Kulla e Prek Calit dhe restoranti në Tiranë i kryetarit të bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj Bashkia e Malësisë së Madhe, domethënë kryetari i saj Tonin Marinaj, ka dalë me një deklaratë publike për prishjen e kullës së Prekë Calit, duke thënë se do të prishet çdo ndërtim që është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Burrë i ligjeve ky Tonin Marinaj! E atë bar-restorant “Mastela” që ai ka në Tiranë, pranë Hipotekës (Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) në rregull e ka me ligjet në fuqi? Lokalin shumë të bollshëm ia ka dhënë biznesmeni Irfan Hysenbelliu, i cili ka në atë zonë një kompleks pallatesh. Arsyeja për të cilën ia ka dhënë është se kanë disa punë konfidenciale bashkë me shishet e birrës së Fanes që udhëtojnë transit në territorin e bashkisë së Toninit, me korrierë privatë, të përshtatura për të mbajtur “meze” të shtrenjtë brenda. Nëse ka në Shqipëri ndonjë monument të ndërtimeve të paligjshme, madje të kundërligjshme, sa i përket zaptimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve abuzive në to, ky me siguri që është kompleksi i pallateve që ka ndërtuar Irfani, pasi ka zaptuar një pjesë të oborrit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka) në Tiranë. Kjo ka ndodhur para vitit 2005, pra kur në pushtet ishte PS. Në atë kohë zaptimi i kësaj hapësire publike u bë shkak që që Banka Botërore të tërhiqej nga financimi i një pjese të projektit për modernizimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pallati më i lartë i kompleksit ndërtimor, i cili i bën hije Burgut 313, që gjendet aty afër, dhe i cili pallat ka shtatë kate pa leje, është monument i pushtetit abuzues që siguruan disa oligarkë si Hysenbelliu, duke keqpërdorur gazetat dhe televizionet që kanë në pronësi, në kohën që PD ishte në pushtet, në vitet 2005-2013. Ironikisht, lejën fillestare për ndërtim Hysenbelliu e mori nga Edi Rama, në kohën që ai ishte kryetar bashkie. Por katet pa leje Irfani i i ndërtoi kur në pushtet erdhi Berisha në 2005, se kishte garancinë nga Berisha dhe Basha se nuk do t’ i prekeshin ato. Dhe tani Edi Rama kryeministër ia legalizoi Fanes ndërtimet abuzive. Prek Cali mbrojti kufirin shqiptar në kohën që në Shqipëri erdhi komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufirit, dhe kur të dërguarit e Beogradit shkuan në Malësinë e Madhe me thasë me flori për t’ u thënë banorëve katolikë që të kërkonin që trojet e tyre t’ i bashkoheshin Jugosllavisë. Dhe nuk ishte çudi që të ndodhte kështu, sepse megjithëse kufijtë ishin vendosur në Konferencën e Londrës në 1913, në 10-12 vitet e ardhshme pati ndryshime në dëm të shtetit shqiptar, siç ishte humbja e rreth 2000 km² në kufijtë verilindorë, në atë që njihej si Zona Neutrale e Junikut, gjë që ndodhi për shkak të luftës së pakuptim, pa mbështetje ndërkombëtare të kaçakëve kosovarë që e përdornin këtë territor të shtetit shqiptar, si bazë për veprimet luftarake. Prek Cali të cilët i trokitën në derë të dërguarit e Beogradit, mund t’ i kishte marrë florinjtë e tyre dhe të kishte pallate e restorante nëpër Europë por nuk e bëri këtë gjë se ishte atdhetar shqiptar. Autoriteti i Prek Calit nuk vinte nga leja për të mbjellë hashash pa të prekur shteti, siç vjen autoriteti i Tonin Marinajt të Edi Ramës. Autoriteti i Prek Calit vinte nga burrnia e atdhetaria e tij. Kulla e Prek Calit u shemb me urdhër personal të Edi Ramës dhe argati Tonin Marinaj e ka zbatuar këtë urdhër për turpin e tij dhe të fisit të tij. Kulla e Prek Calit u shemb pikërisht në kohën që u shpall projekti i Jugosllavisë së Re (me Shqipërinë brenda) nën maskën e Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Kur komunistët erdhën në pushtet dhe bënë aleancën me Jugosllavinë, Enver Hoxha para se të shkonte në Beograd dhe të nënshkruante traktatin që e bënte Shqipërinë protektorat të Jugosllavisë, duhet të jepte një provë të madhe të goditjes së një simboli të mbrojtjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Beogradi. Dhe ky simbol u gjet duke poshtëruar Prek Calin, të cilin Mehmet Shehu personalisht e tërhoqi zvarrë të lidhur me litar pas xhipit të tij deri në Koplik. Çuditërisht, edhe në narrativën antikomuniste shqiptare është në fuqi legjenda e rreme e krijuar nga propaganda e Enver Hoxhës se Kelmendin e nënshtruan brigadat partizane shqiptare. Në të vërtetë këtë e bënë brigadat jugosllave. Prek Calin e kapën rob me tradhti partizanët jugosllavë në mars 1945 dhe kur e kapën, i kumtuan fjalët e Rankoviçit, Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, se jo vetc që do t’ i falej jeta por edhe do të shpërblehej mirë nëse do të pranonte të bëhej deputet në parlamentin e Shqipërisë dhe të shoqëronte Enver Hoxhën në vizitën e tij në Beograd. Kuptohet se Beogradit i duhej Prek Cali për ta bërë të pranueshëm projektin për aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Por Prek Cali, atëherë rreth 70 vjeç, refuzoi duke thënë se nuk e ka shitur Shqipërinë në rini dhe nuk do ta shiste në pleqëri. Këtë histori ma ka treguar një ish-oficer partizan malazez nga ata që u arratisën në Shqipëri në 1948 pas prishjes së Titos me Stalinin, dhe që kishte qenë i pranishëm në vendngjarje. Enver Hoxha e poshtëroi Prek Calin, por nuk e shembi kullën e tij. Këtë e bëri Edi Rama me Tonin Marinajn. Kur Mehmet Shehu e lidhi Prek Calin pas xhipit të tij, u tha partizanëve të pranishëm se cili katolik prej tyre do të dilte vullnetar të merrte timonin. Disa prej tyre dinin ta drejtonin makinën por asnjë nuk lëvizi. Asnjë prej tyre nuk u vu në rolin e Tonin Marinajt. Shqiptaro-amerikanët me prejardhje nga Malësia e Madhe që investuan për restaurimin e kullës së Prekë Calit duhet ta dinë se shembja e saj nuk ka lidhje me ligjet në fuqi në Shqipëri. Kulla u shemb në emër të ligjeve të pashkruara të Jugosllavisë së Re. Në çdo vend të botës, një burrë me meritat e Prek Calit do ta kishte monumentin në kryeqytetin e vendit, me mbishkrimin “Burri i Kufirit”. Kulla do t’ i ishte restauruar me shpenzimet e shtetit. Në Shqipëri ata që kanë uzurpuar shtetin jo veç që nuk e bëjnë këtë, por nuk lejon as që kjo të bëhet me financim privat. Ata që shembën kullën e Prek Calit veç sa zbuluan më qartë fytyrën e tyre si kolaboracionistë neojugosllavë. Do vijë dita që t’ i tërheqim zvarrë të lidhur pas “Mercedesëve” të tyre nga Tirana në Kelmend. Më saktë nga Kryeministria dhe restorant “Mastela” të vendi i kullës së Prek Calit(Autor Kastriot Myftaraj-Dergoi per Diellin Agustin Mirakaj)