Ajo që e bën Turqinë një investitore kryesore në Shqipëri, është politika oligarkike e Erdoganit. Ndofta askush tjetër nuk është më i lumtur se ai kur midis Shqipërisë dhe Greqisë fqinje ka plasur një skandal financimesh të fshehta rreth portaleve dhe ojqve shqiptare. Një politikë tashmë e vjetëruar kjo që ka origjinë të hershme. Megjithatë është pozitive kur skandalin e demaskojnë mediat e vendit fqinj. Dhe kjo e kuptueshme pas reçensionit ekonomik që Greqia provoi pak vite më parë. Sado të çirremi sysh me njëri-tjetrin, me atë frymën gjoja patriotike, sot është e dallueshme për sytë e mijra qytetarëve të të dyja palëve se sa butaforike është lufta e intrigave karshi globalizmit. Por jemi tek Erdogani, ky sulltan modern që po përpiqet të infektojë rajonin me islamizmin radikal dhe para kallpe. Kjo duket sheshit kur një ministër i jashtëm i kërkon publikisht ose urdhëron një shtet sovran në lidhje me gylenistët, pra për dorëzimin e tyre në Turqi. Nuk e di se e kuptuan qytetarët këtë. Se si e suportuan. Megjithëse në dukje ministri ynë ia priti flakë për flakë. Por është zjarr butaforik, fallco kur mendon se sa entuziazëm transmetojmë karshi një aeroporti me lira turke a një linje ajrore me një boeing nga shoqëritë e Anadollit. Në fakt deri diku ai (Erdogani) ka fitur pasi sipas të dhënave rezulton se sot investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, janë ata nga Turqia. Një beteje u humbur kjo e shqiptarëve të cilët edhe pse adhurojnë e jetojnë në Perëndim, me shumicë dërrmuese, kanë hapur dyert kanat’ për bizneset e Anadollit. Për radikalizmin fetar islamik, aq sot me të drejtë shumë prej nesh mbledhim supet dhe pyesim shoqi shoqin, a je mysliman shqiptar apo mysliman turk? Janë të gjitha investime me tendencë, me strategji për kthimin në zonat e sundimit të dikurshëm që Anadolli po përpiqet ta rimëkëmbi. Një epokë që të dhëmb koka kur e mendon, sidomos për ne shqiptarët që akoma e kemi gojën plot me turqizma. Mirëpo ne i vërsulemi tjetër kujt, si në rastin konkret Greqisë! Harrojmë Perëndimin edhe pse nipërit e mbesat tona shkëlqejnë në shkolla, skena e ekrane. Dhe demonstrojnë vetveten, dheun, amësinë. Nuk i vërsulemi Turqisë, një ministri që na urdhëron me mendësinë e kajmekanëve bash në mes të Tiranës, sikur të flasi nga pragu i portës së lartë. Jo Turqisë, ajo na dha një avion. Ai fluturon Tiranë Stamboll, nga lindja, andej nga e ka origjinën edhe robëria jonë.
Ai heroi i Francë dhe ky heroi jonë
Nga Ilir Levonja/
1) Mamoudou Gassamas, një emigrant afrikan, Republika e Malit një ish koloni franceze, në 26 maj të këtij viti, i shpëtoi jetën një fëmije 4 vjeçar që rrezikonte të binte nga ballkoni. Ngjiti për 30 sekonda 4 kate, me nervin e instiktit, si e si të shpëtonte një jetë njeriu. Sot ai njihet ndryshe edhe si njeriu merimangë, apo i famshi Spider Man (super heroi) i krijuar nga Stan Lee dhe Steve Ditko më 1962. Ai super hero që sot dominon fantazinë e brezave në miliona versione filmash të të gjitha llojeve zhanrore. Mamoudou Gassamas, apo shqip Mamuduja, një emigrant rrugësh e realizoi super heroin në sytë e publikut, pa ndihmën e teknikës dhe të tjerave, thjesht nga instikti. Fal kohës, ku gjithkush disponon një kamera, u bë e mundur që aktin e tij ta shohim të gjithë. Megjithatë çfarë ishte e rëndësishme, qe reagimi social në nivel bashkiak e qeveritar. Ku Mamuduja mori të gjithë titujt e mundshëm të nderit, madje nga dora e vet presidentit të Francës. Madje ishte vet ky presidenti, Macron, i cili i tha publikisht që Franca e ka për nder të të ketë qytetarin e saj. Mendojeni si si tingëllojnë këto fjalë përpara një emigranti gomonesh, a trailerash, të cilët me borxhe, pa buke, pa ujë etj…, marrin rrugën e emigrimit. Por ky është emigranti, heroi. Dhe ndofta shumë prej nesh kujtojnë fgjithmonë jalët e një futbollisti bashkëkohës, katalanas si Injesta, kur cilësimit të gazetarit se ai ishte hero, iu përgjigj. Unë hero? Mendoj se vetëm argëtohem. Argëtoj veten dhe të tjerët. Por hero është ai baba që emigron si e si të përmisojë jetën e fëmijëve të tij…
2) Ndodhi dhe në Shqipërinë tonë një shembull i tillë…, pavarësisht se natyra rreth nuk kishte një kamera të na e tregonte. Mirëpo ndodhi. Ekziston edhe aty një Mamudu që Zoti e kish çuar të peshkonte atë ditë. Një Mamudu zë ulët, që kish bërë edhe ndërhyrësin e ndihmës së shpejt, edhe qytetarin duke telefonuar policinë etj. Por ndjeshmëria kolektive është e prirur tek ububuja. Gruaja a nëna që tentoi të mbyste fëmijët e saj. Dhe u duket një fantazi e shfrenuar që u kënaq logjikën personale, rrëfimi i saj për keqtrajtimin. Atë që i shoqi e keqtrajtonte dhe asaj i bëhej sikur rriheshin edhe fëmijët e saj. I bëhej një botë e mbrapshtë nga e cila ajo donte të shpëtonte vetveten dhe fëmijët. Nuk kemi lënë gjë pa thënë për ‘të, megjithëse nga ana tjetër themi që atë që ta bën fëmija nuk ta bën as perëndia. Por ne gjykojmë në kokë, nuk gjykojmë me krahë marrje, gjerë. Megjithëse katërçipërisht jemi të bindur që nuk ka prind t’ia bëj fëmijës atë që bëri ajo. Dhe kjo nga përvojat jetësore që nuk është prindi, nuk është nëna apo babai, por diçka tjetër…, bota e fantazmave, sëmundja.
3) Megjithatë jemi tek ai peshkatari i Semanit.
Vura re se veç Bashkisë Fier, atij kryebashkiakut që i kish afruar punë etj. Ndjesia sociale, kryeministër, lider opozite etj…, deri tek presidenti qe zero. Sot e nesër ata edhe mund të ndihen pasi shoh një lloj tendece në shtyp…, por nuk do të mjaftoj. Ose do jetë ndonjë si ato vulgaritet tona, si pas të vjelave etj. Dhe ajo që është më vrastarja është butaforizmi jonë, jeta jonë me krijimin e rrangjeve, lisave dhe pretendimi i njëshave që gjithçka kalon nga ata. Pushimet olimpike të Zotave të kupolës që nuk duan as mizën tek perdja e puplinit, pavarësisht se në Selenicë bëhet hataja, pavarësisht se një peshkatar myzeqar shpëton tri jetë njerëzore… Rrezik po të kërkosh në statutet e Ramës, a Metës, a Berishës…, kujt tjetër? Më shumë ngushëllime gjen për fatkeqësitë dhe heroizmat jashtë vendit se sa për tonat. Kam frikë se do gjeni aty edhe Mamudunë nga Mali i Afrikës , por asesi këtë peshkatarin e Myzeqesë, Ardmirin. Kjo e ka brenda atë shpjegimin se neveria është pjesë e kulturës sonë, jo logjika e psesë. Pse ka varfëri, pse ka me shumicë nga ata që flasin me vete, pse ka të vobektë që arrijnë të tentojnë të vrasin edhe krijesat e tyre? Tek ne ka neveri me shumicë duarsh, në nivele dhe me kate. Shqiptarët nuk pyetën një herë se si ka mundësi që një Makron pret një klandestin dhe e shpall hero? Kurse një km shqiptar a një president shqiptar nuk pret një të papunë hero në vendin e tij, gjakun e tij? Thjesht është në mes kjo neveria sociale me kate. Midis atyre që jetojnë në qiell dhe atyre që jetojnë në tokë, populli.
4) Dy fjalë për ty Ardmir, Zoti ta shpërbleftë me vëllezër të tjerë. U shtofshit sepse po tretemi si komb, si soj… u shtofsh me shokë mbushur instinktesh heronjsh se, nuk e ke idenë se si po vdes e po tretet kjo Shqipëria jonë duke admiruar fotot e Edi Ramës nga horizontet e dronëve. Duke admiruar shkëlqimin e firmës Gucci të djemve të ishëve, me gusto jelekësh e qostek e mjekër Turqie. U shtofsh me djem që kur bëhen të mëdhenj i bëjnë dasmat me shokët, jo me vipat, për vipat. Dhe u japin tepricat të vobektëve a institucioneve që merren me ta. Me djem që kanë respekt për mundet e tyre shkencore dhe nuk e tresin jetën duke ndenjur në rresht dhe me pushime. U shtofsh për hatër të kësaj toke që po mbytet nga Anadolli dhe shamitë e kokës, nga kamikazët, nga shushunjat. U shtofsh e mos pushofsh… se ne kështu e kaluam, u shqyem e shqyhemi për heronjtë e botës, jo për tanët.
Realiteti në Rumani dhe ai në Shqipëri
Ileana Anghel travelled all the way from her home in Spain with her husband to take part in the demonstration.
“We want to see modern roads and schools and above all to not have to pay bribes to the left and right,” she told AFP.
Teksti i mësipërm është shkëputur nga njoftimet e agjencisë franceze AFP, mbi situatën në Rumani. Konkretisht nga e premtja e javës që shkoi, me një inisiativë të emigrantëve, a diasporës, shoqëria rumune sot proteston. Pra ka plot tre dite. Protesta që kanë hasur në dhunën e forcave të rendit dhe në indinjatën e një presidenti të dyzuar në qëndrime, garantit të Kushtetutës së vendit. Po t’i referohemi fjalëve të Ileanës emigrante rumune në Spanjë, ajo midis të tjerave thotë se, erdhëm nga Spanja për të protestuar sepse duam ta shohim vendin tonë jo vetëm me rrugë e shkolla moderne, por gjithandej…, mjaft duke paguar haraçe sa për të majtën po aq edhe për të djathtën. Në fakt Rumania edhe pse një vend anëtar i komunitetit europian renditet e fundit. Kjo në raport me ekonominë e vendeve të tjera. Korrupsioni ashtu si në gjithë vendet ish bllokut socialist kap shifra alarmante. Kësisoj shoqëria rumune ka humbur plotësisht besimin tek klasa politike aktuale, me një fjalë si tek e majta ashtu edhe tek djathta. Ndofta është vazhda e asaj pranvere europiane që shkërmoqi hirearkitë a oligarkët e klasave politike tradicionale që pas luftës së dytë botërore, në vende si Italia, Greqia, Hungaria, Austria etj. Nisën si një protestë paqësore, por që mori rrjedhë tjetër. Aq sot numri i të lënduarve kap shifrat e 150 qytetarëve.
A ka lidhje e gjitha kjo me Shqipërinë, pasi shpesh i referohemi lëvizjes së minatorëve të karpateve në Rumani, më 1989, menjëherë pas shembjes së murit të Berlinit. Pra ishte Rumania ajo që filloi pranverën ballkanike. Megjithëse gjatë gjithë këtyre viteve Rumania ka protestuar me pjesmarrëmarrje për tu admiruar. Mjaft të kujtojmë protestën kundër rritjes së korrupsionit në shkurtin e vitit 2017-të. Ishin rumunët, shoqëria civile…Dhe a mundet që emigrantët shqiptarë, a e ashtuquajtura diasporë të kontribuoj në Shqipëri. Kam përshtypjen se jo dhe arsyet janë të shumta. Në përgjithësi shqiptarët akoma nuk e kanë kuptuar se mirëqenia dhe të drejtat e njeriut janë thelbi i demokracisë. Po ta kishin kuptuar do ishin ndarë nga diktatura e proletariatit ashtu si rumunët me Çausheskun. Por nuk u ndanë, përkundrazi sigurimi i regjimit dhe sekserët e partisë së punës morën në dorë frenat e demokracisë. Asnjë Çaushesk nuk u dënua…, jo më të varej publikisht. Kësisoj ne shqiptarët mbahemi akoma tek ideologjia dhe kjo demonostrohet herë më herë nga mendësi o je me mua o je armik. Nuk ka asnjë shenjë, a një fije frymë ku të shohësh përshembull se llogaritë a bilancet vjetore të një qeverie të kenë efekt tek shoqëria. Jemi dru në këtë drejtim. Rroftë iksi apo ypsiloni. Asesi, mjaft të jesh besnik i Ramës, Bashës, Metës dhe kaq. Nga ana tjetër është katërcipërisht e verifikueshme që mes shqiptarëve në vendin amë dhe atyre emigrantë ka një raport jo miqësor. Edhe pse emigrantët kanë qënë dhe janë motori i ekonomisë së vendit…, ata shihen si objekt përfitimi, madje tallje, paragjykohen, sa, një polic dogane në vend të mirëseardhjes të shikon vëngër nga duart. Emigrantët përfliten dhe përgojohen sikur kanë kapur qiellin a botën, qoftë edhe për shërbime të imta personale. Kur i thashë dikujt, këtu, po pse edhe gojën do shkosh të rregullosh në Shqipëri, mu përgjigj… Po çfarë të bëj, me ato që do paguaj këtu, po ndihmoj vëllain …, pa punë, pa asgjë vet i gjashtë. Më dhëmbi zemra dhe mu mbushën sytë me lot. Ashtu siç njoh edhe të tjerë që marrin kredi me interesa të larta si e si të ndihmojë motrën pa katandi e asgjë e tjetër. Dhe kur thonë ndonjë mendim, për vendin që u dhëmb, gjykohen me përçmim. Megjithëse nuk thonë aspak, veç realitetin…. që, po ta thonë troç, në raport me vendet ku jetojnë dhe ku shohin me sytë e tyre se si bëhet politika përshembull në Suedi, ta dini që ai parlamentari shqiptar duket një zog gomari kur thotë shkodrani. Ndofta kjo e gjitha ndodh edhe nga një farë urrejtje a zilie që kemi karshi njëri-tjetrit. Dhe diaspora këtej është e ushqyer fort nga dy rryma, po te kemi parasysh ata që u larguan në vitet 90-të…, të parët ishin ata që u kish ardhur në majë të hundës nga regji, të dytët ata që kishin frikë se mos ndëshkoheshin nga pushteti i ri. Kësisoj edhe këtej ka akoma plot mendje që thonë lëri të vrasin veten se nuk ndreqet ai vend. Ashtu si ka plot të tjerë që hanë, edukohen, martohen, bëjnë bashkime familjare në botën e kapitalizmit dhe bëjnë duvanë e Enver Hoxhës. Dhe këtë jo se nuk duan kapitalizmin, por janë deri në asht me urrejtje karshi vëllait.
Nuk e di se kur do të marri fund kjo, por si shoqëri edhe ne duhet të heqim dorë nga idhujt. Merrni përshembull reformën në drejtësi, pastrimi fillon nga vetvetja. Shoqëria jonë u pajtua menjëherë me një reformë gjyqtarësh, jo të atyre që drejtonë vendin. Kjo është mangësi humnerë. Ose merr të opozitën, demonstroi vullnet në një çadër, kërkoi protesta për muaj me radhë. Dhe në fund, bash në pikun ku mori kuptim opozitarizmi, la shoqërinë mënjanë dhe mori një post fiktiv në arsim e rend. Nuk ka më pse nuk më pëlqen mua, kur unë ashtu e kur unë kështu, por ka rezultat. Jep, nuk jep, hap krahun. Kjo është demokracia…, kurse në Shqipërinë time, tënden, tonë populli i shikon si Enverin dikur, këta që kakarisin ditë e natë për patriotizëm dhe veç patriotë nuk janë.
Lufta me “gjarprin”, platforma elektorale e demokratëve
Nga Ilir Levonja/
Ky konflikti i hapur tashmë mes Berishës dhe lidershipit të Kosovës duket se i shërben shumë zgjedhjeve të ardhshme lokale. Kjo shfryma e urrejtjes dhe e demaskimit të gjarprinjëve të Kosovës, patriotizmi i madh, vigjilenca etj., do u siguroj demokratëve një fitore plebishitare. Madje aty do nisi edhe kthimi i madh. Ndaj sot të gjithë motorët vlojnë karshi një gjarpri, një mbeturine nga kuzhina serbe. Kësisoj në zgjedhjet e vitit që vjen, llava demokrate do përmbysi platformat e socialistëve që kanë filluar nga përgatitjet që në prill të këtij viti. Njihen tashmë ato platformat politike e formularëve me numrin e pemëve të mbjellura, tarifat e kanilizim gjelbërimit, lejet e ndërtimit dhe efikasiteti i zërave të buxhetit të shpenzuar etj. Kjo si një tentativë për largimin nga rikandidimi i ca gjeneralëve provincialë që po i marrin frymën qyeteve si Elbasani, Durrësi, Vora, Bilishti etj. Kurse demokratët nuk kanë filluar akoma, presin shtatorin. U duhen ca energji nga pushimet për shkak të mos prishjes së axhendës së tyre pavarësisht se firot përshembull në bujqësi janë një humnerë për shkak të atyre mijëra probleme tashmë gangrenë e jona. Kësisoj Berisha ka të drejtë të na mbushi minutazhet e nxehta me histori gjarpërinjsh e ish marrëveshje nga viti 1992 me Bulatoviçin. Gjëra që fare mirë mund t’i përblidhte në një libër kujtimesh etj. Por jo, platformës demokrate i duhet pikërisht një shfrymë kundër gjarpërinjëve të Kosovës. Një shfrymë patriotike karshi kontureve tashmë të shpërbëra të Shqipërisë. Një shfrymë si ajo në 100 vjetorin e pavarësisë në Vlorë, mbi kufijtë nga Presheva deri në Pargë. Se ne patriotizmi na mban gjallë…, na ka sjellur në pushtet menjëherë. Atë të humbjeve të një pas njëshme dhe diskordancave të mëdha të lidershipëve në çështje po kaq të mëdha. Një sherr katrahurë për ta na mbajtur akoma në vitin 1992 dhe jo në problemet imediate siç është privatizimi dhe rënia e demokracisë. Katastrofa me prodhimet bujqësore, kjo për faktin e mos pasjes në kontroll të përdorimit të pesticideve. Por edhe tek pa aftësia e menaxhimit të tregtimit të produkteve. Asnjeherë ata që hartojnë platforma politike paraelektorale nuk e kanë përfilluar a konceptuar bujqësinë si një industri e mundshme në territorin shqiptar. Megjithëse kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh në kultivimin e bimëve narkotike deri në lartësitë e Progonatit e Kurveleshit. Pa përmendur xeherorët që sot vuajnë nga një përvetësim pervers i ca shfrytëzuesve ilegalë të shekujve të kaluar. Apo burimet e tjera natyrore që mund t’i sjellin vendit asete më të mëdha se Thaçi, Berisha, Rama a Haradinaj. Mirëpo ne si gjithmonë, se çdreqin na tërheq në ca kuriozite nga e shkuara e raporteve të nxehta, aq sa vdesim të dimë se ka apo nuk të drejtë gjarpri apo ish sekretari i partisë, Xhepi i letrave apo piktori i halucinacione të nomenklaturës. Shfrymë, urra, burra… sikur në herë të vetme të pyesnin e të krahasoheshim se çfarë pasurie ka Rama, Berisha, Thaçi, Hardinaj karshi nesh? Sikur ata të kishin nga një vilë ekxtra, dhe ne nga një apartament, ta dini se kemi për pjesë liderët më të suksesshëm të të gjitha kohërave. por raporti jonë me ata është 100 ata e ne asnjë, asgjë… Dhe kjo ka shpjegimin, reformat hipokrite të rracës dhe sojit politik shqiptar. Një plagjaturë e nomenklaturës e ndarë sot në ca interesa vetjake me pretendimin e burrit të shtetit.
Kjo është e gjitha një platformë e qartë për një humbje të radhës. Sepse zgjedhjet lokale a politike nuk fitohen me çështje politike dhe me shfrymë gjoja patriotësh. Apo qejf mbetje pasi e drejta kombëtare fillon nga Shqipëria. Nëse do të ishte kështu në bisedimet e detit, qofshin ato të parat apo këto të tanishmet të Ditmirit, duhej të kishte përfaqësues nga shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nuk mund të flasësh me Greqinë, përshembull për kufirin detar, pa Kosovën. Në fund të fundit ishin Isa Boletini dhe Hasan Prishtina ata që tretën jetën dhe mallin për Shqipërinë. Nuk ishte kasta dhe soji i Edi Ramës. Kasta dhe soji i Edi Ramës, shpikën bunkerët, telin me gjemba, etj. Atëherë do kishim të drejtë legjitime t’i çirreshim Thaçit, ta quanim me gjithë mend gjarpër. Po gjithsesi, janë ca devijime tashmë klasike të lidershipit tonë. Nga problemet imediate, ato të ditës, ekonomia e vendit. Dhe jo rastësisht. Dhe kjo është tepër e trishtueshme.
Humori i lig i një reforme me gjyqtarë
Kur një nga anëtarët e komisionit shqipton atë frazën magjike se e kalon apo jo Vetingun, iks apo ypsilon gjyqtar, me siguri ndonjë Kasem diku në provincë fërkon barkun. Dhe thotë, ptu, ptu rracë e poshtër, shiko sa ka vjedhur etj. Kjo e gjitha sipas ca hamëndësimeve në shtyp, me një fjalë pavarësisht pakënaqësive të opozitës për një kolaps të plot institucional, populli është i kënaqur. Sidomos kur shqiptohen shifrat e apartamenteve, rekordi deri më sot është 27, pra një gjyqtar ka 27 apartamente rreth e rrotull Tiranës Durrësit, Kavajës e Vlorës… Apo kur shqiptohet shifra e milionave në eurove, shifër që afërmendsh nuk mund të justifikohet me të ardhurat a pagën që merr një gjyqtar. Ky është një opinion i shtypit, e gjen sot kudo në të gjitha webet, mjaft t’i hedhësh një sy. Ka një numër të tërë kalemxhinjsh që i gëzohen gëzimit të Kasemëve të provincës, atyre që quhen popull. Nga ana e tij edhe Rama tregon me gishtin e syve se janë në rrugën e duhur. Ne e dimë mirë se në atë kulturën tonë të mbrapshtë, të rryshfetit, çfarë do lloj krimi, çfarë do lloj veprimi antiligjor, është plotësisht i sheshueshëm mjafton të japësh ca para. Dhe po nuk i patëm, do luajmë të gjithë miqtë, i kemi ku s’i kemi deri sa të gjejmë paratë e honorarit. E themi dhe me mburrje…, i derdha xhixhet unë atij, pa ma nxorri djalin etj.
Nuk e diskutoj që është zakoni më i keq i yni dhe një zot e di se kur do ta heqim, por kjo puna e gjyqtarëve o ti Kasem i provincës, Kasem popull, është maja ajsbergut. Maja e çibanit kombëtar që ti, unë, ai, mendojmë se do na shpëtoj shëndetin me pastrimin e drejtësisë. Në fakt është reforma më e pa sinqertë dhe shuplakë për ne që u jemi vërsulur me qjef pervers këtyre emrave që lënë drejtësinë. Ka bërë e vepruar në bazë të kulturës sonë. Kanë kërkuar i keni dhënë (mund të mos kishit dhënë)… arsyet janë të shumta. Keni mbuluar krimin, kanë mbuluar krimin, kemi mundur vetveten. Kaq…Kanë falsifikuar letra, vërtetime, kanë mbajtur me hatër, atë punë kanë ata. Dhe normalisht një sakrificë ligjore, ka haraç. Reforma në drejtësi është këmbëngulje e Perëndimit, madje me paratë e tyre, duke marrur parasysh edhe kolapsin institucional. Më pakta e mundshmja që edhe Amerika e madhe mundi të bëj… iu drejtua dikasterit të ligjit, me shpresë të vënies në punë të institucionit. Pasi afërmendsh asnjë nga faktorët politikë nuk do votonte nisjen e një pastrimi nga politika përshembull a pushtete të tjera, përfshi këtu edhe median vizive dhe të shkruar. Asesi nuk do pranonin dhe asesi nuk do vepronin. Jo më shumë se dje, një senator amerikan me rrënjë nga arbëreshët Joe di Guardi, i thoshte një televizioni shqiptar në Kosovë, se që nga 91 kur ai kish zbritur në Tiranë të lobonte për demokracinë, e deri më sot, si në Shqipëri dhe pjesën e epërme të saj, Kosovë, kishte vetëm një arritje…, milionat marramendëse të faktorit politik dhe ekzekutivit. Dhe me të drejtë, pasi sot shqiptarët krahasojnë një shëtitore buzë detit, atë në Vlorë me atë të Rio de Janeros…, Ashtu dhe senatori lobues, kumtonte se vërtetë niveli i krahasueshmërisë së Shqipërisë dhe Kosovës është plotësisht me atë të Brazilit të sotshëm, ku 5% e shoqërisë janë miliarderë dhe 95% të varfër, kasemër, popull. Me mijra Kasemër qeshin dhe fërkojnë barkun kur del nga salla me ngërdheshje një gjyqtar i rrëzuar, fërkojnë barkun i qeshen Ramës, reformave. Pa e kuptuar asnjëherë se reforma të tilla, çikërrima janë vetëm një humor i lig i zgjatjes së tranzicionit shqiptar. Mendoni sikur të kishit filluar me politikën, ulni Ramën aty, të parin… i takon se është kryeministri i vendit. Ulni dhe të tjerët me radhë, Berishën, Metën… ulni dhe këta shtypistat që kanë nisur ta quajnë si reformë që po kënaq popullin. Ulini dhe shikojini se a i justifikojnë ato makinat e shtrenjta me të ardhurat. Dhe ajo që është më e rëndësishme, pyesni veten… përshembull kaq është reforma. Iks apo Ypsilon gjyqtar hiqet nga puna, i hiqet liçensa etj. Po me paratë çfarë do bëhet, deri sa themi që fituar në mënyrë korruptive? Çfarë do bëjmë me ‘to… se ju griu barkut interesi i përqindjeve të 3 p-ve. Një pyetje që kërkon zgjidhje të menjëhershme, jo qejf o qejf që hoqën Gjonin.
- « Previous Page
- 1
- …
- 22
- 23
- 24
- 25
- 26
- …
- 102
- Next Page »