Në Ditën Ndërkombëtare të kujtesës së viktimave të holokaustit, është shfaqur në Londër filmi “BESA – The Promise”, kushtuar heroizmit të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë kohës së Holokaustit.
Në aktivitetin e organizuar nga Kryetari i Bashkisë Camden Town, i Londrës, Lazzaro Pietragnoli, ishin të ftuar dhe merrnin pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Londër, Mal Berisha së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Lirim Greiçevci.
Filmi u shfaq në një nga qendrat më të mëdha hebraike të njohur si Jewish Center 3. Në këtë mbrëmje u nënshkrua një deklaratë për mardhëniet ndërfetare në kushtet e sotme.
Ambasadori Mal Berisha mbajti një fjalim në të cilin dha një pamje të shkurtër të mënyrës se si shqiptarët i mbrojtën hebrejtë në atë kohë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë.
BESA – The Promise, është vetëm një nga shembujt e shumtë të fisnikërisë dhe virtytit shqiptar të cilët rrezikuan jetët e tyre për të mbrojtur jo vetëm hebrejtë e Shqipërisë por edhe qindra tjerë të cilët e gjetën Shqipërinë si një vend që i mbrojti, i strehoi, i ushqeu dhe i përcolli siç e kërkon Kodi i Besës dhe Mikëpritjes Shqiptare.
“Shqipëria, – tha Ambasadori Berisha, – nuk është vendi që kishte më shumë hebrenj në Europe, por është i vetmi vend që nuk lejoi të binin në dorën e nazistëve asnjë hebre, qoftë vendas, qoftë i strehuar”.