Ajo që e bën Turqinë një investitore kryesore në Shqipëri, është politika oligarkike e Erdoganit. Ndofta askush tjetër nuk është më i lumtur se ai kur midis Shqipërisë dhe Greqisë fqinje ka plasur një skandal financimesh të fshehta rreth portaleve dhe ojqve shqiptare. Një politikë tashmë e vjetëruar kjo që ka origjinë të hershme. Megjithatë është pozitive kur skandalin e demaskojnë mediat e vendit fqinj. Dhe kjo e kuptueshme pas reçensionit ekonomik që Greqia provoi pak vite më parë. Sado të çirremi sysh me njëri-tjetrin, me atë frymën gjoja patriotike, sot është e dallueshme për sytë e mijra qytetarëve të të dyja palëve se sa butaforike është lufta e intrigave karshi globalizmit. Por jemi tek Erdogani, ky sulltan modern që po përpiqet të infektojë rajonin me islamizmin radikal dhe para kallpe. Kjo duket sheshit kur një ministër i jashtëm i kërkon publikisht ose urdhëron një shtet sovran në lidhje me gylenistët, pra për dorëzimin e tyre në Turqi. Nuk e di se e kuptuan qytetarët këtë. Se si e suportuan. Megjithëse në dukje ministri ynë ia priti flakë për flakë. Por është zjarr butaforik, fallco kur mendon se sa entuziazëm transmetojmë karshi një aeroporti me lira turke a një linje ajrore me një boeing nga shoqëritë e Anadollit. Në fakt deri diku ai (Erdogani) ka fitur pasi sipas të dhënave rezulton se sot investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, janë ata nga Turqia. Një beteje u humbur kjo e shqiptarëve të cilët edhe pse adhurojnë e jetojnë në Perëndim, me shumicë dërrmuese, kanë hapur dyert kanat’ për bizneset e Anadollit. Për radikalizmin fetar islamik, aq sot me të drejtë shumë prej nesh mbledhim supet dhe pyesim shoqi shoqin, a je mysliman shqiptar apo mysliman turk? Janë të gjitha investime me tendencë, me strategji për kthimin në zonat e sundimit të dikurshëm që Anadolli po përpiqet ta rimëkëmbi. Një epokë që të dhëmb koka kur e mendon, sidomos për ne shqiptarët që akoma e kemi gojën plot me turqizma. Mirëpo ne i vërsulemi tjetër kujt, si në rastin konkret Greqisë! Harrojmë Perëndimin edhe pse nipërit e mbesat tona shkëlqejnë në shkolla, skena e ekrane. Dhe demonstrojnë vetveten, dheun, amësinë. Nuk i vërsulemi Turqisë, një ministri që na urdhëron me mendësinë e kajmekanëve bash në mes të Tiranës, sikur të flasi nga pragu i portës së lartë. Jo Turqisë, ajo na dha një avion. Ai fluturon Tiranë Stamboll, nga lindja, andej nga e ka origjinën edhe robëria jonë.