1) Më 10 gusht 1988, pra si sot e tridhjetë vite më parë, ekzekutohej në publik një poet. Ashtu siç ndodh rëndom në diktaturë, herët në mesnatë, por trupi do të lihej aty deri nga paradreka. Ashtu nderur…, duhej ta shikonte njerëzia. Kam patur edhe unë fatin e mbrapshtë një herë, të shoh në qytetin tim të varur në litar, në një nga anekset e stadiumit, një qytetar, një djalë të ri… i cili në sherr e sipër një sherr banal provincial, i fyer për atë që fqinjët i kishin bërë familjes së tij, të atit, të kryente një krim. Gjithsesi, nuk kishte gjë më të shpifur të shikoje njeriun të nderur në litar. Por ndodh të aplikohet një dënim i tillë edhe në demokraci. Në ato muajt e parë të saj, në Fier qershorin e vitit 1992, ku ekzekutohen publikisht dy vëllezër për të ashtuqujturën masakra e Libofshës. Gjithsesi janë raste krej të ndryshme. Por ky i poetit Havzi Nela është thjesht për mendimin ndryshe, për fjalën e lirë, poezinë. Dhe nga ana tjetër, faqja jonë e zezë e një kohe turpi. Një kohe që akoma nuk pranon të pastrohet, por si mushka, shkund supet, shtyhet, ecën dhe flet për demokraci. Në fakt e gjitha është një hipokrizi sociale, një nga ato metoda kaq të stazhionuara tashmë të cilat ne i përdorim me kollajllëk, themi ajo ishte koha, regjimi, ato ishin ligjet. Madje demokracia është një mburojë nën pretekstin e të drejtave të njeriut dhe fjalës së lirë. Kësisoj tërësia e këtyre sejmenëve, në këtë lëmoshë sociale, arritën të drejtojnë dhe akoma qeverisin vendin, sikur asgjë anormale të mos kish ndodhur. Sikur çdo vrasje, çdo ekzekutim, çdo burgosje, të qe konform kohës që bota e përparuar e kish braktisur një shekull më parë. Mjaft të përmendim rastin e Fehmi Avdiut, Gramoz Ruçit a kryeministrit aktual Edi Rama. Kjo mjafton për të kuptuar se diktatura qeveris dhe se me elementë të saj demokracia është një anije horizonti.
2) Pse e them dhe përdor shpesh këtë, që rasti Havzi Nelës është faqja jonë e zezë. Mjaft të lexosh deponimet e tia përpara hetuesve ose në gjyqe etj. Qartësinë e mendimeve të tia në lidhje me sistemin dhe sugjerimet për metoda më efikase në ekonomi, arsim, mjekësi, art e shkencë… nuk janë mendime të armikut, armiku nuk është i tillë. Janë sugjerime të thëna çiltër dhe që ai u mëshon po çiltër aq sa duhet ta ketë zili edhe individi i sotshëm i kësaj demokracie me paralizë faciale që po aplikon shoqëria e jonë. Armiku nuk është i tillë, nuk ka se si të jetë kur thotë, që, ”përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë, se atje është përdorur forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte pregatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë është kolektivizimi dhe nuk kishte kushte ekonomike për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mund të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e njerëzit humbasin kohë duke udhëtuar”. Fjalët e Havzi Nelës mbi vendin, gjendjen ekonomike, fshatarin, shoqërinë. Janë thjesht një sugjerim, një mendim ndryshe, nuk janë krim. Nuk është armik ai që e do e vendin si perëndimi. Nuk është armik ai poet që e do rininë me shumë liri, hapësirë e lëvizje. Me më shumë rryma mode dhe trajtim ushqimor normal si bota. Nuk se si të jetë. Megjithatë ne e vramë Havzi Nelën. E varëm me nxitim herët, dhe e mbuluam në një gropë shtylle betoni sikur të mos ishte qenie njerëzore.
Ne vramë sikur të ishte kancer, sëmundje ngjitëse dhe aplikuam me qejfin më të madh metodat e karantinave mjeksore si në rastet e epidemisë. Kolerës etj.
3) Nuk e di se çfarë është bërë në këtë 30-të vjetor në Kukës. Por mbaj mend se para disa kohëve u vendos një shtatore diku në qytetin e tij. Megjithëse shumë pak… Shoh se në disa webe të djathta postohen foto të tia prej të burgosuri kohe, ca vargje etj. Si ato metoda shterpe, sa për të kaluar radhën. Metoda përdoruese, siç qe edhe rasti i çadrës së Bashës me gruan e tij të lodhur hallesh. Pastaj Basha ia zgjidhi, duke marrë ca karrige të shëmtuara postesh ministrore ne republikën e tij të re. Një aleancë e shkëlqyer për të rivarur rishtas Havziun e mendieve të çiltra. Një alenancë majasëlli me një pinjoll nga xhelatët e Havziut. Për ta rivarur rishtas Havziun dhe amanen e tij, familjarët. Ashtu sikur ndodh në plot faqe personale me ca dedikime kortezie, edhe kjo një metodë tashmë bajate aq sa ndjesia sociale është vetëm një indinjatë në letër. Por unë sugjeroj se faqja jonë e zezë, rasti Havzi Nelës duhet të interpretohet në çdo skenë publike, auditor Tiranë, Prishtine, Podogoricë, Shkup etj…, se ne ”modernët” merremi aq shumë me Godonë e Irlandës, sa harrojmë këto të zezat tona, më të zeza se absurdi ishullor.
Kemi nevojë të ballafaqohemi me kohën, të ballafaqojmë njerëzit, sistemet, se ndryshe nuk bëjmë demokraci. Kemi nevojë tu rrëfehemi brezave, t’ua heqim petët lakrorit. Ndryshe nuk kemi si hartojmë ligje të drejta. Nuk kemi si rrisim kuadro të dobishme për vendin. Në fund të fundit, për këto të drejta të munguara tonat, u var në litar poeti Havzi Nela. Për asgjë më shumë. Nuk bëri krim ordiner. Nuk dënoi kënd, nuk hodhi në erë me tritol pallate me letra fallco. Nuk bëri lojra politike a marrëveshje deti, kufijsh, me fqinjët… foli për përmasimin dhe standarte të tjera në ekonominë e vendit. Foli për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Kaq… A nuk skuqeni kur e mendoni?
4) Nuk e di pse ka një politikë të shpërndarë, ndofta është e qëllimtë sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe, kjo metoda e shtatoreve. Kjo përkujtesa e pjesëshme dhe vatra vatra.
Jo vetëm për Havziun por edhe të tjerë duhet medoemos të ketë një institucion të përmasave piramidë, a teatër a kishë…, për gjithë viktimat e diktaturës. Këtë kishin kërkuar, këtë që po jetojmë sot, demokracinë. Duhet medoemos … përpara se të prishim, përpara se të lypim partneritet dhe lëmosha sa majtas djathtas, le të ngrejmë institucionin e memories me përmasa të tilla. Mundësisht në sheshet më të mëdha, më publike tu tregojmë brezave se ja çfarë bëm, ja si e bëm,, ja si rropëm të gjallë njëlri-tjetrin. Bëjeni se ta dini do të na ulet kriminilateti ndjeshëm, do na ulen të gjitha mbrapshtitë. E më pas do fitojmë ndjenjën e dhimbsurisë. Dhe dhimbusira të çon veç tek dashuria dhe respekti për shoqi-shoqin. Të bën të mendohesh katër herë se kë voton. Se vota nuk shitet për një thes miell etj. Përse u var Havziu? Ja sepse tha këto fjalë….
”Përsa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera, këtë e them se njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë të madhe si televizor, automobila e sende të tjera e bëjnë një jetë me të vërtetë luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës” Ja për këto fjalë u var në litar. A nuk flet edhe Edi Rama sot për këto. A nuk premton se do t’i bëj… dhe nuk i bën. I bukuri Havzi nuk kishte as vulë, as pushtet, sepse nuk dinte të vriste. Por kishte vetëm guximin, fjalën dhe për ato u vra…