• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STERJO SPASSE I SHQIPTARËVE DHE I MAQEDONASVE

May 14, 2014 by dgreca

Të vërteta të dhimbshme/
NGA DAUT DAUTI/
Ky është viti i Sterjo Spasses (1914-1989), viti i shkrimtarit të njohur shqiptar, me prejardhje etnike nga Prespa e Vogël. 100 vjet nga lindja e tij dhe 25 vjet nga vdekja. Ky është një nga shkrimtarët më të lexuar, veprat e të cilit janë edhe literaturë shkollore.. Është autor i dhjetra veprave kryesore në prozë, romane, vëllime me tregime dhe novela. Për një periudhë të gjatë ka qenë edhe mësues dhe botues i revistave të ndryshme. Nga fundi i jetës gëzoi privilegjin e të qënit shkrimtar në profesion të lirë. I respektuar dhe i lexuar nga një publik i gjerë, me veprat e tij ai u bë një nga themeluesit e letërsisë shqipe. Në kohën e diktaturës, ai e ndau fatin e tij me atë të popullit shqiptar. Me siguri, për shkak të mbijetesës, si shumë të tjerë, ai ka bërë ndonjë kompromis me ndonjë vepër që mund të jetë socrealiste., por, siç e ka evidentuar kritika letrare, ai me qëllim iu kthye trajtimit të temës historike me një cikël romanesh mbi Rilindjen Kombëtare shqiptare., ku ngjarjet dhe personazhet zhvillohen në kohën e Perandorisë Osmane. Në veprën e tij ai ka kënduar këngë me motive popullore, përralla apo legjenda, për t’u larguar kështu nga temat e realizmit socialist.
Si lexues që kisha lexuar shumicën e veprave të tij, u ndjeva i pikëlluar, që në vizitën e parë që bëra në Shqipëri me një delegacion të shkrimtarëve maqedonas në fillim të vitit 90 (kur filloi rënia e diktaturës), s’pata mundësi të takohesha personalisht me autorin e dashur, i cili kishte një vit që ishte ndarë nga kjo jetë. Por, megjithatë, pata fatin që të isha mik në familjen e djalit të tij, Ilinden Spasses në Tiranë. Disa vjet më vonë, pas kësaj, Ilinden Spasse shkroi librin në kujtim të të atit., me titullin “Ima atë Sterjo”. Por, nuk kam informacion në se ai është botuar edhe në maqedonisht. Në qoftë se jo, në këtë përvjetor të 100 vjetorit, botimi i këtij libri këtu është më se i domosdoshëm, se në të paraqitet një portret i jashtëzakonshëm i shkrimtarit, i cili, edhe pse ka krijuar në gjuhën shqipe, edhe pse ishte dhe mbeti pjesë e letërsisë shqiptare, ai asnjëherë nuk i fshehu rrënjët e tij etnike. Në Shqipëri ka shumë intelektualë me prejardhje etnike maqedonase, por me siguri, asnjë nga ata nuk është aq i njohur sa Sterjo Spasse.
Për shkak të dy përvjetorëve, në Shqipëri po bëhen disa aktivitete në nderim të shkrimtarit të madh, edhe pse nga ndonjë autor bëhet vërejtje ndaj shtetit, se këto aktivitet po zhvillohen spontanisht. Një nga ata, Behar Gjoka, me të drejtë nënvizon se Sterjo Spasses i duhet të jemi borxhli në të gjitha kuptimet, se ai ka sjellë frymë të re në letërsi me romanin e tij “Pse?!…”, të cilën e vlerësojnë si romanin e parë modern në Shqipëri (Ndonjeri e vlerëson të ngjashëm me “Vuajtjet e Vertherit të ri” të Gëtes). Por edhe me veprat e tjera, veçanërisht me ato të ciklit të romaneve historikë, me temë nga Rilindja shqiptare, në të cilin “rivitalizohet esenca dhe thelbi i një ëndrre shqiptare për të gjetur veten në këto hapësira”. Por jo vetëm kjo, Sterjo Spasse në një nga romanet e ciklit trajton luftën e dy popujve, shqiptar dhe maqedonas në kohën e rënimit të Perandorisë osmane, për çlirimin nga ky sundim dhe vendosjen e pavarësisë, si gjithë popujt e tjerë. Dhe jo vetëm për këtë fakt, por edhe për vetë kompleksitetin dhe specifikave të dy identiteteve (përfaqësues i letërsisë shqiptare, me përkatësi etnike maqedonase, ai sot duhet të jetë, paradigma e relatave të reja. Prandaj, Behar Gjoka me të drejtë e ngre problemin për afirmimin e Sterjo Spasse për vlerat që ai ka. “…unë do të thoja se padyshim shkrimi në gjuhën shqipe, i një joshqiptari, që e ndjen veten shqiptar, shkrimi i romanit “Pse?!…”, pasqyrimit që ai i bën Rilindjes kombëtare do të ishin nga ato momente, që do t’i shërbenin çdo institucioni, atij arsimor dhe atij kulturor. Por mbi të gjithë unë do të thoja se Sterjo Spasse do të ishte një shans për të ndërtuar ura komunikimi mes qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë
Por kjo urë për të cilën flet ky studiues, për veprën e Spasses nuk është shqyrtuar ashtu si duhet në të dyja vendet. Nga shkrimi mund të kuptohet se Universiteti i Korçës, si dhe në Fier, në Shqipëri, në muajin maj do të organizojnë konferenca shkencore dhe veprimtari të tjera në kujtim të shkrimtarit Sterjo Spasse dhe veprës së tij, por nuk ka informacion, në se në to do të marrin pjesë përfaqësues nga Maqedonia.
Është njoftuar edhe për aktivitete të tjera, por, si mund të bëhet ky bashkëpunim që në këtë rast mund t’i lidhë të dy vendet?
E paqartë është se si mund të kontaktohet në aktivitete konkrete, duke mos patur një koordinim midis institucioneve të dy vendeve, sepse Sterjo Spasse nuk është figurë e panjohur, pas tij ai ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme përgjithmonë.
Në kontekstin e shumë problemeve të Ballkanit, nuk duhet të humbasim ato gjëra që i lidhin popujt dhe shtetet.
Ajo, që vepra e tij është e pashkëputur nga letërsia shqipe nuk i zbeh aspak rrënjët e tij etnike dhe rrënjët e tij etnike nuk duhet të bëhen pengesë për lexuesit shqiptar, që atë ta ndjejnë si të tyrin.
Tek e fundit, popullariteti i romaneve të tij, tregimet dhe novelat, janë dëshmi e plotë për to. Vetë shkrimtari asnjëherë nuk e ka fshehur në shënimet biografike përkatësinë e tij etnike. Dyanësinë e tij ai e ka shprehur vetë: “Në damarët e mi rrjedh gjak maqedonas, ndërsa unë i përkas intelektit shqiptar.” Këtë do ta përsëriste edhe i nipi Arian Spasse vitin e kaluar në një përkujtim të veprës të gjyshit të tij në Bibliotekën e Kongresit Amerikan të organizuar bashkërisht nga përfaqësues të komunitetit shqiptar e maqedonas në Amerikë: “Gjyshi Sterjo shkruante për edukimin dhe emancipimin e brezave, duke mos harruar identitetin e tij.”
Edhe shkrimtari Naum Prifti, i cili merrte pjesë në këtë solemnitet, pasi foli për veprat e Spasses, në fund tha: “…Me punën dhe talentin e tij, Sterjo Spasse ka zënë vendin e merituar në letërsinë shqipe, në të njëjtën kohë mbetet pjesë e marrëdhënieve tradicionale shqiptaro-maqedonase”.
Në qoftë se madhështia e një personaliteti i kapërcen kufijtë e etnitetit e të shteteve dhe lidh bashkë së paku dy popuj, dy shtete, dy kultura, është e pakuptueshme që të mos ketë aktivitete të përbashkëta në një njëqindvjetor të lindjes. Edhe në qoftë se kanë filluar veprimtaritë në Shqipëri (kam informacione që edhe tek ne diçka po përgatitet nga shoqata e shkrimtarëve, por nuk e di në se ato kanë mbështetje nga shteti, mendoj se nga fundi i verës, kur do të bjerë dita e lindjes, veprimtaritë duhet të mbyllen me anën e një aktiviteti të përbashkët, mundësisht në vendin e lindjes së shkrimtarit, deri dhe të lindë e të zhvillohet ndonjë manifestim kulturor tradicional. Për këtë duhet kontributi i institucioneve shtetërore të të dy vendeve, ministritë e kulturës, ambasadat e të dy vendeve, akademitë, universitetet, shkrimtarët. Do të jetë dëm i madh dhe e pafalshme të neglizhohet ky shans. Në këtë kontekst, mendoj, që angazhimi i Maqedonisë duhet të jetë më i madh, me qëllimin që publiku i gjerë i lexuesve të tij ta njohin shumë më mirë këtë shkrimtar…

Marrë nga gaz. DNEVNIK

Filed Under: Featured Tagged With: DHE I MAQEDONASVE, i shqiptareve, STERJO SPASSE

DOM GJON BUZUKU DHE LIBRI I PARË I SHQIPTARËVE

January 21, 2014 by dgreca

 (Me rastin e 460-vjetorit të Mesharit)/

Nga Frank Shkreli/

Siç dihet, ky vit shënon 460-vjetorin e fillimit të shkruarit në shqip të veprës së Gjon Buzukut, “Meshari” në vitin 1554, të cilën thuhet se ai e përfundoi një vit më vonë, vepër kjo që deri më sot konsiderohet si vepra e parë në gjuhën dhe në letërsinë shqiptare. Gjon Buzuku është vlerësuar nga dijetarë dhe akademikë shqiptarë, përfshirë edhe Eqrem Çabejn, si njëri prej personaliteteve më të dalluara të kombit shqiptar për kontributin e tij në hedhjen e themeleve të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar. Njëkohësisht, edhe Kisha Katolike e konsideron Dom Gjon Buzukun si një klerik të dalluar –ndër më të mëdhejtë e saj — për kontributin e tij në liturgji dhe në letrat shqip.

Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, si pjesë e festimeve të këtij jubileu, mundësoi që për herë të parë, Meshari i Buzukut të mbërrinte në atdhe pas pesë shekujsh dhe të ekspozohej në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, për ta parë dhe për ta shijuar të gjithë shqiptarët.  Ekspozimi i Mesharit në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë u konsiderua si një për ngjarjeve më kulmore të këtij përvjetori historik.  Ja si e pat përshkruar mbërrijtjen e Mesharit nga Vatikani në kryeqytetin e kombit shqiptar me atë rast, ish-Ministri i Kulturës, i përndjekuri dhe i përvuajturi i burgjeve komuniste të Enver Hoxhës,  i nderuari Visar Zhiti: “Pritje e grumbulluar në breza, ëndërr e përbashkët dhe e atyre që s’janë! Përzier me ca mister dhe me gëzim! Një libër!… i pari fare.  Aty nisi… Do t’i afrohemi më shumë se kurrë, do të mund ta shohim si dorën tonë, që shkruan… Meshari i shqiptarëve, i gati 5 shekujve më parë, që ka mbetur i vetmuar në një Bibliotekë të huaj, ndër më të mëdhatë në botë e më të rëndësishmet, vjen në tokën e gjuhës së vet, për herë të parë. Sikur kthehet nga një mërgim i gjatë si harrimet. Dhe shpërthejnë emocioni dhe malli, përsiatjet dhe kujtimet. Rimëkëmbja e një kombi vjen nga e kaluara, nëse e dashuron atë, thotë një i mençur i madh. Do të vijë nga qielli Meshari, se libër qiellor është.   Me avion nga Roma do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mes pritësve, sigurisht do të dalin dhe hijet e Budit, Bardhit e Bogdanit, e poetëve themeltarë, Naimi e Fishta, do të dalë hija e romancierit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, e atyre që nisën prozën moderne shqipe, Koliqi e Kuteli, gruaja e parë shkrimtare, Musine Kokalari, do të vijnë nga Kosova Mekuli, Shkreli, Podrimja, do të dalin fëmijët me tufa me lule. Vendoseni në një shtrat topi si heronjtë Librin e Parë, mbështilleni me Flamurin Kombëtar dhe çojeni drejt qendrës së Kryeqytetit, aty ku pret në bronz Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Dhe të presin në radhë shqiptarët, me mijëra, të ardhur nga të gjitha trevat e të shohin Librin e tyre të Parë, ta prekin. Kemi udhëtuar me shekuj drejt tij…”  Ndjenjat e të gjithë shqiptarëve, që vetëm një si Visar Zhiti mund t‘i përshkruante siç duhet.

Studiuesë të ndryshëm të jetës dhe veprës së Gjon Buzukut janë dakort për kontributin e madh që ai i ka dhënë letërsisë, gjuhës dhe identitetit të kombit shqiptar, por midis tyre ka të pakën dy variante mbi vendin e lindjes dhe të veprimtarisë së tij kishtare dhe kulturore. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që Buzuku të ketë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tij në zonën e Prizrenit, por shumica e studiuesve, përfshirë Eqrem Çabejn kanë shkruar se duke u bazuar në dialektin që përdor Buzuku, ai duhet të ketë lindur dhe vepruar në krahinën e Krajës, një zonë kjo midis Ulqinit dhe Shkodrës. Për më tepër, ata përcaktojnë edhe fshatin e Shestanit, si vendin ku mund të ketë lindur Gjon Buzuku.  Ndonëse në mendimin tim ka pak rëndësi nëse Buzuku e ka prejardhjen prej Krajës ose prej Prizreni, rëndësi ka kontributi i tij i pakontestueshëm për kulturën dhe identitetin e kombit shqiptar, për të cilin të gjithë studiuesit shqiptarë dhe të huaj, janë të një mendimi.  Por megjithë pretendimet e studiuesve, të më falë lexuesi, por për arsye krenarie krahinore, më pëlqen më shumë dhe dua t’i besoj tezës së Eqrem Çabejt se Gjon Buzuku duhet të ketë lindur në një nga fshatrat e krahinës së Krajës, jo larg nga ku kam lindur edhe unë, andaj them për arsye krahinore, dhe për këtë arsye unë dhe bashkvendasit e mi ndjehemi krenarë për bashkvendasin tonë, Dom Gjon Buzukun.   Bashkvendasit e mi në rrethin e Ulqinit e besojnë këtë tezë dhe sidomos këto 20-vitet e fundit janë përpjekur të përforcojnë këtë pretendim, duke mbajtur konferenca jubilare me ekspertë dhe akademikë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga dijetarë të huaj, në mbështetje të kësaj teze, se Gjon Buzuku, autori i librit të parë shqip, u përkiste këtyre trevave, ku edhe duhet të ketë shërbyer si prift i dioqezës së Tivarit.  Megjithëse me burime të kufizuara financiare të organizuesve, nga këto konferenca kanë dalur botime dhe studime të posaçme, ndërkohë që ajka intelektuale e këtyre trevave është përpjekur të mbajë gjallë kujtimin e bashkvendasit të tyre, Gjon Buzukut, me aktivitetedhe botime të ndryshme.

Një vend të rëndësishëm të kësaj veprimtarie të vazhdueshme në kujtim të birit të këtyre trevave shqiptare e zën edhe revista, “Buzuku”, e cila para disa ditësh festoi botimin e numrit 40-ët të saj.  Kjo revistë e shqiptarëve në Mal të Zi përpiqet të mbaj gjallë trashëgiminë e veprës së Gjon Buzukut dhe rolin e tij të rëndësishëm në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Sipas revistës tjetër me rëndësi për Shqiptarët në Mal të Zi, “Koha Javore”, kohët e fundit në Ulqin u përurua numri i 40-ët i revistës “Buzuku”,  në një konferencë ku ishin të ftuar folës ekspertë, për të vlerësuar rolin e saj në ruajtjen edhe konsolidimin e gjuhës, të traditave dhe kulturës arbërore në këto troje shqiptare.  Mbi të gjitha, sipas Kohës Javore, folësit u përqendruan tek roli i mbështetjes së identitetit kombëtar shqiptar që luan revista Buzuku dhe vlerësuan njëkohësisht edhe punën e kryeredaktorit të saj, Dr. Simë Dobrecit.  Vetë, Dr. Dobreci tha në atë tubim se në revistën “Buzuku”, në vazhdimësi të traditës së jetës dhe veprës së Gjon Buzukut,  “Jemi munduar të paraqesim kulturën tonë, adetet e traditën, rrënjën tonë.”    Aty mori pjesë edhe akademiku Emil Lafe nga Tirana, i cili përgëzoi kryeredaktorin dhe bashkpuntorët e tij — përfshirë edhe dy ish-mësuesit e mi të tetë-vjeçares, Bahri Brisku dhe Riza Rexha, si anëtarë të redaksisë — për misjonin që sipas tij, ata i kanë vënë revistës, „Buzuku“, duke u shprehur se ai, “Është roli i ndriçimit të identitetit kombëtar, roli i nxjerrjes në pah të atyre pasurive të mëdha të folklorit, të kulturës popullore, të mitologjisë dhe të gjitha pasurive të tjera të botës shpirtërore shqiptare”, ka thënë akademiku Emil Lafe, duke shtuar se revista ka si mision jo vetëm zbardhjen e së shkuarës, por edhe të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve nën Mal të Zi.  Ai përfundoi duke thënë se roli i revistës “Buzuku” tani dhe në të ardhmen është që të, “përballohet për të mbrojtur identitetin kombëtar, gjuhën dhe letërsinë, për të ecur bashkë me pjesën tjetër të popullit shqiptar kudo që është”.   Sipas “Koha Javore”, në tubim foli edhe Dr, Nail Draga, Drejtor i Qëndrës Kulturore të Ulqinit,  i cili vlerësoi punën e Kryeredaktorit Simë Dobreci, duke thënë se në saje të punës së tij të palodhur, “tani e kemi një arkiv prej 40 numërash, i cili do të shërbejë për të tashmen dhe të ardhmën”, por shtoi ai, “sikur mos të ishte revista Buzuku, shumçka do ta kishim humbur”.  Edhe Kryetari i bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Dr. Gani Karamanaga e vlerësoi rëvistën “Buzuku”, duke thënë se, “Më e rëndësishmja është që ajo ka luajtur rolin e padiskutueshëm që shumë prej neve të këthehemi nga vetvetja, të mësojmë çka është gjuha shqipe, çka janë simbolet e shqiptarisë”, tha Dr. Gani Karamanaga.

Ashtu si edhe Gjon Buzuku në kohën e tij, edhe revista “Buzuku” sot, dëshiron të bëjë diçka për popullin e vet, përpiqet të  ruaj dhe të vazhdojë trashëgiminë e Dom Gjon Buzukut që të bëjë aq sa ka mundësi, për të mbrojtur identitetin kombëtar në trojet shqiptare nën Mal të Zi dhe më gjërë.  Zgjidhja e problemeve në lidhje me identitetin kombëtar të shqiptarëve, si 460-vjetë më parë, ashtu edhe sot ka nevojë, sipas Gjon Buzukut, “për ndriçimin e mendjeve të njerëzve”, jo vetëm në trojet shqiptare nën Mal të Zi, por në trojet shqiptare në mbarë Ballkanin.

Urime revistës Buzuku në punën e saj fisnike në trojet tona nën Mal të Zi dhe, sipas lutjes së dom Gjon Buzukut, në këtë 460-vjetor të Mesharit, “Ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë, O Zot.”  Nga tokat Arbërore, largoje të keqën, o Zot.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dom Gjon Buzuku, Frank shkreli, i shqiptareve, Libri i pare

Apoliner – miku i madh i shqiptarëve

August 30, 2013 by dgreca

NGA LUAN RAMA/

Më shumë se gjysmë shekulli më parë, kritiku i njohur i artit, francezi Michel Leiris, duke iu referuar në një studim të tij figurës së Apolinerit, (Guillaume Apollinaire), e cilësonte atë si «qytetar të Parisit». «Pikërisht në Paris dhe jo gjetkë, – shkruante Leiris, – ai gjeti territorin e vet, siç e tregojnë krijimet e tij, ku janë edhe Sena, edhe lagja Saint-Merry, Rue Christine, Eiffel, etj. Si Baudelaire apo Aragon, edhe ai është poet i Parisit.» Ky përcaktim i Leiris përmbledh padyshim gjenezën dhe thelbin poetik të Apolinerit, ku shumë nga krijimet e tij, madje edhe vetë jeta e tij u ngjiz në këtë qytet të përshkuar nga Sena, duke lënë gjurmë në shumë nga lagjet dhe rrugët plot histori të këtij qyteti të vjetër. Në një nga vargjet më të famshme të tij, të poezisë Zone, në përmbledhjen poetike Alcools, ai ka shkruar:

«Kulla Eifel si një bari

dhe tufa e urave si dhentë

që blegërijnë këtë mëngjes…»

Pikërisht Parisi ishte teatri i një jetë të ngjeshur poetike, ku Apolineri do të spikaste në gjeneratën e artistëve të fillimit të shekullit XX midis Picasso-s, Jean Cocteau, Max Jacob, Max Ernst, etj…Parisi që ai do ta përshkruante në veprën e tij të mëvonëshme Bredharaku i dy brigjeve, (Flaneur des deux rives), Parisi i bukinistëve, ku siç shkruante Apoliner, ai shkonte përgjatë stendave të tyre në kërkim të librave të rrallë:

«Kaloja buzë Senës

Një libër të vjetër nën krahë

lumi njëlloj si dhimbja ime

Ai rrjedh dhe nuk shteron

Kur vallë kjo javë do të mbarojë?»

Atë kohë rreth tij do të afroheshin poetët e artistët e rinj të asaj kohe si Paul Eluard, Louis Aragon, Philipe Soupault, themeluesi i «dadaizmit» Tristan Tzara, poeti Pierre Reverdy, etj.Apolineri e pa Parisin për herë të parë gjatë një udhëtimi të shkurtër në vitin 1887, kur ishte veçse shtatë vjeç, por realisht ai do të vendosej në Paris në vitin 1899, kohë kur ai do të banonte fillimthi në Rue de Constantinople, pranë stacionit të trenave të Saint-Lazare, e më pas në Rue Victor-Massé dhe lagje të tjera pariziane. Cili ishte ky njeri? Nga vinte dhe ç’përfaqësonte ai?

Poeti i avangardës

Apoliner ishte pseudonim i zgjedhur nga vetë poeti, pasi emri i tij i vërtetë ishte Wilhelm Albert Vladimir Apollinaris de Waz-Kastrowitzky. Ai kishte lindur më 26 gusht 1880, në Romë, meqë i ati, Francesco Flagi d’Aspermont, (historia e të cilit ende ka mbetur enigmë), ishte italian dhe shërbente në oborrin e Vatikanit, pranë Papës. E ëma e tij, Angelique, që të tjerët më së shumti e quanin Olga, ishte polake, vajzë e një emigranti, por shpejt ajo do ta linte Italinë dhe do të vinte në jug të Francës dhe në Monako, pranë kazinosë së famëshme.

Studimet e para shkollore Apolineri i bëri në Cannes, Nice dhe Monaco. Por e mbytur nga borxhet, nëna e tij ia mbathi drejt Francës. Në Paris ai erdhi vetëm dhe në moshë të re. Këtë qytet të artit dhe të poezisë ai e dashuroi menjëherë. I pasionuar pas librave, në orët e lira mbyllej në bibliotekat e kryeqytetit francez, veçanërisht në një nga bibliotekat më me emër: Mazarine.

Në fillim ai mori një diplomë si stenograf dhe pastaj u bë një lloj sekretari në „Bourse parisienne“, duke qënë kështu kryeredaktor i një gide, e më pas, punonjës i një banke. Në vitin 1905, ai vërtitej pikërisht në lagjet e Chaussé d’Antin dhe të Montmartës. Por një nga takimet më të rëndësishme, ishte pikërisht atëherë kur miku i tij, poeti hebre Max Jacob e çoi një ditë në Rue Ravignan, në ndërtesën e quajtur „Bateau Lavoir“, ku në një atelier piktorësh u takua me Picasso-n, me italianin Modigliani, hollandezin Van Dongen apo spanjollin Juan Gris dhe artistë të tjerë. „Në mbrëmje darkojmë tek Picasso, – shkruante Apoliner në Ditarin intim të tij, – dhe shohim pikturat e tij: ngjyra, trëndafilë si të mishtë, lule, koka njerëzish, etj. Një gjuhë e admirueshme që asnjë lloj shkrimi nuk mund ta shpjegojë, pasi falët tona mjerisht janë më të hershme“…

Picasso atëherë po pikturonte Zonjushat e Avinjonit.

Për të fituar para dhe siguruar mbijetesën, ai u lidh atë kohë me një botues që botonte romane të shkrimtarit Sade, autorit të romaneve Justine dhe Njëqind ditët e Sodomës, si dhe letërsi tjetër erotike. Kështu ai filloi të shkruajë një letërsi erotiko-pornografike dhe e lëvroi këtë lloj letërsie që kishte klientë të shumtë. Në fillim botoi Les onze mille verges, (Njëmbëdhjetë mijë vaginat), pastaj Eksperiencat e Don Zhuanit të ri<!–[if !supportFootnotes]–>[1]<!–[endif]–>, Roma e princave Borgia, Fundi i Babilonisë apo Mjeshtërit e dashurisë. Por kur jeta e tij u përmirësua, atëherë ai u hodh në lëmin e tij të preferuar: vargjet poetike.

Eshtë e vërtetë se ai ishte një kritik i mrekullueshëm i arteve figurative dhe i artit avanguardist në përgjithësi, duke u kthyer në një nga mbrojtësit më të flaktë të „revolucionit kubist“, dhe ashtu si Picasso, edhe ai u ngacmua shumë nga maskat afrikane. Madje ai ishte dhe shpikësi i termit „surrealizëm“, duke qënë kështu pararendësi i një prej rrymave që do të linte gjurmë në artet e shekullit XX.

Arti i Apolinerit nuk bazohej në asnjë teori, por vetëm në një princip të thjeshtë: akti i krijimit duhet të vijë nga imagjinata dhe intuita, sepse ai duhet ti afrohet sa më shumë jetës dhe natyrës. Jeta për të është një „burim i pastërt në të cilin mund të pijmë pa patur frikë se mund të helmohemi“. Por sipas tij, artisti nuk duhet ta imitojë atë, ai duhet ta japë atë sipas optikës së tij. „Arti duhet të ketë në themel të tij sinqeritetin e emocionit dhe spontanitetin e të shprehurit: si njëri dhe tjetri janë në raport direkt me jetën, të cilën ato duan ta „mrekullojnë“ estetikisht“.

Por Apolineri ishte njëkohësisht dhe një gazetar i shkëlqyer, çka e tregoi me shkrimet e shumta në revistat më të njohura të kohës si La Revue Blanche, L’Europe, La Revue d’Art Dramatique, etj, apo në revistat që themeloi vetë ai. Gazetaria për të ishte një mënyrë për të shprehur angazhimet e tij në humanizmin e një shekulli të ri, ku një botë e re industriale po përshëndeste njerëzimin. Poezia për të ishte mbi të gjitha, ishte arti me gërma të mëdha, arti në pikën e vlimit dhe të përgjërimit.

Poeti i dashurive të mëdha

Dashuria e parë e Apolinerit ishte vajza e një profesori, një miku të tij. Ajo quhej Linda Molina. Por shpejt, ky emigrant do të rrëmbehej nga bota e artit dhe e aventurës. Disa biografë thonë se para saj ai dashurohej me Stavelotaire Marie Dubois. Sidoqoftë, Apolineri ishte nga ata djem që përvëloheshin menjëherë dhe që dashuronin marrëzisht.

Pikërisht kur ai jetonte në grupin e artistëve të „Bateau-Lavoir“ në Montmartre, një ditë mes tyre u shfaq dhe një artiste e re, piktorja Marie Laurencini, 22 vjeçare, me të cilën ai menjëherë do të binte në dashuri, duke i kushtuar më pas një cikël poezish. Në librin Poeti i vrarë, ajo shfaqet me tiparet e bukuroshes mizore Tristouse Ballerinette: „Në lëndinë u shfaq një vajzë e shkathët dhe brune. Fytyra e saj ishte e ngrysur, ku yllëzonin dy sy të trazuar si ato të zogjve pendë-shkëlqyer…“ Marie mbante një litar me të cilën kërcente dhe ky detaj do të jetë në disa nga poezitë e poetit të dashuruar.

Atëherë Apolineri rrinte në kafenetë dhe teatrot e Montmartres, bashkëpunonte me revistat e njohura L’Intransigeant, Mercure de France, etj. Për tu afruar me të dashurën Laurencini që banonte në Auteil, ai iku nga lagja e tij në Saint-Lazare për tu vendosur diku pranë saj, në Rue Gros. Muret e apartamentit të tij ishin atëherë plot tablo të miqve të tij piktorë si Picasso, Braque, Derain, Dufy, etj.

Në 11 gusht të vitit 1911, duke lexuar gazetat, Apolineri mësoi se në muzeun e Luvrit kishin vjedhur tablonë e famshme të Da Vinçit, Xhakondën. Në atë kohë ai kishte strehuar në apartamentin e tij Gery Pieret, i cili kishte vjedhur tre statueta në Luvër dhe ia kishte shitur ato Picasso-s. Apolineri kishte frikë nga policia dhe e bindi Picasso-n që t’i kthente statuetat në mënyrë anonime, por ndërkohë policia e zbuloi dhe Apolinerin e futën në burg, si bashkëpuntor në vjedhjen e muzeut të Luvrit. Por miqtë e tij artistë u mobilizuan dhe pak kohë më vonë arritën ta nxjerrin nga burgu.

Kjo ngjarje e vrau shumë shpirtin e Apolinerit. Pikërisht në këtë kohë ai u largua dhe nga e dashura e tij, Laurencini. Poezia Le Pont Mirabeau, (Ura Mirabo), ishte fundi i trishtë dhe epilogu i kësaj dashurie:

„Shkojnë ditët dhe javët

Por as koha e kaluar

As dashuritë e vjetra nuk kthehen

Nën urën Mirabo Sena rrjedh“…

Pas fundit të trishtë, Apolineri e la lagjen e Auteil dhe u vendos në bulevardin Saint-Germain, e cila do të mbetej dhe banesa e tij e fundit. Ai filloi të drejtojë një revistë moderne, Mbrëmjet e Parisit, (Les Soirés de Paris), dhe punoi për përmbledhjen e tij të parë të rëndësishme poetike Alcools, e cila u botua në vitin 1913. Në këtë periudhë ai u bë idoli i avangardistëve të rinj, që kërkonin diçka të re në art dhe një shkëputje nga realizmi i Zolasë, apo klasiçizmi. Me miqtë e tij italianë, ai nënshkroi manifestin e futuristëve, Le Manifeste de l’anti-tradition futuriste, të teoricienit italian Marineti, që kërkonte zhdukjen e „formës së strofave dhe të intrigave të mërzitshme të tregimeve“. Por edhe pse e nënshkroi këtë manifest, ai nuk aderoi dukshëm në të. I ngacmuar nga piktura, ai krijoi një formë të vetën dhe të re poetike. Ishin „ideogramet lirike“ siç do ti quajë ai, duke i emërtuar „calligrammes“, meqë vargjet jepen në mënyrë grafike, herë në formë zëmre, lulesh, piramidash, shkallësh, shatërvanesh, etj. Kjo lloj poezie u bë e modës dhe shumë poetë të rinj filluan ta praktikonin atë. Madje dhe Arif Dino, një poet i ri shqiptar, një ithtar i Rembosë, i cili nga Stambolli vinte shpesh në Paris, filloi të praktikonte poezi të tilla, „calligrammes“, të cilat u bënë të njohura kohë më vonë.

Me Annie Playden dhe Faik Konicën

Një nga dashuritë më të dhimbshme dhe të pafata të Apolinerit lidhet dhe me emrin e Faik Konicës, pasi ai do të jetë i pranishëm në dashurinë e tij për anglezen Playden. Gjithnjë më kishte bërë kureshtar lidhja e Faik Konicës me Gijom Apolinerin. Me siguri ata ishin njohur sëbashku në fillimet e shekullit XX, atëherë kur Faiku ndiqte kurset e gjuhëve të vjetra në College de Francë dhe shkruante në revistën e famshme Mercure de Francë. Po kështu edhe Apolineri interesohej për gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë. Që më 1902 ai kishte themeluar revistën Le Festin d’Esope, ku bashkëpuntor do të ishte dhe miku i tij shqiptar, Konica.

Që të dy ishin njerëz me kulturë të gjerë, poliglotë dhe me njohje të shumta në rrethet letrare artistike. Por interesant është dhe fakti që së bashku ata kanë përjetuar aventura rinore, veçanërisht kur Apolineri ishte në krahinën «renhane», në Gjermani, atëherë kur 21 vjeçar ai ishte angazhuar si mësues i gjuhës frënge për Gabrielën, vajzën e vikonteshës Elinor de Milhau. Por guvernante e Gabrielës ishte një vajzë angleze, Annie Playden, një bjonde me të cilën Apolineri kishte rënë menjëherë në dashuri. Bashkë me Konicën ata shkuan në Këln, dhe një aventurë të shkurtër që do kalojnë sëbashku. Apolineri do ta tregojë këtë histori në tregimin e shkurtër L’Albanais, (Shqiptari), të cilën do ta fuste si pjesë përbërëse të vëllimit të tij, Le Poète assassiné, (Poeti i vrarë). Në tregimin e tij L’Albanais (Shqiptari), ai kishte shkruar: „Shqiptarët janë njerëz të pashëm, fisnikë e kurajozë, por ata kanë një prirje për vetvrasje, çka të bën të dridhesh për këtë racë, që mund të shuhej në se cilësitë e tyre gjenetike produktive nuk do ta balanconin mërzinë apo dhimbjen e të jetuarit. Një shqiptar që kam njohur gjatë qëndrimit në Bruksel, më ka lënë mbresa të paharrueshme dhe të sakta për një komb, që bashkë me skocezët, janë ndoshta popujt më të vjetër të Evropës. Ky shqiptar kishte një mikeshe angleze që e bënte të vuante, siç bëjnë të vuajnë nga dashuria ata që i përkasin një elite të shoqërisë njerëzore. Vajza, bukurija e së cilës binte aq shumë në sy sa që çdo burrë e dashuronte atë marrëzisht, e mashtroi mikun tim si dhe  ata që e donin aq shumë atë, pra edhe mua, që për një kohë të gjatë lëkundesha midis ndjenjës së miqësisë dhe të dëshirës…“

Dashuria për Annie Playden ishte thelbi apo heroina e vëllimit poetik La Chanson du mal-aimé, (Kënga e atij që nuk e deshën), pasi kjo dashuri ishte e pafat, e trazuar, tepër idilike dhe e pashpresë, ku më së fundi ai mbeti i fyer dhe i zhgënyer. Që ta largojnë nga Apolineri, prindërit e saj e dërguan atë në Amerikë, dhe vetëm 50 vjet më vonë, ajo do ta merrte vesh se ai që e kishte dashuruar aq çmëndurisht, kishte qënë një poet i madh.

Lamtumirë, o dashuri e rreme

dashuri e gruas që largohet

dhe që s’do ta shoh kurrë më

Kashtë e Kumtrit, o motër e përshkëndritur…“

Me largimin e saj, Apolineri do të vazhdonte miqësinë me Konicën, të cilin ai e vlerësonte shumë. „Faik Konica, – shkruante Apolineri në shkrimin e tij Faik Konica, botuar në revistën e njohur Mercure de France, më 1912, – botonte revistën Albania. Në kopertinën e saj ai kishte vendosur një emblemë me stemën e shtetit shqiptar, pikturuar nga një piktor i talentuar francez. Po kështu, ai do ti kushtonte mjaft vemendje artikujve dhe shkrimit të tyre. Vetëm revista franceze L’Occident mund të rivalizonte në këtë pikë revistën Albania. Kur u bë revolucioni xhonturk, Faik Konica mendoi të kthehej në vendin e tij. Por ngjarjet nuk ndodhën ashtu siç i mendonte ai. Kështu ai u nis me shpejtësi në Amerikë, ku po merrte hov lëvizja çlirimtare. Ai më shkroi për herë të fundit para se të nisej në Amerikë, pastaj nuk morra më asnjë lajm. Dija se ishte në Amerikë në një koloni të madhe dhe të pasur të shqiptarëve. Kujtoja se ai vend do ta kishte pritur mirë njeriun e ndritur të gjuhës shqipe, por më vinte keq që nuk më shkruante më për aventurat e tij. Vitin e fundit, në një librari, gjeta numrin e parë të një reviste të titulluar  Trumpeta e Krujës, sipas emrit të kryeqytetit të Skënderbeut. Në të mësova se ai jetonte në Saint Louis, të Missurit dhe nuk shkruante më në frëngjisht, gjuhë të cilën e njihte mjaft mirë, por në anglisht, të cilën e fliste shumë keq. I shkrova në adresën e Saint Louis por nuk mora përgjigje prej tij. Kur ja, ditën e fundit, një letër nga Çikago ma kujtoi përsëri shqiptarin tim. Letra ishte shkruar nga një Benjamin Decastres, por shkrimi i zarfit nuk më la asnjë dyshim se ishte ai i Konicës, një shkrim i imët dhe i bukur që u ngjante atyre të shtypshkronjave, si shkrimi i vetë Petrarkës. Hapa letrën dhe gjeta aty dy faqe të shtypura në anglisht të titulluar Prelude, kushtuar të gjithë atyre që e kishin ndihmuar egoizmin tim militant. Ishte në fakt një lloj poeme në prozë, plot fraza filozofike e imazhe biblike, ku përmendeshin dhe Gëtja e Betoveni. Kjo lamtumirë e veçantë e Faik Konicës për ata që i kishte njohur, por që tashmë i kishte këputur lidhjet e miqësisë, nuk më la asnjë shpresë se mund ta shihja atë përsëri. Ai tani ka hequr dorë nga Europa dhe nuk e boton më Trumpetën e Krujës. Krahas gjithë punëve të tij në Miçingan, ky stërnip i Gjergj Kastriotit shfaq tani melankolinë e evropianit tepër të kultivuar dhe të poetit të zhgënjyer“…

„Që më 1902, – shkruan historiani i artit Pierre Marcel Adema, studjuesi më i njohur i krejt veprës së Apolinerit, – botohej revista e përjavëshme L’Européen, (Europiani), ku në dhjetor 1903, nën pseudonimin Thrank SpiroBeg, ishte botuar shkrimi i Faik Konicës Skicë e një metode për tu duartrokitur nga borgjezët, (Esquisse d’une methode pour se faire applaudir des bourgeois)“. Atëherë Apolineri interesohej për popujt e shtypur si bullgarët, maqedonët, shqiptarët, etj. Konica filloi të botojë disa artikuj në revistën e Apolinerit Festin d’Esope. Më 1904, botoi shkrimin Mistifikimi më i madh në historinë njerëzore. Ndërsa Apolineri, më janar të vitit 1905, në numurin 7 të revistës Albania, botoi artikullin Një profeci bashkëkohore lidhur me Shqipërinë, (Une prophètie contemporaine touchant l’Albanie). Më 1909, Konica botoi në revistën Pan studimin e tij të famshëm, Studim mbi gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale, (Essai sur les langues naturelles et les langues artificielles), me pseudonimin Pyrrhus Bardyli, studim që do të hapte një debat në linguistët e njohur të asaj kohe, të cilët ishin trembur nga dalja e gjuhës «esperanto» dhe rreziku që u kërcënohej gjuhëve natyrale. Si hyrje e këtij studimi, Apollinaire kishte shkruar se „autori i kësaj eseje është shqiptari më i ditur në Evropë“.

Në atë kohë Konica i dërgoi Apolinerit librat e albanologëve të njohur si Holger Pedersen apo Gustave Mayer, të cilët kishin vlerësuar shumë autoktoninë shqiptare dhe vlerat e një populli me histori të lashtë. Fillimisht ai lexoi me interes numrat e revistës Albania. Në atë kohë e tërhoqi veçanërisht dhe studimi për Shqipërinë e Eliza Obri, (Aubry). Në këtë studim, duke folur mbi absurditetin e qeverisjes së Princ Vidit, ajo pohonte domosdoshmërinë që Franca dhe fuqitë evropiane ta shihnin realisht historinë dhe fatin e këtij populli. Parathënia e Apolinerit në këtë studim është e shkurtër, duke rikujtuar udhëtimin në Shqipëri të lord Bajronit. “Ndryshe nga popujt e tjerë të perandorisë otomane që ruajnë ende përkatësitë fetare, shqiptarët dallohen më shumë për tolerancë fetare dhe për ndjenjat e tyre kombëtare.“ Dhe më tej ai vazhdonte: “Zonjusha Obri e dallon mirë karakterin nacional të shqiptarëve, gjenia e të cilëve zotëron në të gjithë botën otomane… Diplomatëve të mëdhenj që rregullojnë fatet e botës, çështja shqiptare u duket tepër e vogël përballë këtij universi kaq të trazuar. Ndoshta një ditë, tepër të shqetësuar ata do të shkojnë në Janinë ose në Krujë, kryeqytetin e vjetër të Skënderbeut, për të vendosur me një dorë të pasigurtë themelet e një Evropë të re… Bëhet  fjalë padyshim për një racë të ndershme, të denjë për tu mbrojtur  dhe që vështron me shpresë Francën, e cila tashmë e kupton se çdo të thotë mos-interesimi i saj”.

Interesin e Apolinerit për Shqipërinë e tregon edhe shkrimi i tij i gjatë Tri princër të rremë të Shqipërisë, (Trois faux princes d’Albanie), të botuar në revistën L’européen, me 1904. Në të bëhet fjalë për pretendimet për fronin e Shqipërisë të të ashtuquajturve princër, “trashëgimtarë të derës së Kastriotëve”, të Skënderbeut.

Gjurmët e Konicës do t’i gjejmë edhe në ngjarjet e librit të tij Gruaja që rri ulur, botuar me 1920, pas vdekjes së Apolinerit. Në këtë roman të bije në sy pleksja e dy personazheve, Picasso-s dhe Konicës, që të dy miq të ngushtë të Apolinerit, që siç e përshkruan vetë ai “Pablo Canouris, piktor me sy blu e që ka sy si të zogut, është me prejardhje shqiptare, i lindur në Malaga të Spanjës. Në karakterin e Canouris përziheshin kështu Spanja dhe Shqipëria. Në dukje ai ishte i tillë, siç janë shqiptarët, njerëz të bukur, fisnikë e trima».

Pas largimit për herë të dytë nga Londra, Konica dhe Apolineri e ruajtën miqësinë e tyre, shkëmbyen letra dhe shkrime, (letra e fundit është e vitit 1913),  për ti botuar në revistat e njëri tjetrit. Duke shfletuar korrespondencën e Apolinerit me vëllain e tij, aty flitet dhe për Konicën.

Ishte dhjetor i vitit 1907 kur Alberti, vëllai i Apolinerit, kishte shkuar të punonte në një bankë të Londrës dhe sipas porosisë së vëllait duhej të takohej me Spiro Beg, për ti dhënë gjithashtu një libër të sapo botuar të Apolinerit. “Të shtunën isha tek Spiro Beg,<!–[if !supportFootnotes]–>[1]<!–[endif]–> i cili ishte mjaft i dashur, – shkruante Alberti. – Ai më pyeti se cili është ai autor, të cilin ju e keni lexuar sëbashku dhe që është bërë i famshëm nga vargjet “oh sa e gjatë është nata në këtë dhimbje që nuk shuhet”… Në një letër tjetër ai shkruan se “Konica ka tmerr të madh nga mishi i ngrirë dhe trembet ta hajë”… Gjithashtu, në mars të vitit 1908, ai e njoftonte Apolinerin se “meqë nuk e njoh gruan e Konicës nuk kisha si ta pyesja për gruan e tij. Por duket qartë se tani ai jeton vetëm… “Të shtunën e kaluar e kaluam darkën bashkë dhe i thashë se ti më kishe pyetur për gruan e tij. Ai më tha se ishin zënë dhe se ajo kishte shkuar tek nëna e saj, por ai shpresonte se ajo do të kthehej pas tri muajsh, megjithese faji ishte i saj.” Nga fundi i gushtit, pra një muaj më vonë, ai e njoftonte Apolinerin se nga Konica s’kishte më asnjë lajm.

Në fakt ishte koha kur Konica niste udhëtimin e tij drejt Amerikës, në Boston, ku do të takohej me Nolin.ollinaire – miku i shqiptarëve – Nga “Parisi letrar” L. Rama

 

Jani nga Morea

 

Eshtë interesante fakti që bota shqiptare u bë aq e afërt për poetin e madh Apoliner. Me siguri, që më parë Apolineri ishte njohur me Zhan Moreasin, (Jean Moréas), themesuesin e simbolizmit francez, i cili në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX ishte një poet mjaft i njohur në Francë. Apolineri e adhuronte këtë poet dhe simbolistët në tërësi, tek të cilët gjente vetveten. Shpesh ishte i pranishëm në shoqërinë e Moréasit, të simbolistëve dhe dekadentëve të tjerë, që mblidheshin në kafenetë e Montparnasse, si në „Closerie des Lilas“, „Café Flore“, etj., apo mbrëmjet e organizuara nga revista La Plume, ku Moréas ishte tharmi i këtyre mbrëmjeve poetike ku mblidhej gjithë Parisi letrar. Në shkrimin e tij kushtuar Moréasit, Apolineri ndër të tjera shkruante: «Një mbrëmje, i ndodhur prapa Moréasit, Oscar Wilde e pa atë duke ecur dhe thirri: „Shiheni, ai po vozit!“… Moreas shkonte i menduar, duke lëvizuar krahët e tij të mbledhura si të një lundërtari që largon valët nga barka, në mënyrë që ajo të shkojë përpara. Kështu në tokën magjike të Kolkidës, Argonautët kërkuan lëkurën e dashit të artë. Nga trungu i nënës së tij, Moréas kishte si gjysh komandantin e lavdishëm të flotës greke, Tombazi, trimëritë dhe betejat e të cilit i dhanë atij një emër të famshëm, në kohën kur grekët, më 1821, ngritën krye për të shpëtuar nga pushtimi otoman. Detar i pathyeshëm, ai pati idenë e zjarreve, që i shkatërruan aq shumë anijet turke dhe që nxitën heroizmin e Kanaris. Shumë herë, Moréas më ka folur për gjyshin e tij: “Kam shumë shënime që kanë të bëjnë me kohë të shkuara, të vjetra, – më tha njëherë ai, – por ato janë në një sunduk bashkë me një tufë dokumentash. Kur të kem kohë do ti shoh dhe do të shkruaj diçka”. Ndonjëherë unë ia kujtoja punën e sundukut. “S’kam patur kohë, – më përgjigjej ai, – por duhet të merrem vërtet me to”! Dhe ai më fliste sërrish për detaret hidriotë dhe ishullin e bardhë, Hidrën, të banuar nga shqiptarët, që kurrë nuk i kishin lejuar turqit të zbarkonin atje.  Grek nga Athina, nga e ëma ai ishte me origjinë shqiptare, por i tillë Moreasi ishte edhe nga i ati. Atij i pëlqente të bënte të njohur se mbiemri i tij i gjatë, që fshihte një pseudonim të pëlqyeshëm për veshin e francezëve, nuk ishte veçse një formë e helenizuar e emrit shqiptar Diamanti“.

Një nga herët e fundit që Apolineri kishte shëtitur me mikun e tij Moréas dhe atin e tij shpirtëror, siç e konsideronte ai, i cili tashmë ishte dekoruar dhe me Legjionin e Nderit dhe kishte marrë shtetësinë franceze, ishte kur ata po shkonin sëbashku në Gazette de France, ku Moréasi do të çonte një artikull të tij. Më vonë, takimet me të ishin të shkurtëra, në spitalin e Saint-Mande, ku Moreasi ishte shtrirë në shtratin e tij të vdekjes. “Unë e pashë atë edhe njëherë tjetër, – do të shkruante Apoliner. – Ishte akoma më i dobët. Miku i tij Godefroy, që nuk kishte qënë pranë tij që nga koha e sëmundjes, duke dëgjuar zërin e tij që kishte ndryshuar aq shumë, duke dalë tha: – “Ky nuk është më Moréasi. Ai ka marrë fund. Tashmë vdekja po na e rrëmben”… Që atë ditë nuk e pashë më Moréasin. Pashë veçse një tym të hollë të krematoriumit dhe imagjinova nëpër zjarr zëmrën e mikut tonë të rrethuar nga flakët… Ajo zemër e zjarrtë digjet ende“. 

Letra Lu-së…

Ezmeren Louise de Coligny-Châtillon, Apolineri e njohu në fillimin e Luftës së Madhe, apo Luftës së Parë Botërore, siç do të quhej më vonë. Ishte një ditë dhjetori të vitit 1914, kur ai po shkonte në Nice për tu angazhuar në ushtrinë franceze, në Legjionin e Huaj, (La Legion Etrangère). Kjo ishte e vetmja mënyrë për tu bërë shtetas francez. Luiza apo Lu, (Lou), siç e quante me përkëdheli ai, ishte një femër libertine 33 vjeçare dhe më e madhe se ai, me eksperiencë dashurish dhe e ndarë nga burri, një nga ato që pinte opium. Shpejt ajo u bë e dashura e tij dhe ai e dashuroi çmëndurisht, siç shprehet edhe në korrespondencën e gjatë të tij prej 220 letrash, që do të botohen pas vdekjes së tij në titullin Poema për Lu-në, hijes së dashurisë time, (Poèmes à Lou, ombre do mon amour).

„E shtrenjta Lu, – i shkruante ai nga regjimenti ku ishte, – buzët i kam plot puthje për ty. I vendos ato mbi sytë e tua, mbi flokët e tua të kreshpura, kudo, puthje të çmëndura“… Në poezinë Mendoj për ty, shkruar kur ishte në fushim, ndër të tjera ai shkruante:

Mendoj për ty Lu-ja ime, zëmra tënde kazerma ime është

Ndjenjat e mia janë kuajt e tu, kujtimi yt është jonxha ime…“

Lu ishte për të një poemë e gjatë, e pambarimtë…“gota ime plot / me verën që dridhet si flakë.“

Në një nga letrat e vitit 1914, dërguar nga Nimes, në jug të Francës, në fund të saj ai i shkruante: “E vogla dhe e shtrenjta Lu…Të puth, të dua, të adhuroj, të thith, të bëj dashuri në shtrat, të lëpij, të bëj gjethe trëndafili, top dëbore, të bëj gjithçka, o e adhuruara ime, të marr të gjithën në krahë…“<!–[if !supportFootnotes]–>[1]<!–[endif]–> Shumë nga letrat e tij janë të mbushura me poezi dhe vargje të mrekullueshme, pasi Apolineri shkruante ashtu siç ndjente:

Shumë thellë

 në liqenin e syve të tu

mbytet dhe shkrihet zëmra ime!“

Në mbrëmje, nën gjëmimin e largët të topave, vargjet i kushtoheshin përsëri Lu-së:

“Nata

 Mbaron

 Dhe Gi

Ndjek

Endrrën e ti

Ku në gjithçka është Lu.

Por Gi

 Nuk mendon fare

 Për natën

Ai yllëzohet dhe kashta prarohet

Ai ëndërron për atë që adhuron/“.

Letra e tij e fundit dërguar Lu-së është e datës 18 janar e vitit 1916. Ai i shkruante për të rejat e frontit, për veprimet e regjimentit të tij, betejat, spitalin ku është i plagosur dhe të plagosurit e tjerë që vijnë nga luftimet. „Të uroj dashuri të bukura dhe shumë lumturi“, e mbyllte ai letrën e tij të fundit. Në këtë kohë Lu ishte larguar nga ai dhe Apolineri kishte njohur një vajzë tjetër, Madeleine Pagès (Madlen Pazh), një ditë kur ai udhëtonte me tren për në Oran.

Edhe lidhja me Madlenën ishte e fortë dhe poetike, si të gjitha dashuritë e tij. Ai e kishte takuar atë, pikërisht atë ditë të 2 janarit të vitit 1915, kur përcillte në stacionin e Nice-s Lou Coligny-Châtillon. Kur do të kthehej në regjimentin e 38 të Artilerisë, në kompartimentin e tij ai pa një vajzë të këndëshme, 22 vjeçare dhe mësuese e letërsisë në Oran, ku banonte me familjen e saj. Ai e kishte pikasur dhe me një zë të ëmbël i kishte thënë: „Doni të lexoni vargje? Si thoni? Lexoni pra Lulet e së Keqes të Bodlerit…“ Dhe më pas, ëmbëlsisht, ai kishte shtuar: „Zonjushe, edhe unë jam poet. Unë shkruaj nën emrin Gijom Apoliner. A keni dëgjuar të flitet për mua?…

„Poet… ai qënka poet!“ – shkruante në vitin 1952, Madeleine Pagès,<!–[if !supportFootnotes]–>[2]<!–[endif]–> kur më së fundi vendosi t’i bëjë të njohura letrat që i kishte dërguar Apolineri. – „Ç’histori e bukur. Nga gëzimi m’u mor fryma … Ai mbështeti kokën, mbylli sytë dhe m’u duk i trishtë dhe i lodhur. U trondita nga pamja e asaj fytyre. Kurrë nuk kisha parë një fytyrë me sy të mbyllura që të shprehte njëherësh aq shumë gjëra…“

Në fund të udhëtimit, kur ishin ndarë, ata kishin shkëmbyer adresat. Pastaj ai e kishte takuar dy muaj më vonë përsëri në Marsejë. Më vonë, një korrespondencë dashurie filloi. Letrat e dashurisë ishin po aq dehëse dhe poetike. Madje ai i kërkoi që të martoheshin sa më shpejt. Nga kazerma, Apolineri tashmë kishte shkuar në frontin e Champagne-s, përballë ushtrisë prusiane. Ai ishte vendosur në sektorin Hurlus, „mes këtij tmerri të llahtarshëm të milionave mizave të mëdha ngjyrë blu“<!–[if !supportFootnotes]–>[3]<!–[endif]–>, siç shkruan ai, në „një vënd të frikshëm ku gjithë tmerret e luftës, varrezat e tmerrëshme e të pafund, bashkohen me mungesën e pemëve, të ujit, të vetë tokës.“

Letrat janë të shumta, pafund, dhe po kështu poezitë që i dërgon, të cilat i shkruan i fshehur nëpër transhe. „Kam ende aromën e gojës tënde“, i shkruan ai, „puth në mënyrë të këndshme luleshtrydhet e gjinjve të tua“, „të shoh lakuriq si Evën para Adamit“, „ti, Fedra, më e bukur, më e pastër dhe më e gjallë se ajo“, Ma petite fée adorable“<!–[if !supportFootnotes]–>[4]<!–[endif]–>… Madje i dërgon dhe një poemë erotike të titulluar Nëntë portat e trupit tënd, ku i shkruan:

„A e di ti, virgjëresha ime

 se trupi yt ka nëntë porta?

 Unë i njoh shtatë, ndërkohë që dy janë ende të mbyllura…

 Hyra brënda teje nga sytë e tu të yllëzuar…“

Ai e quan seksin e saj „portë supreme“ dhe se është ai që ka „çelsin suprem të nëntë portave të saj“, duke shkruar në vazhdim dhe nëntë „Poezi të fshehta“, siç i quante ai në letrat e tij. Ishin poezi tepër erotike, për një poet dhe një djalosh ushtar që i rrethuar nga balta, qielli i errët, shpërthimet dhe uturimat e avionëve, prehej në imagjinatën e tij duke bërë dashuri. Një orgazëm në tmerrin e një lufte absurde.

Por dhe kjo dashuri, për Apolinerin nuk do të zgjaste shumë. Kur po lexonte në transhe revistën Mercure de France, ku dhe kishte shkruar shumë artikuj, një predhë i përshkoi helmetën e hekurt dhe e plagosi, duke e dëmtuar seriozisht gjëndjen e tij nervore.  Ishte 17 mars 1916. Nëntë ditë më parë ai sapo kishte marrë nënshtetësinë franceze. Më së fundi…por ja, më 9 maj i duhej të operohej urgjentisht. Megjithatë, edhe pse në shtratin e spitalit, Apolineri i vazhdonte krijimet poetike të tij. Më tetor të atij viti botohet vëllimi poetik Poeti i vrarë, Le Poet assassiné. Përse vallë e kishte titulluar kështu? Mos ndoshta kishte parandjerë ikjen e shpejtë të tij…

Zhaklinë

Zhaklinë, (Jacqueline), do të ishte gruaja e vetme e Apolinerit dhe dashuria e tij e fundit. Në fakt ajo quhej Louise Emma Kolb, por të gjithë e thërrisnin Zhaklinë. „Zhaklina kuqaloshe“, i këndonte Apoliner. Apolineri tashmë është kthyer në Paris, në lagjen e tij të preferuar, në Saint-Germaine-dès-Près. Koka e tij e fashuar duket për së largu. Miqtë e tij të afërt janë dhe Breton, Aragon, Reverdi, Tzara, Kokto.

Ata u martuan në 2 maj të vitit 1918, me dëshmitar Picasso-n, atëherë kur ajo ishte vendosur në shtëpinë e Apolinerit në 202, bulevardi Saint-Germain-des-Près dhe kur Apolineri ishte plot projekte letrare dhe angazhime të shumta dhe në fushën e teatrit. Si dhuratë, Picasso i dhuroi një portret kubist të tij me mbishkrimin Apollinaire, 1912.

Ai kishte filluar të shkruante një opera „buffa“ dhe kishte shfaqur një dramë surrealiste të tij, Les Mamelles de Tirésias, në një teatër të Montparnasse me ngjarje në Zanzibar. Ndërkohë kishte botuar dhe vëllimin e tij të dytë poetik Calligrames, etj. Atëherë ishte koha e gripit spanjoll, i cili po bënte kërdinë në front dhe në popullsinë franceze. Këtë bashkëjetesë të re, Apolineri nuk do ta gëzonte. Plagosja në front e kishte bërë me një shëndet të dobët dhe jo rezistent. Prej kohësh ai mbante ende në kokë rreth ballit, një rrip meshini, pasi ende kishte dhimbje nga plaga e marrë në front. Në një nga fotografitë e rralla me Zhaklinën, ai qëndron në këmbë para ballkonit të apartamentit në boulevardin Saint-Germain-dès-Près, nga ku duket rruga dhe ku portreti i tij dhe i Zhaklinës janë të përmbytur nga një dritë lumturie. Ai sikur po niste një jetë të re…

Po! Atë vjeshtë të vitit 1918, askush nuk e mendonte se Apolineri mund të vdiste.

Në kulmin e lumturisë, pa e kuptuar, Apolineri do të shuhej brënda pak ditëve. Madje tregojnë se para se të vdiste, ai i lutej doktorit ta shpëtonte: „Të lutem më shpëto! Kam shumë gjëra për të thënë!“- pëshpëriste ai.

Dhe vërtet, në krye të një gjenerate avanguardiste, ai kishte shumë për ti thënë kësaj bote me artin dhe vargun e fuqishëm poetik, ashtu siç kishte kënduar dikur Bodler dhe Rembo. Në poezinë E ardhmja, ai sapo kishte shkruar:

„Le të shohim duart tona/ Ato janë dëbora/ Trëndafili dhe bleta“…

Ai vdiq në 9 nëntor të atij viti, dy ditë para se të nënshkruhej Amnistia dhe të mbaronte Lufta e Madhe. Atë ditë, Pikaso i kërkoi Kokto-së që të njoftonte miqtë dhe shtypin. „I mjeri Apoliner vdiq! – i shkruante Kokto mikut të tyre André Salmon, – Pikaso është tepër i trishtë…Apolineri nuk dukej se do të vdiste. Mjeku im shpresonte se do ta shpëtonte. Për fat ai arriti të jetonte deri në oren 5 të mëngjesit. Fytyra e tij është e qetë dhe e freskët…“ Tridhjet e tetë vjeçar, poetin e vdekur e përcollën për në varrezat e Père Lachaise, të bashkohej me poetët e tjerë të mëdhenj Bodler apo Nerval. Në krye të kortezhit, nëna dhe gruaja e tij e ve, si dhe miqtë e tij të afërt, Pikaso, Kokto, Sandras, Pol Fort, Brankusi, Deren…Ai sikur ta kishte parandjerë ikjen e tij të afërt, në një nga poezitë e tij, të titulluar Festa, (La Fëte), ai kishte shkruar epitafin e tij: „Ai diti të dashurojë“…

Gijom Apolinerit iu desh vetëm një dhjetëvjeçar që të merrte pas vetes dhe të çvendoste ajkën e artistëve parizianë nga Montmartre drejt Montparnasse e më pas në Saint-Germain-dès-Près; iu desh një dhjetëvjeçar që të shkruante kryeveprat e tij, disa prej të cilave do të botoheshin pas vdekjes së tij si, Femme assise, (Gruaja ulur), Ombre de mon amour, (Hija e dashurisë time), Anecdotiques, Contemporains pittoresques, etj. Pikërisht në lulishten e kishës më të vjetër pariziane, Eglise de Saint Germain-dès-Près, është vendosur një portret skulptural i Apolinerit punuar nga miku i tij më i afërt, Pablo Picasso. Një portret që nuk i ngjan asnjë prej fotografive të njohura të poetit, por që njëkohësisht është një portret që krijon një gjëndje, atmosferë paqeje e dashurie, sikur këto dy cilësi të ishin në gjenezë të atij njeriu që kishte shkelur dikur këtu, në këtë kalldrëm, në këto rrugë.

Po, kështu ishte! Dhe ne mund të përsërisnim: „Il sut aimer!“…  „Ai diti të dashurojë“!

E megjithatë, si nga larg na vjen jehona e vargut të tij: „Dhe unë largohesha, duke marrë dritë midis hijeve“… Në ç’konstelacion shkonte ai?…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Apliner, i shqiptareve, Luan Rama, miku i madh

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT