Nga IDAJET JAHAJ/
-ESSE/
Sa herë i kemi dëgjuar vargjet për kapedanin e famshëm të Shqipërisë së Jugut – Zenel Gjoleka:/
Pse lufton, a dërzi,/
Sos për mua a për ti,/
Po për gjithë Shqipëri…/
Ato janë shkruar në ndërgjegjen tonë si një flamur i madh ideje, që në faqet e librave të shkollës fillore, kur njohëm historinë e popullit tonë. Dhe jemi krenarë për këtë përkushtim, për imazhin e gjithë vendit, në mendje e në zemër. Kësaj strofe të madhërishme populli e pason edhe me trivargëshin tjetër:
U trete, Gjolekë, u trete,
Po sos u përpoqe për vete,
Po për gjithë vilajete…
Zenel Gjoleka është një nga ata trima të epopeve shqiptare, që muza e popullit i ka kënduar si rrallëkujt. Figura e tij është ajo e një kapedani të shkëlqyer, madhor, dhe hijeshon në histori ashtu si një nga majat më të larta të relievit të saj.
Vargjet nënvizojnë çastin historik kur vetëdija e shqiptarëve tashmë vepronte kolektivisht dhe për interesin tërësor të gjithë vendit, kur ajsbergu historik shqiptar po dilte mbi ujë, kur ky titanik përleshej për jetë a vdekje me pushtuesin shekullor turk.
Pra, luftohej jo vetëm për një pjesë të atdheut, por për gjithësinë e tij. Kjo ishte nisma e rilindjes së kombit me armë. Këto luftra-llavë vullkani u bënë baza ku ngjyen penën për kushtrim Rilindasit më vonë.
Kjo ide e përgjithshme u pasua edhe më vonë, në gjeneratat e mëpastajme të luftërave. Ajo gjeti më shumë mishërim te prijësit e trimave që, me luftën dhe fjalën e tyre, jepnin të njëjtin mesazh që jepte kryetrimi Zenel Gjoleka.
Nëpër faqet e historisë së Vlorës ka shumë sentenca të tilla, të cilat, të shprehura në vargje, tek heronj të veçantë, japin tërësinë e unitetit të vetëdijës atdhetare të masave të popullit, të cilat ndërgjegjësoheshin gjithnjë e më shumë për idealin kombëtar.
Në mesin e shekullit të 19-të, në luftrat për mbrojtjen e kufijve jugorë nga shovinizmi i egër grek, shkëlqyen edhe shumë trima vlonjatë, si Mahmud Vlora, Shako Xhaka nga Tërbaçi, Selam Hasani i Velçës, Fejzo Xhafa Vlora, etj. Nën udhëheqjen e tyre luftëtarët shqiptarë u dhanë dërmën hordhive shovene. Ndër ta, Shako Xhaka Shkëlqeu në përpjekjet për unitetin e njësisë – komb:
O Shako Xhakë Tërbaçi,
I Shqipërisë ilaçi,
Ilaçi i Shqipërisë,
I vjen rreth e rreth kufisë…
Ç’vizion madhështor japin këto vargje! Si në përshkrimet folklorike: ashtu si në kopenë e kuajve, rreth së cilës, për ta mbrojtur nga bishat që i vijnë rreth, dalin disa prej më të fortëve, i vijnë rrotull tufës, qëllojnë me shqelme dhe shkrofëtijnë zjarr nga goja, … ashtu edhe trimi Shako Xhaka “i vjen rreth Shqipërisë” për të mbrojtur nga ujqërit shovenë…
Dhe, me shembullin e tij heroik, ndrit metaforën e rrallë: “ilaçi i Shqipërisë!”. Vargje dhe figura të tilla, të cilat bartin ide të mëdha brenda, prekin e frymëzojnë, kushtrojnë e krenojnë.
Por nuk janë vetëm këto dy sentenca të këtyre dy trimave.
Eposet e shumtë të saj janë të pasura me heroizma trimash të tjerë. Akti i heroit Kanan Maze, nga Shkoza e Vlorës, i afrohet shumë legjendës. Në fillim kënga jep imazhe të pabesueshme:
…Të xhumanë në saba,
Komita në Kotë ra;
Shkoza ç’u bë lakra,
Ç’u vra Kanan Mazeja![1]
Ç’e mori në nofulla,
Nofulla më dysh iu nda,
Ky bëri sikur s’e pa,
Briti: burra përmbi ta!
Sa dhe si mund të flasë, e aq më tepër të bëjë shaka, një njeri me nofullën që i është ndarë më dysh nga gjylja apo plumbi? Po muza e popullit bën mrekullia. Nuk është vetëm ky akt që Kanan Mazen e shndërroi në legjendë. Akti tjetër i tij i madh, ai i fjalëve lapidare. Kanani ishte njeri shumë i bukur. Cifla e bombës ia prishi këtë bukuri. E, kur shokët e pyetën për fatkeqësinë:
-Kanan, t’u prish bukuria!
Ai iu përgjigj atyre:
-Le të rrojë Shqipëria!
E sërish, e më me forcë, duke gjëmuar atë zërin buçimë, përmes nofullave të shqyera:
-Shqipëria le të rrojë,
Ç’ka se mbeta unë pa gojë!
Ky akt (i fjalës) u përndrit e u skalit në memorien e kujtesës kolektive të popullit. Nuk u harrua, sepse kishte “Shqipërinë” brenda.
“Trim i madh” thonë kur bëhet fjalë për hierarkinë e vlerave të luftëtarëve të lirisë. I tillë ishte edhe Zigur Lelua. Ja dy profeci heroike të tij, të vulosura edhe me gjakun e tij, në luftën e Vlorës më 1920: Kur në Smokthinë u vendos që burrat të shkonin në luftë, Ziguri shkoi në shtëpi e i thotë të shoqes, Hankos:
-Bëmë gati bukën dhe rrobat e reja, Hanko, se do iki.
-Po mirë, more burrë, – i thotë ajo, – pa mos u nxito njëherë, se ke luftuar edhe më parë.
-E kam vendosur, moj Hanko, nuk do rri në bisht të shokëve, por në ballë. Do vdes për Shqipërinë. Do bëhem kurban për Shqipërinë!
Ky trim, këtë aforizëm ua kish thënë disa herë shokëve, ua tha edhe në mbledhjen e rrapit të gurrave (Smokthinë), më 2 qershor 1920, kur pa shpatullën e berrit,[2] para komisionit të luftës; “Nesër, më të rarë të diellit, do të sulmojmë. Kota do të merret, unë do të vritem! Do bëhem kurban për Shqipërinë!”
Dhe vërtet luftëtarët sulmuan kur ra dielli, dhe vërtet Ziguri u hodh si luan mbi armiqtë, dhe vërtet ai ra në fushën e betejës. Profecia i doli. Ishte materia heroike e shpirtit të tij që ia diktonte parashikimin. Aktin e mori shekulli për t’ua përcjellë të tjerëve.
Kështu edhe Sali Vranishti. U hodh në sulm në Kaninë, vrau shumë armiq, por një predhë e goditi në bark. I nxori zorrët jashtë, por ai, me qetësinë e një dragoi, i mblodhi ato me dorë e i futi prapë brenda, dhe u tha shokëve ashtu qetë – qetë:
…Kapedan vetullazinë,
Me bombë në mes e godinë,
Tha: Në tel çorra kërcinë,
Të mos helmon shokërinë…!
Të tillë dehje, të tillë delir ta japin vetëm epopetë e mëdha. Ato epope që mbrujtën atdheun. Dhe i bëjnë ata – njerëz – jo të zakonshëm, që kanë tërë hartën e Shqipërisë brenda, idealin e madh të lirisë e pavarësisë në mendje e në zemër, në gjak.
Ata u bënë ILAÇI I SHQIPËRISË.
[1] Ai në të vërtetë u plagos
[2] dashit