Ilir Levonja-Florida/
Dje në mbrëmje, ndërsa shfletoja faqet e The Daily Caller (Të rejat nga dita) në internet. Erdhi si lajmi më i fundit deklarata e presidentit Obama, në lidhje me pozitat e Shteteve të Bashkuara midis vendeve të tjera në botë. Përfshi këtu jo vetëm ato me potencial ekonomik dhe ushtarak. Por edhe të vegjlit, që ndahen në miq dhe partnerë, etj.
Midis të tjerave ai ngriti si trofe, fundin e luftës në Irak dhe Afganistan. Lidhjet e saposhme me Kubën e vëllezërve Kastro. Si dhe fundin e ankthit të armatimit bërthamor me Iranin. Fjalë për fjalë Obama tha: ”Nën qeverisjen time Amerika u bë vëndi më i respektuar në botë”.
Titulli i parë që u përhap qe, këputja president. Çfarëdo që të thuash ne të besojmë. Një ironi e hidhët. Mbasandaj me mijra komente. Njerëzit ishin të indinjuar. I tërhiqnin veshin. Komentet shoheshin vrullshëm. Shifra rritej, rende. Pjesa më e madhe quanin jo vetëm politikan të dështuar, por edhe aktor komik i dështuar.
Megjithatë kur vjen momenti final, këta njerëz votojnë të qetë. Këta burra shteti ndërrohen plot respekt. Vendi mban frymën. I respekton.
1)Nuk kam një njohje të thellë për sa Obama premtoi dhe sa arriti. Por nga kontaktet me njerëzit, ndiej efektin e një zhgënjimi të madh në raport me ardhjen në pushtet të tij. Ato vite djali nga Hau’ai, u bë një lloj simboli i njeriut që do bënte realitet Eldoradon e Perëndimit. Sidomos në politikat sociale, përkrahja dhe siguracionet shëndetësore etj. Kjo sapo ka filluar të aplikohet. I bie plot 6 vjet më pas nga fushata e dimrit të 2009-ës.
Por ai qe dhe një risi, madje një ëndërr e njerëzve me ngjyrë për të patur një president nga soji i tyre.
Atë kohë vendi vinte si i demoralizuar nga kriza ekonomike e 2008-ës. Kështu në atë dimër vërtet të ftohtë, ai u bë një mesie. Dhe disa politika sociale, apo edhe ekonomike dhanë efektet e duhura. Si lëvrimi i kreditimit duke simuluar blerësit, në marrëdhënie me bankat.
Por ashtu si në mjeksi, efekti anësor i ilaçeve, edhe këto reforma kanë sjellë disa pasoja. Më e përfolura, stimulimi kartave ushqimore tek njerëzit me të ardhura të pakta. Ku pjesa dërmuese e tyre përbëhen nga njerëz që nuk duan të punojnë. Nga femra, qofshin me ngjyrë apo pa ngjyrë, që krijojnë familje me shumë fëmijë dhe baballarë të ndryshëm. Kjo për të përfitur. Të drejta studimi, qera të ulëta dhe kujdestari etj. Gjen me shumicë gjyshe tridhjetë e pesë vjeçare. Dhe njëzetë vjeçare me dy fëmijë apo tre fëmijë. Vetëm për të përfituar nga këto të ardhura nga ndihma sociale. Ku sipas shumë njerëzve, konsiderohet si degradimit i vatrës familjare amerikane. Shpesh plot nga të njohurit, tregojnë raste kur mblidhen në ndonjë event familjar, babai i motrës së madhe, babai djalit dhe burri i radhës. Madje, ky i djalit të lidhet me shoqen e vajzës së babait tjetër.
Shkurt, Obama me politikat e tij, nuk i parandaloi. Por i simuloi.
2)Për sa i përket politikës së jashtme, mbarimit të luftës në Irak apo Afganistan. Lidhjet me Kubën. Ka akoma më shumë indinjatë.
E para, për faktin se disa mendojnë se tërheqja nga lindja e mesme, nuk dha rezultatin e pritshëm. Sot Iraku është një shtet i pastabilizuar. I paftë të qeveriset. Po ashtu Afganistani. Lindi konflikti sirian, pranvera arabe apo dhe së fundi Isis.
Pra mbarimi i luftës, që në fakt ishte tërheqja e trupave nga andej, nuk solli pritshmërinë e duhur.
E dyta. Kina sapo i tregoi forcën në detet rreth saj. Me Moskën marrëdhëniet janë të ngrira për efekt të ndërhyrjes në influencën ruse. Konflikti i Ukrainës. Strehimi që i dha Eduard Snouden-it. Njeriut që nxorri të dhënat kompjuterike etj.
Kuba nuk është asgjë tjetër veç një legjitim për ata kubanezë që jetojnë këtu,të privuar nga regjimi komunist. Një lëshim i Guantanamos. Apo hapja e portave nga Raul Kastro do të shtojë prurjet e refugjatëve. Kubës i ka vajtur atje ku nuk mban më.
Madje shumë e konsiderojnë si një lëvizje të padobishme edhe për faktin se duket sikur po ndihmojnë vëllezërit Kastro, nga një largim i butë prej pushtetit.
Si përmbledhje e të gjithë kësaj vërshime komentesh e ironish të hidhta. Eshtë retorika e Obamës ajo që nuk u pëlqen njerëzve. Për ta realiteti nuk është ai që thotë Presidenti.
Ndjesia njerëzore nuk është ajo. Amerikanët ndihen të zhgënjyer. Dhe kanë filluar të thërrasin bufon. Butaforik. Qënie e komanduar skenike. Jo mesia me ngjyrë që i ngriti më këmbë.
Pra ata, nuk ndihen të respektuar. Për rrjedhojë as Amerika.
3)Si shqiptar mua gjithmonë më vete mëndja në vendin tim. Bëj krahasime. Përfytyroj. Madje i frymëzuar nga një kalim pushteti. Nga një debat televiziv, nga mënyra se si bëhet fushata. Si flasin kundërshtarët me njëri-tjetrin. Hidhem ëndërrues edhe në vendin tim. U kam shkruar personalisht edhe pushtetarëve aty se si të ndërrojnë pushtetin. I shkruajta Berishës që të priste Ramën tek dera e Kryeministrisë. Pasi gjykoja, gjykoj edhe sot se ai vend ka nevojë tashmë për një risi në politikë bërje. Po gjithmonë mbeta naivi. Ai që nuk e kupton se çfarë është komunikimi ndër kundërshtarë në politikë.
Madje nuk shoh as reagime të tipit Daily Caller. Ku njerëzit t’i kujtojnë politikanëve se ku dallon retorika nga realiteti. Nga jeta e tyre. Por aty ka vetëm thirrje e lavdi. Rroftë, pa pushim. Rroftë përjetësisht. Ka manovra se si të marrim edhe Lefterinë e të japim Blushin. Si të përplasim dy kuksianë demokratë, për një kryqëzim në dalje të Tiranës.
Nxjerrja nga arkivat e ndonjë fotoje me një të burgosur. Kilet e Nanos në tragetin e liqenit të Fierzës.
Në ato pak sekuenca vizive fushate. Dominon retorika e ndërsimit të turmës me turmën. Marrja nëpër gojë e kundërshtarit, me mllefin e shpirtit, jo planet konkrete. Se si të dali nga depresioni vendi i ”lulëzuar” i Edi Ramës. Një retorikë e tillë si ajo e ditës së diel në Vlorë. Përpara…, një grupi simpatizantëve, jo popullit. Kuvajti, do na japi miliarda. Dhe ky djali këtu, di si t’i kollondrisi.
Po frymëzojmë një popull me ndjesinë e pritjes. Për para kredish, para të dhuruara. Me pritjen e një shiu parash nga qielli. Por më e keqja, me pasionin për të shpërfytyruar njëri-tjetrin. Të bindur se kështu bëjmë reforma.
Miell për gallatë
Nga Ilir Levonja-Florida/
Nuk e di me saktësi se çfarë distance kuptimore ka midis propogandës dhe politikës. Por që të dya janë pjesë e komunikimit me një komunitet të caktuar. Me një qëllim të caktuar, sensibilizimin. Ose e thënë shqip, vënien në dijeni të kësaj mase. Le të themi, edhe për të pasur një përfundim me një arritje. Bindjen e po kësaj mase dëgjuesish. Të të besojnë, të të ndjekin nga pas etj. Ndofta propoganda i përket ideologjisë. Dhe politika pragmatizmit kapitalist. Megjithatë nëse e para është ndërkryer, keqpërdorur, abuzuar. Dhe vështirë se mund të ngrejë kokë më, për shkak të luftrave botërore, kampeve të socializmit, diktatuarve të ndryshme. E dyta po e riprodhon. Por e bën këtë në formën më të keqe të saj. Pra duke e ridënuar sërish. Edhe pse ka një vetëdije tashmë botërore mbi keqpërdorimin e saj. Dhe vëndet më të prapmbetura janë pikërisht ato që bëjnë politikë përmes propogandës.
Para disa kohëve, e kam përkitur këtë fakt përmes asaj këngës së famshme të Minës dhe Çelentanos. Parole, parole, parole. Pra fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë… Ky është dominini i përsëritur edhe në plolitikën tonë. Veçse nga shekulli i kaluar, e deri më sot. I kanë shtuar kësaj propogande elementin miell. Dhe nëse ajo këngëtarja, tërësinë e fjalëve përmbledh në një fragmet muzikor, duke thënë se karamale nuk dua më. Shqiptarët ka ardhur koha të thonë. Miell nuk duam më.
Po a ka bërë efekt mielli? A ka qënë bindës? A ka qënë propogandë e arrirë?
1)Nga 1944 e deri në 1990-ën, ne dinim se ballistët dolën malit për të gjuajtur miell.
2)Nga 1991-92 . U harrua për pak. Pastaj ia plasi në Elbasan. Prag shekulli i ri. Miell për vota. Nga ajo kohë e këtej, si mall i parë për blerjen e votës. Madje u perfeksionua në formën e paketimit. U fut, vaji, orizi, sheqeri. Megjithatë mielli mbeti dominant.
3)Nga 2013 u afrua edhe një lloj mielli tjetër. Ai kanabisit. Në një treg brilant në mes të ditës. Me pista rrugësh të cilat diktatura i bëri qëllimisht të ngushta, që të mos uleshin avionët e armikut. Por prapë, ata u ulën. U ulën dhe pushuan në breg të detit. Bën edhe show.
4)Në 2015-ën!
Tani ka plasur keq. Eshtë bërë sheshi i betejës. Mielli është kthyer në makth politik. Duke ia ditur vlerën, sidomos në kohë fushate ka një luftë për zotërimin e tij. E ardhmja politike?
Të qëndrojmë më konkretisht. Në emisioni Topstory, të para pak ditëve, 28 maj 2015, kryeparlamentari i Shqipërisë atakoi drejt për drejt një fabrikë mielli në Vorë.
Shumë nga analistët e quajtën si një ndeshje derbi. Pra mes opozitës dhe pozitës. Unë nuk e di historikun e mandateve të bashkisë në Vorë. Aq më tepër kur në politikën tonë ngrysesh i djathtë dhe gdhihesh i majtë. Shikoni produktin Gjici në Kamëz. Halili në Kukës, etj. Ose ngrysesh, socialist, gdhihesh lësëist, fiton si demokrat dhe përfundon prapë lësist.
Megjithatë jemi tek mielli. Çfarë ishte përshembull ajo e kryetarit të Kuvendit. Propogandë për çmitizimin e miellit.? Apo luftë e hapur për zotërimin total të tij.?
Unë them se janë të dyja. Ose pjesë e një gallate të vjetër kur ballistët gjuajnë njëri-tjetrin miell. Pasi është e çuditshme, se ndërsa jam duke shkruar dhe kërkuar, shoh në internet kamionçina me miell. Foto që simpatizantët vet i nxjerrin si trofe tiumfi. Me një fjalë, grini ju grini se ecim përpara.
Dhe ky interneti edhe pse po i dëshmon kudo, nuk po bëhet i bezdisshëm fare për politikën. Madje ata kënaqen me sportivitetin e gallataxhinjëve. Thonë, a ma me fejsbukun merreni ju. Ndërsa nuk përtojnë të postojnë edhe moralin e tyre ”të kulluar” në foto familjare.
Kurse gallataxhinjtë vazhdojnë me qejf. Të gjithë kanë celulare vërtet, të bëjnë foto. Kamionçina, plot flamuj partish. Thasë mielli, kuti me makarona, sheqeri orizi. Futen në youtube. Dhe aq, gallatë.
Një lloj gallate që ata i kënaq si spektatorë. Ndërsa këta të miellit, i kënaq nga që po u hedhin miell fytyrës gallataxhinjëve. Aq sa edhe zoti duhet të thojë, nga ta zësh këtë vend gallatë. Nga koka apo nga këmbët?
Eshtë koha e miellit. Të bëjmë gallatë.
Kurse ai që nuk bën pjesë. Që nuk është as tek propoganda as tek politika. Por tek realiteti. Eshtë i jo i besueshëm. Qoftë ky edhe heroi kombëtar.
Elhaida dhe fryma e entuziazmit
…Sukses është t’i thuash fituesit urime. Të pranosh fitoren e tjetrit. Jo ta paragjykosh.
Ne jemi fitimtarë, por të entuziazmit. Dhe kësaj radhe më vjen keq që shorti të ra ty Elhaida. Sinqerisht më vjen keq./
Shkruan:Ilir Levonja/
Në gjithë këto ditë webi i Eurovisionit thuajse u bombardua nga entuziazmi i shqiptarëve. Kurse nga mbrëmë në darkë, sot e në vazhdim, britma ka një fytyrë. Kërkesa e llogarisë. Ku është vota ime? Politikë, jo festival. Euroracizëm etj.
1)Në fund vitin që iku Elhaida fitoi në festivalin tradicional të Shqipërisë. Me të mirat dhe të këqijat. Me historinë e minuseve dhe pluseve, ai është. Ai të çon në Eurovision song. Apo në festivalin e këngës europiane. Një festival që e organizon radiotelevizioni shqiptar. Ai që në një përthyerje gjinie, në historinë e Shqipërisë, i ngjan një gruaje që të gjithë i thërrasin kurvë. Dhe në një vit apo një tjetër martohen me ‘të. Ndofta me qëllimin e mire që t’ia heqin këtë nam. Por që shpejt kurvëzohen më keq se kjo grua e përçudnuar. Dhe a e dini pse. Sepse aty vlon vetëm tarafi i mikut. Dhe ne jemi kampionët e zëvendësimit të aftësisë me miqësinë. Me marifete të tilla.
Kështu mbaj mend se u përfol edhe atëhere. Kënga fituese. Elhaida vet… Kështu është përfolur çdo vit, fituesi aty. Pasi ne, për rrjedhojë të kësaj fryme, nuk mësuam kurrë të urojmë. Por forcuam përfoljen.
Madje nisur nga parajsa e kësaj fryme, pati edhe aq shumë insinuata, denigrime. Sa cilado qoftë arsyeja e tërheqjes së këngës fituese nga autori, për mospjesëmarrje në festivalin europian, është rezultat i kësaj zallamahie.
Pra rrugëtimi i Elhaidës për në Europë nisi me një ekuivok të tipit shqiptar. Elhaida shkoi aty jo me këngën fituese, por një tjetër këngë. Edhe sikur kriteret të mos jenë cënuar aspak. Eshtë cënuar morali eterik i suksesit. Tradita apo historiku i një një institucioni të cilin veç ne shqiptarët dimë si ta shtypim, shtrydhim, përdorim, shesim, vjedhim, burgosim etj.
2)Në mes të kësaj fushate fyerjesh në murin e festivalit nuk mungon as Italia, Greqia etj. Votat e Maqedonisë po përfliten si të dyshimta. Gjithsesi. Vetëm ne shqiptarët nuk kemi të drejtë t’i vërsulemi me mosmirënjohje, të paktën Italisë. Nuk kemi përse habitemi nga zeroja e pikëve prej Italisë. Asesi Elhaida. Italia është vendi promotor i yni. Na dha skenën më prestigjoze të saj. Na dha suportin e vyer të emrave që janë koha e artë e kulturës së saj. Ne kurrë nuk e bëm këtë. Edhe pse duket sikur po japim shenja në festkëngësh si ai Klanit, X factor Albania. Prapë nuk kemi vullnetin e artistëve italianë. Do i themi bravo pjesëmarrësve, por fituesin do e nxjerrim nga vetja. Nga miku, nga miqësia. Ne jemi atdheu artistik i miqve. I institucioneve të miqve. Jo i adhuruesve, shikuesve, tregut etj. Ne dhe epokat, dhe zhanret artistike i shpikim për hatër të miqve. Jo të kohës, me kohën, apo të suksesit të një individi. Suksesi tek ne kalon nëpër egon miqësi.
Po kështu nuk ndodh në Itali. Ndaj dhe rezultati i pikëve qe zero.
3)Nga janari ne pamë të gjithë se si Elhaida, i preu entuziazmin e dy gishtave ish krytares së kuvendit, zonjës Topalli. Më pas deklaroi se unë jam këngëtare dhe nuk dua që politika të përzihet në suksesin tim. Shumë mire bëri. Megjithëse ia kaloi, frymës së politikës, entuziazmit elektoral politik shqiptar. Karshi realitetit të mjerë.
Si artiste, derisa krijuesi i këngës u tërhoq, duhej të ishte tërhequr edhe interpretuesja. Nuk e bëri. Veproi më keq se një politikane.
Kësisoj la veten të përdorej edhe nga sektorët politikë të pushtetit, bashkë me tepërtinë e përdorimit të frymës së nacionalizmit. Kur është koha e globalizmit.
4)Shqiptarëve. Me dashamirësi. Duhet të mësohemi se suksesi nuk është domosdoshmërisht vendi i pare. Eshtë edhe pjesëmarrja. Ndaj quhet festival. Pasi aty shkojnë më të mirët. Dhe midis më të mirëve nuk arrihet suksesi me entuziazëm. Me simbolet e Shqiponjës, me Shqipërinë e madhe. Me atë flamurin e zi si nga Pakistani. Që po ia marrim shpirtin edhe bacës Isa, edhe Ismailit duke e pretenduar si flamurin e Shqipërisë së madhe. Flamuri i ynë është thjesht i kuq. Dhe Shqipëria është Shqipëri atje ku gjithkush ndihet shqiptar. Nuk kapet suksesi me akuza për rracizëm ndaj atyre vendeve që u kemi thyer dyert. Që na kanë strehuar. Po na japin punë, edukim etj.
Me platformat e miqësisë shqiptare. Të miqve virtualë në kafenetë pranë radiotelevizionit. Jo miqve artistikë të tipit sukses. Të atyre që mbushin stadiumet, Që ngren skena këngësh në sheshet e kryqyteteve të botës.
Jo në fushata elektorale etj.
Dhe e gjykuar më thjesht kënga nuk ishte ndonjë wow siç thonë edhe të rinjtë sot. Ishte thjesht një këngë e interpretuar normal. Nuk ishte një prurje wow.
Sukses është t’i thuash fituesit urime. Të pranosh fitoren e tjetrit. Jo ta paragjykosh.
Ne jemi fitimtarë, por të entuziazmit. Dhe kësaj radhe më vjen keq që shorti të ra ty Elhaida. Sinqerisht më vjen keq.
Lekët e Xhaferrit i kemi ne, jo Pëllumbi
Një sukses”i bujshëm”i policisë së shtetit- Show paraelktoral/
Nga Ilir Levonja/
Sot për shqiptarët doli sërish në skenë Fondacioni Xhaferri. Një sukses ”i bujshëm” i policisë së shtetit. A është a s’është i tillë. Nuk ka më asnjë rëndësi. Megjithëse nuk është e vështirë të kuptohet pse u realizua tani. Përpara zgjedhjeve lokale. Nuk është e vështirë të kuptohet se kujt i adresohet ky show. Apo firmat piramidale.
Eshtë në strategjitë tona më të dhimbshme: që pasardhësi t’i kujtoj popullit zullumet e paraardhësit. Një nga strategjitë e grupeve mafioze. Që bëj zhurmë nga ana jugore. Që të vrasim vëmëndjen në anën lindore.
Po a janë vërtetë fajtor djemtë e arrestuar? Asllani dhe Pëllumbi? Vërtet mashtrues? Vërtet i vodhën njerëzve 12 milionë dollar?
1)Para se të bëhej milioner, unë e kam patur koleg Pëllumbin. Punonim të dy në Bashkinë e qytetit. Një djalë hokatar. Por që shpejt u gdhi si milioner. Një nga trashëguesit e një farë beu të ikur në Turqi. Në fakt ishte një lloj inisiative e babait të tij. Në mos gaboj një llogaritar në stacionin e mjeteve bujqësore. Apo të famshet SMT-ë.
Në atë kohë njerëzit ishin kthyer në një lloj lakmirë të lekut. Kjo kishte të bënte me faktin edhe të prurjeve nga jashtë shtetit. Një soj smire për tu rregulluar sa më shpejt. Vinim nga një mizejre kolektive. Të paktët për sa i përket mirëqënies.
Kështu që domosdoshmërisht duhej futur në garë. Puna ishte se kush do të guxonte më shumë. Ndodhi që guxoi babai i Pëllumbit. Guxoi me fqinjët e tij. Me të njohurit. Biles mbas atij ishin këta më aktivët. Frymëzuesit. Plasi epidemia e peshkut.
Ka qënë një nga vitet më të begatë. Aq sa, sa herë ulem dhe e kujtoj, për të riprodhuar pjesë që më duhen. Në lidhje me prespektivën rreth memorjes. Për të shkruar atë periudhë. Eshtë gati eterike. Si e pakapshme. Plotësisht një dehje kolektive. Kanë qënë vitet që në një fare mënyre, na i bën realitet përrallat e Orientit. Të paktën nga tavolinat. Por kjo ëndërr u bë edhe më e bukur me ekipin e futbollit. Kur në Lushnje, në një ndeshje me ekipin e Patosit, do të zbriste Mario Kempesi. Trajneri i pare i huaj në Shqipëri. Një realitet kaq magjik sa, zor të vij më .
Ndaj them se qe një dehje popullore.
2)Në të njëjtën kohë ky shtet që e akuzon sot, që e bastardon, që i faturon atë vlerë dollarësh. Nuk e kishte të rregulluar me ligj huadhënien apo huamarrjen. Ose le të themi, dukuri të tilla. Përreth përshpëritej për veprimtari aktive në vende të ndryshme të fondacioneve të tillë. Ndaj entuziazmi nuk kishte fre. Fondacionin po e imitonin edhe ata pak investitorë. Fondacioni po pillte dhe fondacione të tjerë.
Kam qënë prezent kur një nga këta bosët e rinj, si ai i Popullit, hidhte para në ajër në një aktivet promovimi të çeljes. Kollosi hidhte lekë në ajër. Ne të gjithë përkuleshin të mblidhnim. Ata që kanë qënë aty, ndofta me siguri qeshin tani. Pasi edhe këngëtarët harruan mikrofonët. Shi lekësh, shi i dendur.
Kam pare opozitarë të atëhershëm. Ose qeveritarë të sotshëm me lista kuadri. Që e reklamonin dobinë e huadhënies. Që bënin opozitë me burgun e liderit të tyre. Që bën çmos ta na i merrnin Pëllumbin në Tiranë. Dhe na e morën. Pëllumbi vinte rrallë dhe kush kishte fatin të merrte një përshendetje nga makina e tij, gëzohej sikur të kishte kapur qiellin.
Ndërsa ca muaj më vonë këta opozitarë. Këta ish oficerë të liruar, gjykatës. Mjekë, inxhinjerë. Arsimtarë të devotshëm. Drejtues aksionesh. Ish sekretarë komitetsh…, do akuzonin qeverinë e atëhershme për lejimin e aktivitetit të haudhënies. Madje do të bëheshin pjestarë të djegieve, shkatërrimeve, përndjekjeve dhe vrasjeve. Për t’i dhënë vendit një vit të dytë të mbrapshtë.
Nga ana tjetër edhe ne të thjeshtët, qytetarët…,që sot, çfarë nuk lëmë pa thënë për xhaferrët, nuk e kishin për gjë të shisnin shtëpitë dhe t’i fusnin mik Pëllumbit për të marrë pa radhë këstet.
Ndërkohë kur Fondacioni e reklamonte me të madhe si parrullat e kohës, mos shitjen e shëtipëve, të gjës së gjallë etj.
Por siç e dime, tek ne ka vetëm fajtorë. Dhe asnjëherë bashkëfajtorë.
3)Sot kur i pashë portret e vëllezërve Xhaferri. Mu zgjuan me dhjetra pandehma.
Po përmend vetëm disa:
-Si është e mundur që shumë ish oficerë, ishin drejtues në pikat e shpërndarjeve? Qe rastësi?
-Si është e mundur të dehet një shoqëri e tërë? Qe rastësi ?
-Si është e mundur të futemi në një lojë. Dhe të quajmë fajtor vetëm ideatorin? Eshtë rastësi?
-Si ishte e mundur që, atyre gjysmë investitorëve fondacione. Nuk u dha përkrahje financiare. Për të mos humbur edhe ato pak investime. E rastit? Apo aq dinim?
-Përse i adresojmë një vlerë të atillë, në miliona dollarë…, një njeriu që ka veç frymën.? Për të vendosur drejtësinë? Apo për të rregulluar sistemin e drejtësisë.
Thua iu hoq ngjolla me ato dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet burg, që do vuajnë këta? Vitit të mbrapshtë 1997-ë?
Nuk e besoj.
Voto për këtë!
Shkruan: Ilir Levonja-Florida/
Ne jemi katërcipërisht të ndërgjegjësh që e kemi instaluar hipokrizinë.
1)Referuar portalit të Syrizas në Greqi, parti e themeluar në majin e 2004. Kupton një luftë vërtetë domethënëse të një populli përballë klasës politike.
Nga 3.3%, në atë vit, që është konvertuar me 6 vënde në parlament. Sot Syriza ka 36%. Ose 149 vende në parlament. Por thelbi nuk qëndron tek Syriza. Ashtu sikur edhe nuk mohojmë arritjen e kësaj force politike. Por tek populli. Tek lëvizja e tij për të zhvendosur, ose shpërbërë kolonat e vjetra të partive tradicionale. Që në një apo tjetër mënyrë, ishin bërë imazh i sojit patriarkal në botën moderne. Afërmendsh, edhe dy soje vatrash që thithnin buxhetin e Greqisë. Paralel oponencave të mirëkuptuara, edhe pse denigronin e shanin njëra-tjetrën.
Sot Greqia vuan pikërisht nga ky dualitet politik. Ndërsa shoqëria atje, e di që ka pastruar trupin nga shushunjat e tipit, Papandreu, Micotaqis etj.
A do i nënshtrohet Cipras, programit ekonomik të planifikuar nga Europa? Eshtë çështje e tij. Ndofta edhe prova e tij. Megjithëse shënjat janë se po i vihet veshi Europës.
2)Në Shqipëri, nuk ka akoma shenja të tilla. Edhe pse ne kemi arritur pikun e polizimit. Ndofta jo me familje, por me sejmenë familjesh. Kjo do të thotë se kriza e Greqisë nuk është parashikuar aspak nga populli ynë.
Përshembull Lëvizja Mjaft rezultoi e gjitha me një produkt të tipit Veliaj. Aleanca e Spahiut, një artopolant i vjetër. Partitë e vogla vazhdojnë të ndahen. Treni i Berishës me aleatet, në zgjedhjet e kaluara, nuk bëri gjë tjetër veçse fuqizoi koalicionin qeverisës sot. Rasti i Shpëtim Idrizit. Nuk besoj se ka demokratë që të mos ketë kuptuar se koalicione të tilla, janë dobësime që zor se riparohen kollaj. Forca e Lsi, edhe pse Dritëroi Agolli këmbënguli atëhere duke thënë se një parti e tretë është si ato të burrit që tunden në mes shalëve. Pra kot. Doli si më nevralgjikja. Me sa duket Dritëroi harroi se burrit kur i prek ato, bie për tokë. Aty mblidhen të pakënaqurit. Qofshin këta, të kuq, blu, bluzinj, të zinj, të kaltër, larush, burgaxhinjë etj. Baba Likja i ka dyert e hapura.
Shoqëria civile? I ka mbetur vetëm emri. Plot i ke panelet me rektorë të varur. Artistë ogiçë. Këngëtarë me sukses të paparë. U bën milionerë duke mbushur sheshet e partive. Me buxhetet e partive. Studentë më të zjarrtë se kryetarët aktualë. Kujt t’ia vëm gishtin? A nuk doli Reshat Arbana si babaxhan. Doli dhe i madhi Kadri Roshi vite më pare. T’i besojmë qeveriut, tha. Dhe qeveriu e bëri. Nga teatër kombëtar, në eksperimental.
Të pavarurit. ? Në botën shqiptare janë? Apo në atë të Servantesit.? Me keqardhje duke si mëshirimin i Don Kishitotit .
3)Pse jemi aktorë të hipokrizisë. Eshtë një fushatë lokale dhe me një hartë të re elektorale.Si e tillë duhet të fokusohet në problemet lokale. Ndërkohë kur kanë filluar akuzat ndaj liderëve. Akuza bën organi përkatës. Kandidati platformë qeverisëse. Se sa ka vjedhur iksi apo ypsiloni, nuk është problem i një qytetari në periferinë e një bashkie. Atje problem është rruga e pa shtruar. Ngushtimi i kësaj rruge ditë më ditë. Kanali i ujrave të zeza. Pusetat pa kapak. Uji i pijshëm. Gaforret me tela korenti sipër kokave të tyre. Që njëri fqinj ia shkarkon zhavorin fqinjit tjetër mu përpara derës. Që pallati trekatësh, zgjohet katërkatësh etj. Ndaj nuk e kuptoj përse duhen harxhur gjithë ato para për të dekoruar rrugët. Për të improvizuar shiun entuziazt të diktaturës. Me që përmenda Ciprasin dhe ato ishin zgjedhje parlamentare. Flamuj ka vetëm nëpër duart e sipmatizantëve. Në tubime, në sheshe etj.
Ne flasim për rregulla loje, për respektim ligji. E shkelim me dy këmbë. Ngryset qielli blu. Zbardhet dita me qiell të prushëruar, blunjtëzuar etj.
Kërkojmë debat publik, pa asnjë lloj platforme. Pa e ditur se përse bëhet debati. Si bëhet debati.? Cilët janë moderatorët që do drejtojnë auditorin.? Ku do vendoset tabela e shumatoreve të përqindjeve, në auditor, apo në selitë e partisë? Bëjmë sondazhe pa asnjë vlerë. Pasi tek webet e majta kanë fituar të majtët. Tek webet e djathta kanë fituar të djathtët.
4)Një grua plakë, e vetmuar. Për shkak se i iku djali me gjithë familjen në kurbet. Ku ta merrnin të shkretën. Bagazh i tepërt. E gjeti oborrin plot me të rinj e të reja. I pastruan shtëpinë, ia zbukuruan me poste, flamuj fushate. Plot të rinj me bluza…, plot portrete. Kur e vetmuara pyeti se i erdhi djali prapë? Iu përgjigjën. Ai që iku nuk të kthehet më. Djali yt është ky në gjokset tona. Voto për këtë! Dhe ajo e lumtur pranoi. Në fund të fundit, ca ditë fushate janë lumturia vet.
- « Previous Page
- 1
- …
- 88
- 89
- 90
- 91
- 92
- …
- 102
- Next Page »