Nga Aristotel Mici/
Meditim/
Qe një lumturi dhe një gëzim mbarëkombëtar, që ngritja e Flamurit tonë, më 28 Nëntor 1912, u shoqërua me Himnin e tij. Po, ku e gjetën dhe si e gjetën përfaqesuesit e gjithe trevave të Shqipërisë këtë Himn për ta shoqeruar ngritjen e Flamurit Kombëtar?
Përgjigjen më të mirë për këtë pyetje dhe mendimin me të plotë për zanafillen e Himnit të Flamurit e jep Prof.Vasil Tole, kompozitor dhe ekspert i etnomuzikologjisë, me librin e tij titulluar Himni Kombëtar , të botuar pak kohë më parë në Tiranë, që është redaktuar nga akademiku Jorgo Bulo dhe Prof. Fatmir Hysi. Në këtë vepër studimore, unikale për llojin e saj, autori ka mbledhur shumë dokumente letrare dhe muzikore, po në mënyrë të veçantë është mbështetur tek një studimi i lirikut të madh të poezisë shqiptare, Lasgush Poradeci, i cili, tok me poezinë e vet na la trashëgim edhe një studim monografik me titull “Himni i Flamurit dhe Gjeneza e Tij” . Gjurmimet e para të Prof. V. Toles drejt këtij libri studimor “Himni Kombëtar” i gjejme qysh në nëntorin e vitit 2003, kur ai do të botonte në gazetën “Illyria” artikullin “Asdreni është autori i tekstit të Himnit të Flamurit”. Mendimet e L.Poradecit për gjenezën e Himnit të Flamurit, Prof. Tole, do t’i vinte, jo vetëm në qendër të artikullit, po edhe të veprës se fundit, që po flasim “Himni Kombëtar” . Sipas L. Poradecit, Himi është i lidhur ngushtë me krijimin e grupit të këngëtarëve shqiptarë të mërgimit në Bukuresht. “Prej gjirit të këtij grupi mori lindjen Himni Kombëtar i shqiptarëve.- Ky himn, shkruante poeti,- doli ashtu vetiu, aq spontane është gjeneza e tij, sa i natyrëshëm dhe krejt i vetëkuptimshëm ishte malli për atdhe, që bëri të mundur krijimin e korit, që u themelua në Bukuresht nga fundi i vitit 1907”
Rreth kësaj ngjarjeje , po aty, poeti L.Poradeci na informon se në një nga ditët pas themelimit të Korit të Kolonisë Shqiptarë të Bukureshtit, u paraqit midis këngëtarëve Asdreni, i cili kishtë sjellë me vete poezinë për himnin me titull: ”Betimi mbi Flamur”. “Nuk përshkruhet dot hovi i zjarrshëm i zemrave, me të cilat u prit ky lajm i bukur “ . Në faqet librit “Himni Kombëtar” dëshmohet gjithashtu se në vjeshtën e vitit 1908 në gjirin e Kolonisë së Bukureshtit ndodhej edhe poeti shkodran Hilë Mosi, i cili u ngarkua nga kolonia për ta shpënë Himnin në Shqipëri. Dërgimi i Himnit në Atdhe me anë të Hilë Mosit qe një ngjarje fatmire për çështjen kombëtare, pasi ai kish talent muzikor dhe aftësinë për të fituar simpathinë e njerzëve që do ta përhapnin.
Dhe fjalët e Himnit Hilë Mosi i pëlqente tërësisht, shkruan Lasgushi: “Asdreni atyre u ka dhënë mjaftë shkëndija nga shpirti kryengritës “- thoshtë ai. Kështu Himni, duke filluar nga Korça, u përhap në të gjithë Shqipërinë.
Për mësimin dhe përhapjen e Himnit Kombëtar rol të veçantë ka luajtur, duke filluar që nga viti 1908, “Banda e Lirisë e themeluar në Korçë më 1 tetor po të këtij viti. ”Banda e Lirise, në ato vite ishte i vetmi formacion i përshtatshëm atdhetar-muzikor e profesional, për përhapjen e kësaj kënge dhe të muzikës sonë patriotike në përgjithësi” Dhe pastaj autori rithekson punën e palodhur të këtij formacioni muzikor dhe shkruan se “Njihet kontributi i “Bandës së Lirisë “për shpërndarjen e melodisë dhe të tekstit të “Himnit Kombëtar” dhe të këngëve të tjera patriotike në të gjithë qytetet kryesore të Sjhqipërisë, e deri në SHBA përmes anëtarëve trë saj: Hil Mosi- në Manastir, Tiranë , Shkodër; Mihal Grameno- në Vlorë, dhe Durrës; Spiridon Ilo në SHBA; Thanas Floqi në Vlorë dhë Elbasan .
Autori i librit, Prof. V. Tole, thekson qartë në vepër se gjeneza e Himnit të Flamurit daton me vitin 1908. Ai citon për këtë rast edhe këto fjalë të L.Poradecit: “Hilë Mosi dhe Tashko Ilo kanë sjellë tok me ndihmën për shkollat shqipe të Korçës…edhe muzikën e Himnit, rreth muajit nëntor ,1908, partitura e “Betimit mi flamur” kishte mbrritur në duart e muzikëtarëve të “Bandës së Lirisë”, pak përpara mbajtjes së “Kongresit të Manastirit, i zhvilluar nga 14-22 nëntor 1908, në të cilin Hilë Mosi mori pjesë si delegat i Shkodrës. Kështu “Hil Mosi dhe Tashko Ilo,- janë quajtur në libër,-sjellësit dhe përhapësit në atdhe të kryekëngës sonë kombëtare. Këtë pohim studjuesi V.Tole e ka marrë si fakt bazë për të dhënë zanafillën e “Himnit Kombëtar”. Jo pa arsye ai e ka nënvizuar këtë datë dy herë në faqen 157 të veprës, ku shkruan: “1908: Krijohet dhe interpretohet kënga “Betimi mi flamur” nga kori kishtar i shqiptarëve të Bukureshtit, Rumani.
1908: Kënga “Betimi mi flamur” vjen në Shqipëri dhe dhe interpretohet nga banda muzikore “Liria” në Korçë .
Po ky vit, viti 1908, pranohet në librin e studiuesit V.Tole si zanafille e Himnit edhe nga mendimtari i ndritur i Rilindjes, Faik Konica , i cili, kur komentonte për vlerën e simboleve kombëtare, pohonte se “Një ndër kryepunët kulturore që duhej ndrequr ishte edhe nevoja për krijimin e një simboli të ri kombëtar, krahas flamurit. Ky simbol i ri ishte një këngë e thjeshtë me mesazh të madh, që populli dhe nacionalizmi shqiptar e lindi në emigracion, në Europën e lirë në vitin 1908 dhe më pas, po vetë e përzgjodhi që të ishte himni kombëtar, në atdhe, vetëm 4 vjet pas krijimit të tij.”
Dhe, më pastaj, duke treguar bashkëlidhjen midis simboleve tona mbarëkombëtare, Flamurit dhe Himnit të tij, i ndrituri Faik Konica, vazhdon arsyetimin rreth Himnit, i cili “si simboli i ri i shqiptarëve vijoi rrugën e nderit të paraprirë nga flamuri ynë, i cili mbart kujtimet e kombit tonë, të cilat nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh, por janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është nga më të vjetrit e botës ,është edhe nga më të drejtët”.
Nga kjo bashkëvajtje e dy simboleve tona mbarëkombëtare e shikojmë me shumë vend mendimin e shprehur se ”në asnjë vend të botës nuk gjejmë një himn kombëtar,. i cili t’i kushtohet po një simboli kombëtar siç është flamuri ynë, dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut.”
Dhe kështu, që nga viti 1908 e këtej, në shumë veprimtari patriotike, kulturore, sportive e shkollore, sa herë ngrihej Flamuri, shoqërohej me këngën e tij, me Himnin Kombëtar. Janë mbushur një qind e gjashtë vjet qysh kur shqiptarët, brenda e jashtë Atdheut, këndojnë me veneracion këtë Këngë të shënjtë “Rreth Flamurit të Përbashkuar”,dhe e kanë bërë ashtu pjesë të ndërgjegjes së tyre. Në këtë mënyrë, kënga e Himnit të Flamurit, prej disa gjeneratash, u kthye në simbol mbarëkombëtar, për gjithë shqiptarët kudo që janë.
Detajet e shumta dhe faktet që sjell autori me anë të këtij libri kanë një vlerë të posaçme për gjenëzën e Himnit të Flamurit si edhe rolin e këtij himni për të mbajtur gjallë ndjenjën e shqiptarizmës.Duke shkruar për himnin, autori citon Lasgushin që konfirmonte në studimin e tij realist se me këtë himn “luftuan çetat e kryengritjes , që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit flamuri në Vlorë”. Me pak fjalë, ngritja e Flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mbi Flamur” ishin vetëm një akt zyrtar nga ana e Ismail Bej Qemalit për ta njohur këtë këngë tash e tutje, si këngën tonë kombëtare.
Qysh në vargun e parë të Himnit Asdreni jep kushtrimin për bashkimin kombëtar rreth Flamurit, simbolit të unitetit, para të cilit të betohemi dhe të japim besën për shpëtimin e Atdheut dhe të kombit. Kjo parullë do të ishte aq aktuale për gjithë një shekull edhe për sot. Kjo thirrje patetike e poetit ishte vazhdim i jehonës së Rilindjes:
Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjithë atij duke iu betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Në librin e tij, studjuesi Vasil Tole sjell edhe hollësi, që tregojnë për gjallërinë që i dha jetës politike dhe gjithë veprimtarive kulturore këndimi në mënyrë korale i Himnit Kombëtar. Në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, në qytëtin e Vlorës, Himni Kombëtar u këndua nga të gjithë delegatët. “Firmëtarët u ngritën në këmbë solemisht, – rrëfen autori, sipas kujtimeve të Dh. Zografit, dhe- Kënga “Betimi mbi flamur” nisi të këndohej prej tyre. I pari ishte delegati i Tiranës, Murat Bej Toptani,dhe, pas tij delegatët e shoqërisë shqiptare të Bukureshtit, Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati; delegatët e Korçës, Thanas Floqi, Spiridon Iloja dhe P. Mborja-. Dhe autori vazhdon të tregoj:- Duke marrë drejtqendrim, melodisë iu bashkua nën zë edhe Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Të dy e kishin kënduar atë këngë për të parën herë në Bukuresht në datën 5 nëntor 1912, së bashku me shqiptarët e atjeshëm, dhe kishin provuar emocionet e forta që të shkaktonte këndimi i saj në grup përpara Flamurit Kuq e Zi. Po ashtu buçiti zëri i delegatit të Lushnjes, Ferit Vokopola, si dhe zëri i thellë prej meshtari i Dom Nikollë Kaçorrit, që dinte t’i binte edhe pjanos dhe fizarmonikës; pas tyre i gjithë kori i delegatëve i ndoqi ata njeri pas tjetrit, ashtu thjesht siç këndonin edhe këngët popullore; në ato çaste askush nuk e bëri rolin e dirigjentit.”
Në përvjetorin e parë të shpalljes së pavarësisë, më 28 Nëntor 1913, mbërrin në qytetin e Vlorës orkestra frymore e qytetit të Shkodrës “Daulla” e drejtuar nga Frano Ndoja. Ndër të tjera koncerti në publik interpretoi Himnin e Flamurit. Në shkurt të vitit 1919, tingujt e Himnit të Flamurit përcjellin për në varrezat e Kaninës, Ismail Qemalin, plakun e shenjtë të Vlorës, i cili me aktin e shpalljes së pavarësisë, u bë edhe bekuesi i këngës sonë kombëtare. Në Luftën e Vlorës të vitit 1920, festa e fitimtarëve u kremtua nën tingujt e Himnit të Flamurit dhe këngës Vlora-Vlora me poezi të Ali Asllanit dhe muzikë të Th.Nashit”.
Ndër kohë, gjatë këtyre një qind e gjashtë vjetëve ka pasur edhe zëra, të cilët nuk e kanë mbështetur Himnin Kombëtar “Rreth Flamurit të Përbashkuar”me arsyetime të ndryshme. Një nga motivet e mospranimit vinte nga shkaku se autori i muzikës është një kompozitor i huaj dhe kështu sipas kësaj pikëpamjeje prekej origjinaliteti shqiptar. Megjithatë, këto zëra qenë shuar si flakë kashte dhe Himni jetoi përmes ngjarjeve historike, duke u kënduar deri në ditët tona.
Po një dukuri e tillë huazimi në fushën e himneve kombëtare nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Studjues të muzikës, midis të cilëve edhe autori i këtij libri,që po diskutojmë, Prof.Vasil Tole, tregojnë se ka raste himnesh kombëtare të disa vendeve të botës me autorë të huaj, për shëmbull, “himni zyrtar i Spanjës ka qenë i kompozuar nga një autor anonim gjerman, himnin e SHBA e ka kompozuar një autor anglez, himni i Bolivise është kompozuar me 1845 nga italiani Benet Vincenti, himni kombëtar portugez shtjellohet porsi ariet e vjetra italianë” . Kështu, pra ka edhe shumë shembuj të tjerë himnesh me muzikë të huajtur, dhe me gjithatë, kombet e ketyre vendeve nuk ndruhen nga huazimi. Ata i ruajnë, ashtu, hymnet e tyre, si simbole kombëtare.
Duke marre shkas nga citimi i mësipërm do të ishte mirë të shkruanim sado pak ca fjalë lidhur me historinë e Himnit Amerikan.. Siç tregon në librin e saj Deborah Kent: “Me 13 shtator 1814 flota britanike nisi nga Atlantiku sulmin me artileri të dendur drejt portit Fort McHenry në Gjirin Chesapik. Rreth 1800 bomba flakërinë për gjithë natën mbi atë qytezë. Francis Scott Key e përjetoi me ankth atë natë heroike me gjemimin e pandërprerë të bombave. Me padurim priste të gdhinte dita. Në agim, kur po vegonte pak dritë, nisi të vërente me tejqyrë. Ai u lumturua, kur arriti të shikonte se Flamuri Amerikan qendronte lartë në fortesë dhe valvitej i vezulluar nga yjet. Atë moment ai ndjeu një gezim të papërmbajtur dhe një frymëzim i buroi nga zemra dhe shkroi pozinë :The Star-Spangled Banner (Ylli Vezulloi Flamurin). Tek shkruante atë poezi, Frencis Scott Key-in e pushtoi deshira qe edhe ta kendonte. Po ku ta gjente në zjarrin e betejes muzikën a po kompozitorin?… Ashtu, vetiu i lindi ideja ta shoqërontë me një melodi të njohur të këngës “To Anacreon in Heaven ”(Për Anakreonin në Parajsë), e kompozuar nga një muzikant anglez John Stafford Smith. Kjo këngë qe bërë popullore si në Angli dhe në Amerikë. Poezia e F.S. Key-it e shoqëruar me melodinë angleze u gjet shumë e pëlqyer nga publiku Amerikan. Gojë më gojë ajo u përhap në të gjithe SHBA. Në menyre të vetvetishme ajo u këndua nga populli amerikan prej vitit 1814 e deri më 1931. Atë kohë Presidenti Herbert Hoover (Huver), më 3 Mars-1931, firmosi ligjin që kënga “The Star- Spangled Banner” të bëhej Himni kombëtar i SHBA.”(sipas Deborah Kent “The Star- Spangled the Banner”, Chicago, 1955, f. 22).
E sollëm para lexuesit këtë episod nga libri i studjueses amerikane për të pohuar se fakti qe melodia e Himnit Amerikan është bërë nga një autor i huaj është i vertërtë. Po aq sa është e vërtetë qe amerikanët nuk ankohen për huazim lidhur me melodinë e Himnit të tyre, sepse ata nuk vuajnë nga psikologjia e nacionalizmit të ngushtë. Për me tepër, kjo ide e tolerancës amerikane duket te Statuja e Lirisë, e cila ngrihet madhështore në ishullin Ellis si një hyjneshë e mrekullisë para New Yorkut marramendës. ”Për shumë njërëz në të gjithë botën Statuja e Lirisë është një simbol i lirisë dhe i Shteteve të Bashkuar . Por ideja për këtë Statuje të Lirisë nuk ka lindur në Shtëtët e Bashkuara” ( nga Anne Hemstead ”The Statue of Liberty,Chicago, 2006,” f.5). Skulptori qe e ka ideuar dhe krijuar këtë statuje është francezi Frederik August Bartholdi. Duke qenë se statuja do të kishte përmasa gjigante autori i saj bashkëpunoi me inxhinierin e famshëm francez, arkitektin Aleksander Gustav Eifel. Pra kemi dy autorë të huaj që realizojnë një skulpturë gjigante, simbolin e lirisë dhe demokracisë amerikane, dhe, asnjë amerikan nuk ka thënë që “sedra jonë kombëtare kërkon që të mos përfaqesohemi me një krijim të huazuar”, ashtu si është shkruar nga ndonjë komentues për këtë specifik të Himnit tonë.
Dhe, kur shikon një praktikë të tillë në botën e ideve përparimtare, kemi të drejtë të pyesim: pse ndodh që disa shqiptarë sot, pas një qind e sa vjetësh, duan të bëjnë të kundërtën me Himnin? Pse përpiqen ta zbehin Himnin Kombëtar, kur etërit, gjyshërit edhe stërgjyshërit e tyre e kanë kënduar gatitur me nderim.. Duket qartë se ambicja e tyre nuk është pozitive.
Në të kaluaren, para Luftës së Dytë Botërore, sapo shfaqej ndonjë mendim për ta ndryshuar Himnin e Flamurit, shtypi patriot përparimtar reagontë në mënyrë kunndërshtuese. Kur u duk një iniciativë e tille aty nga fundi i vitëve `30 të shekullit të kaluar, revista “Përpjekja Shqiptare”, shkruante: ”Himni i Flamurit nuk mund të ndryshohet, sepse Hymni i Flamurit ashtu siç është sot, u be pronë e kombit; iu fut në gjak”. Me një fjalë Himni i Flamurit Kombëtar ka marre pagëzimin historik me vete. Ai u këndua në mënyrë masive para se të bëhej fakt zyrtar në Kuvendin historik të Vlorës më 28 Nëntor 1912. Një himn tjetër i ri nuk do t`i kishtë ato efekte emocionale dhe atë frymë patriotike që kërkonte ideja e bashkimit kombëtar. Për këtë arsye gazeta “Java” në gusht të vitit 1937, theksonte: ”Një herë bëhet himni. Prandaj ne jemit të mendimit të mos ndryshohet, se historia nuk ndryshohet” .Po kjo gazetë, dy numra me vonë, do të mbrontë përseri idenë e mosndryshimit të këtij himni ”sepse ai ka rrenjë të thelle në zemrat shqiptare dhe keto zemra do të ndjejnë dhimbjen me të madhe kur të lëndohen e të shkulen ato rrenjë.”
Po në muajin gusht 1937 dhe “Gazeta Korça”, me numrin e saj 23, do t`i diltë në mbrojtje Himnit Kombëtar të Flamurit: ”Hymni ynë i vjetër i flamurit duhet të mbetet si kujtim historik edhe si simbol i luftrave për liri. Asnjë himn tjetër nuk mund ta zerë vendin e tij, duke hyrë në shpirtin e popullit, si ka hyre marshi “Rreth flamurit”.
Gjat kohës së mbretërimit të Ahmet Zogut, me gjithë diskutimet e zhvilluara për këtë çështje, mbi Himnin e Flamurit nuk u vu dorë, nuk guxoi ta prekte kush. Po ai u cenua në vitet e diktaturës komuniste. Administrata moniste, e prirur nga sllogani i Enver Hoxhës se “në ideollogji nuk mund t`i bëjmë lëshime vargut dhe fese”, fshiu nga Himni strofën, që ka fjalën “Zot”. Lidhur me këtë dhunim të Himnit Kombëtar, me të drejtë poeti Agim Shehu reagon, kur shkruan: “Himni i Asdrenit pohon, po me frymë perëndie, të vertetën e historisë dhënë si fat përjetësie për Shqipërinë: Se Zoti vetë e tha me gojë/ qe kombe shuhen përmbi dhe/ po Shqipëria do të rroje… Shteti komunist që nuk e pëlqente këtë profetësi hyjnore e fshiu këtë strofe nga sytë e shqipetareve”.( ILLYRIA- 28 Nëntor-2003). Lidhur me mënjanimin e kësaj strofe nga interpretimi koral “, Prof. V.Tole deklaron në librin “Himni Kombëtar” se “nuk na rezulton që të ketë patur vendim të posaçëm për këtë censurë, pasi ashtu thjesht, kjo strofë u hoq dhe që nga kjo kohë, Himni vijoi të interpretohej më së shumti në variantin e tij orkestral, pa fjalë.
Në të vërtetë gjatë kohës së diktatirës komuniste nuk pati vendime për ta ndryshuar Himnin Kombëtar, po ideja për ta zëvendësuar atë mbahej gjallë përmes konkurseve të posaçme. Megjithatë, Himni Kombëtar i Asdrenit doli fitimtar e nuk u mposht dot. Dhe, kështu, duke komentuar rreth konkursit të organizuar për himnin me rastin e 10-vjetorit të çlirimit, Prof. V.Tole, duke parë mossuksesin e këtij konkursi, do të shkruaj në këtë libër: “Himni Kombëtar” duket se i mbijetoi përfundimisht këtij “sulmi të radhës”, pa u zëvendësuar me një himn internacional komunist!”
Po ashtu edhe konkursi tjetër për Himnin, ai i vitit 1970, nuk rezultoi pozitiv. Lumturisht asnjë konkurs, i kujtdo qeverije, që kishte arritur të organizohej për gjatë një shekulli, nuk doli fitimtar mbi Himnin Kombëtar. Për këtë qendresë të Himnit Kombëtar , Prof.V.Tole do të shprehet në vepër se “kësisoj himni ynë kombëtar konsiderohet si ndër të vetmit himne kombëtare të ish-diktaturave komuniste të Europës Lindore, i cili nuk u hoq, nuk u ndryshua ose zëvendësua nga ana e regjimit komunist në Shqipëri” .
Është për të ardhur keq që, pikërisht, në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë, u ndjenë zëra për ndryshimin e Himnit Kombëtar. Kjo gjë qe një stonaturë e vërtetë në lëmin e atdhetarisë aq më tepër në vigjilje të 100 vjetorit të Pavarësisë. Dhe, për këto komente të vitit 2012 rreth Himnit, Prof. V.Tole, në mënyrë objektive arsyeton se “Brenda pak muajve, duke parë se “Teza e zhburrërimit të himnit kombëtar nuk gjeti mbështetje, si nga specialistët ashtu edhe nga publiku i gjërë, për faktin e thjeshtë se teksti i “Himnit Kombëtar” nuk përmbante diskriminim:…pasi leximi i Himnit Kombëtar në rrafsh semiotik s’ lë asnjë shteg për ngarkesa seksiste dhe, ç’ është më e rëndësishme, të bind se s’ia vlen barra qiranë të ndërhysh në kode semiologjike për imnteresa politike të ditës” .
Himni Kombëtar , sot e përgjithmonë, në horizontin e shqiptarizmës është si një lis i moçëm hijerëndë, që ka zënë rrënjë në ndërgjegjen kombëtare dhe nuk besoj se ka për t’u shkulur nga zemrat shqiptare.
. Si përfundim, themi se libri “Himni Kombëtar” i studjuesit Vasil Tole, është një arritje e re, që hedh dritë më shumë, për të njohur përmes faktesh gjenezën e Himnit Kombëtar dhe udhëtimin triumfuese të këtij Himni midis konkurseve qeveritare dhe atyre “sulmeve të radhës” gjatë një kohe prej më shumë se një shekull. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se duke shoqëruar ngritjen e Flamurit me 28 Nëntor 1912, Himni i Flamurit është bërë qysh në atë kohë një fakt historik, një simbol mbarëkombëtar. Asnjë hymn tjetër, sa do i përsosur të jetë nuk mund ta zëvendësojë atë.
Bibliografi
Gazeta “Java”, gusht 1937.
Gazeta e Korçës, gusht 1937.
Hemstead, A.: “The statue of Liberty”, Chicago, 2006, f.5
Kent, D. : “The Star – Spangled theBanner”, Chicago, 1955
Konica F. “Vepra 1” , Tiranë, 2001.
Mici, A.: “ Himni i Flamurit – Simbol Mbarëkombëtar”, Botimet “Dudaj”, 2012 .
Poradeci, L. : “Vepra Letrare”, Shtëpia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1990.
Silverman J : “Songs and Stories”, by Millbrook Press, Brookfield, 1994, f.29.
Shehu, A. :”Illyria”, 28 Nëntor, 2003
Tole V: “Illyria”, 28 Nëntor,2003.
Tole V. :“Himni Kombëtar”, Kristalina, Tiranë, 2013