Busti i znj.Hillary Klinton, vepër e skulptorit durrsak Idriz Balani është derdhur në bronx dhe do të vendoset në qytetin e Sarandës. Këshilltarët bashkiakë të këtij qyteti e kanë vlerësuar kontributin e zonjës Hillary Klinton për çështjen shqiptare dhe e kanë miratuar njëzëri propozimin për vendosjen e një busti të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton në bulevardin qendror të qytetit. Vendimi u mor pas propozimit të kryetares së Bashkisë së Sarandës Floriana Koka, në nderim të mbështetjes së saj për shqiptarët. Në Shqipëri dhe Kosovë janë vendosur gjatë këtyre viteve buste të personaliteteve e figurave të njohura amerikane që kanë kontribuar në cështjen tonë kombëtare. Krahas bustit të Presidentit Willson në Shëngjin dhe Tiranë, bustit të Presidentit Bill Klinton në Prishtinë, një bust i Presidentit Xhorxh Bush është ngritur në Fushë-Krujë në nderim të vizitës së tij në këtë qytezë të vogël. Ndërkohë në Fier është vendosur një bust i diplomatit Ricard Hollbruk. Në maj të vitit 2014, një memorial për ushtarakët amerikanë që ndihmuan clirimin e vendit tonë gjatë Luftës së II-të Botërore është vendosur në qytetin e Korcës. Kjo tregon se shqiptarët tashmë janë ndërgjegjësuar për rolin e pazvëndësueshëm të popullit amerikan në zgjidhjen e cështjes sonë kombëtare, ndaj mirënjohjen për këtë e shprehin dhe në vendosjen e busteve, përmendoreve dhe memorialeve të personaliteteve të ndryshme amerikane në hapësirën gjeografike ku jetojnë shqiptarët. {Sh.K}