Nga Ilir Levonja/Florida/
U ngarkova prej bordit katërsh, siç i thonë në punën time, të trajnojë punëtorët e rinj. Kam gati dy javë që e bëj këtë. Veç shumë detajesh, kulturash apo mendësi njerëzish, më ndodhi të zbulojë disa kapërcime mendësish, në lidhje me brezat e emigrantëve. Pra, nga mendësia e babait mërgimtar, tek i biri apo e bija e lindur dhe rritur këtu. Ose nga ata fëmijë të ardhur motak apo disa vitesh. Por që gjithësesi, janë tashmë të natyralizuar për shkak të moshës së re, trurit të freskët dhe shpengimin në të folur e në të sjellur. Thjesht duken sikur kanë lindur këtu. Aq të atashuar janë në efikasitetin e batutave sa prindit të tyre i duhet të kalojë male pengesash për të kapur thelbin kuptimor të komunikimit me sarkazën.
Që ta bëjmë më të thjesht, e kam fjalën në atë që, mbas disa viteve, apo një dekade im bir të tallet me një lektor emigrant të tipit të babait.
Kështu më ndodhi mua. Në këtë periudhë kohe trajnimi, vura re se fëmijët e emigrantëve më të rinj kishin humor për tu tallur me aksentin tim. Madje ndonjëri shkonte diçka më tutje në lidhje me frazologjinë. Hidhej e thoshte se nuk të kuptova. Ose pyeste atë që kishte në krahë, se çfarë thashë etj. Kësi gjërash.
Më duhet të sqarojë që në fillim se ata që trajnojë, janë të moshave të ndryshme. Fillojnë punë me pagë minimale apo diçka mbi ‘të. Ka edhe emigrantë, që kanë ardhur kohët e fundit. Le të themi ndonjë mësues apo mjeke pediatre, shkurt gjithëfarësoj zanatesh e profesionesh. Një grua nga Rumania ndihej në siklet. Ka punuar për 35 vjet si mësuese e ciklit të ulët. I vjen plasja që ndodhet aty, por i duhet të ndihmojë djalin të rrisi fëmijët, ndërkohë që mund të bëj një punë tek ne me kohë të pjesshme. Më afrohet në seancat e pushimit dhe gjysmë e çliruar më thotë për ”përplasjet” e mia pikërisht me fëmijët e emigrantëve. Ndërkohë që moshataret e tjera të saja, qofshin edhe burra, e kanë më të lehtë për shkak të spanjishtes e krios. Gjuhë që flitet kaq me shumicë kohe sa, shpesh në vitrinat e marketeve të kompanisë, klientët na krkojnë llogari se përse nuk mësojmë edhe këto spanjishten e Amerikës së Jugut dhe krion e karaibeve.?
Dy korniza ngjarjesh me kësi plane, kontradiktash.
Një vajzë e re nga Haiti më tha se nuk më kuptoi. Kur unë po sqaroja një proçedurë punë. Midis të tjerave, ajo tha se nuk të kuptova për shkak të aksentit tim të rënd. Unë nuk fola. Përbrenda po mbytesha nga njëmijë e një dallgë. Kur nga mbrapa saj u hodh grua tjetër dhe tha se më kuptoi shumë mirë dhe aksenti nuk ka të bëj fare me të kuptuarit. Kalojë kjo situatë.
Tjetra, një kubaneze më tha gjatë ditës se se dinte shumë për Shqipërinë për shkak të filmit ”Taken”. Unë heshta, me qetësi i thashë se edhe unë di shumë për Kubën, por jo përmes Toni Montanës. Të tjerët qeshën dhe situata kaloi me argëtim. Mirëpo në kokën time vlonte pamja e lodhur e Fidel Kastros, ato ditë të shkurtit të vitit 2008 kur po tërhiqej nga pushteti, duke i treguar parlamentit një tenxhere me presion si sukses të prodhimit vendas.
Nuk po zgjatem me detaje të tjera. Me që përmenda kapërcimet e mendësive, midis brezave, dua të përmbledh në disa pika që na mbushin me stres të përditshmen tonë.
*Përse emigrojmë? Që bijtë tanë të tallen me emigrantët e tjerë?
*Përse pikërisht, emigrantët, apo fëmijët e emigrantëve që vinë nga vendet më të varfra, me ekonomi të rrënuar, pa përmendur epidemitë, luftrat civile etj, janë më cinik, më dembelë, më pretendues se e kundërta e sojit të tyre? Pra e emigrantëve që vinë nga vende shumë herë më të zhvilluar?
*Përse merret e keqja si shembull, për të identifikuar njërin vend nga tjetri?
*Përse …?
______
Përgjigjen e të gjitha këtyre ma dha konsulenti im. Ai më tha, detyra jote është të mos sillesh si ata, por të bashkëpunosh dhe të ecësh përpara edhe me të tillë armate. Kush nuk vlen për në katin e dytë, sigurisht është i dobishëm një kat më poshtë.
Dekleratat e forta te B. Fisher..!
Nga Ilir Levonja/Florida/
Referuar një emisioni të Roland Qafokut në ”DEBATI NE CHANNEL ONE”, amerikani Bernd Fisher na paska bërë këto deklarata, të cilat qënkan të forta. Unë po radhis disa prej tyre:
– Ju shqiptarët duhet të jeni krenarë për luftën që bëtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
– Zogu nuk duhet të largohej më 7 prill 1939.
– Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, krahas rezistencës ndaj pushtuesit kishte edhe elementë të luftës civile.
– Ballistët edhe luftuan ndaj pushtuesit edhe bashkëpunuan me pushtuesit
– Shqipëria nuk u çlirua as më 28 e as më 29 nëntor, por më 4 dhjetor 1994.
– Otomanët nuk ishin armiq të shqiptarëve.
– Edi Rama, politikani i të ardhmes së Shqipërisë.
– Sali Berisha, kryeministri që ka merita…, etj.
Në fakt nuk janë aspak deklerata të forta. Këtë e them me thjeshtësi. Me qetësi. Jo pse i njoh mirë amerikanët. Njoh më mirë shqiptarët. Pastaj nuk janë deklerata, madje kuptimi i termit deklarate, konstaton në diçka tjetër. Janë thjesht konstatime. Por ne i qujamë të tilla për faktin se i thotë një i huaj. Për më tepër, amerikan. Se, nëse do i them unë, apo ndonjë shqiptar tjetër, nuk do ta kishim për gajle ta nxirrnim me dru nga dera.
Që nga rënia e diktaturës së proletariatit, viti ’90 e këtej, ne shqiptarët vazhdojmë të grihemi me të gjitha armët e mundshme, qoftë të pushtetit, të klasave, të inteligjencës, apo të ashtuquajturve intelektualë. Përfshirë akademikë dhe shkrimtarë të mëdhenj, aq sa edhe dashuritë e viteve 60 duhet të dominojnë rendin social të erotizmit bashkëkohor, ku lidhjet janë të shpallura dhe pa dasime klasore apo ngjyre. Ne kemi akoma profesorë që thonë se duhet të bëhet kështu si them unë, sepse kam lexuar më shumë se ty. Ndërkohë që një djalë me emrin Zukerman bashkoi njerëzit nga të katër qoshet e botës. Kemi akoma qeveritarë që flasin për progres, duke rritur borxhin. Kemi pushtetare që bëhen figura duke denigruar paraardhësin. Që flasin për rritje të ekonomisë, përmisim të kushteve të jetës, përmes prurjeve të emigrantëve. Pasi akoma nuk jemi futur në sistemin e pagës minimale, dysheme, tavan. Akoma e kemi të brishtë ndjenjën civile. Të qytetarit. Shikoni konfliktin më të madh, një pjesë dërrmuese e të persekutuarve vinë nga ish diktatura. Jemi thjesht yrra. Kështu edhe në çështjen e historisë. Në lidhje me mbretërinë, luftën, liderët dhe figurat e historisë. Dhe a e dini se përse ndodh e gjitha kjo. Nga shkaku i unit. Ne mund të kemi shumë cilësi të mira, shumë tipare, virtyte etj., por të gjitha na i mbyt pikërisht ky, uni. Akoma nuk duam ta kuptojmë se ka ardhur koha e një marrëveshje të madhe. Ku të gjitha palët duhet të pranojnë minuset dhe pluset e njëra-tjetrës. Nga ana tjetër, t’i njohin ato pak merita shoqi-shoqit.
Duhet të ndryshojmë konceptin, si të gjykojmë me, si të arsyetojmë. Gazetari ynë e quan tradhti ikjen e Zogut. Ndërsa historiani i huaj thotë, se, mendoj se nuk duhej të ikte. Nuk përmend fjalën tradhti. Kështu edhe për kryeministrat e këtij vendi, përmend vetëm arritjet. Jo, po nuk është ikje, është tradhti. Kështu sikur shumë historianë shqiptarë i quajnë vrasjet brenda shqiptareve zgjidhje revolucionare. Pavarsisht se atdheu është i të gjithëve. Ndaj ato çfarë konstaton Fisher, nuk janë deklarata. Por gjëndja pluskuese e paaftësisë tonë për të pranuar veteveten. Si i pari, i dyti, apo dhe këta më të fundit, janë pjesë organike e jona. Me të mirat, mënxyrat, paudhësitë, apo edhe tekat.
Thjesht, shumë thjesht. Ka ardhur koha për një pakt të madh. Dhe ky jo përmes Fisher-it, mes vedit.
Udhë e mbarë z/Kryeministër.. Ndihmoje SERBINE!
Nga Ilir Levonja/Florida/
Udhë e mbarë z/Kryeministër!
Vetëm vendet e Ballkanit dhe ato pas tij, nuk kanë kuptuar akoma asgjë se çfarë është demokracia. Dhe jo rastësisht problemet më të mëdha pluskojnë gjithmonë nga kjo anë. Çfarë ndodhi gjithë këto ditë, qoftë në Shqipëri apo Serbi, dëshmon qartë këtë. Por edhe një fakt tjetër, ne jemi entuziast më shumë se sa duhet. Diçka që I përket absurdit kolektiv nga koha e për zgjimin e ndërgjegjes së masave. Vigjilent dhe të pamëshirmësh në luftën e klasave. ndërkohë kur ai poeti provincial pëshpëriste me zë të ulët vargjet tashmë të famshme ”ku e dija unë I varfri/ se armiku ishim ne”. Pra vetvetja.
Gjithë këto ditë I kam pare me trishtimin më të madh. Si unë edhe serbët me të cilët jetoj e punojë. Njëri nga ata, trupkaba, më tha midis të tjerave se, nuk vumë dhe zor se vëmë mend ne.
Në kor beteja e studiove televizive. Nuk e di se sa patriot është, sa luftëtar në front, aty ku digjet baruti, fjala vjen, Reis Çiço. Nuk kam asgjë me ‘të, e solla thjesht si shembull. Pasi kam pare kaq shumë patriotë këto ditë, sa sikur vërtet të fitoheshin betejat me entuziazëm. Ne do të kishim ngjallur perandorinë Ilire, ose Epirin e Pirros, brenda pesëmbëdhjetë ditëve.
Sinqerisht është një vënie në dukje, e mire, jo për tu fyer. Unë jam pjesë e juaj. Nuk mund të fyej. Do fyeja veten.
Një tubim në heshtje do I bënte më shumë efekt vendeve tona. Do I jepte frymëmarrje realitetit. Mendoj se në këtë aspekt, ai pak nacionalizëm I mbrapsht, I pretenduar, tërë këto ditë rifitoi territor më shumë se demokracia e Amerikës. Nuk ngeli miss, showgirl pa u armatosur. Ndërkohë kur një vajzë, një gazetare profesioniste me emrin Erisa Zyka, vetëm me tre pyetje bëri më shumë se milionat e korit nacionalizëm.
Diçka për Kryeministrin. Në të njëjtën kohë për suferinën e brohoritjeve.
Duhet të shkosh zoti Kryeministër. Ndihmoje Serbinë. Këtë e kam theksuar disa kohë më pare, kur në burgjet e Greqisë, masakrohej një shqiptar. Atëhere u drejtohesha njerëzve, ndihmojeni Greqinë. Ndofta duket vërtet me rrugën e Krishtit, por edhe nënë Tereza, që e deshi aq shumë Jezusin, bija e jonë ishte. Me rrugën e Jezusit eci. Derisa mburremi me ‘Të. Eshtë e udhës të bëjnë si ajo.
Ndihmoje Serbinë zoti Kryeministër. Sidomos nga makthi i prezencës së Shqipërisë së Madhe. Po ta mbyllën derën, prapë, je ti Fitimtari.
Para nisjes për në Beograd
Nga Ilir Levonja/Florida/
Në shkurt të këtij viti, shorti na vuri përballë Serbinë. Midis të tjerave mbaj mend ekzaltimin në lidhje me frymën nacionaliste. Përtëritjen e urrejtjes, apo dhe deklaratat e tipit të Kreshnik Spahiut. (Ashtu si sot, kur që herët në mëngjes i bën thirrje Kryeministrit të mos shkojë në Beograd.?.) Atë kohë 14 tetori dukej larg. Ndofta nga kjo u ndez edhe fushata e strategjive të mbrapshta. Vrulli bosh, etj. Bëra edhe unë një shkrim (statut) në lidhje me këtë realitet. Ideja ishte tek intriga e deklaratave me frymë nacionale, nga koha e shkuar, përballë një realiteti krejt ndryshe. Theksova se fitimtarët jemi ne, jo serbët. Kjo e gjitha nëse do ta shohim në kushtet e realitetit të sotshmën. Ndaj na takon të sillemi si të tillë.
Më poshtë po e risjell, edhe një here, për koiçedenca të tepërta, në lidhje me rritjen e tonit nacional. që po has në faqet e shtypit tone. Pikërisht para nisjes për në Beograd.
……..
Thjesht, Futboll
Më 14 tetor 2014 Shqipëria do të ndeshet në futboll me Serbinë. Kjo në kuadrin e eliminatoreve të Europianit 2016, në Francë. Qysh prej shortit, të dielën më 23/2/2014, kjo ndeshje futbolli është bërë temë e ditës. Ka shumë ethe, shumë strategji, shumë paraimagjinata, aq sa nuk shfleton dot një web këtej dhe andej Ballkanit. Megjithëse, e thënë thjesht, është një ndeshje futbolli. Të paktën nga njëra anë ka sfumuar finesën sharlatane të politikanëve. Edhe pse është pikërisht kjo e fundit që ka çuar në një lloj imazhi të frikshëm midis qytetarit shqiptar dhe atij serb. Pra, politika. Sidomos që nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, u forcua me ngritjen e blloqeve, kultin e individit, deri sa na shkatërroi, dogji, vrau, shfarosi, zhvendosi nën dritën e rënies së murit të Berlinit. Në të njëjtën kohë është e çuditshme se si deri dje shorti na shmangte. Sikur diçka misterioze i largonte këto dy vende, sikur i ruante. Ndofta ka patur ndeshje klubesh, them ndofta nga që nuk kam informacionin e duhur në lidhje me takimet sportive. Mbaj mend vetëm edicionin ’87-1988 kur Flamurtari i Vlorës eleminoi Partizanin e Beogradit nga kupat e Europës. Edhe sot e kam të gjallë atë gol të Sokol Kushtës, por edhe mbylljen e trishtë të regjisë televizive me një buqetë lulesh hedhur në barin e fushës. Atëhere, dukej sikur ndesheshin dy botë amorfe alienësh. Jetonim atmosferën me dritë të pakët të yjeve, jo të lirisë. Tani shorti i një kohe tjetër. Na vuri përball. Një sprovë e madhe. Sepse deri pikërisht kësaj dite, trajta e ajrit midis shqiptarëve dhe serbëve ka qënë me përmbajtje jashtëzakonisht të lartë inkadeshente. Duket se tani është ujëzuar disi, në kuptimin kohor. Në një prove të re shqiptarët dhe serbët. Short inatçor, ku në fund të fundit u thotë njerëzve se, jepini kuptimin jetës, tregojini se sa e vlerë dhe e vërtetë është të jetuarit në liri. Qytetaria, bashkëjetesa, etj. Mirëpo jashtë të gjitha këtyre, në kuadrin jetësor ka një tjetër panoramë. Shqiptarët dhe serbët vërejnë se kanë kaq shumë të përbashkëta midis tyre aq sa habiten me historinë. Flasim për qytetarin e thjeshtë, atë që përbën shumicën. Kemi të përbashkët nervin, gjaknxehtësinë, tundimin nga fjala e dhënë, konceptin për mikun, ruajtjen e shpatullave etj. Por sidomos rakinë. Unë përshembull kam vite që punoj me serbë, këtu ku jetoj. E kam trajtuar edhe më përpara raportin e marrëdhënieve ballkanike në dheun e huaj. Me serbët kemi një afrimitet dhe kujdes gati kontraversal me atë realin në Ballkanin tonë perëndimor. Nuk e di përsenë, përpiqem, ose më saktë kam kohë që dua ta kuptojë pse. Ndofta janë pikërisht tiparet e përmendura më sipër. Kam këtu Gordanën nga Beogradi. Më tha një ditë se byrekun e kemi mësuar nga ju, nuk e njihnim. Një nuse e kushëririt, nga Prishtina, ajo na e mësoi. Pastaj flasim për gatimet e tjera, sarmën, apo lakramen me mish të grirë e oriz, shlivovicën e tyre, (nuk bën vaki të mos më sjelli një shishe të tillë sa herë që shkon në Beograd) dhe rakinë e rrushit tone. Mallin e saj për konjakun Skëndërbeu, të Korçës. Ndihmojmë njeri-tjetrin, e presim e përcjellim në aeroport. Dhe nuk na vjen mire kur na shenjojnë me gisht të habitur, serbë e shqiptarë?! Flasim edhe për historinë, politikën ndër vite të Ballkanit tone. Eshtë thjesht një ndeshje futbolli, e tillë duhet trajtuar. Më shumë se serbëve u ka dhënë shqiptarëve një shans historik. Fitimtarëve! Një komb, një kombëtare.
Kim Jong-ët tanë
Nga Ilir Levonja/Florida/
Edhe pse ditë me zhurmë, këtu në skajin më të largët, prapë e mbaja kokën prapa. Te shtypi, të rejat, statutet e miqve në fb etj. Kështu edhe sot. Pikat e nxehta vlojnë në disa çështje. Çmimi Nobel? Kadareja, shëndeti I Ramës, sidomos I Metës, ndeshja me Serbinë etj. Thua se e fituam Danimarkën nesër?! Ngërçi politik I Kosovës etj…, ja edhe së fundi shëndeti I Kim Jong-ut (Kim Yong) në Korenë e Veriut. Paralel, me dhjetra statute për mungesën e energjisë elektrike, këtë gangrene shqiptare. Si edhe revanshi I videove të fshehta, me skandalet e radhës. Sidomos ai I Libonikut në Korçë, kryetari me rripin pantallonave që ndiqte nëpër zyrë një grua shtatëzënë?! Në të njëjtën kohë, përmatanë derës, prisnin në radhë qytetarët. Takimet formale, pritja e popullit.
Megjithatë fjala është për Kim Jong-un e Koresë së Veriut. Diktatorin 31 vjeçar. Çfarë po ndodh me ‘të. Përse nuk po shfaqet në publik. Po afron edhe përvjetori i parties. Që dreqi e mori, përkon me shumë përvjetorë edhe aty, në Shqipërinë time.
Para disa kohëve një nga revistat më të zëshme people, fliste për jetën e babait të tij. Kim Jongut ii, tekat më ekstravagande ishin flutrimet e avionëve presidencial për haviar në Siberi. Por edhe për konjak francez , deri në Paris, pikërisht nga krahina Charente. Vendlindja e konjakut. Për purot speciale. Dhe shumë gjëra të tjera nga bota rozë. Dhe e gjitha kjo, në mbikqyrjen e një kujdestari amerikan. Armikut më të madh. Kurse tani I biri, nuk ka se si të ndryshojë tekat. Janë pjesë e ritit të familjes.
Ai është i marrosur jo vetëm pas Francës, por edhe Zvicrës. kryesisht për djathin e butë. Atë që e sevirin të tretur e të ngrohtë. Më kalorikun.
Nga ana tjetër Koreja sot, është vendi më I izoluar. Me një varfëri të skajshme, me luftën e klasave më të egër. Mjafton të futesh në google dhe do shohësh, se portetet, fytyrat, lëkurat e njerëzve, I gjen në webin Shqipëria e viteve 80. Rreshkjen, athtësinë e lëkurës.
Unë nuk jam kundër kënaqësive. Ato janë pjesë e jetës. Por kur këto I bëjnë udhëheqësit, njëshat, kanë tipare monstruoze. Sidomos për vendet ku të ardhurat për frymë janë nën minimunim e jetesës . Në vëndet ku akoma flitet për rritjen e mirëqënies. Përmisimin e kushteve të jetës. Dhe jo në vendet ku flitet se si të mbrohemi nga mirëqënia.
Në Shqipëri kemi plot të tillë. Borxhlinjë, dhe festojnë ditëlindje faraonësh.
I votojmë. I bëjmë udhëheqës.