• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për qytetarët jo për deputetët si Mesila

September 27, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Kjo letra e Mesila Dodës, që po qarkullon kaq shumë. Dhe që na ka futur në debate miqsh dhe armiqsh. Më kujton letrën e Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës më 1985­ën e largët. Po ndërsa ai i kohës, Kryeministri, deputeti, anëtari i Presidiumit etj. Çfarë ishte e nuk ishte…, i qëndroi besnik Partisë. Këta të post kohës së Mehmetit kanë kaq shumë liri sa mund të shkojnë ku të duan, të flasin si të duan dhe ta nxjerrin veten krejtësisht të kulluar edhe pse kanë vegjetuar për njëzet e kusur vite brenda llumit që demaskojnë. Ndërkohë ne shqiptarët edhe pse e dimë mirë se faji edhe kur vesh kostum apo vë vello, askush dhe kërkush nuk e merr për rrisk si burrë apo grua. Prapë ne nxjerrin fajtorë. I nxjerrim me shumicë dhe me gisht. Të bindur përjetësisht në të drejtën tonë. Të bindur në jetë të jetëve se faji asnjëherë nuk na ka cekur, edhe pse kemi jetuar me ‘të, kemi kaluar vite nga e përditshmja jonë që nuk është jetë vetjake. Por ajo e një personi publik me aktivitet politik, që është aspiratë për të qënë shtetar i vendit tënd.

Sot koha e internetit na jep mundësi të shohim statutet e njëri­tjetrit. Shtypin në përgjithësi dhe reagimet e qytetarëve kudo që ndodhen. Por edhe personave publikë, ata të mandatuarit nga ne si popull. Pasi gjithçka është publike. Dhe në ato të Mesilës (statutet, pasi janë disa) vihen re vetëm një armatë e madhe miqsh që e quajnë xhestin e saj një heroizëm. Kurse ata të tjerë ”miq” që i bëjnë ndonjë vërejte, u fshihet komenti. Edhe pse ankesat e tyre janë këmbëngulëse. Në aspektin tjetër jo vetëm Mesila por tërësia jonë, i trajtojmë problemet në emër miqësish dhe të miqve. Vet Mesila u kërkon ndjesë gazetarëve miq për interesin e treguar. Por që ajo i ka refuzuar. Dhe po ashtu miqve, apo demokratëve të vërtet të cilëve u është mbyllur goja dhe janë anashkaluar.

Para së gjithash t’i përgjigjesh shtypit, është detyrim publik, jo detyrim mes miqve. Të paktën për sa kohë mban në supe mandatin e deputetit të Kuvendit në vendin tënd. Dhe detyra nuk është raport mes miqve, pavarsisht edukatës që të lejon të përdorësh këtë si terminologji.

Rasti i Mesilës është bërë një fenomen kopjakeq i politikës tonë. Dhe për më keq akoma, është përfshirja jonë me këto tendenca tifozërish mes miqsh e shokësh. Duke sikur e kemi dënuar veten, jo për të drejtën universale, por për atë të mikut apo shokut. Nga ana tjetër nuk e di, por nuk u duket se ka një shfaqje boshllëku të mandatit të deputetit me Kushtetutën e vendit. Edhe pse mund të jetë e rregulluar ligjërisht, prapë shfaq dukuri negative në jetën politke. Do të ishte më e udhës që një deputet, aq më tepër kur flet për llum partiak, bashkë me largimin nga Partia, t’i largohet edhe mandatit të vet, që e mori nga ajo. Në listën e Partisë ka të tjerë militues që presin në radhë.

Përse u privohet kjo e drejtë anëtarësie? Pra një xhest largimi duhet të konsiderohet automatikisht

dorëheqje. Dhe jo kalim sa tek njëra forcë politike tek tjetra.

Për së pari nuk dot të kemi më forca politike që bëhen problem. Përshembull, LSI është sot një e tillë që ka grumbulluar të gjithë të ikurit nga të gjithë krahët. Kujtoni qeverisjen me PD, skandalet më të mëdha erdhën nga emrat që përfaqësonin këtë forcë politike. Kështu po ndodhe edhe sot në koalicionin qeveresisës. Një e tillë po bëhet edhe PDIU­ja. Madje edhe pse flet në emër të çemërve, ka kthyer misionin e saj në karrike dhe zyra administratash.

Nga ana tjetër puna e meritave, u bë një gangrenë shekullore në lidhje me etapat e tranzicioneve politike në vendin tonë. Mbajë mend se dikur ishin të privilegjuar ata që luftuan, që bën luftën sipas regjimit në pushtet. Më pas ata që quheshin të persekutuar, apo Lëvizja e dhjetoristave…, ata pa dosje etj. Lëvizja e Dhjetorit përmbysi një pushtet, jo për të imituar. Dhe nën pretendimin e meritave, dekoratave, të sundojë vendin. Apo brenda një Partie. Dhjetoristë ka djathtas, majtas, midis dhe dikund diku në heshtje. Një lëvizje i shërben vendit për një afat të caktuar. E rëndësishme si kudo është mundësia. Sot në Shqipëri ankohen ata që thonë se luftuan. Ankohen ata që thonë se u persekutuan. Ankohen ata që përmbysën diktaturën. Ankohen nënkryetarët për Kryetarët dhe formojnë Parti pa ndërprerje. Dhe nëse nuk formëzojnë, shtojnë radhët në ato të tipit LSI. Bëhen pjesëmarrës të shkeljeve statuore, idealeve etj, e mbas njëzet e kusur vitesh, herë si pushtetar dhe herë si opozitar, prapë i ankohen popullit. I qahen për njerëz llum në radhët e ishPartisë.

Një Parti nuk bëhet e mirë kur më pyet mua, por kur unë jam pjesëmarrës i saj dhe i mbroj idealet.Nuk mburrem dhe as nuk mbaj ato për dekorata. Kësisoj do të kemi edhe një jetë më të përgjeshme politike. Dhe për rrjedhojë një kohë ndryshe, pa tranzicionin e përjetëshëm made in Albania.

Nuk e di se çfarë mendojnë votuesit e Mesilës dhe të tjerë ikanikëve. Por ka ardhur koha që mandati tu mbetet juve. Dhe jo deputetit.

Filed Under: Featured Tagged With: deputetet, Ilir Levonja, Mesila, qytetarët

Burrat e shteteve në OKB

September 27, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Edi Rama i foli panelit rutinë të Kombeve të Bashkuara sërish për harmoninë fetare në Shqipëri.Madje ndau me të pranishmit faktin e familjes shumë besimtare që ai ka, si katolikë, myslimanë apo ortodoksë etj. Madje solli si shembull se djali i tij i vogël që, ”është katolik dhe vetëm 1 vjeç duhet ende të vendosë se cilit besim t’i përkasë. Dhe ai është me fat sepse jeton në një vend ku askush përfshirë familjen e tij nuk do i bëjë kurrë presion të zgjedhi një besim të caktuar. Ai ka lindur në një vend të pagëzuar nga vetë Papa Françesku si vendi i vëllazërisë fetare, çka përfaqëson një garanci thelbësore për brezat e ardhshëm që ta gëzojnë këtë botë në paqe dhe prosperitet”, kështu tha Rama.

Këto e të tjera, janë sot si një lajm i madh për shqiptarët. Madje plot syresh po trumbetojnë edhe mbresat, apo se sa të magjepsur janë pjesëmarrësit. Deri edhe nënpunësit e administrates në OKB.

Edhe unë e ndoqa, pasi vi nga vendi kryeministër i të cilit është. Edi Rama. Për dhjetra arsye duhesha të kënaqesha. Duhej të besoja. Por ashtu si pjesa dërrmuese e shqiptarëve që vine prej andej. Apo edhe e ballkanasve në përgjithësi…, kërshërisë tonë për një pritshmëri sa më njerëzore, këta i japin një shqelm bythëve.

Kur thashë panelit rutinë, kush ka idenë e koferencave, e kupton këtë. Dhe sidomos në OKB­ën e cila si ngrehinë neutrale mes qiellit, u ka dhënë hapësirë edhe diktatorëve. Gjithkush flet për prosperitet, edhe pse shifrat nga vendet që vine janë anormale.

Megjithatë burrat e shteve aty flasin për prosperitet gjithfarësoj.

Të paktën kësaj rutine i është afruar edukata e qytetarit amerikan, ajo e tu treguarit i befasuar prej teje. Dhe për kortezi, i kanë kaq të shpeshta fjalët e mirësjelljes sa nganjëherë edhe ta shpifin duke të të thënë bravo apo bukur. Por kjo është thjesht kortezi pasi tek ata nuk ka asgjë të paditur rreth personit tend.

Ndërsa Papa Françesku vet, nga Filadelfia vendi ku u shpall pavarsia e Amerikës, flet për të varfërit, vendet e varfra, mbikqyrjen e borxheve, emigracionin dhe faktin e një dhune siç është ISIS­i; për pjesëmarrje më të ndjeshme të qytetarëve në vendimarrje, për absolutizmin dhe e keqpërdorimin e pushtetit karshi shoqërisë dhe ambjentit etj. Pra flet nga toka, nga mesi i njerëzimit. Kryeministri ynë flet nga qielli. Duke e bërë akoma më butaforik ambjentin shqiptarë.

Për amerikanët duket realitet komedie të qënit katolik, muslimanë, apo ortodoks. Kurse për myslimanët, sidomos kur flet me ata nga Lindja e Mesme, nga vendet e rërës, je absolutisht mysliman kur vjen nga prindër myslimanë. Zgjedhja është një realitet i paparanueshëm. Mirëpo neve na ngeli në gojë harmonia fetare. Harmonia fetare që është për tu marrë shembull. Pa përmenduar aspak dhe pa asnjë shenjë pendese për rrevolucionin feja është opium për popujt, atë të vitit 1967. Qoftë edhe për pak njerzillëk. Për pak pendesë.

Nga ana tjetër nga fundi i muajit gusht që sapo kaloi, vendosi veton dhe jo dialogun në një objekt kulti në Himarë. Prapë, Kryeministri flet për harmoninë fetare. Dhe e mbyll fjalën e tij, duke këshilluar apo kujtuar fenë, fetarët në përgjithësi, se ata mund të ndikojnë shumë në bashkimin shpirtëror të njerëzve. Asesi ai, dhe klasa e sojit politik nga ai vjen.

Megjithatë, pjesë e madhe e shqiptarëve mburren me ‘të. Me fjalimin e tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: burrat e OKB, Ilir Levonja

Shkodër t’qofsha falë

September 20, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Nga fundi i korrikut Lulzim Bashës iu shpik shtatori si muaji i protestave. Ndofta nga një ëndërr nate. Ndofta nga mallkimet që zuri t’i palosë tek jastëku. Dhe a e dini, zakonisht njerëzit e pasigurtë, flasin për të ardhmen. Asnjëherë për të tashmen. Edhe Lulit…, i mbeti në gojë. Shihemi në shtator. Në shtator do bëjmë gjëmën. Do e përmbysim Edi Ramën.

Shumë prej nesh ngritën supet. Përse në shtator dhe jo sot? Përse kjo pasiguri e tij, etj.? Sot është 20 shtator. Që domethënë…, duke mbaruar shtatori. Shtatori i rrushit. Dhe kryetari i PD, apo PD­ja e tij nuk ka ndërmend të bëjë asnjë protestë? Edhe pse ka plot arsye. Mjaft të përmendim, papunësinë dhe pashpresmërinë e të rinjëve. Ikjet masive të tyre drejt Gjermanisë dhe skajit skandinav apo perëndimor të Europës. Rritja e borxhit, sistemi taksimit revolucionar. Kishte dhe ka plot arsye të tjera. Por asgjë, vetëm heshtje. Luli nuk bëri asnjë protestë.

1) Ndër media erdhi si i vonë lajmi se Shkodra po proteston. Dhe vetiu më shkoi mendja tek shtatori i Lulit. Mirëpo siç thashë, asgjë. Me sa duket në këtë pranverë të kanabisit, Luli mban sytë nga ndonjë përçarje mes Ramës dhe Metës. Sikur një qeveri frontale kundër Metës. Ashtu sikur edhe një aleancë për shpëtim me Metën. Dhe më keqardhsja…, shpresa dhe zërat e mekur për një rikthim të Berishës, si një shpëtim për opozitën. Mundësia për të mundur Ramën. Dhe e vërteta është absurde. Madje marrëzi. Pasi njerëz të pasigurtë, njerëz të paqartë, vetëm sa ëndërrojnë dhe premtojnë. Shihemi në shtator. Në shtator do t’i bëjmë gjëmën atij.

Dhe shtatori po mbaron. Po mbaron kaq normalisht. Edhe pse kudo lulëzon kanabisi. Po mbaron sikur të mos kishte ardhur asnjëherë. Ndofta Luli e ka pasur fjalën për një shtator imagjinar. Nga ato me mallkime. Të tilla si, pse nuk ngriheni ju që të vi në pushtet unë. Ndaj Shkodër t’qofsha falë.

2)Në demokraci ka një ftillesë. Kurrë mos ndalo për të drejtat e tua. Kjo më mirë se kujdo të takon ty për shtat Shkodër. Dhe mirë bën që proteston. Një qytetar i drejtë asnjëherë nuk ndalet. Pasi kështu ndal edhe gjaku, ndal edhe zemra, ndal edhe jeta, ndal edhe vlimi…, bëj opozitën Shkodër.

Pasi opozita ka të tjera punë. Ka hallin e vetvetes jo të qytetarisë. Dhe ti e bëre më mirë se kryeqyteti Shkodër, më mirë. Besomë. Kryeqyteti uli qepenat. Dhe thanë shenjë proteste. Le të shesi Edi Rama tani. Mirëpo protestë nuk është një e tillë. Eshtë ulje koke. Protestë është ajo kur i kërkohet llogari atij beu që ndan e pret me votën tuaj. Atij megallomani që në vend të përmisojë jetën e qytetarit. Merret me ekspozitat vetjake. Të artit të të ahtuqujtur modern. Të llojit që mjafton të zbrasësh bojë mbi kartë, çfarë përftohet është moderne. Madje përballë gjermanëve të prapambetur. Kjo është epokale. Ne duhet të ulërijmë nga suksesi i të madhit tonë. Shëmbi murin e Berlinit.

3)Ka shumë zëra se protesta e Shkodrës është, jo kundër shtetit, kundër formalizimit, këndër kështu e ashtu. Eshtë e frymëzuar nga Basha dhe PD etj. Shkodra mund të ketë përfituar nga qeverisjet e PD­ës, por kjo ka qënë servirje dhe jo fakt për të mbajtur Shkodrën djathtas. Madje PD­ja vet e ka dobësuar rolin e saj atje. Shkodrën djathtas e ka mbajtur historia dhe kultura e saj.

Madje bonuset e PD­ës dikur, me amnistira. Kanë sot po të njëjtën formë të vendosjes së formalizmit prej qeverisë aktuale. Shkodra ka historinë zgjedhore më të lakmuar në vendin tonë.

Mjafton të përmendim një emër Bahri Boriçin, zgjedhjet e vitit 1996. Kryetar i zgjedhur nga forcat e djathta që dolën në balotazh me PD­ën. Atëhere Berisha ishte në kulmin e pushtetit. Megjithatë Shkodra nuk u trysnua. Nuk u ndikua. Votoi djathtas, por jo për kandidatin e Berishës. Për kandidatin e saj.

Në fakt është PD­ja ajo që ka fituar nga djathtizmi shkodran. Më saktë që ka nxituar të fitojë. Protestat nuk duhen shikuar asnjëherë me mendësi negative. Aq më tepër kur ato kanë brenda qytetari. Nuk devijojnë në funde të dhunshme. Në shkatërrime institucionesh, djegje, apo grabitje.

Uzurpim të pushtetit etj. Kësisoj nuk kemi pse i quajmë shkodranët si kundërshtarë të vendosjes së shtetit. Problemi është se platformat për formalizim dhe vendosjen e taksave e të tjera. Në një vend që nuk i njeh prej kohësh. Dhe që kërkon t’i vendosë ato përmes reformave të njëanshme, sigurisht që do shoqërohet nga paragjykime të forta. Nga dhuna zbatuese. Dhe u krijon shance të arta elementëve të korrupsionit në administratë. Tek ne një vend pune blihet. Dhe shikohet gjithmonë me synimin jo të rrogës, por të nxjerrjes së ndonjë leku.

Të gjitha reformat, aplikohen me palajmërim. Me plan të detajuar duke i dhënë kohë çfarëdolloj subjekti që operon në fushën e biznesit. Kurse në vendin tonë, zgjohesh në mëngjes me faturën urdhër tek dera, duke e konsideruar gjithçka si urdhër. Dhe si i till, të shoqëruar me kërcënimin e ligjit. Që është burgu.

Kësaj trysnie iu kundërvu Shkodra. Dhe në fund të fundit kjo është ajo. Kjo është qytetaria që revoltohet. Dhe që kërkon t’i njihet e drejta. Ndaj Shkodër t’qofsha falë.

4)Tani diçka për protestat e shtatorit të Lulëzim Bashës. Përpara të gjithave, Partisë Demokratike iu duhet të gjejë rrugën. Kjo në kuptimin e përtëritjes dhe jo të riciklimit. Dhe jo vetëm tek kjo forcë, por edhe tek të tjerat. Shohim gjithandej riciklim. Dhe shohim që flitet për merita. Che aq më keq me terminollogji si ky apo ajo janë demokratë të vërtetë. Të kulluar? Nga ana tjetër përflasin njëri­tjetrin për dosje, pseudonime etj. Dhe kur? Pas kaq e aq vitesh qeverisje bashkë.

Sidomos në rastet kur dikush është kritik ndaj vijës së një kryetari. Qoftë ky ai i madhi, qofshin këta edhe nëpër rrethe. Le të sqarojmë disa çështje që në demokraci duhen domosdoshmërisht respektuar, pasi ndryshe mbetesh gjithmonë një opozitë në luftë me vetveten. E pafuqishme për t’iu përballur pozitës. Kush ka garuar, kush ka fituar apo humbur, qeverisur apo bashkëqeverisur, bën mirë të hapi krahun me edukatën e demokratit. Duhet ta ngulisim në kokë, pa mendësinë e provincialit se, jo ma futën ata me pseudonime. Ata që janë kundër demokracisë etj. Apo më hodhën në rrugë. Nuk më njohin meritat. Vlerat, kontributin etj. Përshembull, humbësit e zgjedhjeve më të fundit bëjnë mirë të zhvishen nga kjo mendësi dhe të hapin krahun një elementi tjetër. Sidomos atij të ri. Jo ta braktisin, duke ndenjur në shtëpi, duke pritur të t’i thërrasin.

Përndryshe shkuan me PS apo LSI. Jo aspak…, duke qënë aktivë pas krahëve të tyre. Pasi ata mund të flasin më mirë se kushdo tjetër për humbjen. Nëse Partia Demokratike nuk ka elementë të rinj, atëhere kjo është ose mangësi e forumeve. Ose rënia e Partisë në nivelin e diktaturës. Bërja e opozitës me ish qeveritarë, sidomos kur një opozitë nuk i ka njohur atyre asnjë efektivitet qeverisës, por edhe pas rezultait të thellë humbës, është një tjetër rrisk që nuk të risjell shpejt në pushtet. Mësoni nga Shkodra dhe jo të përfitoni prej saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Shkodër t'qofsha falë

Bëje për mua

September 19, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Të kam shok, jemi shok. Jemi miq, më bë një nder? Ma bëj këtë nder etj? Ndryshe ta bëfsha në kokë. Eshtë tërësisht një politikë e përqëndruar brenda saj. Dhe e pa lidhur me realitetin. Dhe nuk ka asnjë dyshim pse sot, Shqipëria është në kulmin e dështimit të saj. Fabrika apo Myzeqeja e hambartë e kanabisit. Eshtë tërësisht përllogaritje aleancash deri në një çmenduri pushteti. Si e si të dërrmojmë sa të mundim kundërshtarin. Kjo kuptohet lehtësisht derisa, opozita mbron vetveten. Denoncon me propogandë. Një realitet që sado i frikshëm prej saj. Nuk e beson populli. Dhe pozita që demostron luftën e ashpër demaskuese të ishëve. Realieti nuk është asgjë tjetër një mburrje. Një aleancë shokësh. Një ndjesi krahinore. Aq sa nuk ka se si shpjegohet ndryshe, përshembull qytete si Poliçani. Krahinë kaq e vlertë voton gjithmonë një emër. Edhe pse ky është herë socialdemokrat, herë minoritar grek, herë socialist, herë demokratë, herë-herë… Një Zot e di se çfarë.?

Megjithatë, sipas shoqnisë. Ti do e bësh për mua? Dhe shqiptari e bën.

Nga ana tjetër. Realiteti i shoqnisë është ky. Shoqnisë qeveritare. Kërkujt se i ka rënë rruga të shohi përshembull lumin e Vlorës. Se si jetojnë ata njerëz? Kërkujt se i bie rruga të shohi thepinat e Dukagjinit. Të shohi se si jetojnë ata njerëz? Kërkujt se i ka rënë rruga të shohi thatinat e gurta me bar të çmuar, përshembull midis Mezhgoranit, Përroin e Gani Lekdushit apo Përroin e Mogilëve. Kurveleshin etj. Vende që sekuencat e lajmeve po na i sjellin ditë më ditë. Si suksesin e korrjeve dhe shirjes. Të shohi se si mbytet nga vetmia. Nga braktisja dhe mjerimi në diell e në të ftohtë. Nga këmbët e zbythura drejt Greqisë dhe Italisë, Gjermanisë apo edhe gjetkë. Krahinat për të cilat shoqnija mburret. Mburren në bulevardin e Tiranës. Mburren dhe rrahin gjoksin. Madje thellojnë dhe kërcënojnë me aleanca të forta karshi njëri-tjetrit. Të gjithë në emrin e patriotit. I keni dëgjuar të thonë, është nga anët tona ai, jepi pozitë. Jepi diçka se na duhet. I takon. Ndaj kur shullehen në plazhet e Vlorës, Sarandës, Durrësit, Patokut, …. Velipojës. Shto edhe Ulqinin Malin e Zi, Kroacinë. Shto edhe Bora Borën e Turqisë etj….. mburren për prejardhjen e krahninave. Dhe shoqnisë.

Në fakt zonat në fjalë janë të sikterisura. Kanë qënë dikur fronti i ashpër i luftës, i internimeve, i reaksionit. Janë krejtësisht të braktisura. Të trajtuara me konsideratë vetëm nëpër tavolinat me meze klasike. Tabela reklamash restaurantesh. Fabrikash që janë pronë e shoqnisë. Nën avujt e shoqnisë. Duket sikur i përkasin teatrit. Një lloj dëshire për t’i mbajtur me qejf krejt të pazhvilluara. Akoma me ura pasarelë. Me rrugë zhavorri fushatash. Me energji kandili. Me shkolla ku ecet më këmbë. Edhe pse çantat e shpinës janë me figurina kapitalizmi. Me familjarë që presin një pension shtetëror për vëllain, a babain e vrarë në një protestë shoqnie. Njësoj, ashtu si kolonelit të Markesit dikur. Në rrethinat e Aracatas në Kolumbi. Pyetjes se përse nuk shkruajti edhe më për kolonelin, luftrat e tij, apo gjyshin e tij. Shkrimtari iu përgjigj. Midis jetës së gjyshit dhe gjyshes unë zgjodha këtë të dytën. Pasi ajo e kolonelit ishte plot luftra, vrasje dhe dhunë. Kurse bota e përrallave të gjyshes, plot me dritë.

Me sa duket, shoqnia shqiptare ka zgjedhur botën e gjyshërve. Por më me forcë. Më me ashpërsi. Më me ndere kokë për kokë. Ndaj sot rezultojnë një hambar i prodhimit të parasë. Ndërsa burrat e karrierës mburren me krahinat e tyre. Ata mbetacakër atje, andej…, që ruajnë si zogj korenti, bimëzat magjike. U sajojnë shtëpiza me mushama. U sajojnë siguri nëpër katuat e braktisura. Nëpër vathët e gjësë së gjallë. Zgërbonjave nëpër përrenjtë e kaçakëve, shpellave historike. Pak dritëz mbi to. Vidh një bateri makine. Të sajojmë dritë. Na mbron partia jonë. Përse i votuam. Le ta bëjnë një sy qorr. A nuk e bëri Berisha me Lazaratin?

Nuk e di se çfarë po ndodh në Dragobi. Por mos u habisni kur nesër të dali ndonjë titull gazete. Se bash në shpellën e bacë Bajramit u shkulën kaq apo rrënjë kanabis sativa. Dhe sigurisht policia e shoqnisë, do e demaskojë si arritje.

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Bëje për mua, Ilir Levonja

Tabela për në Bruksel

September 13, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Një socialist i mirë pret në radhë. Një demokrat bën një xhiro deri në Gjermani. Kjo është tabloja.Ndërsa i pari i gëzohet triumfit të Rilindjes. I dyti mbase mallkon ditën kur entuziazmi blu, veshi rrugët e vendit me tabela që të çonin në qytetet e Europës. Nantë, Mynih, Vjenë, Romë, Milano, Venecia, Athinë, Madrid, Barcelonë, Amsterdam etj.

­E çfarë do të bëjë nëna me këtë Europën? Do pyeste një grua province? Tek dera ngrihej madhore një tabelë. Aty sapo e hapte. Ku herë i kthehej pluhuri. Herë balta. Dhe herë ia prishnin gjumin e vapës troshitjet e ndonjë kamionçine zhavori. Më keq të lehurat e ndonjë qeni zinxhiri. Më bajate ndonjë e bërtitur. Apo mallkim.Do shkosh të shikosh çunin plake, ja kështu… ­ i thanë djemtë entuziaztë.Ata për vete menduan se mori fund mizerja për të siguruar një vizë. Morën fund monopatet e maleve. Morën fund shtigjet vdekje prurëse. Gomonet e të tjera.

E gjora grua province që sapo kishte kthyer në përvjetorin e gjashtëdhjetë, dukej sikur ishte tetëdhjetë vjeçe. Mbante anës kokës edhe një shami të bardhë. Shikoi tabelën. Emrin Bruksel. Nuk e thoshte dot. Mbuloi gojën me dorë për të mos u turpëruar me veten. Djemve të saj nuk u nguli kush ndonjë tabelë në vitet 90­të, aty tek dera. Nuk u tregoi kush rrugën nëpër Gramozin e borëruar. Tani kujt i duhet ajo tabelë? Ndofta djemve entuziastë.?

Nipojtë e saj u shpërndanë. Ndërsa njëri ka bërë njëzet e pesë vjetë. Që asaj i duken dyqind e pesëdhjetë. Pra njëri nga nipojtë, ai që nuk iu lejua të ngrejë flamurin në një shkollë të Peleponezit.

Flet mirë greqisht, madje aq mirë sa e ka vështirë të kompesohet me shqipen. Prapë nuk ia bëjnë letrat. Edhe pse nga Ermal, e bëri emrin Dhimitros. Edhe pse bërtet se jam grek. Të tjerët nuk vinë dot për shkak të toponimeve në pasaporta. Megjithatë babai i tyre. Apo djali i saj ka një veturë që hera­herës vjen e ia çel derën me një zambak. I lë pak para menjanë…, të cilat mund të rezultojnë edhe një rrisk për jetën e saj. Mund edhe ta grabisin. Nga ana tjetër…, kumton si një buçimë. Nga një shesh. I cili herë është blu. Dhe herë mavi. Dhe herë i kuq…, triumfi i rritjes së pensionit.

Përpjekja lapidare për të shkuar në Europë. Arritja madhore. Gruaja e provincës shikon tabelën.

Emrin Bruksel. Akoma nuk e thotë dot. Përfundimisht e ngrys jetën e saj të para plakur me një realitet tjetër. Numëron ditët për vitin që vjen. Kur t’i vijë i biri. Me fëmijët grekër aty tek ajo. Dhe shqiptarë të zgjebosur në tokën e portokalleve.

Ndërsa fqinji socialist i saj, pret radhën për tu futur në punë. Djemtë entuziastë pagojnë ca euro për të kapur Mynihun. Brukselin. Ndërkohë socilisti i ka mbushur mendjen gruas të votojë për Rilindjen e tij. Si e bindi? Thjesht i tha se do të shtronin rrugën aty. Ai dilte garant. I flet me inat për poshtërsitë e Berishës. Me inat dhe i lumtur që e mundi. I bindur deri në dhënien e jetës. Aq sa ia fshin pluhurin tabelës me emrin Bruksel. Ia përsërit gruas me qindra herë Europën. E garanton se tani do futen me siguri të plotë. Mbron me fanatizëm ”varfërinë ekstreme” të kryetarit të madh.

Atij që përmes kryetarit të vogël i ka premtuar punë. I ka treguar listën emërore. Emrin në krye të saj. Dhe ai pret. Me devotshmëri. I miri socialist. Me sytë prush të bastardojë gjakpirësat blu.

Nga ana tjetër gruaja e provincës i kujton me delikatesë vetmie një ankim, nuk i duhet Europa. Dhe shton se, nuk janë për ne, këta. Por ai e ka harruar. Madje e ka palosur në sirtar devotshmërinë kur mbronte Nanon në një ish luftë me Berishën. Dhuratat e njëri­tjetrit të tipit fisheku në pajë. Madje tani që marrëdhënia e tyre është në muaj mjalti. Ai pëshpërit justifikimin e zakonshëm…, atë për të cilin vrau shokun. Si e si të mbronte të kundërtën. Faktin që Nano nuk ishte i tillë. As tradhtar, as hajdut, as i pasur. (Kështu si shoku blu, për sojin e tij. Shoku që ai vrau.)Tani bërtet me gojën plot, ”Nano është tradhtar, pijanec, hajdut, imoral.” Harroi. Dikur ishte i drejtë, i ”varfër ekstrem”. Nuk vidhte. Ashtu si nuk vidhnin, apo nuk vjedhin edhe nga krahu tjetër, i shokut të vrarë. Harruam edhe ne. Harrojmë të besojmë realitetin. Dhe asnjëherë nuk harrojmë të vrasim shoku­shokun. Vetveten. Mjafton që kryetarit, kryetarëve të mos u hiqet nofka ”të varfër ekstrem”.Ja si e përmbledh me pak fjalë një situatë të tillë Abraham Linkoln. Ish presidenti i 16­të i Amerikës. ”Kur vrasim njëri­tjetrin, është dështimi dhe fundi i lirisë sonë. Kjo ka domethënien se vendit asnjë e keqje nuk i vjen nga jashtë, por, nga ne.”

Tabelat rrahin drejtimin Europë. Njëra palë i ngul tjetra i pastron. Ndërkohë që një socialist i mirë pret në radhë për punë. Një demokrat i kthyer falenderon zonjën Merkel, gjermanët. Të paktën u dhanë bukë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Tabela për në Bruksel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT