SPECIALE/ Prishtinë-Nëna Terezë e portretuar nga artistët e rinj/
-Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, në ditën e lindjes e në prag të shenjëtërimit të Nënë Terezës, ekspozitë me portretet e saj/
-Imzot Dodë Gjergji: Të frymëzuar prej Nënës Terezë, diell që shndrit shpirtin tonë/
-Kryeministri Isa Mustafa: Nëna Terezë, simbol i humanizmit, e shqiptarëve dhe krejt botës/
-Në Kosovë: 2016-ta, Viti i Nënë Terezës. 5 Shtatori “Dita e Bamirësisë-Nëna Terezë”/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 26 Gusht 2016/Në Prishtinë sot, organizuar nga InfinityArt dhe Ipeshkvia e Kosovës u hap ekspozitë punimesh të artistëve të rinj të Kosovës me portretet e Nënë Terezës për të shënuar ditëlindjen e saj në 106 vjetor dhe për të filluar zyrtarisht përgatitjet për shenjtërimin. Ekspozita në Katedralen “Nënë Tereza” do të jetë e hapur deri në 28 gusht prej orës 10:00 deri në 16:00, u bë e ditur në ceremoninë ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i pritur nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.
Fillimisht foli Imzot Dodë Gjergji, duke u shprehur se paqja është më e dobishmja dhe më e domosdoshmja për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, por edhe për mbarë botën sot.
“E Nëna Terezë ka dashur që me duart e veta dhe me zemrën e vet t’i mësojë njerëzit të jetojnë në paqe me të varfrit, në paqe me të fortit, në paqe me të gjithë njerëzit, nëpërmjet shërbimit dhe nëpërmjet dashurisë. Sot, në vazhdën e takimeve dhe të përgatitjeve tona për Shenjtërimin e Nënës Terezë, jemi në Katedralen e saj, për të hapur ekspozitën që e kemi organizuar në bashkëpunim me InfinityArt, dhe unë i falënderoj për bashkëpunimin, dhe i falënderoj për këtë mundësi ku të rinjtë dhe të rejat e këtij grupi, e zbërthejnë bukurinë e shpirtit të vet, të frymëzuar prej Nënës Terezë, që duhet të jetë frymëzimi kryesor dhe duhet të jetë dielli që shndrit shpirtin tonë”, theksoi Imzot Dodë Gjergji.
Kryeministri Mustafa tha se për të personalisht dhe për qeverinë e Kosovës është një nder i veçantë që të jenë pjesë e aktiviteteve për nder të Nënës Terezë.
Duke vlerësuar rëndësinë që ka për Kosovën dhe kombin shqiptar shenjtërimi i Nënës Terezë, kryeministri theksoi se ajo është simbol i humanizmit dhe një veprimtare e devotshme e cila nuk i takon vetëm shqiptarëve por krejt botës.
“Ne krenohemi me Nënën Terezë, por krenohemi edhe me ju dhe me të gjithë artistët tanë për këtë ekspozitë kaq të rëndësishme dhe për të gjitha këto aktivitete që po zhvillohen këto ditë para se Nëna Terezë të shenjtërohet. Unë ju falënderoj shumë, ju uroj shumë suksese në punë, dhe po ashtu shpreh përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës që gjithmonë në aktivitete të tilla të jemi në krah me ju, sepse konsiderojmë që po bëni një punë të mrekullueshme për të gjithë ne”, tha kryeministri duke vlerësuar edhe punën tepër të madhe që po bën Ipeshkvia e Kosovës.
Ndërsa, Marjan Nikolla nga InfinityArt ka përshëndetur të pranishmit dhe bëri të ditur se në këtë ekspozitë marrin pjesë 10 artistë me pikturat e tyre.
“Faleminderit që keni ndarë kohën që ta festojmë së bashku këtë ditë madhështore, të Nënës Terezë, të cilën gjithë bota e feston dhe ne si grup i artistëve sadopak me ngjyra ta zbukurojmë këtë ditë”, tha Nikolla.
Artistja Marigona Toma, e cila kishte sjellë pesë piktura ka deklaruar për median se për të është hera e katërt që merr pjesë në ekspozitën kushtuar figurës së Nënës Terezë.
“Jam munduar ta paraqes figurën e Nënës Terezë në mënyrën më të mirë të mundshme sepse reflektimi i ngjyrave të mia është me ngjyra të hapura, ashtu siç duhet paraqitur ajo, me butësinë e saj. Të gjitha janë portrete të Nënës Terezë, duke u lutur, duke e treguar thjeshtësinë e saj, mirësinë e saj, që e ka bërë jo vetëm për popullin shqiptarë por për një popull të tërë nëpër botë”, citohet ajo nga KultPlus.
E njohur në botë si Nënë Tereza, si edhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe, për ndihmën të varfërve, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016, në Vatikan.
Një ditë më parë, më 3 shtator, në Vatikan, në Bazilikën Papnore të Shën Palit, do mbahet koncerti “Himni i Nënë Terezës”.
Qeveria kosovare financon këtë koncert, është bërë e ditur në fillimet e përgatitjeve.
“Kisha katolike do të shtegtojë në Vatikan me një numër të konsiderueshëm, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për ne. Do të mbahet Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan, në 3 shtator 2016”, ka deklaruar Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës, në një konfrencë shtypi në fillim të këtij muaji.
Duke folur për idenë e koncertit në Vatikan në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, ai tha se në vitin 2015, në 5 shtator, në Katedralen në Prishtinë është mbajtur Koncerti për Nënë Terezën, i ideuar nga producenjta Diana Toska, i realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, i cili ishte një realizim i mrekullueshëm.
“Nga këtu lindi ideja që i njëjti koncert të ekzekutohet në ambientet e Vatikanit. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ia ngarkoi vetës detyrën për të kërkuar nga Selia e Shenjtë që të na mirëpret me këtë koncert, pikërisht në vigjiljen e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me idenë për të falënderuar Zotin bashkë me Kishën Katolike universale për këtë Nënë të madhe të botës, që ka dhënë Kisha jonë.Pas kërkesës së Ipeshkvit të Kosovë, Selia e Shenjtë me kënaqësi e ka pranuar dhe është bërë mikpritëse e kësaj ngjarje kulturore dhe artistike”, është shprehur Don Koliqi.
Ai ka theksuar se, këtij organizimi të Kishës Katolike në Kosovë i është bashkangjitur edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Argjipeshkvia e Tivarit dhe Ipeshkvia e Shkupit.
“Vendi ku ka përcaktuar Selia e Shenjtë, që të na pret për ta mbajtur këtë koncert, është njëra ndër Bazilikat madhështore Papnore: Bazilika Papnore e Shën Palit”, ka shtuar zëdhënësi.
Është paralajmëruar se në concert do marrin pjesë artistë të mirënjohur, Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkelzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Laja, Gëzim Mushketa etj, ndërsa recituesit e vjershave/uratave të Nënë Terezës do jenë Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy artistët e rinj të filmit “Shok” Andi dhe Lumi.
Për koncertin hyrja do të jetë falas, porse nevojitet të sigurohen biletat e rezervimit të vendeve.
Të nesërmen, në 4 shtator 2016, që është dita kulminante, do të jetë mesha e solemne e shenjtërimit të Nënë Terezës, të cilën do ta kremtojë Papa Françesku, në bashkëmeshim me qindra ipeshkvijë dhe meshtarë të botës, në ora 10:00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Edhe për pjesëmarrje në meshë duhen biletat falas për të rezervuar vendet e mund të sigurohen edhe te Ipeshkvia e Kosovës në Prishtinë, pranë Katedrales “Nënë Tereza”.
Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga qeveria kosovare, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.
Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
***
IMZOT DODË GJERGJI-KORRESPONDENTIT TË DIELLIT: DO GJËRA NUK HARROHEN
-“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha një intervistë ekskluzive/
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës kushtuar Ditëlindjes së Nënë Terezës u takuam dhe përshëndetëm edhe sot me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, pak ditë pasi kishte mirëpritur në selinë e Ipeshkvisë e në Katedralen në Prishtinë me shumë respekt e vlerësim delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj, e gjatë gjithë kohës isha edhe unë, prej më shumë se një viti edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli-organ i Vatrës.
“Do gjëra nuk harrohen”, më thotë duke përkujtuar se isha kryeredaktori-themelues i gazetës “Bujku” të kohëve të vështira të Kosovës, një ekzemplar të së cilës e kemi parë të ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë gjatë vizitës së delegacionit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra edhe në këtë muze të kryeqytetit të shtetit të dytë të shqiptarëve.
Para çerek shekulli – 25 vitesh, në 18 janar 1991, ka dalë numri i parë i gazetës së përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, kryeredaktor-themelues i së cilës isha e të cilën e nxorëm me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja edhe duke sfiduar ndalimin nga regjimi okupator serb të Rilindjes – gazetës tradicionale të Kosovës.
Si kryeredaktori i parë i gazetës “Bujku” u bëra edhe themelues i bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri me këmbime shkrimesh dhe korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, i pari nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë.
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persik…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt…
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për ATSH-në një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…
Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…
***
KUJTESË- NJË TAKIM, SI NJË BEKIM
Në ditëfestën e 28 Nëntorit – të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar, para gati 11 vitesh, në vitin 2005, kam shkruar si në ditar një shënim për një takim në Prishtinë me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin folëm edhe për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha deri në numrin e fundit dhe në angazhimet për ta rikthyer të përditshme. Shënimi, që e gjejë sot në një mesazh të dërguar me e-mail, ishte ky:
Takimi spontan me Imzot Mark Sopin
Tek po festonim në Grand 28 Nëntorin, ku kishte shumë personalitete, me shumë prej të cilave edhe u takova personalisht dhe ngritëm dolli, një emocion e përshtypje shumë të veçante më solli momenti i takimit me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin nuk isha takuar ndonjëherë më parë ashtu drejtpërdrejtë.
-Besoj se nuk po gabohem, je Behlul Jashari, më tha derisa po më afrohej dhe pas shtërgimit të duarve edhe më perqafoi.
Më përgëzoi për angazhimet për Rilindjen dhe më ftoi për një vizitë në Ipeshkvi. Më vlerësone dhe më njihte edhe nga shkrimet. Dhe për vendosmërinë per Rilindjen.
E përjetova këtë edhe si një bekim.
E falënderova shumë për vleresimin, nderin dhe përkrahjen që më bëri. Dhe, me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës për vizitën.
Behluli
28 Nëntor 2005
****
Kosovo – Mother Teresa lauded on 106th birthday anniversary
PRISHTINA, Aug 26 /ATA/-By Behlul Jashari/ – An exhibition by 10 Kosovo young artists opened its doors at Mother Theresa Cathedral in Prishtina on Friday to mark the 106th anniversary of birth of the blessed Catholic nun and great Albanian humanist.
The exhibition featuring portraits of Mother Teresa will organized by the InfinityArt and Kosovo Diocese and it will run until Aug 28.
Kosovo Prime Minister Isa Mustafa attended the opening ceremony of the event Isa Mustafa, who appreciated young artists for the exhibition dedicated to the blessed Mother Teresa.
“Mother Teresa had wanted with her hands and her heart to teach people to live in peace with the poor, at peace with the strong, at peace with all men, through care, compassion and love. Today, in the wake of events and the ongoing preparations for the canonization of Mother Teresa, we are here at her Cathedral to open the exhibition that we organized in cooperation with ‘Infinity Art’, ” Monsignor Dodë Gjergji said in his remarks.
Known worldwide as Mother Teresa and as Nobel Prize laureate for her charitable work, she was born Agnes Gonxhe Bojaxhiu on Aug 26, 2010 in Skopje, and is set to be declared a saint by Pope Francis on Sept 4, 2016, in Vatican.