• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skënder Tena, skulptori i parë i Vlorës

December 15, 2016 by dgreca

skulptori-skender-tena-ne-studio-2016skenderbeu-i-s-tenesvariete-nga-s-tenavelat-e-s-tenesshevqet-musaraj-i-s-tenes

Nga Albert HABAZAJ*/ Skënder Tena është skulptori i parë i Vlorës. Në vitet 1960, kur u shfaq ai, nuk ka pasur të tjerë. Më vonë u formuan dhe zhvilluan talentin e tyre skulptorë si Zeqir Alizoti, Ilia Doko, Bujar Elmazi etj. Skulptori Skënder Tena ka një veprimtari të bollshme me nivel të lartë etiko – artistik. Në vitin 1982 është vlerësuar me çmim të parë nga Galeria e Arteve dhe Seksioni i Kulturës, Vlorë për veprën me titull “Kur zbrite nga Drashovica” – kompozim në skulpturë. Ka 50 punë të ekspozuara në Vlorë, në Tiranë, Lushnjë, Sarandë. Në studion e tij ka shumë vepra të paekspozuara. Një të pestën e punimeve i ka në Itali, Greqi e Amerikë. Ai ka kryer studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë gjatë viteve 1956 – 1960 dhe Akademinë e Arteve të Bukura nga viti 1970 – 1974. Krijimtaria e tij artistike, që ka filluar gjatë viteve 1960, i ka kaluar krenarisht me artin e vet 56 vite pune intensive dhe produktive të dobishme. Ajo vazhdon të jetë po aq e gjallë dhe e freskët edhe sot, pa përfillur peshën e 82 viteve mbi supe. Tena ka qenë pjesëmarrës në të gjitha konkurset artistike lokale dhe kombëtare, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, qysh nga viti 1972. Veprat e tij shquhen për mjeshtëri artistike dhe shumë prej tyre janë të vendosura nëpër galeri, në vendngjarje historike, në parqe, lulishte, shkolla, biblioteka, qendra biznesi etj. Në veprat e tij rreshtohen heronj, dëshmorë dhe personalitete të historisë sonë kombëtare e arsimit shqiptar. Skulptori Skënder Tena ka punuar edhe jashtë Shqipërisë, në SHBA, Greqi dhe Itali, duke lënë atje gjurmët e artit të tij në vepra me mermer të pranueshme për nivelin e kënaqshëm artistik. Skulptori i Popullit Skënder Kamberi ka vlerësim pozitiv për veprën skulpturore të adashit me banim në Vlorë. Ja si shprehet “Mjeshtri i Madh”: “Skënder Tena është pjesa elitare e skulpturës në Vlorë, bashkë me Zeqir Alizotin (se s’ka shumë të tjerë cilësorë Vlora. Tena matet me skulptorët e mirë në Tiranë, që janë me masë, se, kuptohet, kryeqyteti i mbledh më cilësorët. Skënder Tena është ngulmues, i dalluar e serioz në punën e tij krijuese të lavdëruar”. Skulptura e tij dallon se, nuk është thjesht arti i krijimit të statujave, busteve e veprave të tjera artistike me vëllim, duke i gdhendur në mermer, gur, dru, në metal, etj., ose duke i mbrujtur me një lëndë, por është së pari shpirti i artistit i derdhur me ndjenjë dhe dashuri për punën e tij fisnike. Një shërbim i duhur (dhe i vonuar) ndaj 56 viteve shërbim që skulptori dhe mësuesi i ka bërë Vlorës, një vlerësim i thjeshtë qytetar, (i merituar me kohë), është ky që i bëjmë atij burri të fuqishëm e të paulur të artit në Vlorë, përfillje e respekt, të cilin, i emocionuar, vetë Skënder Tena e quan gur nderi të krijimtarisë dhe dinjitetit të tij krijues.

Disa nga punët krijuese të ekspozuara të skulptorit Skënder Tena në skulpturë janë:

  1. “Mësuesi i Popullit Jani Minga”, Qyteza “Studenti”, Vlorë, (ish-shkolla Pedagogjike), 1962;
  2. “Heronjtë e Luftës së Vlorës Kanan Maze e Zigur Lelo”, Muzeu i Kotës, Vlorë, 1970;
  3. “Djemtë e Revolucionit”, basoreliev, Shkolla Tregtare, Vlorë, 1975;
  4. “Heroi i Popullit Bajram Curri”, projekt, 1975;
  5. “Heroina e Popullit Zonja Çurre”, Muzeu i Tragjasit, Vlorë, 1976;
  6. “Vjelja e misrit”, Novoselë, Vlorë, 1977;
  7. “Agronomet e grurit”, Novoselë, 1977;
  8. “Lahutari malësor”, Galeria e Arteve, Vlorë, 1978;
  9. “Puthja e Flamurit Kombëtar, 1912: Isa Boletini, Ismail Qemali”, Ekspozita Kombëtare, Tiranë, (Galeria e Arteve, Vlorë), 1978;
  10. “Nëna labe”, Galeria e Arteve, Vlorë, 1979;
  11. “Kur zbrite nga Drashovica, Heroi i Popullit Selam Musai”, Galeria Vlorë, 1986;
  12. “Punime në mermer”, Itali, 1994;
  13. “Shatërvan në mermer”, Itali, 1995;
  14. “Spiralet-dekorative”, Biznes, Vlorë, 1998;
  15. “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 1998;
  16. “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 1998;
  17. “Ismail Qemali”, Bashkia Vlorë, 1999;
  18. “Shatërvani Gjimnazistja”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 1999;
  19. “Shatërvan Velat”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 1999;
  20. “Skënderbeu”, në studion e autorit, 2000;
  21. “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 2000;
  22. “Përkujtimore familjare”, Vlorë, 2001;
  23. “Mësuesi i Popullit Trifon Prifti”, Shkolla 9 vjeçare Akërni-Aliban, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2001;
  24. “Pulëbardhat”, shatërvan dekorativ, Sarandë, 2001;
  25. “Pulëbardhat”, Hotel “Butrinti”, Sarandë, 2001;
  26. “Dritëro Agolli”, në studion e shkrimtarit të madh, 2001;
  27. “Tek burimi”, Ujë i Ftohtë, Vlorë, 2002;
  28. “Dëshmori Pilo Prifti”, Shkolla e Mesme e Myzeqesë së Vogël, Novoselë, 2002;
  29. “Shevqet Musaraj”, Biblioteka e qytetit, Vlorë, 2003;
  30. “Dëshmori”, Shkolla 9 vjeçare Dëllënjë, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
  31. “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
  32. “Dëshmori Reshat Hoxha”, Shkolla 9 vjeçare Bishan, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
  33. “Dëshmori Uani Sota”, Shkolla 9 vjeçare Delisuf, Myzeqe e Vogël e Vlorës, 2003;
  34. “Reliev”, Biznes, Vlorë, 2003;
  35. “Dashuri prindërore”, kompozim, Vlorë, 2003;
  36. “Baritore Shatërvan”, Tragjas, Vlorë, 2004;
  37. “Baritore”, Qendër Tragjas, Vlorë, 2004;
  38. “Nderim të rënëve policë”, Komisariati i Vlorës, 2004;
  39. “Peizazh”, Amerikë, 2004;
  40. “Vaçe Zela”, Muzeu i Lushnjës, 2004;
  41. “Mësuesi i Popullit Jani Minga”, Gjimnazi “Jani Minga”, Vlorë, 2006;
  42. “Rexhep Qosja”, Vlorë, 2006;
  43. “Ismail Kadare”, Vlorë, 2007;
  44. “Dritëro Agolli”, Vlorë, 2009;
  45. “Al Bano”, në studion e këngëtarit, Itali, 2009;
  46. “Al Bano”, klubi “AL Bano & Romina”, Vlorë, 2009;
  47. “David H. Sachs, shkencëtari amerikan”, Boston, 2014;
  48. “Formë dekorative”, projekt për Vlorën, 2015.
  49. “Ismail Qemali”, në proces në studion e tij, si dhe një kompozim për Luftën e Vlorës, 1920 (2016). Autori ruan me fanatizëm në studion e tij edhe në punim të vjetër, “Enver Hoxha, 1965; “Është vepër arti imja, si gjithë të tjerat, kam goxha nga mundi im artistik të kohës” – shprehet Tena.

Për më tepër, në intervistën e tij do të kemi fakte, ngjarje, të dhëna e të thëna të panjohura për lexuesin e gazetës sonë dhe publikun artdashës

Pyetje: – Zotni Tena, ju jeni një emër i dëgjuar në botën kulturore – artistike të qytetit dhe më gjerë. Ju lutem, dy fjalë telegrafisht për lexuesin e mbi jetën tuaj në gjininë e skulpturës, se ne, kështu e kemi, po s’të mësuam pak biografi, nuk na zë fjala për më tutje …

Përgjigje: (qesh) – Ashtu është vërtetë, ua kam mësuar natyrën vlonjatëve, u plaka në Vlorë ndaj pa humbur kohë po ta rrëfej jetëshkrimin tim apo C.V-inë, si i thoni sot. Unë, Skënder Tena kam lindur në qytetin bregdetar të Sarandës më 10 Qershor 1935, nga prindër të thjeshtë e të ndershëm, të lidhur me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Babai im Malo Teno dhe nëna Shaniko bënë 6 fëmijë: 3 djem e 3 vajza. Arsimin 7 vjeçar e kreva në vendlindje në vitet 1950 – 1954. Pastaj më thirrën për ushtar, 3 vjet, se në atë kohë funksiononte shërbimi i detyrueshëm ushtarak për çdo mashkull të aftë shëndetësisht. Ushtrinë e bëra në Tiranë, në repartin e MKK (Mbrojtjes Kundër Kimike). E kujtoj dhe s’e harroj kohën me uniformën e blertë, se pikërisht në kohën e shërbimit ushtarak, nevojat e punës me emulacionin, kërkuan të dilnin në evidencë dhe aftësitë e mia, fillimisht si dizenjator i repartit. Kjo periudhë përbën trampolinën e talentit tim, që po merrte hov. Dhe me artin s’u ndava më dhe nuk ndahem tërë jetën. Në vitin 1960, sa mbarova Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë (themeluar në vitin 1946), emërohem mësues në Shkollën e Mesme Pedagogjike Jani Minga”, Vlorë. 7 vjet punova atje, se paskëtaj shkolla u mbyll dhe unë kalova në Shkollën 8 vjeçare “8 Nëntori” (sot “Rilindja”), e cila sapo qe çelur (1967). Bëra një vit aty e nga 1968-’69 – a më transferojnë në Sevaster. Pas Sevasterit shkoj për plotësimin e arsimit tim në ILA (Instituti i Lartë i Arteve, sot Universiteti i Arteve, Tiranë). Pas përfundimit të studimeve të larta, në vitin 1975 deri sa dola në pension në vitin 1990 punova në shkollën “Lef Sallata” të qytetit. Aktiviteti im artistik s’u ndërpre asnjëherë.

Pyetje: – Vërejmë se përveç talentit të spikatur, ju punoni me dashuri të veçantë, të ndjeshme, por të padukshme. Kush ta futi dashurinë për skulpturën? Ku është burimi i kësaj prirjeje tuaj të brendshme? Prindërit? Vendlindja?

Përgjigje: – Dashuria për artin është e lindur tek unë, e pandikuar nga askush. Thjesht, ka qenë intuita ime. Nuk më ka ardhur nga prindërit pasioni, se, siç të thashë, njerëz të thjeshtë i kam patur. Ka lindur vetvetiu, ka ardhur vetë pra, por patjetër edhe qyteti im i lindjes, si kartolinë e bukur, i ka lënë gjurmët e veta në qenien time si krijues. Kam rendur shumë pas formave të bukura të njerëzve. Saranda më ka frymëzuar si vend i veçantë, se shohim me sytë e shpirtit të bukurën në këtë qytet simpatik, që të rrit bagazhin e vlerave, që duhet të bëjë të vetat njeriu. Saranda më ka bërë mirë si mjedis në formimin tim artistik, ambjenti shoqëror po ashtu, natyra pa diskutim. Në Sarandë kam një formë dekorative të ekspozuar te hotel ‘Butrinti’, titulluar “Valët dhe pulëbardha” (viti 2001). Ka dalur dhe si kartolinë dhe është pëlqyer shumë nga specialistët dhe turistët. E kanë pëlqyer shumë edhe Muntaz Dhrami e skulptorët e piktorët tanë më të shquar që e kanë parë dhe vlerësuar. Kur u përurua mjedisi i dekoruar, në vitin 2001, vetë Dhrami është shprehur: “Punimet e karakterit dekrativ, ti Skënder i ke të shkëlqyera. Të përgëzoj!” Qysh i ri më kanë pëlqyer shumë fotografitë dhe vizatoja me qejf portretet e njerëzve të njohur, Enver Hoxhën, Marksin, Stalinin, Qemal Stafën etj. Edhe sot, e bëj me kënaqësi këtë punë.

Pyetje: – Kush të çoi në Lice?

Përgjigje: – Në Lice më ka çuar këmbëngulja ime, kërkesa që i bëra ministrit të Kulturës së asaj kohe (Ramiz Alia qe) e gushtit 1956, kur shërbeja në repartin ushtarak të Kimisë në Tiranë. Më ishte tiposur në kokë, që se s’bën unë të vazhdoja studimet për artet figurative. Pasi paraqitem në Ministrinë e Arsimit (sepse më kërkuan menjëherë, edhe pse isha ushtar), takohem me sekretarin e ministrit, të urtin Ruhi Bashari. E mbaj mend dhe sot atë mirëpritje aq të ngrohtë të atij njeriu babaxhan, i cili, në sy tim, mori në telefon Sarandën (seksionin përkatës në komitetin ekzekutiv) dhe e urdhëroi të përgatiste dhe t’i niste Tiranës dokumentet e mia. Saranda më ndihmoi dhe u jam shumë mirënjohës atyre njerëzve dashamirës, që qofshin të kujtuar për mirësitë korrekte të tyre ndaj meje (se jeta bën të vetën, po iki unë tani …)

Pyetje: – E mbani mend kur e keni krijuar skulpturën e parë? Ç’ mbresa ka lënë në kujtesën tuaj artistike?

Përgjigje: – Po, si s’e mbaj mend, ore?! Ka qenë viti 1962, kur unë realizova skulpturën e parë, Mësuesin e Popullit Jani Minga, në gips (allçi). Isha mësues vizatimi dhe bukurshkrimi në pedagogjike. Me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë busti u vendos më mjediset e ish – Shkollës së Mesme Pegagogjike, që qe krijuar në vitin 1955, nga dyert e së cilës dilnin mësues nga të gjitha rrethet, që nga Rrogozhina, Përmeti e në Konispol. (Më vitin 1967 shkolla u tjetërsua, se në ato godina u transferua Shkolla e Mesme Mjekësore e Tiranës “Jani Minga”, që pastaj u bë aq e njohur në rang Republike për kohën. Më vitin 1994, ato mjedise u shfrytëzuan për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, për Fakultetin e Infermierisë dhe atë të Edukimit, për mësim dhe strehim të studentëve. Busti i Jani Mingës që krijova unë, i rezistoi kohërave dhe sot e kësaj dite është atje, në sheshin e qytezës “Studenti”, Vlorë). E kujtoj me emocion punën time të parë, se e inaguroi vetë ish – Ministri i Arsimit, Thoma Deliana, një burrë i ditur, i drejtë, i kulturuar, aq sa i dashur e i thjeshtë, aq dhe autoritar. Shoqërohej nga korifejtë e fushës sonë Kristaq Rama, Andrea Mano e Nexhmedin Zajmi. Mori pjesë gjithë stafi pedagogjik i shkollës dhe drejtori i saj aq korrekt e vizionar Harilla Kuçuli, që u jam mirënjohës gjithë jetën për përkrahjen dhe ndihmën që më dhanë, aq të çmuar për mua në atë kohë.  E si mund ta harroj atë ditë aq të madhe për mua, kur krijimi dhe respekti më morën në krahët e fluturimit…

Pyetje: – Ku mund t’i gjejmë disa nga gjurmët tuaja krijuese të asaj kohe?

Përgjigje: – Në Lice kam punuar Maksim Gorkin, gdhendje në dru, gjendet në fondin e Liceut. Edhe në ILA ka disa vepra të mia. Për shembull, në fondin e shkollës është një portret vajze, një portret minatori. Kur isha student i vitit të dytë në ILA, kam realizuar portretin e Naimit, reliev në gips; gjendet në Muzeun e Vëllezërve Frashëri. Në Lushnjë, relievin e varrezave të dëshmorëve të Lushnjës e kam realizuar në vitin 1972, me porosi nga ish – Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Lushnjës (se ashtu funksiononte atëherë). Në se ke parasysh filmin “Udhëtim në pranverë”, ky reliev del te pasazhet me këngëtaren e njohur dhe aq të ëmbël Liliana Kondakçiu. Në Muzeun e Tropojës kam një portret dëshmori, bërë në vitin 1974. Pata dhe një reliev të madh me disa plane, me pamje luftërash midis palëve osmanë – shqiptarë dhe nazistë e partizanë, një nënë etj. E punova me shumë dashuri dhe talent profesional, por nuk u vendos. Më lindën kontradikta me kryesinë e LSHA – së. Qe planifikuar ta bënte një emër i madh (K. Rama), po ta lëmë këtë bisedë … (rrudhet në fytyrë dhe, me gjithë këmbënguljen time, nuk do ta vijojë).

Pyetje: – Në çfarë gjinish janë punët e tua, Skënder? Kam dëgjuar që lëvron dhe pikturën, ë?

Përgjigje: (qesh) – Skulptura, skulptura është fusha ime e krijimtarisë. Punoj në bronx, në çimento, në dru dhe mermer. Piktura…Në fakt është e panjohur piktura ime. Ti nga e di? Në fakt, nuk e kam ekspozuar sa duhet, kam punuar pothuaj për kënaqësinë time. Kam qenë shumë i pasionuar ndaj peizazhit, kompozimit, portretit. Sinqerisht, i bëj me shumë dëshirë e shumë fuqi profesionale. Sikurse dhe krijues të tjerë, xhanëm. Pikturoj për qejfin tim. Në arkivin personal kam plot, u kam dhënë miqve, po ashtu. Më vitin 2003, kur kryetar Bashkie qe dr. Niko Veizi, hodhi idenë për një ekspozitë të zgjedhur me rastin e festave të Nëntorit, në Muzeun Historik të Vlorës. Unë u paraqita me kompozimin “Dashuri prindërore”. Atje është kompozimi im. E falënderoj atë ish-drejtues human dhe dashamirës me artistët. (As kam interes tek ai, as ai tek unë)

Pyetje: – Cili është stili yt krijues, Skënder, dallues nga të tjerët?

Përgjigje: – Forma artistike, si tipari im dallues në krijimtari, konsiston në trajtën interpretuese dhe jo në fotografimin e objektit, në forcën ekspresive, në gjendjen psikologjike jetësore e figurative. Për mua, forma ekspresive që vesh figurën artistike është tipari kryesor në një vepër arti të skulpturës. Këto kam dashur të theksoj dhe t’i jap veprës artistike në vitet 1960-2016, formën e materialit të fortë, gurit, që është një lëndë minerale e fortë dhe e patretshme në

ujë, por do punuar me kujdes se është e thyeshme. E kështu, do të vazhdoj të punoj. Sa të jem. Ndonëse u mbyllën 56 vjet, Skënder Tena rri pranë skulpturës. Kam plan e kam në dorë të ndërtoj e të gdhend në gips figurën ëngjëllore të Shenjtores Nënë Tereza.

Pyetje: – Kush është familjari Skënder Tena?

Përgjigje: – Familja për mua ka qenë domosdoshmëria dhe korrektësia e jetës njerëzore në çift. Për të pasur një familje të sinqertë dhe të shëndetshme duhet dashuri, besim dhe korrektësi. Por, martesa e parë, që u bë në vitin 1964, nuk funksionoi … Kam dy fëmijë me gruan e parë, një vajzë e një djalë. Vajza quhet Miranda Tena, ka mbaruar për merceologji, jeton e punon në Greqi. Djali, Adrian Tena ka mbaruar shkollën e mesme të pikturës dhe institutin e lartë, ushtron pikturën, jeton në Tiranë me familje e fëmijë. Familjen e dytë e kam krijuar më vitin 1977. Kjo është bashkëshortja ime e dashur, Vera nga Krutja e Lushnjes. Është jo thjesht krahu i djathtë, por gjithshka për mua. Me profesion mësuese, ka dhënë mësim në Ciklin e Ulët për pedagogji dhe ka punuar në administratë (me ardhjen e Demokracisë qe në Panaja, ku dhe doli në pension në vitin 2004). Kemi dy vajza: Arsedën, lindur në vitin 1982 dhe Aidën, lindur më 1984. Ikën të dyja me viza studenti në SHBA. Arseda ka qenë alidemiste, vazhdon Harvardin, specializim doktorature për punë kërkimore – shkencore në degët farmaceutike dhe ka marrë e merr pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të fushës në Australi, Japoni, Itali etj., ku dhe është vlerësuar me çmime. Aida përfundoi studimet në Universitetin tuaj (“Ismail Qemali”, Vlorë), mbaroi masterin në një universitet të Bostonit, ku dhe ka krijuar familjen e saj. Na ka bërë dhe një çupë si gonxhe, Meriana quhet. Ida punon në një kompani financiere në Dallas … Shkojmë e vijmë me fëmijët. Edhe në Amerikë. Vijnë ato më shpesh. Ne – më rrallë. Ndihemi krenarë e të lumtur për to, por nuk është për ne Amerika… (Ndërhyn Vera: “Këto arritje të tyre janë edhe falë kërkesave të forta për fëmijët: i rreptë, me kërkesë llogarie dhe po aq i dashur. Respektimi i këtyre normave të edukimit e kanë bërë me dinjitet në familje e shoqëri Skënderin”).

Pyetje: – Kam një pyetje shumë delikate. Skënder, të shikoj në sy dhe e dua përgjigjen profesionalisht të vërtetë dhe do ta krahasoj a është në funksion të shijeve artistike dhe estetike të qytetarëve tanë: Ç’mendim keni për trinomin skulpturor të Skelës (dy punimet për Ismail Qemalin dhe një për Isa Boletinit)?

Përgjigje: (qesh hidhur dhe më sheh në sy) – Busti i Ismail Qemalit para korpusit qendror të Universitetit tuaj është i paarrirë artistikisht. Edhe si karakter. Monumenti “Ismail Qemali” para sheshit është me dobësi në lidhje me formën, s’ka gjetjen e duhur artistike. Është shumë e copëtuar si vepër. Në skulpturë, Plaku i Flamurit pallkon e mban në dorë. E pajustifikueshme kjo. Jo e gjetur si duhet zgjidhja kompozicionale. Po kështu nga karakteri i ngjashmërive. As “Leninit në Tetor” nuk i ngjan. Muntaz Dhrami ka ngelur i pakënaqur me këtë punim, duke u shprehur negativisht për realizimin. Isa Boletini?! Obobo, as që shihet me sy. Me dobësi të theksuar të anatomisë artistike, të formës artistike, të karakterit dhe të momentit emocional, të frymës së tij të brendshme, e cila mungon tërësisht. Nuk del fryma artistike, trimi, heroi, legjendari i Pavarësisë. Mungon karakteri i malësorit trim. Or mik! E thotë bukur kënga, historia, poezia portretin e Isa Boletinit. Atë skulpturë, më mirë të mos e kishin bërë fare, se u bë aq keq. S’kishte nevojë kush për atë bust të dobët, as Ismail Qemali, as Vlora, as Kosova, as Shqipëria. Më vjen keq miku im, paska shumë egoizëm të vogël në art. Me hatëre, me qoka e servilizma s’bëhet kurrë art!

Skuptori i njohur Skënder Tena, që sot pleqëron veprimtarisht pa u ulur, që gëzoi të tjerët, do të ndjente kënaqësi të vlerësohej me një respekt moral. Aq më tepër në këtë moshë. Nuk ka të drejtë të gëzojë ai? Kur jo pak të tjerë, dhe me shumë më pak vlera, kanë marrë dekorata në katror dhe në kub…Veçse, Skënderi kurrë nuk ka kërkuar vlerësim, se se ka patur dhe nuk e ka qejf t’u qepet dekoratëdhënësve për të marrë një medalje (patjetër me kohë të merituar).  Përveç atij çmimit lokal për 70 vjetorin e Pavarësisë, as nga arsimi nuk është vlerësuar dhe nga njerëzit kompetentë të artit në hije ka mbetur. Artistët e vërtetë kanë nevojë për dinjitet, jo për dekorata.

*) autori i kësaj interviste është dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, i Vlorës, Skënder Tena, skulptori i parë

PËR NDER TË FJALËS!

March 28, 2015 by dgreca

KUJTOJMË ISH PREFEKTIN E VLORËS, XHEVAHIR N. REXHEPI – NJË JETË E GJELBËR E PRERË NË MES…
Shkruan: MSC. Albert R. HABAZAJ/
Nderojmë kujtimin dinjitoz të dritëruesit Xhevahir Namik Rexhepi, ish Prefekt i Qarkut të Vlorës (shtator 2007 – qershor 2008), jo vetëm si qeverisës e menaxher i mbarë i prefekturës, sa i zoti, aq i hapur, i Vlorës me emër, por, së pari, dhe si shembull atdhetar e model qytetar për të tre brezat vitalë të jetës njerëzore ndër ne. Xhevua ynë i paharruar u lind në Lepenicë të Vlorës më 13 maj 1961 dhe, vetëm 47 vjeç, atë të premte të zezë të 20 qershorit 2008, fatalisht fluturoi si pëllumb në qiell, u bë yll në yjësinë e Mirësisë dhe vjen në imazhin tonë si meteor i qeshur. Kaloj ndërmend fjalët e mira, mbushur me shpresë dhe dëshirat e njerëzve, ngarkuar me besim, sidomos të banorëve të krahinës së Mesaplikut e të Lumit të Vlorës, që, mund t’i përmbledh në këtë citim vlerësues të Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh, i cili e quante karrierën politike vijuese të Xhevos: “fat për krahinën që në parlamentin e ri shqiptar do të zerë vend një intelektual i ndershëm dhe i përkushtuar, për t’u dhënë zgjidhje problemeve bashkëkohore të zonës”. Por brilanti Xhevahir nuk pati fat për vetë e ne nuk patëm fat për të. Prandaj më dhemb fjala e shpirtit, e trurit dhe e zemrës, kur shkruaj në një poezi: “Sa e bukur Vlorë e ligë,/ Sa e ligë Vlorë e bukur,/ Heroikisht e nëmur!…/Pse?/ Pse?/ Pse?/ E pafat për njëshat…/ Asnjë nuk gjergjëroi…” , botuar tek libri im më i ri poetik “Dhembin degët e shqyera”. Në ndërgjegjen time ruaj mbresa të pashlyeshme nga bisedat me babain e Xhevos, xha Namikun, Namik Hano Rexhepin…Më 1987, u emërova në Lepenicë. Lepenica bleron në brinjë të Lumit të Vlorës apo Shushicës, si i thonë sot asaj lugine, që dikur quhej Lumi i Bardhë apo Polianthes në antikitet. Lepenica në ngjan me një kutizë të zbukuruar në krahun e majtë të rrjedhës së Lumit, në prehër të malit Qyramëngë. Fshati është ndërtuar në një brez shkëmbor me shtëpi pranë njëra – tjetrës. Shtëpitë janë tipike dykatëshe të lidhura me dy rrugë që rrethojnë fshatin, të shtruar bukur me kalldrëm. Çdo shtëpi ka patur portën e saj me mermer e me rrugicë të rregullt. Nëpër shekuj lepenicioti, se kishte pak tokë, mërgonte. Siguronte bukën e gojës, po merrte dhe kulturë nëpër botë, sikundër dhe linte nga traditat dhe doket e tij më të mira, që pëlqeheshin nga të tjerët. Kjo traditë u trashëgua. Lepenica, vërtet është një fshat i vogël, por nga më të bukurit në Labëri, që më kujton një zambak në gjirin e ashpër të maleve në luginën e Mesaplikut me histori e këngë. Në Lepenicë njoha burra të nderuar e të respektuar në fshat e në krahinë si: Sadik Sinani, Imer Sheme, Safet Allushi, Nazif Shahini, Godo Trushaj, Mëno Hysi, Kujtim Veshi e Namik Hano. Njohja me ta më plotësoi më thellë kujtesën për ngjarje e bëma legjendare të Labërisë, më bëri më të mirë, më të dobishëm për punën, për Atdheun, për misionin fisnik, për shoqërinë. Respekti reciprok më krijoi hapësira për t’u ngacmuar atyre burrave kujtesën e historisë. I njoha nga afër dhe në thelb, kështu që kam patur fatin dhe nderin të kem qenë edhe mik në shtëpinë e secilit. Bëra pesë vjet atje, ditë për ditë me ta, saqë, Lepenicën e njoh po aq në thellësi, ndoshta sa vendlindjen time, Tërbaçin. Më kujtohet, ndër të tjera, një mbrëmje vjeshte e vitit 1987, kur isha i ftuar te xha Namiku. Më bëri përshtypje shtëpia e pastër si bora, e bukur si kukull, me kopësht të begatë, me pemë e gjelbërim. Më shëmbëllente me një vilë aristokrati të kulturuar ajo ndërtesë dykatëshe e veçantë për kohën, mbase në tërë Labërinë. – Mirëse na erdhe! – më ftoi buzagaz xha Namiku, ai plak i paplakur e i urtë, ai burrë i bardhë, ai punëtor që mundtë krahasohet me veten. Bujaria e tij, me darkën tradicionale e të pasur labe, më ka lënë mbresa, që edhe sot, pas gati 30 vjetësh, nuk mund t’i shlyej nga kujtesa. Bujaria shpirtërore qe ajo gjë, e cila më mrekulloi dhe më bën ta cilësoj xha Namikun monument kulturor në lëvizje. Rrëfimet e Namik Rexhepit buruan të qarta, të kthjellëta, të vërteta, të thjeshta, pa zbukurime: “Jam krenar, por ndjej shumë përgjgjësi që jam bir dëshmori. Mundohem, sa kam aftësi fizike e mendore, që ta justifikoj me shembull, me veprim” – më tha Xha Namiku. Pasi bëmë urimet sipas traditës me qelqet e rakisë, biseda u shtrua në shtratin e vet. Filloi mirësinë dhe nisi këngën e mikpritjes me burrat e këngës e të lezetit, që mbushnin odën e miqve. Edhe unë dija pak nga tradita, se bir i këngës jam, por aty mësova shumë, sepse, edhe i ri isha ende. Ngrita gotën, për t’i kthyer respektin të zotit të shtëpisë, mora një mirësi për të me një njeriun tim të afërt nga gjaku (lepeniciot, që ishte në atë darkë) dhe fillova këngën e nderimit, e cila i kushtohej dëshmorit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare Hano Rexhepi, i cili qe dhe babai i mikpritësit tim, Namik Hano. E mora me zë të shtruar, jo sipas melodisë së tyre, por sipas stilit tërbaçiot, që unë e zotëroja: “Përroi që rrjeth nga mali,/ Sirolaku,/ ku trimi Hano Rexhepi/ derdhi gjakun…”. Ma kthente këngën babë Sadiku e ia priste Kujtim Veledini; ia mbushnin burrat e këngës, që bënin iso. Më dukej se do çahej tavani i dhogtë, i zbukuruar me figura të ndryshme etnografike. Xhamat e dritareve dridheshin e djersinin. Sa u kënaq xha Namiku. Më puthi në ballë e një lot i qeshur i shkau faqeve burrit të lartë. Edhe të tjerëve sikur ua kisha gjetur zemrën me atë këngë. Erdhën edhe djemtë e xha Namikut e të bujares fisnike Tefta në këngë, kur u ndez labçe vënçe kënga, erdhën Sazani, Xhevdeti, Xhevahiri e Dritani, aq të mirësjellshëm, të edukuar, të thjeshtë e me dinjitet. Në atë shtëpi miku, rrodhi e ngrohtë e miqësore biseda. Unë doja imtësira të kulturës materiale, sidomos për arktitekturën e veçantë të këtij fshati, sa një kuti e bukur për nuse. E xha Namiku më tha: “Të parët e mi kanë lëvizur për një jetë më të mirë, kanë parë botë me sy, kanë punuar me ndershmëri, o bir, e me zotësi, nuk kanë fryrë sytë, se e dinin mirë, që s’bien petulla nga qielli. Në ato vise ku kanë punuar në megrim, kanë bërë emër e prokopi. Me ato lekë që vunë, bënë kapital, këtu në tokën e tyre, në pronën e tyre, në trojet, që i kishin trashëgim nga të parët. Atje ku punuan shikonin shtëpi të mira, të sistemuara, me planimetri, me të gjithë parametrat e duhur, si i thoni ju sot. Po ne pse s’i kemi kështu? Pse? Ç’na mungon? Ç’na duhet? Si duhet ta bëjmë, që të gëzojmë edhe ne? Të ndihemi njerëz. Dhe dhanë fjalën njëri – tjetrit, që kur të ktheheshin në Lepenicë, do të ndërtonin shtëpi me arkitekturë si andej. Dhe u kthyen…Stërgjyshi. Gjyshi. Edhe babai…Babai u kthye me lirinë shkruar në ballë, i bukur si liria, i qeshur si ajo. E mbajti fjalën babai në shkallën më sublime: dha jetën për lirinë e vatrës, Lepenicës, të Atdheut. Ne, të tjerët, të gjallët e pasmë vijuam stafetën e të parëve në kushtet e rrethanat e paraqitura, me të mirat e mundshme. Për nder të fjalës së të parëve tanë, ne po bëjmë këto që shikoni, që ju thoni se dallojnë. Veçse, një gjë duhet ta keni të qartë, o Berti, se je i ri, e do shoç e shijosh më shumë. Kjo arkitektura e shtëpisë, që thua ti, nis me arkitekturën e mendimit e pastaj vazhdon me arkitekturën e veprimit. Ja kështu quhet nderi i fjalës i plotësuar, përndryshe, ik, mëshihu, mo të sho’ njeri…”. Se kur u gdhi, s’e kuptova, por, pas kafesë me një teke në mëngjes, duhet të shkoja në punë. U përshëndeta me xha Namikun, që me mua i dha kuptimin e plotë shprehjes urimore: “Mirë se erdhe!”, po ashtu duke e mikpritur edhe unë: “Mirë se të vini në shtëpinë time, xha Namik!”. Ndër shumë mbresa të udhëtimit tim 27 vjeçar nëpër udhët e jetës, më ka ngelur në kujtesë thellë ajo mbrëmje vjeshte lepeniciote, e pashlyeshme, dhe shprehja e artë e atij njeriu vërtet fisnik, Namik Hano Rexhepit: Për Nder të Fjalës! Në pleqëri, fati e qëlloi keq xha Namikun, e lëndoi, e ligështoi për Xhevon, por nuk i uli kryet për nder të fjalës dhe për fjalë të nderit. Për t’ia lehtësuar sadopak dhembjen këtij burri perëndie, edhe unë, i vura supin në trarin e tij të dhembjes, me një këngë të përvajshme për të birin, për të mirin, si floririn, xhevahirin Xhevahir N. Rexhepin: “Lot nga syri i një ylli”:
“I – Palë – palë palosen shekujt
Pak me diell, shumë me llohë,
Dëshmorë, që bien për jetën
Labëria mbjell çdo kohë.
Mban mend shekull’ i kaluar
Vlorës – portretet me dritë;
S’ka se si për t’i harruar
Dy prefektë – burra fisnikë.
I pari, që mban mend Vlora
Është Osman Haxhi Nuri,
I dyti që shndrit si bora
Ësht’ Xhevo profil flamuri.
Dhe u mblodhën 100 vitet
Në kuvend, kokë më kokë,
Thanë që lavdia rritet
Për të dy burrat çdo mot.
II – Lum’ i Vlorës del nga shtrati
Rrufeja mbi male shkrepi,
Vlorë nuk i qeshi fati
Për drerin Xhevo Rexhepi.
Pse mor’ Xhevo xhevahiri
Erdhe bukurez’ e ike?
Pse, o Xhevahir floriri
Dritën e bukur e fike?
I Bukur i Dheut, pse
I le vetëm këto vënde?
Fluturon si zog mbi re,
Dhe çon historinë tënde…
Lis me rrëmba – xha Namiku.
Që në rrënjë merr mornica,
Lot e shi derdh Mesapliku,
Bubutin keq Lepenica.
Kërkon birin, Xhevahirin
Nëpër male, yje, hënë,
Çjerr faqet për më të mirin,
Edhe zogjtë kujen e zënë.
Shpatet, dielli, era, bora,
Fusha, brinjat, lumi, pylli,
Ligështohen, kur shikojnë
Lot nga syri i një ylli…

Vlorë, e shtunë, 28.03.2015, 08:41’

Filed Under: ESSE Tagged With: i Vlorës, ish prefekti, Xhevahir N Rexhepi

MESAZH PER VATREN NGA DUKATI I VLORES

November 28, 2014 by dgreca

Zoterinj te VATRES Populli Shqipetar feston sot kudo ne mbare boten diten e flamurit. Me ne fund u permbys komunizmi, por ne demokraci nuk jemi ende, sepse shqiperine e drejtojne po komunistet ose bijt e tyre. U permbys komunizmi, por token nuk ja kthyen te zotit Pronarit, por e ndane komunisteshe “sipas frymeve te sejciles familje kooperativiste”. DMTH sa here qe ndrohen qeverite populli duhet te ndryshoje pronen?. Per kete aresye Populli ne Shqiperi eshte ne konflikt te pergjakshem e te perhershem deri me sot jane vrare mbi 8000 njeres per pronen dhe dihet qe vrasjet do vazhdojne.Toka kudo faktikisht eshte me konflikt sepse jane dy pronare qe i dalin zot, pronari qe e ka trasheguar nga te paret e tij dhe pronari i ri qe fabrikoi kjo pseudodemokraci.Ne keto kushte as nuk mund te mendohet per investitore te huaj e as vendas. Prandaj lind nevoja o sot o kurre per mbeshtetje nga Komuniteti i Shqipetareve kudo ne bote, por vecanerisht Shqipetareve te SHBA-se, vecanerisht te VATRES , qe te kontribuojne ne zgjidhjen e ketij ngerci, sepse mjafton nje fjale e thene nga DASH qe cdo gje te shkoje ne vendin e saj dhe ne Shqiperi te vendoset Demokraciae vertete dhe te mbyllen rruget e korrupsionit dhe kleptokracise.Urimet me te mira per shqipetaret e VATRES dhe kudo qe jane. Me respekt
Seri Allushi , perfaqesues i 800 familjeve te fshatit Dukat qe nuk iu jane kthyer pronat.
seriallushi@yahoo.com

Filed Under: Vatra Tagged With: i Vlorës, MESAZH PER VATREN, NGA DUKATI, Vlore

Guiscard–dhe pushtimi norman i Vlorës

June 4, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
Emri i Robert Guiscard, Duka i Puljas është i njohur për pushtimin e Italisë jugore me synimin largimin e pranisë bizantine nga këto territore. Emri i Guiscard përmendet kryesisht edhe në kronikat e qyteteve detare të Shqipërisë, përkatësisht në dy qytetet e saj bregdetar si :Vlora dhe Durrësi dhe në kronikat e historianes bizantine A.Kohmena,nuk mungon asë në tekste dhe memuare si dhe në analiza të historianëve italianë.
1.
Kush ishte Robert Guiscard?Familja normane e feudalëve të Haute-Ville-le-Guichard nga e cila rrjedh edhe Tancredi disa nga fëmijët e tij emigruar në Pulia, ku duke luftuar si mercenarë kundër bizantinëve, kishin marrë territoret e Ascoli Satriano dhe Venosa, të cilët formuan qarkun e Pulias në vitin 1042 . Energjia e tij dhe frymëmarrja e madhe pushtuese ka bërë që të zgjerojë hapësirat pas pushtimeve të njëpasnjëshme, kështu një ditë por jo befasisht Guiscard, u transformua në Duka i Pulias dhe Kalabrisë (Ishte përktësisht viti :1059).
Fitorja e Civitate (Mendohet në 18 qershor 1053 ) dhe marrëveshja e mëvonshme e Melfi (Viti- 1059 ) në mes të Robert Guiscard dhe Papa Nikolla II dha njohjen duke vulosur lindjen e dinastisë normane në Italinë e Jugut , e cila tashmë në këtë datë të martesave – veçanërisht atë të Guiscard, cili u martua me gruan e tij të dytë , në vitin 1058 , Sichelgaita , bija e princit të Salernos, Guaimario V – legjitimuar nga prejardhja , normanët duke hyrë zyrtarisht në radhët e princave jugore .
Pas pushtimet e njëpasnjëshme , e cila i dha karakter dinastisë duke e bërë atë të qëndrueshme, tani trashëgimorët , dhe vdekja e vëllezërve më të vjetër ,bënë që Robert Guiscard dhe Roger ndanë Italinë e Jugut :kryesihst në Sicili dhe Kalabri me Roger , nga këto rajone të mëdha , Puglia , Kalabria në Salerno dhe Guiscardit i ka mbetur , Duka i Pulias dhe Kalabrisë , titullin i ka kaluar birit të tij të dytë Roger Borsa , që mbeti vetëm titullin : Duka i Pulia , dhe pastaj duke i dhënë deri në Sicili në favor të xhaxhait të tij . Në vjeshtën e vitit 1084 ka nisur luftën në Lindje, por, vdiq gjatë rrethimit të Cephalonia .
2
Shkurt nga jetëardhja.Bir i Tancred , pasi mori titullin e Dukës së Pulia , Kalabri dhe Sicili nga Nicholas II në favor të miqësisë së tij me normanët për të hequr ndërhyrjen e Bizantit dhe Perandorinë e Shenjtë Romake nga çështjet e Kishës . Përbënin shtetin e tyre ,ka anuluar me rebelime e aftësi të feudalëve dhe qyteteve ,duke rivendosur paqen dhe riorganizuar administratën e domeneve të tij . Gjithmonë i shqetësuar për fuqinë e Bizantit në Adriatik , nisi një ekspeditë kundër tyre , por ai vdiq gjatë rrethimit të Cephalonia .
Biri i Tancred , erdhi në Itali në 1040 apo më shumë , thonë burimet italiane.Ai vazhdoi luftën kundër Bizantit më në fund me pushtimin e tij të Barit (Viti-1071 ) .
Gjithmonë i shqetësuar për pushtetin bizantine , në pjesën e Adriatikut dhe për të përmbushur ambiciet e mëdha politike , Guiscardit hipi (viti – 1081 ) me flotën në Vlorë , pushtoi Korfuzin dhe , pasi mundi Aleks Comnenus ,ka pushtuar ( Vitit 1082 ) Durrësinë .
3.
Historiania bizantin Anna Comnena ishte vajza e perandorit Aleks I Comnenus krijmi i saj pushtimi norman të Shqipërisë, i kryesuar nga rivali i babait të saj të hershme , Robert Guiscard , Duka i Pulias ( Rreg. 1057 – 1085 ) . Guiscard e rrethoi Durrësin në 1082 dhe mundi atje perandorin bizantin . Njerëzit e tij pastaj u nisën në ndjekje të Aleks I Comnenus.
Anna Comnena përshkruan ngjarjet me qartësi të madhe .
Ana Comnena ka sjell këtë përshkrim të gjatë,mirëpo shkurtimisht po sjellim vetëm disa pjesë:Robert ka arritur shenjtëroren e Shën Kollit , ku ndodhej çadra perandorake e gjithë bagazhit romak . Ai pastaj dërgoi njerëzve të tij të aftë në ndjekje të Aleksit . Vetë , ai qëndroi atje ,duke pritur kapjen e afërt të armikut . Të tilla ishin mendimet, që shtinin frymën arrogante . Njerëzit e tij i ndoqi me vendosmëri të madhe në një vend të quajtur nga vendasit [ Ndroq ] . Situata ishte si më poshtë : më poshtë rrjedh Charzanes lumit [ Erzen ] në anën tjetër është një shkëmb i lartë i dalë. Ndjekësit e kapur në mes këtyre dyve .Comnena në rrëfimin e saj përshkruan dyluftimin dhe mënyrat e tij.A. Comnena më poshtë thotë :Ajo ishte pa dyshim fuqi hyjnore, që shpëtoi atë nga armiqtë e tij në një mënyrë të papritur ….
4.
Gjatë rrugës , ai e kaloi Charzanes dhe ka pritur për një kohë të shkurtër pranë një vend të quajtur [ malet e Krrabës midis Tiranës dhe Elbasanit ] Babagora një luginë të largët . As humbjen e as ndonjë prej të këqijave të tjera të luftës nuk e trazuan mendjen e tij, ai nuk ishte i shqetësuar nga dhimbjet në ballin e tij të plagosur , por ai i pikëlluar në zemër të vet të thellë për ata që kishin rënë në luftë dhe sidomos për burrat të cilët kishin luftuar trimërisht . Megjithatë , ai vetë tërësisht ka aplikuar për problemet e qytetit të Dyrrachium [ Durrës ] dhe ta dëmtojë atë që të kujtojnë që ajo ishte tani pa një udhëheqës ( sepse ai ishte në gjendje të kthehen – lufta kishte lëvizur në mënyrë të shpejtë ) . Për të mirën e aftësisë së Tij ai garantoi sigurinë e banorëve dhe të besuar të tjerë në mbrojtjen në kala të oficerëve venecianë, që kishin emigruar atje . Të gjithë pjesa tjetër e qytetit u vu nën komandën e Komiskortes , një amtare e Shqipërisë, për të – të cilin ai dha këshilla me përfitim për të ardhmen me shkronja .
5.
I biri.
Dieter Girgensohn te Boemondo I (oamundus)Dizionario Biografico degli Italiani – Volume 11 (1969) shkruan:Boemondo I ( Boamundus ) . – Biri i Duka i Pulia , Kalabria dhe Sicilia , Robert Guiscard dhe gruaja e tij e parë Alberada , ka lindur ndoshta në mes të viteve 1051 dhe 1058 , duke pasur parasysh se martesa e parë e babait të tij , i cili me sa duket arriti në përfundimin se pasvitit 1050, tashmë është anuluar për shkak të një lidhje gjaku të çiftit në vitin 1058 . Në pagëzimin e tij, i ishte dhënë emri i Markut , por babai i tij i dha atij pseudonimin e Bohemond nga një legjendar. ” Buamundus gigas”.
Prova e parë e aktivitetit të sigurt daton në mars të vitit 1081, ku pararojë e trupave të Guiscard udhëhequr nga Boamundus filloi fushatën e madhe kundër perandorit Aleks dhe Perandorisë Bizantine me pushtimin e Vlorës në bregdetin shqiptar dhe përpjekja tjetër në ishullin e Korfuzit më 18 tetor të vitit 1081.
Boamundus mori pjesë në fitoren vendimtare mbi Alessio raportuar më parë në Durrës nën komandën e vetë Dukës . Në prill ose maj të vitit 1082 , kur Guiscard u detyrua të kthehet me ngut në Itali, Boamundus i është dhënë komandën e lartë të trupave të mbetur në brendësi të Greqisë . Në muajt e ardhshëm ai shkoi drejtë tyre deri në Larisa pas një rrethimi rraskapitës të cilit duhej ndalur , megjithatë , pas një humbje me normanët në prill të vitit 1083 . Në fund të vitit ose në fillimtëvitit tjetër ,Boamundus , hipi nga Italia për në Vlorë për prokurimin e fondeve të nevojshme të pagave të trupave . Ai u kthye në Shqipëri nga Otranto së bashku me babain e tij dhe tre vëllezërit në tetor të vitit 1084 . Ai u sëmur në Vonitza , ku plaga ishte ndezur, në fillim të vitit 1085 . Vdekja e Robert Guiscard , ndodhi më 17 korrik 1085.Menjëherë pas vdekjes së Guiscard , më i vogli Roger Borsa ( lindur nga gruaja e tij e dytë Sichelgaita ) , që ati i tij kishte përcaktuar si trashëgimtar i Dukatit , u njoh nga ushtria Normane e ndarë në bregdetin shqiptar dhe në shtator të vitit 1085 do të mund të brohorisnin Duka me ndihmën e xhaxhait të tij ,
Kthimin e tij në Vlorë e gjejmë kur Boamundus pas një sërë marrëveshjes dhe trantativash e mbajtje në izolim e lidhin edhe më faktin se Italia e Jugut nuk ofrojë hapësirë të mjaftueshme për energjinë e tij dhe talentin e tij . Krahas momentit fetar ishte në thelb, qëllimi i pushtimeve dhe krijimin e një fuqi më të lartë që e çoi atë në Tokën e Shenjtë . Ndoshta në lidhje me përgatitjet për largimin është emërimi në gusht të vitit 1096 ” Guidelmus Flammengus ” catapan në Bari.
Duket se Boamundus e filloi në fund të muajit tetor , 1 nëntor është tashmë i pranishëm në Vlorë . Gjatë marshimit drejt Stambollit,2 prill 1097 u nda nga trupat e tij për të filluar negociatat me perandorin sa më shpejt të jetë e mundur .
E gjejmë sërish në dokumente Boamundus dhe ardhjen e tij në bregun tonë. Shkëpusim fragmentin:Pas dëgjimit në Meshën në St Nicholas të Barit e Brindisit ai kishte nisur , lundrimin në mes të datave 9 dhe 10 tetor në bregdetin shqiptar . Me trupat e mbledhura zbarkoi në Vlorë dhe në 13 tetor ushtria qëndroi përpara Durrësit . Rrethimi i këtij qyteti port i rëndësishëm , që ndodhet në hyrje të rrugës Egnatia që çon në Selanik dhe Kostandinopojë , ai nuk bëri asnjë përparim edhe kur Boamundus në pranverën e vitit 1108 , duke ndjekur shembullin e babait të tij ( 1081 ) , ka djegur anijet për të hequr trupat e tijdhe të gjitha mundësitë për t’u kthyer . Nga vitet e fundit të jetës së tij ka pak lajme , ose gjejmë një lajm ,që shkruan: Boamundus kërkoi armatosjen e një flote për një ekspeditë të re ,ishte 7 mars 1111 , kur vdekja e arriti . Ai u varros në katedralen e Shën Sabino në Canosa .

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Guiscard–dhe pushtim, i norman, i Vlorës

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT