• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HARKU I TRIUMFIT I POETIT GJON NEÇAJ

February 24, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1. E njoh një shenjt të gjallë. Gjon Neçaj i thonë. Njeri i letrave shqipe: poet, prozator, publicist, studiues. Autor i mbi dhjetë librave e qindra shkrimeve. Fitues i disa çmimeve lokale e kombëtare. Nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës. Dy vëllimet e fundit poetike të tij janë botime në disa gjuhë të huaja: “Haiku i bjeshkëve” në shqip-anglisht (Elbasan, 2009), “Sinus” në shqip-anglisht-italisht-greqisht  (Tiranë, 2011). Disa poezi i kanë zanë vend në antologji poetike në Shqipëri, Kosovë, etj.

Gjon Neçaj në mbi katër dekada krijimtari ka emrin e tij, profilin e tij, veprat e tij, udhën e lartësitë e tij letrare.

Në hapa e vargje ndihet “i qasur kah mjeshtrat e mëdhenj të lirikës poetike”, pas lisave poetik bregdrinas e kombëtar: Martin Camaj që e ka njoft nga larg dhe Ndoc (Anton) Papleka, që e pati gjithmonë afër, kryehere, përkrah, i të njëjtit fis, në të njëjten  udhë.

Në koft se fjalaflet me poetin Gjon Neçaj ka me i hap dritaret e shpirtit e i pëllumb përmallshëm e lartnueshëm dy miqtë e tij të sofrës së bukës e të poezisë, Ali Podrimja e Din Mehmeti, dy bregdrinas të Gjakovës, dy lisa poetik kombëtar.

Gjon Neçaj ndan mirënjohje me zemër e letër për miqtë e tij, si për poetin elbasanas, Milianov Kallupi: “mjeshtër i haikut shqiptar” i cili e nxiti në “lëvrimin e kësaj gjinie magjike” (vëllimi poetik “Ju që më shihni çdo ditë”, Tiranë, 2007, fq. 59). Diku, para një viti, poeti e studiuesi Haki Zllami tue hulumtue e hulmue vlera të haikut tropojan Gjon Neçaj e ka cilësue si “Haiku i Alpeve”.

2.

Poetin Gjon Neçaj duhet me e thirr me emën e mbiemër plotor, pasi vllaznia e tij ka edhe poetin Pal Neçaj, prej vitesh shtetas shqiptaro-amerikan, autor i disa vëllimeve poetike dinjitare. Djali i tij, Sokol P. Neçaj, ishte një prej diplomatëve të parë shqiptar postkomunist në Uashington. Qytetarin e pushtetarin Pal Neçaj e ka njoft për mirë Malësia e Gjakovës, Dukagjini me rrethina, Puka e Përtejdrinit. Duket se pushtetari Pal Neçaj e ka ruejt shpirtin e bardhë për me ujvarue  në moshën e tretë poezi me dritë.

Gjon Neçaj shkon në tre breza me Pal Kokrrin, “axhën” e tij, që kishte humor plot filozofi e urti deri në “institucion” e shpesh i lëshonte si “kokrra rrufeje” në kohë e mjedise të jehonshme, aqsa e ka shtyrë edhe shkrimtarin Pjetër Meta me i tufalakue ato në monografinë 390 faqëshe “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!…” (Tiranë, 2011). Kjo monografi më ka lanë pa fjalë, se shfletimi i faqeve të saj më përngjan sikur hedh hapa në auditor dijeje, sikur  marr leksione universitare.

Në  vitet ’70 e kam pasë mësues kujdestar në tetëvjeçare Pjetër Neçajn, mësuesin e matematikës që na mësonte aritmetikën e jetës, na e bante me u rrit me shkollën, na e brumoi nderimin për mbiemrin Neçaj.

Perajt e kanë një tjetër poet si të ardhun prej Perëndie: Jak Perpalin, të cilit vargjet e vëllimet poetike ia kanë thur emrin mbi heshtjen e thjeshtësinë e tij, mbi moshën e epokën e tij, me jehonë magjike e magnetike drejt të nesërmes. Ai nuk ka vargje çimçakiz, po hoje mjaltimi poetik me realitete përjetuese, ndëshkuese, triumfuese. Jak Përpali e Gjon Neçaj janë miq ndërveti, të cilët i lidh edhe vendlindja e poezia, sikurse edhe me poetin tjetër, Gjin Gjonpali i Perajve, autor i disa librave të jehonshëm e dhjetra poezive të mirëpritura në shtypin elektronik e me letër.

Një triptik për vendlindjen ka Pjetër Meta i vllaznisë Përpali të Perajve: romanin historik “Fundi i Kalvarit” (2010) i nisur në rininë e moshës e i botuem në rininë e tij letrare; monografinë “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)!…” (2011) e monografinë “Gruaja që sfidoi fatin”, një trajtesë teme që do ta nderonte edhe penën e Kadaresë dhe ekranin botëror të Hollivudit në Amerikë.  Në maje të penës i ka disa vepra, që me sa duket po krijon një korpus letrar, si emblemë, si gjerdan të tij me dekorata të përjetshme.

Nga Perajt alpin me 730 metra lartësi mbidetare, pak ma i ulët se qyteti i Korçës, vjen në skenën e kohës politikani Lush Perpali, studenti me medalje të artë, profesor doktor me disa libra për ekonominë e financat, i cili ia ka mbrri të ngjitet në pushtetin legjislativ deri nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë e në pushtetin ekzekutiv deri në ministër i Pushtetit Lokal.

Nga Perajt perlë natyrore, nuk janë botue vetëm libra të bukur, po ka dalë edhe “Mis Shqipëria – 2000”, Elisabeta Gjonpali, e cila mori pjesë edhe tek “Mis Europa”.

Jeta ka shenjat e veta. Pal Kokërr Neçaj ishte mësues letërsie në shkollën 7 vjeçare në Gjonpepaj të fisit Nikaj kur nipi i tij, Gjon Neçaj, publikoi me bukurshkrim tek “Letrari i ri” ma të paren poezi e, asokohe, i patë thanë fjalën e së mbares: “Ti do të bëhesh poet, shkrimtar”. Ajo poezi mbante titullin e thjesht “Fshati im” e kishte një madhështi të papërseritshme, një fuqi magjike, titanike, një lartësi alpine, pasi i kushtoj Perajve, tokës ku Gjon Neçaj pa diellin qiellor e i lëshoi rrezatimet e tij poetike, letrare, veprimtare.

Gjon Neçaj në poezinë “Erdha” flet për ëndrren e kahershme për me trokit, për me u ulë këmbëkryq në Lidhjen e Shkrimtarëve, pasi kishte pengesa e vështirësi të kahershme në udhën e fjalës poetike e letrare, ndaj i ka parasysh porositë profetike të babës të tij: Kujdes biro, rruga është e gjatë / lakadredha, e shtrembër / në këtë botë…/ Monopateve kur ngjitesh / rrugëve rrenacake / ulu pusho pak…/

3.

Poeti, prozatori e publicisti Gjon Neçaj i përket fisit Nikaj (degëzim i Krasniqes), një fis me emra të mëdhenj në letërsinë e gazetarinë kombëtare shqipe si Dom Ndoc Nikaj (1864-1945), Padër Pjetër Mëshkalla (1901-1988), Ndoc (Anton) Papleka,  e të tjerë.

Shpesh më kanë fjalathanë për Dom Ndoc Nikaj: “mos i jep hapët”, “mos e fut në Enciklopedinë e Tropojës se nuk është nga Nikajt”, “jo gjithmonë mbiemni përcakton origjinën”, etj. Sot, n’mujsha, po e mbylli disi kit’ debat të hapur. Historiani, koleksionisti, veprimtari i njohur, miku im, Shpëtim Sala, e përktheu nga gjermanishtja një libërth të albanologut të shquar, akademikut austriak, Maksimilian Lamberc me titull: “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916”, që u shtyp në Shkodër më 2011 nga “Botime Françeskane”, ent prestigjioz i veprave të Fishtës e “Hyllit të Dritës”, të cilët më nderuan me besimin që të jem redaktor i këtij botimi me interes shkencor. Në faqen 29 të tij Lamberci i madh shprehet tekstualisht: “Dom Ndoc Nikaj më thotë se të parët e tij kanë dalë nga fisi i Nikajve të Malësisë”. Albanologu austriak, Lamberc, që mbështeti idetë e projektet e “Komisies Letrare” për dialektin e Elbasanit për “me u bam gjuhë zyrtare dhe gjuhë arsimore”, i njihte mirë fiset Nikaj e Krasniqe, Mërtur, etj., pasi  kah vera 1916 ishte  edhe në Malësinë e Gjakovës, aty ku bigohet dy herë Valbona, me Drinin, me Bushtricën.

Një emën tjetër i madh i Nikajve është edhe Pjetër Mëshkalla që i kreu studimet e larta për teologji-filozofi në Vjenë e shërbeu fillimisht në Poloni, Itali, etj. e mbasandejna edhe në Shkodër e Tiranë, i cili u dënue me 25 vjet në burgun famëkeq të Burrelit nga E.Hoxha e M.Shehu. Padër Mëshkalla ka botue e dorëshkrimue dhjetra poezi e artikuj, iu dha nga Presidenti i Republikës titulli “Martir i Demokracisë”, monumenti i tij hijeshon e lavdimon para Katedrales së Shkodrës, etj.

Nga fisi i Nikajt, përveç personaliteteve të fshatit Peraj, ka me dhjetra emra të tjerë të njohur në letërsinë, gazetarinë e shkencën shqiptare si prof. asoc. dr. Murat Gecaj–historian-shkrimtar, gazetar; dr. Afrim Krasniqi–pedagog, analist, poet, publicist;  prof. asoc. dr. Lush Susaj–pedagog, poet, publicist, studiues; poetët Nikoll Ulndreaj, Ndue Vatnikaj, Ndoc Qokaj; prof. asoc. dr. Gjin J. Ndrepepaj–mjek kardiolog e dr. Filip Mëshi–mjek zooveterinar; studiuesit Mark Palnikaj, Frrok Vukaj, Ylli Prebibaj; publicistët Agron Prebibaj, Mejdan Zhivani, Blerta Mrishaj, Besnik Palnikaj e të tjerë.

Një nga emrat e njohur të fisit Nikaj, poeti i letrave shqipe Gjon Neçaj, në vëllimet e tij poetike ujëvaron dimensionet e tij njerëzore me poezi kushtimore për  njerëzit e letrave shqipe: Ibrahim Rugovën e Kosovës, Din Mehmetin e Ali Podrimjen e Gjakovës, Bilal Xhaferin e Çamërisë, Dhimitër Shuteriqin e Milianov Kallupin e Elbasanit, Sotir Andonin në Amerikë, për Martin Camaj e Anton Paplekën, e të tjerë.  Në poezinë “Përkthyesi” për ikjen e Robert Shvarc elegjon: Prilli lule çeli / Zogjtë ndërprenë këngën / Ah, iku Roberti / E mira e marrtë! / Luhatet Harku i Triumfit / i shkrimtarit Remark/.

4.

Koha, poetin, prozatorin e publicistin Gjon Neçaj në 63 vite jetë në udhë e gjurmë të hapave të tij, në dritën e zemrës, në të qeshuren e syve, në shpirtin e fjalës poetike, e njohu qëndrestar të themeltë. Si shtiza e flamurit të bajrakut të tij të Nikajve të pushkës e të penës. Si palca e gurit të kullës trekatëshe në trollin e tij.

Gjon Neçaj, në ma të parin vëllim poetik të tij “Mrizi i Zanave”(1994) një poezi me pak vargje e shumë domethanie, ia kulmon vendlindjes së tij, amfiteatrit natyror, historik e kulturor Nikaj-Mërturit:

Në lartësinë e bjeshkëve të tua,

Kam matë dashurinë për Ty…

Tek unë nuk ke fund as skaj,

Zemra ime këngë,

Shpirti im mall.

Në këtë “Hark Triumfi” midis dy qafave të Kolçit e të Morinës, midis tre lumenjve të historisë e bukurisë  Drinit, Valbonës e Nikajt, qëndron forca e madhështia e Gjon Neçajt, jeton shenjtëria e tij poetike, njerëzore, burrërore.Poeti Gjon Neçaj nga ky Hark Triumfi i vendlindjes dritëron me vargjet e tij në horizonte të kohës, lartësi të qiellit, vargni të brezave: “Njerëz të mirë të dheut tim”, “Shumë ëndrra do të kryej nesër”, “Pres Diellin të lind në agim…”

 

Filed Under: ESSE Tagged With: HARKU I TRIUMFIT, I POETIT GJON NEÇAJ, Ramiz Lushaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT