• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Selimi deklarohet i pafajshëm, aktakuzën e quan të padrejtë

November 11, 2020 by dgreca

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që është konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, ku u pyet që të deklarohet nëse ndihet i pafajshëm apo fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Selimi gjatë një fjale të mbajtur gjatë kësaj paraqitjeje tha se aktakuza ndaj tij “është e padrejtë”.

“E pash aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë. Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze, por mbi të gjitha shumë e padrejtë. E pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje, por e padrejtë edhe ndaj luftës së popullit tim dhe shteti prej nga vi unë”, tha Selimi.

Sipas Selimit, në fund të këtij procesi do të binden të gjithë se “as unë e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”.

“Unë jam veç një çlimitar që luftën për liri e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin (Wesley) Clark, me NATO-n”, tha Selimi.

Ai tha se shpreson që ky proces gjyqësor të ketë për qëllim sjelljen e drejtësisë dhe së vërtetës.

Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Sekretari i Gjykatës lexoi dhejtë pikat e aktakuzës dhe tha se ekziston dyshimi i bazuar se Selimi mban përgjegjësi penale për kryerjen e këtyre krimeve.

Mbrojtja kërkon lirimin e Selimit, thotë se s’ka indikacione se ai do t’i ikë drejtësisë

Avokati Robert Kaarls, që përfaqësoi Selimin në këtë paraqitje, tha se në ditët në vijim do të bëjnë kërkesë për lirimin e përkohshëm, duke argumentuar se nuk ka indikacione se Selimi paraqet rrezik të arratisjes.

“Dua të theksoj se klienti im ka bashkëpunuar edhe më herët (v.j. me Dhomat e Specializuara). Javën që kaloi ai u kontaktua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ai u dorëzua vetë. Këto janë indikacione se nuk ka rrezik të arratisjes. Nuk ka asnjë indikacion që do të ndikojë te dëshmitarët ose do të asgjësojë provat”, tha Kaarls.

“Për sa i përket atij, nuk ka asnjë lloj arsye për të besuar se zoti Selimi – nuk e di se çfarë kanë bërë të tjerët e çfarë do të bëjnë në të ardhmen etj, për të tjerët nuk e dimë – por, nuk ka asnjë indikacion do të ndikojë në prova, apo do të bëjë diçka të tillë”, shtoi avokati Kaarls.

Avokati i Selimit pritet të jetë David Young, por ai për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk qe i pranishëm në këtë paraqitje.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou propozoi që më 18 nëntor të mbahet konferenca statusore, por pala mbrojtëse argumentoi se një gjë e tillë të mbahet sa më vonë gjatë këtij muaji, pasi siç tha avokati Kaarls, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pasur kohë të përgatitet, ndërkaq mbrojtja jo.

Më 4 nëntor, Selimi, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.

Selimi ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Ata po ashtu gjenden në paraburgim në Hagë.

Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, gjatë paraqitjeve të tyre të para pranë Dhomave të Specializuara më herët gjatë kësaj jave, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Selimit, Thaçit, Veselit e Krasniqit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer “nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Në aktakuzë thuhet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Po ashtu përmendet edhe një rast, ku pretendohet se ka pasur një qendër të ndalimit në afërsi të Kleçkës, ku thuhet se Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Dhomat e Specializuara po ashtu kanë konfirmuar një aktakuzë për krime lufte ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafës. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj veprave që rëndojnë ndaj tij.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, si të dyshuar gjenden edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Filed Under: Featured Tagged With: i pafajshem, Rexhep Selimi

Çudi – Sheshel “i pafajshëm”!

March 31, 2016 by dgreca

Opinion nga Mimoza Dajçi/Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për vendet e ish Jugosllavisë liron si të pafajshëm liderin e partisë radikale serbe Vojislav Sheshel, ndërkohë që ai gjatë një proteste refuzoi kthimin në Hagë e dogji flamujt e Nato-s dhe BE-së. Ultranacionalisti Sheshel akuzohej për pastrim etnik, krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1991-1993 në Kroaci, mbi popullsinë muslimane në Kroaci, Bosnje dhe Vojvodinë, por Gjykata e ICTY -se e la të lirë. Vendim shokues ky për të gjithë që ata që u torturuan, vranë dhe u zhdukën padrejtësisht nga ai personalisht dhe forcat militare serbe që ai drejtonte mbi popullsinë e pambrojtur.

Personalisht ky vendim i këtij tribunali nuk më çudit aspak.

Disa muaj më parë kam qenë prezent si vizitore në atë Tribunal Drejtësie – si përfaqësuese e organizatës – The Women’s Organization “Hope & Peace”, që meret me të drejtat e gruas e të fëmijëve, asistova në gjyqin që po zhvillohej ndaj kriminelit Ratko Mladiç. I cili akuzohet për krime lufte në Kroaci, Bosnje, Hercegovinë. Por mënyra se si po zhvillohej ai proçes gjyqësor linte për të dëshërur, e më la një shije të hidhur.

Edhe mënyra se si fëmijët e kriminelit Ratko Mladiç, e vetë ai qeshin apo komunikonin së bashku pas xhamit të tejdukshëm e hermetik të sillte hije dyshimi. Sikur aty nuk po zhvillohej një gjyq i krimeve të rënda, e sigurisë së lartë, por një gjyq ordiner. Familjarët dhe krimineli Mladiç ndiheshin aty si në shtëpinë e tyre (kështu mu duk mua, qofsha e gabuar).

Por këto skena që vumë re ne nuk besoj të kenë kaluar pa u vënë re edhe nga trupi gjykues, nuk e besoj, ose bënin sikur nuk i vinin re!…Mladiç qëndronte tepër indiferent ndaj trupit gjykues e akuzave të tij, e seancës gjyqësore ndaj tij. Ulur në një karrige rrotulluese, kokën e trupin kthyer komplet nga salla, fëmijët e vizitorëve në sallë. Gjyqtarët e prokurorët fisnin, por sikur nuk flisnin për të akuzuarin përballë, por për një jashtëtokësor. E habitshme, por ishte e vërtetë, ashtu po ndodhte.

Shumë punonjës me peshë në atë institucion të rëndësishëm ishin me kombësi serbe, të paktën siç na u prezantuan, pa e ditur që unë apo dikush tjetër nga ne ishim shqiptare.

Në sallën e konferencave ku u zhvillua biseda mes grupit tonë dhe drejtuesve të Tribunalit, nga pyetjet që ne i drejtuam ata vunë në dyshim origjinën tonë, por që nuk arritën të na pyesnin direkt. Vetëm sa shikonin njëri tjetrin në heshtje, pasi në atë sallë ndodheshin edhe misionerë të tjerë të paqes nga vende të ndryshme të botës. Nuk mund të them, se nuk kishte edhe shqiptarë të punësuar në atë godinë, por personalisht veshi dhe syri më zuri vetëm serb, mbështetës të kriminelit Ratko Mladiç, të cilët erdhën më pas në sallën e gjyqit si miq të kriminelit Mladiç.

I akuzuari Ratko Mladiç ndihej aty, sikur nuk ishte në sallën e gjyqit, ku gjykohej për genocid mbi popullsinë civile e të pafajshme muslimane, por veshur shik sikur kishte dalë shëtitje, e ishte ulur në kafe për qef të tij. Frika e krimit e detyronte të pyeste me kokë kush ishim ne, apo çdo qytetar i panjohur që hynte në atë sallë. Kështu edhe situata me kriminelin Sheshel, i cili edhe pse dogji flamujt e Nato-s dhe BE-së, e krimeve që rëndojnë mbi atë si ish zv/ president në kohën e Millosheviçit përsëri doli i pafajshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: i pafajshem, Mimoza Dajci, Sheshel

SHBA:Perfundon Gjyqi maratone, Juria shpall të pafajshëm George Zimmerman

July 14, 2013 by dgreca

Një juri në shtetin juglindor të Floridës arriti në përfudimin se i dyshuari George Zimmerman nuk është fajtor për vrasjen me ose pa paramendim të të riut me ngjyrë, Trayvon Martin.
Juria e përbërë nga 6 gra e shpalli Zimmermanin, mbrëmë vonë, të pafajshëm për të gjitha akuzat, në një proces të ngarkuar me nota racore. Babai i zotit Zimmerman është i bardhë ndërsa nëna e tij hispanike. Mbështetësit e të riut Martin e kishin akuzuar Zimmermanin se e kishte paragjykuar 17-vjeçarin Martin nga një këndvështrim racor, për shkak se ai ishte afrikano-amerikan.
Menjëherë pas vendimit, mbështetësit e Trayvon Martinit – duke përfshirë edhe anëtarët e familjes së tij – përdorën mediat sociale për të shprehur pakënaqësinë e tyre me vendimin. Një grup njerëzish, jashtë gjykatës, protestoi ndaj rezultatit në mënyrë paqësore. Prania e policisë është shtuar në qytetin e Sanford, ku u zhvillua procesi gjyqësor.
Protesta spontane u zhvilluan në disa qytete në të gjithë SHBA-në, në një hapësirë prej mijëra kilometrash nga Florida në San Francisko. Protestat ishin kryesisht paqësore, edhe pse pati thyerje të disa vitrinave dhe disa zjarre të vogla.(Kortezi VOA)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: i pafajshem, Zimerman

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT