-Presidenti Thaçi priti ambasadorin e ri të Malit të Zi në Kosovë, pranoi kredencialet e tij/
-Dinosha para ardhjes në Prishtinë ishte ambasador i Malit të Zi në Tiranë/
PRISHTINË, 24 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar kredencialet e ambasadorit të ri të Malit të Zi, Ferhat Dinosha.Presidenti Thaçi ka shprehur kënaqësinë që Mali i Zi ka ngritur përfaqësimin në nivel ambasadori në Kosovë.“Marrëdhëniet me Malin e Zi janë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Mali i Zi ka marrë vendimin më të drejtë kur ka njohur Kosovën, përkundër presioneve që kishte, si dhe vazhdon të përkrah Kosovën në të gjitha organizatat dhe forumet ndërkombëtare dhe për këtë jemi mirënjohës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, ambasadori i Malit të Zi, Ferhat Dinosha, u shpreh se do të “punojmë të thellojmë bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe të promovojmë paqen, stabilitetin, bashkëpunimin, fqinjësinë e mirë dhe integrimin në NATO e BE për tërë rajonin”. Presidenti Thaçi i shprehu përkrahjen e tij ambasadorit Dinosha për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve në të gjithë sektorët.Mali i Zi është shteti i 48-të që ka njohur Kosovën në 9 tetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë.Ferhat Dinosha para ardhjes në Prishtinë ishte ambasador i Malit të Zi në Tiranë.