• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një xhentëlmen i nxehur keq

June 18, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Një nga fitoret më të mëdha të opozitarizmit ishte dhe heqja e mandatit të Koço Kokëdhimës. E bëri këtë edhe me ministrin Beqja ca vite më parë, në mos gabojë 2011. Arsyet janë vërtetë cinike. Një person i veshur me autoritet shtetari, apo ligjëvënësi, nuk mund të përfitojë fonde. Sidomos kur këto kanë si burim, investimet qeveritare. Afërmendsh është e kuptueshme që ndikon autoriteti i personit në fjalë, pra në përfitimin e tenderave publikë. Dhe kjo ka ndodhur, po ndodh dhe do ndodhi rëndom në vendin tonë. Shumë nga këta ”xhentëlmenë” miliarderë, që sot flasin për kulturë fisnore të sojit të parelliut. Me praktikën që, leku shkon tek leku, nuk janë asgjë tjetër por një soj alarmant i shushunjave që po pijnë gjakun e një populli të budallepsur. Madje po kaq të sigurtë në lëvizjet e tyre, futën dhe atë kulturën e çuditshme midis turkoshakut, perëndimorit katolik dhe ortodoks të përmirësimit të emrave që u kanë dhënë prindërit e gjakut. Janë këta shpikësit e transformimeve emrore. Duke i cilësuar si terorira të jetës private. Ndërkohë që alarmohen me kravata të firmave nga më të shtrnjta, për ndonjë ligj që është normal me botën e perëndimit. Ashtu si ai për të drejtat e njerëzve me orintime të ndryshme seksuale etj. Janë një tërësi shushunjash që me fasadat e tyre prej manekinësh, flasin për moral dhe familje. Edhe pse teoricienë e parimorë të të privacisë. Ndofta është kjo, ajo koha e plenimit të strategjisë së xhentëlmenëve me gra të pasuara dhe burra të varfër. Që fatkeqësisht ka zënë vënd në vigjiljen e një populli të tërë. Dhe është çimentuar. Zor se do shkëputet.

Sot shqiptarët kanë zënë e diskutojnë se, si është e mundur që Koçua i doli kundër Ramës? Si është e mundur që një nga krahësit e tij. Një nga më të besuarit etj…, shkoi e bëri aleancë me nervat e prera të opozitës, në lidhje me nenin 88 të reformës në drejtësi?
Si është e mundur që iu bashkua karshillëkut të LSI-së etj?
E bëri për parimet?! Jo, jo, aspak…, eshtë taktika e vjetër e shushunjave. Kjo e nisur edhe nga koha e shushunjave. Nga diktatura. Unë e kam thënë dhe herë të tjera…, diktaturat nuk kanë për autorë një emër të vetëm. Por disa, me dhjetra, shumë. Dhe një nga arsyet e destinimit të dështimit, të mos hapjes së dosjeve, edhe sot e kësaj dite është pikërisht edhe kjo, bashkëautorësia në krim.
Në fakt është i gjithi një karshillëk që i shkon për shtat kohës sonë entuziaste. Dhe që duam apo nuk duam ne, po u jep një dorë edhe kjo pjesëmarrja e Shqipërisë në arenën e futbollit europian. Shqiptarët e botës perëndimore, nga janë e ku nuk janë…, janë aty si një luk i ëndërruar i ndjenjave të pastra të një kombi. I atij se si duhej të ishte. Jo i atij që është. Kjo është një kohë e artë për shushunjat. Pasi ne mund të falim edhe shpirtin si e si të mos na shuajnë entuziazmin. Edhe pse nga ana tjetër, është një soj vdekje e qytetarisë që në vendin amë, hanë fara luledielli dhe flasin veç për botën, se si është ajo, se si janë kulturat. Dhe që akoma nuk e kuptojnë se demokracia normale, ajo që ata mbetën vetëm duke e ëndërruar, nuk është asgjë tjetër por pjesmarrje me të drejta të plota në vendimarrje. Jo privilegj, vetëm i shushunjave.
Këtë e bëri Greqia para pak ditësh në sheshin Sintagma dhe në Selanik. Thjesht dhe pastër, dorëhiqu. Por këtë ne e kemi tmerrësisht të pakonceptueshme. Aq sa sot mund të themi se, përfundimisht se në Shqipëri nuk ka popull. Por vetëm socialistë rilindas, demokratë militantë dhe lsi-sta që fërkojnë duart.
Në horizont, sapo u shfaq një shushunjë e madhe. I shkon për shtat historisë së lsi-ste. Vendi i baba Takut ka mbetur bosh. Dhe Koços i kanë mbetur aq para sa për të blerë votat e nevojshme.
Kjo është e gjitha.

Filed Under: Komente Tagged With: i nxehur keq, Ilir Levonja, Një xhentëlmen

Kjo 88-ta që na ka zënë rrugën

June 16, 2016 by dgreca

Opinion nga Ilir Levonja-Florida/

Vetëm një gjë më trishton në gjithë këtë këmbëngulje. Në këtë punën e 88-tës. Këtë të Venecias. Të cilën po e shtrëngojmë. E po i dalim kundër Europës, sikur Venecia mos me qënë në Europë.

Më trishton pretendimi se partia në pushtet i kap të gjitha, nëse nuk zbatohet pikë për pikë kjo 88-ta e Venecias. Ajo për mosdakordimin dhe futjen në skenë, këtë propocionalin e famshëm. Dhe këtu tek këto thërrime formulash zgjedhje do mundemi të bëjmë pjesë edhe ne si opozitë.
Duket si një justifikim i paraprirë për zgjedhjet që po afrojnë. Duket si një justifikim i deklaruar i humbjes së pritshme. I bie shkoqur që po bëjmë zhurmë pasi e kemi të garantuar humbjen në zgjedhjet e ardhshme. Se ndryshe, i thonë që po i presim hakun vetvetes kur të jemi ne në pushtet.
Dhe kjo është absurde për një opozitarizëm në demokraci normale.
Po, po absurde.
Tek kërkoja në internet më shumë informacion rreth këtij të famshmit nen të Venecias. Nga krahu i webeve opozitare, vura re se shumë prej tyre vegjetonin akoma në muajt e vitit të kaluar. I pari webi i Rilindjes demokratike. E dyta kryesia e xhaketave të lodhura me pushtet, mendojnë të fitojnë pikë përmes kundërshtimit të martesave gay etj. Nga ana tjetër ndjehet një panik i madh për rrjedhjen e votës. Apo heqjen e veshit që u bëjnë disa kryetarë partish nga baza. Kësaj qëndrës që delegon aty, me imponimin e pushtetit pikërisht këto xhaketa të lodhura. Këto të cilët e konsiderojnë realitetin e provincës akoma si një meritokraci e të fortëve dhe e grabitjes së votës. Apo të justifikimit me traditë dhe histori si zonë e jona. Zonë e djathtë. Ose janë të majtë ata. Edhe pse morëm një shuplakë të fortë nga Kavaja, shtatë vjet më parë.
Një qëndër që nuk i vë veshin bazës, është e destinuar të dështojë.
Në kushtet e krizës aktuale, duke patur parasysh edhe skandalet e fundit, me kryetarët e bashkive, mandatet e hequra, arrestimet dhe ndjekjen penale të deputetëve etj. Pa përmendur edhe depresionin kolektiv shqiptar, i cili gjen ngushëllim tek entuziazmi i përfaqësimit në eventin e futbollit europian, është miopi të mos përfitosh si opozitë. Por nuk ke se çfarë i bën. Eshtë thelbi tek ato xhaketat e lodhura që janë me Venecian, por jo me Europën. Janë me Amerikën, por jo me ambasadorin e saj. Janë me tregtimin e votës kur u duhet të zgjedhin president deshtak. Kur krijojnë aleanca jo bionatyrore. Kur falin po kolltuqe për hatër të këtyre aleancave. Duke lënë përjetësisht anëtarin militant, thjesht militant.
Ashtu sikur kërcënojnë për integritet kur u prishet vegjetimi. Vegjetimi njëzetë e pesë vjeçar në kolltukun e kuvendit, të vendit të një qytetari që nuk merr as një të dhjetën e pagës së tij. Janë për kompromisin, por për ekzistencën e tyre. Jo për interesat e një vendi të tërë. Dhe kjo ndodh e gjitha nga ajo psikozë me natyrën e fetarizmit radikal, që e kemi thënë e stërthënë, se njeriu ynë doktorohet e shkencërohet, vetëm e vetëm që të bëhet politikan. Që të rrijë gjysmë shekulli jetë në pushtet.
Lëreni 88-tën mënjanë demokratë, prisheni ritin fatkeq të pësimit në fund. Dhe futuni në zgjedhje për të fituar. Ka halle plot që të mbushni torbën. Janë halle populli. Dhe pas përvojës tonë, ne kemi fituar sa herë që jemi bërë një me njerëzit. Jo me taktikat e tregut të mandateve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Kjo 88-ta, që na ka zënë rrugën

Jo çdo akt terrorist i përket ISIS-it

June 13, 2016 by dgreca

Ilir Levonja/Florida/

Çfarë ndodhi mesnatën e herët të 12 qershorit në Orlando, është plotësisht homofobia e njeriut karshi njeriut. Ose pasojat e jetës prej njerëzve me nerva të tendosuara. Karshi atyre që jetojnë shfrenimin. Por kjo është bota e lirë. Dhe sado masa të marrin qeveritë, sado interpretime të bëhen, fati është prapë një mister. Dhe ne nuk na mbetet të themi që, mos e paçim rrisk.

Sot ka një vërshim akuzash rreth shtetit islamik ISIS që po i bën karshillëk në fushat me rërë të Persisë, botës sonë…, sa moderne aq edhe të frustuar për shkak të një sërë dështimesh të papranueshme për mëndjet e hekurosura të politikës.
Kjo është një lojë që tashmë po bëhet bajate. Por që çuditërisht po funksionon. Thuajse e shumta e familjeve muslimane ndihen të paragjykuara. Ku për rrjedhojë fëmijët e tyre e shohin botën e lirë me vetulla të ngrysura. Por kjo nuk do të thotë aspak se ata janë xhihadistë. Eshtë ajo kohë njerëzore kur indinjatën e pluhuros, ose mbyt arsyeja. Dhe sado të njihen për temperemant të keq njerëzit nga fushat me rërë etj., prapë nuk mund të themi se janë struktura të terrorizmit. Amerika ka shembuj me shumicë të homofobisë. Të vrasjeve të paparashikuar të kësaj natyre. Pra në masë. Por edhe shembuj që nuk kanë lidhje fare me lidhjet radikale të besimeve. Thjesht me mendjet personale që u përgjigjen edhe frymëzimeve të filmave. Madje me një gjakftohtësi që nuk e rrok dot imagjinata njerëzore. Këta nuk janë as radikalë, as të varfër, as të pamundur për të punuar. Dhe as të papunë depresivë. Jo, nuk janë të tillë. Thjesht janë mëndje më vete. Krejt ishullorë. Aq sa gjithçka e së përditshmes u bezdisë retinën e syve.
Orlando dhe shteti i Floridës në përgjithësi është sot edhe një lloj vendi më pak i paragjykuar se veriu i Amerikës. Aq më tepër Orlando. Vendi ku fantazia njerëzore e Walt Disney-it ka bëre realitet botën magjike. Janë me mijra hektarë tokë vetëm fantazi. Ndaj pjesë e madhe e qytetarëve me prirje të ndryshme seksuale, vinë e jetojnë këtu. Shto edhe për avantazhet e klimës së ngrohtë gjatë gjithë vitit. Tubimet dhe grupimet, nuk janë vetëm privilegj i tyre. Por i të gjitha llojeve që ka nepsi njerëzor. Për shkak edhe të hapësirave fushore, shikon grupe motoçiklistësh që vetëm demonstrojnë shijet dhe pasionin për dyrrotëshin, aty ku vetëm fryma e botës quhet plotësisht e shuar. Ujë, kënetë, fushë, krokodilë dhe rrugë që vetëm humbin. Po kështu edhe në mes të ujdhesave ku lundrojnë jahtet, ku prehen të zbrazta vila me çmime marramendëse të milionerëve që kanë pushtuar buzët e ujrave. Mblidhen plot fantazista, djem, burra, vajza të reja, nëna me fëmijë, gjyshër. Afrojnë rreth barkat e vogla, rrinë gjysëm trupi në ujë dhe shijojnë birra. Thjesht e krenar ndaj të drejtës universale të njëriut si pronar i përbashkët i planetit tokë. Ndofta edhe për t’i thënë vilës përballë, arkitekturës së kolonizatorëve, ku shullohen iguanat se, si milioneri si ai i shfrenuari aty në ujë, do marrin me vete veç një grusht dhe’. Ose më keq akoma, një shishkë me hi pluhur. Pasi varri tashmë është priviligj për shkak edhe të çmimeve të kripura. Këta nuk janë radikalë, por në një farë mënyre sillen si të tillë për shkak të indinjatës. Sado e zhvilluar të bëhet një shoqëri, prapë pretendimi i menjdes njerëzore do ekzistojë. Megjithatë edhe prej këtyre dalin të çmendur që vrasin, presin…., çfarë nuk bëjnë. Tani si t’ua vëmë emrin. Luftëtarë të ISIS-it, apo efekte, qofshin anësorë, dytësorë, qëndrorë të një dështimi social-global. Që padyshim e ka ngërthyer sot botën në një luftë nervash, e cila po zgjat për të mundur luftrat dështim. Ato të mëparshmet, luftrat botërore.
Më shumë se aludimet e xhaketave të hekurosura, sot tokën e diellit e kanë pushtuar sms-të e viktimave. Aty shfaqet dhe fytyra fatale e dështimit njerëzor.

Filed Under: Analiza Tagged With: i përket ISIS-it, Ilir Levonja, Jo çdo akt terrorist

Veç marrëveshje nuk dimë të bëjmë

June 7, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Që mijra shqiptarë e prisnin me dëshirë një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës, nuk ka asnjë diskutim. Kjo me shpresën se më në fund edhe kultura politike shqiptare po tregon shenja maturimi, apo ngjajshmërie me atë të perëndimit. Si të thuash, edhe ne mundemi, edhe ne dimë të bisedojmë. Pasi veç bisedimit në tryezë, veç akordimeve të krahëve, asnjë front politik triumfator nuk e shpie dot vendin në progresin e dëshiruar apo atë të duhurin. Këtë duhet ta nguli mirë në mendje çdo parti, çdo forcë politike, apo cilido koalicion që shënohet në komisionet zgjedhore me qëllimin e qeverisjes së një vendi. Sado vota me shumicë të marri, prapë reformat e mëdha, ndërtimi i shtetit të fortë, do konsensus të madh.

Shqiptarët dje, nuk e treguan këtë. Nuk e bën dot. Nuk mundën.
Dhe përpos të gjithave, sot kanë dalë në ballkone dhe u shkundin qytetarëve pluhurin e qilimave.
Në fakt është një diskordancë e vjetër tashmë si pasojë e gjuhës së ashpër politike. Në gjithë këto vite të rrejshme të demokracisë shqiptare. Kësaj shtëpie me fëmijë lakmitarë që fshehin poshtë jastëkut vezët e ditës së verës. Eshtë një epidemi që ka pllakosur vendin më të varfër, për shkak të hipotekimit të postit a pushtetit, prej intelektualëve që edhe pse mburren me doktoraturat, përfundojnë në azilantë të politikës. Të pushtetarëve që edhe pse na i përplasin fytyrës krimin dhe ndëshkimin e maqinerisë së diktaturës, bëjnë aleanca me ta, madje demonstrojnë në mënyrë të shkëlqyer huqet dhe veset e saj. Po kjo na qënka Shqipëria jonë. Tashmë një katrahurë politike për shkak të të pangopurve për pushtet. Për shkak të vdekjes për së gjalli të kostumeve të hekurosura e kollarisura, kur një ruralizëm i tërë vuan mizerjen edhe pse rron akoma me lëmoshat e kurbetit.
Sot aty është krijuar një frymë mani njerëzore, ku qytetarët e shikojnë shtetin jo si krenari, por si të vetmin vend ku mund të vjedhësh, të pasurohesh, të vrasësh e të burgosësh…, vëllai-vëllain, shoku-shokun, qytetari-qytetarin dhe kundërshtarin politik.
Përse atëhere miliona shqiptarë e prisnin me drithmë një bashkëpunim të mirëfilltë.? Sepse e kanë kuptuar tashmë që edhe fuqia popull bëhet mish për top. Janë zënë në kurth, madje janë pjesë e një absurdi të madh të cilin kanë nisur e ta përkufizojnë me fjalët, nuk dimë më se kë të votojmë. E pritën me drithërimë pasi kujtuan se po ndodhte mrekullia. Por jo…
E para nuk mund të presësh konsensus nga një qeveritar i cili nuk dha asnjëherë një të tillë sa kohë që ishte opozitë. Sa kohë që solli në kuvendin e shqiptarëve njerëz me rekorde të krimit. Duke i shtuar historisë socialiste plot faqe të zeza…, në ndërtimin e shtetit të shqiptarëve. Duke e kthyer këtë vend në kohën e vullnetarëve të vrullit socialist, me fjalët…, tu qepemi kodrave edhe maleve e t’i bëjmë më pjellore se fushat. Aq sa nuk ngeli këmb çobani, druvari apo minatori pa u kthyer në një bujk i kanabisit.
E dyta nuk mund të presësh konsensus nga një opozitë e cila po kërkon të vijë në pushtet me humbësit e zgjedhjeve më të fundit.
E vetmja përvojë që mund të sjellin humbësit tek ne është ajo e humbjes. Ma lër edhe një herë të qëllojë. Pasi regresin më të madh në një shoqëri e sjellin pikërisht ata që nuk njohin anët e medaljes së sfidës.
Nga ana tjetër deklaron se ka rinovuar forcën politike me element të rinj deri në masën 35%. Kur duhet të ndodhi e kundërta. Nuk ka rinovim me këtë masë. Por me plotësuesin e saj që kap vlerën 100%, pra 65%.
E katërta, ne demokratëve nuk na ka hije të kundërshtojmë Europën. Marshuam në fund të shekullit të kaluar me aspiratat e saja. Liri demokraci. Përmbysëm një diktaturë duke thënë se e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Sot është turp e faqja e zezë që jemi armiq të saj. Ndërkohë që miliona shqiptarë janë pjesë e gjallë dhe vendim marrëse në zhvillimin. Apo edhe hallet e saja.
E pesta, nuk mund të presësh sukses me shitje e blerje votash apo deputetësh. Sado të mburret Rama qe do i gjej ato pak vota brenda kuvendit për të votur reformën. Nuk është e vështirë. Ne kemi plot histori suksesi të tilla. Madje e kemi dhe rrymë zhvillimi politik që shumë shpejt do kapi analet e Historisë politike me termin Hasanizim. Nuk i bën asgjë vendit një lojë e tillë mandatesh. Veçse u bën favore kuvendarëve që çojnë dhëndurrë ambasadorë. U fuqizon bizneset e të ardhurat etj. Vendi do mbetet përjetësisht në tranzicion. Me legjendarë të stanjacionit shoqëror të tipit Balla, Braçe, Palokë e Ristanë etj. Ndërsa neve, asgjë, veç ajo drithmë e përjetshme, ajo pritshmëri e ëndërrueshme për bashkëpunim. Ashtu si krejt normaliteti politik perëndimor.
Veç marrëveshje nuk dimë të bëjmë…, të tjerat i vdesim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, nuk dimë të bëjmë, Veç marrëveshje

HIRET E LETERSISE MODERNE SHQIPE

June 5, 2016 by dgreca

Shfletime- Fragment nga Libri i ILIR LEVONJES”HIRET E LETERSISE MODERNE SHQIPE”/

Shumë nga vendet ish diktatoriale, i kanë të pashlyeshme nga kujtesa vërshimin e masave në sheshet publike, rrëzimin me kollajllëk të miteve paradoksale, duke dëshmuar ndarjen nga një e kaluar e errët. Era e qarkullimit i shërben etjes për tu njohur. Por edhe të drejtës universale për tu dashuruar, sepse frymëzimet janë si era, nuk njohin kufijtë e telave me gjemba. Ngadonjëherë ne gjëndemi në beft, për arsyen e thjesht se zbulojmë të përbashkëta, ngjajshmëri, pikëpjekje të habitshme. Vetëm përmes letërsisë arrijmë të kuptojmë se qëllimi i masave është kultivimi dhe ruajtja e paqes shpirërore. Le të shikojmë disa shembuj nga ky univers shpirtëror. Ja si shkruan një poet rumun, Nikita Stënesku:

              Unë jam A

                                    Petalja e britmës.

                                    Ti je U

                                    Lulja e ftohtë.

Nëse do të bëjmë një ndërkëmbim, nëse do t’i zëvendësojmë gërmat me ngjyrat, do të përftonim Sonetin e ngjyrave të francezit Artur Rembo (Arthur Rimbaud). Sidoqoftë vini re një tjetër krahasim, Ana Blandiana po nga Rumania.

                                    Sa do të doja

                                    Të ishte gjithçka e përkryer.

                                    Si një bimë.

Jo shumë larg prej saj në Kosovë, poetja shqiptare Flora Brovina shkruan:

Në heshtjen time je shpresë,

                                               Bimë – për tokën e tharë.

Konvencialisht bima për poetët ballkanikë paraqet përkryerjen, ajo është model i harmonisë natyrore, shpresë e përtëritjes, simboli i mbijetesës. Në tekstin e Blandianës, idioma Sa do të doja/ të ishte gjithçka e përkryer, mbyllet me krahasimin, Si një bimë. Pra, me modelin e harmonisë natyrore, shpresën e përtëritjes, mbijetesën. Kurse në vargjet e Brovinës, pavarsisht zhvedosjes, vini re se si bima lidh shpresën për tokën e tharë. Përftimi, njeri e tokë njejtëzuar, bimë e shpresë po ashtu. Nëse e para, (Blandiana) e përfytyron, e dyta (Brovina) e ka dëshmuar.

Poezia e ka ndjekur qëmoti njeriun dhe është përsosur me ‘të, duke ia motivuar edhe jetën. Pra ato kanë ecur dorë për dore dhe gjithmonë janë prirur të kenë fate të përbashkët, pavarsisht mos përputhjeve kohore. Njësoj kanë provuar lavdinë dhe persekutimin duke dëshmuar një potencial univarsal me taban abstraktsionist dhe tepër real. Baza e letërsisë është folklori  e po të vërejmë me kujdes nuk është e vështirë për të kuptuar qënësinë e fantastikes tek ajo. Sado që me kalimin e kohëve kemi përftesa të reja letrare, fryma e folkut është e ngjizur në ‘të, sepse gjenetikisht ne jemi bimë. Me pjesën e padukshme të rrënjëve, (folkut) me pjesën e dukshme (trupi) dhe pjesën e pritshme (frutin). Rasti më i përkryer në letërsinë bashkohore shqiptare është Dritëro Agolli. Shihni disa vargje prej tij për ta patur më qartë gjëndjen:

Kjo këngë kalon në heshtje për njerëz të tjerë

Ashtu siç kalojnë akrepat e orës,

Po mua shpirtin ma josh përherë

Manushaqe e prillit në mes të dëborës.

Jo vetëm përngjeshja me këngën popullore, por edhe metrikisht kadenca ka ritmin e vargut popullor. Po le ti kthehemi çështjes tonë marrëdhënies duale, poezi e krijues. Në këtë dualitet ajo (poezia) nuk e ka për gjë ndonjëherë dhe ta braktisë poetin. Sepse ajo është hyjnore, eterike. Pikërisht këtë tekë të sajën shfrytëzuan diktaturat. Ndërsa ajo e braktis për të ndjekur fatin e vet, lind ngërçi ku poeti kthehet në beft, ai përdhoset, vuan, vritet. Brënda kësaj teke ajo jeton hyjninë, në një abstraksion çudibërës të lirisë së saj absolute, kurse poeti mbetet rob i saj. Shembujt nuk mungojnë ato u shpeshtuan në kohën e diktaturave duke u kthyer në makthe sociale prej alogjizmës së proletariatit në kohërat e çudisë kolektive. Ti Shën Mari dhe prostitutë, do e cilësojë  poeti Visar Zhiti, pikërisht sepse ajo të magjeps dhe të braktis. Po nga ana tjetër ne theksuam më lart fatin e përbashkët e gati të pashmangshëm që domethënë se në një farë mënyre vjen edhe çasti kur rendi i takon asaj (poezisë). Lehtësia me të cilën ajo jepet për tu keqpërdorur, duke u kthyer në mjet të propagandës dhe eksperimentit, me një naivitet unik që i përket vetëm sojit të saj. Kjo është tragjike dhe sado si e tillë, është absolutisht e pashmangshme për faktin e masës së pamatë që ajo gëzon. Për rrjedhojë e shohim atë t’i prijë propagandës dhe patriotizmit, herë nën një diktature dhe herë nën një rilindje kombëtare. Ne afërmendësh që nuk merremi me firot siç edhe thamë më sipër, masa e saj është kaq e madhe sa absolutisht mund ta konceptojmë me universin. Në çdo krahasim që mund të sjellim do vërejmë se prirjet duale poetike janë të mbarsura me një lloj atmosfere gazmente të një fytyre në përfytyrim.

Të shohim edhe një shembull. Eshtë një vjershë e Xh. Ungaretit, (Giuseppe Ungaretti) me titull Ushtarët.

Si në vjeshtë,

majave të pemëve,

si gjethet. 

Ky krahasim është gjithë poezia. E tillë, e ankthshme është gjëndja e ushtarit në luftë. Si gjethja e pemës në vjeshtë. Bie sot, bie nesër. Gjithnjë në funksion të gjëndjes poeti shqiptar Visar Zhiti shkruan:

Gruaja e të burgosurit

është pemë

buzë humnerash.

Vini re edhe një poet tjetër shqiptar, Xhevahir Spahiu:

Në dorën time

një gjuhëzë lisi diçka pëshpërit.

Jeta 

si fleta?

Si fleta do ti iki dhe unë

një ditë.

Në të tri rastet njeriu jeton i varur nga ankthi. Një gjëndje e nderë, e cila të krijon një lloj vakumi shpirtëror. Gjëra të jetës që finesa poetike i thotë me një buzagaz konstatues e paralajmërues. Dhe vjen një ditë kur këto motive artistikisht të krahasueshëm nën një ritëm elokuent, përbëjnë strofa e paragrafë që plotësojnë njera-tjetrën. Ty të duket sikur po lexon një poezi me fillim të thellë dhe fund tmerrësisht të largët.

Këto paralele poetike mund t’i hasësh edhe në prozë. Kësaj here poezia qëndron tek fabula, duke e ushqyer atë brenda një ritmi a kadence pa të cilin subjekti nuk mund të jetë argëtues. Një paralele mund ta bëjmë për dy shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë botërore, Nagip Mafuz, (Nagip Mahfouz) me E bekuar qoftë mbrëmja jote dhe Gabriel Garsia Markes (Gabriel Garcia Marquez) me Dashuri në kohërat e kolerës. Në të dy versionet fabula është një dashuri e penguar në rini e cila kurorëzohet në një moshë të vonë si pleqëria. Gjithsesi krahas këtyre konstatimeve e theksoj se reçensionet apo komentet, portret reportazh nga jeta si një idomë e gjallë, esetë, apo vështrimet eseistike, janë thjesht përpjekje për të përcjellë krijimtarinë e miqve. Ata të botës së artit.Qershor, 2008

Filed Under: Featured Tagged With: fragmente, Hiret e letërsisë, Ilir Levonja, Moderne Shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT