• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Midis teatrit dhe piramidës

May 17, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Eshtë sot një nga lajmet më të pakta të ditës, megjithëse mbrëmë qe një show i radhës mes Erionit dhe Edi Ramës. Kjo, mos prishja e piramidës, ish muzeut të Enver Hoxhës, në zemër të Tiranës. Një nga paradokset e radhës të shqiptarëve, kur mendon se ka më shumë se një vit debate prishja e Teatrit Kombëtar. Një vit debate se si strategji është hedhur me kohë, bashkangjitur atyre metodave të mos dhënies së fondeve të mjaftueshme për mirëmbajtje etj. E bëjnë qëllimisht siç edhe po veprojnë përshembull me hekurudhën, që kur të vij momenti t’i shesin vetëm emrin drejt një privatizimi ku thelat e rryshfetit të kënaqin palët. Këto krijesa më antikombëtare të sojit shqiptar. Sot të gjithë janë përfshirë tek ethet mes ministrit të brendshëm dhe të vëllait, tek një video etj. Ndofta për t’i dhënë pak frymëmarrje ngjarjeve të tjera të para pak ditëve, scoopeve tona me Sajmirin, Izetin a drejtësinë e përdorur dhe miliarderët e saj nga objektet e qiradhënë dhe çështjet e kapakosura për ca pako eurosh a dollarësh. Në fakt kur i mendon dy objekte, Piramidën dhe Teatrin. Ku për të parën lali Eri u shpreh se do i japim fund rrënimit të saj. Dhe Edi Rama që kishte përfituar idenë nga i biri për qendër argëtimi për fëmijët. A ku di unë se çfarë…, por shoh një vendimmarrje telefonatash mbi objektet që duam apo nuk duam ne kanë brenda edhe gjakun edhe historinë tonë.

Objekti i parë është një vepër e re nga dashuria e çmendur e shqiptarëve me dështimin. Që për kohën i ka kushtuar bash sa një varfëri njëqind vjeçare dhuratë nga ”zoti” për ne. Pra aq shumë sa fare mirë me ato para mund tu kishim bërë dhuratë shqiptarëve nga një shtëpi pushimi falas në tokat e bregdetit. Dhe po të më pyesnin mua, duhej të mbeste ashtu, muzeu i diktatorit, pikërisht për këtë…, dështimin kombëtar. Madje të pasurohej totalisht edhe me viktimat e diktaturës së proletariatit për t’i dhënë vetvetes qartësinë në botën e humbur prej errësirës dhe idiotësisë. Një muze po për Enverin me të gjithë mitologjitë e tia të nevojshme dhe të panevojshme. Të jeni të sigurt se edhe nga ana komerciale kultura muzeale do kishte më shumë sy e këmbë. Dhe ndofta historia për herë të parë do të fliste me zërin e saj për shqiptarët. Jo me zërin e atij që e do dhe atij që nuk e do. Por me zërin e së vërtetës.

Por nuk ndodhi… gjatë gjithë kësaj kohe ka kaluar në fije të perit me mendimin për t’u rrënuar. Për t’u prishur… nga ana tjetër gëloi si sallon panairesh e plot zhurmash të tjerash.

Deri sa sot, kastës së pinjollëve u duket të nxitojnë ta shpëtojnë dhe jo më përmes strategjive të tri p-ve. Kjo çudi qeveritare e partneritetit me privatin. Që na truall dhe bëj çfarë të duash…, por përmes fondeve qeveritare që në rastin e teatrit kombëtar, nuk i ka.

Objekti i dytë, daton herët, në planet e rregullimit të kryeqytetit tonë nga arkitektët italianë. Ka brenda vetes si të thuash abc-ën e artit skenik. Me firot, me absurdin e ideologjisë, sekretarin e partisë etj. Me drejtorët partiakë. Me arrestimet, ndëshkimet, përzëniet. Me të gjitha gjërat njerëzore, deri tek flirtet dhe intimitetet e tjera. Apo butaforitë e pleniumeve dhe kongreseve. Megjithatë ka formëzuar shkollën e artit tonë. I ka kaluar nga vrimat e çelsit, e çelsave të përgjimit, luftës së klasave etj…, plot korifej të fjalës. Duke i dhënë kështu historinë e parë të artit tonë njomëzak skenik. Aq sa një pedagog historie ka me se t’i mbushi planet e punës. Mjaft e vetëm me karrocat shëtitëse të Europës, por tashmë edhe me pionerët tanë. Dhe janë një batalion karakteresh, arritjesh…, sa të vjen pështirë të mendosh se mbi ato, do kalojë pshurrja e ”patriotëve” si Edi Rama dhe lali Eri. Apo të tri p-të e famshëve të gradaçielave që po i dalldis shqiptarët e rrugicave me avlli e skela rrushi. Një pedagog nuk ka përse t’u thojë më studentëve, aty ku sot është pesëmbçdhjetëkatshi, ka qënë teatri. Jo, jo aspak… por ka mundësinë t’i çojë atje e t’i flasi për artin e Naim Frashërit, Pitarkës, Pelingut, Roshit, Prosit etj. Se janë me shumicë, por dalldia dhe marria jonë e gradaçielave, u hedh pluhur e plehra përditë.

Janë një batalion, ku një tufë zyrtarësh partiakë a ca shushunja tenderash, janë gati t’i varrosin shtatë pashë nën dhe’ për ca dollarë më shumë. Ca qeveritarë që shohin rrënimin vetëm tek piramidat e gjeniut të dështimit, dhe, kurrë një herë tek galeria e pafund e artistëve tanë. E arritjes sonë. Neve, koha na afron përjetësinë, na pasuron katedrën, ne prapë, jo e jo…Koha na ofron pasurinë, ne prapë, jo e jo. Koha na ofroi njerëzit, gjeninë tonë, na ofron platformën, ne prapë jo e jo… Shikoni sa progres pra, kanë bërë, apo kemi bërë ne shqiptarët. Në vend të historisë, zgjedhim rrëninim, shpërbërjen, shfarosjen e saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe piramidës, Ilir Levonja, Midis teatrit

Një ftesë publike Luftar Pajës

May 10, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Askujt tjetër më mirë se Luftar Pajës, nuk i shkon për shtat, për momentin ajo vjersha me autor anonim, Ku ta dija unë i varfri. Një vjershë që gjendet kudo, mjaft të klikosh titullin. Disa aludojnë se e ka origjinën nga Zagoria. Ndofta për koiçedencën se andej është dhe Çajupi, satiristi ynë. Me pak fjalë, ajo vjersha me vargje të tilla, si, mora pushkën dola malit/ të luftoja për atdhe/ ku ta dija unë i varfri/ se armiku ishim ne. Në fakt është mishërimi ironik i fatit të shqiptarit. Ndaj edhe unë e kam prurë disa herë si argument në opinionet e mia. Për më tepër kur bëhet fjalë për përgjegjësinë civile të individit. Sidomos intelektualit a artistit të popullit. Një subjekt që rri aty heshtur. Mirëpo herë më herë pluskon me ironi therëse. Aq sa kur mendon rolin e individit popullor karshi një qeverie dhe shoqërisë, të bien kokës me plot raste. Madje Luftari duhet ftuar publikisht ta interpretojë këtë vjershë. Nuk ka sy regjisorial që nuk do ta aprovonte. Eshtë fati ynë civil në raport me shtetin, me njëri-tjetrin, me gjithçka njerëzore tonën. Nuk ka për të ndodhur asgjë, i dashur Luftar. Asgjë… Veçse, siç edhe e kemi zakon do mjaftohemi me atë kënaqësinë tonë, brenda vetvetes. Me një indinjatë pa peshë. Mos u tremb, Edi Ramën nuk e heqim nga qeveria. As me Robert Ndrenikën nuk do boshkohemi në protestë për teatrin e tij dhe jo të kombit. Dhe ti nuk je i vetmi që nuk i bashkohet Ndrenikës. Sa të tjerë ka.?. Sa të duash. Ca bëjnë reklama kafesh. Ca i ka matufepsur pleqëria. Ca partia. Ca emigrimi a vegjetimi ne derën e kalajmave botës së madhe. Me që ra fjala, si rasti i Reshatit me vjershën e ish kryebashkiakut të Vlorës, Ali Asllani. Të kujtohet besoj, ajo me titull Maskarenjtë. Hë, e ka gjetur gjë ndonjë qeveri. A ka ndryshuar ndopak shoqëria jonë në mentalitet a në ndijimin social karshi padrejtësive. Më solide është bërë rreth partizimit. Po Reshati, a i është bashkuar Ndrenikës për fatin e teatrit. Hiç fare. Rroft heshtja, mënjanimi, shiu në bahçen time. Rrofshin gradaçelat. Rroftë ai që ka para dhe i gjndet buxhetit të zbrazur të shtetit. Se kështu është aty, hajde ti dhe dhe unë të jap truallin, ndërto, me jep, të jap. Rroftë ai që na paguan çarterin, hotelet luksoze. Faturat e mbjedhjes së dhëmbëve etj. Kështu edhe me rastin tënd. Me rimbursimin tënd. Me ato para ”strategu” që t’i ka bërë duart gjak nga duartrokitjet, do mbulojë ndonjë gropë të tenderuar diku.

Megjithatë nuk është vetëm vetjake çështja. Është më shumë se kaq. Se, si thua ti që nuk ke 100 mijë lekë, pensionist ja, do u bie më qafë fëmijëve. Po a e di se sa të tjerë u bien më qafë fëmijëve aty? Me mijra… Dhe në fakt kjo puna e ilaçeve të rimbursura është një dramë sociale. Sepse edhe ato që janë, janë pjesë e arsenalit të skaduar të tregut të zi nga magazinat e Bullgarisë dhe Rumanisë. E marrëveshjeve të ulta midis mjekëve privatë në ambulancat shtetërore. Po kjo është një temë tjetër. Plaga e vërtetë qëndron tek e vërteta me elementin barrë sociale fëmijëve. Është një e vërtetë që dhëmb. Sepse ka shumë pa të ardhura fare, sidomos brezat në pritje të moshës së pensionit. Por edhe ata me pension, as që i çojnë nëpër mend faturat e ilaçave. Është një pension thërrime. Dhe në Shqipërinë tonë, llogaritë bëhen në bazë të ardhurave jo nga zyrat e përkrahjes sociale, nga ato të pensioneve, a të ardhurave nga paga, por nga prurjet e wester’unionit. Si puna jote ka një sërë artistësh dhe intelektualësh që ndihen, që bëhen të gjallë, vetëm kur uji i rrekës devijon udhë nga baçeja e tyre. Megjithëse në skena më e shumta e subjekteve, morali i artit ngrihet mbi padrejtësitë dhe veset, prapë asgjë nuk mësojmë. Karshi partisë kemi një solidarizim të çuditshëm, mund t’i falim çdo padrejtësi. Po a mendon, se, në gjithë këto vite janë krijuar një kontingjent i tërë social me destinacion lëmoshën. Dhe kur të tremb ty, me pension special, heqja nga lista e rimbursimeve e ilaçit të zemrës, po ata që nuk kanë asgjë, asnjë të ardhur…, ata që janë një batalion i tërë. Si u bëhet halli atyre…? Ndaj merr mikrofonin, bëhu edhe zëri i tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Luftar Pajës, Një ftesë publike

Ca fjalë kësaj komunistes së re

May 8, 2018 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/Florida/USA/

Kurrë nuk kisha për ta besuar se bindjet poltike do e çonin shqiptarin pranë kafshës. Të gjykoj si kafshë. Të shprehet ashtu. Dhe për më tepër të gëzohet brenda një perversiteti prej kanibali, kur një nënë dhe një baba humb fëmijën. E kam nëmur ta çoj nëpër mend për rracën dhe sojin tim. Jam shqiptar e dhimbjen e kam prej gjaku, jo prej loti. Ndaj e kemi midis oborrit të fjalëve edhe atë togun e ofshamave që, halli im mos i rënte as hasmit. E kam nëmur shpirtërisht dhe ekzistencialisht si qenie, jo më ta shoh me sy. Në fund të fundit përse jam shqiptar? Ndofta nga ndjesia e të pasurit në memorie rracën a sojin kujt edhe i përket, si, një tërësi fisnikësh. Ndaj më e shumta prej nesh mbajmë në mendje ato biseda me gjyshërit, mbi hidhërimet (vakitë) e gëzimet. Sidomos kur në shoqëri, një fqinji, një të afërmi i ndodhte gjëma, nxitonim, nxitojmë…, si e si t’i gjendeshim. Për shkak të varfërisë së skajshme edhe materialisht. Por parësore ishte t’i gjindeshim. Ta ndihmonim të mbante mendjen në vend, pasi përballë fatkeqësive jemi të gjithë jetim. Madje edhe po të ishim të zemëruar, i riktheheshin dashurisë për njëri-tjetrin me ngrohtësinë e mëparshme. Falja na bënte akoma më fisnikër sa na kishin zili edhe misionarët e Jezusit e Muhamedit. Përse? Sepse një humbje e tillë është e pariparueshme.

Kurrë nuk kisha për ta besuar se të qenit me bindje, duhet medoemos të të transformojë ndjenjën e njeriut deri në një psikopati. Mund të të transformojë sëmundja. Dhe kjo prapë na bën solidar me atë që e ka për rrisk. Na mbledh në ato hallet tona kokë më kokë. Sepse sëmundja është një fatkeqësi dhe ne prapë themi atë, halli im mos i rëntë për pjesë as hasmit. E mbajmë brenda vetes dhimbjen. Të urtët ne. Në ato korridore a oborre ku kërkojmë e i gjindemi shoqi-shoqit. Por ja që qenka e vërtetë. Aq sa tëmthat e kokës janë gati të plasin. Mirë ata shefat e ”mëdhenj” që e kanë kulturë, modë, taktikë, strategji etj…, fiksimin dhe psikopatinë. Se ndryshe nuk kishin përse të ndodhnin vrasjet enigmatike, torturat, zhdukjet, deri luftrat, a konfliktet e mëdha të njerëzimit. Por ne njerëzit e thjeshtë, ne njerëzimi i halleve të mëdha. Si transformohemi kështu e bëhemi monstra të mirëfillta.  Me mendje që nuk ta rrok mëndja. Nuk i besoja syve tek lexova statusin tënd. Dhe me të drejtën njerëzore mund edhe të gërhushem me mijra fjalë fyese, përbuzëse. Por nuk e bëj. Ja ke bërë vetes. Mund t’ia kërkoj edhe të tjerëve këtë favor, pasi e shoh që një lum njerëzor të është zbrazur me gjithfarësoj, që të lënë në mëshirën e mendjes tënde. Pasi ai ëngjull i bukur ka nevojë për prehje, qetësi. Për më tepër prindërit. Se është peshë e rëndë me qënë i tillë. Të të lënë në atë sadisfaksionin tënd prej … nuk e di se çfarë emri t’i vë. Por si qytetar do i bëja një thirrje publike komunistëve, partisë. Se po shoh që je e organizuar, dhe, ke kandiduar. Të distancohen prej teje një orë e më parë. Ndryshe do vazhdoj të besoj atë që komunisti nuk ka as fe, as komb e as rracë e soj njeriu.

Filed Under: Politike Tagged With: Ca fjalë, Ilir Levonja, kësaj komunistes së re

E KUQJA E BORËS-ILIR LEVONJA

April 28, 2018 by dgreca

1 kujtim Hajdari“E KUQJA E BORES”- Pasqyrimi i një gjëndje kaotike të vendit/

Nga Kujtim Hajdari/

Duke lexuar romanin e shkrimtarit Ilir Levonja “ E KUQJA E BORËS” nuk ka si të mos vesh re bukurinë e një vepre të punuar me kujdes e me art. Është ndërtuar me një subjekt të rrjedhshëm pa shumë linja e ndërthurje të ndërlikuara, që e bën romanin të lexohet me ëndje e të ndiqen ngjarjet e personazhet e veprës me një kënaqësi gjatë gjithë faqeve të tij.

Të lë përshtypje të thellë zgjedhja e materialit jetësor të kohës  dhe përshtatja e tij në këtë vepër letrare-artistike me një forcë të madhe përgjithësuese. Kjo mjeshtëri është skalitur tek autori nga përvoja e tij e gjatë në fushën e letërsise. Ai vjen në këtë roman pas disa vëllimeve poetike, pas disa vëllimeve me tregime, pas vëllimit me ese  dhe pas dy romaneve  të tjerë para këtij. Kjo sigurisht i ka dhënë aftësinë të punojë çdo skenë, çdo situatë, çdo ambient të romanit me daltë në dorë dhe me kujdesin e një artisti të afirmuar. Veç kësaj shumë ngjarje, ka shumë mundësi të jenë përjetuar nga vet autori i cili në atë kohë ka kaluar rininë  e tij dhe ka qënë personazh aktiv i asaj shoqërie  dhe kjo e ka bërë të qëmtojë nga jeta ato materiale të nevojsheme e të mjaftuesheme për të paraqitur sa më mirë problemet e asaj kohe e për të realizuar idetë dhe mesazhet e bukura që na ka dhënë në roman.

Të josh me bukurinë e saj në veper  gjuha e zgjedhur, frazat e përpunuara me kujdes, ndërtimet e bukura sintaksore, përshkrimet me plot gjallëri të ambienteve të ndryshme, analiza psikologjike që u bën personazheve duke gdhendur figura që të mbesin në kujtesë.  Përshkrimet janë të shumta, plot ngjyra e figuracion të bukur letrar.  Dialogjet i gjen herë të shkurtër e herë të gjatë në roman, sipas situatave që ka dhënë, por gjithnjë janë shumë shprehës e  me një leksik të zgjedhur e herë-herë të hijeshuar me zhargonin popullor që  ja rrisin akoma më shumë vlerat veprës se e bëjnë atë më tërheqëse e më të këndshme për lexuesin

Në roman të mahnit ndërthurja e bukur dhe e natyrshme e linjave kryesore të tij: ajo e dashurisë midis të rinjve. Midis Markos dhe vajzat që ai dashuron, Andia, Lura dhe Genta me të cilën përfundon. Linjë që ndërthuret bukur me linjën tjetër atë të jetës së tij sociale dhe ekonomike të kohës, dy linja që shkojnë në harmoni e plotësojnë njëra –tjetrën.

Romani trajton një periudhë të vështirë të kohës, periudha e kaosit të madh politik pas viteve 90,  sidomos jetën e viteve 96 – 97e cila u degradua ndër të tjera edhe nga krijimi e pastaj falimentimi i fondacioneve  që praktikonin depozita me interesa të larta, lojëra që u krijuan nga qarqe politike në atë periudhë në fuqi për të mbledhur paranë  e si pasojë  çuan në rrënim akoma më tej të qytetarëve, një pjesë prej të cilëve mbeti pa shtëpi, pa një qindarkë, dhe herë –herë të mbytur në borxhe.

Në një arenë të tillë historike  shpalosen me një bukuri dhe zhdërvjelltësi artistike ngjarjet e romanit. Në këtë mjedis lindin, lëvizin e krijohen nga një penë e stërvitur në vite personazhe të shumtë me nje individualitet të veçantë e të skalitur, duke shpalosur ngjarje, histori dhe gjithë jetën e asaj kohe me një  realizëm aq të besueshëm saqë ne, që e kemi jetuar atë periudhe na duket  sikur jemi kthyer prapa në histori e po jetojmë sërish ato vite të tmerrshme, kur nuk funksiononte më ligji i qeverisjes, nuk funksiononte shteti. Dhe siç ndodh gati në çdo histori në raste të tilla kaosi, në shoqëri  fillon të veprojë ligji i xhunglës, ligji më i tmerrshëm, më denigrues i figurës së njeriut, ligji më çnjerëzor e më barbar në marrëdhëniet midis njerëzve.

Me ngjarjet e sidomos me kronikat që fut natyrshëm në subjektin e romanit, autori na argumenton qartë fenomenin shkak pasojë. Si rrjedhim i këtij kaosi krijohen banda të ndryshme terroriste që masakrojnë e terrorizojnë qytetin. Arrijne deri atje me mizorine e tyre sa të futen nëpër shtëpi. Të marrin vajzën e ta përdhunojnë  në prani të familjarëve, për inate personale i marrin gruan me forcë e s’i dihet se ç’fat pati,  vrasin në prani të fëmijëve e të gruas burrin,  vrasin për zbavitje Ermirin e guguftuve e plot e plot krime të tjera që solli ajo kohë e ato banda.

Na përshkuan me një realizëm të dhimbshëm,  therës vuajtjet e emigrantve për të mbrritur në Greqi nëpër male e në palcë të dimrit në këmbë. Do të shikojmë të rinj që ecin gjysëm të ngrirë e që mbajnë në krahë, si në legjenda makabre, shokët e vdekur nga ftohti  e vështirësitë e rrugës.

Të bëjnë përshtypje e të lënë mbresa  dy qendrimet e Greqisë me emigrantët tanë, nga njëra anë ushtarët e kufirit dhe policia që silleshin si barbar, si me Markon kur shkon te posta kufitare me shokun e tij Armandin e vdekur e të ngrirë në krahë. Jo vetëm e trajtojnë keq por e rrahin mizorisht saqë kur permendet në spital, në alluçinacionet e zgjimit nga agonia e humbjes së ndjenjave edhe bora i duket e kuqe në gjysëm ëndrrat e përmendjes, edhe ajo kishte marrë ngjyrën e gjakut që derdhën e lanë emigrantët fatkeq në ato rrugë shprese për një të ardhme më të mirë. Skena nga të cilat merr edhe titullin e bukur dhe intrigues romani.

Dhe nga ana tjetër populli i thjeshtë grek ku dukeshin shenjat e mirëkuptimit e të një ndjenje njerëzore që shpesh e shprehnin në marrëdhëniet me emigrantët.

Shkrimtari jep qartë në veprën e tij mungesën e një niveli të lartë, të qualifikuar politik të partive të vendit tonë, sëmundje që vazhdon akoma, e si pasojë sa herë fitonte një parti, në gjithë institucionet social-kulturore të vendit do të kishte shkarkime nga puna dhe vendosja e simpatizantëve të partisë që fitoi. Nuk shikohej kualifikimi dhe pregatitja e kuadrit nga ana profesionale, siç ndodh me personazhin kryesor të romanit, Markon.

Marko është bosht i gjithë romanit, një djalë i ri, intelektual, simpatizant i një partie që aktualisht është në fuqi deri nga fundi i romanit. Nëpërmjet figurës së Markos shkrimtari do t’na çojë në ambiente të ndryshme të atij qyteti ku zhvillohen ngjarjet dhe do t’na vëjë në kontakt me shumë personazhe të tjerë që përfaqesojnë shtresa dhe interesa të ndryshme të shoqërisë.

Marko përfaqëson ate shtresë të rinisë që ëndërronin dhe shpresonin se me ardhjen e demokracisë ngjarjet dhe gjithë jeta e vendit do të merrnin në drejtimin e duhur: të zhvillimit  politik, ekonomik, të forcimit të rendit, të respektimit të dinjitetit të njeriut, të lirisë së tij. Është pikërisht ky brez me këto ëndrra që merr zhgënjimet e para. Shkrimtari shkallë-shkallë na jep deluzionin e të rinjve, që edhe pse kishin dëshirën edhe pse kërkonin t’i impononin vullnetin vetes për të bërë diçka të mirë, për t’i shërbyer mirë shoqërisë detyrohen, nga rrethanat e krijuara, të braktisin çdo gjë; vendin,  prindërit e shumica të mërgojë jashtë.

Rreth Markos paraqiten një sërë personazhezh të tjerë si Leci, kolegu i tij i zyrës, simpatizant i së njëjtës parti por në ndryshim me Markon, Leci nuk lufton për ideale, por kërkon që situatat e krijuara dhe pozitën që ka arritur t’i shfrytëzojë për përfitime  të ngushta personale. Arrin deri atje sa të shes disa herë, me qëllime përfitimi,  pashaportën me vizë të Enjanit, kolegut të zyrës që kishte vdekur. Me Zaken, drejtorin e komunales rregullojnë preventiva të fryrë për punë të ndryshme, për të vjedhur dhe atje. Përfaqëson atë shtresë të re të korrupsionit që fillon të lind në anarshinë e krijuar.

Profesor Enjani dhe profesor Berzati dy figura me karaktere të kundërta; i pari i drejtë e i ndershëm dhe i dyti me sjellje që lënë për të dëshiruar.

Bandat e terrorit  me perfaqësuesit e tyre janë një grup tjetër personazhezh negativ të  krijuara  nga  të rinj me probleme nga e kaluara dhe të trembur nga kaosi apo të shtyrë dhe nga ndjenja për t’u hakmarrë si dhe të rinj me  makutërinë për t’u pasuruar shpejt e shpejt duke vjedhur apo marrë me forcë të tjerëve, japin shenjat e para të një krimi që kërkon të organizohet, ndonëse edhe shpesh bien preh të rivalitetit me njëra –tjetrën.

Në  roman do të gjejmë një galeri të tërë personazhezh që unë nuk po zgjatem, të cilët shkrimtari i ka dhënë me vitalitetin e penës së tij, të gjallë, jetësor e të prekshëm. Nuk ka asgjë ireale, të pakapshme të këtij romani; ata janë njerëzit e përditshëm. Janë kolegët e punës, shokët e lagjes, të afërmit, miqtë, kundërshtarët, ata me të cilët jemi rritur e kemi jetuar.

I bëj pergëzimet e mia të përzemërta shkrimtarit duke i uruar suksese në vepra të reja.

Filed Under: LETERSI Tagged With: E kuala e Bores, Ilir Levonja, Kujtim Hajdari

Kush mund t’i mbrojë kuksianët

April 20, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Eshtë një pyetje afërmendsh si një plasje shpirti. Për më tepër kur shikon një apati civile të një shoqërie e cila në vend të merret me hallet ekonomike, merret me videon e Sali Berishës dhe Sajmir Tahirit. Në vend të merret me të drejtat flagrante të shkeluara haptazi karshi një grupi qytetarësh të pashpresë, merret me dashurinë platonike, në të shkuarën, të një artisteje karshi kryeministrit. Janë ato çaste yshtje të qëllimta që pa diskutim e kam origjinën nga vetë Berisha dhe Edi Rama. I pari të mbrojë floririn që nuses i duhet t’i laj këmbët atij. I dyti të krehi mjekrën politike sidomos kur shikon nga lart poshtë popullin e vet. Eshtë një plasje shpirti vëllezër sepse kjo apati opozitare me sherrin Berisha Tahiri, një avaz i dale boje më, nuk ka asnjë lidhje me hendekun e madh social midis jush dhe oligarkisë së prodhuar nga pushteti absolut i këtyre 28 vite demokraci. Janë plotësisht njësoj, aq sa jeta plot paradokse do vazhdoj kështu. Sepse reformat i kanë në dorë ujqërit që ruajnë bankat, investimet, progresin social, zhvillimin e vendit. Unë do e filloj së pari nga kjo opozite e vdekur me në krye një ish lider të lodhur, që quan përtëritje opozitare investime si ky i djalit të Fahri Balliut. Nga koha e demokratizimit të vendit e këtej, njëmijë e një të zeza pësoi Shqipëria, veç kulturën e rrotacionit politik, a hapjen e krahut, jo e jo. Mjerë ajo forcë politike që i fal këto mëkate dhe i gëzohet showt të dixhitalizimit që një lider i lodhur bën me një gangaster bash në kuvendin e shqiptarëve. PD-ja duhet ta kish përzënë me kohë Berishën. Dhe ka njëmijë e një arsye të djegi mandatet, por nuk e bën. Ka njëmijë e një arsye të jetë në rrugë sot, me kuksianët. Për më tepër kur ka padrejtësi dhe është vet një investitorë jo e largët. Për më tepër kur brutalizmi i reprezaljeve policore i ngjan atyre arrestimeve të dhunshme të bosëve të kartelit. Ca hallexhinjëve që mbajnë deri në tetë veta me një pension nga koha e minierave a ndërmarrjet e ekonomisë së përbashkët. Ky është një disfatizëm social, moral dhe ekonomik. Që normale, nuk mund të mbrohet me aleanca me Nard Ndokën a Fatmir Mediun. Me familjen lësëiste asesi. Mjaft me Sali Berishën në keni pak dashuri për veten tuaj. Dilni në rrugë dhe shkundni gurët. Oligarkinë brenda vetes, mjaft ia zgjatët pushtetin Ramës. Po vazhdoj me sejmenin e diktaturës… Nuk e di se si iu duken normale, shmangia nga e vërteta, nga realiteti…, nga varfëria juaj. Nga e përditshmja që mezi e mbyllni, po veç e me plasje shpirti. Nuk e di se si i pranoni këto lloj llomotitjesh të përditshme se si a qysh ka dashur një femër kryeministrin. Janë gjëra bajate … edhe kafshët kanë historitë e tyre. Gjëra që nuk ka asnjë lidhje me bilancet e fundvidit. Ku ishim, sa merrnim, sa marrim. Eshtë një paradoks social mental… Po ta marrim nga morali, të nxjerr sytë, mjaft të shikosh gjallë, një dëshmi, një turp të papaguar, kombëtar, shoqëror si rasti i gruas së poetit kuksian Havzi Nela. Jo më larg, po në prag të demokracisë. NJë familje e shkatërruar, me gjakftohtësi pikërisht për këto aspirata që sot e njëzetë e tetë vite ne duam ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Eshtë të vësh duart në kokë, por si mund ta çojnë Shqipërinë në Europë një kryeministër babai i të cilit firmosi për varjen e këtij intelektuali poet. Si mund ta çoj një opozitë që merret veç me denoncime dhe shtyrje kohe. Si mund ta çojë një shoqëri që masturbohet e tëra kur anashkalon mëkate të tilla.., masturbohet e tëra pas një dashurie platonike mes një ish të persekuture dhe persekutorit? Si mund të ta çojmë vendin në Europë duke lënë vetëm ata protestues kuksianë, që arrestohen e gjykohen për një protestë. Dhe nuk arrestohet një ish ministër i cili del kokë e këmbë i lidhur me drogën. Ka përgjegjësi të drejtë për drejtë në kanabizimin e vendit etj. Janë bjerrje kohe, bjerrje pa fund, tranzicion pa fund. Asnjë demokraci nuk është e arrirë me denoncime, ideollogji dhe pa rezultatet ekonomike a të të drejtat e njeriut. Mirëpo midis luftës së Berishës dhe pushtetit të Edi Ramës, demokracia flet veç për pasurimin dhe të drejtat e sojit dhe sorollopit të tyre. Ju ta gëzoni kohën e djegur dhe llogjet nga pazari i Kavajës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Kush mund, t'i mbrojë kuksianët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT