• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VLORA ME HISTORI DHE KËNGË – NJË DIAMANT I VENDIT TË SHQIPEVE, NJË PERLË MESDHETARE

March 30, 2013 by dgreca

FAKTI HISTORIK DHE TRAJTIMI FOLKLORIK I LUFTËS SË VLORËS, 1920/

Nga Albert HABAZAJ/ studiues*/

Për të kuptuar dhe shpjeguar si duhet raportin histori – folklor në Luftën e Vlorës apo gjendjen dhe prirjen e zhvillimit dhe aplikimit folklorik të epikës historike për Luftën e Njëzetës, siç e quan populli, mendojmë se duhen njohur dhe kuptuar një sërë faktorësh: historikë (rrjedha e ngjarjeve, me të mirat dhe të këqijat që e kanë shoqëruar deri më sot), kulturorë (traditat, doket, të drejtën zakonore, mënyrën e jetesës, normat e të sjellurit, gjuhën dhe komunikimin, etnokulturën lokale, kulturën shpirtërore e atë materiale etj.), gjeografikë (pozita gjeografike e një vendi malor të ashpër e të thyer si treva e Vlorës, ku thyhet kontrasti me detin, ishullin, gadishullin, lagunën, mikroultësirën e kodrat me ullinj), politiko-shoqërorë (klasat e ndryshme, shtresat si janë formuar, si janë angazhuar për lëvizjen kombëtare, për lirinë kolektive në funksion të asaj individuale, kur ajo cënohej nga pushtuesi, ecuria dhe fuqia e shtresave sociale  në politikën e vendit), pse jo edhe pozita gjeostrategjike e Vlorës në Shqipëri, në rajon, në Mesdhe e më gjerë.

Ndoshta edhe tangjent, e ndjejmë të domosdoshme që në fillim të japim një dukje në profil të Vlorës, pak histori për Vlorën ku janë zhvilluar ngjarjet, për arealin, si e ka trajtuar folklori, çfarë ishte Lufta e Vlorës, përse shpërtheu ajo, përse në Vlorë, koha dhe hapësira që rroku kjo luftë, si është pasqyruar në epikën historike, koha e lindjes së njësisë foklorike, e zhvillimit dhe aplikimit, hapësira etnografike ku u shtri e qarkulloi, me variantet që u kultivua dhe a përbën sot epika historike e Luftës së Vlorës një foklor që bën jetë aktive apo është folklor pasiv me vlera arkivore, si edhe arsyet e gjendjes aktuale. Pa u marrë me etimologjinë e qartë gjuhësore, Vlora, një nga qytetet më të lashtë në portën e Perëndimit me Lindjen, është njohur fillimisht me emrin Aulon (nga shkrimtari grek Lukiani dhe gjeografi i mirënjohur i Aleksandrisë, Ptolemeu në shekullin II të erës sonë) dhe është quajtur qytet, skelë. Gjurmët më të hershme i përkasin shekullit të gjashtë p.e.s., (para Krishtit). Studiuesit  thonë se kemi të bëjmë me një emër tipik ilir. Akademiku Shaban Demiraj, (i cili ka lindur në Vlorë dhe pikërisht më vitin 1920) ka mendimin se emri i Vlorës është një ndër të paktët emra gjeografikë të bregdetit lindor të Adriatikut dhe të Jonit, që i kanë qëndruar kohës  qysh nga periudhat e lashta. Në bregdetin e banuar nga popullsia shqiptare, ky emër ky emër gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ata të Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit. Këta emra gjeografikë nuk do të mund t’i kishin qëndruar kohës, në rast se vendbanimet e emërtuara prej tyre nuk do të kishin pasur një vazhdimësi të pandërprerë përdorimi në rrjedhë të shekujve¹) Ndërsa arkeologu Neritan Ceka ka mendimin se emri Aulona lidhet me talasokracinë liburne, e cila është tipike për shek. VII p.e.s.²)  Kemi qenë pjesëmarrës në konferencës shkencore “ Trashëgimia arkeologjike dhe themelimi i qytetit të Vlorës”, ideuar dhe organizuar nga bashkia Vlorë më 12 maj 2006 buzë detit, në ambjentet e hotel “Internacional”, ku Vlora mori çertifikatën mbi datimin e themelimit 2500 vjeçar si qytet. Por, unë kam një dëshmi gojore, të fiksuar më 20 mars 2012, nga një miku im, paleontologu  57 vjeçar, prof. Luan Hasanaj, pegadog në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, i cili në thelb më ka thënë se Vlora, ajo e hapësirës së  Monumentit të Pavarësisë te “Sheshi i Flamurit”, shënjon qysh 5500- 3500 vjet para Krishtit (dhe këtë e argumenton me metodën e korelimit (krahasimit) të mikrofaunës; po kaq mbushmendës

_________________

¹) Demiraj, Sh: Vlora në rrjedhat e kohës, konferencë shkencore; Tiranë: Toena, 2001, f.15) 

²)Buletini informativ, Bashkia Vlorë,  2006/10: Konferenca shkencore “ Trashëgimia  arkeologjike dhe themelimi i qytetit të Vlorës”, f.22.

është edhe fakti që: kur në këtë hapësirë ekzistonin popujt e vjetër të Mesdheut, ndër ta, më vonë edhe Greqia e Vjetër dhe Roma e Lashtë, si mund të mos ekzistonte Dheu i atyre që i mendojmë dhe i pranojmë si të parët tanë,  Dheu ku kemi lindur, ku banojmë, jetojmë

e veprojmë edhe ne si komunitet që e mbajmë veten si pasardhës të ilirëve.) Edhe pse ndoshta del jashtë temës që po paraqesim, e quajmë me vend ta evidentojmë këtë ide, e cila mund t’i nënshtrohet diskutimit, nga i cili na intereson, në rastin konkret, epika historike në tërësi me objektiv folklorin e Luftës së Vlorës, për vlerat njohëse, edukative dhe artistike që mbart e transmenton brezave.

Vlora  është qytet, qendër e rrethit, e qarkut  dhe e prefekturës me të njëjtin emër në Shqipërinë Jugperëndimore, buzë deteve Adriatik dhe Jon. Si qark bën pjesë në Zonën Malore Jugore dhe ka në administrim tri rrethe: Vlorën, Sarandën dhe  Delvinën, me një sipërfaqe 2706km²  e popullsi 370.999 banorë (viti 2010). Është një nga 12 prefekturat e Shqipërisë. Ndërsa si rreth ka një sipërfaqe 1609 km2. Përfshin 9 komuna dhe katër bashki me katër qytete: Vlorë (qendra e rrethit), Selenicë, Orikum, Himarë. Përbëhet nga 99 fshatra. Rreth kryesisht malor me temperatura mesatare. Male: Çika, Çipini, Griba, Bogonica, Lungara etj. lumenjtë: Vjosa, Shushica (Lumi i Vlorës), Dukati. Pjesa fushore njihet me emrin Myzeqeja e Vlorës. Bregdeti i Vlorës është shumë i përthyer me gjire e hapësira të shumta për plazhe. Natyra e rrethit është e larmishme: Gadishulli i Karaburunit, Ishulli i Sazanit, Laguna e Nartës, Uji i Ftohtë.  Ka klimë mesdhetare³). Bora  është një femonem i rrallë dhe kur bie në Vlorë qytetarët e festojnë bukur. Në rrethin e Vlorës gjendet dhe një nga majat më të larta të vendit, maja e Çikës, me 2045 m lartësi, në qendër të vargmaleve të Vetëtimës, që ndan vetëm gjeografikisht Bregun e Himarës nga Labëria e Brendshme dhe na ngjan si një grup valltarësh labë që hedhin vallen e rëndë mbi det, paralel me diellin. Ndër monumentet kulturore Vlora, përveç Aulonës së vjetër ka dhe 6 qyteza antike: Amantia (Ploçë), Olimpia (Mavrovë), Oriko (Orikum), Kionina (Kaninë) dhe Himera (Himarë), 3 kështjella (e Gjon Boçarit, shek. XV- Tragjas, e Porto Palermos- Himarë, nga më të mirëmbajturat në Shqipërinë e Jugut dhe e Kaninës, shek IV p.e.s- Kaninë), 5 kisha (e Marmiroit- Dukat, e Zvërnecit-Manastiri i Zvërnecit, kisha e Shën Spiridhonit- Vuno, e Ipapandisë-Dhërmi, e Gjithëshenjtëve- Himarë) e 1 xhami (e Muradies -Vlorë), 6 shpella e guva (Shpella prehistorike e Skotës-Velçë, Shpella e Shkruar- Lepenicë, e Haxhi Alisë- dhe e Gramës-Karaburun, Guva e Maçit- Velçë dhe Guva e Piratëve), 3 banesa karakteristike (Kulla e Vlashajve-Qeparo, Shtëpia e Odise Kasnecit- Vuno, Kulla e Dervish Aliut- Dukat), 3 monumente të natyrës (Pisha Flamur- Llogora, Guri i Qytetit dhe Guri me Qiell- Vranisht) dhe 3 monumente historike (Monumenti i Drashovicës:1920-1943, monumenti i Pavarësisë Kombëtare dhe Varri i Ismail Qemalit- Vlorë).  Rrethi i Vlorës përfshin 6 zona etnografike: Kurveleshin e Poshtëm, Mesaplikun, Bregdetin, Topalltinë, Kudhës-Grehotin dhe zonën e qytetit që bëjnë pjesë në njësinë e madhe etnografike të Shqipërisë së Jugut, Labërinë. Vlora, nëse përdorim një terminologji të prof. Rrok Zojzit, përfshihet në  një nga dy grupet e mëdha të krahinave etnografike të popullit shqiptar, që morën pjesë në  formimin e tij kombëtar, pra në grupin e krahinave etnografike të Toskërisë⁴). Ndërsa Prof. Dr. Mark Tirta, pasi përmend se në shek. XI-XV Vlora ishte një qytet

____________________

₃)Fjalor enciklopedik; Tiranë: BACCHUS; 2006, f.736

⁴) Zojzi, Rr.: Etnografia shqiptare I, Tiranë, 1962, f.20

shumë i  rëndësishëm bregdetar, ku eksportoheshin prodhime të bujqësisë dhe blegtorisë, si  dhe  prodhime tekstile, me sa duket të punuara nga mjeshtrat popullorë vendës, thotë: “ Vlora në pjesën themelore të saj është Labëri”⁵), kuptohet që është Myzeqeja e Vogël, pjesa fushore e saj që bën përjashtim. Banorët e këtyre trevave ruajnë tradita të pasura në punimin e leshit, të gurit, të drurit, kashtës, filigranës, tekstilit dhe qëndisjes. Vlora ka pozicion të favorshëm, në kryqëzimin e rrugëve tokësore, detare dhe ajrore si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Është 135 km larg kryeqytetit të vendit (Tiranës); vetëm 72 km e ndajnë nga Italia (kanali i Otrantos) dhe 77 milje me Greqinë (ishulli i Korfuzit). Ky pozicion garanton një (hyrje-dalje) lëvizje masive të turistëve vendës e të huaj, të shpejtë dhe komode, pse jo dhe shtegtim  e qarkullim të kulturave e popujve  që mbartin njerëzit në lëvizjet ndërkomunikuese. Lidhet me rrugë automobilistike me qytetet kryesore të vendit e sidomos me ata kufizues: Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën dhe Fierin. Është drejt përfundimit superstrada Vlorë- Tiranë. Mbrojtur prej ishullit të Sazanit dhe Gadishullit të Karaburunit, Vlora mban “çelësat” e portës (kanalit) të Otrantos. Dhe me kaq kuptohet se Vlora është si ajo pema me kokrra, pothuaj në kufijtë midis Lindjes dhe Perëndimit, të cilën e gjuajnë udhëtarët për t’i shijuar frutat. Ndër doket e ngjarjet kulturore  të traditës festohen karnavalet e Nartës, festa e Shën Mërisë dhe Ardhja e Pranverës.

Nga shkrimet historike mësojmë se  Vlora në shekullin IV rrethohet me mure guri të latuar. Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore dhe detare i njohur për verën, ullinjtë dhe kripën u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë dhe Orikumit.  U pushtua nga normanët (1081), nga Venetiku (1205), më pas ra nënë sundimin gjerman të Hohenshtaufëve  (Hohenschtauff). Më 1272 u përfshi në Mbretërinë e Arbërisë, duke u bërë një qendër e lulëzuar tregtare dhe zejtare si despotat më vete, e dëgjuar në këto zeje: për punimin e hekurit, të shpatave, të mëndafshit dhe nxjerrjen  e kripës. Po në Mesjetë u përfshi nën sundimin e Balshajve. Mbi qytet, nga juglindja e tij ngrihet kalaja e Kaninës. Nga Vlora , më konkretisht nga  Kanina, në kohën e vërshimit osman dhe të qëndresës së shqiptarëve (1380-1443) del në skenën e historisë deri ballkanike edhe në gurrën e folklorit Gjergj Araniti (- 1463), Gjorg Golemi e quan kënga, i cili  bëri jehonë me kryengritjet fitimtare të viteve 30 të shekullitXV, u bë edhe  vjehërri i Skënderbeut apo dhe princesha  me emër Rugjina Balsha. Gjatë pushtimit turk në Vlorë u ngritën disa objekte kulti, midis të cilëve dhe xhamia e Muradijes, ndërtuar në mesin e shek.XVI, gjatë qëndrimit të Sulejmanit të Përndritur, vepër e  të madhit arkitekt Sinanit. U vu nën pashallëkun e Janinës gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Vlora u bë simbol i atdhetarizmit gjithëshqiptar më 1912, ku pas gati 5 shekujsh robërie u ngrit Flamuri Kombëtar dhe u shpall Pavarësia e vendit, duke u bërë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur, falë ideve dhe guximit të Ismail Qemalit nga Vlora, Isa Boletinit nga Kosova, Luigj Gurakuqit nga Shkodra, Rasih Dinos nga Çamëria e të tjerëve, që u bënë pjesë e së tërës dhe na krijojnë imazhin e pemës së shëndetshme  në rrugë kombëtare që ushqen gjithë kalimtarët e uritur për liri.

Verën e vitit 1920 këtu u zhvillua Lufta e Vlorës, ku forcat pushtuese italiane u detyruan të hidhen në det. Në gjysmën e dytë të shek. XX qyteti u rrit e u zmadhua, duke u bërë

nga  më të rëndësishmit e vendit. Ka të zhvilluar tregtinë, industrinë e lehtë, transportin,

___________________

 

₅)Tirta, M; Vlora në rrjedhat e kohës: konferenca shkencore; Tiranë : Toena; 2001, f.205

 

peshkimin, folklorin, sidomos shumëzërëshin labërisht, turizmin malor dhe detar. Në të është ngritur universiteti “Ismail Qemali”, dy universitete private, ka tre muzeume: muzeun etnografik, historik dhe të pavarësisë  ky i fundit është muze kombëtar).

Edhe sot Vlora vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe kulturës kombëtare dhe veçanërisht të zonës së Jugut, duke u bërë një qendër edukimi dhe turistike, në dobi të komunitetit. Vlora, porti Jugor i Adriatikut, ka pamjen historike të zonës së një vendi të mpleksur me shumë ngjarje e përplasje historike. Një lexim sado i përciptë i historisë europiane, dëshmon për vendin qendror që zë Vlora në vazhdën e ngjarjeve kyçe që kanë rregulluar për 20 shekuj raportet e Lindjes me Perëndimin. Kjo pjesë toke dhe deti i saj kanë qenë në nga zonat e takimit të të dy botëve e të të dy kulturave të Mesdheut. Mjaft të kujtojmë që në kohët e lashta ndeshja mes Spartës e Athinës, mes Jul Cezarit e Gnei Pompeut, beteja vendimtare mes Augustit e Mark Antonit u zhvilluan edhe në territoret që sot i përkasin Qarkut të Vlorës.

Sot Vlora si qytet numëron një popullsi prej rreth 110 mijë banorë (afërsisht 3% e popullsisë së vendit), si rrethi ka një popullsi 216. 3 mijë banorë (afërsisht 6% e popullsisë së vendit), ndërsa në vitin 1920, si qytet, numëronte vetëm 8000 banorë.

Në këngë Vlorës i janë thurur lavdërimet më të larta, sepse folklori ka dhe parimin e zbukurimit e të hiperbolizimit. E quajnë Vlorë e krenarisë së madhe, Meka e Shqiptarit, Skela e Parë në Evropë, madem i historisë, Princeshë e Lirisë, sinonim i Flamurit Kombëtar etj. Fan S. Noli ka një thënie: “ Vlora për Shqipërinë është si Neë Yorku (Nju Jorku)  për Amerikën”. Aktualisht njerëzit e quajnë “ Mbretëresha e turizmit”. Dhe sot e kësaj dite në mjedise festive këndohet, nga komunitete të ndryshme, secili sipas variantit dhe melodisë që  pëlqejnë e kanë vetë banorët, kënga e Ali Asllanit, ndezur në zjarrin e Luftës së Vlorës: “…Vlorën edhe Vlorën/ thelp e kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…/ Çdo or’ e  minutë/ ty të kam në gojë,/ mase të zë lemza/ kur un’ të kujtojë…”  

Aristokrat i vërtetë qe Ali Asllani. Ka qenë edhe kryetar i bashkisë së Vlorës për periudhën 20.12. 1918 deri më 5.11.1920, i mbështetur nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” dhe në mbështetje të Luftës së Vlorës. Studjuesi dhe poeti Jorgo Bllaci  na jep informacionin se A. Asllanin shoqëria “Përlindja Kombëtare” e ngarkoi me detyrën e hartimit të programit, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” si “ Kryetar të Katundarisë së Vlorës”, se poezia e tij “ Vlora-Vlora” u bë kryekëngë, himn e kushtrim në luftën për dëbimin e okupatorit, se për këto kontribute u izolua prej pushtuesve në ishullin e Sazanit, se ai përmendte gjithmonë mençurinë, vetëmohimin e trimërinë e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Halim Xhelos, Jani Mingës, Harilla Kolekës etj., se ai shprehej fisnikërisht: “Ata ishin prijësat, ne të tjerët bënim detyrën”⁶)

Është pranuar tashmë që Vlora afron një qytet simbol përsa i përket historisë, po ashtu dhe  pasurisë së vlerave  të folklorit si në funksionin etnopërveçues edhe në funksionin etnointegrues. Epika historike për Luftën e Vlorës ka qenë në fokusin e studimeve të mia të vogla vite e vite më parë.  Mundësia e fati,  rasti e pruri që unë ta thelloj me tjetër prerje Luftën e Vlorës: si  qëndron  ajo në balancën e kohës, duke vështruar dy gurët e peshores- historinë dhe folklorin, si ato ia kanë veshur kostumin, qëndisur sipas

__________________

 ⁶)Bllaci, J.:  Ali Asllani: Poezi të zgjedhura; Tiranë, 1996, f.7-8)

mjeshtërisë përkatëse për t’i rezistuar rrjedhave të kohës.  Ky fakt më rrit përgjegjësinë në parametrat kërkimor-studimor e shkencor, që t’i ruhem “patriotizmit shkencor” si prirje

duke i mëshuar studimit të vëmendshëm si dhe të vëzhgoj diferencën e asaj ç’ka shkruhet e thuhet dhe asaj që bëhet. 

 

Në vetvete historia shqiptare është një dëshmi qartësisht e dhembshme për të ruajtur identitetin e patjetërsueshëm, që erëra, tufane, tallaze e shtërngata të ardhura me tërsëllimë, nga jashtë e nga brenda, deshën ta rrëzonin, ta shkulnin, ta asgjësonin, por s’mundën.

Për çdo komb të qytetëruar të botës njerëzore, nderimi dhe lartësimi i simboleve kombëtare, tregon shkallën e lartësimit kulturor e atdhetar të atij kombi. Një nga simbolet kombëtare shqipëtare është flamuri kombëtar, me ditëlindje të shënjuar dhe të pranuar 28 Nëntorin.  Para këtij auditori elitar paraqitemi me punimin modest “Lufta e Vlorës- historia në epikën histoike” dhe kjo ngjan kur zjarri i 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare flakëron e bëftë në breza dritë të bardhë për qindra shekuj të tjerë shqiptarësh të pavarur, të lirë, me identitet, të integruar në familjen europiane, ku na takon të jemi denjësisht , bashkë me vendet e kombet e tjera të kontinentit tonë. Më duket se jam përpara  Shenjtit të Flamurit, Plakut të Urtë Ismail Qemali, simbolit të ri i Shqiptarizmës dhe Pavarësisë të këtyre trojeve pellazgjiko-iliro-arbërore.

Ndihem shumë i respektuar dhe i nderuar dhe po aq i ngarkuar me përgjegjësi që marr

pjesë në paraqitjen e një kontributi modest për një ngjarje të rëndësishme të historisë

shqiptare, me vlera serioze të veçanta për popullin shqiptar në synimin e arritjes së lirisë, jo thjesht si imazh, por konkretisht, në realitet.

Lufta e Vlorës përbën një ngjarje që duhet të tërheq vëmendjen e atyre kapaciteteve që kombi shqiptar u ka besuar të rishkruajnë  a plotësojnë historinë e kësaj Shqipërie, që e bënë ata burra e gra tramundanash, bij e bija nënash shqiptare, që nuk zhbëhet dot e nuk e zhbën dot askush, se historia bëhet vetëm njëherë, ndërkohë që gjithsesi kjo historia jonë ekziston, kur shumë kombe qytetërimformues të botës janë zhdukur nga harta e globit.

Lufta e Vlorës është një temë që kërkon përgjegjësi të lartë qytetare, me një vizion të kthjellët historik, me një vullnet balzakian,  dhe, në emër të një ideali të madh sa kombëtar aq qytetar,  interpretim saktësisht korrekt për të  shpalosur faqe të reja dinjitoze për ata që me gjakun e tyre vaditën pemën e lirisë dhe dritëruan panteonin e vërtet të lavdisë së kombit.

Kemi patur mundësinë dhe dëshirën të sigurojmë, grumbullojmë, seleksionojmë e përzgjedhim në studion e punës goxha material, ngaqë burimet bibliografike për Lufën e Vlorës kanë qenë dhe janë përgjithësisht të pasura. E vërteta s’është një libër, e vërteta është një mozaik librash. Dhe kjo na intereson. Mendje të ditura,  klasifikuar dhe me kodin kombëtar si ato të Aleks Budës, Eqrem Çabejt, Zihni Sakos, Qemal Haxhihasanit, Petro Markos, Muin Çamit, Arben Putos, Ali Asllanit, Lasgushit, Kudret Kokoshit, Nestor Jonuzit etj. kanë ravijëzuar konturet që Shqipërisë i nevojiten të jenë më të dukshmet për faqet që i mbush Historisë së Shqipërisë Lufta e Vlorës. Janë nga ata njerëz që mbi çdo gjë duan  Atdheun siç është, jo bardhë e zi, por me të gjitha ngjyrat, edhe para heshtjes apo indiferencës së shtetit nëpër rrjedhat e kohës. Shkruajnë për ata burra që patën vullnet, qëndresë dhe dëshirë për t’i shërbyer popullit e ca më tepër patën shpresën kombëtare e u bënë ballë rreziqeve me çfarëdo mënyre. Pena e tyre, si daltë skulptori, skalit mjeshtërisht portretet e Ismail Qemalit, Osman Haxhiut, Qazim Kokoshit, Ahmet Lepenicës, Duro Shaskës, Murat Miftarit, Abaz Mezinit, Hysni Lepenicës, MitHat Frashërit, Skënder Muços, Azis Çamit, Zako Mezinit, Rrapo Metos, Sulo Hoxhës, Alem Mehmetit, Hamit Selmanit, Qazim Koculit, Azbi Canos, Ymer Radhimës, Hamza Isait, Hamit Selmanit, Sali Vranishtit, Sado Koshenës, Selam Musait, Zigur Lelos, Kanan Mazes, Thanas Benit, Mehmet Selimit, Toto Hosit, Jani Mingës, At Shtjefën Gjeçovit, don Mark Vasës, Tol Arapit, Tod Filipit, At Vasil Markos, Hodo Zeqirit, Sulejman Delvinës, Halim Xhelos e gjithë atyre drerëve që luftuan për Flamur. Këtyre burrave të nderuar kombi ua ka borxh bujarinë dhe fisnikërinë që ata treguan. Flamuri i Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit ishte simboli më i shenjtë dhe më i ndjeshëm i shqiptarëve. Një moment i veçantë na ka tërhequr vëmendjen, pikërisht ai  moment tepër simbolik dhe aq dinjitoz i ngritjes së flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1919, vetëm 6 muaj para vendimit të treqind burrave në Kuvendin e Barçallasë  për të filluar luftën e armatosur kundër pushtuesve, zbarkuar përtej Adriatikut, të cilët populli i quante pipinot e makaronave…                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                      Ëndrra shekullore që kishte përvëluar shpirtrat e zhuritur të shqiptarëve u bë realitet më 1912-ën, por e mbrapshta Luftë e Parë Botërore e bëri të pa mundur festimin popullor të përvitshëm çdo 28 Nëntor. Burrat e pasur e me mend, elita atdhetare, populli i Vlorës, qyteti dhe krahinat menduan që më 28 Nëntor 1919 të rinisnin festën e madhe të Flamurit. Ndërkohë situata ishte vërtet shqetësuese sepse pushtuesit italianë kishin hedhur në treg spiunët për të vënë në udhë e për të piketuar veprimtarët atdhetarë, qofshin këta klerikë, mësues a nëpunës të tjerë të dalluar. Zjarri atdhetar thellohej tek urrejtja kundër pushtuesve italianë saqë fëmijët të mos mësonin gjuhën italiane në shkollat shqipe. Festa e Flamurit do të bëhet madhështore me çfarëdo çmimi që të kërkohet më datën 28. Ky qe vendimi i 11 Apostujve të Vlorës me Osmën Nurin në krye. Gjeneral Ferraro, komandanti i pushtimit, nuk e pranoi ngritjen e Flamurit Shqiptar.

Dihet thënia lapidare që Osman Haxhiu i ktheu plot krenari gjeneralit. Ngado,  në qytet, në krahina, në fshatra, në komuna, në Mesaplik, në Himarë, në Kurvelesh valëvitej i lirë flamuri kuq e zi dhe ata burra hijerëndë, që i qëndronin flamurit të përbashkuar si lisat malit, betoheshin për një dëshirë, për një qëllim, që ai flamur i betejave shekullore legjendare të valëvitej përjetë i lirë në qiellin shqiptar. U kishte hije atyre burrave dhe ai lot i bukur që rrezatonte faqeve të ashpra të tyre si rreze dielli. Gjëmonte vallja e buçiste kënga, e gëzimi arrinte në kupë të qiellit. Një dasmë e vërtet e përmasave kombëtare, e merituar për t’u gëzuar. “Sikur donin të lajmëronin dhe Zotin atje lart për detyrën dhe betimin e tyre në liri”⁷⁾ shkruan  një monograf në një libër që ka botuar dhe ne ndjejmë vetvetiu një shpirt të dehur nga atdhetaria,  një penë të ngjyer në fisnikëri. Po kjo ditë e shenjtë kaloi fatkeqësisht e përgjakshme në qytetin e Vlorës. Memorialistët e  kohës na japin një panoramë të qartë të kësaj dite që u vendos të festohej me lutje fetare në kisha e xhami. Flamurtarët Rexhep Arapi dhe Faik Xhaferi u bënë shembulli model i djalërisë vlonjate. Sa dolën nga xhamia, njerëzia me këngën e flamurit në gojë, u ndodh papritur përballë tytave të armëve të pushtimit. Është vërtet një ngjarje e dhembshme, e prekshme, përlotuese, rrëqethëse. Italianët synonin flamurin. Filloi përleshja. Urtësia e trimit të ditur Duro Shaska shpëtoi djalërinë dhe parinë e Vlorës nga gjëma, kur gjëmoi: “Me duar o djem, me duar, sakën se përdorni armët.” Akt simbolik i vërtet ishte gjesti i lavdëruar i Jonuz Kumanovës,Tahir Ismail Qemalit dhe fytyrëgjakosurit  për flamur Rexhep Arapi. Jonuzi e futi në gji flamurin e i dëshpëruar, përmbys mbi të ra përdhe.

___________________

⁷) Memishaj( Lepenica),E. :Emblema e një epopeje; Tiranë: GEER, 2010

 

 

 

Bishat e egërsuara u vërsulën, ua rrëmbyen flamurin, e copëtuan dhe e shqyen barbarisht.

Njerëzit i pllakosi gjëma, flamuri humbi. Kuja mori dhenë  dhe nga burrat si rrallë ndonjëherë, qanin si për një të vdekur të shtrenjtë. Ndërsa maskarallëku pushtues arriti kulmin: një lake i tyre i vogël me uniformë, ia lidhi një copë flamuri te bishti një qeni, tek ecte në qytet. Ç’poshtërsi! Vandalizëm vërtet! Edhe sot e kësaj dite dridhen nga dhembja  e dëshpërimi gurët e mureve të shtëpive vlonjate të kohës. E ndjeni? Dridhet dhe kjo ndërtesë! Dridhet sot edhe për Çamërinë, edhe për Kosovën, se ashtu si breshkamanët italianë me Vlorën atëhere, sillen sot hienat serbe me Kosovën martire. Edhe për idealin e Kosovës lufoi Azis Çami. Luigj Gurakuqi luftoi për Çamërinë e Kosovën si ai. Pra pavarësinë e Kosovës s’ka njeri a fe a perandori ta ndali!

Ai veprim i turpshëm, që oficeri i ri italian e quajti trofe e fitores, ndezi gjakun e vegjëlisë. Sa mirë e tha Shero Emini! 28 Nëntori 1919 qe shkëndia që i vuri zjarrin e mori flakë dynjaja me Epopenë e madhe të Njëzetës. Sa kuptimplote janë vargjet :

Vrite, prite për flamur

Ata hiq e tinë vur!

Vargje që për nga forca  shprehjes dhe densiteti i mendimit të kujtojnë tragjeditë shekspirjane. Ishte pikërisht Lufta e Vlorës ajo që tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope lavdimadhe që gremisi në det perandorinë, “një ushtri 40 miljonë” siç thotë kënga

Për këtë realitët të madhërishëm, Abdyl Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo shkruante në shtypin e kohës: Nëse pati Greqia e moçme një Spartë, Shqipëria e  ka një Labëri.

U dritëroftë kujtimi i paharruar Osmën Haxhiut, Qazim Kokoshit, Qazim Koculit, Duro Shaskës, Hamza Isait, Kol Karbunarës, Tod Filipit, Ymer Radhimës, Ahmet e Hysni Lepenicës, Hamit Selmanit, Ali Beqirit dhe gjithë atyre heronjve me apo pa dekorata, që me luftën e tyre, me gjakun, me ndihmat e dhëna materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale, kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, dhanë jetën a kapitalin dhe bënë histori. Ata dhanë forcën, guximin, trimërinë, dëftuan virtytet e larta, trashëguar nga të parët, ndezën shpirtin atdhetar dhe dashurinë për vatrën e tyre, për zjarrin e tyre, për oxhakun e tyre, për gurin e sinorit lokal e kombëtar, për varret e të parëve, që mos të lëndohen, derdhën pika gjaku a falën gjithë gjakun e tyre, për këtë dhè, lënë amanet nga paraardhësit brez pas brezi. Me këto bëma, që bënë histori, u futën në gjirin e këngës dhe fluturojnë në krahët e këngës si legjendë lirie.

Si sherbet trëndafili u jap urimet më të mira e më të çiltra të gjthë atyre njerëzve të penës dhe të këngës që përjetësuan një ngjarje të vërtetë e me vlera të padiskutuara për historinë dhe etnokulturën kombëtare, etnko-memorialistike.

Lufta e Vlorës është një temë e rrahur nga historiografia. Lufta e Vlorës ka po ashtu një cikël këngësh të bollshëm dhe përgjithësisht mund të pranojmë se e ka zënë vendin e saj në histori apo edhe në folklor.

Zgjodhëm pikërisht këtë temë për të parë, për të studiuar dhe për të evidentuar raportin histori: epikë historike për  Luftën e Vlorës. Gjithashtu dëshirojmë të nxjerrim në dritë edhe personazhe që luajtën rol të dukshëm në atë epope, por që në periudhat kohore mbas ngjarjes deri në fillimet e demokracisë u lanë në heshtje, u anatemuan, kaluan kalvarin e torturave të burgjeve, u pushkatuan apo ka dhe të tillë që s’u dihet as varri dhe sot e kësaj dite. Mendojmë të japim një kontribut sadopak modest dhe në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, që mos të hahen zilet si thotë populli, pra që trajtimi i figurave kontribuese të jetë i vërtetë, pa emocione, real. Edhe për 1920-ën e vërteta historike del nga një mozaik dokumentesh  tekstorë, jotekstorë si dhe dokumenta të përbërë.

Epika historike e Lufës së Vlorës lindi si frymëzim për ata që deshën e kërkuan lirinë; ajo lindi si “gurrë jete” në psikën e banorëve të këtyre trevave, të komunitetit, në psikën e shpirtin e këngëtorit, banor e luftëtar për jetë të lirë, siç ai e mendonte, përgjithësisht në hapësirat ku u zhvillua ngjarja.

Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “ –Kanan, t’u prish bukuria/- Le të rrojë Shqipëria!” Ky dialog në këngë midis  dy miqve të llogores së lirisë: luftëtarit këngëtor dhe luftëtarit hero është jo thjesht një përshkrim i sakrificës njerëzore të individit për një gjë të shenjtë siç është hapësira e pamatë e lirisë, por më tepër, është paraqitje brilante e flijimit për Atdhe nëpërmjet të bukurës në trajtën sublime, dhënë nga rapsodi intuitivisht, (ngaqë s’ka patur gjasa e mundësi ta njihte të bukurën si kategori estetike). Vetëm në dy vargje kemi histori dhe këngë, kemi personazhe misionarë, që koha dhe hapësira i caktoi të bëhen misionarë (pa urdhëra e dekrekte)- njëri misionar i lirisë me gjakun që fali dheut mëmë dhe tjetri misionar i ndërtimit shpirtëror, të shpirtit që rron nëpërmjet këngës, e cila na vjen dhe sot e këtë ditë si monument i gjallë, në lëvizje, jo thjesht si dëshmi arkivale e komunitetit përkatës a si gjurmë shpirtërore e kujtesës sociale, por si qarkullim gurgullues i folklorit, si stafetë që sfidon periudhat, sepse është ngjizur nga e vërteta historike dhe pasqyrimi artistik i realitetit historik, i ngjarjeve e personazheve realë. Këngëtori dhe heroi ma mbushin trurin me imazhe  homerike dhe eskiljane, sepse epikja konkrete trazohet me tragjiken reale, saqë ngjitet nëpër qiejt e abstarksionit universal dhe kthehet po aty ku ndodhi ngjarja, ku u bë historia dhe ku ajo u përjetësua në këngë, në Kotë të Labërisë, sepse në atë stinë të stuhishme vere të etur për shirat e lirisë, në atë teatër luftarak “ Obobo, ç’na qënkej Kota! Më e bukur se Evropa!  Përsëri këngëtori e përdor si metaforë fjalën diamantine të shpirtit krenar që dhemb, ndaj nuk i thotë Kanan Mazes thjesht: “O Kanan, po qysh vdiqe ashtu?!” dhe të ulërijë e të çjerrë faqet nga dëshpërimi, por, siç i ka hije trimit i drejtohet burrërisht me fisnikëri: “Kanan, t’u prish bukuria!… ” për Shqipërinë e lirë, për Vlorën e çliruar. Vetëm në raste të tilla kënga i bën nur një njeriu. Në atë lartësi ku e ngjit kënga heroin, mendoj se jemi në rezonancë të parimeve të folklorit, i cili ka si gur themeli aktin heroik për të cilin shkruan historia. E morëm këtë detaj në morinë e pjesëzave dhe pjesëve të së tërës që përpiqemi të trajtojmë për Luftën e Njëzetës me synimin që të mundohemi sadopak, por për herë të parë deri më sot, për të bërë lidhjen ose diferencimin e faktit artistik folklorik nga realiteti historik; pra në fund të fundit të vëzhgojmë si qëndron raporti histori folklor për Luftën e Vlorës dhe ta prezantojmë sipas kritereve kërkimore-shkencore këtë lëndë folklorike për këtë ngjarje historike .

Metodologjia. Kriterin kronologjik kemi si bazë të trajtimit të temës “Lufta e Vlorës –historia në epikën historike”. Objekti i punimit fokuson analizën e tipologjisë së Luftës së Vlorës, parë në raportin e histori- folklor, që është dhe qëllimi i këtij punimi; e historisë si shkencë që studion tërësinë e fakteve, ngjarjeve dhe dukurive, që karakterizuan jetën dhe zhvillimin e popullit të Vlorës dhe krahinave shqiptare që e mbështetën Vlorën me forca, mjete, armatim, ushqime dhe ndihma të tjera për të çliruar territoret e pushtuara nga të huajt, dyndur nga gjysmëçizmja apenine, si qëndron me këngët historike të Njëzetës, si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim, që nëpërmjet të kënduarit shpreh mendim poetik historik për figura të gjalla, reale, konkrete. Folklori i Luftës së Vlorës mendoj se bëhet  kështu hipotekë e fitores së merituar, kur siç dimë dhe nga historia- hasmin deti e përpiu… Në shikimintonë kemi nxitjet folklorike dhe pasqyrimin e epikës historike, me krijimet e mirëfillta folklorike, që jetojnë nëpërmjet varianteve dhe improvizimit, atje në Vreshtat  e Mëdha, në Qafë të Koçiut, në Kotë, në Tepelenë, në Llogora, në Gjormë, në Skelë. Epika historike e Njëzetës rrëfen ngjarje të vërteta, personazhe realë, kemi të bëjmë me elementë realë, konkretë, historikë, që ngrihen si mohim i koncepteve të mëparshme, që  marrin e japin nga këngët  më të vjetra historike, në kushtet paraprake, sepse kërkon mjedisin, hapësirën dhe kohën e praktikimit. Nuk distancohet në vite  kënga e Luftës së Vlorës. Shumica e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje, si Nase Beni, Xhebro Gjika, Mato Hasani, Rrapo Meto, Xhemil Veli Duka etj. Ky cikël nuk vë në dyshim integritetin e epikës historike të Njëzetës, paraqet dhe të mirën dhe të keqen; edhe lëkundjet e parisë i vë në dukje. Ky cikël është shumë i pasur dhe interesant; nxjerr në pah shpirtin shqiptar, që u ngrit kundër Perandorisë së Re: “Breshkaman i breshkamani,t/ Dil steresë, jo limanit!”. Lufta e Vlorës u zhvillua në Vlorë, pjesëmarrësit ishin pothuaj nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët erdhën jo thjesht në shenjë solidariteti, por e  ndjenin që po u cënoheshin trojet e tyre, vatra amtare, shtëpia e madhe. Pra ndërgjegjësimi atdhetar- kombëtar, ardhur si stafetë e njohjes së kombit, që nga Rilindasit, sidomos nga  periudha e Lidhjes së Prizrenit, kur fillon ngjizja e realitetit të ndjenjës kombëtare, mori përmasa më të gjëra: njohjen e Kombit. Vullnetarët e ardhur nga krahinat e tjera në Vlorë, siç na tregon dhe historia  apo dhe variantet e këngëve të rregjistruara spikasin një  dukuri të re, që u bë traditë ndër hapësirat ku banojnë shqiptarë: që trojet shqiptare s’mund t’u falen më të tjerëve, që nisur nga shtëpia e vogël e familjes të ruajmë e të luftojmë për shtëpinë e  madhe kombëtare, se hasmi s’ka turp e vjen te dera… Edhe ky cikël nuk mund të operojë ndryshe nga ç’ka ndodhur në të vërtetë, duke u bërë kështu kronikë e ngjarjeve të verës së  vitit 1920 në Vlorë e rrethina. Këtë e marrim vesh nga toponomastika e pasur e këtij folklori, nga emrat që thotë kënga. Mbi këtë plan është realizuar rilevimi i njësive folklorike në terren  krahasuar me të dhënat nëpërmjet dokumentacionit përkatës, përzgjedhur përmes ballafaqimeve të shumta tekstore.

Besueshmëria e të dhënave. Analiza e elementeve folklorikë është rezultante e përgatitjes së matricave përkatëse  jo vetëm statistikore nga historia dhe përveç botimeve folkloristike edhe nëpërmjet gjurmimeve në terren për  epikën historike. Këto matrica përbëjnë një bankë të dhënash të besueshme pasi:

A-Janë rezultate të dala nga përpunimi i të dhënave të regjistrimit se  ç’është shkruar deri më sot, kush ka shkruar, si është trajtuar dhe çfarë ka ngelur jashtë kësaj teme, të cilën e marr me synimin për të parë raportin civilitet-traditë, duke i parë italianët në konteks si kolonizatorë, ç’informacin na jep historia, po folklori ç’informacion na jep, po ashtu opktikën e këngëve të Njëzetës në periudhat historike, që rrokin 92 vjet, kur psika e njerëzve të kolltukut sundimtar kanë patur qëllim glorifikimin e vetes dhe minimumi lënien në hije të atyre që kanë patur kontribute dikur, diku dhe aqsa, ashtu si e kanë lënë gjurmën e respektit në bashkësitë njerëzore ku kanë vepruar e janë njohur.

B- Shumë referenca të këtij punimi mbështeten në 7 kolanat që ka botuar ISKA (ish-Instituti i Folklorit), të cilat kanë nivel të lartë besueshmërie, sepse janë produkt i organizmit shtetëror më të specializuar, siç është ky institut.

C- Rilevimi në terren, nëpërmjet pjesëmarrjes së vijueshme, fiksimit memorial dhe ekspeditave vetiake ka përfshirë mbi 1/3 e verifikimit të asaj që është shkruar, ruajtjes fonetike, sipas të folmes lokale dhe gjendjes së sotme aplikative të epikës historike të Luftës së Vlorës, gjë që mund të konsiderohet e vlefshme.

Duke shtruar pyetjen: a kemi dëshmi që këngët e 20-ës këndohen edhe sot me atë melodi që është kënduar atëherë duam të shprehim jo atë që dëshirojmë por atë që dimë, që kemi parë e që kemi dëgjuar në realitet. Sot kemi një zbehje të qarkullimit folklorik të asaj epopeje. Këndohet në Dukat kënga e vjetër që përshkruan një ngjarje të asaj lufte, sipas stilit dukatas. Bëhet fjalë për kënëgn “ Nga Beuni vjen një kartë/ dërgon Komision’ i lartë”, ku bëhet dhe portreti i Kapedan Hodo Zeqirit, dukatas dhe  komandant i çetës së Dukatit në këtë luftë. Kemi dëgjuar në një festë të  këndohet dhe në Armen për  Osman Haxhiun, i cili ishte bir i Armenit dhe njëkohësisht  kyetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili udhëhoqi Luftën e Vlorës. Edhe kjo këngë këndohet sipas melodisë që këndojnë banorët e Armenit dhe jo të tjerë. Pra ato janë shumë lokale, me hapësira të kufizuar, brenda për brenda fshatit. Nuk ka kohë të caktuar se sa do të jetojë. Një komunitet i pranon, një tjetër jo, për arsye konfliktesh, bindjesh apo preferencash.(p.sh. këngët për Qazim Koculin këndohen dhe  pëlqehen në Kocul, por jo në Kuç apo në Vranisht). Por nga brezi në brez kënga ka qarkulluar dhe ka ardhur sot.  Në Jug këndohet me shumë zëra, pa çifteli, sepse ashtu e ka traditën. Në Labëri këndohet vetëm, me dy vetë, trio e me grup më të madh në numër, ku këngëtari i parë është marrësi, i dyti kthyesi, i treti  hedhësi, të cilët mbushen me ison e të tjerëve, në harmoni zërash, që maten me biblilat. Ka këngë që kanë zgjerim më të madh, si p.sh. kënga e Selam Musait, veçse secili sipas melodisë përkatëse (avazit të tij), por në përgjithësi  ndihet një praktikim i kufizuar, sepse si duket edhe lufta e Njëzetës e ka mbaruar misionin e saj, e ka përfunduar ciklin dhe i përket arkivit, gjithësesi është në kujtesën e vlonjatëve, tepelenasve e komuniteteve të tjerë që u sulmuan padrejtësisht gati një shekull më parë. Ndërkohë të mos kemi komplekse ndaj  italianëve të sotëm, që i shërbejnë paqes, përparimit, kulturës dhe jetës së lirë, të cilët nuk mund të ndihen fajtorë për luftën e padrejtë, që bënë të parët e tyre si pushtues të vendit tonë. Ata nuk ka pse ta ndjejnë komleksin e fajit, as ne të urrejtjes ndaj tyre; ashtu sikurse edhe historinë nuk duhet ta harrojmë se s’mund të harrohet gjaku i derdhur për ruajtjene mbrojtjen e këtyre trojeve.

 

Kjo  lloj kënge  historike ka peshë të madhe shpirtërore për komunitete të caktuara, në hapësirat e aplikimit, pothuaj jugore e në kohën e duhur. Ajo pasurohet dhe asnjëherë  nuk shkëputet nga realiteti ekonomiko-shoqëror, se kënga  e Njëzetës nuk i shpëton dot konceptimit shoqëror. Edhe ajo zbukuron shpirtin, e fisnikëron atë. Për këtë arsye këmbëngul që fjala e humbet vlerën kur vezullojnë thesaret e folklorit, sidomos sot, kur jo vetëm në fasadë na shfaqet një shoqëri kozmopolite, kur patriotizmi i harruar natyrshëm po evidentohet në tërësinë e sotme sociale, me zë tingëllues të vërtetë, në konteks të zhvillimeve të kohës.

Vërehet në tërësi se kënga lind e qarkullon, së pari e së shumti, në ato hapësira ku zhvillohen ngjarjet, ku evidentohen dhe spikasin personazhet historikë. Fjala vjen, duke studjuar vëllimin “ Këngë popullore historike”, botuar nga Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1956, zgjedhur e pajisur me shënime nga Qemal Haxhihasani, nën kujdesin e Zihni Sakos, vërejmë se në bllokun folklorik “ Lufta kundër pushtuesve turq” cikli “Këngë e legjenda për Skënderbeun” vjen nga Mati, Dibra, Bulqiza, Shëngjergji- Tiranë, Burreli, Elbasani, Peshkopia, Kosova, Martaneshi, Ishmi e rrethinat e qendrave të njohura të këtyre trevave. Gjithashtu na vijnë edhe nga arbëreshët e Italisë këngë për Skënderbeun që i gjejmë në tekstin e De Radës “ Rapsodie d’ un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano, Firenze, 1866”, që sipas rilindasit janë mbledhur ndër kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe shpalosen para komunitetit për të rindezur zjarrin e atdhedashurisë, duke himnizuar Motin e Madh e bëmat e Skënderbeut e trimat e tij, kombin e simbolet, që i dëshironin, por që u mungonin. Edhe e vetmja këngë për Gjorg Golemin,siç e quan kënga  vjehërrin e Skënderbeut- Gjergj Aranit Golem Komnen Topia, Zot i Arbërisë, Shpatit, Mokrës dhe Çermenikës, na vjen nga Bërzhita, Elbasan. Cikli i këngëve të Bushatllinjve të Shkodrës vjen nga Shkodra, Martaneshi, Theth- Shalë e Laç-Kurbin. Cikli i këngëve të periudhës së Ali Pashë Tepelenës vjen nga Kardhiqi, Labova, Himara, Dhëmblani e Levan-Cirua-Tepelenë. Këtu kemi një rast të veçantë; dy këngë vijnë nga Shkodra; ndoshta nga që në kështjellat e llogoret e Janinës, gjatë qëndresës epike të ditëve të fundit të Ali Pashës luftuan myslimanë, ortodoksë, katolikë, labër, çamër, kosovarë, dibranë, mirditorë, shkodranë. Këngët e periudhës së luftrave kundër Tanzimatit kanë shtrirje; gjerësi e gjatësi gjeografike jo vetëm në trevat e Jugut, por edhe në Shkodër, Dibër, Gjakovë, rrethinat e Krasniqes, kukësit e Çermeniës. Dhe kjo kuptohet sepse Tanzimati, s’qe reformë e moderuar, por sipas Sami Frashërit pushtim i ri i Shqipërisë dhe në mbarë krahinat nuk u bindën për taksat financiare, xhelepet e haraçet; ishin kundër shërbimit ushtarak të detyruar për sulltan Abdyl Mexhitit  dhe luftuan trimërisht kundër dyndjeve të egra osmane. Dhe këngët për kryengritësit janë shumë yë bukura. Po kështu shumë  këngë nizami, kapedanësh, kaçakësh apo këngët kundër shfrytëzimit vijnë nga Kosova, Prishtina, Elbasani, Puka, Shpati, mati, Martaneshi,, Luma, Lezha, Gjakova, Hasi, Curraj Epër-Nikaj, Dibra, Mokra, Shkodra, prizreni, Kolgecaj, Kruja, Tropoja, Gashi, pra nga të gjitha trevat shqiptare, jo vetëm nga Himara, Kurveleshi, Mallakastra, Kolonja, Korça, Gjirokastra, Labëria etj. edhe kjo është e kuptueshme, sepse nizamllëku ishte jo plagë sociale, po elegji e gjallë për djemtë e nënave që i hëngri “Jemeni”. Një mikrocikël me këngët për lirinë e popujve të tjerë e sidomos për luftën çlirimtare të Greqis vjen vetëm nga trevat jugore, se prej andej ikën e ndihmuan shqiptarët për të çliruar grekun nga Turqia. Kënga e Luftës së Kosovës (1389) vjen nga Dërvarë- Vuçitern. Edhe për Haxhi Qamilin janë kënduar këngë nga një lokalitet i ngushtë njerëzor. Janë pak njësi folklorike të mbledhura që na vijnë vetëm nga Ndroqi, Ishmi e Shatel Shijak. Aty veproi, aty si duket dhe pëlqehet. Në treva të tjera s’ka bërë përshtypje apo mbahet mend për keq. “Jo çdo bashkësi, jo çdo komunitet mund të jetë pronar i një njësie folklorike” tërheq vëmendjen në një ligjëratë Prof. Dr. Agron Xhagolli. Për Ismail Qemalin këngë të vjetra na vijnë 5 njësi folklorike dhe më saktë  3 që i bëjnë jehonë veprës së tij madhore për Pavarësisnë e Shqipërisë, vijnë nga Kabash- Gramsh, Radhimë-Vlorë dhe Kuç – Kurvelesh, ndërsa dy  të tjerat përfshihen në ciklin e Luftës së Vlorës dhe emri i Plakut të Bardhë përmëndet si imazh simbolik, si shembëlltyrë nderimi.( Nuk po flasim për këngët e krijuara më vonë që janë aplikuar në vijimësi, duke u pasuruar apo për të tjera që e kanë të diskutueshëm “çertifikatën” e njësisë folklorike.

Dhe gjatë udhëtimit nëpër lëndina e bjeshkët folklorike sodisim natyrën epike dhe pimë ujë në gurrën gati shekullore prej nga buron epika historike e Luftës së Vlorës (saktësisht po mbushen 93 vjet që nga koha e zhvillimit të asaj lufte).

Duke punuar me vëllimin  “Këngë popullore historike”, cituar më lart, kemi shënuar 43 njësi folklorike që përbëjnë ciklin e Luftës së Vlorës, i cili vjen nga Dhëmblani, Turani e Levan Cirua -Tepelenë, Qeparo-Himarë, Tërbaç, Vranisht, Shkozë, Ramicë, Dukat, Velçë, Vajzë, Brataj, Shalës- Mesaplik, Bolenë, Nivicë e Progonat- Kurvelesh, Çorrush e Aranitas-Mallakastër, si dhe nga vetë qyteti i Vlorës. Pra është e kufizuar hapësira e përhapes së këngës pothuaj në ato hapësira që prodhuan historinë e Luftës së 1920-ës: Vlorë- Tepelenë-Himarë. (Në këtë rast diskutojmë vetëm për shembujt që na vijnë nëpërmjet këtij botimi të realizuar relativisht herët, pra 56 vjet më parë. Botime të tjera sjellin njësi të tjera, variante të tjera, që e pasurojnë dhe e zgjerojnë hartën folklorike të këngës. Do të shprehim mendimet tona ku kemi vërejtur pasaktësira në toponiminë e vendeve, onomastikën e personazheve të Njëzetës  si dhe respektimin ose jo të parimit fonetik në njësitë e mbledhura në terren, të rregjistruara dhe të sjella nëpërmjet botimit folkloristik.)

Kur flasim për kohën e krijimit të Epikën Historike të Luftës së Vlorës (= EHLV), sigurisht, nuk është fjala për një datim të saktë. Ndoshta s’mund të përcaktojmë arketipin, por jo vetëm nga studimi i burimeve të shkruara apo i traditës shqiptare të luftrave (dhe jo vetëm) luftëtarët para betejave pinin, këndonin dhe sulmonin si rrufe. Kënga u jepte frymëzim, moral, u jepte fuqi si Mujit zanat. Kemi siguruar informacion nga libra monografikë, romane historikë e kujtime të ndryshme që shumë këngë janë krijuar e kënduar në teatrin e veprimeve luftarake, në kohë të caktuar afërsisht saktë, në hapësirë të përcaktuar qartë nga këngëtorët, të cilët ishin edhe aktorë të teatrit të Luftës. Kështu, nga romani “ Ultimatumi” i Petro Markos, që përveç vlerave artistike ka edhe vlera folklorike dhe etnologjike me peshë specifike, mësojmë se Lufta e Vlorës është Faltore jo vetëm për historianët dhe studiuesit e Folklorit Shqiptar (të epikës historike), por edhe për shkrimtarët më në zë të vendit të Shqipeve, ata të vërtetët si Petro Marko – Kalorës i Lirisë së Fjalës dhe Veprimit.

(Pjesa dyte. VIJON

*  Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Albert Habazaj, fakte historikeFolklorik, i Luftes se Vlores

FAKTI HISTORIK DHE TRAJTIMI FOLKLORIK NË LUFTËN E VLORËS, 1920

March 25, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ/ studiues*/

Raportet histori – krijimtari  folklorike janë trajtuar edhe nga studiues të ndryshëm shqiptarë për ngjarje të ndryshme historike, por, më të shumtën, duke u nisur thjesht nga trajtesa të shkurtëra, të një plani të përgjithshëm. Duke pasur pikënisje këngët historike të Luftës së Vlorës më 1920, do të dëshironim të shihnim më së afërmi edhe disa raporte më të përcaktuara të faktit historik dhe të trajtimit të tij folklorik. Kjo me dëshirën e mirë që jo vetëm të ndriçohet kjo luftë, siç na e sjell kënga popullore, por dhe të mbahet një qëndrim më i qartë rreth raporteve histori – epikë historike, mbështetur mbi një lëndë folklorike të caktuar, ngaqë, në fund të fundit, kjo ka të bëjë dhe konceptimin dhe me kuptimin e folklorit. Një hapësirë e përcaktuar qartë përsa u përket raporteve histori- epikë historike kërkon kuptim të drejtë si nga historiani, ashtu dhe nga folkoristi.

Lufta e Vlorës është trajtuar në nivele të caktuara nga historianë të ndryshëm, edhe në tekstin përgjithësues të historisë së Shqipërisë. Ndërsa nga folkloristët është përmendur herë pas here  kjo ngarje dhe janë botuar një numër jo i vogël këngësh, që bëjnë fjalë pikërisht për këtë luftë dhe që përbëjnë një cikël nga më të plotët, nga më të bukurit, shumë i larmishëm, me një intensitet të madh ngjarjesh, tablosh, figurash, që sjellin informacione aq të gjera, sa që në një farë mënyre, e gjithë tabloja historike të duket sikur të vjen përpara syve¹) shoqëruar edhe me shënime sqaruese.  Por këngët popullore nuk janë parë më tej si lëndë materiale që jep mundësi për trajtesa më të gjera. Deri më sot nga folkloristët për ciklin e Epikës Historike të Luftës së Vlorës (EH LV) është thënë se “Përgjithësisht në këngët e këtij cikli ndjehet e pranishme përplasja midis luftëtarëve të popullit shqiptar dhe pushtuesve italian딲)

Për vetë rëndësinë e madhe që paraqet Lufta e Vlorës më 1920, në planin kombëtar, menduan se do të ishte me interes që nëpërmjek kësaj teme, jo vetëm t’i bëjmë  jehonë e homazh kësaj ngjarjeje, por se ajo do të na shërbente për të shprehur kuptimin tonë rreth raporteve të caktuara midis historisë dhe folklorit, si dy disiplina shkencore edhe të afërta, por edhe të mëvehtësishme. Duhet  të pohojmë që në fillim se për ne fakti historik dhe trajtimi folklorik duhen parë si raporte të historisë me artin folklork, që nuk e shohim thjesht si art të fjalës, por si krijim të veçantë artistik, të

_____________

1)  A. Xhagolli: Etnologjia dhe folklori shqiptar; Vlorë, Triptik, 2007, f. 251).

2) A. Xhagolli, vep. e cit., po aty).

natyrës sinkretike. Çdo pasqyrim artistik folklorik nuk është thjesht një fotokopjim i realitetit, kështu që as EH LV nuk mund të bëjë përjashtim nga ky fakt. Arti folklorik, si dukuri sinkretike, në tërësinë e përbërësve të tij është një njësi artistike.

Kjo do të thotë se autori kolektiv, në proceset folklorike, pas aktit të fillesës krijuese individuale, pranon dhe përfshin në qarkullimin folklorik ato krijime që ai parapëlqen, pavarësisht nga rëndësia dhe vlerësimi i këndvështrimit të kronikanit, pjesëmarrësit apo vëzhguesit në ngjarje, dokumentit, historianit. Një ngjarje a një figurë shumë e rëndësishme në aspektin historik, (siç do ta vërejmë edhe gjatë ftillimit të mikrotezës: “Lufta e Vlorës. Historia në epikën historike”) mund të mbetet fare mirë jashtë trajtimit folklorik. Krijuesi popullor mund të jetë krejt indifferent ndaj një ngjarjeje a figure të rëndësishme të historisë dhe të bëjë të vetën ngjarje a figura të rastësishme a të dorës së dytë, të tretë etj. Edhe kjo do të thotë fare hapur dhe qartë se krijimtaria folkolorike nuk është e barabartë me historinë dhe se nuk merr përsipër të pasqyrojë çdo moment, ngjarje, situatë, person historik.

Në të mirë të këtij pohimi vjen edhe një fakt tjetër. Duhet thënë se dhe përbërësit e një krijimi folklorik të veçantë, posaçërisht teksti poetik, paraqiten me vlera estetike. Për më tepër, një dukuri e tillë vërehet edhe te këngët historike, që për vetë natyrën e tyre janë përgjithësisht pak më të shkarkuara nga figuracioni artistik, i afrohen më shumë një narracioni, kanë enumeracion emrash, luftëtarësh, vendesh etj. Përmendim, ndër të tjera, strukturën poetike, narracionin poetik, figuracionin poetik.

Për më tepër, në shkrirjen, harmonizimin e elementeve, formave, mjeteve etj., të ndryshme, si në planin artistik, ashtu dhe në atë joartistik, përftohen ndjesi, përfytyrime, realitete artistike të mirëfillta. Kjo do të thotë se në krijime të ndryshme folklorike mund të ketë mbingarkesa jo të baraspeshuara, në rastin më të mirë midis vlerave artistike dhe atyre praktiko- utilitare, në vartësi të funksioneve shprehëse të vetë krijimit apo të llojit a të zhanrit folklorik ku bën pjesë. Por në tërësinë e përbërsve të vet, pavarësisht nga pesha zotëruese, në çdo krijim folklorik është e pranishme komponentja artistike.

Nga ana tjetër, çdo krijim folklorik e merr fillesën e vet nga një realitet i caktuar, pra ka në bazë të tij një moment jetësor, pavarësisht nga dozat e përpunimit artistik. Pra, në thelb, në çdo krijim folklorik shpaloset apo mund të merret një informacion i caktuar nga realiteti jetësor. Në këtë kuptim, do të thoshim s e për historianin trajtimi folklorik mund të përbëjë burim të rëndësishëm informativ, në rastet kur i mungon fakti i mirëfilltë historik. Për më tepër, duhet të kujtojmë se te shqiptarët, për kushte të caktuara, dhomat e burrave kanë qenë përgjithësisht mjediset ku historia përcillej edhe përmes këngëve historike.

Problemet teorike të shtruara më lart do t’i zhvillojmë më gjerësisht, duke u nisur nga lënda folklorike e mbledhur dhe e botuar për Luftën e Vlorës më 1920. Folkloristi i mirënjohur shqiptar Qemal Haxhihasani, për ciklet e këngëve popullore që trajtojnë periudhën 1913-1939, të asaj epike historike, që sot klasifikohet “këngë të periudhës së shtetit të pavarur shqiptar”¹), thotë se ato “janë vazhdim i këngëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare si në brendi ashtu edhe në formën e tyre artistik ²). Ai përcakton nëncikle të luftërave, nëpërmjet të cilave, sipas tij, bashkohen pjesë të veçanta të historisë së lëvizjes lokale në tërësinë e jetës historike kombëtare. Sipas tij, sistemimi i këngëve brenda vëllimit është organizuar sipas kriterit kronologjik, duke i grupuar në tre kapituj: I. Këngë për ngjarje historike të viteve 1913-1919; II. Këngë për ngjarje të viteve 1920-1924 dhe III. Këngë për ngjarje të viteve 1925-1939. Kjo ndarje është bërë edhe sepse për secilën  prej këtyre fazave ka zotëruar një ide kryesore e veçantë. Brenda përbrenda secilës ndarje ka edhe një farë grupmi të këngëve sipas kriterit tematik në mënyrë që të mos krijohet një shkapërderdhje, përhapje pa rregull, e hallakatur e materialit.

Për ne në këtë rast është me interes theksimi nga folkloristi A. Xhagolli si një cikël i veçantë i këngëve të Luftës së Vlorës më 1920³). Në EH LV zotëron më fuqishëm ideja e mbartur nga faza e parë, ajo e mbrojtjes së pavarësisë kombëtare të kërcënuar, e tërësisë tokësore të Atdheut, sepse ishte evident rreziku i shkëputjes nga trungu amtar i trojeve shqiptare. Në këtë bllok këngësh pasqyrohet edhe lufta për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Lufta e Vlorës, (1920) për shkak të përpjestimeve dhe jehonës së saj është lënë si njësi më vete. Në këtë cikël përshihen, biles, sipas kriterit kronologjik, paraprijnë ciklin edhe këngët për Kongresin e Lushnjës, ndonëse numerikisht janë të kufizuara. Kongresi i Lushnjës, që u mbajt në janar të vitit 1920, u shkrua “me shkronja shtypi në zemrat e çdo shqiptari”4), sepse ngriti me forcë flamurin e luftës antikoloniale, duke hedhur poshtë planet e Konferencës së Paqes që u mbajt në Paris pas Luftës I Botërore (LPB) për copëtimin e Shqipërisë  dhe përcaktoi një program politik të qartë e luftarak, rreth të cilit u bë bashkimi i shtresave më të gjera të popullit shqiptar në një front antikolonial për çlirim kombëtar. Lufta e armatosur e Vlorës, që shpërtheu në qershor të po këtij viti kundër pushtuesve italianë, ishte një zbatim i vendimeve të këtij Kongresi, rrjedhim logjik i dinamikës së situatës në kohë dhe në hapësirë. Edhe _____________

1)  A. Xhagolli: Etnologjia dhe folklori shqiptar; Vlorë, Triptik, 2007, f. 251)

2) A. Xhagolli, vep. e cit., po aty).

3)  A. Xhagolli, vep. e cit., f.251.

4) Dokumenta e material historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e pavarësi 1917-1941; Tiranë: botim i Arkivit të Shtetit, 1959, f.61.

duke hedhur poshtë planet e Konferencës së Paqes që u mbajt në Paris pas Luftës I Botërore (LPB) për copëtimin e Shqipërisë  dhe përcaktoi një program politik të qartë e luftarak, rreth të cilit u bë bashkimi i shtresave më të gjera të popullit shqiptar në një front antikolonial për çlirim kombëtar. Lufta e armatosur e Vlorës, që shpërtheu në qershor të po këtij viti kundër pushtuesve italianë, ishte një zbatim i vendimeve të këtij Kongresi, rrjedhim logjik i dinamikës së situatës në kohë dhe në hapësirë. Edhe Kongresi i Lushnjës i kryesuar nga Sulejman Delvina, edhe Lufta e Vlorës e kryesuar nga Osman Haxhiu patën një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe regjistrohen si dy ngarje të shënuara në historinë kombëtare të popullit shqiptar. Për Kongresin e Lushnjës, i cili protestoi kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës (1915) */2) dhe kundër kërkesave shoviniste të fqinjëve, që rrëzoi qeverinë tradhëtare të Durrësit më 29. 01.1920, me motivacionin se kishte vepruar “jashtë tagrit dhe programit të caktuar nga Kongresi i Durrësit dhe formoi kabinetin, gjithësej na kanë mbërritur vetëm tri këngë, dhe pikërisht ato që fillojnë me vargjet: “Po vjen teli havada” [havada (turq.): në hava, në ajër], “Në Lushnje lidhnë bashkimë”, e cila vjen e botuar me 4 vargje, dhe “U ngre populli në këmbë”, botuar edhe në vëllimin III të Epikës historike nën numrat 185, 186, 187 ¹), në “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”, nën numrat 2, 3, 4 ²). Nga një botim më i vjetër “Këngë popullore historike”, përgatitur nga Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, 1956 nuk na vjen asnjë këngë për gjurmë folklorike të regjistruar, që t’i bënte jehonë popullore Kongresit të Lushnjës, i cili pati rëndësi të veçantë kombëtare, sepse mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tij. Kënga me 4 vargje: “Në Lushnje lidhnë bashkimnë,/ për të bërë Shqipërinë./ Tiran’ u ngre qeveria,/ dhe u mbrojt me gjak liria.”³) Gjirokastër, 1970, në një botim tjetër vjen më e plotë në këtë variant: “ Në Lushnjë lidhen bashkime/ Musliman’ e të krishterë/ Për të bërë Shqipërinë/ tha Kongresi plot me vlerë./ Zoti Sulejman Delvinë/ Kryeministër i kabinesë/ të drejtë e nise qëllimnë/ emëri yt nuk do vdesë./ rrofsh mor rrofsh se ç’i shërbeve/ Të mirë ç’e pate qëllimnë/ me të holla s’u gënjeve…” 4).

______________

1- Epika historike: përgat. Qemal Haxhihasani, Miranda Dule; Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë, 1990 [1989], vëll.III, f. 290- 292).

2- Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”, përgat. Muin Çami, Qemal Haxhihasani, Zihni Haskaj, Zihni Sako; Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folklorit, Tiranë, 1970, f. 228- 230.

3) Epika historike, 3: vep. e cit.,f.292.

4) Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, Tiranë, 1974, f. 97. 

*/2). Traktati i Fshehtë i Londrës (1915). Marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane më 26.04.1915, për të plotësuar pretendimet e qeverisë italiane në Shqipëri dhe synimet territoriale të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë mbi tokat shqiptare. Sipas pikës 5 të T. F. L . , bregdeti shqiptar, prej derdhjes së Bunës në Veri deri në derdhjen e Drinit në Jug, përfshirë Shëngjinin, i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi; sipas pikës 6 Vlora dhe ishulli i Sazanit i kalonte Italisë. Sipas pikës 7 Italia detyrohej të mos e kundërshtonte dëshirën eventuale të Francës, Anglisë dhe Rusisë që pjesët veriore e jugore të  Shqipërisë të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ndërsa në Shqipërinë e Mesme do të formohej shteti shqiptar  “autonom“, i cili do të ishte nën protektoratin e Italisë. Me T. F. L. Fuqitë e Antantës dhe Italia merrnin nëpër këmbë të drejtat sovrane të popullit shqiptar dhe likujdonin pavarësinë e Shqipërisë. Traktati u botua për herë të parë nga qeveria sovjetike fill pas fitores së Revolucionit të Tetorit dhe pastaj në organet e tjera jashtë dhe brenda Shqipërisë. Ai u bë i njohur në të gjitha qarqet atdhetare shqiptare, u cilësua prej tyre “Qefini i Shqipërisë” dhe ngjalli një valë zemërimi që u pasua me protesta energjike dhe nga një lëvizje e fuqishme antiimperialiste.  Ai u hodh poshtë nga Kongresi i Lushnjës.

(F E SH, vëll. III, bot. i ri i ASHSH, QESH: Koli Xoxi; Tiranë, 2009, f. 2734- 2735)

Kënga ruhet në Muzeun historik të Gjirokastrës dhe është krijuar dhe kënduar nga vjershëtori popullor Teno Lena nga Fterra me miqtë e tij këngëtarë. Këtë njësi folklorike e sjell Lefter Dilo nëpërmjet kumtesës” Veprimtaria politike në Gjirokastër në mbështetje të Kongresit të Lushnjës”, mbajtur në sesionin shkencor të Lushjnës, janar 1970 dhe botuar në vëllimin “Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës”. Më specifik e konkret për mospërfshirjen e folklorit në rolin e fotografit të realitetit, por në përfshirjen e tij si pasqyrues artistik i këtij realiteti është vlerësimi i studiuesit A. Xhagolli kur thotë: “Kënga historike përzgjedh ato ngjarje, momente, figura që lidhen dhe pasqyrojnë interesat e komunitetit ku praktikohet krijimi folklorik. Ky lloj “indiferentizmi” i këngës historike mund të shpjegohet edhe me mungesën e informacionit rreth ngjarjeve apo figurave historike.

Dihet se kënga historike ka si karakteristikë të vetën pasqyrimin e atypëratyshëm të ngjarjeve reale. Ndaj ndodh që ato, edhe kur janë me peshë në historinë kombëtare, të mos zënë vend apo të jenë të rastësishme në krijimet e epikës historike. Kështu p.sh., Kongresi i Lushnjës (1920) përbën një ngjarje madhore në historinë kombëtare shqiptare, ndërsa epika historike paraqitet pothuajse e painteresuar. Më tej tregon se në vëllimin e tretë të epikës historike, botim në nivel akademik, që përfshin dhe periudhën historike të mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, mezi bëhen gjithsej 3 tekste këngësh, por edhe këto, tërheq vëmendjen specialisti i folklorit, “nuk duken krejt autentike të kohës”¹).

Përgjithësisht numri i këngëve të shënuara nuk tregon për një barazi në vlerësime të kësaj ngjarjeje historike nga folklori në raport me atë që sjell historia. Shpjegimet më të mundshme do të lidheshin me moskuptimin dhe vlerësimin jo të nivelit të duhur nga ana e krijuesit popullor. Edhe pse në periudhën, kur u zhvillua Kongresi i Luftës e në vijim shpërtheu Lufta e Vlorës kishte pushuar së vepruari komponentja e luftës kundër pushtuesve osmanë për çlirimin kombëtar, gati gjithë krijuesit e këngëve apo valleve të kënguara vinin nga komunitete rurale, ishin këngëtorë, rapsodë popullorë të formuar në gjirin e bujqve e të blegtorëve. Janë raste të rralla aktivizimet e njerëzve të arsimuar, që kanë bërë vargje e i kanë kënduar së bashku me banorët, luftëtarët, kuvendarët etj. Të tillë mund të përmendim Halim Xhelon, i cili më 9 maj 1920, kur bobla mblodhi tërbeçtë në Bregun e Bragjine (që nga ai çast mori emrin Bregu i Alarmit), në ballë të fshatit Tërbaç të Lumit të Vlorës thuri dhe këndoi në mes të bashkëfshatarëve të tij këtë njësi folklorike të regjistruar dhe të memorizuar në kujtesën sociale të komunitetit që e pranoi dhe e përcolli tek të pasmit e gjakut. Ja vargjet e këngës: “Shqipëri e dashur/ Je në robëri./ Jamte buzëplasur/ Se ti s’ke liri./ Un’ për ty do des,/ I dashur Atdhe,/ I gjall’ të mos jes,/ Ndryshe pse më ke?/ Ngrihi burra trima,/ Armikun përzëmë/ Porsi vetëtima/ këtu mos ta lëmë!/ Shqip’ria thërret-ë/ lirinë kërkon-ë,/ nga nevej e pret-ë/ mvetësi dëshron-ë./ Nevej të bashkuar/ O për një qëllim-ë./ Me flamur në duar:/ Vdekje për shpëtim-ë”. E shënuam këngën siç e kemi dëgjuar atje ku është kënduar, sikurse është praktikuar, me të folmen dialektore të Tërbaçit, duke respektuar parimin fonetik detyrimisht. [E vemë në dukje këtë fakt sepse, nga e gjithë lënda foklorike e botuar që kemi qëmtuar, teksti ka ardhur i sajdisur, për të qenë sa më afër formës letrare, normave të shqipes standarte (aqsa, sadopak), gjë që folklori s’e pranon]. Këtë këngë të H. Xhelos e kemi gjetur të botuar në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” ²), gjatë gërmimit në arkivat e shtypit periodik të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë. Gjithashtu, memorja na sjell si në ekran vitet 1967- ’70, kur ndihej një situatë sa festive, aq solemne në Tërbaç, sepse gëzonin njerëzit, kur prisnin 50 vjetorin e kujtimit të fitores së bujshme që kishin arritur në Luftën e Vlorës, më Njëzetën, “kur hodhën talanin në det”, siç thoshnin ish- vullnetarët e kësaj lufte çlirimtare. Si tani më vijnë në kujtesë ata burra të bardhë, të moshuar, po shtatlartë të thantë si xha Rizai, babë Rustemi, xha Tahiri, babë Seferi, xha Prënjua me xha Agon e pleq të tjerë të fshatit që mblidhnin rreth vetes ata pak më të rinjtë, që u vinte “sëra për pleqërim me burra” si Mujo Gjondedën, Kujtim Micin, Mejdi Skëndon, Rexhep Abazin, Abaz Abazin, Qazim  Çelon, Qazim Abazin, Asllan Nikën, Izet Skëndon, Rrapush Mehmetin, Mitro Gjinin, Xhevit Gjinin, Sinan I. Hoxhën, Sherif Gjokën e me radhë, kush mbushte moshën e bëhej zot kënge e burrë muhabeti, një natë te njëri, një natë te tjetri nëpër odat e miqve apo më rrallë kur dilnin ditën sipër, në qendër të fshatit a në Breg të Bragjine e këndonin (për qejf të tyre, jo me porosi), këngë të vjetra të Xhebro Gjikës, që kishte qenë vetë në Luftën e Vlorës, apo këtë të Halimit që cituam ose të tjera që i thurnin vetë, i qepnin aty për aty, një varg njëri, një varg tjetri. Të gjithë me radhë, sipas një rregulli që ata e zbatonin përpikmërisht bëheshin marrësa, ku njëri ia kthente këngës, ___________

1)  A. Xhagolli, vep. e cit., f. 248.

2) Mbrojtja Kombëtare, 18 nëntor 1920, nr.6.

një tjetër ia hidhte dhe iso bënin të tërë burrat e ulur këmbëkryq e ashtu shtruar, vënçe, pleqërishte, me melodinë e tyre karakteristike, që kënga o t’u vente gjym, zile Janine, ose s’këndohej fare. Këngën e Halimit, vjelur edhe nga subjekti Hamdi Hodo e që bën fjalë për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha koloniale italiane, bërë e kënduar në atmosferën e përgatitjes së luftës heroike të Vlorës dhe që u bënte thirrje bashkëfshatarëve për t’u ngritur në këtë luftë e gjetëm të shkruar në një letër të vjetër, të zverdhur nga koha, gjatë kohës që gërmonim në dosjet e arkivës personale jo shumë sistemuar. Ndoshta kjo këngë është ndër më të vjetrat, ngaqë s’mund të shprehemi dot me siguri që pikërisht kjo njësi folklorike është arketipi i këngëve kushtuar Luftës së Vlorës, sepse kur flasim për arketipin e çojmë mendjen te prototipi, te kënga e parë, te protokrijimi, të cilin do ta trajtojmë më gjerë në vijim të punimit, për të vërejtur e klasifikuar edhe botimet më të vjetra folklorike për LV. Mund të ketë patur dhe këngë të tjera, por që s’kanë arritur dot për arsye nga më të ndryshmet, sepse mund të ketë ndodhur dhe një dukuri tjetër. Siç është e njohur tashmë për folkloristët, krijime folklorike të periudhave të caktuara historike mund të mos mbeten në qarkullimin folklorik te brezat pasardhës. Po kështu, për mungesë të regjistrimit të tyre krijime që mund të kenë bërë jetë folklorike nuk janë të njohura për ekzistencën e tyre. Kjo gjendje e gjen justifikimin te fakti se epika historikebën jetë passive folklorike, nuk është në qarkullim, rrallë tepër rrallë praktikohet ajo dhe me raste  në hapësira të ngushta si Dukati, Armeni, Tërbaçi, Koculi, Kanina, Brati, Smokthina, Bënça, Fterra, Sevasteri pra në disa fshatra të Labërisë së Vlorës e Tepelenës, si dhe në Mallakastër, sidomos nga moshatarët. Për të qenë më bindës pohimi ynë, mund të ndalemi pak më gjatë për fatin e krijimit folklorik të Paraluftës së Vlorës, protokrijimi i 9 majit 1920. Ai ka arritur deri në ditët tona në sajë të botimit të parë që më 18 .11.1920 në gazetën “Mbrojtja kombëtare” (1920-1923), e cila ishte gazetë e përjavshme, informative, politike, shoqërore, letrare, organ i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që udhëhoqi Luftën e Vlorës. Numri i parë doli më 14 tetor 1920; dolën 83 numra. Nga nr. 1 deri 45 e drejtoi dom Mark Vasa, ndërsa nga nr. 46 (28.11.1921) e deri në fund e drejtoi Qazim Kokoshi. Luftoi për mbrojtjen e lirisë, të pavarësisë e të tërësisë tokësore të vendit, propagandoi idenë e bashkimit të popullit shqiptar rreth qeverisë kombëtare të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Është pikërisht gazeta” Mbrojtja Kombëtare” ruajtësja e tekstit të këngës që bëri e këndoi H. Xhelo më 9 maj në Tërbaç. A kishte rrezik të fshihej nga çdo lloj kujtese apo informacioni ekzistence? Mendojmë që jo, sepse ajo ruhej të paktën në më shumë se tre burime dhe praktikohej nga ai komunitet që u ndodh tok me Halimin më 9 maj, pra mbahej mend të paktën, nga një grup i vogël njerëzish, të cilët e kishin qejf ta këndonin, qoftë se dikur, në vitet ’20 të shek. XX ishin të pushtuar nga tjetri; shfrytëzoheshin nga i huaji e kërkonin shpëtim; jo vetëm që dhe nga natyra ishin kryelartë; qoftë për t’u mburrur që ishin bashkëkohës të Halim Xhelos; qoftë se nga lufta që bënë dolën fitimtarë e jo humbës- dhe kjo patjetër i bënte të ndiheshin krenarë. Motivuar nga kjo logjikë pleqtë ua mësonin këngën bijve dhe ajo mbahet mend deri te 50- 60 vjeçarët e sotëm që banojnë në Tërbaç. Kënga e H. Xhelos është e botuar me shkurtime edhe në vëllimin III të Epikës Historike, nën nr. 197 me titullin “Ngrihi burra trima”¹), ku i interesuari, studiuesi lexon se është mbledhur në Tërbaç të Vlorës, 1980 dhe poshtë tekstit ka shënimin: “Sipas kujtimeve popullore, Heroi i Popullit Halim Xheloja, i rrethuar nga bashkëfshatarët e tij, e këndoi këtë këngë në mes të fshatit Tërbaç më 9 maj 1920”. Gjatë periudhës së grumbullimit, seleksionionimit dhe studimit të materialit të nevojshëm për temën e ngushtë “Lufta e Vlorës: Historia dhe epika historike” nga platforma e temës bosht për Luftën e Vlorës vërejtëm se kjo këngë gjendet e botuar nga historiani, Profesor Viron Koka dhe Sazan Xhelo, i biri i Heroit në botimin akademik me studim, materiale e dokumente nën siglën e Akademisë së Shkencave “Halim Xhelo – militant dhe ideolog i shquar revolucionar”²). Gjithashtu është e botuar edhe nëpër libra të ndryshëm lokalë, me ndonjë ndryshim në tekst. Kjo njësi folklorike dallon që është këngë e tipit mobilizues, këngë kushtrimi, ku ndihen notat patetike. Duke qenë se kjo këngë mund të jetë dallëndyshja e parë, pararendëse e ciklit të pasur të këngëve për luftën e Vlorës, justifikohet ndoshta toni deklarativ, (gjithmonë duke gjykuar në kontekst të situatës kur u këndua, ku u këndua, pse u këndua dhe çfarë korri, çfarë realizoi, çfarë siguroi për misionin që krijuesi e interpretoi në atë komunitet. Krijuesi, njëkohësisht dhe interpretues, “solisti i parë” marrësi i këngës duke synuar që të përçonte përmes saj rritjen e ndërgjegjes kombëtare të njerëzve, që e dëgjonin dhe këndonin me të, i mbushte ata me ndjenja të larta dashurie për vendlindjen, me nderim sublime për lirinë, me zjarrin e ndezur atdhetar, duke kërkuar kështu nëpërmjet këngës plotësimin e nevojave praktiko – utilitare të komunitetit. Si duket, kënga i përgjigjet flakë për flakë kërkesës së ngutshme të momentit aspak të qetë, por shumë të trazuar, të turbulluar e të paqartë, prandaj kënga merr ritëm e bëhet prush e, për të ndezur zjarrin e çlirimit nga kolonizatorët e rinj, del nga shtrati tradicional i krijimeve të kënduara nga burrat, sipas stilit muzikor “labçe vënçe” që aplikohej në atë kohë dhe në atë hapësirë ku dihet e këndohet me “stilin muzikor të Tërbaçit”¹), siç njihet dhe vlerësohet edhe nga etnomuzikologët dhe folkloristët shqiptarë. Aktualisht kënga nuk bën jetë folklorike, sikurse një pjesë e konsiderueshme e EHLV dhe këtë fakt e argumenton logjika e kohës, e zhvillimit, e rrethanave, kushteve aktuale, nevojave që komuniteti shqiptar, brenda të cilit edhe ai vlonjat e lab, ka sot, si dhe kërkesave që ky komunitet social ka, me synimin që të përmirësohemi duke përparuar, duke synuar paqe, harmoni, zhvillim, integrim, identitet në familjen europiane, të cilës i përkasim (Shih rev. Të Drejtat e Njeriut)

_____________  

1)  Epika historike, vep. e cit., f. 303.

2) Halim Xhelo – militant dhe ideolog i shquar revolucionar”; përgat. Viron Koka, Sazan Xhelo: Akademia e Shkencave të RPSH, Instituti i Historisë Tiranë; 1975, f . 60.

Është për t’u vënë në dukje dhe fakti që, ndërsa historia parashtron kushtet dhe parapërgatitjet për fillimin e L V, flet për Kongresin e Durrësit (1918), për Qeverinë e Përkohshme të Durrësit (1918-1920), për Kongresin e Lushnjes, për Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, për Luftën e Vlorës dhe për jehonën e saj brenda dhe jashtë vendit, për zgjerimin e lëvizjes në Veri (Lufta e Koplikut deri në tërheqjen e trupave  jugosllave nga Malësia e Shkodrës me zbrazjen e Kastratit e tërë ato fshatra të djegura lënë pas, apo Lufta e Dibrës dhe bën konkluzionet e tërheqjes së forcave jugosllave në kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913), kënga historike as që “shqetësohet” për shumë nga këta elementë të tillë. Si e gjithë kënga historike shqiptare edhe EHLV nuk merret me përgjithësime dhe shpjegime jashtë kuadrit konkret e që nuk japin drejtpërsëdrejti momente, ngjarje a figura në aksion ose në veprim të caktuar.

Luftërat e vitit 1920, si ajo e Vlorës, e Koplikut dhe e Dibrës, përbëjnë, sipas historianëve shqiptarë, tri piketa të pathyeshme të qëndresës heroike që sollën fitore të merituara të luftëtarëve vendas mbrojtës ndaj agresorëve të huaj sulmues, që, me dyndjet e armatosura, bënë zaptime të padrejta të tokave që shqiptarët i kishin trashëguar nga brezi në brez dhe i kishin mbrojtur me gjak. Luftërat e vitit 1920 plotësojnë pragun kohor dhe kurorëzimin e rinjohjes ndërkombëtare të pavarësisë,  ku padyshim Lufta çlirimtare e Vlorës, sipas historianëve shqiptarë, renditet ndër ngjarjet më të mëdha të historisë kombëtare të shek. XX, që pati një rol vendimtar në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe në rivendosjen e pavarësisë së saj²). Ndërsa këngët popullore nuk arrijnë të përcjellin një mesazh të tillë. Mendojmë se kjo lidhet, së pari, me natyrën e krijimit popullor, që s’bën përgjithësime të gjera; së dyti, përgjithësisht krijimi popullor nuk u rikthehet ngjarjeve dhe figurave historike, t’i trajtojë ato në distancim nga koha e tyre. Përkundrazi, tipik për krijimin popullor të epikës historike është transmentimi i drejtpërdrejtë, si të thuash, flakë për flakë ose shumë i përafërt i momenteve historike të caktuara, që i bën objekt pasqyrimi.

Historianët përcaktojnë si një ndër momentet më të rëndësishme të Luftës së Vlorës mbëshjetjen dhe përkrahjen me të gjitha mjetet, por në mënyrë të fshehtë zhvillimit me sukses të Luftës së Vlorës¹) që i dha Qeveria e Kongresit të Lushnjës, quajtur ndryshe qeveria e Tiranës, nga që më 11.02. 1920 u vendos në Tiranë, e cila u caktua përkohësisht kryeqytet i Shqipërisë nga organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës. Kënga popullore dëshmon se krijuesi popullor

__________

1) Kënga polifonike labe: përgat. Spiro Shituni, Agron Xhagolli; Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore: Tiranë, 1986, f. 7, 8, 543.

2) Historia e Popullit Shqiptar III, periudha e Pavarësisë: 28 Nëntor 1912- 7 Prill 1939, Akademia e Shkencave e Shqipërisë; Tiranë: Toena, 2007, f.166

e njeh apo ka informacion për Kongresin e Lushnjës: “shumë patërjot’ u mblodhë/ në qytet të Lushnjës-ë,/ më nëndëqint e njëzetë/ zhvilluan kongresin-ë./ Një qeveri e formuan/ për të gjithë vëndin-ë,/ u ngre populli në këmbë,/ kundër copëtimit-ë/ dhe breshkaqënit në Vlorë/ i treguam vëndin-딲). Është kjo një këngë e regjistruar në Dukat të Vlorës më 10 janar 1970, gjithsesi, relativisht e re dhe nuk renditet në tekstet që i përkasin tabanit, e cila është kënduar nga rapsodi Dule Havari me miqtë e tij të grupit të Dukatit, sipas variantit shtruar dukaçe me rastin e 50 vjetorit të Kongresit të Lushnjës. Tek Epika historike, 3³)  teksti është i botuar më i shkurtuar dhe në disa vargje sipas normave letrare, jo sipas parimit fonetik  Edhe kësaj kënge (sikurse këngës së H. Xhelos, që praktikohej në Tërbaç), për plotësimin e vargut me metrin përkatës, ndonjëherë i shtohen gjatë melodisë zanore që s’i ka fjala. Këtë funksion kanë edhe ë-t që janë shtuar edhe në fund të vargjeve të kësaj kënge, për të plotësuar ritmin folklorik me alternimin e vargjeve dyshe 8 rroksh me 7 rroksh. Kongresin e Lushnjës dhe veprimtarinë e tij politike e diplomatike në shërbim të Shqipërisë, akoma në pelena identiteti, këtë ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare, kënga popullore e kalon pa ndonjë vëmendje të veçantë, shkarazi, vetëm me 2-3 njësi folklorike, që, me sa duket, nuk janë krijuar e nuk janë kënduar në kohën e ngjarjes. Një gjë e tillë mund të shpjegohet ose me mosmbledhjen në kohën e duhur të ndonjë krijimi tjetër të tillë, ose me mos përqëndrimin dhe mos vlerësimin e këtij momenti. Edhe folkloristët kanë evidentuar se elementet me prejardhje nga folklori qytetar janë të kufizuar si për Kongresin e Lushnjës, edhe për Luftën e Vlorës, kështu që dhe EHLV ruan të njëjtën arkitekturë si të këngëve  të periudhës pararendëse të pushtimit Osman, sidomos me ciklet a nënciklet e këngëve për luftrat kundër reformave antishqiptare të Tanzimatit, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të kryengritjes së Malësisë së Madhe, të Pavarësisë, për bijtë e shpatës shqiptare e trimat e kryengritjeve popullore me Gjolekë e Sef Koshare, me Ded Gjo Lul e Çerçiz Topull, me Ismail Qemal, Is’ Boletin e Flamur Kombëtar.

Kënga popullore ve në dukje dhe lidhjen, bashkëpunimin, mbështetjen jo vetëm midis krahinave të afërta, si: Mallakastra, Kurveleshi, Gjirokastra, në krahë të fshatrave te Labërisë së Brendshme të Lumit të Vlorës e të Dukatit, të Tepelenës, të Himarës e të Treblovës, që mbajtën edhe peshën kryesore të luftës, por edhe deri në Skrapar, Kolonjë, Sarandë, Myzeqe me Fier e Lushnjë Korçë e deri në  Çamëri: : “Alush Taka me Muharremë/ me djelt’ e vëndit skifterë/ në ndihmë Vlorës i vanë,/ u shtruan në istikamë,/ krahpërkrahë me Selamë,/ lëftuan me breshkamanë:/ Llogora- Kanin’, Mavrovë,/ gjersa _______________

1) Fjalor enciklopedik shqiptar, vëllimi III, botim i ri i ASHSH, QESH: përgat. zëri nga Muin Çami; Tiranë, 2009, f. 2154).

2) D. Havari: Ligjëro biblili ynë vjershërime dhe rapsodi; Tiranë, 2001, f. 36

3) Epika historike, 3, vep. e cit.. f. 291, nr. 186

 Italin’ e shporrr딹) .Kënga është kënduar në Arpicë të Margëlliçit që i përket krahinës etnografike të Çamërisë dhe është regjistruar në komunitetin çam në Skelë të Vlorës, më 1982, mban nr. 314 dhe bën sqarimin poshtë tekstit me dy shënime:

Alush Take Konispoli dhe Muharrem Rushit Koska, dy komandantë të  çetave të Çamërisë. Në vitin 1920 morën pjesë me çetat e tyre në Luftën e Vlorës gjer në çlirimin e plotë të saj.

Është fjala për komandantin legjendar Selam Musa Salaria (Hero i Popullit).

 

Në këtë mënyrë kënga popullore na bën me dije për një situatë konfliktuale me pushtuesin në përmasa shumë më të gjera se sa thjesht në Vlorë dhe në krahinat e saj. Në përmasa të zgjeruara, në vija të përgjithshme, edhe historia, sipas kriterit shkencor se ç’peshë ze fakti historik i ngjarjeve e personazheve të Luftës së Vlorës në rrafshin e historisë kombëtare. Historia Luftën e Vlorës e paqyron si pjesë të historisë kombëtare, jo si histori lokale edhe pse lufta u bë në lokalitete, pra në hapësira lokale, nga që nuk u shtri në gjithë vendin, ajo pati rëndësi jetike për vijimin ekzistencial të kombit, për vetë pavarësinë konkrete të Shqipërisë. Historia i ka dhënë vendin e merituar kësaj lufte.

Kënga sjell një lloj informacioni të veçantë për nga mënyra e pasqyrimit, rreth drejtuesve të Luftës së Vlorës: “ -Kush e tha fjalën e parë?/ – Osman Haxhiu qe djalë,…²) apo “Osmëni  njëzet vjeç dalë/ bashkë me Sali Muranë,/ me Halimin dipllomanë…” ose “ Osman Haxhiu ka folë:/ -O djem, kush do vej’ në Vlorë ” ³), si dhe: “ Në krye vunë Osmënë,/ drejton maleve pa hënë…”4) apo një tjetër: “Kush e njih, kush e kish parë,/ Halim Xhelon, deli djalë?!…” ¹). Një këngë e vjetër na sjell një tablo informative më të plotë për drejtuesit e tjerë, të cilët do të organizonin komunitetet të cilat u kishin besuar atyre drejtimin e zhvillimit të luftës në terren: “Maji më njëzet e nëntë,/ n’ Barçalla, në Mal të Shëjtë,/ ngrenë plan populli vetë:/ “Të desëm për dhen’ e shtrenjtë!/ Të desëm për Barçallanë!”/ Fshat më fshat kartat u ndanë,/ vunë çet’e kumandarë:/ Salari Semam Musanë,/ në Vranisht Sali Muranë,/ në Tërbaç vunë Selmanë,/ në Brataj-ë Memo Plaknë,/ Lepenic’ Ahmet Islamnë/ dhe në Gjorm Selam Hasanë;/ Lapardha Alem Aganë./ Radhimë Bilbil Sinanë,/ Tragjas Zenel Ramadanë,/ në Dukat Zykë Matanë!”²). Një tjetër kënëg e vjetër na njeh:  “Në Velçë kush qe i pari;/ Hasan Hyso faqebardhi”³).

_______________

1)  Epika historike 3, vep. e cit., f. 429.

2) Po aty, nr. 226, f. 336

3) Po aty, nr. 207, f. 315

4) Po aty, nr. 225, f. 335

 

         Nga ky enumeracion krerësh, pjesëmarrës në drejtimin e Luftës së Vlorës, jepen jo vetëm përmasat reale të shtrirjes së lusftës, bashkimi dhe uniteti ndërkrahinor, por dhe pa dalluar të krishterin nga myslimani. “Alush Taka me një çetë/ me treqind e disa vetë” 4) nuk ndahej nga “ çeta jon’ e Kurveleshit,/ Stefani nga Bregu Detit…5) pa hedhur hasmin në detë”. Stefan Thomagjini ishte pjesëmarrës i çetës së Bregut. Për më tepër, në ndonjë këngë të veçantë, autenticiteti i së cilës duhet parë, na del edhe figura e anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, të cilët në të vërtetë sipas historisë, kanë luajtur rol të rëndësishëm në organizimin dhe drejtimin e Luftës së Vlorës më 1920: “ Rrëzë e Kudhësit e Smokthinë,/ Dukati me vrap po vijnë,/ Barçalla bëjnë tertipnë,/ ç’i shënuan parësinë: Alem aganë e Hamitnë,/ Murat Miftar e Halimnë,/ Beqir e Osmën Haxhinë…”6) . Ky tekst i botuar në vëllimin “Këngë popullore të Labërisë” ka dhe këto shënime: “1920, Radhimë- Vlorë, 1949” dhe sqarimet: “1) Alem Mehmeti nga Tragjasi, 2) Hamit Selmani nga Dukati”, emrin e M. Miftarit s’e përmend, por shënon: “3) nga Tërbaçi, 4) Halim Xhelua, Hero i Popullit, 5) Beqir Velua”. Nga këta personazhe realë historikë tre ishin anëtarë të komitetit vlonjat “Mbrojtja Kombëtare” dhe pikërisht  A. Mehmeti, H. Selmani dhe M. Miftari; H. Xhelo ishte Sekretar i Komitetit “Mbrotja Kombëtare”; Beqir Velo nga Kanina ishte luftëtar, gjykimtar dhe patriot i kulluar, komandant i çetës së Kaninës, por jo anëtar i Kombitetit. Anëtar i Komiteti ishte Beqir Sulo nga Vlora,që i thoshin dhe Beqir Sulo Agalliu, ndërsa O. Haxhiu kryetar i Komitetit.

Botimi akademik i Historisë së Popullit Shqiptar shkruan që komiteti vlonjat “Mbrojtja Kombëtare” thirri një kuvend përfaqësues nga qyteti dhe nga fshatrat e zonës së pushtuar të vlorës , që u mblodh ilegalisht në 29 maj 1920 në Barçalla, në jug të Vlorës, mbi Dukat, në një faqe mali me mbrojtje natyrore. “Kuvendi zgjodhi një komitet prej 12 anëtarësh, – shkruan historia, – i cili u ngarkua për organizimin dhe për drejtimin e kryengritjes. Kryetari i tij u zgjodh përsëri Osman Haxhiu, ndërsa anëtarë Sali Bedini,

­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­1) Epika historike, vep. e cit., nr. 201, f. 308.

2) Këngë popullore historike: Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, 1956, nr. 280, f. 298-299.

3) Epika historike, vep. e cit. nr.280, f.394

4) Po aty, nr.313, f.428

5) Po aty, nr. 333, f.449

6) Këngë popullore të Labërisë, Mbledhës të folklorit, v.8; Instituti i Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të RSH: mbledhur, përgat. dhe pajisur me shënime nga Fatos Mero Rrapaj,Tiranë, 1991, nr.1003, f. 1155

Qazim Koculi, Hazbi Cano, Ahmet Lepenica, Murat Miftari etj. U zgjodh gjithashtu edhe një komision ushtarak, që do të merrej me organizimin dhe drejtimin e veprimeve të armatosura, në krye të të cilit u caktua në fillim Ahmet Lepenica dhe pak më vonë Qazim Koculi. Me përjashtim të disa bejlerëve vlonjatë, si të Eqrem bej Vlorës, që e quante “ marrëzi” të ngriheshin armët kundër një fuqie të madhe, pjesa tjetër e rretheve me ndikim në qytet dhe në krahinë u rreshtua në anën e luftës”¹). Nuk na duket e drejtë që në tekstin më të rëndësishëm historik të Shqipërisë për kohën e sotme s’ përmenden të 12 emrat e anëtarëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që drejtoi atë epope legjendare, e cila për nga lavdia dhe jehona që bëri krahasohet denjësisht me betejat epokale të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Konkretisht Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” përbëhej nga kryetari Osman Haxhiu vlonjat, me origjinë nga Armeni, ose Osmën Nuri, siç i thoshte populli, me anëtarë Sali Bedini nga Armeni, Hamit Selmani nga Dukati, Duro Shaska nga Koculi, Hazbi Cano nga Mavrova, Beqir Sulo Agalliu ose Beqir Sulo Vlora nga Vlora, Ali Beqiri nga Velça, Alem Mehmet Agai ose Alem Tragjasi nga Tragjasi, Hysni Shehu nga Sevasteri, Qazim Kokoshi nga Vlora, Murat Kapo Miftar Habazaj ose Murat Tërbaçi nga Tërbaçi, Myqerem Hamzaraj nga Kanina, ndërsa major Ahmet Lepenica nga Lepenica dhe kapiten Qazim Koculi nga Koculi ishin komandantët e Luftës së Vlorës. Kur komisioni i luftës e vendosi qendrën në Drashovicë, ku u formua prefektura, komanda, gjyqi, policia, xhandarmëria etj. Qazim Kokoshi u caktua prefekt, komandant Qazim Koculi. (Më parë si komandant qe Ahmet Lepenica, por në Kotë u zëvendësua nga Q. Koculi dhe u caktua komandant i xhandarmërisë. U formua dhe një gjykatë. Sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” ishte Halim Xhelua. Ky informacion na vjen nga kujtimet e botuara të patriotit Gani Iljazi, i cili ka qenë pjesëmarrës me armë në dorë i  Njëzetës, ka qenë ndërlidhës i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe njëkohësisht korespodent i gazetës së përjavshme politike e shoqërore “Drita”, gazetë që botohej në Gjirokastër nga Veli Harshova dhe që mbajti qëndrim patriotik, që u rendit në krahun përparimtar të kohës, që u ngrit kundër  pushtimit Italian të Vlorës dhe kundër ndërhyrjeve  të shovinistëve fqinjë në Shqipëri²). Një libër më i vjetër historie shkruan se Kuvendi i Barçallasë zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 30 vetash dhe nga gjiri i tij u zgjodh një komitet i ri i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 vetësh, të cilit iu ngarkua drejtimi i kryengritjes. “Kryetar i komitetit u zgjodh përsëri Osman Haxhiu. Pranë komitetit u formua edhe një komision ushtarak, i përëbërë prej oficerësh nën kryesinë e Qazim Koculit, ish oficer i marinës. Komisioni ngarkoi kapitenin Ahmet Lepenica të organizonte formacionet ushtarake”³). Nuk përmend asnjë emër tjetër nga ai komitet burrash me peshë specifike për kombin, sepse ideuan, organizuan dhe udhëhoqën drejt fitores Luftën e Vlorës, më 1920 dhe vendosi fatet e Shqipërisë. Studiuesi E. Memishaj (Lepenica) i quan ata viganë “emblema e një epopeje”4). Libri i historisë së Shqipërisë, botuar më 1965, që iu referuam, përmend edhe vetëm këtë fakt: “Shembull të lartë heroizmi tregoi në këto luftime (në kodrat e Babicës, në qafën e Koçiut – shën. im: A. H) fshatari plak nga Salaria e Tepelenës Selam Musaj komandat i çetës së fshatit të vet, i cili ra dëshmor në ullishtet e Vlorës.”5)

Është interesant fakti, se si historia, si epika historike janë treguar indiferentë e të mbyllur ndaj figurave të udhëheqjes strategjike të luftës (të anëtarëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, duke i përmendur tepër pak, kur kontributi i tyre ishte tepër i madh. Ndaj figurave të udhëheqjes taktike (komandantëve të çetave të fshatrave apo dhe trimave apo dëshmorëve) historia e ’65-ës përmend vetëm heroizmat e plakut Selam Musai që u vra duke luftuar, kur tundej vendi nga “gunat përmbi tela” që agresori i kishte vendosur në front të pengonte përparimin e trupave kombëtare me luftim për shporrjen e italianëve pushtues nga Vlora; ndërsa historia e 2007-ës përveç S. Musait përmend dhe Zigur Lelon, Dule Dajlanin, Toto Bolenën, Myhedin Mystehakun, Sino Micolin, Kanan Mazen, Sali Muratin)6.  Vihet re diçka më ndryshe, më e hapur, më positive, një farë korrigjimi për të ndrequr gabimet e të metat, që si historianët ashtu edhe krijuesit popullorë i kanë bërë, të diktuar nga presioni i diktaturës në rrjedhat e kohës. Folklori, gjithsesi ndryshe nga historia, sidomos për figurat e udhëheqjes taktike të luftës, për dëshmorët dhe për trimat e kësaj epopeje, qysh atëhere, kur tundej vendi nga “gunat përmbi tela”, ka shpërthyer furishëm me gjithë arsenalin shpirtëror, me një mozaik figurash artistike spontane që të befason. Këngët për të rënët në luftë, për trimat e “vegjël”, që s’ishin të dëmshëm për regjimin, asnjëherë nuk u ndaluan, as nga rgjimi i Zogut, as nga regjimi i Hoxhës, sepse përfaqësonin masën e thjeshtë fshatare, që bëri sakrifiucën më sublime dhe që nuk paraqiste asnjë rrezikshmëri për ata që kërkonin himnet vetëm për vete dhe nuk ua cenonte dot kush kultin mitik që u thurnin vasalët të detyruar.

Do ta trajtojmë në kapitujt vijues këtë raport të figurave taktike të luftës, por duke i mëshurar trajtimit folklorik të figurave strategjike të saj mund të themi se janë të pakta njësitë folklorike autentike për anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”.

Së pari, në vëllimin “Këngë popullore historike” të vitit 1956, nga 43 këngë të botuara në cilkin “Lufta e Vlorës”, që përfshijnë këngët nga ajo me nr. 277 (f. 297) deri tek kënga me nr. 319 (f. 315) përmendet vetëm një herë emri i Osmën Haxhiut tek kënga nr. 316 (f. 314) regjistruar në Brataj – Vlorë: “Ç’i hipi Osmëni kalit,/ Bëri poshtë buzës së malit,/ Dërgon kartë Xheneralit:/ “Dil steresë e jo limanit,/ Të shohç të zot e vatanit,/ trimat e ‘Smail Qemalit”. Asnjë njësi folklorike nuk është e botuar në këtë tekst për asnjë anëtar tjetër  me emër të Komitetit. Janë dhe katër raste të tjera të shënuara por me emër të përgjithshëm jo me emër të përveçëm dhe pikërisht kënga nr. 281 (f. 299) mbledhur në Dhëmblan – Tepelenë: “ Në Beun çetat u mblodhë/ Selam Musa o lule!/ Dymbëdhjetë komisionë./ Gjithë çetat i zgjodhë,/ Dyfek e flamur në dorë:/ “ Ti, Selam, do shkosh në Vlorë,/ Kumandant mi tre taborrë.”/ “Do shkoj-te, në paça forrë!”/ Doli Selami si ylli/ Poshtë nga spitala ryri;/ Briti: “Vlonjatas. Ku jini?/ Mirri dyfekët, i bini, Brenda mu në det t’i hidhi!”. Kënga tjetër nr. 282 (f. 299 – 300) vjen nga Vranishti i Vlorës: “Në Beun kur u mbëlodhë/ dymbëdhjetë komisjonë, Sali Muratin e folë:/ “Ti, Sali do shkosh në Vlorë,/ Kumandar mi tre taborrë!”/ “Do vemi në paçim forrë!”  ***  Çet’ e Rëzës u vërvinë,/ Kapetan kishnë Salinë,/ Të keq trimn, vetullazinë./ Majave Vreshatve rynë,/ Me bomb’ në mest e godinë:/ Tha: “Në tel çorra kërcinë!”/ Për t’mos trëmbur shokërinë”. Kënga me nr. 297, f. 306 e ka burimin në Levan Cirua – Tepelenë dhe na vjen me 11 vargje: “Atje te hani në grykë,/ Te Ura në Drashovicë,/ Qëllon topi i Italisë;/Ka nijet që ta vithisë/ Komisjon e Shqipërisë./ O moj Shqipëri e bardhë,/ Gjith’ bota ta kan’ sevdanë!/ Italia me Junanë./ të keqen ta kanë marrë,/ Se ke trima kordhëtarë,/ barutin me grusht e hanë!”. Kënga flet për sulmin që bënë italianët mbi Drashovicë më 8 qershor 1920, ku deshën të çajnë rrethimin e Vlorës dhe t’i shkojnë në ndihmë garnizonit të Tepelenës. Vetëm me një varg e vlerëson kënga rolin udhëheqës të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, të atij komisioni që udhëhiqte kryengritjen, i cili pat zbritur ngs Beuni në Drashovicë pas ndjekjes së italianëve së këndejmi. Intuita popullore dhe zgjuarsia natyrore e lartëson Dymbëdhjetshen e Drejtimit të Luftës, e quan “Komisjon’ e Shqipërisë”, jo thjesht të Vlorës, Tepelenës e Himarës. Sigurisht, një gjë e tillë është e lidhur dhe e shpjegueshme me informacionin e krijuesve dhe të praktikuesve të këngës popullore. Vlen të sqarojmë se Beuni është një toponim, emër vendi, mal mbi katundin Vajzë, i cili u bë qendra e komisionit dhe e vullnetarëve të luftës së Vlorës, nga ku, më 3 qershor,  përpara se të urdhëronte fillimin e luftimeve, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i dërgoi komandantit të trupave italiane në Shqipëri, gjeneral Setimio Piaçentinit ultimatumin e njohur. Me togfjalëshin “dymbëdhjetë komisjonë” që përdor krijuesi popullor kuptojmë 12 anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”. Vërejmë se nuk paraqet shumë interes “Komisioni” për komunitetin që e praktikon këngën. Ata u këndojnë prijsëve të tyre duke i zbukuruar e hiperbolizuar bëmat e tyre. Në rastin konkret Dhëmblani i këndon trimit të trevës së tij Selam Musait, Vranishti komandantit të tij Sali Muratit, ku dallon tipari i marrjes së vargjeve e një kënge të një trimi tjetër që është përhapur gojë më gojë për t’ia kënduar trimit të tyre, duke përsëritur vargje të tëra, duke i përshatur për atë që komuniteti pëlqen e respekton në melodinë e tyre të veçantë, që përfshihen në praktikim, pra në qarkullimin folklorik. Struktura të tëra vargjesh kalojnë nga njëra këngë te tjetra, nga njëri komuntet te tjetri pa sforcim, natyrshëm dhe bëhen pjesë e jetës së tyre folklorike. “Ndërkomunikimet janë përbashkime” – është shprehur folkloristi A. Xhagolli gjatë ekspeditës kërkimore në Labëri, në Tërbaç të Vlorës, maj 2012, me studentëte e Shkollës Doktorale të Etnologjisë dhe të Folkorit të IAKSA. Në vëllimin “Këngë popullore historike” gjendet kënga nr. 300, f. 307 – 308 nga Dhëmblani – Tepelenë: “- Dielli maleve ku bie?/- Në male të Salarie!/ Selam Musai kur vije,/ Kal i kuq e guna çile!…/ Selam kërceve Mavrovë,/ M’budhë e poqe komisjonë:/ – O Selam do veç në Vlorë,/ Komandant mi tre taborrë! – Do vete në paça forrë!/ Bashkë me Dule Dalanë/ Kërcyet përmi Spitalë!/ Selam, zëmërën me çika,/ E zure topin nga gryka!” Edhe në këtë rast kënga lidhjet e ngushta i mban me atë që i intereson; krijuesi i këndon sipas mënyrës së tij personazhit apo personave që pëlqen, heroit që do. Vërejmë karakterin tregimtar edhe te kjo këngë historike, sikurse dhe tek të tjerat e ciklit të EHLV dhe kjo veçori rrëfimtare nëpërmjet këngës lidhet me praninë e personazheve veprues. Kemi të bëjmë me personazhe konkrete dhe jo imagjinare, me figura të njohura historike, jo të trilluara, të cilëve u këndohet në variante të ndryshme, në hapësira të ndryshme ku ka ndodhur ngjarja, ku ka kryer një akt trimërie bashkëluftëtari i atyre njerëzve që kanë qenë dëshmitarë, pjesëmarrës direct në ngajrje dhe i përgjigjen flakë për flakë realitetit. Selam Musai dhe Dule Dalani ishin nga Dhëmblani dhe të dy u vranë trimërisht në LV, mbi spitalin e qytetit, në Qafë të Koçiut. Krijuesi i këngës i thur vargje heronjsh me metafora të bukura e të zjarrta: “Selam, zemra me çika” jo se ai lëshonte shkëndija e xixa nga zemra, se s’ ndodh, s’ka gjasa, por se u tregua në luftë ballë i trimërisë, ajkë e burrërisë, se e kishte zemrën me çika, siç e pasqyron artistikisht krijuesi popullor emocionin e tij kushtuar bashkëfshatarit trim, bashkëluftëtarit, heroit. Komisionin e njeh, e përmend, por vetëm kaq, nuk është ai objekti i krijimit të tij, se, si duket as atë nuk e tërheq, poredhe komuniteti s’ia kërkon, s’ia pranon. Tek kjo këngë vërejmë krahas tiparevefolklorike edhe elemente etnologjikë,nga ku kuptojmë se në atë kohë luftëtari kishte “kal të kuq e gunë çile”, pra ishte fshatar me një gjendje ekonomike që i përkiste shtresës së mesme.

Së dyti, në librin e 1970-s “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918 -1920” nga 100 njësi folklorike për Luftën e Vlorës (nga kënga me nr. 9, f. 235  deri tek ajo me nr. 108, f. 346) janë vetëm po katër këngë që, si duket, janë marrë në përgjithësi të gatshme nga vëllimi i këngëve popullore historike të ’56 –s. Konkretisht në tekstin “Kujtime dhe këngë për luftën…” kënga nr. 21, f. 247 ka këto vargje: “Në Beun kur u mblodhë,/ Komisioni u ngrin’ e folë:/ Djema, kush do vejë në Vlorë,/ xheneralit të na i thojë,/ Vlorën tënë ta lëshojë?/ Mehmet Mallkeqi këmborë/ i hipi pelës e shkoi,/ xheneralit ja dorëzoi./ Xhenerali s’e besoi,/ dy tri fjalë ç’ ngatërroi./ Tutje u lëshua e shkoi,/ asqerin tok e mblodhi:/ – Qafatë të m’i forconi,/ me topa të m’i qëlloni!” Vargu i parë është njësoj si vargu i parë i kënëgs së Vranishtit (te “Këngë popullore historike”: nr. 282, f. 299). Edhe vargu i dytë ka të njëjtën kryefjalë si tek kënga që morëm për krahasim dhe më tej po thuaj dinamika është po ajo. Ndryshojnë personazhet, sepse Vranishti i këndon Sali Muratit, se atë ka të tijin. Komunitetit tjetër i intereson Mehmet Selim Mallkeqi, trimi që i dorëzoi gjeneral Piaçentinit Ultimatumin. Edhe pse në libër nuk jepet se ku është regjistruar kjo njësi folklorike, mendojmë se burimi i këngës mund të jetë zona Armen- Vllahinë në rrethin e Vlorës, ngaqë e kemi dëgjuar të këndohet grupe- grupe nga njerëz që mblidhen në fshatin Mallkeq dhe në qendër të Treblovës pothuaj i njëjti tekst, me ndryshime të parëndësishme, por me melodi të ndryshme, gjithmonë me katërzërësh pa vegla muzikore. Edhe në këtë këngë “Komisioni” përmendet shkarazi vetëm njëherë dhe nuk është ai as interesi i krijuesit dhe as  bashkësisë që e praktikon. Kënga nr. 26, f. 252 te “Kujtime dhe këngë për luftën…” është njësoj si kënga nr. 281, f. 299 te vëllimi “Këngë popullore historike”. Për këngën nr. 281 shkruhet se vjen nga Dhëmblani i Tepelenës dhe ka 13 vargje; për këngën nr. 26 shkruhet se është regjistruar në Vlorë, më 1965 dhe ka 12 vargje (i mungon vetëm vargu “Do shkoj-te në paça forrë!” që është i teti në vargjet e këngës së Dhëmblanit). Asnjë ndryshim tjerër nuk ka në krahasimin midis dy teksteve të këngëve në dy librat që cituam. Kënga 49, f. 277 tek “Kujtime dhe këngë për luftën…” nuk ka asnjë ndryshim nga kënga nr. 297, f. 306 te “Këngë popullore historike”. (Edhe burimi është i njëjti: Levan Cirua- Tepelenë). Dhe së fundi nga “Kujtime dhe këngë për luftën…” njësia folklorike nr. 54, f. 284, me 12 vargje, nuk ka asnjë shtesë, veçse i është hequr vargu “Do vete në paça forrë!”, i cili është vargu i nëntë i këngës 13 vargëshe me nr. 300, f. 307 – 308  tek “ Këngë popullore historike”, që morëm për krahasim.

Së treti, me botimin tjetër në nivel akademik, vëllimin III “Epika historike”, 1990 paraqitet një kronikë poetike më e plotë e LV, që kalon gojë më gojë nëpër bashkësitë përkatëse, me variante të ndryshme, të cilat janë edhe një tregues identifikimi i komuniteve aplikante të EHLV

______________

1) Historia e popullit Shqiptar, vep. e cit., f. 156-157.

2) Gani Iliaz Abazi “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia”; Tiranë: Naim Frashëri, 1995, f. 12, 13, 26, 41.

3) Historia e Shqipërisë, vëll.II: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë; Tiranë, 1965, f. 487.

4) Enver Memishaj (Lepenica): Emblema e një epopeje; Tiranë, GEER, 2010

5) Historia e Shqipërisë, vëll.II: vep. e cit., f. 489.

6) Historia e popullit Shqiptar, vep. e cit., f.166, 388.

(Vijon)

*Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti” Ismail Qemali”, Vlorë, Albania

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Albert Habazaj, i Luftes se Vlores, trajtimi folklorik

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT