• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tao-tao Taulanti…

March 12, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Sot grupi parlamentar i PS, diskutoi shumat lobuese që Basha dhe PD-ja e tij kanë ofruar në Washington. Grupeve që merren me punë të tilla. Sipas tyre përmes rusëve etj. Dhe paniku socialist qëndron tek shumat e pa deklaruara. Para me shumicë. Afera të pista etj. Ky që flet, është Taulant Balla.
Rreth tij një shpurë shumë e shqetësuar zyrtarësh. Pa diskutim burokratë klasikë. Që aq me shumicë i ka gjora Shqipëria jonë. E dëgjojmë sy hapur, frymë pezull. Habiten. Kanë panik në mollza. Rusët, shuma parash të pa deklaruara.
Për një foto me Donald Trumpin. Një farë Muzi që Taulanti nuk ia thotë dot emrin. Do t’i japi pak theks anglez. Por gjenetikisht është e vështirë për ne ballkanasit e sertë, nevrastenik e fallco. Një zbulim i madh. Ka lobuar PD-ja, me një fjalë Basha. La fushatën dhe fluturoi në Washington.
I referohet një webi, që po investigon. Deklarimeve të lobuesit, ato të taksave pranë thesarit të shtetit. Me një fjalë të tjera ka deklaruar aty, ai. Të tjera janë shifrat e dhëna nga PD.
Ky është Taulant Balla, sot për fatin e mbrapsht të shqiptarëve, një fshatar nga Librazhdi, kryetar i grupit parlamentar të partisë në pushtet me emrin PS.
Dhe ne fakt historikisht, këto janë devijimet tek ne. Devijimet e mëdha. Nga misioni i shtetarit tek ai demagogut. Një absurditet social që shqiptarët e hanë me qejf.
Prezenca e këtyre Tao-tao-ve dhe mjellmave përreth që e dëgjojnë sikur janë në prag të një epidemie.
Ky Tao-tao, nuk e mblodhi grupin parlamentar kur 2012 një shofer taksie në New Jersey, pranoi tek organet hetimore se kishte marrë nga jashtë një shumë parash. Janë ato 80 mijë dollarët e famshëm që si e si Edi Rama të bënte një foto të shpifur me Obamën. Janë ato çmenduritë, absurdet e njëshave tanë. Si e si tu hedhin pluhur eksitues njerëzëve, qytetarëve që janë politizuar më shumë se ata.
Se një foto me presidentin, u thotë shqiptarëve e kemi mirë me Amerikën. Pikë e zezë. Me aq para mund të ndreqni një shkollë. Mjerë ai vend që ka shtetarë që, shohin vetëm të përat e tjetrit. Dhe i mbulojnë si macja të vetat.
Ky Tao-tao, nuk e mblodhi grupin kur prokuroria e Katanjas në tetorin e 2017, zbuloi fakte, për implikimin e ministrit të brendshëm, Tahirit.
As kur një nga ata të cilët Tao-tao dhe lali Eri i prenë shiritin e inaugurimit në ato vulgaritetet e punëve të radhës, që janë detyrim social jo show, u kap me 800 mijë euro kesh në Elbasan.
Nuk e mbolli grupin parlamentar kur ”mushkonjat” pilotonin anekënd Shqipërisë, në fushatën korrjes dhe paketimit të drogës. Dhe që sot jemi kreu i drejtimit dhe kontrollit të tregut nga vendet e Amerikës Latine. Si të thuash filtri, a tranzistori i Mesdheut per rajonin dhe ishullin e Britanisë së madhe. As kur kapen sasi të konsiderueshme kokaine mes trailërve të bananeve që vinë direkt nga Kolumbia. Në ato të pulave që vinë nga Brazili. Por këto nuk janë as punët e komisionit parlamentar, aq më tepër në qeveri, janë punët e kërkujt. Punë e komisioneve qeveritare është të sfidoj organet e akuzës. Edhe pse e mori prokurorinë mes tymit dhe emergjencës. Diktatit të shumicës etj. Të luaj me blofin e propagandës. Mirëpo nuk funksionin kështu. Dhe është për të ardhur keq që, këtë, ne hamë si sapunin për djathë.
Një qeverisje me strategjinë për të qënë një hallkë më shumë për stanjacionin.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Tao-tao Taulanti

Kafe Pennsylvania në Washington DC….

March 11, 2018 by dgreca

1 Levonja IlirNga Ilir Levonja/

Eshtë një mëngjes i ftohtë, por plot oksigjen. Ndodhem në një kafe buzë bulevardit Pennsylvania., Washington DC. Ca çape më tutje është shtëpia e bardhë. Mua gjithmonë më kanë pëlqyer mëngjeset. Me punë pa punë, dal të shoh davaritjen e natës. Është ajo orë e paqtë ku era e kafesë përzihet me ndjesitë e tua. Mbi paradokset, firot a arritjet, shkurt, teksa shijon kumtin e një kafeje province. Je në atë gjendje, që një poet hebre me emrin Yehuda Amichai, (Jehuda Amikai) e përshkruan me dy vargje, ”malet kanë luginat me mjergull/ unë mendimet e mia”. Sipër kokës sime një aradhe fotosh nga presidentët e Amerikës. Me filxhanë kafeje në duar. Ambjenti rreth tyre qe pikërisht ky. Po pija kafe, pikërisht aty ku e kishin shijuar shumë syresh. Se si më shikonin… Nga iksi tek ypsiloni, Bushi, Obama etj. Ky aktuali, të cilin e kam fqinj në Florida, nuk kishte ardhur akoma të fiksonte një foto. Një kafe e thjeshtë që më kujtoi për pak ato mëngjesoret e kohës në dheun tim. Dhe sapo çeka këtë, këtë nocion që dhëmb’. dheun, plot rrokapjekje vërshuan kohët. Duke filluar me siglat televizive, plot dhunë dritash e tingujsh, rreth agresorit shtëpia e bardhë. Koha e imperializmit dhe e social-imperializmit, kur ne një grusht njerëzish, i bënim karshillëk bllokadave, me ushtrimet fizike në orët e para të mëngjesit. Vërshuan për të më ngërdheshur me veten nga qartësia e konceptit mbi lirinë, popujt, a luftën e klasave. Një vrarje e vetvetes me qejf shqiptarësh qëas sot e kësaj dite nuk peshon aspak. Por e kemi varur në atë gozhdën prapë derës, justifikimin, se, ashtu ishte koha.

Mbrëmjen e kaluar shëtita aty. Doja ta ndjeja me shputat e mia atë bulevard. Atë kopësht ku uleshin e ngriheshin zogjtë e ajrit, helikopterët me burrat e këtij shteti të madh. Këtij dheu emigrantësh që konsoliduan lirinë dhe të drejtat e njeriut fal një vendosmërie në rrotacionin e pushtetit, balancimin e tij dhe shenjtërinë e pronës. Dhe midis dhjetra adhuruesve, kishte plot protestues. Me pankarta, ku shkruheshin nga gjërat më të vogla. Deri tek ato kërkesat plot lutje shpirtrash për masakrat e sotshme në Sirinë e dënuar nga dinastia e Basharëve. Po kjo është toka e lirisë dhe e të drejtave. Ndaj gjithçka tingëllon mëse normale. Dhe ja këta burra, i kisha fare pranë frymës sime. Fare pranë syve të mi tretur në atë bulevard ku po davaritej nata. Ku statujat e presidentëve të flasin nga çdo qoshe. Aq sa nuk është e vështirë për ta kuptuar se çdo tullë ka historinë e vet. Një galeri e gjallë ku askush nuk ka mbi vete turp, qoftë ky i majtë apo i djathtë, por vetëm repsekt. Dhe ndjesi njerëzore të pashtershme, brezash që shkojnë e vinë, për të ndaluar aty, shkrepur qoftë dhe një foto. Qoftë një pleksje sysh për të të thënë se njerëzit nëse mundin demonët brenda vetes, kanë triumfuar.

Po ndërsa rrija e mendoja se në këtë periudhë timen amerikane, mbi trembjëdhjetëvjeçare, kam ndërruar 4 presidentë. Në vendin tim, në dheun tim, sillen e sqillen një grup emrash. Një kulturë bolshevike e posedimit të pushtetit, jo të balancave dhe të të drejtave të lirive. Dhe po paradoksalisht habiten e i nxjerrin sytë njëri tjetrit me aferat lobuese ruse, megjithëse janë kthyer vet në një sallatë turli e llojit rus.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Kafe Pennsylvania

Beppe Grillo ky hall i madh i shqiptarëve

March 8, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

1-ilir-levonja-2-288x300-1

 Ajo që është e trishtueshme me këtë historinë e zgjedhjeve në Itali, është mendësia jonë. Një opinion i tërë që bjerret pas komedianit Beppe Grillo dhe lëvizjes së tij 5 yjet, e cila sapo fitoi zgjedhjet aty. Ta kenë shqetësimin në lidhje me komunitetin shqiptar që jeton në Itali, politikat e fituesit etj., do u hiqja kapelen. Por jo! E kanë me paqartësinë e Grillos. Një fitues kot, pa program, me një fjalë vetëm llomotit. Kështu e quajnë ata. Kësisoj Italinë nuk dihet se çfarë e pret. Dhe mbledhin supet duke konstatuar si të paditur votuesit, italianët. U qajmë hallin. I quajmë të çuditshëm pasi prishën ritin. Me një fjalë e nxorrën Ps-në a Pd-në e traditës jashtë qeverisjes duke e futur vendin në qorrsokak.

Në fakt duhet thënë, që, mjerë ne për këtë mendësi, jo italianët. Por kjo kurrë nuk ndodh, ndaj mjerë ne, dyfish, a trefish më shumë. Mjerë ne që, kujtojmë se i mbaruam hallet tona dhe tani kemi zënë me këto të rajonit.

Që merremi me Italinë mirë bëjmë, sepse e thashë aty jeton gati gjysma e Shqipërisë. Ta kthejmë nga të duam, jemi kaq të lidhur sa gjynahet, sakrificat dhe të mirat i dinë ujrat e detit. I dinë rrugët e atij vendi, stacionet, metrotë, sipërmarrësit por edhe qeveritë. E aq më tepër, aty po rritet një aradhe e tërë shqiptarësh, madje konkurent në politikë, në art dhe shkencë.

Të cilët kur fitojnë, ne, vrapojmë të rrahim gjoksin duke i përmendur si shqiptarë. Nga ana tjetër harrojmë që i kemi dëbuar me lopatë nga vendi.

Pa harruar faktin se është Italia, audicioni i saj televiziv, kultura e saj, gjithçka e saj, dritarja që na shpuri në pluralizëm dhe demokraci. Mirëpo ka ardhur dita ta qortojmë për shkak të një komediani. I cili krejt ndryshe nga aferat tradicionale të formimit të një partie…, iu dedikua internetit, komunikimit të lirë, pa fushatat standarte dhe fondeve të padeklaruara asnjëherë. Dhe përmes tij për vite me radhë demaskoi padrejtësitë dhe krizat që sillte sistemi i korruptuar i partive tradicionale. Ofroi lëvizjen e tij, të njerëzve që e përkrahnin, të shoqërisë civile. Pasi e tillë është demokracia, e shoqërisë, jo e oligarkëve. U deshën plot 10 vite që lëvizja e tij të fitonte. Kjo në aradhen e ndryshimeve në vendet e rajonit. Përshembull si Franca, Austria, Hungaria, Greqia etj.

Sot plot opinionistë pyesin dhe presin. Cili vend e ka radhën? Cili vend do prishi ritin tashmë të dështuar të partive tradicionale? Pra, ka domethënien e një lëvizje që po ndodh organikisht. Sepse Europa është një, në kuptimin e ndjeshmërisë dhe ndryshimeve. Të thuash që Beppe Grillo është kot. Nuk e dimë se si e votuan italianët. Eshtë kot se nuk ka asgjë. Se për çfarë gjëje bëhet fjalë. Sepse në lëvizjet e mëdha me zhurmë dhe pa zhurmë, janë idetë dhe platformat, grinta denoncuese, ato që përbëjnë shtysat. Nëse eshtë fjala për pasuri, a ku dreqin e di se çfarë. Këto janë paradokse shqiptare. E aq më tepër, kur harrojmë se, nuk kishte asgjë edhe një peshkop me emrin Fan Noli dikur në Shqipërinë e vitit 1924, por u bë kryeministër. Ose kishte plot Hasan Prishtina, por e vramë në mes të rrugës.

Por mos t’i largohemi punëve tona. Kjo do të ishte më efikase. Se italianët dinë se çfarë bëjnë. Kanë menjanë dhe dinë se si ta tresin. Kanë zotëruar gjysmën e botës, janë shpërbërë e ringritur vetë. Po na ushqejnë edhe ne, Afrikën e plot vende nga bota në konflikt të vazhdueshëm e vende të lindjes së mesme.

Puna është halli jonë. A e ka të domosdoshme Shqipëria një lëvizje të re politike si vendet fqinjë? Si vendet promotorë të orjentimit të shoqërisës së saj? Apo do vazhdoj me këto programet e dala boje të oligarkëve aktualë, njëri më i pasur se tjetri. Italianët e lanë brenda llojit manekin një 82 vjeçar si Berlusconi. I thanë rri aty. Kurse ne, vendi pa rini, u themi etërve kthehuni. Do vazhdojmë me këto politikat vullnetare si kjo e mbjelljes së pemëve. Në vazhdën e aksioneve si dikur, kur ndërtuam brezaret, hekurudhat, metalurgjitë, azotikët etj. Apo do fusim vendin në shinat e demokracive perëndimore.?

Se i bie, që, lopatën e ka shoqëria, paratë agai…

Shqipëria e ka më se të domosdoshme një lëvizje të tipit 5 yjet. E ka të domosdoshme t’i bashkangjitet lëvizjes së shembjes së partive tradicionale. Nuk duhet të rrijë e fundit, si atëherë kur shembej muri i Berlinit dhe ne bënim sehir.

Shikoni vetëm duart tuaja. Shikoni vetëm ditën tuaj. Kohën me shumicë aq sa u duket dita vit. Duke iu kthyer në humbamen pas ERTV, lali Erit, një bolshevik klasik i aksionit dhe punëve vullnetare. Shikoni marazin që po u mbyt nga frika për të folur. Çfarë keni. Dhe si i arritët. Nëse keni shumë, i keni vënë padrejtësisht. Dhe nëse nuk keni asgjë, po padrejtësisht jeni bërë pronarë të asgjësë. Kaq. Jo më shumë…

Filed Under: Analiza Tagged With: Beppe Grillo, i shqiptareve, Ilir Levonja, ky hall i madh

Oligarkia shqiptare dhe rrathët e saj

March 2, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në fakt gjithë motorët që punojnë në Shqipëri janë produkt i oligarkisë dhe rrathëve të saj. Nisur nga zyrat e partive politike, zyrat ministrore dhe për rrjedhojë ato të bizneseve.

Ne jemi një vend që iu qasëm demokracisë nga diktatura e proletariatit. Nga një dëshpërim i madh kolektiv, ku në memorien tonë ato fluturimet nga bashi i anijeve, i shqiptarëve që hidheshin në det, si zogjtë që rrahin fluturimin e parë, janë akoma të gjalla. Një vend që iu qasëm demokracisë nga gjoja pushimi i luftës së klasave, ku shtresat e dikurshme jo vetëm nuk pushuan, por e forcuan, duke përçudnuar njëri-tjetrin. Në fakt ne bëm sikur, por nuk e pushuam atë, përkundrazi e kemi thelluar.

Kjo ka për bazë mungesën e një ndjese a pajtimi kombëtar. Nuk u bë. As nuk ka ndërmend. Dhe ajo që është me regresistja është ideja e grupazheve për hir të hierarkive dhe bindjeve të vjetra. Duke sheshuar një fakt thelbësor, atë që, shkaku kryesor i kalimit në demokraci, ishte ekonomia.

Ne për të gjitha flasim, veç për ekonominë jo. Madje kush i shërben ekonomisë është disfatist.

Megjithëse njihet botërisht demokracia është ekonomi, ligj dhe përgjegjësi qytetare. Ne, asnjë nga tria, nuk e kemi. Veç dashurisë pafund për njëshat, minierat e oligarkisë sonë.

Çfarë është një oligark politik?

Sapo dëgjoni një opinion që thonë se filani tërheq vëmendjen, tërheq audicionin e mediave a të tjera mjete komunikimi, ky filani është oligark. Por më i keq se ky, është tërësia e rrathëve pranë tij, një tërësi diplomash, gjuhësh, bibliotekash, bëjnë amin për ca të drejta në kundërshti të plotë me shifrat, si e si në pritje të një posti që është kthyer tashmë jo në detyrim karriere a intelektuale, por një hob.

Kësisoj shqiptarët që erdhën në demokraci nga apartamentet 1 e 2 dhoma e guzhinë, me një banjo, ku edhe laheshin edhe gatuanin me furnelat e vajgurit, janë kthyer sot në hobista të njëshave. Tmerrësisht të pasur edhe pse nuk zotërojnë asnjë ndërmarrje prodhimi. Përshembull si ish kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni. Ndërsa në demokracitë perëndimore, sistemi, institucioni i taksës, verifikimit të të ardhurave, të shtrydh topet, qofsh ti edhe perëndi. Në Shqipërinë e oligarkëve dhe rrathëve të saj, as që bëhet ndonjëherë ndonjë verifikim serioz i të ardhurve. Megjithatë plot policë bashkiak kapin plaka që shesin qepë të njoma trotuareve për të blerë një thes me miell.

Shumë nga bizneset në Shqipëri nisën nga zyrat e partive politike. Në fakt janë partitë ato që i kanë bizneset, kjo në shkëmbim të bërjes së fushatave, vilave dhe suportit të jetës luksoze. Nga ana tjetër edhe si mjete shantazhimi për mbylljen e gojës, sidomos kur bëhet fjalë për ndarjen e tenderimeve. Por edhe për gjëra më të vogla, si vendi i punës. Kjo verifikohet lehte, shumat e padeklaruara apo burimet anonime financiare në fushatat elektorale. Tek lufta brenda llojit, procedurat me shkelje flagrante te statuteve etj. Gjithsesi, nisi kështu në Shqipërinë tonë, dhimokracia, me një nga eksperiencat më të këqija nga përvoja e shpërbërjes së Unionit Sovjetik. Jo rastësisht sot aludohet në horizont një lloj rimbështetje a afrim tek vendet ish bllokut të lindjes. Ky është një tjetër fakt që nga përvoja e alencave të lindjes oligarkia i afron shqiptarëve një ekonomi lëmoshash pa vënë asnjëherë në punë ekonominë e vendit dhe fuqinë reale kreative të individëve të saj. Pra, pikërisht pse nisi nga zyrat e partive deri me sot nuk ngeli katundar a konviktor me valixhe druri, rreshter a kapter ushtrie, ish sekretar a komunist pa një firmë, biznes a medium viziv. Pse nisi nga partitë ne njohim me gjykatë 136 forca politike në vend. Produkte skarco apo gallate për popullin. Se ata për vete janë në rregull. Ndaj edhe sot ata bëjnë luftën, për të mbrojtur interesat financiare të tyre, të bijve, vëllezërve dhe dashnoreve e burrave të tyre. Pra është një luftë e tyre, për veten, sojin dhe asesi për një ekonomi të tregut të lirë dhe konkurencës.

Ndaj them që është naive të diskutosh se a ekziston oligarkia e politikës dhe e biznesit në vendin tonë? Jo vetëm që ekziston, por lulëzon. Të gjithë e shohin, të gjithë ia ndjejnë erën. Veç shqiptarët jo.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe rrathët e saj, Ilir Levonja, Oligarkia shqiptare

Genocidi armen, Hollanda dhe Shqipëria

February 23, 2018 by dgreca

2-Ilir-196x300-1

Nga Ilir Levonja/

Sot bota e sulltanit Erdogan është tepër e trazuar. Parlamenti i një vendi të vogël si Hollanda, vendosi me 150 vota pro dhe 3 kundër, njohjen e genocidit armen. Atë që turqit e rinj ushtruan prej prillit 1915 deri në 1920 karshi kulturës, intelektualëve dhe besimit kristian të armenëve. Jo pak por 5 vjet, masakra, reprezalje = mizori. Aq sa kur futesh galerive të kërkimit të fakteve, të ngjethet mishi nga bëmat çnjerëzore dhe mendjet që i ideuan ato. Atë botë Armenia ishte pjesë e perandorisë otomane. Nje vend i vogël, me një popullatë prej afro 2 milonë banorë. Nënshtruar dhe inkuadruar brenda perandorisë madje duke kontribuar ashtu si edhe vende të tjera nën ‘të, me intelektualë, krahë punë, rektrutë apo nizamë siç edhe thirreshin ushtarët e rinj. Eshtë një gjenocid i pashoq, për faktin se nuk kurseu as ata armenë që për të përfituar privilegje sociale, më shumë të drejta, më shumë liri, prona dhe armë…, u konvertuan nga katolikë në mysliman. Një stil otoman tashmë i njohur për të gjithë. Madje këta ishin të parët që iu nënshtruan dhunës. Edhe pse jetonin brenda Stambollit dhe kishin kontribute në ndërtimin e perandorisë. Kjo njihet edhe si nata e errët, apo e diela e kuqe e Stambollit (24 prill 1915) kur nga një urdhër i ministrit të brendshëm të kohës Mehmet Telat Pasha nisi tmerri i spastrimit etnik. Familje të tëra armene të dëbuara dhe të dënuara të ecnin në këmbë në shkretëtirën e Mesopotamisë. Kush ndalonte, vritej në vend. Sipas kronikave të kohës, shumë syresh këputeshin në këmbë, shembeshin në rërë të rraskapitur e djegur për një pikë uji. Kufoma që ecnin. Kush kapi pikën e grumbullimit, u masakrua me jataganë e plumba kokës. Nga ky spastrim etnik, Armenia llogaritet të ketë humbur rreth 1 milion e gjysëm njerëz. Dhe ta mendosh që ishte afro tek 2 milion banorë. Nga një rishkrim i fundit del që numri i saktë përkon me shifrën 388 mijë armenë që mbijetuan. Nuk është e vështirë të perceptohet se sa e madhe është gjëma. Dhe se Armenia në raport me popullatën, ka numrin më të madh të martirëve. Një dhimbje që sado njohjes nuk mund ta shuaj asesi lumin e lotëve të nënave armene. Sot bota e qytetëruar e njeh këtë si genocidi i parë në historinë moderne të njerëzimit.

Në fakt vota holandeze ka një rëndësi thelbësore për kohën.

E para nje vend demokratik që historinë e kolonizimit e ka marrë mbi vete duke i hapur dyert emigrantëve me shumicë. Madje njihet sot si një model i Amerikës së madhe. Ose si Amerika e vendeve të ulta në bregun lindor të atlantikut.

E dyta si e tillë nuk u nënshtrohet presioneve nga jashtë, në rastin konkret të pallatit presidencial në Ankara. Aq më tepër që në Hollandë jeton e punon një komunitet i madh turk.

Këtë e dëshmoi edhe vjet duke mos i dhënë vizë deri ministrit të jashtëm të Turqisë, i cili për llogari të Erdoganit, kërkonte të bënte tubime e fushatë elektorale në vendin e vogël.

E treta, jo vetëm për gjakun e humbur të armenëve, por stadi i civilizimit të bën sot të mos heshtësh përballë padrejtësisë.

Por që gjithsesi për ne, është një model që stonon në Shqipërinë tonë. Sepse jemi tashmë të pushtuar ekonomikisht nga otomanizmi.

Pak muaj më parë, Shqipëria votoi kundër kërkesës së presidentit të Amerikës në OKB, për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Kjo sipas qeverisë, vet atij të parruarit në krye, një votë plotësisht luajale karshi politikës së parlamentit europian. Mirëpo në rastin e genocidit armen njohja nuk mungon. Me një fjalë parlamenti europian e njeh genocidin që Turqia otomane bëri në Armeni. Kurse ne jo… Megjithëse si komb me popullatë afërmendsh të njëllojtë me armenët, me histori të lashtë afërmendsh njëlloj me ta, nuk na e ka ënda.

Nuk na e ka ënda të jemi aleatë të vetvetes. Të popujve me fate të përbashkëta. Vetëm për ca thërrime lëmoshash për ndërtime xhamish dhe aeroporte që ne i quajmë investime.

Filed Under: Politike Tagged With: Genocidi armen, Hollanda dhe Shqipëria, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT