• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRANI LEGJENDË MUSTAFË ELEZI, I PUSHKËS, I PENËS, I SAKRIFICAVE, I BESIMIT DHE LUMTURIMIT

March 1, 2015 by dgreca

Deklaratë më 1989: “Gjithmonë do të punoj e mendoj për “Vatrën”, se është shpirti im”.
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Njëri nga lisnaja e Jahelezëve të historisë, Mustafë Elezi, i gjashti ndër dhjetë fëmijët e Sali Jahës, u lind më 26 shkurt 1926 në prehër të Alpeve Shqiptare, që albanologu i shquar, Milan Shuflaj, i quan “zinxhiri i botës”. U lind në një nga luginat më të bukura për syrin e zemrën, në atë të Valbonës, bash në brigjet e lumit ujëkaltër, ku jetnonte e gurron Eposi i Kreshnikëve, ku Fishta i madh teksa ua dinte historitë dhe i pa me sytë e tij, hyjnoi sikur “Ora e Shqipërisë” “rri atje mbi Valbonë”. U lind në një nga vendet e bekuara të Perëndisë, në Dragobi, fshat si amfiteatër-kështjellë, që legjendat e thirrnojnë “vend i dragojve”, ku albanologu Baron Nopça u mrekullua gjatë vizitës së tij para njëqind vjetësh.U lind në kullën trekatëshe si një ansambël arkitekturor alpin në gjysëm hektari tokë të rrethatueme me avlli dy metra të lartë që dukej si kështjellë, të cilën e dogjën partizanët më 21 nëntor 1945 dhe, pasi Jahelezët e ringritën edhe më të bukur, ua shtetëzoi komunizmi dhe i vrau, burgosi e internoi të gjithë jetarët e saj epope e epokal.
Nga kjo kështjellë që ka pritë e përcjellë si Jakup e Shemsi Ferrin, Bajram Currin, Kerrin e Sadri Bardhit, Hoxhën e Ismail Qemalit, bajraktarë të Rrafshit të Dukagjinit e të Malësisë së Madhe është nistue Jahë Elezi (gjyshi i Mustafës) me të vetët e gjakut e të pragut për të luftuar për Flamurin e Pavarësisë në prill 1912, pasi “përleshjet e armatosura me sunduesit osmanë filluan në Malësi të Gjakovës dhe u përhapën dora-dorës në krahina të tjera të vendit…” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vol. II, v. 2008, f. 1371).
Më 18 gusht 1912 kryengritësit e vilajetit të Kosovës, të udhëhequr nga ideologu e strategu Hasan Prishtina, së bashku me Bajram Currin, Isa Boletinin, Nexhip Dragën, Jahja Agën (gjyshin e Presidentes së sotme të Kosovës, Atifete Jahjaga), gjunjëzuan Perandorinë Otomane e dallga-çuan te Shpallja e Pavarësisë në Vlorë. Në një foto të rrallë duken kryengritësit në tren duke u futur triumfalisht në kryeqendrën e vilajetit, në Shkup, ku mes tyre gjenden edhe Jahelezët e Dragobisë.
Flamuri u ngrit në Vlorë po duhej mbajtur e mbrojtur në çdo krahinë e kullë shqiptare, ndaj kah fillimi i 1913-tës malazezët iu rivërsulën edhe Dragobisë. Aty te Ura e Memës ka zgjat lufta disa ditë e kronikat thonë se organizator, prijës e ndihmëtar materialisht i luftëtarëve malësorë ishte Jahë Elezi, çka kjo epope u përjetësua edhe në këngë:
Jahë Elezi n’goxhup t’dhisë,
Komandar i Dragobisë,
Për vatan e troje t’veta,
Nuk i dhimset malli as jeta…
(Ndue Ukcama. “Jahelezët e Dragobisë”. Monografi. Ora. Tiranë, 2009, f. 42).
Jahë Elezi mori pjesë në krah të Bajram Currit në mbrojtjen e Prizrenit, të Plavë-Gucisë dhe kudo ku krisi pushka e shqiptarit për liri (Dalip Greca, “Illyria”, 15-18 maj 2009).
Në se në historinë moderne të Shqipërisë, Jahë Elezi udhëtoi me tren për në Shkup, tani, në vitin 1914, bashkë me të birin, Zeqirin, në përgjigje të kushtrimit bestar të Bajram Currit, lundronte me anije nga Shëngjini deri në Durrës, duke iu gjendur ballas në mbrotje Princ Vidit, duke luftuar për të ardhmen euro-atlantike të shqiptarëve në trojet tona etnike.
Kësokohe, më 28 prill 1912, në Boston–SHBA themelohet edhe Federata Panshqiptare “Vatra”, me të parin drejtues, në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të saj, Fan Nolin e tevona u zgjodh kryevatran edhe Faik Konica, dhe në bashkari me gazetën e saj “Dielli”, me ndikimin në politikën amerikane e shqiptare, iu bë krah fitores e konsolidimit të Pavarësisë e të Shtetësisë dhe të Demokracisë në vitet ’90 të Shqipërisë si dhe Pavarësisë së Kosovës në kapërcyell të shekujve.

Nga viti 1912 i Shpalljes së Pavarësisë përkitazi gjejmë mirëfilltas një lidhje idealesh të Mustafë Salih Elezit të lisnajës të Jah-Elezëve të Dragobisë me”Vatrën” qyshce në të shenjtën themeli të saj.
Pikërisht pas 28 shkurtit 1968 kur “e pa Zoti me sy” e “shkeli me këmbë” në Amerikë, do të fillaniste një lidhje më e afërt dhe e pandashme shpirtërore, organizative e historike në mes tyre.
Mustafë Elezi, i pushkës e i penës, i sakrificave, i besimit e i lumturimit do të kishte nderin e kohës të fitonte titullin e fisnikërisë kombëtare “vatran”, duke kontribuar ndër vite në detyra të vlerësueshme e të besueshme si sekretar (punët e dokumentacionit, protokollit, bankat etj.) dhe antar i kryesisë së saj.
Në vitin 1989 në një letër të tij deklaronte se “gjithmonë do të punoj e mendoj për “Vatrën”, se është shpirti im” (Mustafë Elezi. “Nuk e harrova Malësinë e Gjakovës”. Botim triptik. Tiranë, 2010, f. 333).
Në këto dekada të ndrrimit të shekujve “Vatrës” e vatranëve iu ka zdritë fati të ketë në krye të saj burra dinjitar e mendëtar si Sami Repishti, Agim Karagjozi, Gjon Buçaj.
Ashtu si të parët e vetë, të betuar e të sakrifikuar për Flamurin Kombëtar Shqiptar, që siç ligjëron kryevatrani i madh, Faik Konica, është flamuri shtetëror më i vjetër në Europë, flamur që kurrë nuk prini në luftëra pushtuese, vatrani ikonik Mustafë Elezi në moshën 17 vjeçare e kapi pushkën partizane kundër hitlerianëve, dhe nga vrella e tij poetike valboniane ujëvaron disa vjersha edhe për Flamurin si ajo fjala-shpirt, shkruar më 28 nëntor 2009:
“Kurr’ ma parë dielli nuk shndriti.
Ma me shpres’ për Kombin tone.
Se at’ ditë, që nalt valviti.
Kuq e Zi, Flamuri n’Vlonë…
2.Njeriut legjendë e gjallë, Mustafë Elezit, Koha Shqiptare ia gdhend përditë emrin e nderuar e ia rendon vendin e merituar: si luftëtarë i Luftës së Dytë Botërore (1944-’45); si i përsekutuar politik i regjimit komunist (1944-1990); si një ndër vatranët emblematik (prej 1968-tës); si njeri i penës me shkrimet publicistike, poezitë e poemat te “Dielli”, “Përpjekja Jonë”, “Illyria” etj. dhe me librin triptik “Nuk e harrova Malësinë e Gjakovës” (466 faqe: me shënime, kujtime, krijime); si një ndër skllevërit ndërtimtarë të punës së detyruar e të papaguar në kampet e përqëndrimit (1952-‘56) në vepra të tilla si Aeroporti Civil i Rinasit, aerodromi ushtarak i Kuçovës, hapjen e kanaleve ujitëse në fushën e Maliqit, Peqin-Kavajë, Levan-Fier etj.; si ish i dënuar politik në burgjet e kampet shfarosëse të komunizmit (25 korrik 1949-11 janar 1956) në Tiranë, Durrës, Maliq, Rrogozhinë, Shtyllas, Rinas; si njeri i besimit e më shumë se një dekadë veprimtar fetar i Qendrës Islamike në Bryklin në SHBA; si një familjar i rrallë e prind i lartë që i mirërriti Amerikës e Shqiptarisë me arsim, edukim e punë, fëmijët, nipërit e mbesat e vet.
3.Ndër lisnajën nacionaliste të Jahelezëve, Mustafa me të dy vëllezërit, Jahën e Abazin, u inkuadruan në formacione luftarake të Luftës së Dytë Botërore kundër fashizmit.
Jahën e gishtit e të penës, kryekomunar në Junik, teksa ishte partizan në Brig. VII të Diviz. V në Gostivar, në korrik 1945, me kërkesën e Jugosllavëve e miratimin e Enver Hoxhës, arrestohet në kohën që po u mësonte luftëtarëve shkrim e këndim shqip dhe OZNA e fillikat në burgun famëkeq të Sheremetit në Pejë, gjersa e vrasin në gusht të vitit 1946 si luftëtar i Shqipërisë Etnike.

Mixhën e tij, Asim Jahë Elezi, luftëtar për mbrotjen e Plavë-Gucisë nga serbo-malazezët (1943-’44) e pushkatojnë komunistët në pranverën e vitit 1945.

Akademik Abdulla Hoxha, i internuar si antifashist në ishullin e Sardenjës (Itali) gjatë kthimit për të luftuar në Shqipëri, çeta e tij me 12 veta bie në përpjekje me gjermanët në Metkoviç (Mali i Zi), dhe pasi i mbarojnë fishekët kapet prej tyre, i japin veglat të hapin varrin e vet, por nuk pranon, e godet me lopatë oficerin gjerman duke mbetur edhe vetë i vrarë me trupin shoshë nga plumbat.
Idriz Bashë Metaliaj, ndonëse i verbër, iku partizan në vitin 1943. E arrestojnë gjermanët dhe e çojnë në Kampin e Përqendrimit në Prishtinë e në Mathauzen në Austri, ku prej andej i shkruante letër motrës me një thënie të spikatun: “Ka me ague edhe për ne Dielli”. Në vitin 1948, me mbylljen e kufirit me Shqipërinë mbeti në Gjakovë, merr një fëmijë të vogël për dore, i hip trenit e shkon në Beograd. Aty del në rrugë me letër në gjoks me mbishkrimet:”PoshtëJugosllavia!
Rroftë Shqipëria!”. Arrestohet nga serbët e pas disa ndërhyrjeve lirohet e kthehet me avion në Tiranë.
Më 17 tetor 1960, kur Mustafa ndodhej në komunistët ia pushkatojnë nipin (djalin e vllaut) Rizë Xhemajl Elezi.
Jahelezët kanë mbi një gjysëm shekulli (1945-1997) që përballën me komunizmin sllavo-ortodoks me flakë e gjak, nga djegja e kullës (1944), pushkatimi pa gjyq i Asim Jahës (1945) e deri te plagosja e gardistit Fahri Adem Metaliaj nga bandat e rebelimit neokomunist në Cerrik (1997). “Shpallja kulakë, diferencimi e rrënimi ekonomik, burgosja e Azemit, Ademit, Mustafës, Abazit, Jakupit, Ymerit e Malës, pastaj 100 vjet burgim. Pastaj përshkallëzimi i shtypjes. Dëbimi e internimi në një natë i 13 familjeve të Jahelezëve drejt kënetave të Myzeqesë për rreth tre dekada me 2.000 vjet internim” (Mujë Buçpapaj, Gazeta “Nacional”, Tiranë, 16 gusht 2009).
4.Jahelezët e Dragobisë, në historinë moderne të Shqipërisë, qysh në fillimet e shek. XX i çuan fëmijët në medresetë e Gjakovës e të Tiranës, në gjimnazet e Shkodrës e të Tiranës. Një rast të rrallë përbën fakti se qysh në vitet ’30 –’40 i shkolluan edhe vajzat si Elez Hoxha të tria: Dritën, Durijen e Kijen në gjimnazin e Tiranës. Hysni Hoxha (Mushaku) diplomohet për teologji e pedagogji në Universitetin e Al-Ahzarit në Egjipt punon në tri kontinente, në Afrikë, Azi e së fundit në Amerikë. Abdullah Hoxha ndjek studimet në Akademinë Ushtarake në Itali për aviator etj. Në mesin e shek. XX dy vëllezërit e Mustafës, Jahë Salihi, kryekomunar në Junik (Kosovë) e Adem Salihi në Medresenë e Tiranës (e pastaj kryemyfti i Kukësit) shkruajnë artikuj në shtypin e kohës.

Jahelezët kanë edhe një dinasti fetare mbi 100-vjeçare me 6 klerikë të shquar, ndër të cilët veçojmë Prof. Hysni Hoxha, Adem Salihi, Elez Hoxha, Azem Jaha.
Nga lisnaja e Jahelezëve Idriz Bashë Metaliaj në vitin 1956 boton vëllimin poetik “Sytë e mij”, po çensorët politik të kohës e rikthejnë në karton e hynë në listën “libra të ndaluar”!
Prof. Hysni Hoxha në Amerikë, poligiot, ka botuar disa libra si “Kur-an”-in e përkthyer në shqip nga arabishtja e frengjishtja, “Të drejtat e njeriut në fenë Islame” përkthyer nga arabishtja etj. dhe ka pasë publikime te “Dielli” i “Vatrës”.
Mustafë Elezi mundi ta botojnë librin e tij të parë vetëm në dekadën e dytë të demokracisë shqiptare (2010, ndërsa vllau i tij, poliogloti e poeti Adem Sali Elezi (Metaliaj), mbi njëqind vjet pas lindjes, do të botohet libri i tij “Gurgullojnë Valbonat” me artikuj, përkthime (nga persishtja, arabishtja, etj), krijime poetike, me një pjesë të dorëshkrimeve që iu kanë shpëtuar përndjekjeve e inkuizicionit politik.
Një libër me artikuj e krijime e ka në planet e veta të pritshme edhe Sami Adem Metaliaj, ish kryetar i PDSH të Kurbinit, një ndër drejtuesit e Komitetit Mbarëkombëtar të Veriut gjatë rebelimit komunist të vitit 1997, veprimtar i Shoqërisë Civile.

Dy vajzat e Mustafës, Shpresa e Mereme Elezi, kanë shkruar e publikuar poezi të tyre.
5. I burgosuri politik, Mustafë Elezi, punonte me pranga e kazmë në duar për ndërtimin e aerodromit ushtarak të Kuçovës (1953-‘54) dhe të Aeroportit të Rinasit (1954-‘55) e ëndërronte një ditë në gjallje të jetës së vet të fluturonte larg nga ky vend i pushtuar, nënshtruar e poshtëruar nga regjimi komunist, pasi asaj kohe ndër shqiptarë në atdhe e në mërgim endej urimi i dëshirtë: “Të pafsha në Amerikë”! Në vitin 1981, te gazeta “Dielli”, te ky flakadan i “Vatrës”, do të publikonte një nga krijimet e tij “Liria”:
Në kafaz i mbyllun nuk mund të jetoj,
Nëpër fusha e male due të fluturoj,
I kam humbur shokët, kam humbur krenarin’,
Më liro prej burgut ta g’zoj prapë Lirinë,
Atëherë unë kuptova sa kushton Liria.
për të cilën jetën e flijon Njerëzia…

Noli, kryevatrani i veladonit të zi e penës së artë, në një elegji për Bajram Currin, hero emblematik e kushëri në tetë breza me Mustafë Elezin, i ka gdhendë vargjet hymn vendlindjes së tij”:
Me zjarr të shenjt’ u ndrit kjo shpellë,
Gjer në qiell u ngrit si kështjellë.
Për çlirimin e Shqipërisë.
Katakomb’ e Dragobisë…
Në Rinas, pesë djemë të rinj e të fuqishëm, të burgosur të atyshëm, e hapën me sakrifica një tunel të nëndheshëm nga ëc-të katër metra nëntokë e në mes të kampit deri përtej telave me gjëmba. Një natë të ftohtë në mes të dhjetorit 1954 u arratisën nëpër tunel e nën breshëri të mitralozëve. Dikush u vra e disa ikën në Botën e Lirë, në Amerikë, si Abaz Korçari (Detroit), Nexhip Dauti e Ago Çela-Hito (Hackensack). Këta iu bënë ftesë edhe Mustafë Elezit e Sami Repishtit, po u shemb tuneli e mbetën pa dalë prej andej.
Koinçidencë: tevona, më 19 shkurt 1957, në 31 vjetorin e ditëlindjes, Mustafë Elezi arratiset nga Qafa e Morinës (Tropojë) ku sot ngrihet një pikë doganore e trupon autostrada Shqipëri-Kosovë dhe jetnon një dekadë në Kosovën Dardane. Aty martohet më 1962 me Mehanen, vajzën e atdhetarit fisnik Ukë Qerim Neza (Shipshan) e tre fëmijët e parë i pagëzuan me emra simbolik: Mërgim, Bashkim, Shpresë.
Në vjeshtën e vitit 1967 gjatë qëndrimit familjar transit disamuajsh në Itali, i rastisë me u njoft me kryevatranin e sotëm, Dr. Gjon Buçaj, një nga miqtë e tij të idealeve të mëdha kombëtare e të miqësisë së përhershme.
Kështu u tubuan bashkarisht në Amerikë vatranët, të cilët vinin nga istikamët e nacionalizmit, nga tragjeditë e burgjeve e të internimeve, nga sakrificat e mërgimit, dhe i jepnin frymën e kohës e të shpirtit të vet, fuqinë e tokës iliro-dardane dhe magjen e magjinë e “Demokracisë Amerikane” Federatës Panshqiptare “Vatra”, që me siglën e figurat e saj, me atributet e kontributet e saj arriti të jetë e njohur historikisht e shpirtërisht në vatrat shqiptare.
Në këtë Prill të Njëqind e tretë, tuj-e perifrazuar kryevatranin poet, Nolin e madh, te elegjia e sipërthanun, dritënojnë vargjet epike: “Me zjarr të shenjt’ u ndrit “Vatra”/ Gjer në qiell u ngrit si kështjellë” apo vargjet hymn si një nga leitmotivet e Luftës epokale të Kosovës (1999): “Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë në Amerikë/.
Mustafë Elezi, vatrani i sakrificave në botën e metastazës komuniste dhe i lumturimit në botën ringjallëse demokratike, kur i detyruar i mori udhët e mërgimit pati ligjërue:
“Atdhe i dashtun besën po ta jap,
Kur të vijë Liria, do të kthehem prap…
Deshti Zoti që të ketë jetë e të mbajë besë me e sypa e me u shpritlumnue me kujtimet e vendet e veta. I vizitoi për herë të parë Shqipërinë Demokrative (në vitin 1991) dhe në Kosovën e Pavarur (18 korrik 1999). Mesa di ka ardhë më shumë se 20 herë, po kushedi se si e përjeton zemra e mendja e tij zbritjen në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas?!
Krenaria e lumturia e Mustafë Elezit të Metaliajve të Dragobisë është e shumëfishtë se në këto mbi njëqind vjet, në këto dy arritje kombëtare historike, në themeli e lartësi të tyre kanë kontributet e veta edhe “Vatra” (se është vatran veteran), edhe Amerika (se është shqiptaro-amerikan), edhe lisnaja e Jahelezëve (se është lis genetik fisnik i tyre).

Filed Under: Vatra Tagged With: DHE LUMTURIMIT, i besimit, I PENËS, I PUSHKËS, I SAKRIFICAVE, Mustafe Elezi, VATRANI LEGJENDË

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT