjike e ndërtimet sintaksore, për aspektin fonetik e fjalëformues, për etimologjinë e të dhënat dialektore, të para të gjitha në raportet dhe dimensionet gjuhësore të disa shekujve më parë krahasuar me shqipen e ditëve tona. Dhe në çdo fletë të këtij studimi shfaqet figura e eruditit me dije të gjera në fushë të gjuhës, me njohje të thella në lëmë të historisë, përdoruesi i mirë i disa gjuhëve të reja e të vjetra, analisti i hollë i materialit gjuhësor, intelektuali me horizont e kulturë të gjerë. Të gjitha këto cilësi, që shfaqen në këtë studim analitik të veprës së Bardhit, e radhisin autorin si njërin nga historianët e gjuhës dhe filologët më të mirë të kohës duke marrë parasysh se kur u hartua vepra, para 53 vjetësh, nuk kishte dalë në dritë ende transkriptimi dhe transliterimi i “Mesharit” të Gjon Buzukut, as nga Namik Resuli dhe as nga Eqrem Çabej .
Duke shqyrtuar kontributet e këtij gjuhëtari simbas fushave, në fushë të leksikut, për shumë fjalë që ka Fjalori i Bardhit, janë shënuar kuptimet e veçanta që dalin nëpër të folme të ndryshme të shqipes duke bërë vërejtje edhe për formën më të përshtatshme që duhet përdorur në gjuhën letrare, si edhe për të tjerat që duhen nxjerrë nga përdorimi. Kështu, vetëm për emrin bae, që ka Bardhi për lat. “ballista”, ai jep 10 sinonime të ndryshme, të mbledhura në Lumë, Krujë e Mat, te Buzuku, Meyeri, Kristoforidhi, Weigandi e Manni . Për lidhëzën asgjamangu , si përkthim i latinishtes nihilominus shënon se nuk ndëgjohet askund në gojë të popullit e s’këndohet veçse rrallë ndër shkrime, prandaj s’duhet përdorë, se asht krejt e panevojshme. Dhe vërtetë kështu ndodhi. Ky krijim autorësh, përkthyer prej latinishtes, nuk hodhi rrënjë në gjuhën shqipe.
Për prozodinë e shqipes ai vë në dukje, nga njëra anë, rastet e nevojshme të përdorimit të theksave, sidomos për zanoret hundore të gegërishtes, dhe nga ana tjetër, rastet kur theksat janë përdorur pa nevojë nga Bardhi si rezultat i ndikimit të italishtes. Në komentet që i bën emrit ar, duke e quajtur të panevojshëm përdorimin e theksit për të shënuar gjatësinë, ai shënon: “çdo rroke e vetme a mbarimtare dhe e theksueme qi mbyllet me r âsht e gjatë” . Me këtë konstatim Kruja ka ligjësuar një rregull që sot përfshihet në fonetikën e sotme dhe historike të gjuhës shqipe.
Për gjuhën letrare shqipe, Kruja u përpoq të gjente forma të përbashkëta për të dyja dialektet duke shmangur format krahinore. Ja si shkruan ai me rastin e komentit që i bën ndajfoljeve aq, kaq: “A s’kishte me na kshillue arsyeja me shkruem vetëm aqë, Gegë e Toskë … për me i dhanë fjalës nji formë kombtare të vetme?” . Ai jep rekomandime edhe për shumë fjalë të tjera, duke zgjedhur vetëm njërën prej tyre, që duhet përdorur në gjuhën letrare, si p.sh.: lavdar përkundrejt lavdëtar, ushtar përkundrejt ushtëtuer, lavd përkundrejt laft, i sëmunë përkundrejt i sëmût etj. .
Për fonetikën historike Kruja ka shpjeguar rrugën e formimit të disa grupeve bashkëtingëllore, si p.sh. në fjalët: bdarë, dëbarë, vdarë, darë e bdorë, dëborë, xborë, vdorë, borë, duke shënuar se për gjuhën letrare duhet përdorur forma borë, një parim që e ka ndjekur sot gjuha shqipe . Vëzhgime të holla e kanë çuar Krujën në shumë raste te forma e saktë fonetike e fjalës. Sjellim si shembull emrin dënar, për të cilin diskutimin nëse zanorja e parë është shkruar nga Bardhi me ë apo e, Kruja e zgjidh me citimin e një forme tjetër të këtij Fjalori, ku është shkruar dnar, formë që dëshmon se latinishtja denarius e ka errësuar zanoren -e në -ë, përndryshe ajo nuk do të kishte rënë, ndërsa për historinë e fjalës ai shënon se prania e këtij emri te Bardhi do të thotë se termi pará i marrë nga turqishtja, nuk kishte hyrë ende në gjuhë në kohën kur shkruante Bardhi . Gjithnjë në këtë fushë, te mbiemri i kërshtenë, Kruja vë re me mprehtësi lëvizjen e sonantes, që e gjen edhe te ndajfolja gërqisht përkundrejt emrit Greqi, duke shpjeguar se një lëvizje e tillë bëhet për lehtësi shqiptimi . Kurse te emri mëndash, përkundrejt formave me grupin -fsh- të autorëve më të hershëm dhe të folmeve të tjera, ai vëren me të drejt se rrëgjimi i grupit bashkëtingëllor -fsh- në -sh-, që është karakteristik për të folmen e Shkodrës, është mjaft i vjetër, me zanafillë shekullin XVII, kur Bardhi botoi Fjalorin e tij .
Në fushë të morfologjisë, për paradigmën e emrave femërorë me temë në bashkëtingëllore, si djep ~ djepja, shëndet ~ shëndedja shënon përhapjen e tyre në krahina të ndryshme të vendit tonë dhe format e shumëllojta me të cilat shfaqen . Vërejtje të tilla ka edhe për shtrirjen e formës së vjetër të rasës kallëzore, ku mbaresa i ngjitet drejtpërdrejt temës së emrit. Duke u mbështetur në disa raste ku përdoret mbaresa e re -in, në vend të më së vjetrës -në, Kruja arrin në përfundimin se mbaresa e vjetër ka filluar t’ia lëshojë vendin mbaresës së re që në shekullin XVII, kur shkruante Bardhi. Përfundime të tilla shkencorisht të drejta mjerisht nuk janë përfshirë në studimet tona të historisë së gjuhës. Kronologji të tilla me interes shkencor jep Kruja edhe për përemrin pyetës e lidhor cili . Duke u mbështetur në format me s- dhe me c-, që i gjurmon te Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, ai arrin në përfundimin e drejtë se format të sijtë dhe të cillët janë dy forma që kanë dalë nga evolucioni i këtij përemri, duke qenë forma me s- më e vjetra, që del te Buzuku, kurse forma me c- më e re, që shfaqet për herë të parë te Budi e pastaj tek autorët e tjerë pas tij. Përfundime me interes ka edhe për mbiemrat prejpjesorë. Në sintagmën ujë të shëllimë , ai bën dallimin e mbiemrave me kuptimin e pjesores së tashme, që ndërtohen me prapashtesat -të, -shëm dhe atyre me kuptimin e pjesores së shkuar, që ndërtohen me prapashtesat -në, -m, si: i kulluet e i kulluem, i thatë e i tham, i shkueshëm e i shkuar, dallim që shpeshherë edhe në ditët e sotme nuk bëhet i qartë, kur thuhet gabimisht njeri i papërtuar për i papërtueshëm, fjalë me burim të diskutuar për fjalë me burim të diskutueshëm, vlera të paçmuara për vlera të paçmueshme, ujë i kulluar për ujë i kulluet etj. Kështu, duke përdorur mbiemra me të dyja prapashtesat e pjesores, njërën me kuptimin e së tashmes dhe tjetrën me kuptimin e së shkuarës, mund të bëhet dallimi ndërmjet një gjendjeje të përhershme dhe një gjendjeje të krijuar. Kështu, p.sh. mbiemrat i hapët e i hapur, kanë kuptime të ndryshme në sintagmat fushë e hapët që do të thotë “e gjerë, e madhe” dhe fushë e hapur, që do të thotë “e krijuar nga shpyllëzimi”; ose rrasë e lëmuet, që do të thotë se ka qenë gjithnjë e tillë nga natyra, dhe rrasë e lëmuar, që do të thotë se është lëmuar nga dora e njeriut. Për të njëjtën arsye duhet thënë ngjyrë e çelët ose e hapët por jo e çelur a e hapur; por, nga ana tjetër, duhet thënë derë e çelur ose derë e hapur.
Për etimologjinë e shqipes, për shumë fjalë të prejardhura e të përngjitura, nëpërmjet një analize fjalëformuese, Kruja ka mundur të zbërthejë elementet e tyre përbërëse. Kështu, tek emri vajzë dallon prapashtesën zvogluese -zë të gjinisë femërore, dhe te emri urith dallon të njëjtën prapashtesë të gjinisë mashkullore. Pjesëzën as e zbërthen në grimcën a dhe mohuesen s’. Për emrin bletëzë, që Bardhi e përkthen me lat. “betulae”, ka shumë vërejtje dhe përqasje etimologjike me lëpjetën e shqipes, që nuk mund të lihen pa u përmendur në një analizë të kësaj fjale . Për emrin e kafshës bukël, duke ecur në hulli të Meyerit, që e lidh me mbiemrin e bukur, vë në dukje mjaft forma dialektore që e bëjnë më të besueshme këtë etimologji, si: buklëz, bishtfurkabukur, nuse e bukur, nuse e lalës, forma që përmenden edhe në studimet e Çabejt për këtë fjalë . Për emrin dëludh, që Bardhi e ka për lat. “inundatio”, duke diskutuar për etimologjinë e saj, Kruja shënon me të drejtë se tue qenë edhe rranja diluvium rrokja e parë âsht dë e jo de. Me këtë analizë etimologjike është përcaktuar edhe forma fonetike e fjalës. Shumë vite më vonë, në këtë përfundim do të arrinte Çabej nga një pikënisje tjetër, nga të folmet e diasporës, duke u shprehur: “Për sa i përket pikësëpari formës së fjalës, mbi dëshminë e arbërishtes së Italisë leximi me -ë- në rrokjen e parë, ashtu si e jep Meyeri, mund të jetë i drejtë” . Për foljen dëpërtoj, për të cilën ende nuk ka një etimologji të saktë, ka dhënë mendimin se mund të vijë nga një tejpërtej, një mendim që e përmend edhe Çabej në analizën etimologjike të saj, ndonëse pëlqen dy baza të tjera . Për emrin fang, që Bardhi e jep me kuptimin “planities”, Kruja jep burimin e drejtë nga italishtja fango me kuptimin “baltë”, një etimologji që e kanë dhënë më parë Miklosichi e Helbigu dhe e pranon Çabej më vonë . Për emrin lefmëz, duke cituar formën e thjeshtë lehmë, që citon Manni nga Ksilandri, shënon burimin e saktë nga folja leh, si një emër foljor me prapashtesën -më . Për emrin perëndí, Kruja jep këtë shënim me rëndësi për burimin e fjalës: “s’ka dyshim qi në themelt ka qenë nji emën abstrakt, qi donte të thonte nji cilsi, nji veçori, veçorinë e atij qi mbretnon, qi urdhnon, qi sundon, si del në frazën “arthtë perëndia jote”. Kuptimi i sotshëm duket se asht tepër i ri” . Për saktësinë e këtyre konstatimeve le ta krahasojmë sa shkruan shumë vite më vonë Çabej: “Kuptimi i kryehershëm ka qenë ai i një abstrakti më -í “të qenët zot, zotëri, zotërim, sundim. Nga ky kuptim u zhvillua me kohë një nomen agntis “zotëronjës, zot” .
Për toponiminë historike, mbështetur në materiale gojore të mbledhura nëpër krahina të ndryshme, Kruja ka mundur të zbërthejë disa toponime, sidomos në krahinë të vendlindjes. Sa për shembull, sjellim emrin e fshatit Cudhî, të cilin e lidh me emrin cudhî për “judaeus” që ka Fjalori i Bardhit, duke e shpjeguar emrin e këtij fshati të Malësisë së Krujës me gojëdhënën që tregon se banorët e tij e kishin tradhëtuar Skënderbeun, prandaj u quajtën xhudhinj, që më vonë u shndërrua në Cudhî .
Së fundi, për etnogjenezën e popullit tonë ka rëndësi vërejtja e tij në polemikë me Selman Rizën se emrin shqip nuk e ka përdorur Bardhi në Fjalorin e tij, një përfundim në të cilin kemi arritur edhe pas një hulumtimi me kërkimet e sotme kompjuterike.
Me këtë studim Mustafa Kruja është në hulli të traditave më të mira të shqipes kur kërkon pasurimin e saj me leksema të reja, me kuptime dhe stilema plotësuese, kur kërkon vendosjen dhe respektimin e rregullave të strukturës gramatikore, kur kërkon normëzimin e gjuhës letrare dhe përzgjedhjen e formave ndërmjet trajtave të shumta dialektore. Në shumë raste ai bën krahasime të qëlluara me Buzukun, Budin e Bogdanin, me Fjalorin e Kristoforidhit, të Shoqnisë Bashkimi, të Stjuart Mannit e Cordignanos, me Meyerin e Weigandin, si edhe me të folme dialektore të Veriut e të Jugut, të Kosovës e Çamërisë, me ato të vendlindjes dhe të diasporës, një parim që është ndjekur edhe më vonë në studimet e kësaj natyre.
Kemi bindjen se, në qoftë se ky studim do të ishte botuar në kohën kur u shkrua, para 50 vjetësh, filologjia e asaj kohe dhe e viteve të mëvonshme do të kishte përfituar shumë prej saj. Dhe meqenëse ajo e pa dritën e botimit një gjysmëshekulli më vonë, le t’i japim asaj bashkë me autorin vendin që meriton.
BIBLIOGRAFI
Cordignano, Fulvio
– Dizionario albanese-italiano e italiano-albanese (il nuovo Jungg), Parte Albanese-Italiana. Milano, 1934 (Alb.-It.).
– Dizionario italiano-albanese. Scutari, 1938 (It.-Alb.).
Çabej, Eqrem
– “Meshari” i Gjon Buzukut (1555) I, II. Tiranë, 1968 (Meshari).
– Studime gjuhësore. Prishtinë, I 1976, II 1976, III 1976, IV 1977, V 1977, VI 1977, VII 1986 (SG).
– Studime etimologjike në fushë të shqipes. Tiranë, I 1982, II 1976, III 1987, IV 1996, V (i pabotuar), VI 2002, VII 2006 (SE).
Fialuer i Rii i Schypés Perbaam Préi Shocniiét t’ Bashkimit. Shkodër, 1908.
Kristoforidhi, Kostantin
– Fjalor shqip-greqisht (ribotuar prej A. Xhuvanit). Tiranë, 1961 (Fj.).
Kruja, Mustafa
– Nji studim analitik: gjuha e Frang Bardhit dhe shqipja moderne. Tiranë, 2007 (Bardhi).
Mann, Stuart E.
– A historical Albanian and English Dictionary. London, 1938 (Dict.).
Meyer, Gustav
– Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg, 1891 (EW).
Ressuli, Namik
– Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Città del Vaticano, 1958 (Messale).
Weigand, Gustav
– Albanesisch-deutsches und deutsch-albanesisches Wörterbuch. Leipzig, 1914 (Wört.).