Nga fondi personal “Nr.10. Enver Hoxha” në AQSH, Vasfi Baruti sjell edhe një foto interesante. Mes informacioneve është edhe një e ashtuquajtur ‘triskë’ për të marrë ushqime, që Hoxha e kishte përfituar si anëtar i Partisë Fashiste me emrin Thanas Pano Josif, e lëshuar nga Federata Fashiste e Tiranës në vitin 1942. Por studiuesi vëren se pas hulumtimeve ka kuptuar se dokumenti nuk është triskë për të marrë ushqime (se ajo kishte tjetër emërtesë), por është tesera e anëtarit të Partisë Fashiste e Enver Hoxhës, që identifikohet në të me foton e tij, ndërsa përdor emrin Thanas Pano Josif, që mesa shihet është pseudonim i Hoxhës. Me sa kuptohet, tesera e Partisë Fashiste nga Enveri përdorej për siguri ilegaliteti, por tesera fashiste mund të merrej vetëm individualisht me paraqitjen e tij në zyrat e larta të Partisë Fashiste nga dhe dalin shumë pikëpyetje serioze sipas Barutit, për marrëdhënien e Enverit dhe lidhjet e tij me instanca të larta fashiste. Enveri dhe Nexhmija kanë shkruar se fotografia e Enverit ishte shpërndarë kudo nga organet fashiste dhe identifikohej me Enver Hoxha, por duket se ku është bërë kjo teserë s’e kanë njohur…(Burimi:Gazeta Shqiptare)