Nga Sami Repishti */
“….Konferenca e Paqës e Parisit,1919, vol.XII-PPC 184-018/3-
“Sekretari i Shtetit për Z. A.J.Balfour,(Ministër Britanik i PJ):
“Ambasada Britanike në Washington ka informue Departmentin e Shtetit sa vijon: ‘Në lidhje me akuzat për masakrat kundër shqiptarëve në Mal të Zi: Gucia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri, dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e trupave serbe, dhe agjentëve serbë, qellimi i të cilëve duket ka qenë shfarosja fizike e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht i jueji, Robert Lansing’”
————–
Ridgefield,CT. Me 29 nandor 2017, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavinë, Gjenerali kroat, Slobodan Praljak, komandant i forcave ushtarake kroate në Bosnje-Herzegovinë, posa mori vendimin e Gjykatës së Apelit : denim me 20 vjet burg për krime të ushtrueme nga forcat nen komandën e tij kundër popullsisë boshnjake myslimane në qytetin Mostar posaçërisht, ku kanë mbetë të vdekun mijëra viktima të pafajshme, në prezencën e të gjithë të pranishëmve piu nji gotë helmi, përbuzi Trupin Gjykues, dhe vdiq tue reklamue pafajsinë.
Ky akt “teatral”, me gjithë tragjikën e aktit të vdekjes- akoma ma i theksuem i vetë-vrasjes- përmban edhe nji element komik që nuk i shpëton vrejtësve të botës mbar. Akti u pa si nji “publicitet” për ndjeksit e tij. Akoma ma e randë ishte sjellja e disa autoriteteve kroate që ngritën këte akt në piedestalin e nderit të popullit kroat.
Nji qendrim i këtill më tronditi! Krimineli, sidomos ai që dënohet nga nji Gjykatë serioze siç ashtë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, nuk mund të transformohet artificialisht me nji gjest dramatik e publik që nuk justifikon veten, as shërben si shembull pozitiv për breznitë e ardhme.
Vrasja, vetëvrasja, e çdo formë tjetër që mund të marrë asgjasimi i pareparueshëm i nji jete njerëzore duhet dënue pa hezitim. Sot, në botën e qytetnueme ashtë eliminue me ligj “dënimi me vdekje” si “nji ndeshkim i egër dhe i jashtëzakonshëm”. Dhe, për mendimin tim ashtu duhet të jetë!
******
Bota shijoi fillimin e shekullit XX, sidomos Europa, me shpresën e hapjes së nji shekulli të ri, ma të mirë, ma paqësor dhe ma njerëzor. Fatkeqsisht, u vërtetue e kundërta. Për njiqind vjet me rradhë, na dëshmuem zhvillime politike që kthyen këte shekull në shekullin ma barbar dhe ma të përgjakshëm në historinë botënore: konflikte të vazhdueshme lokale, dy lufta botënore shkatërrimtare, holokaustin e kampet e përqendrimit, lindjen dhe zhvillimin e tri diktaturave –komunizëm (1917), fashizëm (1922), nazizëm(1933)- që pothuejse fundosën qytetnimin tonë mijëvjeçar, kushtuen jetën e miljonëve të pafajshëm dhe në kondita të paimagjinueshme, pleq e të rinj, gra e fëmij të masakruem, të gazuem, të djegun për së gjalli në krematoriumet naziste, të ngrimë në akullnajet e gulagëve sovjetikë, ose të dërmuem në tortura të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit “të Kampit të Madh Socialist”…..!
Që nga viti 1900, zbulime shkencore mahnitëse u banë me nji shpejtësi marramendse që na dhuruen nji përparim material të pa pamë; por fatkeqsisht, në kontrast “brutal”, sepse përjashtuen pjesën ma të madhe të popullsisë botënore: të pazhvilluemët, të pa ushqyemët. Si bekim apo si mallkim, zbërthimi i atomit dhe zhvillimi i energjisë nukleare na zbuloi nji aktualitet tragjik që rrezikonte vetë ekzistencën tonë si racë njerëzore: asgjasimin tonë fizik!
Kështu mund të kuptohet “ankthi” (Angst) që na ka mbërthye. Konceptet tona psikologjike, morale e metafizike, zhvillohen me shpejtësi me qellim të kapen zhvillimet shkencore moderne që vejnë në pyetje të gjitha këto koncepte tona. Bota ka nevojë për stabilitet, sepse pa stabilitet nuk mund të themelojmë nji shoqëni të urtë dhe të përjetësojmë nji qytetnim që na përshtatet. Për fat të keq, pa sukses!
Kështu, dashje ose pa dashje, gjindemi në detin e “ankthit” që na rrethon. Tmerret e Luftës I dhe të II Botënore provojnë se jemi në gjendje me krijue dhe me jetue në botën e barbarizmit, megjithëse deklarojmë se jemi “të qytetnuem”. Jetojmë në pritje të “Apokalipsit”, frikësohemi se ka ardhë fundi i botës, shpesh herë pa qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për këte finale; ose pa gjetë fuqi të mbrendshme e të mjaftueshme me tentue evitimin e katastrofës. Në letërsi, kjo pozitë e vështirë e dëshpruese tregohet me balancën tonë në mes “të qenies njeri me dinjitet” dhe “boshllekut të plotë”!
Le të kujtojmë fashizmin, nazismin, komunizmin; le të kujtojmë ideologjitë kundërshtare: totalitarizmin e demokracinë. Sepse, ndiejmë lehtësim me shikue të kaluemen, e me zbulue “gabimet” e historisë, me ridimensionue emocionet tona që kemi përjetue ma parë – tue i krahasue ata me ato të sotmet. Nji histori që nuk qetëson por trazon e kërkon ashtë histori e mirë. Ashtë kjo histori “e mirë” që na paisë me vullnet dhe na forcon bindjen me dënue përsëritjen e terrorit të jetuem.
Unë shikoj sot terrorin e agresionit kriminal të popujve të ish Jugosllavisë kundër njeni-tjetrit, dhe sidomos agresionin kriminel serb në hapësinën shqiptare në ish Jugosllavinë, si dhe agresionin kriminel serbo-kroat në Bosnje-Herzegovinë kundër popullsisë myslimane, me ndjenjën e çmendurisë së tyne dhe vrapimit mbas andrrës shekullore për krijimin e perandorive mesjetare të harrueme në kurriz të popujve autoktonë. Si qenie njerëzore me arsye dhe ndërgjegje unë i dënoj !
**********
- Slobodan Millosheviq, i njohun publikisht si “kasapi i Ballkanit”
konsiderohet si përgjegjsi i parë kryesor i shkatërrimit të ish Jugosllavisë, rezultat i politikës ekspansioniste në krijimin e nji “Serbie të Madhe”, dominuese e ish Federatës Jugosllave. I shgënjyem nga paaftësia e tij, si president i Serbise ma parë dhe i Jugosllavisë ma vonë, me gjetë nji zgjidhje paqësore problemit “nacional” për këte shtet multinacional që refuzoi supremacinë serbe mbi Federatën, ai luftoi kundër kushtetutës së vitit 1974 që margjinalizoi pushtetin serb mbi Federatë, dhe për paaftësinë e tij politike me “paqësue” trazimet e popullsisë shqiptare sidomos në Krahinën e Kosovës, popullsi që kërkonte liri e barazi, në fillim, dhe pavarësi të plotë ma vonë, të fitueme në qershor 1999, dhe formalisht me 17 shkurt 2008, me proklamimin solemn të pavarësisë, dhe njohjen ndërkombëtare të saj.
Ma në fund, Millosheviqi preferoi luftën e ngrohtë e shkatërrimtare që kushtoi ma shumë se 100.000 viktima, nga të cilët ma shumë se 12.000 kanë qenë shqiptarë të pafajshëm të Kosovës dhe zonave të banueme nga shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ma shumë se dy miljonë refugjatë, gjysma e tyne shqiptarë, mijëra gra e vajza të dhunueme nga ushtarët barbarë, humbjen e thesareve kulturore, artistike e dokumentacionin shtetnor, përveç miljardave dollarë damesh ekonomike, vetëm në Kosovë…! Qellimi i tij? Komandanti i forcave aleate të Nato-s në vitin 1999, Gjenerali Wesley Clark, shkruen në kujtimet e tia takimin me Presidentin Millosheviq para se të fillonte bombardimin aleat të trupave serbe në Kosovë:
“ Gjatë takimit me Presidentin Millosheviq për krimet në Kosovë, ai u përgjegj me nji pyetje:
– Ç’keni ju amerikanët? Pse përzieheni në problemin e Kosovës? Lereni në duert tona…Ne dijmë si ta zgjidhim…E kemi ba edhe ma parë…
– Si e keni zgjidhë, Z, President? pyeta unë.
– Fare lehtë! I vrasim të gjithë!” ishte përgjigjja!
– Z.President”, ndërhyna unë, “Ashtë pikërisht kjo zgjidhje që na nuk do të lejojmë…!”
Historia përsëritet, shkruejnë shumë historianë. Megjithate, edhe në se nuk përsëritet, ajo na mëson, na jep shembuj që nuk duhen përsëritë. Nji ironi e historisë tregon se mësimi i “historisë” nga shovinizmi serb ashtë “përsëritja” si në të kaluemen.
Në botimin e saj të datës 31 dhetor 1912, gazeta amerikane The New York Times, nën titullin “A Trail of Blood” (Nji rrke gjaku) shkruen:
“ … Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit) deklarojnë se paqësimi ma efektiv i Shqipërisë do të ishte çfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Kjo parullë u adoptue nga Ushtria Serbe, dhe u zbatue në praktikë”.
Tragjedia e luftës civile në ish Jugosllavinë, lufta kundër pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes e kundër Kosovës së pambrojtun ashtë krimi ma i madh i Europës së mbasluftës, përgjegjsia e të cilit bie katërcipërisht mbi kurrizin e kriminelit komunist serb Sllobodan Millosheviq. Si akt poshtënues i kësaj figure antinjerëzore ashtë dokumentimi sekret i gjendjes së tij psihike. Në vitin 1990, ish Presidenti i Jugosllavise, Borislav Joviq, kërkoi nji raport nga ministri i mbrendshëm i Serbisë, Radmilo Bogdanoviq, mbi gjendjen mendore të Millosheviqit. Përgjegja: “probleme serioze psikopatike (psychosis schizophrenica 295 dhe diabet…Mjekët e vlerësojnë gjendjen shëndetsore të shokut Millosheviq si mjaft të randë, ndërsa aftësinë për punë mjaft të reduktueme…”.(Illyriapress.com, 11 nandor 2017)
(Vetëhelmimi i Millosheviqit në qelinë e burgut vulosë këte përfundim profesional. Babaj i tij, prift i Kishës Orthodokse serbe, bani vetëvrasje në vitin 1962. Nana e Millosheviqit, Stanislava, vari veten në litar, në vitin 1974)
- Radovan Karaxhiq, i denuem nga Gjykata Ndërkombëtare me 40
vjet burgim vitin e kaluem, e për akuza të ngjashme, vegjeton sot në qelitë e izolueme të burgut të Hagës. Ai u msheh për shumë vite në qendër të Beogradit të Ri, si nji psikiatër i panjohun, me emnin Dr. Dragan Dabiq, por i mbrojtun nga sherbimet sekrete serbe.
Posa filloi agresioni serb kundër boshnjakëve të pa armatosun dhe të papërgatitun për luftë, Dr. Karaxhiq hyni në veprim si President i Republika Srpska dhe komandant i forcave të armatosuna serbe në Bosnje -Herzegovina.
Nji ditë para se të merrte arratinë, ai ishte i ftuem në nji celebrim të nji familje myslimane, kojshi i vjetër, ku edhe vallëzoi. Të nesërmen, artileria serbe filloi bombardimin sistematik të qytetit Sarajevo që zgjati tre vjet e gjysëm; njeni nga objektivët e parë ka qenë shtëpia e fqiut mikpritës; bombardimi shkaktoi vdekjen e ma shumë se 12.000 qytetarëve të pafaj të qytetit. Me 24 mars 2016, Gjykata Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë, gjeti Dr. Karaxhiqin përgjegjës për krime lufte, gjenocid, dhe krime kundër njerëzimit, veçanërisht për masakrën e Srebrenicës, korrik 1995, dhe shqiptoi dënimin.
Dr. Karaxhiq ashtë shembull tipik i nji transformimi personal nga nji njeri i thjeshtë familjar, në nji monster të fuqishëm kur mjetet e shkatërrimit dhe agresionit vihen në duert e tia. Mania e tij e transformoi në monster të pangopun me gjakun e viktimave, dhe në ndjekës fanatik në fushatën e tij për eliminimin e jo-serbëve –në këte rast boshnjakëve myslimanë- për hir të zgjanimit territorial të Serbisë së Madhe. Historianët e kanë përcaktue Dr. Karaxhiqin si “arkitekti i gjenocidit të Bosnjes”, për vrasjen e ma shumë se 100.000 personave, shumica civilë të pafajshëm dhe pa mbrojtje.
3) Gjeneral Ratko Mlladiq, përcaktoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me 22 nandor 2017, që nga viti 1992 deri në vitin 1995, për tri vjet e gjysëm me rradhë ka qenë kryetari ushtarak i organizimit të fushatës me dëbue myslimanët e kroatët nga vatrat e tyne stërgjyshore, me qellim të krijimit të nji shteti homogjen serb në Bosnjen e pushtueme – “vetëm serbë”….
Shtypi ndërkombëtar thekson se viti ma i përgjakshëm i kësaj fushate ka qenë viti 1992, gjatë të cilit 45.000 jo-serbë, pleq gra e fëmijë kryesisht, u vranë në shtëpitë e tyne ose në kampet e përqendrimit ndërtue me plan për këte qellim. Mijëra të tjerë vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevos nga serbët, të vramë me artileri ose me pushkë snajper. Pika kulminante ka qenë ekzekutimi i ma shumë se 8.000 myslimanëve boshnjakë- burra e djelm të ri deri 14 vjeçar- në qytetin Srebrenica, me urdhën direkt dhe mbiqyrje të Gjeneralit Mlladiq. Televizioni amerikan tregoi skenat kur prindët dhe fëmijtë ndaheshin nga njeni tjetri. Gjenerali Mlladiq fërkonte kokën e fëmijve të terrorizuem, ndërsa urdhënonte ekzekutimin e prindëve. Ka qenë ky akt terrorist qeveritar që ka ngritë shqetësimin ma parë të botës së qytetnueme, dhe ma vonë revoltimin e tyne. Para Gjykatës, Gjenerali kriminel serb Mlladiq, pa lëvizje të qerpikut, ndigjoi sentencen: burg të përjetëshëm. Ma në fund ai shpërtheu:” Çdo gja që ju thoni ashtë nji gënjeshtër” bërtiti ai kundër Gjykatsit që urdhënoi nxjerrjen jashtë me forcë të gjeneralit kriminel.
Gjatë shqiptimit të denimit , kryegjykatësi, Alphons Orie, tha:”Krimet e Gjeneralit Mlladiq rreshtohen në mes të krimeve ma të mëdha që njeh historia e njerëzimit!” Nji gjykim i këtill nga GJykata Ndërkombëtare njollos përjetësisht politikën e shtetit serb, dhe politikanët serbë, me rrjedhime që ashtë akoma heret me gjykue…!
“Gjykimi i Gjeneralit Mlladiq,” shkruen The New York Times me 22 nandor 2017, “ashtë nji piketë çaluese dhe ambivalente në mesin e epokave të pasigurisë në Europë”; dhe vazhdon: ”Larg nga skenat e qetësueme të konfliktit ballkanik, aksionet nacionaliste, thirrjet për ripërcaktimin e kufinjëve dhe përplasjet me karakter fetar po ngrejnë kokën përsëri, jo me krizmat e mortajave dhe krik-kraket e mitrolozeve, por në rihartimin e panoramës politike” (në Europë)
Në Serbi, thirrjet për nji kthim në politikat nacionaliste të viteve 1990-ta po rriten çdo ditë. Zyrtarët e naltë e të diskredituem nga bashkëpunimi i tyne me rregjimin barbar të S.Millosheviqit – dhe jo pak kriminelë të denuem nga gjykatat- po rifitojnë postet e humbuna e prominente. Në Serbi sot, njeriu ka përshtypjen se “misioni historik i popullit serb- ndërtimi i nji Serbie të Madhe si ajo e Mesjetës së carëve serbë – nuk ka përfundue, dhe pakënaqsitë e mëdha të krijueme nga “lufta” nuk janë pakësue”. Në fakt, shkruen gazeta, “denimet e Millosheviqit, Karaxhiqit dhe tash së fundi edhe Mlladiqit ka mundësi të kanë rritë ndjenjen serbe të pakënaqsisë, dhe perceptimin e shumë serbëve për padrejtësi të bame kundër serbëve” (“viktimizimin e Serbise”SR). Pavarësisht nga gjykimi i dhanun, që ne të gjithë e shohim si pjesë e nji fushate kundër Serbisë, Ratko Mlladiq mbetet për serbët nji legjendë e kombit serb, deklaroi udhëheqsi serb i Krahinës autonome serbe në shtetin e Bosnje-Herzegovinës, territori i spastruem etnikisht nga forcat e Gjeneralit Ratko Mlladiq.” (22.XI.2017)
Ajo që viktimët boshnjake shohin në trajtimin e tyne nga politika e Fuqive të Mëdha ashtë “se serbët kanë pasë sukses me avancue ambiciet e tyne territoriale me anë të agresionit dhe se asgja nuk ashtë ba me mundësue nji farë jetese të përbashkët në ditë të vështira….” (Sead Munanoviq)
Përceptimi i shumë serbëve për “padrejtësi kundër kombit serb” u çfaq në Bosnje, dhe në luftimet e mavonëshme në Kosovë (1998-99). Akoma sot parulla e pankarta janë të vendosuna para Parlamentit serb në Beograd që dënojnë Bill dhe Hillary Clinton-in, përgjegjës për bombardimin 78 ditor të NATO-s dhe pavarësinë e Kosovës. Akoma sot serbët shkruejnë :“Kosova ashtë Serbi”….
Natasha Kandiq, leader serbe e lëvizjes për të drejtat e njeriut, e tronditun nga krimet serbe në ish Jugosllavinë deklaroi:”Ne pushuem së qenuni pjesë e Europës së qytetnueme. Tashti, na kemi mundësi me kuptue pse përparimi i jonë u ndal, dhe pse jemi transformue në nji shoqëni pa solidaritet e pa mëshirë”.
Nobelistja gjermane, Herte Mueller, tue folë në Teatrin Popullor Jugosllav, Beograd, kritikoi intelektualët serbë që nuk pranojnë të ballafaqohen me krimet. “Askush nuk flet per krimet”, dhe “Serbia gjithmonë i ka shkaktue të këqiat vetes” ,… “qytetarët e saj duhet të jetojnë me këte të vertetë se ata vetë kanë shkaktue vuejtjet që përjetojnë dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999”.
Përfaqsuesi i OKB-së e quejti vendimin e Gjykatës ”nji fitore të jashtë-zakonshme për drejtësinë. Mlladiq ashtë personifikimi i së Keqes!”.
Nga 18 ditarët e mshehuna nga Gjenerali Mlladiq, lexohet:
“ 1992- Kërkesë nga Simo Drljaca, shef i Policisë, qyteti Prijedor (Bosnje). Kërkon ndihmë nga Ushtria (serbe) me zhdukë afër 5.000 kufoma boshnjake në Tomaçica, “…tue i djegë ose tue i coptue me maqina…ose me nji mënyrë tjetër…”.
Përgjegjja nga Mlladiq: “Ju i keni vra, ju i varrosni!”
*****
Në Editorialin e datës 25 nandor 2017, The New York Times, lexojmë:” Gjykata e Krimeve të Luftës, themelue në vitin 1993, ka denue ma shumë se 160 kriminelë. Tue dhanë denimin për Mlladiqin, ajo përfundoi, mbasi ndigjoi deshmitë e 5.000 personave që treguen hollësitë makabre të asaj që ngjau në ato ditë.
“ Por ky numër ashtë i vogël në krahasim me numrin e grave që u dhunuen, fshateve që u spastruen etnikisht, poshtënimin dhe agoninë e atyne që shohin se koha nuk ec për ata, ndërsa lufta vazhdon. Ashtu si e pashë unë me sytë e mi, burrat të cilët kryen këto akte kriminale –ata që ngrehen çarkun e pushkës vrastare mbi gra e fëmij, ata që hapen varrezat në Srebrenica, ata që morën pjesë në dhunime të femnave në Foca dhe qytetë tjera të Bosnjes – jane të lirë. Per mue, këta njerëz janë keqberësit e vertetë! Unë intervistova nana e bija që ishin dhunue së bashku, dhe akoma shohin dhunuesit e tyne të lirë në qytet, mbas kthimit nga lufta…! “(Janine di Giovanni)
Krimet e kryeme nga luftat vëlla vrasëse që shkatërruen ish Jugosllavinë do të kalojnë në historinë universale si shembulli ma elokuent i mundësisë së zbritjes sonë në ferrin ku krimi dhe papërgjegjsia e plotë mbretnojnë! Për të gjithë ne, që të shqetësuem kërkojmë këshilla, historia e shpërbamjes së ish Jugosllavisë në fund-shekullin 20, ashtë mësuesi ma i mirë!
Sot, na duhet shumë kujdes dhe fryma për inisiativë!
======================================================
* Aktivist për të drejtat e njeriut.