• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’duhet bërë me dekoratat e komunizmit?

January 7, 2015 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA,New York/
Lexova në gazetën “Minerva” dhe, më pas, edhe te “Dielli”, një shkrim me titull “Pse nuk i tërheq Tirana zyrtare dekoratat e Rankoviçit dhe kriminelëve të tjerë serbë?!”, në të cilin shprehej keqardhje që ende shteti shqiptar nuk u ka tërhequr dekoratat që u ka dhënë Rankoviçit dhe kriminelëve të tjerë jugosllavë. Më parë kam dëgjuar shumë herë që shoqatë të ndryshme të ish-të persekutuarve kanë kërkuar që Enver Hoxhës t’i hiqet titulli a dekorata “Hero i Popullit”. Po ashtu, shumë zhurmë është bërë dhe bëhet, shumë shkrime janë bërë dhe bëhen nga shumë njerëz me bindje të djathta që si ditë e “Çlirimit” të caktohet 28 dhe jo 29 Nëntori, siç duan të majtët.
Ndërsa pajtohem me frymën që i detyron këta njerëz për kërkesat që bëjnë, nuk mund të pajtohem me vetë kërkesat.
Në lidhje me dekoratat, në një shtet normal, në një shtet që ka qindra vjet që ekziston pa ndërruar sistemin, pra me një vazhdimësi politike të pushtetit, ta zëmë, Franca, Anglia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjera si këto, parashtrimi i kërkesave të atilla, të tërheqjes së një nderimi bërë një personi, me ndryshimin e disa kushteve, apo me zbulimin e fakteve të reja, do të ishin diçka normale e me kuptim, por në një shtet që përmbys plotësisht sistemin e tij qeverisës, si, për shembull, Gjermania, pas mundjes së nazizmit, apo Shqipëria pas rënies së komunizmit, vetvetiu vlera e dekoratave të mëparshme bije, prandaj nuk ka kuptim kërkesa për heqjen e dekoratave të këtij apo atij personi. Ai shtet, dhe konkretisht shteti ynë, mund të bëjë diçka tjetër, për arsye se të gjithë ata që janë nderuar në kohën e komunizmit nga komunizmi, mburren edhe sot me ato nderime. Shteti ynë sot duhet të zhbëjë me ligj të gjitha nderimet, dekoratat, medaljet a titujt e dhëna nga sistemi që tashmë është përmbysur së bashku me politikën dhe praktikën e tij. Këtë duhet të kërkojnë të djathtët e vërtetë dhe jo të përqendrohen te heqja e titullit “Hero i Popullit” Enver Hoxhës, sepse, ja, ia hoqe Enver Hoxhës, por atë titull e mbajnë dhjetëra, në mos qindra kriminelë të tjerë dhe, kështu, sistemi i vjetër, në atë mënyrë, duket sikur jeton ende përmes dekoratave të të tjerëve .
Asnjë sot nuk duhet të mburret më, dhe asnjë nuk duhet ta mburrim e ta nderojmë, se i janë dhënë gjatë regjimit komunist tituj të tillë si “Hero i Popullit”, “Mësues i Popullit”, “Artist i Popullit”, “Çmimin e Republikës”, apo dekorata, tituj a çmime të tjera si këto, të gjitha mbi kritere politike. Nuk e besoj se gjermanët në Gjermani mbajnë ende dhe mburren e kapardisen me dekoratat a medaljet e dhëna në kohën e nazizmit. Në qoftë se dikush i mban ato në Gjermani, i mban si relikte të një kohë të shkuar me të cilën nuk mund të mburret më. Ai nuk del e parakalon në ditëlindjen e Hitlerit apo në festat e tij me dekoratat e tij në xhaketë.
Po ashtu, zhurma që vazhdon të bëhet për datën e të ashtuquajturës “Dita e Çlirimit”, ndonëse bëhet në emër të antikomunizmit, nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka nëse atë datë do të vazhdojmë ta festojmë si një të kremte të gëzueshme të çlirimit real, të ardhjes së popullit në pushtet, të ardhjes së qeverisë demokratike komuniste, apo do ta përkujtojmë si ditën e ardhjes së klikës komuniste kriminale në pushtet, si ditën e fillimit të diktaturës më të ashpër dhe më të gjatë në historinë e popullit shqiptar, pra ta përkujtojmë ashtu siç përkujtohen ngjarje të tilla të trishtueshme.

Nju Jork, janar 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: c'duhet bere, e komunizmit, Ilir Harshova, me dekoratat

Ku gabon Dritan Hila në shkrimin e tij “Enveri Ynë”

December 8, 2014 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/ Nju Jork/
Zëvendës Ministri i mbrojtjes, Dritan Hila, në një shkrim të pak ditëve më parë me titull “Enveri “Ynë”, pas një hyrje disi të gjatë, përsërit ato që janë thënë mijëra herë për “meritat” e Enver Hoxhës si gjatë luftës, edhe pas saj. Nga sa m’u duk mua, rëndësia e atij shkrimi qëndronte te hyrja dhe jo te lavdet për Enver Hoxhën për të cilat ishte shkruar artikulli e me të cilat tashmë jemi mësuar.
Thotë Dritan Hila në hyrje:
“Në Shqipëri gjermanët patën mbi 2 mijë të rënë. Si gjithë humbjet në Ballkan, edhe kjo shifër është modeste. Por në raport me popullsitë respektive, rezultojnë më shumë gjermanë të vrarë nga partizanët shqiptarë se ata jugosllavë apo grekë. Ishte ky fakt që i bindi aleatët e mëdhenj të llogarisnin vendin tonë tek fitimtarët si për kontributin e dhënë në eliminimin e kundërshtarit, ashtu edhe në jetët njerëzore të humbura. Ishte ky rreshtim që nuk mundësoi copëtimin e vendit pas lufte. Nëse kujtojmë se Polonia e sotme ka gati gjysmën e sovranitetit mbi ish- territore gjermane ku shtrihej Prusia e dikurshme, se Hungaria u përgjysmua, Italia humbi Istrian, Japonia humbi ishujt Sahalin, Rumania humbi Besarabinë, se mbi 12 milionë gjermanë të pasluftës u zbuan nga trojet e tyre historike, Istria u shpopullua nga italianët, atëherë kuptojmë sa afër rrezikut ka qenë Shqipëria të pësonte fatin e saj të përhershëm të copëtimit. Është po ky fakt, që tregon sa kriminale dhe dritëshkurtër ishte politika e kuislingëve shqiptarë ku asgjë përveç fëlligështisë së tyre morale nuk e justifikonte aleancën me Italinë fashiste dhe Gjermaninë hitleriane; sa i papërgjegjshëm është ngulmimi i së djathtës së sotme për të ulur kontributin e gjakut të shqiptarëve dhe lotët e pisët për Kosovën e bashkuar me Shqipërinë nën suazën e Hitlerit….”

Shifra prej 28000 dëshmorësh, përsëritet me mburrje sado herë që afron 29 Nëntori, ditë kur duam t’i japim vlera Luftës Nacional Çlirimtare. Është cinike të përmenden humbjet që i ke shkaktuar armikut, por është budallallëk të mburresh me humbjet që të ka shkaktuar ty armiku e, aq më tepër, kur ato humbje janë krejtësisht të shproporcionuara me humbjet që i ke shkaktuar ti armikut. E ne, mburremi me humbjet që na ka shkaktuar armiku!
Për herë të parë, Dritani jep shifrat e të vrarëve të gjermanëve në Shqipëri dhe me atë shifër ai mburret njëlloj si historianët e tjerë komunistë që mburren me numrin e dëshmorëve partizanë. Dritani thotë se në Shqipëri pati mbi 2 mijë gjermanë të vrarë. Ndoshta kjo shifër është e saktë, sepse del nga një funksionar i lartë i ministrisë së Mbrojtjes, por Dritani nuk i ndan gjermanët në të vrarë nga partizanët, nga forcat e tjera alternative shqiptare antikomuniste dhe nga ata që u vranë nga aviacioni i aleatëve. Megjithatë, le të pranojmë se të gjithë gjermanët i kanë vrarë partizanët komunistë.
Kemi mësuar në shkollë, dhe po dëgjojmë pa ndërprerje edhe sot prej atyre që u ka mbetur ora te Lufta Nacional Çlirimtare, se Shqipëria pati 28000 dëshmorë që ranë në përpjekje për atdhe, dhe s’ka se si të mos të pyesim tashti që na sqaroi Dritani se si është e mundur që nga një anë të ketë pasur 2 mijë të vrarë dhe nga ana tjetër 28 mijë? Sikur nuk shkon, apo jo. Shpëtimin nga ky absurditet mund të gjendet në qoftë se pranojmë versionet e historianëve jo komunistë të cilët thonë:
1. Shifra prej 28000 dëshmorësh, është një shifër e dhënë në nxitim e sipër për nevojat e çastit, nuk është e saktë dhe duhet ulur shumë.
2. Në numrin e 28000 dëshmorëve janë përfshirë edhe viktimat e luftës.
3. Ka pasur një luftë të fortë civile dhe partizanët janë ndeshur më shumë me forca të tjera shqiptare kundërshtare të komunizmit dhe janë vrarë prej tyre, sesa janë vrarë në ndeshje të drejtpërdrejta me gjermanët.
4. Partizanët janë ndeshur më shumë me njëri-tjetrin dhe janë vrarë në atë mënyrë.
5. Partizanët janë vrarë në Kosovë e më tej, duke luftuar edhe kundër shqiptarëve.
Po të pranojmë shifrën që jep Dritani, domethënë, 2000 gjermanë të vrarë dhe 28000 partizanë të vrarë dhe të pranojmë se partizanët kanë luftuar vetëm kundër gjermanëve, i bije që për çdo gjermanët e vrarë, të jenë vrarë 14 partizanë! Pra, del të kemi pasur humbje jashtë çdo standardi që do të justifikonte një luftë dhe Lufta Nacional Çlirimtare del të ketë qenë një vetëvrasje e kotë.
Shumë nga ata që shkruajnë e flasin për Luftën Nacional Çlirimtare si veprën më të lavdishme të popullit shqiptar i janë shmangur dhënies së shifrave për të vrarët e armikut, sepse e kanë kuptuar se dhënia e atyre shifrave krijonte probleme. Dritan Hila.me shifrën që jep të gjermanëve të vrarë, në vend që të vejë vetulla, nxjerr sytë.
Të vijmë tashti te teza hipotetike që e përsërisin pa pushim edhe Pëllumb Xhufi, edhe Paskal Miloja, edhe Arben Putoja, edhe Xhelal Gjeçovi e të tjerë si këta se Shqipëria do të copëtohej pas lufte, në qoftë se partizanët komunistë nuk do të ishin radhitur me aleatët fitimtarë. Dhe Dritani për ta mbështetur këtë tezë, jep shembujt e Rumanisë, Hungarisë, Italisë, Gjermanisë e Japonisë që pas lufte u copëtuan. Dihet se Italia, Gjermania dhe Japonia ishin pjesëtare të Boshtit, ishin ato që nisën luftën, ishin ato që pushtuan vende të tjera, ishin ato që masakruan popuj të tjerë dhe do të ishin ato që me fitimin e luftës do të fitonin edhe territore të tjera, ndërsa me humbjen e saj do të humbnin territoret e tyre. Rumania dhe Hungaria u copëtuan vërtetë, por u copëtuan se ishin të lidhura me aleancë ushtarake të drejtpërdrejt me Boshtin dhe me Gjermaninë naziste, se kishin vënë në dispozicion të ushtrive gjermane ushtritë e tyre dhe ato ushtri kishin marrë pjesë në luftime krahas gjermanëve edhe në Bashkimin Sovjetik. Shqipëria ishte krejt ndryshe. Ajo ishte e ngjashme me Danimarkën e cila pas lufte nuk pësoi asnjë copëtim, madje as Norvegjia nuk pati asnjë copëtim e cila gjatë okupacionit gjerman nxori Kuislingun. Shqipëria, ashtu si Danimarka, nuk lidhi asnjë aleancë me Gjermaninë naziste, ajo nuk i dha asnjë ushtar Vermahtit. Në Shqipëri nuk u krijua asnjë organizatë paramilitare naziste, ashtu siç u krijuan në pothuaj të gjitha vendet e tjera të pushtuara nga nazistët. Shqipëria nuk nxori asnjë ligj nazist, siç bënë shumë vende të tjera. Shqipëria u gjend e pushtuar nga gjermanët e megjithatë qeveria shqiptare ishte qeveria më e pavarur e ndonjë shteti të pushtuar nga gjermanët në atë kohë, duke përfshirë edhe Danimarkën. Ajo në shumë raste nuk iu bind edhe kërkesave, relativisht të themi, të pakta të gjermanëve.
Shqipëria nuk kishte gjasa të copëtohej pas lufte edhe sikur të mos kishte luftuar kundër gjermanëve. Shqipëria u mbrojt fill pas shpalljes së pavarësisë nga fuqitë evropiane që e kishin krijuar edhe kur një pjesa e saj, zona e Shkodrës, ishte pushtuar nga Mali i Zi. Shqipëria nuk u copëtua as pas Luftës së Parë Botërore, kur ajo u shkel nga shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe Serbinë e Greqinë, dhe nuk luftoi kundër tyre. Është fakt që Shqipëria nuk u copëtua as kur pas lufte, ajo bëri armiqtë më të mëdhenj të saj pikërisht dy fuqitë kryesore aleate: Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur Britanisë së Madhe, me ndihmën e minave jugosllave, u mbyti anijet e i vrau ushtarët ne Kanalin e Korfuzit.
Për sa i përket gjendjes së Shqipërisë pas lufte, ajo u copëtua vërtet, asaj iu hoq Kosova. Ndoshta Kosova do t’i hiqej Shqipërisë si të luftonin si të mos luftonin partizanët shqiptarë kundër gjermanëve; si të donin, si të mos donin shqiptarët ta lëshonin Kosovën, sepse ashtu ishte vendosur në Londër, qysh në vitin 1913, kur u krijua Shqipëria si shtet, por është e pafalshme që, për t’ua bërë më të lehtë serbëve marrjen e Kosovës, Enver Hoxha çoi në Kosovë ushtritë e tij, të cilat derdhën aty gjak shqiptari. Dhe, jo vetëm Kosova iu dhurua në atë mënyrë Serbisë, por për pak do t’i ishte dhuruar edhe vetë Shqipëria nga politika e vasalit të Titos, Enver Hoxhës, po të mos ishin prishur, për fatin e Shqipërisë, Stalin me Titon.

Nju Jork, nëntor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: “Enveri Ynë”, Dritan Hila, Ilir Harshova, Ku gabon, në shkrimin e tij

Kastat në Indi dhe klasat në Shqipëri

December 4, 2014 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/ New York/
29 Nëntori është dita më veçantë në historinë moderne të Shqipërisë. Për disa, ajo është dita e çlirimit, për të tjerë – dita robërisë; për disa, ajo është dita e përfundimit të luftës me fitore të nacionalçlirimtares, për të tjerët – dita e fillimit të tiranisë komuniste. Për mua, më shumë nga të gjitha, 29 Nëntori është dita e ndarjes dhe e përçarjes së dhunshme të popullit shqiptar, ndarje dhe përçarje që vazhdojnë edhe sot dhe nuk dihet se sa do të zgjasin. Komunizmi iku së bashku me terrorin e tij, ndarja dhe përçarja mbetën.
Deri në fillim të viteve 1940, populli shqiptar ka qenë një dhe brenda tij nuk ka pasur grindje apo armiqësi. Ka pasur grindje dhe armiqësi midis elitave politike, por jo midis vetë popullit. Ideologjia e tij deri në këtë kohë ka qenë ideologjia kombëtare. Elitat e popullit kishin dallime e mosmarrëveshje për mënyrat dhe rrugët që do të duhej të ndiqeshin për të realizuar sa më mirë çështjen kombëtare në të gjitha aspektet, por ato nuk ishin armike për vdekje të njëra tjetrës. Pas kësaj kohe, në skenë u fut komunizmi, komunizmi i ideologjisë se internacionalizmit, i cili më shumë se miqësinë me popujt e tjerë, pati kujdes ndarjen dhe futjen e armiqësisë brenda popullit të vet. Komunizmi futi në Shqipëri farën e përçarjes. Ai e ndau këtë popull, në një anë në komunistë, dhe, në anën tjetër, në jo komunistë dhe antikomunistë: në “ne” dhe “ata”. Grindjet dhe ndarjet tashti kaluan nga elitat, te populli: brenda fisit, brenda familjes, duke krijuar në këtë mënyrë ndarjen më të madhe në historinë e popullit shqiptar, ndarje që u shoqërua me armiqësi dhe tragjedi të panumërta, ndarje që vazhdon edhe sot, ndonëse e pa shoqëruar me tragjedi si më parë.
Ishte fillimi i viteve 90, kur sapo ishin liruar të burgosurit dhe të internuarit politikë. Së bashku me disa shokë, shkuam për vizitë te një shok tjetër, familja e të cilit ishte komuniste e flaktë. Në dhomën e bukur e të mirë ku na pritën, krahas njerëzve të familjes, të veshur e të mbajtur shumë mirë, binte në sy edhe një person tjetër që stononte ndaj atij ambienti: dukej i heshtur, i dobët, i tharë, i nxirë, i veshur keq, me një kasketë të vjetër në kokë. Të jepte përshtypjen se kishte hequr keq. Atë e kishin ulur në një kolltuk në krye të dhomës dhe një nga gratë e shtëpisë i mbante gjithë dashuri dorën. “E shihni këtë – na u drejtua neve – ky është dajoja. Sapo e kanë liruar nga internimi. Nuk e njihnim fare, s’e kishim parë kurrë. Ah, ç’na bëri ai Enver Hoxha! Na ndau nga njerëzit, nga njerëzit e dashur, nga njerëzit e afërm. Dajo, – i drejtohej atij që e quante dajo – je rehat, hë, shtriji këmbët, mirë je? Ah mor Enver Hoxha ç’ na bëre, na ndave nga njerëzit!” – përsëriste. Nuk di se sa zgjati ai qëndrim dashamirës ndaj “dajos”, por, me siguri, jo gjatë. Kur u pa që “dajoja” me shokë, ata që u liruan nga burgjet dhe internimet, jo vetëm që nuk patën ndonjë zë të fortë në Shqipërinë e ardhme, por as ndonjë zë të mekur, u abandonuan si më parë.
Trishtohemi dhe njëkohësisht edhe çuditemi kur mësojmë se në Indi shoqëria ishte e ndarë në kasta në formë hierarkike dhe se ekzistonte edhe një grup që ndodhej jashtë kastave, që quhej grupi i të paprekshmëve, i cili shfrytëzohej, shtypej e përbuzej, që prej kohësh që s’mbaheshin mend, nga pjesa tjetër e shoqërisë, nga shoqëria e kastave. Por, nuk na ka shkuar mendje se edhe ne në Shqipëri gjatë komunizmit kemi jetuar në një sistem apo në një shoqëri të ndarë në kasta apo, ç’është e njëjta gjë, në klasa që ishin më të theksuara e më të kundërta se ato që qenë vendosur në Indi; se edhe ne kemi pasur një klasë shumë të ngjashme me të paprekshmit indianë, madje edhe më të mjerë, edhe më të shtypur, edhe më fatkeqe, edhe më të persekutuar se ajo: “klasën e të deklasuarve”.
Ai që ka pak njohuri nga shoqëria indiane, e di se ajo shoqëri ka qenë e ndarë në kasta të vendosura në formë piramidale me në krye brahminët të cilët pasoheshin nga kshatriat, vaishnavat dhe, në fund sudrat. Pas tyre vinin ata që nuk futeshin në asnjë kastë, ata që ishin lënë jashtë kastave, të paprekshmit. Në ngjashmëri me kastat indiane edhe shoqëria shqiptare kishte brahminët e saj, ata që quheshin udhëheqja e lartë e partisë dhe pushtetit; kishte kshatriat e saj – komunistët e ndryshëm dhe rrethet e tyre që drejtonin në nivele më të ulëta; kishte vaishnavat e saj – intelektualët e ndryshëm, ata që quheshin kuadro, apo monopol i partisë; kishte sudrat e saj – punonjësit dhe punëtorët e zakonshëm dhe, në fund, shoqëria shqiptare, kishte edhe të paprekshmit e saj, të deklasuarit – ata që nuk hynin në asnjë klasë, ata që ishin jashtë klasave. Këta ishin ata që komunizmi i përcaktonte si reaksionarë, si të prekur, si kulakë, si me biografi të keqe, si armiq të partisë, si armiq të popullit, si kriminelë lufte, si sabotatorë të pushtetit popullor, ishin ata që nuk përfitonin triskën e frontit: atë triskë që po të mos e kishe, të pinte e zeza dhe, po ta kishe, nuk të hynte në punë. Këta, çfarëdo që të bënin, sado që të punonin, sado ndershmëri të tregonin, sado zgjuarsi dhe kulturë që të kishin, nuk e përmirësonin dot biografinë e tyre, gjendjen e tyre. Ata lindnin si të deklasuar dhe vdisnin si të deklasuar.
Pas mbarimit të luftës dhe marrjes së pushtetit, komunistët, të pajisur me forcën që u a jepte totalitarizmi tiranik dhe pozicioni i fitimtarit, iu kthyen kundërshtarëve të tyre të luftës si dhe të gjithë të tjerëve të konsideruar si kundërshtarë potencialë të paqes: nacionalistëve, intelektualëve, tregtarëve, demokratëve, klerikëve, të cilët i kthyen në pre të sadizmit të tyre. Me kundërshtarët fillestarë të regjimit që u shpëtuan vrasjeve dhe me pasardhësit e tyre, u krijua bërthama e grupimit të ri, e klasës së re, e klasës së të deklasuarve, tek e cila do të shfrynte të gjithë sadizmin e tij komunizmi shqiptar.
Komunizmi shqiptar, që erdhi në pushtet me parullën e zhdukjes së klasave, me parullën e krijimit të një shoqërie të lirë e pa klasa, krijoi klasat e veta dhe, ç’është më e keqja, i vuri ato të luftonin me njëra-tjetrën.
Të paprekshmit indianë ishin ata që ishin dhe në grupin e tyre nuk mund të kalonin persona nga kastat e tjera, ata nuk mund të shtoheshin nga jashtë me të gjallë; në të paprekshmit shqiptarë, në të deklasuarit shqiptarë, kalonin vazhdimisht persona, familje dhe fise nga klasat e tjera që e zmadhonin dhe e zmadhonin pambarimisht atë klasë.
Nga shteti indian nuk bëhej ndonjë luftë kundër të paprekshmëve indianë, madje, nga një pjesë e popullsisë nuk kishte as përbuzje ndaj tyre, përkundrazi mund të shprehej edhe njëfarë keqardhjeje për të ta, por për të deklasuarit shqiptarë nuk mund të shprehej asnjë keqardhje. Mbi ta binte e gjithë ligësia e shtetit të komunist dhe e servilëve të tij. Mbi ta binte e gjithë propaganda e regjimit komunist, e gjithë shtazëria dhe urrejtja e sigurimit, e policisë, e hetuesisë dhe gjykatave të kohës, e gjithë vepra e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë.
Për çudi, sistemi që pretendonte se do të ndërtonte shoqërinë pa klasa, shoqërinë e të barabartëve, shoqërinë e mos shfrytëzimit të njeriut prej njeriut, madje të trajtimit të njeriut si “kapitalin më të çmuar”, u bë sistemi që krijoi klasat më të ndara në histori, që krijoi shoqërinë e të ndryshmëve, shoqërinë që u ndërsye e gjitha të luftonte, të shfrytëzonte dhe të poshtëronte në maksimum klasën e deklasuar.
Regjimi komunist jo vetëm që krijoi klasat apo kastat, por i vuri ato edhe në luftë më njëra-tjetrën; ai krijoi luftën e klasave që ishte një vazhdim i natyrshëm i luftës civile në kushte paqeje. Për atë regjim lufta e klasave ishte “forca lëvizëse e shoqërisë”, një luftë që përbënte veprimin më diabolik të komunizmit. Lufta e klasave zhvillohej në mënyra nga më të ndryshmet dhe objektivi kryesor i saj ishte goditja e vazhdueshme dhe e fuqishme e atyre që nuk konsideroheshin si përkrahës të regjimit, apo që konsideroheshin si kundërshtarë të tij, goditje që kryhej nga të gjitha klasat e tjera, por që viheshin në lëvizje dhe ndërseheshin nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste dhe e shtetit komunist. Ai regjim kishte krijuar një gjendje të tillë që të deklasuarve shqiptarë nuk mund t’u afroheshe, nuk mund t’u flisje, nuk mund t’u merrje vajzën apo djalin për nuse apo për dhëndër, nuk mund të shkëmbeje vizita, nuk mund t’i kishe në rrethin tënd, nuk mund t’i ftoje në gëzime a hidhërime familjare, sepse jo vetëm të “ndotnin”, si të paprekshmit indianë, por të kthenin edhe ty në të paprekshëm, në të deklasuar. Kjo kategori njerëzish, jo vetëm që detyrohej të bënte punët më të ulëta e më të rënda, por bënte edhe punët më të rrezikshme. Ajo punonte për hapje tunelesh, për tharje kënetash, për ndërtime tarracash bujqësore, për nxjerrje mineralesh etj. Në qoftë se u bënë disa ndërtime në kohën e komunizmit, dhe në të vërtetë u bënë, të paprekshmit shqiptarë kanë një pjesë të madhe të punës në to.
Kur dy persona akuzoheshin për të njëjtin faj, ai me biografi jo të mirë, i deklasuari, do të dënohesh gjithnjë shumë herë më rëndë se tjetri që ishte me biografi më të mirë, se ai që qe “i yni.” Për të njëjtën punë, shpërblehej shumë më shumë “i yni” se “ai tjetri”.
Në qendrën time të punës, u ndërtua nga vetë punonjësit e tij një ndërtesë banimi ku do të strehoheshin kryesisht punonjës që ishin me kushte të vështira banimi dhe që do të punonin për ndërtimin e tij. Kur pallati u ndërtua dhe erdhi puna për ndarjen e apartamenteve, u tha se si kriter për ndarjen e tyre do të ishte masa e punës së kryer nga secili. Njërit prej atyre që kishte punuar sa dhjetë të tjerë, iu dha apartamenti më i keq. Ai u ngrit në mbledhjen që u bë për ndarjen e pallatit dhe tha se atij, për shkak të punës së madhe që kishte bërë, punë që e dinin të gjithë dhe nuk e vinte në dyshim askush, i takonte një apartament më i mirë se ai që i caktoi drejtoria dhe organizata bazë e partisë. Por, për fatin e tij të keq, ai qe i afërt me kastën e të paprekshmëve, kështu që drejtori u ngrit e i tha “Ty nuk të takon apartament tjetër. Biografia tënde nuk është e mirë!” I mjeri punonjës kuptoi se me pretendimin që paraqiti ishte rrezik të humbiste jo vetëm apartamentin që i dhanë, por edhe punën. Kështu, i dëshpëruar, u ul pa e zgjatur. Njeriu me “biografi të keqe,” i paprekshmi, i deklasuari, shërbente vetëm për shfrytëzim dhe për përbuzje.
Dy klasa e kundërta: brahminët shqiptarë dhe të paprekshmit shqiptarë ishin krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Brahminët kishin zonën e tyre të banimit, të ndarë nga pjesë të tjera banimesh dhe të mbrojtur me mure, me gardhe e me roje vigjilente që të shihnin me dyshim dhe me inat kur u kaloje pranë. Ata kishin shërbyes, kuzhinierë, dado për rritje të fëmijëve, makina, shoferë e truproje të shumta. Ata kishin vendet e tyre të pushimit. Ata kishin farmaci e klinika speciale mjekësore ku kuroheshin për urgjenca, se për sëmundje të tjera shkonin jashtë vendit. Ata kishin dyqanet e tyre të blerjes së ushqimeve dhe veshmbathjes.
Edhe të paprekshmit kishin vendet e tyre të banimit, getot e tyre, të ndara nga ato të të tjerëve. Ato ishin burgjet, kampet e internimit, kampet e punës, fshatra të caktuara enkas për ta, ishin kasollet a stallat, ishin bodrumet e shtëpive të tyre në katet e sipërme të të cilave banonin pjesëtarë të kastave më të larta. Ata nuk shkonin dot në shkolla të larta, në ushtri do të bënin pjesë në repartet e punës në të cilat ose do të punonin në bujqësi, ose në ndërtime tunelesh, duke punuar vazhdimisht në rrezikun e shpërthimit të minave. Shumë nga pjesëtarët e të paprekshmëve nuk kishin as varre, sepse vriteshin apo vdisnin nëpër burgje dhe burgu nuk ia jepte trupin e të vdekurit familjarëve të tij.
Gjendja e tyre ishte e mjerë dhe i vetmi ngushëllim për ta ishte se mësonin se kishte edhe më keq, se e keqja nuk kishte fund, se sado keq të ishe, kishte dhe një që ishte edhe më keq. Ata sikur e dinin urtësinë kineze që thoshte “Qahesha e ankohesha se nuk kisha këpucë, përderisa pash një që nuk kishte as këmbë.” Dhe, kjo i mbante disi gjallë.
Ndryshe nga të paprekshmit indianë, të paprekshmit e komunizmit shqiptar, të deklasuarit, as që mund të mendohej se mund të ngriheshin dhe të kërkonin trajtim të njëjtë me të tjerët. Ata ishin aq të shtypur e të frikësuar dhe regjimi ishte aq i gatshëm për të mbytur çfarëdo përpjekje për trajtim të barabartë, saqë as mund të mendohej që ndonjë prej tyre të kërkonte ndonjë të drejtë. Atyre as që duhej t’u shkonte nëpër mend se diçka mund të ndryshonte.
Të të kategorizonin si të deklasuar, si reaksionar, si të prekur, si me biografi të keqe, ishte fatkeqësia më e madhe. Ata pa skrupuj, ç’farë nuk bënin për të shpëtuar nga ai kategorizim. Në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue,” At Zef Pllumi tregon:
“Ndërsa punojshem ne lulishten e komandës, atje në Zejmen, nji nanë erdh me takue djalin e vet, që ishte në burgun ordiner dhe e ndjeva tue i thanë: ‘Të falënderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni…’ Pra bota kishte ndrrue krejtësisht: braci ishte i ndershëm, ndërsa armiku i pushtetit, marre e turp!”
Djali, megjithëse kishte kryer aktin e vjedhjes, aktin e dënuar që prej fillimit të botës nga të gjitha fetë, nuk e kishte “turpëruar dhe degraduar” familjen, ajo nuk do të kalonte në kategorinë e të deklasuarve, në kategorinë e atyre që do të vuanin gjithë jetën si armiq të regjimit!
Kur një nga bashkëshortët goditej si i paprekshëm, në një shumicë rastesh, bashkëshorti tjetër e divorconte në vend atë. Kur një person merrte pjesë në një film a shkruante një libër dhe më pas, për arsye të ndryshme, kalonte si i paprekshëm, filmi a libri ktheheshin automatikisht në të paprekshëm dhe hiqeshin nga qarkullimi. Kur një person arrestohesh dhe dënohesh për agjitacion e propagandë, për tentativë arratisje, apo për “krime” të tjera politike, e gjithë familja dhe fisi i tij deri në tre breza kthehesh automatikisht në të deklasuar. Kur dikush kthehesh befas në të deklasuar, të gjithë i largoheshin, të gjithë e mohonin, edhe njerëzit më të afërm, pa lë më kolegët e shokët.
Njëlloj si të paprekshmit në Indi që u ishin nënshtruar fatit, që nuk mund të dilnin nga gjendja e mjeruar, që e pranonin atë gjendje si një dënim që merrnin për një të kaluar jo të mirë të tyre në jetën paraardhëse, ashtu dhe të deklasuarit shqiptarë duhej ta pranonin gjendjen e tyre si ndëshkim për një punë jo të mirë të bërë nga prindërit e tyre, nga gjyshërit e tyre, nga pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre, apo qoftë edhe nga kushërinj të afërt apo të largët.
Klasa e të deklasuarve shqiptarë u krijua, u mbajt dhe u shtua si pasojë e sadizmit komunist, për të shfrytëzuar një kategori njerëzish dhe për ta mbajtur atë kategori të shtypur, në mënyrë që të mos kishte mundësi ti shkonte mendja e të ngrihesh për të rrezikuar a rrëzuar komunizmin dhe komunistët, ajo u mbajt edhe si kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë të tjerët. Klasa e të deklasuarve u mbajt gjatë gjithë kohës larg të tjerëve, e mjeruar, e pamësuar, e pazhvilluar, e frikësuar. Qëndrimi për një kohë të gjatë i kësaj klase në këtë gjendje, pati efektet e veta. Nga ky shkak, ajo, edhe kur ranë brahminët si klasë dhe si ideologji, pra kur ra komunizmi, nuk qe në gjendje të kuptonte se ç’ndodhte, madje as që kishte dëshirë të kuptonte, mjafton të dëgjonte se si ish-brahminët, ish-komunistët fanatikë, tashti të “konvertuar” në miq të të paprekshmëve, kritikonin e nëmnin regjimin e tyre të mëparshëm më shumë nga ç’do të dinin t’i kritikonin e t’i nëmnin vetë ata. Të deklasuarit u habitën dhe u kënaqën me kaq dhe nuk kërkuan kurrë më shumë.
E gjithë ajo që ndodhi me atë klasë të mjerë nuk u dokumentua kurrë zyrtarisht. E vërteta e plotë nuk doli kurrë në shesh. Vetë ish-të deklasuarit si grup, apo si klasë, nuk u interesuan aq për të, sasa për të përfituar ndonjë copë nga pronat e shtetëzuara, apo ndonjë këst pagese për burgjet e kryera pa faj, nga ata që i mbajtën në atë gjendje për afro gjysmë shekulli. Përpjekje individuale për të dokumentuar atë që ndodhi pati nga disa idealistë, por përpjekje kolektive, apo zyrtare nuk pati kurrë. Njeriu transformohet kur mbi të ushtrohet vazhdimisht e për kohë të gjatë dhunë e gjithanshme degraduese fizike dhe psikike.
Nga të gjitha të këqijat e komunizmit shqiptar, krijimi i klasave dhe vënia e tyre në luftë me njëra tjetrën pra, lufta e klasave, ishte, ndofta, krimi më i rëndë në historinë e popullit shqiptar. Komunizmi e ndau Shqipërinë në atë kohë dhe ajo ndarje vazhdon gati njëlloj edhe sot. Komunizmi e la Shqipërinë mbrapa në atë kohë, duke e privuar nga një elitë intelektuale dhe morale dhe e lë atë mbrapa edhe sot nga mungesa e një elite të re që do të dilte nga elita e vjetër.

Nju Jork, nëntor 2014 Ilir Hashorva

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe klasat, Ilir Harshova, Kastat në Indi, ne Shqiperi

A mund të quhet thjesht diktaturë regjimi komunist shqiptar?

November 29, 2014 by dgreca

(Në ndihmë të rishikimit të historisë)/
SHKRUAN:ILIR HASHORVA/ New York/
29 Nëntori përfaqëson dy ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë: largimin e ushtrive gjermane dhe ardhjen në pushtet të komunistëve. Lufta është e mbushur me mistere dhe me mospërputhje mendimesh të studiuesve të saj. Periudha 45-vjeçare e sundimit komunist është më e qartë, ndonëse edhe për atë mendimet janë në vartësi të përkatësisë politike të atij që e analizon.
Ndër pjesët më të rëndësishme dhe më delikate me të cilën duhet të merret cilido studiues serioz dhe i paanshëm i historisë së Shqipërisë gjatë kohës së sundimit komunist, duhet të jetë analiza e terrorit dhe krimit të atij regjimi.
Ndonëse të gjitha sistemet një partiake quhen diktatura, vetë diktaturat janë aq të ndryshme prej njëra tjetrës, sa është gabim të përmblidhen të gjitha më të njëjtin emër.
“Poshtë diktatura!” – shpërthyen kudo thirrje kur regjimi komunist po binte, në një kohë kur asnjë nuk i dinte përmasat e vërteta të krimit të atij regjimi.
Nja njëzetë vjet të shkuara, gazeta e ish-të përndjekurve politikë, “Liria”, nisi të botonte emrat e të vrarëve nga regjimi komunist shqiptar. Nga numri në numër i gazetës, liste e të vrarëve zmadhohej, derisa arriti në mijëra emra. Shumë vonë, ndofta duke shfrytëzuar edhe të dhënat e kësaj gazete, “Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës”, nxori këto të dhëna që mund të quhen gjysmë zyrtare, për krimin komunist në Shqipëri, nga viti 1944 deri në vitin 1990:
Të ekzekutuar politikë: 5037 burra dhe 450 gra, gjithsej 5487 njerëz
Të vdekur nga torturat në burgje: 988 burra dhe 7 gra, gjithsej 995 njerëz (nuk përfshihen të vrarët që u munduan të kalonin kufirin nga toka apo nga deti).
Të ekzekutuar politikë dhe të vdekur nga torturat nëpër burgje, gjithsej 6482 njerëz
Të burgosur politikë: 26788 burra dhe 736 gra, gjithsej 27524 njerëz
Shtetas të huaj të dënuar: 1215 burra dhe 38 gra
Të internuar dhe të dëbuar: 50 000 pleq, plaka, burra, gra e fëmijë
Shifra tronditëse, megjithatë lehtësisht të harrueshme, pasi siç ka thënë krimineli nazist Adolf Ajhman: “një mijë vrasje janë tragjedi, një milion janë statistikë”. Kështu, kur numri i vrasjeve kalon një prag, ata që shtohen pas atij pragu nuk të bëjnë më përshtypje. Aq më tepër, kur jeton gjatë në një diktaturë kriminale, sikur mësohesh me të dhe të duken edhe vrasjet prej saj si të natyrshme e të pashmangshme. Megjithatë, do të mundohemi të na bëjnë përshtypje shifrat e larta të vrasjeve nëpërmjet krahasimeve. Krahasimet do t’i bëjmë midis vrasjeve të kryera gjatë kohës së komunizmit, të udhëhequr nga “udhëheqësi i dashur i partisë dhe popullit shqiptar, Shoku Enver”, me ato të kohës së monarkisë, të udhëhequr nga “satrapi Zog” si dhe me ato të disa vendeve diktatoriale perëndimore.
Fillimisht, duhet thënë se periudha e Zogut karakterizohet nga përpjekjet për krijimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, shtetin e një populli të pamësuar me shtet e me rregulla, por të mësuar me fise e kryetarë fisesh, me bajraqe e bajraktarë. Kjo shpjegon disa kryengritje të armatosura me karakter lokal, fetar e separatist që ndodhën në atë kohë, vrasje me motive personale, që trumbetoheshin si politike si dhe atentate të vazhdueshme kundër kryetarit të shtetit, Zogut.
Periudha e komunizmit ishte ndryshe. Ajo ishte një periudhë kur shteti ishte konsoliduar dhe kundërshtimi i vetëm kundër tij ishte ai me karakter politik, gati pa kryengritje të armatosura, ose vetëm me një. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe nuk u shënua asnjë atentat kundër kryetarit të shtetit, Enver Hoxhës. Është e kuptueshme që në kushte të tilla, ndërsa në kohën e Zogut goditjet kundër kundërshtarëve të regjimit do të duhej të ishin të ashpra e të shumta, në kohën e komunizmit ato do të duhej të ishin fare të buta e fare të pakta. Mjerisht, ndodhi e kundërta.
Gjatë periudhës së Zogut, nuk del të jetë dhënë asnjë dënim me vdekje për luftëtarë të ndërgjegjes, domethënë për persona që kanë menduar ndryshe, për persona që i janë kundërvënë regjimit me mendimin e tyre, me fjalën e tyre, me shkrimet e tyre, pra për arsye thjesht politike. Dënime me vdekje janë dhënë ose për kriminelë ordinerë, dhe të tilla ka pasur shumë, ose për persona që janë ngritur me armë kundër shtetit.
Përveç kësaj, asnjë nuk di dhe nuk përmend ndonjë kriminel të asaj kohe që të ketë keqtrajtuar apo të ketë torturuar të burgosurit, apo të internuarit, ndërsa për kohën e komunizmit numërohen mbi 300 kriminelë nga ata që janë marrë sistematikisht me torturimin çnjerëzor të të arrestuarve, të burgosurve dhe të internuarve. Një numër prej tyre që kanë ushtruar torturat barbare kundër kundërshtarëve të regjimit, apo të atyre që janë konsideruar si kundërshtarë nga regjimi, jepen në librin e Fritz Radovanit, “Një monument nën dhe” si dhe në librin e Agim Mustës “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”.

Dënimet me vdekje të dhëna gjatë kohës së Ahmet Zogut, vitet 1925-1939

Hyrja e Zogut në Tiranë, viti 1924
Zogu hyri ushtarakisht në Tiranë në fund të dhjetorit të vitit 1924 dhe rrëzoi qeverinë e Fan Nolit. Sipas Eqrem Bej Vlorës: “Më 24 dhjetor 1924, me 5000 deri 6000 vullnetarë shqiptarë dhe me 130 mercenarë rusë të bardhë, pas disa përpjekjeve me trupat qeveritare…, Zogu futet në Tiranë. Marrja e kryeqytetit dhe periudha e mëvonshme e organizimit të administratës nuk u turbulluan nga asnjë akti i vetëm i vërtetë dhune. Askush nuk u vra, askush nuk u arrestua. Kapot e revolucionit të qershorit ia kishin mbathur, ndërsa bashkëfajtorët e klasës së dytë dhe të tretë që kishin mbetur, bashkëpunëtorë prej oportunizmit apo prej frikës, nuk duheshin përdorur si tabelë qitjeje për fajet e të tjerëve. Ky ishte një nga parimet e urta të Zogut”. Ndërsa biografi i Zogut, Jason Tomes, shkruan: “Amnistia e parë u bë në prill të vitit 1925 (domethënë 4 muaj pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit). Me të iu dha falje gati të gjithëve, me përjashtim të figurave kryesore të emigruara. Disa, madje, e rifilluan karrierën e tyre politike si të bindur të Zogut”. Edhe Arben Puto, një historian antizogist dhe i ideologjizuar deri në palcë me ideologjinë komuniste, një nga ata që kërkojnë me bishtuk në dorë se mos gjejnë ndonjë cen a akuzë të re ndaj Zogut, në librin e tij “Shqipëria Politike 1912-1939”, nuk është në gjendje të japë qoftë edhe një emër të vetëm të ndonjë personi të vrarë me gjyq apo pa gjyq gjatë hyrjes së Zogut në Tiranë në dhjetor të vitit 1924.

Kryengritja e Dukagjinit, 20 nëntor – 5 dhjetor, viti 1926
Kryengritja e Dukagjinit ishte me karakter separatist dhe fetar. Frymëzuesit kryesorë politikë të lëvizjes ishin Hasan Prishtina e Mustafa Kruja, ndërsa organizatorë ushtarak ishin prifti dom Loro Caka dhe oficeri Ndok Gjeloshi. Dom Loro Caka, kishte dërguar në muajin shtator 1926 oficerin Spiro Kosova te kolegu i tij dom Aleksandër Dredhaj në Shkodër, me porosi që gjithë priftërinjtë e atij qarku, ndër të cilët gjendej edhe prifti deputet dom Gjon Gazulli, të mobilizoheshin për kryengritje të përgjithshme. Në kryengritje u përfshinë mbi 1000 malësorë. Luftimet qenë të ashpra. Nuk dihet me saktësi numri i atyre që u vranë gjatë saj. Zogu e shtypi kryengritjen. Ai burgosi rreth 700 veta dhe dënoi me afate të ndryshme burgimi 222 veta. Gjyqi Politik dënoi 30 udhëheqës të kryengritjes me vdekje, nga të cilët 15 veta në “mungesë”. Në përfundim, të dënuarit me vdekje u falën gati të gjithë dhe të dënuarve me burgime të ndryshme iu ul dënimi. U krye vetëm një ekzekutim me varje i priftit Gjon Gazulli, jo sepse ishte udhëheqësi kryesor i kryengritësve, por sepse ishte deputet i parlamentit shqiptar, pra një person që duhej të bënte luftë demokratike dhe jo luftë me armë.

Organizata e Vlorës, viti 1932
Në verën e vitit 1932, u krijua një grup antiqeveritar në Vlorë i cili financohej nga konsulli jugosllav në atë qytet, me qëllim organizimin e një grushti shteti. Grupi u kap dhe gjykata dha për 7 veta dënime me vdekje, 12 dënime me burgime të përjetshme dhe 15 dënime me 15 vjet burg. Të gjithë të dënuarit me vdekje u falën dhe pak më vonë u amnistuan të gjithë të tjerët.

Rebelimi i zonës veriore, 1-8 janar, viti 1935
Rebelimi u krye kundër qeverisë së Tiranës nga rreth 2000 veta, të udhëhequr nga Muharrem Bajraktari dhe Gjon Marka Gjoni. Në këtë kohë, Zogut i bëhet një atentat dhe largohet për në Durrës. Për shtypjen e rebelimit, Zogu ngarkoi Musa Jukën. Ky çoi 4 batalione në Kukës ku ishte qendra e kryengritjes. Pati një numër të vrarësh nga të dyja palët. Pas shtypjes së rebelimit, Muharrem Bajraktari u largua për në Jugosllavi. Nuk ka të dhëna për të dënuar me vdekje.

Kryengritja e Fierit, 14-15 gusht, viti 1935
Kryengritja e Fierit u drejtua nga një organizatë e fshehtë e krijuar në vitin 1934 në Tiranë. Në të bënin pjesë ish-oficerë, bejlerë që kishin konflikte me Zogun, tregtarë, nëpunës, komunistë etj. Në vitin 1935, organizata vendosi të niste kryengritjen. Plani ishte që ajo të shpërthente në Tiranë e pastaj të përhapej në pjesën tjetër të vendit, por ajo shpërtheu vetëm në Fier, prandaj mbeti në histori me emrin Kryengritja e Fierit. Organizatorët e kryengritjes ishin Musa Kraja, zëvendës rrethkomandant i xhandarmërisë së Fierit, Kostë Çekrezi, anëtar i organizatës së Vlorës, Riza Cerova (komunist i ardhur nga Bashkimi Sovjetik), Zenel Hekali (arsimtar), Hekuran Maneku, Mustafa Kaçaçi etj. Më 14 gusht, xhandarmëria e Fierit dhe fshatarë të zonave përreth shtinë në dorë Fierin. Po atë ditë xhandarët kryengritës vranë gjeneral Gilardin, Inspektorin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, i cili po kalonte rastësisht në qytet. Mbi 200 kryengritës u nisen për të marrë Tiranën. Në Lushnjë ata u ndeshen me forcat qeveritarë dhe u shpartalluan. Në tërheqje e sipër një pjesë e tyre u vranë, ndërsa të tjerët u kapen.
Komunisti Riza Cerova pas disfatës, u tërhoq në male ku u plagos dhe vdiq.
Pas rebelimit u zhvillua gjyqi. U dënuan shpejt e shpejt dhe u pushkatuan të 11 xhandarët që kishin vrarë gjeneral Gilardin si dhe u dënuan me vdekje edhe 42 veta të tjerë. Të gjithë këta u falën me përjashtim të Hekuran Manekut i cili u pushkatua.

Kryengritja e Delvinës, 15-16 maj, viti 1937
Kryengritja e Delvinës ndodhi si pasojë e prishjes së marrëdhënieve të Et’hem Totos, ish-ministër i Brendshëm i Zogut, dhe Ahmet Zogut. Ethem Totoja dhe vëllai i tij Ismet Totoja bënë për vete xhandërmarinë dhe një pjesë të popullsisë. Në Gjirokastër, ata hapën burgun dhe së bashku me të burgosurit sulmuan Vlorën. Rrugës për në Vlorë, ata u ndeshën me forcat qeveritare, u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluar. Gjatë përleshjes, Ethem Totoja u plagos dhe, për të mos u dorëzuar, vrau veten. Nga kryengritësit, 4 veta u dënuan me vdekje, 4 me burgim të përjetshëm dhe 140 me dënime më të vogla. Me vdekje u dënuan: Ismet Toto (me varje, pasi qe civil) dhe me pushkatim ushtarakët: kapiten Ismail Gjylbegu, nëntoger Xhelal Shtëpani, kapter Ramadan Braka.
Gjithsej, pas kryengritjeve të armatosura kundër qeverisë së Ahmet Zogut, del të jenë dënuar me vdekje dhe të jenë ekzekutuar 1 në kryengritjen e Dukagjinit, 12 në kryengritjen e Fierit dhe 4 në kryengritjen e Delvinës: gjithsej 17 veta. Le të shtojmë këtu edhe vrasjen gjatë kryengritjes së armatosur kundër qeverisë të Bajram Currit dhe bëhen 18 veta. Le të shtojmë edhe vrasjet që i atribuohen Zogut: të Hasan Prishtinës, Avni Rustemit e Luigj Gurakuqit dhe bëhen 21 veta. Nuk ka të dhëna për dënime dhe ekzekutime të personave të tjerë si kundërshtarë politikë. Në qoftë se ndonjë nga ata që kanë studiuar periudhën e Zogut di të ekzekutuar të tjerë për qëndrime politike antizogiste, është i lutur t’ia shtojë numrit prej 21 personash. Nga komunistët kryesorë të burgosur dhe të dënuar gjatë regjimit të Zogut nuk figuron asnjë i dënuar me vdekje: as Ali Këlmendi, as Qemal Stafa, as Zef Mala, as Vasil Shantoja, as Tuk Jakova, as Emin Duraku, asnjë.
Akuzat që i bëhen Zogut për vrasjen e disa personaliteteve të kohës si Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e ndonjë tjetri janë të pavërtetuara dhe nuk mund të pranohen nga asnjë historian serioz si fakte reale. Stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, në mars të vitit 2014, thotë:
“Për mua është fatkeqësi që Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu nuk kanë shkuar mirë. Ahmet Zogu akuzohet se ka vrarë Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Hasan Prishtinën. Por, nga fakti se Hasan Prishtina ishte i dënuar gjashtë herë me vdekje nga perandoria osmane, nga mbretëria serbo-kroate-sllovene, nga Esat Pashë Toptani dhe nga Ahmet Zogu dhe se Ibrahim Çelo i bëri atentat Hasan Prishtinës pas dy javëve qëndrim në Selanik si mysafir i tij dhe se në xhepin e tij u gjet një pasaportë serbe, të krijon shumë dyshime. Sot është koha e unitetit dhe duhet të kërkohen dokumente dhe akuzat të bëhen me fakte, sepse pa fakte s’mund të bëhen akuza”.
Ndërsa Halit Aga, nipi i Osman Balit, i njeriut më të afërt i Esat Pash Toptanit, i atij që thuhet se organizoi vrasjen e Avni Rustemit, shkruan se Ahmet Zogu iu lut për dy javë rresht gjyshit të tij, Osman Balit, që mos e nxiste atentatin kundër Avni Rustemit (Gazeta “Dielli”, 2 nëntor 2014). Nga antizogistët, pretendohet se Zogu organizoi vrasjen e Avni Rustemit, sepse Avni Rustemi i kishte vrarë dajën, Esat Pashën. Por, kur Zogu nuk vrau atentatorin e tij, Beqir Valterin, si do të vriste Avni Rustemin, për të marrë hak për dajën me të cilin edhe nuk shkonte mirë?!

Atentati kundër Zogut në Shqipëri, viti 1923
Më 24 shkurt të vitit 1923, kur Zogu po ngjiste shkallët e parlamentit shqiptar, Beqir Valteri, anëtar i “Bashkimit të Shqiptarëve të Rinj”, organizatë e krijuar prej Avni Rustemit, tentoi të vrasë Ahmet Zogun, duke qëlluar tri herë mbi të. Zogu u plagos, atentatori u kap. Ai foli për hollësitë e atentatit dhe implikoi në të Avni Rustemin. Beqir Valterit iu fal jeta nga Zogu dhe, më vonë, duke përfituar nga trazirat e vitit 1924, u arratis nga Shqipëria. Ai u kthye në vitin 1939. Në vitin 1945 u dënua me vdekje nga Gjyqi i Parë Special Komunist i Tiranës dhe u ekzekutua.

Atentati kundër Zogut në Vjenë, viti 1931
Si ekzekutor për kryerjen e atentatit të Vjenës, me pëlqimin e organizatorëve të tij, Hasan Prishtinës dhe Mustafa Krujës, u zgjodhën Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami, dy ish oficerë të xhandarmërisë shqiptare.
Gjeloshi, pas kthimi të Zogut në pushtet në vitin 1925, u arratis në Jugosllavi dhe u bë anëtar i grupit të “Bashkimit Kombëtar”, një organizatë të mërguarish shqiptarë që kërkonte me çdo kusht rrëzimin e Zogut. Në nëntor të vitit 1926, së bashku me Dom Loro Cakën organizuan dhe udhëhoqën kryengritjen antizogiste të Dukagjinit.
Të dy atentatorët, nuk e goditën dot Zogun, por vranë adjutantin e tij, Llesh Topallaj. Atentatorët u kapën nga policia austriake, u nxorën në gjyq dhe u dënuan me burgim: me 7 vjet Ndok Gjeloshi dhe me 3 vjet Azis Çami.
Ndok Gjeloshi u kthye në Shqipëri pas pushtimit të saj nga Italia, mori pjesë në milicinë shqiptare dhe u bë major. Në pranverë të vitit 1943, në fundin e bulevardit kryesor të Tiranës, në rrugën pranë stacionit të trenit, atentatori antizogist Ndok Gjeloshi u vra nga një atentator tjetër, nga atentatori komunist Lym Keta.

Dënimet e dhëna gjatë kohës së Enver Hoxhës në raste të ngjashme

Hyrja e partizanëve komunistë në Tiranë tetor – nëntor 1944
Gati pas plot 20 vjetësh të hyrjes ushtarakisht të Zogut në Tiranë, gjatë së cilës nuk u vra asnjë person, në vitin 1944, partizanët e Enver Hoxhës u futën në Tiranë dhe thanë se e çliruan Tiranën. Sipas listave të përpiluara nga agjentët e famëkeqit Front Demokratik nëpër lagje, në periudhën 24 tetor-16 nëntor 1944, u arrestuan qindra dhe u pushkatuan pa gjyq nga partizanët komunistë, pa asnjë lloj faji, sipas Gogo Nushit, 60-100 persona. Kufomat e dymbëdhjetë vetave të pushkatuar në këtë kohë u gjetën në hotelin “Bristol”. Pas rënies së komunizmit, ashtu siç i qe vënë më parë një rruge në Tiranë emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, i takonte t’i vihej edhe një rruge tjetër emri “Dëshmorët e 24-16 Nëntorit”. Kjo nuk ndodhi dhe nuk ka gjasa të ndodhë.

Kryengritja e Postribës, shtator 1946
Kryengritja e Postribës në Shqipëri në vitin 1946, thuhet se është e para kryengritje e armatosur antikomuniste në kampin socialist. Kryengritësit sulmuan Shkodrën, me objektiv rrëzimin e regjimit komunist. Kryengritja dështoi dhe u shtyp shpejt e me egërsi.
Sipas të dhënave të ndryshme, pas kryengritjes, përveç atyre që u vranë gjatë saj, u vranë pa gjyq 18 – 64 burra, fëmijë e të afërm të kryengritësve, ndërsa u burgosën e u internuan mbi 1200 persona, u dogjën dhe u sekuestruan shumë shtëpi e pasuri.

Masakra e Mirditës, 1949
Me 18 gusht të vitit 1949, mbi 2000 mirditore, burra e gra, u dërguan me përdhune ne vendin ku u vra Bardhok Biba disa ditë më parë. Para turmës sollën 14 burra mirditorë, krejtësisht pa lidhje me vrasjen, qe do t’i bënin kurban, pa i gjykuar.
Mbas fjalës se Mehmet Shehut, nen kërcënimin se do t’i nxirrte ujë te zi Mirditës dhe lumi Fan do te skuqej nga gjaku i mirditoreve, u ekzekutuan të katërmbëdhjetë mirditorët.
Edhe mbas këtij ekzekutimi masiv, orgjia e vrasjeve vazhdoi me tërbim. Sipas Nikollë Mëlyshit, ne librin e tij “Ngjarje historike”, botuar ne Detroit ne SHBA më 1976, te pushkatuarit pa gjyq gjate këtij operacioni, numërohen ne 37 veta. U dënuan me burgime te renda 80 persona dhe u internuan ne kampin e Tepelenës, 100 familje.

Masakra për bombën në Legatën Sovjetike
Në vitin 1951, në Legatën Sovjetike në Tiranë, u hodhën dhe shpërthyen disa kallëpe dinamit të cilat shkaktuan disa dëme materiale. Po atë ditë, Mehmet Shehu propozoi të pushkatoheshin shpejt e shpejt 10-15 veta. Në të vërtetë u pushkatuan 22 persona që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen, midis të cilëve edhe një grua, Sabiha Kasimati, si dhe u dënuan me burgime të ndryshme 80 veta. Të gjitha familjet e të pushkatuarve u internuan.

***
Në Shqipërinë fashiste të Musolinit, në Shqipërinë e kohës së luftës, në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët italianë, kishte disa herë më pak të burgosur nga ç’kishte në Shqipërinë komuniste “të lirë e të pavarur” të Enver Hoxhës
Sipas një studimi shumë të rëndësishëm të historianit Femi Sufaj, të vitit 2012 në fakultetin e historisë për marrjen e doktoraturës me temë “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist”, të cilit historianët e tjerë nuk ia kanë vënë shumë veshin, dalin disa të dhëna shumë interesante. Në vitin 1936, në Shqipërinë e Ahmet Zogut, kishte gjithsej 1875 të burgosur, gati të gjithë për krime ordinere. Më pas, në vitin 1942, në një vit lufte, në Shqipërinë e pushtuar nga Italia, në Shqipërinë fashiste, në Shqipërinë ku zhvillohej luftë e armatosur, kishte 2081 të burgosur, ndërsa 10 vjet më pas, në Shqipërinë komuniste, në vitin 1951, domethënë mbas “çlirimit”, kishte 7168 të burgosur, prej të cilëve 3331 të burgosur politikë. Shqipëria e asaj kohe, e drejtuar nga shqiptarët, ishte shumë më keq, shumë më represive, se Shqipëria e kohës së luftës e pushtuar nga fashistët italianë. Kjo e bën Vedat Kokonën të thotë në librin e tij autobiografik “Endur në tisin e kohës”: “Vuajtjet e popullit shqiptar nën pushtimin shqiptar janë të pakrahasueshme me ato të pushtuesve të huaj. Ato do të mbeten të paharruara në analet e historisë”. Ndërsa Rahman Parllaku, ushtarak i lartë gjatë regjimit komunist dhe pastaj i persekutuar prej atij regjimi, thotë: “Në këtë 70-vjetor, kur gjykojmë Enverin, duhet të gjykojmë se çfarë i solli diktatura popullit shqiptar. Diktatura i solli krime popullit shqiptar, në vend të demokracisë që iu premtua; i solli varfërinë në vend të bollëkut të premtuar fill pas luftës. E filluan me triska dhe e mbaruan me tallona”. (Gazeta “Sot”, 28 shtator, 2014)

Dënimet me vdekje të dhëna nga diktatura të tjera

Le të krahasojmë tashti dënimet me vdekje dhe vrasjet në Shqipërinë komuniste gjatë kohës së paqes, me vrasjet në vendet e tjera diktatoriale po në kohë paqeje.

Diktatura fashiste në Italinë e Musolinit
Në vitin 1926 Musolini rivendosi dënimin me vdekje për krime politike. Për këtë qëllim, ai ngriti “Gjykatën Speciale”. Për periudhën nga viti 1926 deri në vitin 1940, domethënë për periudhën 14-vjeçare para fillimit të luftës, sipas Hamish Mcdonald (“Mussolini and Italian Facsism”) nga ajo gjykatë janë dhënë, a e dini sa?, vetëm 7 dënime me vdekje për krime politike!
Dënimet më të shpeshte që jepte “Gjyqi Special” fashist ishin arresti shtëpiak, apo internimi deri në pesë vjet.

Diktatura naziste në Gjermaninë e Hitlerit
Pas gjykimit të disa personave që akuzoheshin për djegien e Raihshtagut dhe gjetjen e të gjithëve të pafajshëm, me përjashtim të njërit, më 24 prill të vitit 1934, Hitleri vendosi të ngrinte gjyqin special, “Gjyqin e Popullit”, që do të merrej me shpejtësi me krimet politike. Parimi mbi të cilin do të mbështetej Gjyqi i popullit ishte: “E drejtë është ajo për të cilën ka nevojë populli”, e përkthyer shqip do të thotë “Në emër të popullit”.
“Gjyqi i Popullit” në Gjermaninë Hitlerit në vitin 1934 dha 4 vendime me vdekje, në vitin 1935 dha 9 vendime me vdekje, në vitin 1936 dha 10 vendime me vdekje, në vitin 1937 dha 28 vendime me vdekje dhe në vitin 1938 dhe dha 17 vendime me vdekje. Gjithsej, për 5 vjet të kohës së paqes, ai gjyq dha 68 dënime me vdekje për krime politike. Dihet se nazistët përdorën edhe lloje të tjera vrasjesh që nuk kishin nevojë për punë gjyqesh, por, sidoqoftë, shteti ndruhej të jepte zyrtarisht dënime me vdekje.

Diktatura fashiste në Spanjën e Frankos
Në Spanjën fashiste të Frankos, nga viti 1940 deri në vitin 1975, domethënë për 35 vjet, janë ekzekutuar 165 dënime me vdekje.

Diktatura fashiste në Portugalinë e Salazarit
Portugalia e kishte hequr dënimin me vdekje qysh në vitin 1852.
Në vitin 1933, në Portugali u vendos ajo që u quajt diktatura fashite e Salazarit e cila zgjati deri në vitin 1974, pra për 41 vjet. Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk është dhënë asnjë dënim me vdekje për asnjë lloj krimi.

Diktatura raciste në Afrikën e Jugut
Regjimi racist i Afrikës së Jugut për bindje të ndryshme nga ato të qeverisë raciste, pra për krime thjesht politike, në një shtet, në atë kohë me rreth 20-30 milionë banorë, në rreth dyzet vjet të sundimit, që nga viti 1948 deri në vitin 1990, kur ai regjim ra, nuk ka vrarë asnjë person. Midis viteve 1961 dhe 1989, janë dënuar me vdekje dhe janë vrarë rreth 134 persona për krimin e rebelimit të armatosur kundër shtetit. Rreth 3500 dënime me vdekja janë dhënë për krimin ordiner të vrasjes, të përdhunimit, të rrëmbimit të personit, të grabitjes së armatosur, por jo për bindje politike të kundërta me ato të regjimit. Kur nuk u dënua me vdekje Mandela dhe bashkëpunëtorët e tij që kishin krijuar një ushtri antiqeveritare dhe kishin kryer sabotime të shumta, nuk mund të dënohej asnjë tjetër.

Diktatura fashiste në Kilin e Pinoçetit
Në Kilin e Pinoçetit, në periudhën 1973-1990, në një shtet me rreth 16 milionë banorë, u ekzekutuan rreth 3200 kundërshtarë të regjimit, por këto ekzekutime u kryen në ditët e para të grushtit të shtetit. Më pas nuk rezultojnë të dënuar me vdekje nga gjyqet e Kilit. Në 10-vjeçarin 1980-1990, në Kili u lejua liria politike.
Të gjitha të dhënat për dënimet me vdekje dhe ekzekutimet në diktaturat që përmendëm mund të verifikohen lehtësisht nëpërmjet internetit.

***
Nga krahasimet që bëmë del se numri i vrasjeve të kryera nga komunistë e Enver Hoxhës në Shqipërinë e quajtur Diktaturë e Proletariatit, ishin pakrahasimisht larg atyre që u kryen në kohën e Zogut dhe atyre që u kryen në vende perëndimore të quajtura diktatura, jo vetëm në shifra relative, por edhe në shifra absolute.
Në të vërtetë, të gjitha shtetet janë në njëfarë mënyre diktatura, sepse nuk ka shtet që të mos diktojë diçka nëpërmjet ligjeve. Por, diktim dhe diktaturë nuk do të thotë që shteti të vrasë ata që nuk janë në një mendje me të, ata që mendojnë ndryshe. Në qoftë se shteti vret ata, ai nuk është më thjesht një shtet diktatorial, por një shtet tiranik, një shtet terrorist, një shtet kriminal. Shteti shqiptar në kohën e komunizmit, i cili vrau sa mundi nga ata që i mendonte si kundërshtarë, nga ata që mendonin ndryshe, ka qenë një shtet i tillë. Për këtë arsye, duke i dhënë përgjigje edhe pyetjes që shtruam në titull të këtij shkrimi, regjimi komunist shqiptar nuk mund të quhet thjesht diktatorial, por tiranik dhe kriminal dhe udhëheqësi i këtij regjimi nuk mund të quhet diktator, por tiran dhe kriminel.

Nju Jork, nëntor, 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: A mund të quhet, Ilir Harshova, komunist shqiptar?, thjesht diktaturë regjimi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT