• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vend i dhunshëm

July 16, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA-Sa herë që përpiqesh t’i qasesh Shqipërisë, ndjen se nuk ngopesh me frymë. Eshtë një kohë absurde, ngjyrë gri, me pluhur dhe normal që mungon oksigjeni, normal që nuk ka se si të ngopesh me frymë. Eshtë një kohë makute por që njerëzit e vallëzojnë me qejf aq sa edhe pandemisë ia kanë hedhur me tangarllëkun duke i mbajtur maskat në gushë. Me maska në gushë intervistojnë, me maska në gushë ecin, kuptohet kush e posedon, me maska në gushë komunikojnë kur janë nën hije, në një tavolinë bistroje etj. Dhe kur një gazetare e pyet një kalimtar në rrugë në lidhje me maskën dhe distancimin social, ai si kapadai i përgjigjet, ça virusi? Ku është virusi? Eshtë një zagushi e tmerrshme na dallon së largu e na bën ishull. Jemi mendje më vete aq sa askush nuk e kupton dot se përse u mblodhën kaq ditë, lart e poshtë, hyrë e dil tek selitë e Amerikës dhe të Komunitetit Europian vetëm e vetëm të arrinim një marrëveshje politike si ajo 5 qershorit 2020. Tre vjet i kundërshtoi listat hapura babai i absurdit, sot i do se i ”dhimbset” populli. Dhe ajo që akoma më vapë Shqipërinë tonë, është fakti se pikërisht ushtria e analistave kundër listave të hapura sot është promotorë e tyre. Vapë Shqipërie që kurrë nuk e kuptuan se çfarë domethënie ka të ecësh përpara. Vështrojeni Maqedoninë e Veriut, sapo i mbaroi zgjedhjet, në kushte të jashtëzakonshme madje. Asnjë debat absurd se çfarë duam të hënën nuk e duam të martën. Se çfarë duam të martën nuk e duam të mërkurën. Asnjë debat absurd mbi emra dosjesh, se kush dhe kush ka qënë spiun i shërbimeve të huaja a sigurimit të shtetit. Vetëm ca video që flash erdhën e ashtu shkuan. Dhe aq. Dhe ta kujtoni që Zaevi dha dorëheqjen për atë që ai nuk e bëri të mundur çeljen e negociatave me Komunitetin Europian. Palloshi jonë ia vuri fajin Francës, ashtu edhe shqiptarët. Dhe sot i ka kthyer prapë ata në konflikt të hapur po me Europën. Shikoni Kosovën, e ndërroi për pak orë qeverinë dhe brenda një lufte të vështirë me covid-19 po shkon përpara. Kurse Shqipërinë nga ta kapësh. Një ndërmarrje e degraduar absurde se kush ka dhe kush nuk ka të drejtë. Një vend i tëri i marrë peng. Një vend më komunist se etërit. Një vend peng edhe i listave, i pleqve me cullufe që ngasin biçikleta barby. Një vend i mbytyr nga mushamaja, i cili rrënon teatro, por jo shtëpitë me gjethe. Një vend që zhduk hekurudhat megjithëse 30% e shoqërisë disponon mjete personale dhe ua kërkon bashkimin kombëtar botës. Një vend që ka 7 vjet për një reformë në drejtësi dhe që merr rezultate duke dënuar me burg ata që nuk paguajnë energjinë. Jo ata ata që i shkaktojnë dëme financiare deri në miliona euro. Një vend më komunist se komunizmi që ata pretenduan se rrëzuan. Një vend që askush nuk e lë karriken po nuk i hoqe zvarrë në shesh. Vend i dhunshëm. Dhe ky që është në krye vetëm me dhunë ikën. Hiqeni nga mendja se ka rrugë tjetër. Dhe lum kush e kupton në kohë po për të mirën e vendit dhe të shqiptarëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, vend i dhunshem

Ndryshimin nuk vjen me Jozefinën, Gencin, Ridvanin…

July 11, 2020 by dgreca

…Opozitarizmi duhet t’i tregoj vendit parametrat shëndetësor realë të demokracisë perëndimore. Sepse edhe për pak do jemi përfundimisht një republikë e varur Perandorisë Otomane të Erdoganit.

NGA ILIR LEVONJA/

Në këto shtatë vjet opozitarizmi nuk ka patur asnjë afrim nga gjaku i ri. Nuk ka patur si prurje asnjë emër të ri, asnjë djalë a vajzë të re. Asnjë maturant a student të sapo diplomuar. Të gjithë kanë firuar. Kështu i bie deri sa konceptin e hapjes e përmbushim me lutjen për afrimin e Jozefina Topallit a Genc Rulit, Ridvanit etj. Mbase edhe me një kandidim të ri të Sali Berishës. Asnjë intelektual nuk ka qenë i ashpër me pushtetin. Të gjithë kanë që pro regresit kolektiv të ekonomisë shqiptare. Të gjithë kanë qenë pro degradimit deri aty sa shifra e borxhit publik kapi tanimë plot 80% të prodhimit të brendshëm. Pa dyshim që fatura e fundit prej 100 milion eurosh që shteti i shqiptar i detyrohet një biznesmeni të huaj, ndikoi në kolaudimin e shifrës. Dhe si gjithmonë gjykatat e vendit nuk do kenë asnjë emër për dëmin financiar të shkaktuar shqiptarëve. Asnjë forum opozitar nuk ka funksionuar në evidentimin e prurjeve kësisoj duhet t’i lutemi Jozefinës se kjo quhet edhe hapje. Duhet t’i lutemi madje edhe ndonjë tjetri që ashtu si Jozefina nuk shikonin asgjë tjetër por veç protokollin e partisë në opozitë. Ndofta është nga rekordet më iluminate që në 7 vjetë qeverisje skandaloze të Edi Ramës, Jozefina shikonte dhe gjurmonte vetëm Lulin. Kështu edhe plot prej tyre. Kësisoj i takon të ofrohet e madje t’i japim edhe mundësinë e kandidimit, ta bëjmë deputete, a kryetare kuvendi. Pasi gjatë 8 viteve të saja nuk bëri asgjë tjetër veç rregulloi tarafin e vet. Arriti atë sukses madhështor të së djathtës sa në dimrin e 2012 emëroi të dashurin e vajzës në ambasadën shqiptare në Paris. Po ja që sot erdhi koha që pozitarizmit i duhet Jozefina dhe ndonjë tjetër. Megjithëse opozitarë të thekur të opozitarizmit, jo të qeverisë, prapë ata duhen. Nuk ka këmbë rioshi apo riosheje që t’i zëvendësoj. Eshtë tragjike të mendosh kështu. Kërkush tjetër veçse këtyre emrave nuk e ka detyrim t’i përgjigjet të djathtës sot, veç me votë ama, se, këta. Kërkush? Këta e kanë rrjepur dhe për më tepër kanë gatuar kulturën e të pa zëvendësueshmit, të pa riciklueshmit. Atë kulturë që kur jam unë në krye gjithçka është normale, kurse kur nuk jam unë, çdo gjë është e zezë. Po u them opozitarëve se do jeni më të fituar pa ata se me ata. Sot dështimi shqiptar u vulos që ke konflikti i fundit mes kryeministrit me ambasadat e huaja në lidhje me sistemin zgjedhor. Dhe ajo që është më e habitshmja është vrulli i propagandës së majtë për dashurinë e papritur të Edi Ramës mbi listat e hapura. Një lider që deklaron publikisht, para kamerave, para anëtarëve të partisë se, kush nuk voton si them unë përjashtohet nga partia, nuk ka se si të jetë për listat e hapura. Eshtë një qasje e pa sinqertë, sa për të futur në amulli shoqërinë. Ky konflikt dëshmoi edhe faktin tjetër, atë që Edi Rama nuk e do as reformën në drejtësi. Ai luajti ashtu për t’u hedhur hi syve ambasadave, pasi është po aq kontingjent i drejtësisë sa edhe ata që ai akuzon. Kjo ka domethënien që janë orët e fundit të Ramës, kësisoj hapja duhet të jetë jo për fitoren, pasi ajo është vulosur, por për demokratizimin real, konkurrencën e vlerave etj. Nuk mund t’i lutesh një llapallapaje kur vendi ka nevojë për energji të reja se sa emra të kalçifikuar në gjoja meritokracinë demokrate. Eshtë ajo kohë që edhe kunguj të varësh në gardhet e votuesve, karshi Ramës, kungujt do të fitojnë. Por opozitarizmi duhet t’i tregoj vendit parametrat shëndetësor realë të demokracisë perëndimore. Sepse edhe për pak do jemi përfundimisht një republikë e varur Perandorisë Otomane të Erdoganit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, nuk vjen me Jozefinen, opozitarizmi

Luksi shqiptar për tu marrë me Koliqin dhe Camajn

July 7, 2020 by dgreca

Shkruan: Ilir LEVONJA/

Në vjeshtën e vitit 1941 me vendim të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nisen drejt Kosovës rreth 200 normalistë. Qëllimi hapja e shkollave shqipe, konsolidimi i gjuhës sonë. Njeriu që vendoi quhej Ernest Koliqi një shkodran race e për më tepër anëtar i lartë i një prej Universiteteve më në zë të Europës, si La Sapienza në Romë. Ai i përkiste një qeverie nën Italinë pasi Shqipëria ishte e pushtuar. Ndofta është një nga ndërmarrjet më të vyera pavarësisht faktit se kujt i përkiste kjo qeveri. Por është tmerrësisht e vështirë të kuptohet në Shqipërinë e mendjeve të indoktrinuara. Dhe as ka për tu kuptuar pasi mentaliteti social tek ne është o mendon e bën si mendoj e bëj unë, o je armik i popullit. Pavarsisht se çfarë mendon populli për ty, prapë ti je armik i popullit. Megjithëse po t’i referohesh kohës qeveritarë shqiptarë në qeveritë e varuara ka patur edhe para Mbretërisë, deri në Perandorinë Otomane. Madje kjo operonte e sundonte me ta aq sa pashai a pashallëku është akoma një obsesion në mentalitetit e burrit shqiptar. Por në konceptin bolshevik pushtimi fillon kur ata morën pushkën e dolën malit të luftonin për liri. Dhe kur u intereson atyre nuk do ta kenë për gjë të nxjerrin agjent edhe vet Ismail bej Vlorën a Isa Boletinin e Mitrovicës. Nga ana tjetër e quajnë teze Merkelin, kancelaren e Gjermanisë, si e si të futen në Europë, ndërkohë që rrëmojnë arshivat e shpallin tradhtarët, dezertorë, bashkëpunëtorë të gjermanit deri korifejt e letrave dhe mendimit si rasti Koliqi e Camaj. Megjithëse duhet thënë me zë të lartë që është në strategjitë e tyre të shpikin skupe e të zhysin në të njëjtën kohë cilin do, mjaft që të heqin vëmendjen nga dështimi i tyre. Dhe ja kanë arritur mrekullisht. Gjithë shtypit shqiptar është i përfshirë në një përplasje brinjësh aq sa vetë Ernest Koliqi dhe Martin Camaj do qeshinin po të ishin gjallë. Dihet botërisht që inteligjenca është viktimë e parë e sistemeve diktatoriale. Shqipëria nuk bëri përjashtim. U shpallën armiq deri vet komunistët e kulluar siç edhe është rasti i Petro Markos. Apo Sejfulla Malëshova e plot të tjerë, deri vonë, në të gjitha fushat. Madje shumë prej tyre ndërruan jetë të hidhëruar nga grabitja e partisë a e bindjeve tek revolucioni i masave, si rasti i gjeniut të skenës Kujtim Spahivogli etj. Në fakt ka kohë që ringjallja komuniste po ngre zërin deri për të drejta civile, për gjoja grabitjen e pronës private siç edhe bëri pak ditë më parë djali i ish diktatorit Enver Hoxha. Kurse Petro Markon e degdisën burgjeve vetëm sepse nuk pranoi të futej në një shtëpi të konfiskuar një civili, një qytetari me profesion inxhinjer. Dhe normale, e drejta njerëzore, mirëpo për djalin e Enverit që degdisi e surgjynosi thuajse një qytet me njerëz, bëmat e babait janë legjitime pasi ashtu ishte koha. Kjo ringjallje komuniste e suportuar nga rilindja, vetëm dje publikoi një paçaure me 3 faqe mbi vrasjen e 67 qytetarëve nacionalistë në Golem të Lushnjës, nga Mehmet Shehu me pretekstin se ata kishin armë në dorë dhe bashkëpunuan me armikun. Tre faqe me argumenta e materiale arshive si e si të spostojnë një datë, si e si të nxjerrin bashkëpunëtor me armikun vëllain e gjakut. Si e si ta quajnë normale vrasjen e 67 mendjeve ndryshe, atë që sot nuk ka këmbë të gjalli që nuk e ka dëgjuar postulatin prindëror se, derr bëhem dhe komunist jo. Kanë kohë dhe jo rastësisht, mbulojnë dështimet e halldupit të tyre. Si Koliqi dhe Camaj janë sot pjesë e programeve mësimore në tekstet e mendimit dhe fjalës shqipe. Dhe me meritë. Po ringjallja komuniste nuk duron dot këtë dhe me një gur vret tre zogj, ne, memorien tonë të vlertë, kohën tonë. Do thoni ju ja kanë dalë, sigurisht që po pasi sot çdo faqe personale në internet po merret me faktin a janë agjentë Koliqi dhe Camaj. Një luks shqiptarësh që djegin energjitë me korifejtë e tyre, ndërkohë që ringjallja vë monopol përmes tenderave, rrit borxhin publik, çon vendin në degradim total. Dhe kanë të drejtë se kanë gjetur. Ne nuk u ndamë me komunizmin siç e kërkoi koha, përkundrazi i pranuam pavarësisht kufomërisë së kampeve të riedukimit që i kemi gjithandej.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ernest Koliqi, Ilir Levonja, Koliqi

Një tren ekspres nga Tirana në Prishtinë

July 5, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/
Zakonisht konferencat për shtyp midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë qenë një retorike boshe me tendenca patriotike. Pala e shqiptarëve të Kosovës vinin gjithmonë me mallin e dheut amë dhe i shikonin shtetarët e tij me një konsideratë po patriotike. Pala e dheut amë me një lloj vetëmbushje sikur kishin arritur gjithçka megjithëse rekordet i kanë totalisht negative. Kësisoj nënshkruanin bosh ca marrëveshje, madje me kabinete qeveritare duke i mëshuar propagandës pa e kuptuar asnjëherë se plaga kombëtare nuk mbushet me llafe, pompozitetin e ngjyrës së kuqe dhe me portrete baballarësh që ua kanë bërë në kokë me kohë. Ndofta ishte i vetmi rast ky i kryeministrit Hoti, i cili foli për herë të parë jashtë kësaj logjike për tri projekte tepër domethënëse. 1) Doganë për shtetin e Kosovës në Durrës, 2) një hidrocentral që të ndihmojë shqiptarët atje me energji elektrike, 3) për një linjë hekurudhore mes Tiranës dhe Prishtinës. Megjithëse është kryeministri i një qeverie më te ulët në përqindje, nga votat e shqiptarëve të Kosovës, për më tepër i vëzhguar nga një hije me bastun etj., më fatlodhuri nga pandemia ai doli nga kjo faqe propagande protokollare që kanë bërë deri më sot shtetarët. Diçka i ndrojtur ai vuri theksin në tri pika të forta që pa asnjë diskutim janë hapat e duhur të unifikimit të shqiptarëve. Ai i përmendi me droje pasi kreu i shtetit amë ishte më shumë i frustuar në një akuzë prokurori a në Gjykatën Speciale karshi Presidentit Hashim Thaçi. Një lloj bjerrje pështymash si me Makronin dhe Francën në kohën kur ajo vuri veton për mos çeljen e negociatave me Shqipërinë. Sado të përpiqet Rama të luaj me ndjenjën kombëtare duke i bërë presion Gjykatës Speciale, ai nuk ka për të fituar asgjë politikisht. Përpos kësaj as shqiptarët tashmë robër të dy shteteve të cilët jo që nuk po unifikohen por as shenjat a piketat nuk kanë vendosur. Dhe kjo jo për faj të tyre, por të lidershipit pjellë e propagandës që veç karrikes së vet nuk ka asnjë hall tjetër. Çirret apo nuk çirret Rama, shkon apo nuk shkon në Prishtinë, Thaçi do paraqitet në Gjykatë. Madje do bënte mirë që të jepte dorëheqjen, siç kanë bërë edhe funksionarë të tjerë të shtetit të Kosovës. Por jemi tek kryeministri në detyrë Hoti, tre projektet e tija që ua kërkon qeverisë së shqiptarëve në dheun amë. A duhet Shqipëria t’i japi një zonë të lirë doganore. Përgjigja është pse nuk ia ka dhënë? A duhet të ndërtohet një hidrocentral për shqipëtarët e Kosovës? Përgjigja është pse nuk është ndërtuar? A duhej sot një tren ekspres bilës të lidhte Tiranën me Prishtinën? Përgjigja është pse nuk është ndërtuar? Dhe ajo që është më naivja, në gjithë këto ditë më shumë janë marrë me nervin karshi institucioneve të Europës se sa me 3 kërkesat e drojtura të Abdullah Hotit. Madje edhe sot e kësaj dite palët janë në një retorike të ashpër se sa në projektet konkrete të Abdullah Hotit. Ai që thotë se edhe fondet i ka dhe se në vjeshtë mund të filloj puna. Por jo, si gjithmonë fiton naltgjatësia me veshjet demode, me llogjet. Imagjinojeni një tren ekspres Tiranë – Prishtinë? Kuptojeni se projektet e Europës për lëvizjen e lirë të shqiptarëve a për çeljen e negociatave, lufta e ashpër karshi tavarishëve stanjacionistë, janë monella fallco. Jeta jonë reale aty fillon tek ato sirena lokomotive, për në Tiranë, për në Prishtinë, Durrës etj. Se vendi nuk unifikohet me fjalë, por me projekte konkretë, me ekonomi dhe lëvizje të lirë brenda për brenda vedit.
5 korrik 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Prishtine-Tirane, Treni ekspress

Krimi real i shtetarit tonë

June 25, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/ Ajo që po ndodh mes Hagës dhe shtetarët e Kosovës, ndofta do i kthjellojë shqiptarët kudo ku ata jetojnë. Të shpresojmë se do ndodhi vërtetë kështu. Por ne zakonisht jemi më shumë zhurmëtarë, ndaj edhe sot shikon një solidaritet gati vullkanik në anën e presidentit Thaçi dhe ish krye parlamentarit Veseli apo luftës së UÇK-ës. Të shohim në ditët në vazhdim shenjat aq shumë të pritura të pjekurisë së shtetarit të domosdoshëm për një vend të lodhur nga koha, si Shqipëria natyrale. Ky lloj solidariteti gati i shfrenuar do ishte mirë të zëvendësohej me normalitetin e respektit reciprok karshi njëri-tjetrit. Pra që më përpara, më herët. Madje pa barrierat bajate me palë paralele duke shkelur mbi shqiptarët dhe dheun e tyre Shqipërinë natyrale. Por nuk e kanë bërë, ndaj sot janë kthyer në zhurmëmëdhenj të një gjoja solidariteti karshi dy emrave. Të gjithë njëshat po flasin në emër të shqiptarëve ndërkohë ku më të qelbur se Haga janë ata që i kanë poshtëruar aradhën e gjakut të tyre. Nga njëra anë them mirë që u goditën tani se ndofta do mësojnë arsyet se përse janë kaq të kollajshëm për t’u ngrënë. Dhe do ndryshojnë, por më ngec në fyt ajo mendja e mirë. Si shumë shqiptarë e kam humbur edhe unë besimin tek kjo klasë politike. Për më tepër kur ndjesia virtuale e ktheu një kryetar partie në Prishtinë, një lloj Drakule me bastunin magjik. Një vemje e ftohtë, verdhacuke që për shkak të shëndetit të lig jo vetëm ecën ngadalë e nuk qesh fare, por të dërrmon me bastunin e tij. E si mund të qeshi vendi pastaj. Nga ana tjetër më duket sikur po bëjnë propagandë dhe nuk janë siç edhe nuk kanë qenë historikisht të sinqertë me popullin e tyre. Eshtë naive të mos e kuptosh se jemi viktima të një konflikti mes Europës dhe Amerikës. Kur them që e kanë shumë lehtë për të na goditur kam parasysh stanjacion tonë për shkak të grindjeve të vazhdueshme mes veti. Të një korrupsioni katastrofik sa mund të themi me plot gojën që demokracia jonë është një demokraci vunerabël. Them vunerabël për shkak se gjithçka është subvencionim i huaj në formën e grandeve, donacioneve por edhe kredive të buta. Kundër kujt Hage e ngrini zërin, kur pak muaj më parë u shqyet nga borxhi që u dhanë për tërmetin e 26 nëntorit. A për lëmoshat e pandemisë. Hagën nuk e krijoi kusht tjetër por Europa. E kanë shumë lehtë për të na goditur për shkak se, në njëqind e tetë vite shtet, prapë jemi të dobët dhe plot dasime. Le t’i referohemi aktualitetit, aktualisht Kosova qeveriset me një përqindje minimale, një minimale historike që do mbahet mend. Pra qeveriset nga kulisat jo nga vota. Nuk shkoj në zgjedhje, në atë që quhet mundësia e sovranit, por veproi si donte bastuni. Iu bind bastunit kur duhej të shkonte në zgjedhje të reja. Shkarkoi publikisht një kryeministër, një krye parlamentare. Tani Europa dhe influenca sllave e shtrëngon të shkoj në Washington pa presidentin e vendit. Pak më poshtë një Shqipëri pa kuvend, me pushtet lokal monist pra jo funksionale veç pordhëve të propagandës, traut të rrugës së kombit etj., nuk ka se çfarë i ofron. Ose i ofron Peter Handken, nobelistët kundër shqiptarëve ata që derdhën lot në arkmortin e Millosheviçit. Kësisoj le të themi më mirë që na godasin se mbase do e kuptojmë më në fund se liria që kemi është më shumë se e çmuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: i shtetarit tone, Ilir Levonja, Krimi real

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT